Shkruan: Gëzim AJGERAJ

 
MISIONI I VARGUT SI VIZION PËR TË ARDHMEN, PËRKUSHTIM POETIK I REXHEP SHAHUT


Rexhep Shahu, ”LIS I VETËM NË FUSHË“, poezi, botoi “ALBDESING“, Tiranë, 2011, faqe 144. ISBN 978-99927-685-5-6

Poezia e Rexhep Shahut, këtu e dymbëdhjetë vite më herët, edhe në përmbledhjen “Mali i Hënës“, më ka tërhequr për filozofinë metaforike, që mbështjell vargun e tij, duke e bërë një varg shumë hermetik por aq edhe të ëmbël në lexim. Për mua, poezia e tij, është shumë meritore në avancimin e poezisë së sotme shqipe, me plot forma estetike që qojnë në përsosmërinë e formave të ndërtimit të poezisë.
Vlerësimin tim për librin “Lis i vetëm në fushë“, do ta nis me poezinë e parë, që na vjen si një prolog i të gjitha zhvillimeve kohore, me të cilat ballafaqohet poeti, e që shpeshherë shpirti i tij shpërthyes nuk pajtohet me to.
Poezia e Rexhep Shahut sikur bartë me vete ndrydhje të brendshme deri në shpërthim, që në fakt herë herë bartë emocionet e poetit, i cili për nga aspekti filozofik në varg, na bën të kuptojmë se ai i ndjek edhe zhvillimet në kohë, për ti metaforizuar ato brenda vargut, bashkë me përcaktimin e drejtë karshi zhvillimeve, për çfarë na jep të kuptojmë se poeti dhe vargu i tij, bëhen shkëndijë drite në zhvillimet e kohës.

Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s’dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.

SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)

Pra, me një fjalë ai e portretizon harbimin e trazimeve në kohë, deri në përfundimin e këtyre trazimeve që shpeshherë na dëmtojnë si popull se sa sjellin diç të mirë, dhe pikërisht këtu poeti përmes vargut, bëhet shkëndijë drite, për lexuesin, që me misionin poetik në varg, hap portat e dritës, se nga duhet të ecet.

Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.

SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)

Ai vazhdon më tej duke mos u ndalur, dhe qëndron karshi furtunës deri në veshjen e plotë të kësaj maskote. Ai e vesh kohën, zhvillimet deri në ekstrem, dhe kjo është dëshmia më e mirë se Rexhep Shahu, është shumë i vendosur në misionin e poetit vizionar dhe taban të gjerë në shërbim të interesit të përgjithshëm kombëtar.

Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerëzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.

SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)

Për të mos u ndalur vetëm tek e sotmja, e cila sa do drejt e besueshmërisht të jetë pasqyruar, me zhvillimet dhe ecjen nëpër kohë mund të shihet ndryshe, brenda koncepteve tematike të poezive, ai na shfaqet edhe me tema të tjera metaforike, të cilat pasqyrojnë sentenca të tjera të jetës nga perceptimi poetik dhe pikërisht, këtu qëndron filozofia e poetit, duke i dhënë laryshi tonesh librit, për ta bërë tërheqës dhe të qëndrueshëm në çdo kohë vargun e tij, edhe në të ardhmen e largët. Dhe poeti vazhdimisht arrin të përsosë ndjeshmërinë e formave të ndryshme letrare, që sjellin laryshi artistike në stilet dhe strukturat e ndërtimit të vargut.

Nëse më do, mos më fto të vdes
Më ler të ngjitem në parvaz të dritares
Të shoh hënën...

(NËSE MË DO)... (faqe 24)

Jo rastësisht, kapëm një lirikë të poetit, për ta argumentuar atë që e thamë rreth laryshisë së poezive në këtë libër, dhe mesazheve të shumta që mbërthejnë ato brenda vargjeve. Dhe lirika brenda këtij libri, e cila nuk është e paktë, sikur të çlodh nga përditshmëria e cila është e stërngarkuar me zhvillime që herë herë e rëndojnë njeriun tonë, për mes këtij lloji të poezisë, poeti ia arrinë ta çlodhë lexuesin, që sa do pak ta ëmbëltojë për mes vargut, në shpirtin e tij.

Ti je mbyllë ne kullën e heshtjes,
Për mua mendon orë e çast
Unë i kam hypë kalit të ëndrrës
Prej vetes më ikë larg.

Aty ku troshiten nata me ditën
Në mbrëmje, të pres përnatë,
Mbërthyer në heshtje varri
Flas me yjet e hënën e ngratë

TI JE MBYLLUR (faqe 128)

Poezia e Rexhep Shahut, është sikur një pasqyrë, e zhvillimeve të kohës dhe ecjes së poetit nëpër të, e që natyrisht është e mbështjellë me metaforën letrare, që librin e bën të këndshëm për lexim. Krahas kronikave të përditshmërisë, për mes vargut, ai hedh dritë në të ardhmen. Vargu i tij, sikur të deh gjatë leximit, për të mos u ndalur deri në fund të librit. Dhe kjo çlodhje, që e ndjen gjatë leximit, sikur të mbushë plot motive shprese për ta shijuar të bukurën që e ofron jeta.

Të rend çdo çast drejt teje nëpër shi me çadër në dorë,
E të mos kujtohem ta hap çadrën nga nxitimi,
Hutimi a frika se mos vonohem;
Të emërtoj gjithë sendet e njerëzit e botës me emrin tënd;
Të ndaloj urbanin, të zbres dhe të ec në këmbë
Se më duket se urbani ecën më ngadalë se unë;
...

TË REND, (faqe 81)

Bota e brendshme e poetit, shpeshherë është shpërthyese, në raport me kohën. Ai vazhdimisht është në kërkim të së bukurës, të drejtës, të lirisë, që herë herë në varg tingëllon edhe ndryshe.

E kam marrë përdore veten
Dhe plasa ta tërheq për tek një qiell tjetër
Ku s`të thonë “trus”...
Pronarët e qiellit janë harbutë
Të jesh i gjatë do prerë diçka nga vetja
Të bëhesh i shkurtë.

Këtu si të tjerët duhet të jesh
As të dish më shumë as të kesh,
Ndaj e kam marrë për dore veten
Zvarrë po e tërheq...

NJË QIELL TJETËR, (faqe 65)

Rexhep Shahu, për mes këtyre vargjeve, nuk i bindet realitetit të të sotmes, e cila herë herë sikur nuk është në binarët e normales. Ky realitet, për fat të keq, po e përcjell vazhdimisht shoqërinë tonë njerëzore, në veçanti në Ballkanin e trazuar, e cili nëpër tranzicionin e tejzgjatur, herë herë po del nga realiteti i rregullave të normales. Dhe ky realitet, tek poeti, perceptohet nëpër vijat e holla të vargut, deri në ekstrem, të kërkimit të “Një qielli tjetër”. Ndaj, vargjet e tij, bartin mesazhe të qarta, duke i dhënë grusht të fortë ligësive të kohës, mesazhe këto të cilat veç sa e forcojnë misionin e të qenit poet.

Ku janë heronjtë, ku janë,
Ku rrinë, ku struken, ku pinë...
Kohë heronjsh nuk ka,
Nuk ka stinë të tyre, as mot të tyre,
As shekull, as ditë, as orë, as çast heronjsh nuk ka.
Ata s`ishin kur na u deshën në luftra,
Në tragjeditë tona jo e jo,
Pse t`i shpikim vallë?

Heronjë nuk ka kund motra ime,
Viktima po, të mundur po,
Të mundur që urrehen e vazhdojnë të munden nga të gjithë,
Të mundur që s`munden t`ia kafshojnë xhelatit
As gishtin kur ua fut në gojë.
Të mundurit e përdhunuar gjithmonë kanë faj,
E kurr jo xhelati.
Dhunuesi ishte hero dje,
Sot e përgjithmonë.

HERONJTË, (faqe 48)

Pamjet e këtilla që na faqen në libër, sikur na vijnë nga një shpërthim i brendshëm poetik, për ti ndërruar kohët. Kjo papajtueshmëri me kohën, brenda kronikave na vjen si një mesazh, se vërtet kohët dhe mentalitetet duhen ndërruar. Ai për mes kulturës krijuese, është shumë i vetëdijshëm se poezia e tij, do ti shërbejë edhe të tjerëve.
Poezitë e librit; “Lis i vetëm në fushë”, na bëjnë gjithmonë të besojmë se Rexhep Shahu, i kronikon kohës, i freskët me misionin poetik në gji, dhe pa ngarkesa nga e kaluara, por gjithmonë me vizion drite dhe besim në të ardhmen.

Unë nuk dua tavolinë të shtruar feste, urime gëzimi e cakërrime gotash
Në ditëlindjen time,
Sepse nuk dua të festoj humbjet e mia, vitet e çuara dëm
Nuk dua t`i shes mend zotit e as të festoj plakjen.
Nuk dua sepse kështu çoj dëm orët e lumtura që do të rrija veç me ty
Dhe trishtohem për këtë shkak, trishtohem pa fund...

NUK DUA FESTË NË DITËLINDJEN TIME, (faqe 116-118)

Këto vargje, sikur na japin të kuptojmë se, edhe përkundër jo ngarkesave të së kaluarës, ai brenda vetes bart vragën e dhimbjeve, nga ajo kohë, që poeti i quan; vitet e çuara dëm. Pra, për shumkënd, edhe për poetin, një pjesë nga e kaluara, sikur ishin vite të humbura, të cilat nuk kanë sjellur asgjë për një popull të tërë, pos dhimbje e vuajtje. Megjithatë, brenda këtij libri, thuaj se fare, poeti nuk i kthehet më të kaluarës. Sikur, s`don ta kujtojë më atë kohë. Disonanca e ngjyrave në vargje ndryshon, duke sjellë laryshi të temave të cilat janë preokupim edhe përditshmërisë poetike. E gjithë kjo laryshi temash, na vjen pasi vagjet në libër na vijnë si tërësi jo të ndara në cikle. Dhe kjo formë e aplikuar, librin sikur e bën më hermetik brenda akceptimit të temave. Megjithatë, ndoshta këtu do i jipnja të drejtë poetit, sepse estetika e ndërtimit të librit, temat dhe bukuria e vargjeve, e ruan origjinalitetin e përditshmërisë kronologjike të poetit.

Lis i vetëm në fushë
Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur
Që ende dëgjon gjithçka
Nga bëmat e botës,
Që sheh edhe ato që s’duhen parë.
Trumcak i ngrirë në borë
Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.
Sytë e Hënës që shohin gjithësinë,
Dera e çelur ku hyjnë zërat,
Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,
Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,
Etja e lumit nga shterrja e ujit,
Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,
Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,
Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,
Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,
Fole dallendysheje e braktisur...
E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s’je...

LIS I VETËM NË FUSHË, (faqe 34-35)

Vargjet që vijnë brenda poezisë, që shfaqen në formën e kronikave, na japin të kuptojmë se Rexhep Shahu, i vetëdijshëm për misionin poetik, sikur bartë mbi vargje edhe peshën e kohës, duke nxjerrë mesazhe të qarta edhe për ardhmërinë, pa ndonjë ngarkesë nga e kaluara, por duke ecur gjithmonë drejtë një vizioni plot dritë. Figurat letrare që i përdor poeti në vargje, vijnë si rezultat i një përvoje të gjatë në letra, përvojë e cila me mjeshtri i u jep kuptimin artistik në poezi. Pra, siç shihet nëpër vargje, poeti në masë të madhe, ja ka arrit të zbërthejë shpirtin e përditshmërisë së tij, të cilën më së miri e pasqyron poezia, ndryshe ecjes sonë do ti mungonte kuptimësia. Nga kjo që thamë, konstatojmë se poeti Rexhep Shahu, i kronikon kohës, duke e shikuar dhe ecur nëpër të, brenda vizionit poetik, që për mes poezisë hap dritë për të ardhmen, njëkohsisht përmes vargut, shquhet plot guxim, si luftëtar për ndryshime të përgjithshme shoqërore. Nga ky prizëm i të menduarit, na jep të kuptojmë, se poeti Rexhep Shahu, me plot besim në vizionin e tij, na shprehë atë edhe përmes vargjeve, të cilat në të shumtën e rasteve u prijnë ndryshimeve në shoqëri, e sidomos tek ne kur ende jemi përpëlitjeve tranzicionale.
Këto që i thamë, për poezinë Rexhep Shahut, nuk mundë të jenë e tëra. Ishte njëri nga aspektet e përceptueshmërisë shumëdimensionale të poezisë së këtij poeti. Kemi prekur vetëm disa pejsazhe nga libri ”Lis i vetëm në fushë”, për të sjellë mes jush perceptimet tona brenda kësaj bukurie letrare, nga këndi i ynë. Me këtë konstatim Rexhep Shahut, i urojmë edhe për shumë margaritarë tjerë letrarë, në botën e letrave shqipe.

Gëzim Ajgeraj, Zvicër, 7 tetor 2011, www.gezimi.jimdo.com