Gëzim Ajgeraj

ARTI POETIK I IBRAHIM SKENDERIT NËN OPTIKËN E RIVLERËSIMIT

 

 

Për Botuesin

Gëzim Ajgeraj

 

 

 

Redaktor

Ilam Berisha

 

 

 

Recensent

Abaz Çengaj

 

 

 

Lektor

Ismet Lecaj

 

 

 

Kopertina

Autori

 

 

Botues

Metafora, Zvicër

Gëzim Ajgeraj

 

 

ARTI POETIK I

IBRAHIM SKENDERIT

NËN OPTIKËN E RIVLERËSIMIT

 

 

 

Revista letrare

 

METAFORA

 

Zvicër, 2014

 

 

 


POETI PËR POETIN

 

 

 

Shpeshherë këto shkrime për Ibrahim Skenderin dhe veprën e tij, më ngjajnë, sikur të shkruaja për vetveten. Arti i të shkruarit sikur e ka një burim të njëjtë ku lind ngacmimi i muzave, fjala dhe prej atje niset vargu. Zatën në ato burime pinë ujë poetët dhe shuajnë etjen e tyre, duke e shpërndarë fjalën për të ia shuar të tjerëve. Dhe kush do ta njihte këtë botë më mirë se poeti kur shkruan për poetin. Ndoshta këtu qëndron edhe arsyeja e asaj që thashë më lart.

 

Jeta e poetit, brengat, etnia, bota, të cilën e sheh ai përpara vetes, janë pikat e përbashkëta që i përafrojnë ata. Këtij përafrimi i prijnë edhe shumë elemente tjera, të cilat gjatë zbërthimit të vargut të këtij poeti sikur më bëjnë më të ndieshëm në skenat që m`i krijojnë ato.

 

Ndoshta është afërsia gjeografike, që mund të jetë pesë, gjashtë apo edhe dhjetë kilometra, por edhe ngjarjet e ndryshme të cilat ndodhën në këto anë, e që s’i ndahen edhe vargut të këtij poeti, por fati historik si komb, na bën që dhimbjet t’i ndajmë njësoi e t’i përcjellim ato përmes vargut. Nga publikimet e tija të para, si; “Dritë e dituri”, (monografi), shohim brengën e tij për etninë e vet, shkollën, arsimimin, të cilin duke e njohur kohën në të cilën e bëri atë publikim, e shohim brengën, hallin e njeriut, i cili brengoset për të ardhmen e etnisë së tij (shumë të rrezikuar në ato kohë). Dhe pikërisht ky zgjim përkon me një për dalëzotje karshi çështjes kombëtare, e në këtë rast arsimit, tregon se Ibrahim Skenderi po i hynte një misioni të shejntë, për të sjellë diç, për të bërë diç në të mirën e kombit.

 

Dhe kjo aventurë e tija, s`do të ndalet, por do të vazhdojë nëpër kohë ecjen nëpër udhë të dritës.

 

Duke shfletuar krijimtarinë e tij, shpalosim edhe profilin e shpirtit të tij njerëzor, i qetë, i urtë, me një karakter të sinqertë për mikun, shokun, për njeriun në përgjithësi.

 

Këto virtyte, përbëjnë një njeri, poet të respektuar, i cili duke qëndruar gjithmonë përballë kohës, me tërë sinqeritetin e vet, ka arritur të ndërtojë karakterin e vet të fortë dhe shumë pozitiv karshi njerëzve që e rrethojnë, duke nderuar e respektuar gjithmonë njeriun. Duke i bashkuar të gjitha këto elemente, si poet e kisha shumë të lehtë t’i hyja zbërthimit të veprës së poetit Ibrahim Skenderi.

 

 

 

                      *      *      *

 

 

 

Lexuesi i mirëfilltë, e në veçanti ai i letërsisë për fëmijë, ku dha më së shumti poeti Ibrahim Skenderi, tani më e njeh veprën e tij.

 

Ai ka ecur nëpër kohë bashkë me rritën e brezave që vetë i mësoi e i edukoi, duke qenë gjithmonë pranë tyre dhe botës që i rrethon ata. Prandaj vargu i tij bëhet më i ndjeshëm për ta, sepse e njeh nga afër atë botë, e zbërthen atë ashtu siç e ndjejnë fëmijët dhe ashtu siç e kërkon mosha e tyre.

 

Ibrahim Skenderi, në shikim të parë të veprës së tij duket se ka një shtrirje në kohë dhe një qasje brenda të tashmes. Këto nuanca mund të hetohen në misionin edukativ që i jep artit të tij.

 

Por në një zbërthim më të gjerë dhe një analize më fine të veprës së këtij poeti, kuptojmë se shtrirja e vargut të tij, ka hapësira të gjera kohore, sidomos nga një koncept historik i zhvillimeve.

 

Kjo vjen përmes figurave historike si; Mbretëresha Teutë, Skënderbeut, Ymer Prizrenit, Ismail Qemalit, Azem e Shotë Galicës, Adem Demaçit, Adem Jasharit, etj, si bartës të flakës së atdhetarizmës. Pra nga këto figura historike të historisë sonë të lavdishme, arrijmë të konstatojmë se vepra e tij merr një shtrirje të gjerë nëpër kohë, pa u përmendur këtu edhe zhvillimet e tjera gjatë gjithë shekullit që shkoi, në regjionin prej nga vjen poeti.

 

Karakteri edukativ dhe misioni i vargut të tij, i japin peshë krijimtarisë edhe për të ardhmen e brezave. Dhe ky element i punës krijuese dhe misionit të penës së tij, merr shtrirje edhe më të gjerë, duke na sjellë në tri kohë.

 

Duke punuar në të tashmen, pa e harruar të kaluarën, për të ecur drejtë dritës së të ardhmes. Zatën, ky edhe është misioni i fjalës dhe i vargut poetik, të cilin Ibrahim Skenderi, e ka perceptuar dhe realizuar me kohë.

 

 

 

***********************************

 

 

 

Po çfarë prezanton sot vargu, arti poetik i Ibrahim Skenderit? Nëse e ndalim kohën dhe i bëjmë autopsinë e saj dhe në anën tjetër vargun e Ibrahim Skenderit, do ta shohim atë brenda shumë kronikave si një rikujtesë që do të na rikthejë diku, për ta rikujtuar kohën nëpër të cilën u përbirua etnia e jonë.

 

Duke e ditur faktin se kohët ecin, ndryshojnë, siç ndryshojnë edhe njerëzit e brezat, e ngjarjet edhe harrohen, këto nuk na lë poeti t’i harrojmë  përmes fjalës së shkruar. Por këtu duhet të shtojmë faktin se vargu i poetit Ibrahim Skenderi, nuk ishte vetëm një kronikë, por ishte dritë për të ardhmen dhe sfidë për kohën, të cilës i qëndroi përballë ai.

 

Pjesa më e madhe e krijimtarisë, u krijua në kohë robërie dhe jo që nuk ishte e lehtë, por edhe përplot sfida. Por gjeti forma, që përmes hapësirës së fjalës, ta shpërndajë rrezen e dritës së mendimit të tij për të nesërmen. Edhe atë duke filluar qysh me brezat e rinj, më të vegjlit, fëmijët. Sepse nga aty edhe fillon baza e edukimit të njeriut të së nesërmes. Kur japim këto vlerësime, gjithmonë e kemi parasysh krijimtarinë letrare për fëmijë, të cilës i dha mjaft.

 

Ndoshta kjo do na tingëllojë ndryshe, nga se gjithmonë na është mësuar veshi të dëgjojmë vlerësime për krijuesit e vargjeve, kryesisht për të rritur, që Ibrahimi e krijon edhe atë me shumë pasion. Duke u kthyer në fillim, kujtojmë se vargu i poetit Ibrahim Skenderi, në të gjitha format e shkrimit, prezanton njeriun tonë, etninë tonë, të kaluarën dhe të tashmen tonë, njeriun e halleve, brengave e përditshmërisë jo edhe të lakmueshme ballkanike, njeriun e etnisë sonë me një mijë vuajtje mbi trup.

 

Vargu i poetit Ibrahim Skenderi, ka vend meritor në nivelin e vargut për fëmijë, pavarsisht kohës si një vend postkonfliktuoz, ku shumëçka duhet të bjerë në vendin e vetë.

 

Kësaj që e thamë, duhet t’i shtojmë edhe faktin se shumica e shkrimtarëve sot, që kanë arritur vlera të larta letrare, ende mungojnë nëpër programe shkollore, pa mëkatin e krijuesve, por janë arsye tjera që çalojnë në këtë pikë. Kujtojmë se vargu i poetit Ibrahim Skenderi, është art i mirëfilltë, i cili ofron shumë për brezat.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ARTI I RIVLERËSIMIT NËN OPTIKËN E KRITIKËS

 

(Ibrahim Skenderi)

 

 

 

 

 

Mbi dy dekada e gjysmë më herët, në letrat shqipe vie një emër i ri nga rajoni i Sharrit, përkatësisht nga Opoja, Ibrahim Skenderi. Ai vie në një kohë kur në hapësirat e Kosovës po ndrydhej shumëçka, mendimi, fjala e lirë, liria e veprimit, deri tek egzistenca e jonë shqiptare.

 

Me një fjalë, gjithçka që frymonte shqip, për okupatorin ishte halë në sy. Pikërisht kur gjithçka po rrezikohej, në etnikumin shqiptar, muza  e shpërthimit tek Ibrahim Skenderi, po kërkonte dritën e veprimit.

 

ARTI SI SFIDË E PËRBALLJES ME KOHËN

 

 

 

Syri i piktorit, mësuesit e më vonë edhe poetit e dallonte mirë të bardhën nga e zeza, shtypjen, errësirën, ndaj po kërkonte horizonte të reja drite.

 

Piktura  e tij që herë pas here shpërthente si një tabllo proteste kundër kohës, sikur nuk i mjaftonte.

 

Shqetësimi i  tij ishte në dimensione të shumëfshishta, siç ishte edhe përpjekja e jonë nëpër shumë tabllo të jetës,  për të nesërmen tonë të ndritur.

 

Dhe ky sikur ishte edhe ai misioni i përkushtimit të tij, për të mos u mbyllë e nënshtruar brenda orbitës së robërisë, por duke i kundërshtuar asaj, duke e luftuar te zezën e saj me dritën e artit, një ditë do t’i thyen muret e errëta, për të shkëlqyer drita. Këtë shkëlqim, krijuesin e shohin larg dhe ata gjithmonë bëjnë përpjekje për ta alarmuar edhe publikun e gjerë, që të gjithë së bashku, t’i dalim ballë kësaj të lige.

 

Dhe ky motiv, bëhet edhe ngacmim i krijuesit, për t’i prirë këtyre proceseve, pavarësisht sfidave dhe rrezikut, që bart me vete misioni i tij.

 

 Lidhshmëria e krijuesit me çështjen e pazgjidhur të kombit, me problemet dhe hallet e robërisë, me hallet e njeriut tonë, të kombit, dhe ndjenja për t’i dalë në ballë asaj, do të dëshmohet më vonë hapur në art, si në artin e pikturës ashtu edhe në artin e fjalës.

 

Të dy këto zhanre, Ibrahim Skenderi i kultivoi e zhvilloi pa ju ndarë asnjërës, por gjithmonë duke i kontribuar me motive dhe duke plotësuar njëra- tjetrën.

 

Pa u lëshuar në rrafshin e vlerësimeve të përgjithshme, por duke i mbetur si mendim i përgjithshëm për fillim, të dy këto lloje të artit të krijuara nga ky autor, do ti zbërthejmë në vazhdimësi.

 

Por më duhet të shtoj faktin, se piktori e poeti Ibrahim Skenderi, në motivet e tij, është i lidhur skajshmërisht me vendlindjen, regjionin nga vjen, njerëzit e tij, tokën, fushat e malet, që i japin bukuri kësaj ane sikur edhe vargjeve të tij. Ai është i lidhur ngushtë me kombin, atdheun, me dhimbjet dhe gëzimet e tija, me plagët e rënda shekullore, me lirinë.

 

Dhe duke mos i qëndruar anash, por duke i dalë përballë këtyre sfidave, për mes artit ai arriti të krijojë motivet e veta artistike, të cilat më vonë do të vijnë në artin e fjalës, si mjeshtri poetike e Ibrahim Skënderit. Pra, brenda gjithë asaj lirie të kufizuar, flasim për dekada më herët, ai nuk hesht me përkushtimin e tij në art.

 

Ai krijon imazhet e veta, portretin e kohës, sa do e zymtë që ishte ajo, duke i dhënë ngjyra drite e shprese se diku përtej fshihet dielli, nga i cili duhet të ecim ne. Pra realitetin artistik, arrin ta ndërtojë nga rrethi i vetë jetësor, përmes imazheve, metaforave në vargje, apo si detaje të një përditshmërie nga jeta.

 

Ndjenja poetike bashkë me syrin e piktorit, sikur janë bërë bashkë tek ky krijues, për të mos i shpëtuar asgjë nga realiteti, duke e dalluar atë nga një kënd tjetër, ai i artit, ku rrethi i zakonshëm nuk i ndjen dhe nuk i sheh dot. Dhe kjo ndjenjë e hollë, ka hapur shtigjet e një zëri origjinal,  si në poezinë dhe në artet tjera të krijimtarisë artistike edhe në pikturë, të krijojë veçantinë e stilit të vet, i cili edhe po të mos e kishte një emër në fund, për njohësit e mirë të tij  do ta dalloje, si pikturën si poezinë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

QASJA NDAJ ETNISË PËRMES ARTIT

 

POETIK DHE PIKTURËS

 



 

Afër tri dekada, qysh në botimet e para, qysh kur nisi të botojë, Ibrahim Skenderi, shqetësimi i tij i vazhdueshëm ka qenë etnia, nacionalja, atdheu.

 

Këtë ai e dëshmon fuqishëm brenda të gjitha botimeve të tija, qysh në monografinë "Dritë e dituri", pastaj në vëllimin poetik "Pas heshtjes", "Portreti i pa kryer", etj. Vargu i tij vjen si shqetësim,, si dhimb, si plagë, si dritë e rreze shprese, se një ditë edhe populli i tij, do të jetë i lirë si  të gjitha kombet e lira të botës. Poezia e tij, na vjen gjithmonë si një shqetësim i vazhdueshëm dhe i angazhuar si qytetar i një etnie të robëruar, por edhe si krijues e piktor.

 

Ky shqetësim i dyfishtë, është simbolika më e mirë e tij që dëshmon lidhshmërinë e artit me jetën, me vendin, kombin, çështjen e tij të pazgjidhur, atdheun. Gjithmonë flasim këtu e dy dekada më herët. Janë vargjet e tij që dëshmojnë lidhshmërinë e tij me vendin, natyrën, tokën, njerëzit e vet, fshatin, që mund lirisht të konstatojmë se poeti Ibrahim Skenderi është poet, i cili brenda etnisë së tij, ndërtoi konceptin e artit poetik, duke i bashkëjetuar sfidat e jetës dhe duke i bartur si shqetësime edhe në varg.

 

Së dyti, misioni që i vë vetes, shpërndarja e rrezes së dritës-diturisë, për njerëzit e tij, për kombin që po vuante nën terrin e errësirën shekullore të robërisë. Dhe për mes të një realiteti të idhët të jetës nën robëri, ai di të ndërtojë, ti buzëqeshë shpresës se një ditë do ta shohim dritën edhe ne.

 

Dhe pikërisht përmes këtij koncepti të shpresës, përmes artit të fjalës, ai arriti ta shprehë atë brendinë e tij shpirtërore, për tu çliruar nga ai makth i brendshëm dhe për ta shpërndarë atë çlirim edhe tek të tjerët. Përmes sentecave dhe imazheve të një realiteti të zymtë, brenda robërisë, ai po jepte dritë, motive e ngjyra shprese për të ardhmen.

 

Kjo dëshmohet edhe përmes laryshisë së vargjeve të tij, por edhe përmes pikturës së tij, e cila ka plot dritë, ngjyra shprese dhe simbolika, që i japin kuptimin e lirisë. Këto simbolika, janë etnia e jonë, janë ata që nëpër shekuj na mbajtën të ndezur kandilin e shpresës për lirinë, e që poeti për asnjë çast nuk i largohet asaj, por gjithmonë mbetet në kërkimin e dritës brenda etnisë sonë.

 

Është ky edhe një besim në vetvete, në popullin e tij, në qëndresën dhe vendosmërinë, sepse gjithmonë duke besuar në vetveten, mund të ecet përpara. Kjo është edhe motoja e jetës, prej nga niset njeriu, dhe pikërisht kjo edhe i prin, bindjes së poetit. Pra ai vihet në kërkim të lirisë, duke besuar gjithmonë nga vetvetja, njeriu i ynë, kombi.

 

Dhe kjo do të dëshmohet më vonë me luftën e  armatosur, kundër okupatorit shekullor. Në fund konstatojmë se syri i tij dhe vizioni për jetën, të ardhmen nuk fjeti kurrë, por ai  mbeti zgjuar, vëzhgoi, portretoi, e ndoqi kohën, e shtyri atë përmes artit poetik, përmes pikturës dhe në të gjitha format e mundshme brenda hapsirës së vet.

 

Duke u bërë pjesmarrës në promotorin e një idealizme që ushqehej e lëvizte për ta shtyrë përpara dritën e mendimit dhe  proceset në të mirë të çështjes sonë kombëtare.

 

 

 

*************************************

 

 

 

ROBËRIA SI SHPATË MBI NJERIUN DHE ARTIN

 


Nëse kërkohet liri krijuese në kohë robërie, do të thotë të vësh veten në rrezik për një eleminim të mundëshëm. Koha e robërisë në Kosovë ishte tepër e ndrydhshme, e egër dhe jetëngrënëse. Njeriu  ynë i larguar nga jeta shtetërore e institucionale, i ndrydhur me lirinë e cunguar deri në palcë, me rrezikun permanent, se e nesërmja nuk dihej kurrë se a do të gjejë dhe asnjëherë për të mos u ndier të sigurt, kjo ishte pasqyra e shkurtër e robërisë.

 

Dhe çdo kërkim ngritjeje në emër të interesave nacionale, kishte pasojën e vet. Megjithatë, kjo kohë lindi njerëz, si gjithmonë nëpër kohët e robërisë sonë, për t’i thyer edhe prangat e territ të robërisë.

 

 Megjithëse brenda një lirie të cunguar, poeti Ibrahim Skenderi s`heshti. Ai vazhdoi, shkroi e pikturoi realitetin tonë, duke i bërë ballë edhe sfidave që i nxirrte robëria dhe korbi okupator mbi kokat tona.

 


Kohë e paranojës së hekurt

 


Si për inat

 

Puna të ndalur s`ka

 

Lot gëzimi më gurrojnë

 

Gëzoj lirinë e anatemës

 

Lotoj për Konicë, Fishtën,

 

Visar Zhitin, Maks Velon

 

Ali Osekun e Bac Adem Demaçin

 


Talentët rimojnë

 

Skenave të improvizuara

 

Tish Daija lavdëron Adelinën

 

Kosova s`hyn në konzervë, jo

 

 

 

         (në Kosovën e okupuar)

 

 

 

                   Ritëm lotësh

 

 

 

Sollëm këto vargje të shkruara në kohë robërie, me një pasion emocionant e protestues, si kushtrim a thirrje, se nuk nënshtrohemi, pavarësisht ndrydhjes që na e bënë okupatori shekullorë. Poeti nuk i fsheh dëshirat, nuk i vë fre asaj, tejkalon muret e frikës me tendenca gjithmonë për ta thyer terrin, e për të dalë matanë drite.

 

Simbolika e vargut; /Kosova s`hyn në konzervë, jo/, është simbolika më e mirë e kushtrimit në varg, për mosnënshtrim dhe në dy kuptimësinë e sajë, ajo na vjen si thirrje për të vazhduar rrugën për të drejtat tona, për t¨e qenë të lirë.

 

Dhamë këtë simbolikë, për të dëshmuar qasjen e poetit, në raport me kohën, sfidat dhe rreziqet e saj, njëherit përkushtimin e tij për vendin, njeriun tonë, atdheun, që përmes formës së artit të ngritet kundër sfidave të robërisë së përgjithshme, pa çka se rreziku për jetën ishte permanent dhe s’i  ndahej njeriut tonë. Dhe duke e shpalosur guximin poetik mund të themi se poeti Ibrahim Skenderi, e deshi njeriun e etnisë së tij, vendin, tokën, atdheun, dhe vuri veten edhe në rreziqe, për t’i dhënë pak dritë kohës, përmes artit të fjalës.

 

 

 

***********************************

 

 

 

ETNIA SI MOTIV FRYMËZIMI NË ART

 

 

 

(Ku e gjeti bukurinë arti)

 

 

 

Në jetën e krijuesit, sikur ndizet një shkëndijë prej nga nis misioni i artit dhe synimi për të arritur diku. Nisja e Ibrahim Skenderit, ka një zanafillë, flasim për artin e shkrimit, por ka dhe një vazhdimësi, sepse ai është në vlugun e krijimeve. Pikënisja e poetit është vendlindja e tij, shtëpitë prej guri e dheu të fshatit të tij, ku janë rritur kujtimet e tregimeve të etërve.

 

Vendlindja me pamjet magjepse, që i jep në shtrirje rrafshi i Opojës përtej. Natyra e bukur, ajri i pastër dhe rrjedha e lumenjve të bardhë si bora e Sharrit, që u rrinë bjeshkëve përmbi deri në verën e hershme. Njerëzit e tij të dashur që i falin gëzimet e jetës, hallet dhe përditshmërinë duke e motivuar për vargun e ardhshëm.

 

Atdheu, i cili me shekuj ndrydhej prej  prangave të robërisë, e që prej kohësh kërkonte dalzotës të dritës. Të gjitha këto, sikur një vorbull e mbledhur në shpirtin e poetit, një ditë do ta thyejnë atë e do të dalin përtej, për tu përballë me sfidën kohë. Përveç artit për të rritur, ai sjell motive edhe nga bota e të vegjëlve, sepse duke qenë një jetë të tërë pranë tyre, ai tani më motivet e vargut për fëmijë, sikur na i sjell  me një zë tepër origjinal, duke depërtuar thellë në botën e më të vegjëlve.

 

Poeti këto motive arrin t’i mbledh si bleta kur e mbledhë nektarin nëpër lule, për të na e sjellë frytin e saj sa më të ëmbël dhe plot aromë. Pikërisht këtyre hapsirave hapëron muza e tij poetike, duke na sjellë motive të bukura nga përditshmëria e jonë, pa i ndarë motivet edukative për artin e fëmijëve.

 

 Zëri atdhetarë, sikur e dominon krijimtarinë letrare të poetit.

 

Motivet e saj janë nga përditshmëria e etnikumit tonë atdhetarë e militant, dhe nëpër çdo punim të publikuar ato janë pjesë e pandashme e muzës së tij në penë.

 

Të gjitha këto motive, janë përditshmëria e një realiteti tonë, nga jeta përreth krijuesit, nga gëzimet dhe hidhërimet që i ka ajo, nga brengat dhe hallet e krijuesit, vinë si synime që sa më shumë të përhapet drita e dijes, në etnikumin tonë shqiptar.

 

 

 

                                  *      *      *

 

VARGU SI DËSHMI E NJË REALITETI TË DHIMBËSHËM HISTORIK

 


Dhimbja në vargun poetik të poeti Ibrahim Skenderi, është e ndjeshme, e prekshme dhe shumë e theksuar. Kjo vjen për faktin se vetë jeta  jonë, e përbiruar nëpër shumë procese të dhimbshme historike, e ka bërë atë edhe shumë reflektuese. Ato vijnë ndjeshëm psh, në vargun: Në rrugën e kombit: "Ec, bir, ec... / Rruga e dritës është kjo" / më jepte zemër babloku / me vizionin shpresëngrirë / ndrydhur në gji /, fq. 7. tek libri "Dritëhënë".

 

Dhimbja siç shihet në varg, nuk është e re, ajo është e vjetër sa edhe vetë robëria e atdheut, sa edhe vetë brezat që e jetuan atë, deri në ditët tona. Megjithatë, shpresa gjithmonë ka qenë mbijetesa e jonë, me të cilën e kemi ushqyer vizionin për të ardhmen.

 

Ngjyrat e saj, janë shumëngjyrëshe, ashtu si vetë jeta. Këtë e shohim edhe tek poezia  Mbijetesë: Mbi sofrën e madhe shtruar / Kripa rrezaton rreze shprese / Zëra carrokësh / Drejtojnë tymin e oxhakut / Plakut të shtëpisë / Një pikë loti i shpëton /... Pra të gjitha këto vargje, vijnë nga një kohë e errët robërie, e cila na verboi e ndrydhi nëpër shekuj.

 

Por tani më dhimbja bëhet edhe më e vrazhdë nëpër vrazhdësinë e kohës, e cila kishte rënë e kobshme mbi trojet tona. Në poezinë  Së bashku me nipin në Shqipëri, shpalosim: / Dhe sërish / Plagë shekujsh / Trollin e lulëkuqeve përgjakën / E unë... / Me barrë gjysëmshekullore / Me nipin tetëmbëdhjetë muajsh / Për të parën herë shkelëm / Trollin e ëndrrës shumëvjeçare / Të shenjëtën Shqipëri / Por, si refugjatë /. Është koha e vitit nëntëdhjetë e nëntë kur popullata autoktone shqiptare u dëbua dhunshëm nga okupatori barbarë serbë, për në Shqipëri. Dhe s’ka se si të dilet nga gëzhoja e dhimbjes, e të mos i vishej vargut edhe petku i saj. Megjithatë, dhimbjen e thyen gjithmonë shpresa dhe krenaria, të cilat asnjëherë nuk i mungojnë vargut të poetit Ibrahim Skenderi.

 

 

 

*************************************

SHPRESA PËR LIRINË

 


Ajo s`shuhet, sikur s`u shua nëpër shekuj. Për kundrazi, u kultivua e u brumos në shpirtin e kombit, duke u shpërndarë si rreze drite, se një ditë do të agojë e bardha ditë, liria.

 

Nëpër vargjet e poetit Ibrahim Skenderi, ka gjithmonë përpjekje,luftë për të ardhmen, dëshmorë e martirë që flijohen për lirinë. Dhe gjithmonë kësaj lufte i paraprinë shpresa se ajo një ditë do të vjenë.

 

Figurat historike të kombit, si: Skënderbeu, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Shotë e Azem Galica, Adem Demaçi, Adem Jashari dhe shumë heronj të tjerë, janë boshti kurrizor i çështjes së kombit dhe luftës për lirinë e saj.

 

Ata janë vizioni, shpresa se nga duhet të ecën një komb, për të qenë i lirë. Do të ndalemi tek një kohë shumë delikate, të përpjekjeve tona për liri, tek vargjet e poezisë Flaka e Janarit (Jusuf Gërvallës), në librin: Dritëhënë: ... / Dritë shprese / Nga frëngji kullash / Në Dugagjin / Kandil i Nëntorit / I Marsit / Flakadan i Janarit /... Dhe përpjekjet tona si kombë, s`ndalen, siç s`ndalet rrjedha e lumit. Ato vazhdojnë duke ecur nëpër kohë dhe nëpër kronika vargjesh poetike. Fjalori poetik i Ibrahim Skenderit, sa do i kursyer në fjalë, ai përcjell mesazhe, të cilat ndjeshëm i reflektojnë fjalës, duke i dhënë asaj gjithmonë mesazhin e një thirrje kushtrimi.

 

Pra në njërën anë qëndron shpresa, e cila gjithmonë kërkon t’i thyejë përballjet e zeza të kohës dhe ata që i janë bërë hije e zezë lirisë së atdheut tonë. Dhe ata që ecin vargimit të shpresës, janë luftëtarët, heronjtë, martirët, të cilët gjithmonë e sfidojnë terrin e robërisë.

 

Në vargun e poezisë Agu përpiu skëterrën, poeti thotë: .../ Afër diku, shumë afër / Fushëlojës së fatit / Vezullonin tri shkreptimë vetëtime / Tri shkronjat e arta - UÇK / Shqipet e lirisë - shpërthenin / Retë e zeza / Atje /..., fq. 19, libri; Dritëhënë. Shkëputëm shumë tabllo nga ky libër për faktin se ai vjen në kulmin e ndërrimit të epokave në Kosovë. Pra nga faza e robërisë, po dilej, por përmes luftës, flijimeve, në fazën e lirisë.

 

Dhe pikërisht këtu qëndron pesha edhe e vargjeve dhe fjalëve, si dëshmi e një kohe sa të dhimbshme aq edhe krenare, nëpër ecjen tonë drejt dritës.

 

Pra edhe gjatë atij burgu shekullor të robërisë, ai arrin që përmes shpresës ta ushqejë ëndrrën për lirinë, sepse ai me vizionin e tij arrin ta shehë atë diku.

 

 Pra, konstatojmë se vargu i poetit Ibrahim Skenderi, edhe në kohë robërie, mbushëllonte shpresë dhe se lajmotivi i lirisë ishte i pashterrshëm brenda vargut të tij, duke përcjellë emocione shprese në ecjen drejt së ardhmes.

 

 

 

                      

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

KRENARIA KOMBËTARE NË VARGJE

 


Si burim shpirtëror, i mishëruar në kulla nga tradita e të parëve, etërve e gjyshërve të vet, të trashëguar nëpër breza, ajo u bart, u kultivua e u ruajt me fanatizëm në rrethin dhe lokacionin nga vjen poeti.

 

Si e tillë, ajo krenari, i qëndroi besnike identitetit të kombit e të gjuhës, për të mos u nënshtruar kurrë, pavarësisht furtunave të robërisë shekullore, që verbuan hapësirave tona.

 

Idetë që jepen në vargje, temat, mesazhet, janë refleksioni më i mirë i mendimit filozofik të ruajtjes së krenarisë kombëtare, sepse vetëm duke i qëndruar afër asaj, asnjëherë nuk mund të gabojmë e të rrëshqasim udhëve të gabueshme, të largimit nga ajo që ne e quajmë identitet kombëtar.

 

Nga poezia Pranë varrit të dëshmorit, shkëputim vargjet: .../ Nënlokja ngre kokën lart / Shtërngon fort lulekuqet / Krenare vështron varganin / Me varre rinore... / Oh!... / Sa shumë janë: Ilmiu, Fetahu, Abdurrahmani, Fisniku, Ruzhdiu... / Oh!... / Skajin s`ua shoh dot / Sytë më janë dobësuar / Nga pleqëria /. Krenaria kombëtare e një kombi, janë përherë heronjtë. Ata janë dhe mbeten sakrifica e luftës dhe përpjekjes për lirinë e një populli.

 

Poeti u këndon atyre, pavarësisht dhimbjes për ta, siç këndon luftëtari në vijat e frontit. Ai s`ndalet, duke i sjellë motivin e luftës dhe përpjekjes për lirinë.

 

Këtu zatën edhe lidhet ajo nyja kyçe e përpjekjes së një populli për liri, deri në formën e martirizimit për të. Pikërisht, këta martirë, heronj, janë krenaria e kombit dhe motivi i frymëzimit të poetit në vargje.

 

Krenaria e poetit janë shumë ata heronj, personazhe të vargjeve të tij, të cilat thuaj se në çdo libër nuk i ndahen, por ata ecin, frymojnë, luftojnë për lirinë, ashtu siç mbushëllon edhe vargu poetik nëpër librat e poetit Ibrahim Skenderi.

 

******************************************

 

 

 

 

 

 

 

Ibrahim Skenderi: “Paja e nusërisë e Shote Galicës”

 

ECJE NË DRITËHËNË DREJT MËNGJESIT TË BARDHË

 

 

 

Recension

 

 

 

Ibrahim SKENDERI; „Dritëhënë“, poezi, botoi „Fidani“, Prizren, 2011

 

 

 

Vargëzimi i poetit Ibrahim Skenderi, sikur është bashkëshoqërues hapave në përditshmërinë e tij jetësore. Ai lind me ecjen e poetit, me kohën dhe me frymëzimin e tij. Gjakimi për vargun, bëhet muzë e përhershme  e cila e ngacmon poetin në çdo lëvizje, në çdo hap. Dhe vokacioni i tij krijues brenda kësaj ecje nëpër kohë, ia arrin të na sjellë laryshi temash dhe vargje, të cilat bëhen edhe më tërheqëse në lexim.

 

 

 

ZANAFILLA E ARTIT TË FJALËS

 

 

 

Robëria e atdheut, dashuria për të dhe preokupimi për lirinë e tij, janë sfidat njëkohësisht, shqetësime të cilat në vazhdimësi e përcjellin muzën poetike të Ibrahim Skenderit.

 

S`ka si të dilet nga koha dhe rrethi që na rrethon, e në veçanti poetin që e ndjen, e përcepton e e ngacmon gjithçka që lëviz e frymon përreth tij. Dhe të gjitha këto perceptime e shqetësime i gjejmë si figura apo si portrete nëpër hapin e kohës dhe rrethanave që frymoi e krijoi poeti.

 

Tri kohë, janë ato që e shoqërojnë vargun poetik dhe si të tilla ato japin një dëshmi në formën e vargjeve për mbijetesën tonë me ecjen nëpër tehun e shpatës, për të ardhur tek drita. E gjithë kjo ecje në dritëhënë drejt një mëngjesi të zgjuar, sikur kaloi brenda dhunës së natës sonë shekullore, por pa u ndalur në hapa, pavarësisht pengesave dhe harqeve që na i ngriti robëria.

 

Ecja nëpër kohë si simbolikë e ecjes sonë deri te mbijetesa, kap ciklin e parë të ndarjes së kohëve, siç i ndan poeti në vargjet e tij.

 

E gjithë kjo ecje, kjo mbijetesë ka një drejtim, ka një synim dhe ka një orientim, që në vargun e poetit ndërtohet si udhë e kombit. Pra kjo është një shkëndijë orientuese se nga duhet të shkohet, nga duhet të mendohet e synohet mbijetesa e jonë.

 

Me një fjalë, ne ishim padrejtësisht të ndarë dhe orientimet tona shpeshherë kapërdiheshin gabimisht me kohën. Dhe ky orientim në vargun poetik na vjen si një lajtmotiv, që kapërcen gurët e dhunshëm ndarës dhe niset përtej atyre, për të hapur shtigjet e ndarjes së dhunshme. Poeti sikur e ruan amanetin e të parëve për ta bartur ndër breza, që drita e vizionit mos të shuhet kurrë.

 

 

"Ec, bir, ec…

 

Rrugë e dritës është kjo"

 

më jepte zemër babëloku

 

me vizionin shpresëngrirë

 

ndrydhur në gji

 

 

 

"Ec, bir, ec…"

 

 

 

E unë ecja e rritesha

 

Rritesha bashkë me vitet

 

Bashkë me monopatet

 

Që s`kishin t`mbaruar

 

 

        Në rrugën e kombit

 

 

 

Ishte amaneti i të parëve i ruajtur në gji, që bartej brezave për të mos harruar se jemi ndarë padrejtësisht, siç ndahet dhunshëm nëna nga fëmija.

 

 E gjithë kjo ishte sfidë e kohës më shumë se një gjysmë shekulli u shtrydh në brendinë e shpirtit shqiptar, për të dalë në dritë si nevojë e domosdoshme e mbijetesës sonë, ndryshe qenia e jonë e copëtuar rrezikohet në çdo kohë.

 

Dhe koha erdhi. Erdhën kohët e dhunshme barbare mbi dheun e Arbërit, të cilat e nxorën në dritë konstatimin tonë. Është rruga e poetit, e cila tani më vazhdon në udhën e mbijetesës, por tani më së bashku me nipin, thotë vargu poetik.

 

 

 

Shumë vjet ëndërroja Shqipërinë

 

Imazhin e sajë në iluzion

 

Bedenat ilire…

 

Mesjetën e mbijetesës…

 

Sa kështjella-dëshmi stuhirash

 

Nga Gryka e Lumës

 

Në Krujë e Tepelenë

 

Shumëherë ëndërrprerë

 

Gjakoja e gjakoja…

 

 

 

      Se bashku me nipin në Shqipëri

 

Dhe udhëtimi për mbijetesë vazhdon, siç vazhdon jeta. Por jo në një ritëm normal. Dhuna e egër e kohëve barbare mbi atdheun e poetit po mbillte plagë të reja. Nuk ishte ky një udhëtim çfarë poeti e kishte ëndërruar dhe dëshiruar, drejt dheut mëmë.

 

Ishte rrugëtim i dhunshëm, përzënie nga votrat shekullore. Tani më po hapeshin plagë të reja edhe më të dhimbshme. Sepse njerëzit e poetit, vetë Ai po dëboheshin nga vatrat stërgjyshore. Dhe vargu vazhdon;

 

 

 

Agu i prillit `99 përpiu skëterrën

 

Një grusht baltë e ngjitur në rrotë traktori

 

Kujtim nga atdheu…

 

Ta puth  më vajti mendja

 

Dhashtë zoti të mos jetë puthje e fundit

 

 

 

Më koloviteshin ëndrrat e robëruara

 

Varganit të përndjekur Grykës së Lumës

 

 

 

 

          Agu përpiu skëterrën

 

 

 

Dhimbja dhe mospajtimi me fatin udhëtojnë me poetin. Ato bëhen peshë, barrë e një kohe të dhunshme, dhimbje, e cila për nga përmasa e pëlcet edhe gurin. Dhe muza poetike e poetit, nuk ndalet. Ajo e ngacmon atë, duke frymuar në shpresë, se një ditë sërish do të kthehet andej nga e dëbuan.

 

Dhe shpresa e poetit ngjitet në ballin e luftëtarit, në tri shkronjat e arta, siç i quan Ai; shqipet e lirisë. Dhe kështu kemi hyrë në kohën e dytë të librit, për t’i shpalosur dhimbjet poetike nëpër vargje, për ta shpalosur një kohë, e cila sa e dhunshme dhe e dhimbshme është edhe aq krenare.

 

Dhe Luma e pret poetin, siç e pret vëllai vëllain, por kësaj radhe brenda vargut të mbijetesës, brenda vargut të të deportuarve përtej kullave stërgjyshore.

 

Vargjeve poetike tani më ngjiten dëshmorët, luftëtarët, ata që me tytën e pushkës, kanë vendosur t’i kthehen atdheut, t’i mbrojnë trojet e tyre stërgjyshore. T’i kthejnë kolonat e mbijetesës prej andej nga janë dëbuar.

 

 

 

Si dritëhënë

 

Nga errësira

 

shndrite

 

Ti

 

Nderi i kombit

 

Për t’u bërë

 

Legjendë

 

 

 

   UÇK-së

 

 

 

Dhe kthimi erdhi bashkë me diellin, me lirinë, mbi atdheun e poetit. Ata, tani më po ktheheshin të lirë dhe krenarë, pa barbarin e veriut mbi kokë.

 

Ky kthim, mbushëllon shpresat e poetit, siç mbushëllon vargjet me dritë, për një jetë të re, në atdheun e lirë. Jeta e re, kërkon dritë, kërkon dije dhe për këtë poeti ngre Uratë në varg, edhe për alfabetin.

 

 

 

Të na rroni sa Alfabeti

 

Qiriazët t`i kishin uruar

 

Nga brishtësi e kohës që ishte

 

Zor ish`njeri të ketë besuar

 

 

URATË

 

(Delegatëve të kongresit të Alfabetit)

 

 

 

Kemi ecur nëpër tri kohët e poetit, siç ka ecur vargu i tij në këtë libër, duke shpalosur pjesërisht ato dhe vargun e tij, që na vjen si një kronikë a dëshmi,  nëpër të cilën kaloi kauza e jonë kombëtare, dhe vetë poeti.

 

Fundi i librit, na vjen me një autobiografi të poetit në vargje, si një kronikë biografike, për atë çfarë barti me vete vargu dhe autori i tij, si një kujtesë për dhimbjet, vuajtjet dhe jetën e tij.

 

                                                                                                  2 Qershor 2012, Zvicër

 

 

 

***********************************************

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

KUR GRINDEN STINËT

 

 

 

Ibrahim Skenderi; "Kur grinden stinët", Tregime, botoi: Fidani, Prizren, 2006

 


Kësaj radhe, shpalosim botën e shkrimtarit Ibrahim Skenderi, përmes tregimeve për fëmijë. Ai brenda këtij libri shpalos botën e të vegjëlve, përmes një rrëfimi, brenda të cilit gjithmonë synon të na sjellë edhe botën  e tij, në raport me atë të fëmijëve.

 

Kjo që  thamë, më së miri qysh në tregimin e parë: Frymëzimi. Ku bota e autorit, si lëvrues i fjalës artistike dhe kërkues i saj, vihet pëballë një bote të njomë. përmes një dialogu me nipin, ai arrin të na tregojë edhe për muzën e frymëzimit, dhe në këtë rast vetë voglushi, bëhet  frymëzim për artin e tij.

 

 Dhe kjo ndjenjë frymëzimi, vjen e bëhet tregim, siç bëhen edhe shumë inserte tjera të jetës, brenda këtij libri. Edhe tregimet e Ibrahim Skenderit, përhapin mesazhet edukative, këshilluese dhe dritëdhënëse për botën fëmijërore.

 

Këso mesazhe bartin tregimet: Capkëni mos, / Sa e lumtur bota e tyre, / Gjyshi borxhli, / Një piknik në pyll, / Nesi interesi, / Olës s`i pushon goja, /Katër stinët,/ Ai u lind për histori, etj.

 

Brenda këtyre tregimeve, autorin e gjejmë qysh si refugjat kur ishte në Kukës, gjatë vitit `99, të shekullit të shkuar, kur ishin dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre, nga okupatori barbar serb.

 

Ai qysh edhe atje ndeshet me botën e fëmijëve, e shpalos atë edhe asaj kohe mjaft të vështirë për të dhe popullin e tij. Janë ndjenjat e të qenit larg votrave, është dhimbja që ai e ndjen, jo vetëm vetë, por atë përpiqet të na e sjellë edhe nga bota e artit për fëmijë. Një përshtypje të tillë të krijonë tregimi: Zgjim mes dashurish, titull të cilin e bart edhe ky libër me tregime për fëmijë.

 

Pa  dyshim se ndjenja atdhetare, atdhedashuria, simbolikat me të cilat identifikohet ajo, nga historia e jonë kombëtare, nuk i mungojnë edhe botës së të vegjëlve në tregime.

 

Figurat si Skënderbeu, Ymer Prizreni, Adem Jashari, Jusuf Gërvalla, janë pjesë e këtyre tregimeve, që i japim simbolikën atdhetare këtyre tregimeve. Pa dyshim se edhe Ibrahim Skenderi ka një shpirt atdhetar, të cilin e ka të ushqyer e frymëzuar nga këta heronj dhe atë frymëzim ai e bart edhe nëpër breza.

 

Këto frymëzime i gjejmë në tregimet: Piktura që zgjoi kureshtje, / Ninëzat e një fotografie, /  Ballë lapidarit të dëshmorëve, / Kitara me tela të këputur, etj. Ai rrëfen lirshëm, pa ngarkesa dhe me një gjuhë të lehtë të rrëfimit, që e bënë shumë të kapshëm tregimin, edhe nga fëmijët.

 

Pra, Ibrahim Skenderi nuk i bën ngarkesa tregimit, për ta bërë të lodhshëm atë, por gjithmonë brenda gjuhës së një rrëfimi të kapshëm, që aplikohet edhe në librat edukative, rrëfehet lirshëm. Ky lloj rrëfimi bëhet shumë tërheqës gjatë rrjedhës së leximit.

 

Ilustrimet për brenda librit, përveç që krijojnë ndjenja çlodhjeje gjatë të lexuarit, ato krijojnë edhe imazhe për temat dhe rrëfimet brenda tyre, duke krijuar tek fëmijët atë botën e ndjenjë vizuale të mesazhit në libër.

 

Mendojmë se sprovë e Ibrahim Skenderit, në zhanrin e tregimit për fëmijë, ka dhënë tregime të bukura dhe me vlera, për botën fëmijërore, dhe si i tillë, ky libër vjen e bëhet shumë i levërdishëm të lexohet, sidomos nga fëmijët.

 

Urojmë që kjo penë krijuese, të na sjellë edhe libra tjerë me tregime të tilla.

 

                                 Zvicër, 2013

 

 

 


 

 

 

Vlerësim për librin e Ibrahim Skenderit „Zgjim mes dashurish”, “Fidani”, Prizren, 2006

 

 

 

Riza Greiçevci, shkrimtar, Drenicë

 

 

 

NJË PENË YLBERAKE NGA SHARRI I LASHTË

 

 

 

Me kënaqësi mora tufën e tregimeve “Zgjim mes dashurish” – për ta recensuar. Po ju them sinqerisht, tri herë e lexova. U mbusha jithfarë. Falë Zotit dhe gjakut që derdhen çlirimtarët e UÇK-së, ja që sot e hoqëm nga qafa atë gurshtrigën, që sa e sa dhjetëvjetësha ndau një popull, ndau një djep e një flamur, ndau trojet etnike të gjakut të Arbërit.

 

Vëlla, me leximin e këtyre tregimeve më shumë fitova se sa humba gjë. Me plot gojë të të them: të lumtë Ibrahim Skënderi! I ke shkruar si një mësues i mirë, si një gjysh i urtë dhe i dashur, si një shkrimtar me penë të hollë e pa filozofira. Si një mjeshtër, ti bëre brumin me të cilën gatove atë pogaçen (bukën nore), siç i themi ne drenicarët, për t’ua dhënë barabar, nga një copëz të asaj buke fëmijëve shkollarë, e pse jo edhe të mëdhenjve, të lyer me mjaltin e zemrës tënde: me ngjyrimet magjike të artit letrar shqip.

 

Janë këto tregime motivesh jithfarë, syresh që i duan, i përqafojnë, sikur nëna të birin, syresh që rrjedhin mjaltë, urtësi, dashuri, sinqeritet, mesazhe, e pse jo edhe ndonjë qortim për çapkënët, trazovaçët, përtacët, dembelët.

 

I paç shëndosh nipa e mbesa atje në Sharrin e lashtë, Ibrahim. Jam i bindur se kjo tufë tregimesh do të pëlqehet e do “lëpihet” si një akullore nga më të vegjlit, e shpresoj edhe nga të mëdhenjtë.

 

Bilbil i Sharrit po të quaj, z. Ibrahim, sepse, mbaj shpresën se fëmijët lexues do ta pëlqejnë këtë ofiq të xhaxhit Riza, durim, sa t’i kenë lëçitur këto tregime, fëmijët kanë të drejtë.

 

 

 

                                                          Maj, 2006

 

 

 

*****************************************

 

 

 

Vlerësim për librin e Ibrahim Skenderit „Zgjim mes dashurish”, “Fidani”, Prizren, 2006

 

 

 

Ida Agim Spahiu, Nju Jork -  SHBA

 

 

 

PERSONIFIKIMI GJENERATË E RE – ATDHE

 

 

 

Në qendër të vëllimit janë vendosur xha Bardhi dhe Carroku, marrëdhënie të ngrohta njerëzore, familjare, prindërore. Nip-gjysh të ngjanë me personifikimin gjeneratë e re-atdhe.

 

Shkrimtari shpesh e thërret nipin Carrok, nuk i vë emër, si personifikim i gjithë fëmijëve shqiptarë.

 

Libri është i ndarë në disa cikle, shumë tregime rrëfejnë për luftën çlirimtare të Kosovës, si manifest i asaj që kjo luftë kurrsesi nuk duhet harruar. Gjeneratë pas gjenerate duhen kujtuar luftëtarët dhe u duhet dhënë nderimi që u takon. Shkrimtari kujton mikpritjen e kuksianëve gjatë kësaj lufte, e njeh Carrokun me njerëzit zemërbardhë që hapën zemrën dhe shtëpitë për vëllezërit kosovarë, krijohet ajo lidhje e ngrohtë shpirtërore që na kishte munguar prej vitesh. Është fat për fëmijët që erdhi dita që ata të kalojnë lirshëm kufirin të takohen me vëllezërit e tyre shqiptarë, jo si unë dikur e vogël, strukur nën jorgan, nxirrja kokën për të parë dhe dëgjuar Ditarin e Kosovës, që im atë me tmerr kishte arritur të rregullonte antenën natën dhe ulte zërin e televizorit deri në minimum se larg o Zot po u dëgjua dhe u mor vesh ...

 

Shkrimtari duket se  e njeh mirë botën e fëmijëve me çapkënllëqet e tyre, me gëzimet, humorin, çiltërsinë.

 

Dua të them pa frikë që nipërit dhe mbesat e Ibrahim Skënderit janë me fat që kanë një gjysh të tillë, po tani do të jenë me fat të gjithë fëmijët që do t’ju bie në dorë ky libër i mrekullueshëm.

 

DRAMAT PËR FËMIJË, SKENA NGA REALITETI I YNË NË RRUGËN E LIRISË

 


Dramat për fëmijë, të Ibrahim Skënderit, si ato: Burri në pikturë, Krushqit e lirisë, Klasa e lirisë, pavarsisht se i takojnë botës së të vegjëlve, janë të shkurtra dhe  në një format të vogël ato bartin me vete mesazhe të qarta edukative, që është edhe shumë e natyrshme, sepse vetë poeti vjen nga ai profesion.

 

Ato pasqyrojnë tabllo e motive nga jeta , nga historia e jonë, nga realiteti i etnikumit tonë e nga etapat e ndryshme historike, deri në ditët e sotme.

 

 Përmes tabllove, akteve e dialogëve, autori arrin të përcjellë mesazhe edukative tek brezi i fëmijëve. Përmes figurave historike, ai e përcjellë mesazhin e dashurisë ndaj atdheut dhe vlerat e lirisë së sotme, që gëzojmë sot ne.

 

Ndërsa dialoget, duke pasur përballë fëmijët, mësuesit, prindërit, gjyshin e personazhet e tij komunikojnë lirshëm, pa nuanca konfliktesh a mospajtimesh. Por duke u ritreguar ngjarjet, në veçanti ato të karaktereve historike, përmes gojës së gjyshit, apo mësuesit, etj.

 

Dhe përmes këtyre dialogëve e tregimeve ai arrin t’i zbërthejë ngjarjet dhe figurat historike, për t’i përcjellë ato mesazhe, shumë qartë tek më të vegjlit. Skenat e autorit lëvizin, ecin, nga vendi në vend, në dhomë, në kopsht, në natyrë e kudo, duke e bërë atë tërheqëse dhe të dashur nga fëmijët. Edhe personazhet e vegjël të autorit janë shumë të gjallë, të ndjeshëm e kurioz, në vrapin për dijen.

 

Dhe për fund, mund të konstatojmë, se këto lloj dramash, pse jo edhe të veçanta, janë shumë të bukura dhe me vlera, që mund të vihen në skenë, nga nxënësit e shkollave fillore. Misioni dhe karakteri edukativ i tyre, sigurisht se ka peshën dhe rëndësinë e veçantë, në këtë drejtim.

 

AKTET HISTORIKE NË SKENA TEATRALE

 

 

 

Ibrahim Skenderi: ,,Burri në pikturë``, (Pjesë teatrale për fëmijë), Botoi; LSHK-dega Prizren, Prizren, 2009

 

 

 


Ibrahim Skenderi, pos poezisë për të rritur dhe atyre për fëmijë, ai veten e ka sprovuar edhe në drama, kryesisht pjesë teatrale për fëmijë. Kësaj here do të ndalemi tek drama: ,,Burri në pikturë”, një skenë që autori thuaj se e ngritë në rastësi nga një grup fëmijësh dhe vetë piktori, i cili po e pikturonte një pikturë.

 

Në fakt, e gjithë ngjarja zhvillohet rreth pikturës, që në pëlhurën e saj, hidhte shtat portreti i kryekuvendarit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Autori me këtë dramë, pos si sprovë teatrale, ai i jep karakter edukativ për fëmijët, duke e treguar përmes tregimit të piktorit, se kush ishte Ymer Prizreni, nga vinte, etj.

 

Pra, përmes zbërthimit të pikturës që i bën vetë piktori, arrijmë të mësojmë shumëçka për këtë atdhetar të kombit, i cili tërë jetën e tij deri në flijim, ia kushtoi atdheut.

 

Personazhet e dramës, janë një grup i fëmijëve, të cilët brenda dialogëve që zhvillojnë me piktorin, por edhe mes vete e profesorit të historisë, dialogëve në dramë i japin gjallëri, duke e bërë atë shumë tërheqëse dhe interesante sa edhe vetë tregimi dhe tematika që shtjellohet brenda dramës.

 

Këto personazhe, në veçanti ata të fëmijëve, janë të veshur me emra simbolikë, që do të lidheshin ngushtë me ngjarjen dhe temën, brenda së cilës zhvillohet ngjarja. Etniku, Shqipja, Vlora,

 

Çamja, Dibrani, etj, sa janë emra të bukur shqip, ata prezantojnë edhe etninë tonë, qytetet tona, viset shqiptare, mision i personazhit në pikturë, për t’i bashkuar ato.

 

Pra e gjithë kjo veshje e ngjarjes, me të gjitha ato simbolika që lidhen me temën, veç sa e pasurojnë atë dhe e bëjnë më të ëmbël për t’u lexuar, apo edhe shikuar si dramë e vënë në skenë.

 

Në skenën e fundit, autori e fut edhe profesorin e historisë, i cili me kërkesën e fëmijëve, hyn në detaje historike, për ta shpjeguar ngjarjen nga këndi profesional i ngjarjeve. Pra, ky shtjellim i ngjarjes merr karakterin e plotë edukativ duke na treguar shumëçka për figurë historike të atdhetarit Ymer Prizreni.

 

Edhe gjuha e përdorur brenda dramës, është shumë e rrjedhshme, e çiltër dhe e kapshme për të gjitha moshat, e në këtë rast edhe nga ajo e botës së fëmijëve.

 

Libri është i ndërtuar në formatin A6 dhe i punuar në ngjyra, që për shijen dhe botën e fëmijëve është shumë i ëmbël dhe i bukur edhe për t’u lexuar.
Do të urojmë që poeti Ibrahim Skenderi, drama të tilla të na sjellë edhe në të ardhmen, duke na e pasuruar dramaturgjinë tonë, në veçanti asaj nga bota teatrale e fëmijëve, të një karakteri të tillë, që kanë shumë nevojë  edhe letrat tona shqipe.

 


                                   Gëzim Ajgeraj, Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Rexhep Smajlaj

 


GURGULLIMË NGA SHPATIJET E SHARRIT

 


Xhaxhi, Ibrahim Skenderi, pas dhjetra librash që na dhuroi, në prozë dhe në poezi, për të rritur dhe për fëmijë, kësaj radhe provoi edhe gjininë e dramës, në gjininë më të vështirë të krijimtarisë letrare. Provoi dhe ia doli mbanë, duke na duruar kështu një libërth simpatik.

 

Kur fëmijët janë të vyer, të hareshëm e të zellshëm në mësim, atëherë xhaxhi shkrimtarët mbushen plot frymëzim, që shkruajnë libra të bukur për ju, sikurse me këtë rast - xhaxhi Ibrahimi.

 

Me pjesën teatrale njëaktëshe për fëmijë "Burri në pikturë", Ibrahim Skenderi na i pasuroi biblotekat tona me një libërth tërheqës të formatit të xhepit, me një tekst të përzgjedhur, të përshtatshëm, njohës dhe shumë edukativ për moshën që i dedikohet.

 

Në rolin e personazheve të veprës defilojnë gjashtë nxënës dhe nxënëse me emra simbolikë dhe reprezentativë, profesori i historisë dhe piktori, një burrë i moshuar që pranë këtyre kolopuçëve të mrekullueshëm "nuk plaket kurrë".

 

Ngjarja fillon natyrshëm dhe spontanisht, në lojë e sipër të nxënësve, kulmin e arrin natyrshëm, të çiltër dhe spontan. Vepra përfundon me bindjen e plotë të personazheve se Ymer Prizreni është dhe gjithandej do të jetë krenaria jonë.

 

Vepra ka karakter njohës dhe edukativ. Autori synon që në mënyrë të përshtatshme, duke u nisur nga e njohura drejt të së panjohurës, duke u përplasur fjala me pikturën, t`i njohë fëmijët me ngjarjen nga më të mëdhatë të historisë sonë kombëtare, Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe personalitetin qendror të saj Ymer Prizrenin.

 

Gjuha e veprës është e rrjedhshme, e pastër dhe e kuptueshme për moshën, ashtu siç buron, rrjedh dhe gurgullon uji i kristaltë i gurrave nga shpatijet e Sharrit, atje ku lindi Fatosi i kombit - Ymer Prizreni.

 

 

 

*******************************************

 

 

 

 

 

Kopertina e librit: Portreti i pakryer

 

 

 

DRAMAT ME TEMATIKË ATDHETARE PËR FËMIJË, ME MESAZH EDUKATIV NË FRYMËN KOMBËTARE

 


Nëse i shfletojmë dramat për fëmijë të Ibrahim Skenderit; "Burri në pikturë", "Krushqit e lirisë" dhe "Klasa e lirisë", do të ndeshemi kryesisht në tematikën atdhetare që mbartin ato brenda vetes.

 

 

 

Për moshën që i dedikohen këto drama, fillimisht mund të duket si një ngarkesë, por kur llogaritim zanafillën e frymëzimit dhe edukimit të brezave, me këtë frymë, mendojmë se këto tema janë një zanafillë e mirë për thithjen e një edukate kombëtare. Dhe kjo edukatë, tek ne si popull në robëri, gjithmonë ka pasur nevojë dhe do të ketë edhe më, në shpërndarjen e kësaj fryme nacionale.

 

 Sepse duke u edukuar në një frymë të tillë, arrijmë ta kuptojmë peshën dhe vlerën e lirisë qytetare e njerëzore. Dhe pavarësisht moshës, ky edukim sa më herët të fillojë, aq më i ushqyer do të jetë. Sepse duke e dashur atdheun, popullin tënd, vendin, do të arrijmë të çlirohemi më së miri nga etjet për të huajën, por do ta duam gjithmonë tonën. Arsyeve të një edukimi të tillë, do tu duhej ndoshta një studim i gjerë, e që neve të kthehemi brenda bërthamës së temës sonë.

 

Në të tri këto drama të shkurtra për fëmijë, gjejmë motivet patriotike, të një drite atdhetare, të cilën autori synon ta bartë edhe tek brezat e rinj. Nëse marrim dramën; "Burri në pikturë", personazhet i kemi grupin e fëmijëve, piktorin, një burrë i moshuar dhe profesorin, mësimdhënësin e historisë.

 

 Përmes pikturës së piktorit, që ka për motiv personazhin kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; Ymer Prizrenin, fillon i gjithë dialogu. Prej nga pastaj edhe piktori, por edhe profesori  historisë, përmes zbërthimit të pikturës, në fakt ritregimit të ngjarjeve historike, përcjellin mesazhet me tematikë atdhetare, tek grupi i fëmijëve.

 

Do të shkëputim nga këtu, një pjesë nga kjo dramë, për ta argumentuar atë që e thamë më lartë:

PIKTORI: Dhe siç u thashë. Ymer Prizreni,pasi kreu shkollën u kthye në vendlindje që t`i dalë zot atdheut... (merr frymë thellë) Ju bijtë e mi keni mësuar Ndoshta në histori, se atëherë kur jetoi Ymer Prizreni, trojet shqiptare ishin nën sundimin turk. E ajo që ishte më e keqe, trojet etnikisht të banuara me shqiptarë, filluan të coptohen e t`u jepen okupatorëve sllavë: serbëve, bullgarëve e malazezëve... Për këtë arsye edhe sot ne shqiptarët jetojmë në pesë shtete, e jo në një siç do të duhej të ishte. Prandaj, kemi Kosovën, Preshevën, Shkupin e Tetovën, Gostivarin, Dibrën e Strugën, Hotin, Grudën e Ulqinin; kemi çamërinë, të gjitha këto të ndara nga trungu amë - nga Shqipëria natyrale!

 

 

 

Dhe nëse i analizojmë në përgjithësi këto dialoge brenda dramës, do të shohim se të gjitha mesazhet me frymë kombëtare, për synim kanë frymëzimin e brezave dhe edukimin e tyre, brenda asaj fryme nacionale. Njëkohësisht këto mesazhe, hapin dritën e vizionit e ngacmimit dhe kuriozitetit tek fëmijët, për t’u zgjeruar edhe brenda kërkimit të literaturave edhe tjera, e për të zgjeruar diapazonin e njohurive brenda zhvillimeve historike, të etnisë sonë.

 

Mesazhet e këtilla, janë më se të nevojshme për brezat e rinj dhe për edukimin e tyre.

 

Do të shkëputim dhe një insert nga drama "Krushqit e lirisë":

 


GJYSHI: Skënderbeu... Ai ka qe trim mbi trimat. Ka luftuar plot 25 vjet pa ndërprerë për çlirim të atdheut. Ai kishte një shpatë të madhe dhe në kokë mbante një përkrenare të metaltë.

 


Këta dialogë, në vazhdimësi tek dramat e Ibrahim Skenderit, sjellin tema të mëdha, të një fryme kombëtare. Autori ato i sjell në formën e një komunikimi, tregimi e ritregimi, duke u dhënë hapsirë edhe fëmijëve, për t’u kyqur e interesuar më tepër për tematika të tilla.

 

Me këtë stil të komunikimit, autori i jep mundësi dhe hapësirë edhe vetes, për ta zbërthyer e shpërndarë atë që ai e ndien edhe brenda vetes.

 

Por gjithmonë i kujdesshëm, që të mos kalojnë këta dialogë në narracionin e kontestit historik, të tepruar. Ai përdor pikat vitale historike, në formën blic që do të shërbenin si nxitje, si ngacmim të muzës së fëmijëve, për t’u interesuar edhe më tepër brenda këtyre temave, por edhe si edukim brenda kësaj fryme kombëtare, që sjell Ibrahim Skenderi, nëpër dramat teatrale për fëmijë.

 

 

 

 

 

DRAMË PËR KRUSHQIT E LIRISË

 

 

 

Ibrahim Skenderi: "Krushqit e lirisë", ( Pjesë teatrale për fëmijë), botoi: Fidani, Prizren, 2012

 

 

 

Ibrahim Skenderi, sikur e  ka gjetur magjinë e strukturimit të ngjarjeve në dramë, në veçanti një prirje të veçantë ai po e tregon në dramat për fëmijë.

 

 "Krushqit e Lirisë", është një pjesë teatrale për fëmijë, të cilën autori përmes personazheve nga historia e jonë kombëtare, e zhvilluar nëpër shekuj, e vë në skenë duke ecur bashkë zhvillimet e shekujve me një ndërlidhje mjeshtrore, për mes dialogëve.

 

 Personazhet e dramës, si; Gjyshi, Lokja, Albani, Malësori, Teuta, Skënderi, Ymeri, Dea, Sara, Ylli, Dardani, por edhe rapsodi, janë boshti i dialogëve, përmes të cilëve, arrin të ndërtohet edhe tematika e ngjarjes në dramë.

 

Drama; "Krushqit e lirisë", si motiv shpalos figura të rëndësishme nga historia e jonë kombëtare nëpër shekuj, duke nisur qysh tek mbretëresha Teutë, Skënderbeu, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Shotë e Azem Galica, Adem Jashari, Adem Demaçi, etj, përmes të cilëve shpaloset një pjesë bukur e madhe e zhvillimeve të etnikumit shqiptar, nëpër histori.

 

Dialogët në dramë fillojnë me personazhin e gjyshit, i cili bëhet edhe rrëfimtari kryesor për të gjitha ngjarjet dhe personazhet historike që tregohen në dramë. E gjithë drama zhvillohet si një akt spontan, në një ambient të hapur në oborrin e shtëpisë, ku gjyshi bisedon me nipin dhe dy mbesat e tij. Ai tregon për mbretëreshën Teutë, pushtetin dhe zotësitë e saj.

 

Por asnjëherë nuk harrohet që personazhet e dramës në këtë rast edhe fëmijët, të kenë lidhshmërinë me ngjarjet, emrat e vogëlushve, etj. Në këtë rast, gjyshi si rrëfimtari kryesor, shpalos fakte nga historia, për ti sjellë ato, përpara nipave e mbesave të vet. Dhe në këtë rast ai udhëton nëpër historinë tonë kombëtare, deri në ditët e sotme.

 

Të gjitha këto personazhe, për autorin e veprës, janë krushq të lirisë, që e gëzojmë ne sot. Ata janë bartësit e të gjitha zhvillimeve në shërbim të çështjes kombëtare, dhe si të tillë, ata janë krushq, të nuses Liri, që sot hapron në tokat tona.

 

Është kjo një dramë e shumë akteve historike, të përmbledhura në miniaturë të një pjese teatrale, ku për mes botës së fëmijëve, thuhet shumëçka.

 

Gjuha e përdorur dhe dialogët në dramë, janë të rrjedhshme dhe shumë të kapshme për tu kuptuar nga bota e fëmijëve. Me një fjalë, sikur autori edhe e krijon dramën për një moshë të tillë, dhe një qëllim të tillë, që t’u ofrojë më të vegjëlve, mundësi të kenë edhe si skenar teatral për ta vënë në skenë atë.

 

Misioni tjetër i dramës, është ai i karakterit edukativ, të cilit autori i jep shumë rëndësi dhe kjo më së miri vërehet në trajtimin dhe zbërthimin e ngjarjeve, që sikur i ngjajnë një rrëfimi, ku të gjithë personazhet së bashku, janë aktiv.

 

Urojmë, që shkrimtari, poeti, dramaturgu; Ibrahim Skenderi, të na jepë vepra të tilla edhe në të ardhmen, sepse me këtë, Ai na e pasuron artin tonë, skenat dhe bibliotekat tona, duke na krijuar vepra të zhanrit të dramës.

 

 

 

                  Gëzim Ajgeraj, 6 korrik, 2013, Zvicër

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vlerësim për dramë: “KRUSHQIT E LIRISË” (Pjesë teatrale për fëmijë), Ibrahim Skenderi, botoi “Fidani”, Prizren, 2012

 

 

 

Dr. Begzad Baliu

 


VEPËR E DRAMËS SONË HISTORIKE

 


Dua të theksoj që në fillim se veprën dramatike "Krushqit e lirisë" e kam lexuar me një dozë  paradigme mjaft subjektive. Në plan të parë subjektiviteti i saj duhej të identifikohej me autorin (miqësia), apo para së gjithash me temën (një subjekt, gjatë, tepër gjatë i eksploruar në letrat shqipe nga poezia deri tek proza, drama e madje edhe publicistika), por e vërteta sikur qëndron në thelbin letrar dhe estetik të autorit të saj.

 

Te poezia e tij e botuar që më parë, kisha vënë re prirjen e autorit për t`i  dhënë dramacitet të jashtëzakonshëm historisë duke e ndërlidhur atë me bashkëkohësinë njëkohësisht.

 

Vite më par kisha nënë re se si në krijimet e tij letrare ai shtresonte brezat, heronjtë tij lirik, sa përmes ndodhive po aq edhe përmes përjetimit të tyre në kohën tonë.

 

E kësaj natyre është edhe vepra më e re e tij "Krushqit e lirisë", një motiv ky në dukje të parë, i njohur edhe në tekstet tjera të kësaj natyre, që aq dendur shfaqet në shkollat tona. Mirëpo në tekste dramatike ne gjejmë një qasje mjaft origjinale që mjeshtri ynë ka ndërtuar në sistemin dramatik.

 

Vepra ka në qendër të skenës një gjysh zakonesh, si të gjithë gjyshërit tanë, që personifikon njëkohësisht edhe historinë e lashtë të popullit shqiptar, ndërsa rreth tij, në skenë, hynë e dalin fëmijë (nipa e mbesa), që bëhen bartës të kërkesave të brezit të ri për kujtesën historike dhe për përjetimin bashkëkohor të saj.

 

Kështu, gjyshi dhe nipërit realizojnë kujtesën historike dhe vlerësimet e sotme për to në disa plane: përmes shpalimit të biografive të personaliteteve më të lavdishme që ka pasur historia e popullit shqiptar,prej të cilëve kemi ruajtur nderimin për ta edhe përmes emrave të fëmijëve tanë: Ilir, Teutë, Skënderbe, Agron, Dardan etj., përmes shpalimit të bëmave të personaliteteve të shquara të kombit në historinë e re si Lidhja e Prizrenit (1878), Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), Pavarësia e Kosovës (2008) etj.; përmes sjelljes, në të vërtetë krijimit të një komplementariteti të personazheve historike të epokës sonë, në të cilën përmbyset kufiri i të gjallëve dhe të vdekurve, sepse ata të gjithë i takojnë historisë (Shotë Galica, Adem Demaçi, Adem Jashari etj) përmes të cilëve bartat jo vetëm kumti i pashkëputur i personaliteteve që e kanë bërë historinë, po edhe i mesazheve që ka bartur vetë historia përmes disa ngjarjeve dhe synimeve largvajtëse të tyre: Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve (1989), Lufta Çlirimtare e Kosovës (1997 - 1999) etj.

 

Duke qenë një dramë e shkruar për fëmijë dhe të rinj, ajo është pasuruar edhe me mjaft përbërës të etnografisë (veshjet e fëmijëve për të imituar personazhet e tyre), folklorit (prirja për të përjetuar historinë kryesisht përmes bardit epik), mitit të heroit ( akt i nxjerrjes së plumbit me plumb nga këmba e Shotë Galicës) etj.

 

Po e mbyll këtë fjalë arsyetimi duke e theksuar edhe njëherë një prirje të autorit që përtej temës edhe simbolikës së dasmës, krushqve, lirisë, nuses etj., të pranishme edhe në shumë tekste letrare të llojeve dhe gjinive të ndryshme, të krijojë një skenë mjaft të ndërliçshme dhe mjaft komplekse për kushtet tona.

 

Madje një skenë brenda skenës dhe shumë kohë të ndërkallura mes tyre. Si e tillë vepra "Krushqit e lirisë" në skenat tona amatore do të sjellë atë që zakonisht përpiqen ta realizojnë me ngulm të gjithë shkrimtarët:  dramacitetin.

 


                                     Prishtinë, janar 2012

 

**********************************************

 

 

 

 

 

Vlerësim për dramën: “KRUSHQIT E LIRISË” (Pjesë teatrale për fëmijë), Ibrahim Skenderi, botoi “Fidani”, Prizren, 2012

 

 

 


Korab Lecaj, regjisor

 



"... Zjarrminë e akumuluar historike në shpirtin e tij artistik, autori e shkarkon në botën e artit, pikërisht përmes  dramatizimit në veprën "Krushqit e lirisë". Kjo mbase ka ardhur edhe si dhuratë në 100 vjetorin e  Pavarësisë së Shqipërisë..."

 

 

 

 

 

Gëzim Ajgeraj, Zvicër

 


Ibrahim Skenderi; "Klasa e Lirisë", (Pjesë teatrale për fëmijë e të rinj), botoi: LSHK - Dega Prizren, 2010

Drama “Klasa e Lirisë”, e Ibrahim Skenderit është drama e jonë kombëtare, e arsimit shqip në Kosovë kur okupatori serbë i dëboi të gjithë nxënësit e shkollave të mesme e fakulteteve, por edhe të shkollave fillore aty ku mundi, jashtë objekteve shkollore, ndërsa arsimtarët dhe profesorët shqiptarë jashtë financimit institucional shtetëror. Ngjarja zhvillohet në një kohë shumë të zymtë, të një robërie totale për shqiptarët në Kosovë. Ajo tani më inskenohet krejt afër fillimit edhe të luftës, era e së cilës po ndihej gjithandej atdheut.

 

Është kjo kohë, kur forcat e okupatorit serbë, vranë mësuesin Halit Geci, në Drenicë, varrosja e të cilit u bë në mënyrë madhështore nga popullata shqiptare. Dhe pikërisht këtë ditë, në këtë varrim, tre pjestarë të UÇK-së, dolën publikisht dhe lexuan Deklaratën e thirrjes për luftë kundër okupatorit serbë. Pra e gjithë kjo ngjarje zhvillohet pikërisht datën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit tonë kombëtar.

 

Personazhet e dramës janë; Mësuese Liria, Mësues Atdheu, Lajmëtari, Kryeplaku, Nxënësit: Besa, Liridoni, Kushtrimi, Fitorja, pastaj nxënësit e klasës së lirisë; Agroni, Albani, Arbëri, Fisniku (ushtari) dhe Fitimi (ushtari), Iliri, Jetoni, profesor Rinori, Saimiri dhe Trimi (i riu). Autori përmes këtyre personazheve, arrin të ndërtojë të shtatë pjesët e dramës një aktëshe për fëmijë e të rinj. E gjithë drama në vazhdimësi, vjen në skenë në formën kronike të fillimit dhe zhvillimit të Luftës Çlirimtare në Kosovë.

 

Ajo kap shumë sentenca  nga kjo kohë, që tani duke e lexuar, për ata që i kanë bashkëjetuar ato zhvillime, janë një rikujtesë e mirë e gjithë asaj çfarë ka ndodhur gjatë gjysmës së dytë të vitit `98 dhe gjysmës së parë të vitit `99, të shekullit të kaluar.

 

Nga personazhet brenda dramës, gjejmë edhe vullnetarë që kthehen nga vendet e ndryshme të Evropës, si nga Gjermania, Zvicra etj. Do të ndalem këtu, tek njëri nga këto personazhe.

 

( I.B. është i riu Iliri, i cili kthehet nga Zvicra, për t’iu kthyer atdheut dhe Luftës Çlirimtare, të popullit tonë në Kosovë. Ai tani jeton në altarin e lirisë së atdheut, si dëshmor i  kombit. ... Jeta më ka njohur dhe mua me të; Dikur mes viteve 1982-85, si nxënës në qytetin e Prizrenit, dhe banues në Konviktin e këtij qyteti, disa vjet kemi banuar së bashku. Nga ideali që kishim për atdheun, na ka rastisur edhe të shkruanim parolla qytetit e objektit të internatit. Ishim dhe mbetëm shokë dhe miq edhe të ideali. Jeta më vonë na degdisi gjithandej dhe lidhjet tona për një kohë humbëm.... Me fillimet e luftës në Kosovë, neve gjendeshim në Zvicër dhe nëpër detyra të ndryshme të organizimit në hierarkinë e UÇK-së. Ndërkohë I.B. vinte shpesh  në qytetin e Buchs-it, ku edhe vepronim me SHMSH "Bajram Curri". Aty takoheshim, herë pas here. Në pranverën e hershme të vitit 1999, në një mbrëmje të diele,(data nuk më kujtohet), do të kthehem - tha. Fillimisht mbeta i shtangur, dhe pa përgjigje, por më vonë e biseduam gjatë edhe arsyen e kthimit të tij në luftë. Ndoshta do ta mbingarkoja këtë vlerësim, po të zbërthehesha më tepër, por sikur më ktheu në rikujtesë e më nxiti emocione, kjo skenë nga drama... Sot, Ilmi Bahtjarin., mu bë sikur e takova të gjallë, atje diku në Kosovë, por në një kohë tjetër...)

 

Drama e Ibrahim Skenderit, bart më vete çastet e sentecat e një realiteti objektiv, të cilat me mjeshtrin e artit të tij në dramë, krijon lidhshmëri ngjarjesh, të cilat i barti mbi supe koha dhe njerëzit e atdheut të shkrimtarit. Drama; Klasa e lirisë, përfundon me përfundimin e një lufte të përgjakshme në trojet tona dhe me shumë dëshmorë që ranë në altarin e lirisë, për çlirimin e atdheut.

 

Edhe me këtë dramë, shkrimtari Ibrahim Skenderi, synon ta sjellë ndër ne atë vijën e idealizmës dhe militantizmit të djemve të lirisë, të cilët bënë sakrificën sublime deri në flijim. Së dyti, edhe kjo dramë bartë më vete karakterin edhe mesazhin edukativ për njeriun tonë, se si duhet punuar, vepruar e flijuar për të mirën e lirisë së atdheut dhe sa e shtrejtë është ajo liri, e fituar me gjakun e brezave që ranë për të.
Vlerësoi se edhe kjo dramë, që na e solli shkrimtari Ibrahim Skenderi, për kah rëndësia është shumë e veçantë, sepse është drama e një realiteti tonë, e kronikuar nëpër artin e fjalës, që të mbetet përjetësisht në kujtesën tonë, ajo të cilën e përjetuam, flijuam e mbijetuam ne si popull në Kosovë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ibrahim Skenderi; ,,Dielli ma luan syrin”`, Poemë e ilustruar për fëmijë, botoi LSHK, Prishtinë, dega Prizren, 2008

 


Poeti Ibrahim Skenderi, tani më i njohur në letrat shqipe si në ato për të rritur, ai gjithnjë e më tepër po e pasuron edhe biografinë e vet me botimet për fëmijë. Kësaj here kemi në dorë poemën e ilustruar edhe me vizatime për fëmijë ,,Dielli ma luan syrin”.

 

 

 

 

 

Poema fillon me pyetjen e Elitës; Pse ma bëri me sy Lori?, duke kërkuar përgjigjen tek gjyshi;

 


Buzëlëvarur vjen Elita:

 

- Pse ma bëri me sy Lori?

 

Për çfarë kështu

 

ajo më mori!...

 

 

 

Autori bukur depërton brenda shqetësimit të fëmijëve, ndërsa neve si lexues duke na thelluar brenda temës së poemës, qysh në fillim të saj:

 


Buzagaz vështron gjyshi,

 

faqemollën ledhaton:

 

- Dëgjo mirë, moj bukuroshe,

 

Me sy ta bën ai që të don...

 


Ai merret me  shqetësimin e vogëlushes, duke e shëruar shqetësiminn e saj, përmes dashurisë prindërore të nënës, babait, motrës, vëllait, gjyshes, gjyshit, etj.Po pse jo edhe përmes syrit të diellit e të hënës, siç shprehet poeti në varg.

 


- Pse gjysh dielli sy paska?

 

- Ka, si jo, o ty të paça,

 

kur ai mbyll sytë - bëhet nata!

 


atëherë hënës i jep urdhëra

 

fëmijëve t`u këndojë ninulla,

 

ëndrra t`bukura t`u qëndisë

 

në botën magjike t`i shëtisë!

 


Brenda këtyre vargjeve, e ngacmon dëshirën e voglushes për dashurinë ndaj diellit, duke i ngacmuar imagjinatën e botës fëmijërore dhe dashurinë ndaj diellit, natyrës dhe botës përrreth saj.

 

Ky ngacmim e nxit edhe kuriozitetin e voglushes për të ditur më shumë për planetin e ngrohtë, që na fal dritën dhe ngrohtësinë , pa të cilën as që do të mund të imagjinohej jeta njerëzore në tokë.

 

Brenda proceseve që ndodhin në natyrë, ndryshojnë edhe stinët, ndryshojnë ngjyrat, të cilat i japin edhe bukuri jetës. Pra, përmes vargut, poeti arrin të depërtojnë thellë botën e më të vegjëlve, duke e bërë të ndieshëm vargun dhe shumë të kapshëm, për të vegjlit. Dhe për mes figurave në vargje, por edhe për mes vizatimeve brenda faqeve të këtij libri, ai bëhet shumë tërheqës dhe i dashur për fëmijë:

 


Yllëza të dashura,

 

e di mirë sa shumë më doni,

 

motër hëna më ka treguar,

 

sa herë n`fletore vizatonit

 

mua kurrë s`më keni harruar...

 


Duam të përfundojmë me këtë varg të poemës, duke dëshiruar që poeti Ibrahim Skenderi, të na sjellë edhe vepra të tjera të kësaj natyre, nga bota e vargut për fëmijë.

 


                                   Gëzim Ageraj, Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ibrahim Skenderi "Nesi, Nesi interesi", poezi për fëmijë, botoi “Pionieri", Prishtinë, 1997, faqe 32.

 

 

 

Në vend të hyrjes:

 

 

 

Poeti, piktori dhe mësuesi Ibrahim Skenderi, i lindur më 1948 në Brrut të Opojës, deri më tani ka publikuar disa libra; "Dritë e dituri" (Monografi për shkollën fillore "Sezai Surroi" të Bellobratit, poezi për të rritur; "Pas heshtjes" (1994) dhe "Portreti i pakryer" (1996), ky është libri i katërt dhe i pari për fëmijë. Pos përkushtimit në libra dhe në punën e edukimit të brezave, Ibrahim Skenderi merret edhe me vizatime, e sidomos punime për libra e kopertina, tek të cilat e ka dëshmuar talentin, për të cilin edhe ka studijuar (degën e artit figurativ) në Prishtinë. Nën edicionin e revistës “Pionieri”, ai botës së më të vegjëlve, u sjell një libër shumë tërheqës për lexim.

 

 

 

NESI, NESI INTERESI

 

 

 

Është përmbledhja me poezi, e cila për tematikë e ka voglushen Nesi dhe botën e saj. Përmes botës së kësaj voglusheje, poeti portretizon botën e më të vegjëlve, lojën e tyre, aventurat fëmijërore, kuriozitetin e botës së fëmijëve etj. Vogëlushe Vanesa, apo siç e çuajnë rrethi i saj Nesi, është një vogëlushe hokatare, me tufat e flokut të lidhura si të voglushes aktore "Pipi" dhe me veprimet e saj fëmijërore, ngjan si një artiste e vogël. Pikërisht përmes vogëlushes Nesi, poeti vë në varg kuriozitetin e vogëlushes, dëshirat e saj, lojërat me të cilat argëtohet ajo, etj. Ajo ka shumë dëshira, njëra ndër to, është edhe imitimi, të cilin ajo e bën sa herë që e sheh në ekran të televizorit, këngëtaren "Gili". Dëshiron t’i ngjajë asaj, ndaj dhe shpesh në dhomë tek e shikon televizorin, e fillon vallëzimin nëpër dhomë. Vogëlushja Nesi tregon interesim edhe për lexim, edhe pse ende s’e ka mësuar alfabetin, megjithatë ajo herë pas here i shqipton shkronjat nga Abetarja. Dëshirat e saj janë të shumta, ajo ka dëshirë të veshë fustane të bukura, "bëhet si nuse", imiton traditën e qëndrimit të nuseve në këto anë etj. Ajo çfaqë interesim edhe për botën rreth saj, mbi të gjitha për vizatimin. Nga temat që trajtohen në vargje, poeti portretizon një vogëlushe që gjithmonë gjendet pranë tij. Kjo mu për faktin se poeti edhe vetë vizaton dhe nga rrjedha e vargjeve, vogëlushja duhet t’i takojë rrethit të poetit. Pa vazhduar më tej, në zbërthimin e temave, dalim tek vargu i fundit, në libër: Ju qeshni me mua/ kur fjala më ikën / ani, ani, qeshni, / unë po rritem... rritem!/, pra përmes fjalëve të vargut, "Ani, ani, qeshni", arrijmë të kuptojmë botën e vogëlushes Nesi, botën e të gjithë vogëlushëve të moshës së saj të njomë. Për fund konstatojmë, se poeti arrin shumë bukur të hyjë në botën e fëmijëve, t’i kuptojë ata, dëshirat e tyre, dhe t’i vargëzoëj ato nëpër vargje.

 

 

 

                                            gusht, 1997, Prizren.

 

**********************************************

 

Vlerësim për librin e  Ibrahim SKENDERIT „Dritëhënë“, poezi, botoi „Fidani“, Prizren, 2011

 

 

 

Ismet Lecaj, prof.

 


PARALAJMËRIM PRANVERE

 


Dashuria dhe shqetësimet për atdheun ishin preokupim  dhe frymëzim që nxitën Ibrahim Skenderin të shkruante vargjekujtimet të radhitura në formë ditari dhe të përfunduara në një autobiografi poetike që në vete ngërthen një numër të madh figurash stilistike, të cilat janë mbështjellës të strumbullarëve të këtyre kryefigurave.

 

Me të gjitha së bashku autori ia del në krye ta ndërtojë vokacionin e tij liriko-epik shumë të fortë dhe mbresëlënës për lexuesin.

 

Rrëfimi i tij poetik s`është vështirë të kuptohet se është ndarë në tri etapa kohore dhe gati në secilën prej tyre dominojnë figurat çelësa nga shpalos dhimbjen, dëshprimin, pritjen e mbi të gjitha shpresën dhe gjakimin për lirinë e Kosovës. Ky gjakim nis me një sllogan edhe më të thinjur se floku i babëlokut të tij, si fanar shumë ndriçues në rrugën nga do të kalojë poeti.

 

"Ec bir ec...", është dhimbja që niset nga fshati i lindjes dhe që e përcjell poetin gjatë tërë jetës si drangë në shpirt, që pa tjetër do të shpërthejë në livadhin e jetës si lule e shumëpritur, sepse ishte Paralajmërim Pranvere. Në këtë rrugë duheshin përballuar sfidat bashkë me rritën, në cilën aq sa e kishte në sy armiku i kohës,  po aq e mbante të gjallë dhe të freskët penda poetike.

 

Ky realitet i kohës ishte bërë mish e thua në zemrën e autorit.

 

"Ec bir, ec në rrugën e dritës", ishte jehonë e sprovuar e babëlokut në dhëmbët e borës së kuqe të 56-tës, ishte jehonë në shpirtin e poetit si frymëzim që s`kishte të ndalë gjatë gjithë kohës deri në fitore.

 

Ky frazeologjizëm nxitës e kurajues u forcua edhe më tepër në Normalen e Prizrenit, çerdhe kjo ku gatuhej nacionalizmi shqiptar si potencial që do të shpërthejë digat e srbosllavisë nga qindra e mijëra të rinj duke u nisur nga kalldërmi i Shadërvanit e deri në llogoret e luftës së fundit. Kjo ecejake në kohë nga vitet e gjashtëdhjeta e këndej në poezinë e tij mpleks në vete një numër të madh figurash e kryefigurash stilistikore që e galdojnë dhe i japin shije fjalës së shkruar dhe peshës së saj artistike.

 

Kështu " Një grusht baltë në rrotë traktori", është një stacion tjetër figurativ, ku duhet të ndalemi dhe të analizojmë fjalën poetike të Ibrahim Skenderit, i cili në formë simbolike shpalos eksodin për në Shqipëri, mban të ndrydhur aty, të larë nga lotët e të gjitha grupmoshave me të gjitha hallet dhe brengat e tyre që s`i trette dot as Drini plak.

 

Ajo baltë e ëmbël si mjalti u bë simbolikë në sytë e shkrimtarit, e nga andej e bartur në vargun poetik.

 

Mbase kjo copë e atdheut ia kujtonte vitet e shkollimit të mesëm dhe personazhin shumë domethënës të asaj kohe, profesorin Riza Alaj dhe mbase kërkesa e tij që nxënësit ta shkruajnë fjalinë: "Ruga e dritës është rrugë e kombit", ishte emblemë e qëndrueshme që forconte shpirtin poetik në eksod, duke ia mbajtur gjallë kështu inspirimet e vrara me nipin e tij të njomë në prehër dhe dialogun shumë përvëlues: "- Pse këtu s`po  shoh zogj?

 

-Ngase kanë parandier shtegtimin tonë, moj bijë!"

 

Kjo përgjigje e fortë poetike dhe shumë filozofike then monopatet shpirtërore të kohës për të na lënë hëpërhë gojëmbyllur për disa çaste dhe për të vazhduar pastaj edhe vetë poeti plot forcë e energji në punën e tij në rrugën e shkronjave, në rrekjen e përditshme me tërë problematikën e saj, edhe si politikë, edhe si vuajtje, edhe si ushtri, edhe si pritje.

 

Të gjitha këto shtrohen ëmbël e mirë përcjellë nga një mbështjellës rigoroz e trishtues, që plotësojnë diskursin e autorit me tërë diversitetin e tij poetik. Kështu subjektivizmi poetik është prezantim i drejtëpërdrejtë i refleksionit të të gjitha kohërave, të cilat si kujtim i hidhur i shfaqeshin poetit te ai grusht balte ngjitur në rrotë traktori.

 

Si çelësin tjetër poetik poeti na jep në dorë edhe celebrimin e dy të burgosurve shqiptarë brenda grilave, që për atë kohë la gojëhapur armikun serb dhe uniformën e tyre kriminele, ndërsa te rinia kosovare ndezi zemrat për liri në kohën më kritike të atdheut, për ta derdhur edhe pikën e fundit të gjakut në momentet e duhura. Këtij kurorëzimi të dy të rinjve shqiptarë, i flenë në sedèër edhe këto vargje perla të mia:

 

 

 

"Mbi xhaketën time gri

 

Kokën e lodhur liri mbështete,

 

Bashkë dy zemra Kosovë për Ty

 

Bashkë një varr e ruajmë për vete!"

 

 

 

Figura tjetër çelës që shpalos  rrëfimin poetik të Skenderit është konceptimi i Kukësit si "Imazh siujdhese"; imazhi i ëndrrës jetësore dhe i gjakimit për tokën e shenjtë mëmë; siujdhesë e stërmbushur nga shqiptarët e përndjekur nga Kosova.

 

Kjo siujdhesë shpëtimi, sikur plakej duke pritur lirinë e Kosovës. Por, shpresa vdes e fundit thotë populli; këtë e thotë edhe poeti me performancat e tij poetike, sepse edhe në kohët më të vështira s`ndalet penda e tij, përkundrazi ajo himnizonte ndodhitë pozitive të kohës, lëvizjet e rezistencës, UÇK-në që si dritëhënë lëshoi rreze shprese nga errësira shekullore.

 

Kjo sikur e qetësonte pakëz shpirtin e  poetit, ia freskonte shprehjet e bukura artistike si një puhizë e këndshme, për ta zgjuar nga inspirimet thirrja e gjegjanianës: "Gj`ra, cullë, eni dreka a  gjati!" figurë kjo e sata me radhë, e cila këtu na shpalos mikpritjen dhe bujarinë e paparë lumjane me "Bukë, kripë e zemër".

 

Së fundi ndezja e traktorëve për kthim mbrapa në atdhe më 16 qershor 1999, rrumbullakëson simbolikat e poetit si Hapiend nga gjithë ajo maratonë jetësore nga se armiku serb u dasht të vërë gishtat nga i kishte vënë thembrat.

 

Kjo i hap një rrugë tjetër shkrimtarit në etapën e tretë të prezantohet denjësisht me veprat e veta në Opojë, Kosovë e Shqipëri në shumë takime letrare e kulturore, gjithmonë duke zgjedhur për motiv të poezive të tij dëshmorët e kombit, fytyrat historike e në veçanti duke vënë në spikamë figurën legjendare të Adem Jasharit.

 

Si poezi të fundit në vëllimin "Dritëhënë" autori la me qëllim poezinë shumë përmbledhëse dhe kuptimore "Autobiografi", një autobiografi në vargje, si rrugë jetësore, ku eci e eci me hapa të sigurt poetik, si plotësim i dëshirës së gjyshit të tij, të vetë poetit dhe të kombit në përgjithësi.

 

Kjo autobiografi poetike si tingëllimë artistike e kohës fillon nga 48-shi, saktë në Shënmitër, për të përfunduar afër Shëngjergjit të 1999-ës si flamur qëndrese në kështjellën shpirtërore të poetit, gjegjësishtë në kështjellën dardane të stërlodhur.

 

 Kështu duke u shfaqur gjithnjë me origjinalitetin e tij në disa zhanre letrare, Ibrahim Skenderi ndërtoi imazhin e tij me një shkathtësi dinamike në veçanti në krijimtarinë e tij të pasur në letërsinë për fëmijë, si në poezi, në prozë, po ashtu edhe në gjininë e dramës.

 

 

 

SHKOLLA E PARË SHQIPE

 

 

 

Recension

 

 

 

LULEBORË MBI SHARR

 

 

 

Krijuesi letrar, tanimë i afirmuar në letrat shqipe, Ibrahim Skenderi, i cili në vitet më të vështira për popullatën shqiptare të Kosovës veproi si vullkan i heshtur duke na dhuruar 15 tituj të krijimtarisë letrare, kësaj radhe  gufon në trio, pikërisht si luleborat mbi Sharr.

 

Me veprën më të re të zhanrit publicistiko-dokumentar të përshkuar edhe me elementin letrar, “Shkolla e Parë Shqipe në Opojë”, Ibrahim Skenderi, në bashkautorësi me profesorët, Salajdin Tafili dhe Esat Krasniqi, japin mesazhin e tyre, se borxhi ndaj atdheut nuk njeh moshë.

 

Kjo, mbase ka qenë vepra e duhur në kohën më të duhur, sepse, hedhja dritë për një ngjarje që për plot pesë decenie ishte anatemuar dhe hedhur në harresë me zhdukjen e dokumenteve të kohës, padyshim është një veprim shumë patriotik.

 

Ndonëse bosht tematik i librit është shkolla e parë shqipe në Opojë e hapur në vitet 1941-1944, në kohën kur këto troje ishin nën administrimin e Mbretnisë Shqiptare, autorët me një mjeshtëri të rrallë prej hartuesi të mirëfilltë, japin një pasqyrë historike lidhur me zhvillimin e arsimit në trevën e Opojës. 

 

Kthimi në retrospektivë, ndonëse  me fjalë të kursyera, jep një pasqyrë të mbështetur në faktografi, të sinkronizuar drejt rrugëtimit sa të vështirë aq edhe krenar të arsimit në tërësi,  dhe arsimit në Opojë që nga zanafilla, në veçanti.

 

Dëftesa, e lëshuar nga dora e Sezai Surroit, si dokument i vetëm i zbuluar që i ka  shpëtuar zhdukjes nga UDB-ja serbe, zbardh një ngjarje historike, që për afro gjashtë decenie, është mjegulluar e anatemuar. Ajo, tashmë dekreton vlerën historike të shkollave të para shqipe në Opojë, si në Brrut, Blaç e Buçe, sepse hapja e këtyre shkollave, sikur thonë autorët “ndërprenë trendin asimilues të shkollave serbe, të zbatuar për 14 vjet rresht, përmes gjuhës dhe ndërrimit të identitetit nacional nëpër shkolla”.

 

Kjo ngjarje historike i bën me fat edhe mësuesit që fati i historisë i solli të jenë “mësues të parë të shkollave të para shqipe”, si Sezai Surroin, Islam Çarkaxhiun dhe Adem Bajramin.

 

Libri dhe përmbajtja e tij begatohet edhe me evokime të ish- nxënësve të këtyre shkollave, të cilat në shumë raste përputhen dhe kështu krijojnë vërtetësinë për një ngjarje dhe një kohë të caktuar.

 

Pjesa e fundit e librit “Femra opojane në rrugëtimin e arsimimit deri më 1999”, vërteton konceptimin mjeshtëror të librit, duke i dhënë vend meritor femrës dhe emancipimit të saj. Dihet mirëfilli se, femra në substancë kombëtare përbën gjysmën e kombit dhe historikisht përjetoi fatin e tij: përndjekjen, arrestimin e dhunën, gjë që ndikuan edhe në shkallën e ngritjes dhe të emancipimit të tyre. Si gjithmonë në histori femra tregoi edhe heroizëm, duke u angazhuar në luftën për liri. Shembuj të këtillë na prezantojnë autorët edhe në këtë libër, kur arsimtarja Rrushe Gashi, me kujtimin për nxënësit e saj, rrok armën dhe i bashkëngjitet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në çlirimin e vendit.

 

Uroj që të kemi sa më shumë libra të këtillë, të cilët, s’do mend se, pasqyrojnë pasurinë dhe vlerën historike të kombit.

 

 

 

17 shkurt 2013                             Ilam Berisha, prof.

 

 

 

 

 

Rivlerësim i poezisë së Ibrahim Skenderit, nga libri antologjik i poetëve opojanë: LULE NË ZINOVË, të zgjedhura dhe përgatitura për botim nga Bedri Halimi, publicist, poet...

 

 

 

KONCEPTI HISTORIK NË VARGJE, SI RINGJALLJE E NJË BALADE TË HESHTUR

 

 

 

Dhuna e tmerrshme dhe përpjekja për jetë a vdekje, tani më kishte trokitur ne çdo portë dardane, por kjo dhunë nuk ishte e re nëse përqëndrohemi në atë të fundshekullit që shkoi.

 

Mu për këtë, autori rikthehet në fillimin e saj, në vitet e trembëdhjeta të shekullit njëzet, atje kur edhe filloi robëria shekullore për shqiptarët, nën çizmen okupatore serbe. Kjo kohë sikur i ngjason një balade të heshtur, kur njëra palë ushtron dhunë mbi popullatën autoktone shqiptare dhe askush gati për një shekull nuk e ngriti zërin për krimin. 

 

Është ngjarja kur digjej fshati, vriteshin njerëzit, gratë, fëmijët, pleqtë e plakat. Është akti heroik i vetëflijimit të trembëdhjetë nuseve opojane, nga Brruti, katundi i poetit, të cilat, duke mos u dorëzuar, e për të mos rënë në duar të armikut të gjalla, hidhen në një pus, duke kryer aktin e vetëvrasjes.

 

Dhe e gjithë koha e robërisë shekullore, sikur kaloi në një heshtje, për të mos u ndriçuar ky krim dhe shumë krime tjera, nga dora barbare e armikut tonë shekullor, deri në ditët e sotme. Me këtë baladë, poeti sikur shpërthen përtej vetes dhe vargut i jep dritë, bashkë me të edhe peshës së ngjarjes së asaj kohe.

 

...

 

Trembëdhjetë pashë në tokë

 

Shqiponjat furishëm lëshohen

 

Fytyrë e nder shpëtojnë

 

Trembëdhjetë pashë nami ngrihet

 

Nuset opojane

 

Në pus të Kadri Brrutit hidhen

 

 

        BALADË E HESHTUR

 

 

 

Në varg poeti na sjell edhe një elementëshumë të rëndësishëm të nderit shqiptar. Një virtyt shumë i lartë  dhe i çmueshëm i kombit tonë. Dhe falë këtyre virtyteve të larta njerëzore, femra e jonë nëpër shekuj e ka ruajtur e trashëguar mbijetesën.

 

Duke qenë e lidhur ngushtë për familjen, shtëpinë, njerëzit e vet, tokën e vendin, ajo ka rritur breza, të cilët i kanë qëndruar besnik idealeve të larta edhe kombëtare, të cilat gjithmonë edhe janë dëshmuar gjatë historisë.

 

Duke mos u thelluar tepër në aspektin historik, peshën e së cilës e reflekton poeti në varg, pa tjetër duhet ta themi se kjo baladë, prek pikërisht atë konotacion dhe hedh dritë nga një kënd tjetër, për ngjarjet dhe zhvillimet e asaj kohe.

 

Vrragët e kësaj kohe, sa vijnë e hapen më shumë, sepse të gjitha këtyre u prinë etje hegjemoniste e fqinjëve tanë përreth, të cilët gjithmonë me synimet e tyre të pangopshme, zaptuan e copëtuan trojet e atdheut tonë dhe i ndanë ato nëpër shumë shtete.

 

Për këtë flasin më së miri vargjet e poezisë; Një djep, Pikëllimi, etj. Fq. 164. Por dimensionet e plagëve janë të ndryshme dhe të pandalshme gjatë gjithë shekullit, ashtu siç rrjedh edhe vargu i poetit që u kronikon atyre. Ky varg mbart me vete dhimbje, plagë, shkrumb e zjarr, rrjedha gjaku, varre, e çka jo tjetër, që bëri barbari shekullor i veriut, i ardhur nga Kalamegdani.

 

Në varg, krahas gjithë këtyre vuajtjeve e dhimbjeve, jeta vazhdon, ajo përtërihet, shtohet, natyrisht brenda edhe atij terri të robërisë bëhen festa, ahengje, e ndahen edhe gëzime mes njerëzve. Janë dasmat ato, të cilat i japin motiv e kuptim jetës, për të vazhduar më tej e trashëguar, sepse vetëm ashtu, mundet e liga që pat rënduar mbi njeriun tonë. Këto motive i gjejmë në vargjet; Dasmë fshati, Valle popullore, etj.

 

Koncepti historik i ngjarjeve, pa dyshim se është vrragë e poetit që pikon nëpër ecjen e këtij arti poetik, për mes të cilit ai sikur e gjen shërimin shpirtëror të atyre plagëve. Përmes vargjeve; Dritë nga nëntoka, ai sikur ringjall kujtesën e sakrificës sublime të minatorëve kosovarë, u mbyllën nëntokës në mbrojtje të të drejtave tona kombëtare dhe autonomisë së vendit tonë, i cili po rrezikohej nga ndryshimet e dhunshme që po i bënte okupatori, mbi atdheun tonë.

 

Po një plagë tjetër është ajo e largimit të dhunshëm të njeriut tonë nga atdheu, në viset anadollake, e gjithandej botën dhe dashurinë për atdheun, që kurrë nuk e shuan, njeriu ynë i larguar. Masakra e Tivarit, është titulli i poezisë, i cili po ashtu shpalos një plagë të madhe kombëtare, të viteve 45-ta.

 

 

 

Kortezh i gjatë i 45-tës

 

Mijëra të rinj ecin

 

Me këmbë të gjakosura

 

Rrugës Prizren – Pukë – Shkodër

 

Deri në Tivar

 

...

 

              Masakra e Tivarit

 

 

 

Të gjitha vargjet e poetit Ibrahim Skenderi, në këtë përzgjedhje,  janë pika te caktuara të një kornize historike të një robërie shekullore të popullit tonë, nga thundra barbare serbe, por edhe më herët, duke dalë deri tek sundimi pesëshekullor osman, duke kujtuar këtu poezinë: Po rritesh sot (Ymer Prizrenit).

 

...

 

E ty burrë

 

Për një shekull të dogji malli

 

 Ulqin

 

Për Prizrenin

 

Për Besën e lidhur shqiptare

 

Për Zgatarin e rrënjës sate

 

...

 

          Po rritesh sot (Ymer Prizrenit).

 

 

 

Duke kujtuar këtë figurë historike, ai na rikujton se Ymer Prizreni, ishte me rrënjë nga Zgatari i Opojës,  afër vendlindjes së poetit.

 

Ky identifikim poetik, na jep të kuptojmë se poeti Ibrahim Skenderi, krahas respektit për këtë figurë të historisë, ai reflekton  edhe një lloj krenarie, e cila i ka shërbyer edhe si vizion në rrugën e artit të fjalës.

 

Në fund konstatojmë se, vargu i poetit Ibrahim Skenderi, është plagë kombëtare, dhimbë por edhe dashuri për atdheun dhe kombin.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Recension

 

 

 

KLASA E LIRISË

 

 

 

Një pjesë teatrale për Agun e Ditës së Madhe

 

 

 

    Nga Besim R. CENGU, Tiranë

 

 

 

Po avitet viti i njëmbëdhjetë i kohës kur po agonte Dita e Madhe dhe çdo vit që kalon po shohim me sytë tonë qartë e më qartë se ajo periudhë në ndërgjegjen tonë kombëtare do të mbetet si koha më e ndritshme e shpirtit tonë kolektiv. Në ato ditë të trazuara, sa të zymta aq edhe të trishtuara, sa të ftohta e të lagështa, aq edhe me rrëke lotësh e gjaku, nuk na shkonte mendja se sa ditë të shenjta ishin, sa të rëndësishme për jetën tonë, për jetën e fëmijëve... Tani po e kuptojmë se Shqipëria jonë e shtrenjtë atëherë po rilindte, po rilindte pas shumë përpjekjesh, pas shumë luftërash, pas shumë nëpërkëmbjesh prej fqinjëve e fuqive të mëdha, pas shumë shpenzim forcash njerëzore e mendjesh intelektuale, gjaku e djerse. Sa e sa ëndërra gjyshërish mbetën përgjysmë! Sa e sa britma të mbytura në pellgun e gjakut shqiptuan: Rroftë Shqip..., O burra mbi ta..., Amanet trojet e ba... Dhe sytë gjysmë të çelur u mbetën baballarëve tanë pse nuk arritën të realizonin ëndërrën e madhe, aspiratën shekullore të brezave që ishte një Shqipëri, një truall dhe pa hasmin si kularin e vdekjes në qafë.

 

   Sa më shumë që t’i largohesh një mali, aq më shumë vihet në dokë madhështia e tij. Po kështu ndodh edhe me ngjarjet e mëdha të historisë, sa më shumë vite kalojnë, aq më shumë vëren rëndësinë e tyre. Kur kjo ndodh me një ngjarje si ajo e para njëmbëdhjetë viteve, kur po avitej Agu i Madh, sigurisht që përmasat janë të pamata, rëndësia është epokale, kontributi i atyre që u qëlloi rasti fatlum ta realizonin është i jashtëzakonshëm. Lum ata që e bënë, por edhe lum ata që e përjetuan këtë epokë! Historia na e dha ne ta shijojmë këtë shans, ashtu sikurse ia dha këtë shans autorit Ibrahim Skënderi ta përjetojë në një vepër artistike “specifike” me titullin “Klasa e Lirisë”.

 

   Them “specifike” se kur po bëja një vlerësim para një viti për dramën e regjisorit të njohur Bilbil Hereni “Krushqit e lirisë” me temë të marrë nga Agu i Ditës së Madhe, vura në dukje se kjo vepër ishte e para e këtij zhanri që ishte shkruar deri në këtë kohë dhe shtrova nevojën për t’u shkruar krahas gjinive të tjera letrare edhe gjini të kësaj natyre. Jo vetëm kaq, por shtrova domosdonë e vënies në skenë të tyre për të qenë më pranë atij realiteti që për dhjetëvjeçarët është pjesë e historisë, për të pasqyruar autenticitetin e përpjekjeve, mundit e gjakut që djemtë e vajzat tona dhanë për Agun e Ditës së madhe.

 

 

 

*     *     *

 

Pjesa teatrale për fëmijë dhe të rinj “Klasa e Lirisë” e poetit, prozatorit e piktorit të njohur Ibrahim Skënderi, mbush dukshëm “boshllëkun” e krijimeve artistike në këtë zhanër. Kur lexuesi, (fëmijë, i ri apo i rritur qoftë) e përfundon faqen e fundit të kësaj pjese teatrale, duket sikur ka këputur një pjesë të realitetit të asaj kohe, ashtu siç ishte në të vërtetë.

 

   Këtë realitet e bën më të prekshëm se autori në vepër ka vënë personazhe realë, pershonazhe të cilët i njohim konkretisht, u njohim rolin e tyre, heroizmin, përkushtimin, rolin që kanë patur deri në dhurimin e jetës së tyre si peng për të sjellë Agun e Madh që e shijojmë sot jo vetëm në Opojë, jo vetëm në Prizren, jo vetëm në Prishtinë...por edhe në Tetovë, edhe në Tiranë, edhe në Gjirokastër, edhe në Shkodër, edhe në Ulqin, edhe në... Atyre sikur u ndjejmë frymën në vepër, jehonën e tyre, frymëzimin, heroizmin...

 

   Kjo teknikë shkrimi e bën veprën jo vetëm thellësisht realiste, por edhe e detyron autorin të futet thellë në psikologjinë e personazheve përmes penelatave emocionante. Fjalët e kursyera e njëherit të zgjedhura e bëjnë këtë pjesë teatrale sintetike për nga organizimi dhe shprehëse e qartë e ideve që autori do të përcjellë tek lexuesi.

 

Të gjithë personazhet janë heronj, përkushtues, luftëtarë... Për ta sjellë më pranë realitetin autori flet edhe me emrat e personazheve. Mësues ATDHEU, Mësuese LIRIA, Liridoni, Kushtrimi, Fitorja, Albani, Agroni, Fitimi, Iliri, Trimi, Rinori... Vetëm parada e këtyre personazheve që lëvrijnë në vepër përbëjnë një domethënie të madhe. Gjithë këta emra përcjellin një mesazh universal tek lexuesit: mesazhin se pa liri jeta e njeriut nuk ekziston. Komandant Petriti, Ilir Batjari, Trim Krasniqi, Alban Xhezairi, Jeton Çengaj, Saimir Emini, Fitim Sulejmani etj janë personazhe realë që pa liri, jeta e tyre nuk kishte kuptim. Dëshmori Agim Shala kur u nis në luftë nënës së vet i tha këtë fjalë: “Loke e dashur, unë ndoshta vritem, por një gjë e di me siguri se do të sjell lirinë për ata që do të jetojnë”. Mesazh që përcillet nga kjo thënie e dëshmorit është e qartë, mesazh i cili fund e majë është i pranishëm në pjesën teatrale “Klasa e Lirisë”e autorit të njohur Ibrahim Skënderi. Besa, Kushtrimi dhe Liridoni janë ata që do ta gëzojnë lirinë që aspiroi Remzi Ademaj, Agim Shala, Ilmi Batjari e të gjithë dëshmorët e tjerë të lirisë.

 

     Për lirinë, jetën, atdheun nuk ka konflikt brezash, por ka amanet që duhet të përcillet si stafetë. Përmes brezit të ri në këtë pjesë teatrale autori paraqet vazhdimësinë e brezave, të amaneteve të të rënëve, por nga ana tjetër ai përcjell idenë se puna duhet vazhduar se kemi akoma për të bërë.  Agu është vetëm fillimi i ditës, e dita ka plot punë të tjera të mëdha që duhet të bëhen nga brezat e ardhshëm. 

 

Adem Jashari, Agim Ramadani, Indrit Cara, Ismet Jashari – Kumanova, Luan Haradinaj, Xhevë Lladrovci, Remzi Ademaj... e kanë lënë amanetin dhe amaneti i tyre duhet të shkojë deri në fund. Gëzimi i fëmijëve që armiku u dorëzua dhe se liria erdhi, njëkohësisht është edhe betimi i tyre për të vijuar edhe më tej këtë amanet.

 

     Klasa e Lirisë është vendi ku mblidhen të gjithë, ku frymëzohen të gjithë, ku trimërohen të gjithë, është si ajo toka që kur Anteu e prek merr forcë e ngrihet. Ngjason si ai burimi ku të gjithë shkojnë të pijnë që të marrin jetë, të marrin forcë për të arritur ëndërrën e brezave, si ai qumështi i zanave të malit ku pinte kreshniku Gjeto Basho Muji. Këtu takohen të gjithë brezat, Mësues e Profesorë me përvojë, djem e vajza energjikë që janë përcaktuar nga historia për të realizuar ëndërrën e madhe, fëmijë të cilët me plot kureshtje presin dritën që prindërit, vëllezërit e motrat do të sjellin në shpirtin e tyre.

 

   Pyetjes time retorike për miqtë e mi krijues se pse të mos shkruhet edhe në gjininë e dramës për një ngjarje kaq të madhe, m’i është përgjigjur më së miri krijuesi i njohur Ibrahim Skënderi. Por që të marrë vlerat e vërteta e të plota kjo vepër duhet të vihet në skenë dhe si të vegjlit, si të rinjtë, ashtu edhe të rriturit kanë për të parë atë copëzën e realitet në skenë dhe kanë për të shijuar sado pak përjetime nga Agu i Ditës tonë të Madhe...

 

 

 

                             Janar, 2010, Tiranë

 

 

 

***********************************************

 

 

 

 

 

 

 

ARTI APLIKATIV I IBRAHIM SKENDERIT

 


Pikturën e piktorit Ibrahim Skenderi do ta definonim si: Krijimtari figurative e shfrytëzuar në gjininë e ilustrimit të librave, që i përket artit aplikativ.

 

Ky definim për pikturën dhe artin e Ibrahimit, do t’i printe shkrimit tonë për gjithë krijimtarinë artistike të piktorit, me që krijimtarinë e tij e dominojnë këto punime. Megjithatë, Ai, ka krijuar edhe vepra artistike në pikturë, të cilat kanë një shtrirje të gjerë numerike, dhe në këtë kohë të gjatë krijimtarie është e vështirë të numërohen.

 

Ai ka punuar edhe në ilustrimin e revistave të ndryshme qysh prej viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar e këndej, në një kohë mjaft të vështirë për kulturën dhe popullin tonë nën okupim. Përveç ballinave të ndryshme nëpër revistat e kohës, Ai shumë herë ka qenë redaktor artistik dhe ilustrator në revistat; "Buletini", "Penda", e "Sharri", ndërsa ka pasur një bashkëpunim edhe me revistën për fëmijë; "Fidani", që botohet në Prizren.

 

Ndër ciklet e artit të vizatimeve e pikturës së Ibrahim Skënderit, është cikli i punimeve: "Medaljon djepi", ku janë paraqitur me dhjetra figura atdhetarësh në ballinë. Nën simbolikën e djepit, fshiheshin meritat për atdhe, dhe kontributi i atyre që prezantoheshin nëpër punimet e tija.

 

Pra, elementi që i veçon punimet e Ibrahim Skenderit, është simboli i cili paraqitet në punim dhe ndonëse  transparent, dominon gjithmonë mesazhi artistik që do të përcjellë piktori tek publiku i gjerë.Pikturës së tij dhe punimeve aq të shumta, nuk do t’i mjaftonin këto fjalë të shkurtra, por mendojmë se aq sa jemi marrë me poetikën e Ibrahim Skenderit, do të duhej të merreshim edhe me krijimtarinë artistike të artit dhe pikturës së tij.

 

Megjithatë, vlerësojmë se edhe përmes kësaj lëmie të artit, Ibrahim Skenderi ka arritur të përcjellë shumë mesazhe të karakterit atdhetar, tek publiku, edhe në kohët më të vështira të një okupimi totalitar, që e pati bërë Serbia mbi Kosovë. 

 

Mjaftojnë që këto punime të tija të merren sot, të shikohen e studiohen dhe të paramendojmë kohën nëpër të cilën u krijuan e u publikuan ato vepra; vetëm atëherë me një gjykim të sinqertë do ta njohim peshën e tyre.

 

Urojmë që brusha e Ibrahim Skenderit të vazhdojë me atë përkushtim të punës si deri më tani, për të na dhënë edhe më, vepra të rëndësishme artistike edhe në artin e pikturës dhe vizatimit.

 

 

 

************************************************

 

 

 

ARTI POETIK I IBRAHIM SKENDERIT NË PERIODIKUN LETRAR

 


Nga materialet sa kemi mundur të gjejmë dhe të përcjellim periodikun kulturor në Kosovë, ku është shkruar për krijimtarinë dhe botimet e veprave të Ibrahim Skenderit, do të shpalosim një pasqyrë prezantuese, të krijimtarisë së tij.

 

Qysh në publikimet e para, poeti Ibrahim Skënderi, ishte prezent  për shtypin e kohës, edhe pse në rrethana të kufizuara kur e kemi parasysh okupimin dhe mediat e kufizuara në Kosovë, sidomos pas viteve `90-ta  e këndej. Megjithatë, nga kërkimet tona nëpër arkiva, është arritur të gjendet diç ku pasqyrohet vepra e botuar e Ibrahim Skenderit.

 

Në gazetën "Pionieri", të Prishtinës, të botuar më datën 28 maj 1997, nga Prof. Dr. Shyqri Galica, kemi shkrimin për librin; Nesi, Nesi interesi. Autori pasi bën një prezantim të librave të botuara, bën edhe një pasqyrë për librin e posabotuar. Do të shkëputim një insert nga ky shënim; Nesi bën përpjekje ta mësojë alfabetin, ta thotë atë; ajo bëhet edhe nuse, dhe vizaton... Janë përplot momente të këtilla e të ngjashme që e kanë provokuar poetin të bëjë poezi të kësaj natyre, krijime që shquhen me ngrohtësinë e tyre, me ritmin dhe figurën, që herë dalin transparente e herë provokative...

 

Pa i bërë radhitje kronologjike, shkrimeve që kemi në dorë, shpalosim një nga një ato, për ta paraqitur të plotë këtë rishpalosje të shkrimeve të kohës.
Një vështrim nga poeti Agim Deva, në "Bota sot", të datës 30 nëntor 2007, me titullin; Shëtitje me një shpirt të hapur e të kristaltë, na flet për librin: Ola sikur molla", i botuar në kuadër të edicionit të revistës "Fidani", në Prizren. Autori bën një vështrim të gjerë rreth librit, dhe një zbërthim recensional, ku vlerëson lartë librin, dhe vlerat letrare të librit për fëmijë.

 

Po për këtë libër, në dorë kemi edhe një vlerësim të botuar në "Epoka e re", nga Minire Berisha, me titullin; Një libër për fëmijë i ilustruar dhe i punuar me përkushtim. Edhe kjo autore bën një vlerësim të shkurtër për librin: "Ola sikur molla". (datën e botimit nuk e kemi, me që shkrimi është i shkëputur nga faqja e gazetës dhe mungon kreu - shënim i autorit).

 

Në gazetën: "Bota sot", të datës 6 dhjetor 2008, kemi shkrimin e poetit Xhevat Syla, për librin; "Dielli ma luan syrin", me titull: Mesazhi që vjen nëpërmjet lojës. Autori bën një vështrim të gjerë dhe një vlerësim ku librit dhe autorit i jep nota të larta , për nivelin artistik të librit dhe poezisë për fëmijë, që e krijon poeti Ibrahim Skenderi.

 

Nëpër shtigje të historisë kombëtare, është titulli i vlerësimit që jep poeti Riza Greiqevci, për librin e Ibrahim Skenderit; "Burri në pikturë", pjesë teatrale për fëmijë, i botuar nga LSHK e kosovës, dega në Prizren, më 2009. Do të shkëputim këtu një paravlerësim për autorin, që i bën ky poetit, Ibrahim Skenderit; ... Shumë udhë ka jeta e njeriut, por jeta e Ibrahim Skenderit ka vetëm tri udhë: Kur para ca dhjetë vjetësh u nis në udhën e parë, u bë mësues.

 

 U nis në udhën e dytë, u bë piktor. Kur shtegëtoi në udhën e tretë mbase do të mbetet udha më e dashur e banorit të Brrutit të Sharrit, njeriut që vetë e zgjodhi si pasion: Udha e letërsisë. Sot mësuesin mund ta takosh, të bisedosh kur të duash me të, por mos u habit as mos u çudit se në një mësues gjen tri veta, tri profesione aq të përbashkëta aq të puqura me njëra-tjetrën, aq të dashura, si lulet për flutura, si nektari për bletën... (Kosova sot, e diel, 31 maj 2009, Prishtinë).

 

Dokument i rrugës së dritës, (Ibrahim Skenderi - "Dritë e dituri" - monografi), ( për librin; 25 Vjet dritë i dituri të shkollës fillore; "Sezai Surroi", në Bellobrad, ... shënim i ynë), është ky titulli i vlerësimit nga poeti Mitat Fejza, i botuar në revistën; "Sharri", tetorë 1997.

 

Nga ky shkrim, do të shkëputim epilogun e këtijë vështrimi; ... Në vend të përfundimit mund të thuhet se autori i monografisë z. Ibrahim Skenderi bëri arkivimin e një veprimtarie grandioze të personelit arsimor dhe nxënësve të kësaj shkolle prej vitit 1962-1987 duke e lënë të freskët përherë dhe duke e pëkujtuar me krenari atë kohë...

 

Supervasha e rritur në lojë, është vlerësimi i poetit (tani më të ndjerë), Rexhep Smajlaj, për librin; Nesi supervashë, një vështrim i botuar në revistën "Fidani", në Prizren. Autori i bën një vështrim kritik librit dhe një vlerësim me nota të larta artistike për veprën dhe krijimtarinë e botuar të Ibrahim Skenderit.

 

Vështrimi i dytë i këtij poeti, për librin e Ibrahim Skenderit; "Piktorja e vogël", vjen me titullin: Çupërlina bashkëautore, të botuar po në revistën; "Fidani", në Prizren. Edhe për këtë libër, poti Rexhep Smajlaj, jep një vlerësim të mirë, që siç duket ai në vazhdimësi, po e përcjellë veprimtarinë botuese të poetit Ibrahim Skenderi.

 

Një vlerësim dhe zbërthim të librit; Loku dhe carroku”,  na sjell edhe Musa Bushrani, në revistën "Fidani", në qershor të 2005-tës, në Prizren.
Ismet Lecaj, sikur i qëndron shumë afër veprimtarisë dhe krijimtarisë së poetit Ibrahim Skenderi.

 

Ai gjithmonë sjell vlerësime si brenda librave të poetit Ibrahim Skenderi, ashtu edhe në revista të ndryshme kulturore. Kësaj radhe, kemi në dorë vlerësimin e tij për librin; "Kujdes unë po rritem", i botuar nga "Pionieri", Prishtinë, me titull; Mesazh i fortë poetik, i botuar në revistën; "Sharri", në dhjetor-Janar, 1998/99. Autori i bën një zbërthim të detajuar temës së librit, vargjeve brenda tij, duke i sjellë ato brenda një rivlerësimi me vlera të larta artistike. Nuk i mbetet borxh as punimeve artistike brenda librit dhe piktorit ; Uran Bahtijari.

 

Si përfundim, do të shkëputim pak fjalë edhe nga ky vlerësim: ...Kuptohet se kjo është poezia më e realizuar për nga figurativiteti, por edhe për nga përmbajtja dhe mesazhi i saj, andaj autori Ibrahim Skenderi e mbyll ciklin e fundit me këtë poezi ( është fjala për poezinë: Kujdes unë po rritem, - shënim aut).

 

Shihet se Arti, e për mes tij autori, një kohë të gjatë ka shkrirë talentin e tij për t`ia arritur qëllimit artistik-letrar. Si kurorëzim i tërë kësaj le të kuptojmë faktin letraresk: gërshetimi i ëndrrës fëmijërore të autorit me mesazhin e fortë poetik përmes personazhit lirik, Artit. (Ismet Lecaj).

 

Do të sjellim këtu disa vështrime kritike dhe recensione për librat e poetit Ibrahim Skenderi, të botuara në mediat e ndryshme të kulturës në Kosovë, duke plotësuar  dhe dhënë mundësi, që të paraqesim sa më një kolorit mendimesh për atrin e penës së tij.

 

Në fund dua të shtoj se këto punime u publikuan me lejen e poetit Ibrahim Skenderi, të cilin edhe e falënderojmë.

 


***********************************************

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VËSHTRIM

 

 

 

SHËTITJE ME NJË SHPIRT TË HAPUR E TË KRISTALTË

 

 

 

Vështrim për librin "Ola sikur molla" të Ibrahim Skenderit, poemë për fëmijë, botoi "Fidani" Prizren. Përmbledhja e poezive "Ola sikur molla" është një portret, me një dallim të vogël se: Ibrahim Skenderi, i cili me profesion është piktor, nuk e ka sajuar në pëlhurë,  por ngjyrat e karakterit të kësaj çupëze, ai i ka derdhur nëpër faqet e një libri te vogël, ku dinamika e veprimeve sado jo shumë e sforcuar, megjithatë  manifestohet përmes lëvizjes se këtij personazhi simpatik.

 

 

 

Agim DEVA

 

 

 

Cila është Ola? Një vogëlushe me shpirt të kristaltë e të hapur kabriolet, apo vetëm një mostër për fëmijët e tjerë? Apo ndoshta as njëra as tjetra. Ola është një fragment i kohës sonë, i një kohè që nxiton për ta përjetuar ditën ashtu, që t'i japë kuptim me energjinë e vet më pozitive. Ajo nuk është qenie ireale nuk është pretendonte për sensacione e as për befasi të kurdisura, që lexuesi të mos dijë, se cilat janë përmasat e karakterit te vërtetë të saj. Ola pra, është Artiola, e që familjet tona kanë shumë sosh, mandej me emra të ndryshëm. lliriana , Valbona, Qëndresa, Natyra, Po t`a nxjerrim të gjitha këtyre çupëzave rrënjën katrore, ma ha mendja se do të dalin te ato tri shkronja – 0la, që janë simbolikë e një dinamike të jetës më të natyrshme që mund ta rrojë një fëmijë.

 

Edhe në libra, por edhe në jetë e natyrshmja është shumë herë me e fuqishme se artificialja, ajo që aktrohet, ajo që montohet me vështirësi. E natyrshmja është edhe më së vështiri të thuhet e të përshkruhet, sidomos kur shumë situata ndërlidhen me një të vetmin personazh, i cili vë në lëvizje edhe një varg të tërë personazhesh të tjerë. Po mirë, shtrohet pyetja: Kush na e solli Olën, në botën e librit tonë për fèmijë. E solli kush tjetër pos Ibrahim Skenderit; ai poet i heshtur por shumë i vyer nga Brruti i Sharrit, një moshatar imi (i lindur si unë 1948) I cili para Olës na solli edhe "Nesin, Nesin interesin", "Nesin supervashë", "Kujdes unë po rritem", "Piktorja e vogël dorartë" etj. Përmbledhja e poezive "Ola sikur molla" është një portret, me një dallim te vogël se: Ibrahim Skenderi, i cili me profesion është piktor, nuk e ka sajuar në pëlhurë, por ngjyrat e karakterit të kësaj çupëze, ai i ka derdhur nëpër faqet e një libri të vogël, ku dinamika e veprimeve sado jo shumë e sforcuar, megjithatë  manifestohet përmes lëvizjes së këtij personazhi simpatik: "Herët në agim shtëpia si n'rrota, është zgjuar Ola, është zgjuar bota.

 

...

 

Tung, i thotë gjyshit,

 

Ola ty të do,

 

Endërrimet e  mia

 

Përralla m'i krijo"

 

 

 

A mund të jetë kjo një kërkesë e bindshme dhe reale e Olës, një çupëze kaq të vogël? Gjithsesi - jo. Por në emër të saj vetë autori ndërhyn me inteligjencën e vet, megjithatë, rezultateve, që edhe si kriter kreativ dhe estetik shkrihet midis strofave të tjera ku Artiola rron fëmijërinë e saj sipas një sistemi elastik, pa didakticizëm, pa imponime.

 

Përmes çupës që nuk ndalet në veprimet e veta, pozitive në shtëpi dhe jashtë saj, sikur kuptojmë se krenaria e njeriut, varet nga përmasat e punëve që i kryen. Ibrahim Skenderi nderon porosinë e të madhit Turgenjev kur thotë se: "Krenaria e tepruar është veçori e shpirtit të vocërr". Prandaj, edhe personazhi i tij Artiola nuk e tejkalon masën e krenarisë së saj për të prekur shkallën e prepotencës. Jo. Modestia e saj është një këshillë e kombinuar me pak lojë, dhe në vend të mëlmesave, i shtohet pak humor që i jep sharm këtij libërthi me shtresime gati të pa dukshme te aksioneve gazmore.  P.sh.

 

"Xhaxhit te krevati

 

I sillet vërdallë,

 

Merr pak ujë të ftohtë,

 

E stërpik në ballë..."

 

Mirëpo, Ola ndërron prej situate ne situatë:

 

"Kukullave të saj në vesh u flet tinëz, u thote te mos i prekin xhamat e vitrinës". Ose: duke dashur ta aktrojë një mjeke të vogël, ja si vepron Artiola:

 

"Hape gojën rreze, fytin e paske mirë, veç n 'gojë t' paska mbetur një copë ëmbëlsirë..."

 

Poeti vijon ta hedhë Olën nëpër sfida të ndryshme; e përballë me të gjitha stinët e vitit, e detyron t' u këndojë ninulla kukullave te saja që të dëgjojë se çka do t' u thotë çupëza, e cila as këtë herë, sa do e vogël, nuk bie në provim; njërës 'kukull i dëshiron të bëhet si Shotë Galica e tjetrës:

 

"Nina- nana, nina

 

 në djepi prej qarri,

 

Trim m'u bëfshë o bir,

 

Si Adent Jashari".

 

A nuk do të thotë kjo Artiola prej dite në ditë vjen duke u rritur, prej faqe në faqe të këtij libri, ajo na del gjithnjë e më e pjekur, me interesante në përceptimet e saj për botën. Ajo gjithnjë e më realisht i kupton raportet midis njerëzve  dhe graviton të kyçet natyrshëm në proceset që e rrethojnë. Kuptohet, Ibrahim Skenderi është ai që i pozicionon situatat dhe ua jep vendin, peshën figuracionale, edhe funksionin e merituar. Ola në këtë përmbledhje është vetëm një përfaqësuese e një përvoje tani më të lakmueshme të këtij krijuesi të zellshëm të letërsisë sonë për fëmijë, i cili më shumë mjeshtri ndihmon proceset e socializimit të brezave të rinj, sado që aty-këtu në situata me te rralla narracioni tij sikur fërkohet me ngapak didakticizëm të pambuluar artistikisht.

 

 

 

             Bota sot, 30 nëntor 2007

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vlerësim për librin e Ibrahim Skenderit: "Piktorja e vogël dorartë”, (Poemë për fëmijë), Fidani, Prizren, 2002

 

Rexhep Smajlaj

 


ÇUPËRLINA BASHKAUTORE

 


Kohë më parë, në edicion të revistës për fëmijë "Fidani", që botohet në Prizren, doli nga shtypi libërthi simpatik i Ibrahim Skenderit me titull "Piktorja e vogël dorartë". Përveç veprave për të rritur, është ky libër i katërt i autorit që i kushtohet më të vegjëlve. Dalja në dritë e këtij libërthi nuk ishte ndonjë befasi për lexuesit, sepse tashmë janë mësuar që poeti Ibrahim  Skenderi t`u dhurojë libra simpatikë  për moshën më të re të fëmijëve. E veçanta e këtij libërthi, mendojmë, ka të bëjë me faktin se autorit i vjen në ndihmë një "bashkautore"e vogël, e njomë dhe e talentuar që ka çiltërsi prej engjëlli.

 

 Ajo është çupërlina pesëvjeçare Merita (Rita) Skenderi, e cila në vepër ka dy role që e përcaktojnë fatin e veprës. Ajo, me talentin e saj, i imponohet autorit si personazhe reale veprës, në një anë, dhe si bashkautor, me ilustrimet që i bën tekstit faqe për faqe, e përplotëson tekstin e autorit, në anën tjetër. Ilustrimet e saj janë poezi në vete, të cilat natyrshëm korrespondojnë tekstit të autorit strofë për strofë dhe faqe për faqe. Ky është vërtetë, një bashkëpunim ndërmjet autorit dhe personazhit të veprës së tij që rrallë has në krijimtarin artistike.

 

Dhe, është për t`u lakmuar. Kështu, Rita e vogël bëhet edhe objekt edhe subjekt i  veprës. Autori me personazhin përplotësohen dhe së bashku ia dalin të bëjnë veprën. Ju lumtë!... Duke pasur parasysh përmbajtjen e veprës, që është një poemë për fëmijë dhe mënyrën se si është realizuar ajo mendojmë se redaktori Berat Batiu dhe recenzenti Agim Deva kanë pasur vështirë të hedhin nënshkrimin e vet për t`i thënë "PO" botimit të veprës "Piktorja e vogël dorartë", e përbërë prej 56 strofash, nëpër të cilat parakalon Rita me talentin e saj prej artisteje, herë si personazh, herë si ilustruese.

 

Prandaj, edhe ne nuk e patëm të vështirë ta quajmë bashkautore. Portretin e Meritës së vogël, por të talentuar, autori e paraqet që nga strofa e parë e veprës, ku thotë:

 

 

 

"Rita syshqiponjë

 

një çupëz pesëvjeçare,

 

është plot imagjinatë,

 

si një magjistare".

 


Për çdo gjë që Ibrahimi shkruan për Ritën, atëherë Merita i rri përballë Ibrahimit me vizatimet e saj. Kështu që të dy këta e derdhin shpirtin e tyre në njëri tetrin, duke krijuar shtratin e një rrjedhjeje të përbashkët të frymëzimit dhe të përjetimit.

 

Nga ky shtrat i pasur me ndjenjat, imagjinatën dhe pafajsinë engjëllore, autori del i fituar, sepse inohet, noton, lahet e shpërlahet në ujin e kristaltë. Kjo  i bën nder autorit, i cili është futur në skutat e botës përplot art dhe sinqeritet.

 

Do të donim të veçonim edhe një gjë: Si Rita, ashtu edhe Ibrahimi janë përpjekur të pasqyrojnë konkretisht edhe atë që është apstrakte, që nuk shihet e nuk dëgjohet, por që vetëm përjetohet e shijohet, siç është rasti me aromën e luleve, p.sh,

 

 

 

"Lules ia bën gjethet,

 

kërcyllin e kurorën,

 

me pika rreth petalësh

 

vizaton aromën".

 

Pastaj autori vazhdon të shkruajë:

 

"Por piktore Ritën

 

e mundon diç tjetër,

 

melodinë e fyellit

 

si ta hedh në letër?!"

 


Dhe, zgjidhja i erdhi Ritës si e porositur, duke e vizatuar kopenë në një kullosë dhe bariun pranë lisit duke i rënë fyellit Kjo të bën ta imagjinosh melodinë e këndshme të fyellit dhe në njëfarë mënyre ta përjetosh atë. Për fund, le të themi se libri ka dalë i arritur.

 

                                   Revista "Fidani", Prizren

 

**********************************************

 

 

 

Mitat FEIZA

 

 

 

DOKUMENT I RRUGËS SË DRITËS (Ibrahim SKENDERI "DRITE E PITURI" monografi)

 

 

 

Përmes monografisë 25 VJET DRITË E DITURI  TË SHKOLLES FILLORE "SEZAI SURROI"NË BELLOBRAD të autorit Ibrahim Skenderi, është hedhur dritë mbi 25 vitet e arsimimit të brezave të kësaj ane, prej vitit 1962 deri në 1987. Këtu nuk i është lënë vend kujtimit dhe harresës në përpjekjet e dhjetra gjeneratave, të cilat ne ato vite aq të vështira (për kushtet e rrethanat e asaj kohe) arritën të kryejnë në 4 - 8 klasë te arsimit fillor, ku vetëm një numër i kufizuar kishin mundësi të vijonin mësimet e mëtejme. Për t'mos mbetur vetëm kujtesë e një kohe dhe as një e kaluar e paditur e gjithë kësaj veprimtarie, kësaj pune iu qas me përkushtim z. Ibrahim Skenderi në bashkëpunim me kolektivin e shkollës dhe subjekte tjera, të cilat meritojnë çdo lëvdatë. Në radhë të parë, këtu autori Ibrahim Skenderi bën një dokumentim të shkëlqyer të të dhënave në shënime e fotografi duke e ngritur mbi dëshmitë e kohës këtë monografi ( e para e kësaj ane), e cila njëherit do te jetë edhe udhërrëfyese edhe për të tjera të këtij lloji që nuk përfshihen në gjiun e kësaj shkolle.

 

Monografia në vete përfshin te gjitha  vlerat e ngritura në kohën dhe hapësirën e caktuar të bartura përmes gjuhës së fakteve. Vlera këto, nga të cilat një ditë do të mësojnë brezat që vijnë.  I tërë historiku i kësaj shkolle nuk është i përfshirë vetëm brenda periudhës 25 vjeçare, por ai bën të nënkuptohej koha, e cila as nuk ishte më parë as nuk do të kthehej në të ardhmen. Pra, këtu qëndron vlera e kësaj pune të frytshme që dha autori i këtij libri. Për ta bërë këtë libër më praktik për lexuesin, autori e ndan librin nëpër periudhat kohore e hapësinore. Këto të gjitha, për të treguar më hollësisht shtrirjen e veprimtarisë edukativo - arsimore.

 

Sikur e josh këtë monografi ndarja tabelare - pasqyra e suksesit të nxënësve dhe aktivitetet e lira,  të shoqëruara me fotografi. Po ashtu kjo monografi dallohet edhe me regjistrin e personelit arsimor. Aty lexuesi zgjon kureshtjen sidomos me emrat e i cili nuk përfshinte vetëm emra nga mjedisi ynë, por edhe më gjerë, deri edhe jashtë Kosovës. Lëvdatat, dëshmitë dhe fotografitë që shoqërojnë shkrimet e kësaj monografie arsyetojnë motivin dhe përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë, për të parë dritën brenda këtij libri gjithë ajo gjeneratë shkollarësh, të cilët nuk do të dihej se ne ç`drejtim do ti shpiente fati i jetës. Në vend të përfundimit mund te thuhet se autori i monografisë z. Ibrahim Skenderi bëri arkivimin e një veprimtarie grandioze të personelit arsimor dhe nxënësve të kësaj shkolle prej vitit 1962 - 1987 duke e lënë të freskët përherë dhe duke e përkujtuar me krenari atë kohë

 

                                Botuar në: “Sharri”, tetor, 1997

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Rexhep Smailaj

 

 

 

SUPERVASHA RRITET NË LOJË

 

 

 

Kohë më parë, në kuadër të bibliotekës "Nxënësi", redaksia e botimeve "Rilindja" e Prishtinës botoi librin me poezi për fëmijë të autorit Ibrahim Skënderi me titullin simpatik "Nesi super-vashë". Është ky libri i gjashtë me radhë i autorit dhe njëkohësisht i treti libër i tij për fëmijë. Kjo do të thotë se interesimet e autorit për krijimin e letërsisë, si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët, tashmë e kanë marrë rrugën e ecjes përpara. Të gjitha veprat për fëmijë të autorit janë përmbledhje me poezi: e para, "Nesi, Nesi ,interesi " (1997), e dyta "Kujdes, unë po rritem" (1998) dhe e treta, “Nesi supervashe” (2000) për të cilën po i shkruajmë këta rreshta. Libri i fundit përmbledh gjithsej 21 -vjersha, shumica të shkruara me një sens të hollë dhe te përshtatur moshës që i dedikohet, ngase autori tashmë e ka krijuar stilin e vet të të shkruarit, duke u bazuar edhe në psikologjinë e moshës parashkollore, që ia mundëson profesioni që e ushtron dhe vokacioni për të shkruar poezi. Vjersha e parë me të cilën hapet libri mban titullin "Letërnjoftimi" me të dhënat për Nesin e vogël, dhe veçoritë e saj. Është kjo, si diçka që të udhëzon në brendinë e librit, që të udhëzonë në adresën “Bota e fëmijve" me seli në Kosovë. Secila vjershë nga kjo përmbledhje lexohet me lehtësi dhe lexuesit të vogël ia zgjon kureshtjen për ta lexuar tjetrën, ashtu që kur i del në fund, natyrshëm të vijë përfundimi logjik se Nesi, pos letërnjoftimit ka edhe një pasaportë me vizë për t`iu hapur asaj (po edhe lexuesve) portat e një mbretërie të madhe, ku kurora i takon mbretëreshës që quhet imagjinatë e bujshme e fëmijëve. Mbase, kjo është edhe ajo "viza" që recensenti dhe botuesi ia dhanë autorit për ta nxjerrë në dritë këtë libër me interes për fëmijët. Loja për fëmijët do të thotë jetë. Përmes lojës fëmija         manifestohet me tërë qenien e tij, me tërë botën e tij shpirtërore. Ky është konstatim i vjetër psikologjik. Me sa duket, autori  gjithnjë do ta ketë  parasysh këtë fakt. Bile, do të thoshim në plan të parë. Prandaj, Nesi e vogël në lojë e sipër bëhet supervashë, nënë e kujdesshme, miss lagjeje, topmodele e bukur, mjeke, por edhe luan edhe me "macen me kordele".  Le të ndalemi vetëm në dy vjersha: E para, "Nesi në mes të poetëve" është një vjershë antologjike, thoshim, e cila rezulton dhe në mënyrë reprezentative sajohet nga vargjet e autorëve të mirënjohur të letërsisë për fëmijë në Kosovë, poetëve Abdullah Thaçi, Rifat Kukaj dhe Zejnullah Halili, vargjet e të cilëve shumë fëmijë i dinë përmendsh dhe i recitojnë me kënaqësi. E dyta, “Nesi bëhet mjeke".  Nesi vë syzet e diellit, vesh këmishën e bardhë te babait, si mantel mjeku, i var( dëgjueset në qafë, pastaj "dëgjon" të rrahurat e zemrës, mat tensionin dhe, më në fund, shkruan recetë që fëmijët të hanë "4x10 lugë përshesh" dhe nga dy orë në drekë të bien të flenë. Të theksojmë se lojërat që i konstruktojnë dhe i improvizojnë vetë fëmijët sipas shembëllesës së Nesit janë jo më me pak vlerë edukative se sa lojërat e blera. Këtë e di mirë autori i i librit, si mësues që është. Për fund, të themi se vlerën e librit ia shtojnë ilustrimet adekuate për secilën vjershë, si diçka e parapëlqyer për moshën së cilës i dedikohet libri.

 

 

 

***********************************************

 

 

 

 

 

Musa Bushrani

 

 

 

Loku dhe carroku

 

 

 

Poezi për fëmijë, botoi revista “Fidani” – Prizren. Qershor 2005

 

 

 

Pak para pushimeve të verës nga shtypi doli edhe një tjetër libër me poezi për ju fëmijë “Loku dhe Carroku”

 

 

 

Kush është Loku dhe kush Carroku?

 

 

 

Emri Loku është formuar nga një emër gjatë, bab`loku, i cili përmes vargjeve të këtij libri na paraqitet si një gjysh i mirë, ashtu siç janë të gjithë gjyshërit tanë. Carroku është diçka tjetër. Ai vetëm pse është carrok (vocërrak), por kërkon nganjeherë të bëhet edhe Lok, pra gjysh. Këta rriten dhe plaken me njëri tjetrin. Nëse ju keni dëshirë të mësoni; se si ia çoinë Loku dhe Carroku , më ndiqni se kam vendosur t`ju tregoj këtë histori.

 

 

 

Pak fjalë për Lokun

 

 

 

Në Opojë jeton një piktor, ai përveç që është piktor është edhe poet, emri tij është Ibrahim Skenderi. Librin më të ri e ka titulluar Loku dhe Carroku, historinë të cilën vendosa t`ju tregoj. Autori i këtij libri ka paraqitur një pjesë jete të Kosovës përmes Lokut dhe Carrokut. Që në vjershën e parë Lokut nuk i vjen turp të thotë se për nipin e tij ai bëhet fëmijë, luan me të, vallëzon, qan për të qeshur, këta të dy edhe këndojnë së bashku. E kush nuk do ta donte një 'lok" të këtillë? Edhe Loku edhe Carroku e kishin përjetuar 

 

luftën ne Kosovë.  Loku e ka përjetuar si të gjithë të mëdhenjtë, me dhimbje, brenga dhe probleme, ndërsa Carroku luftën në Kosovë e kishte përjetuar si një lojë, si një piknik dhe këtë falë  Lokut.

 

 

 

Kuptimi i botës së Carrokut

 

 

 

Me që Carroku ishte carrok (fëmijë) dhe  me të duhej folur pak më ndryshe. Loku kurrë nuk i kishte thënë se ata janë në luftë dhe se për këtë shkak iknin nga vendlindja. Carroku me familjen e tij qëlloi të jetë refugjat në Kukës e të lante me flutura. Por Loku ishte nga pak i mërzitur, sepse Carrokut nuk po i tregonte se kishin shkuar refugjatë, por gjoja kishin dalur për një "shëti" me traktor, derisa mbaroi "shëtia" për rreth dy muaj e gjysmë. Brenda kësaj kohe kureshtitë e Carrokut nuk kishin të ndalur, Loku gjithnjë gjente kohë t'ia shpjegonte me nge të gjitha dukuritë qo ndodhnin rreth Carrokut. Carroku, tregon Loku, gjatë luftës, kërkonte të kishte uniformën e UCK-së, për t'u bërë ushtar e ta mbronte atdheun si bacë Adem Jashari.

 

 

 

 

 

Carroku po rritej

 

 

 

Lufta në Kosovë ka përfunduar dhe Carroku hyri në klasë  të parë. Në Kosovën e lirë. Një dite Carroku po kthehej gëzuar nga shkolla se donte t'i tregonte nënës së tij se kishte marrë shumë pesa, po Loku e ndaloi e i tha:

 

 

 

Ndalu t'i shoh Loku

 

Ku i ke ti pesat

 

-Uh, më paskan humbur

 

-M`qenkan shqyer xhepat!

 

 

 

Poezitë e këtij libri kanë motive të shumta, sepse përmes këtyre poezive mësojmë se Carrokut i kishte lindur më pas edhe një motrëzë, rritej motrëza, por rritej dhe Carroku. Sapo i mbushi motrëza e Carrokut një muaj, ai i buzëqeshte, kur filloi të lëshojë zërin e puthi në njërën faqe, por me pas e pyeti nënën e tij nga që nuk po e kuptonte gjuhën e motrëzës, çfarë gjuhe flet motërza? Nëna i tha se fliste gjuhën e pëllurnbit. Një dite Carroku ishte hidhëruar shumë, sepse vijimisht po e pyesnin se kë e donte më tepër. Ai nuk mund t`l ndante asnjë nga ata:

 

 

 

Si pra, të bëj ndarje

 

Pse më pyesni kot,

 

Kur vetë dashuria

 

Nuk coptohet dot.

 

 

 

Çdo ditë e më tepër Carroku rritet dhe çdo herë po mëson diçka të re nga jeta. Edhe ju sapo mësuat një dashuri të re mes Lokut dhe Carrokut. Të gjitha këto vjersha mund të formojnë një poemë, por poeti ka dashur që përmes këtyre poezive të shpalosë dashurinë e tij të madhe që ka ndaj Carrokut.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Minire Berisha

 


Prezantim i librit për fëmijë; "Ola sikur molla"

 


NJË LIBËR PËR FËMIJË I ILUSTRUAR DHE I PUNUAR ME PËRKUSHTIM

 


Libri i kushtohet një vogëlusheje dy vjeçare me emrin Ola, e cila fillon me lojërat e veta që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, ndërkaq të gjitha ato që ajo i bën gjatë ditës përbëjnë një ngjarje mjaft interesante. Ditë më parë doli nga shtypi libri për fëmijë "Ola sikur molla", i autorit Ibrahim Skenderi. Ky është libri i tetë me radhë, dhe i pesti për fëmijë, i shkrimtarit Ibrahim Skenderi. Ky krijuesi palodhshëm suksesin më të madh e ka arritur pikërisht me libra për fëmijë. Ai krahas krijimtarisë letrare merret edhe me krijime figurative, është edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Deri më tani ka botuar monografinë "Dritë e dituri", në vitin 1987, vëllimet poetike për të rritur: "Pas heshtjes" 1994 dhe "Portreti i pakryer", 1996, "Nesi, Nesi interesi" poezi për fëmijë 1997, "Kujdes unë po rritem", poezi për fëmijë 1998, "Nesi supervashë", poezi për fëmijë 2000, "Piktorja e vogël dorartë", poemë për fëmijë 2002, ndërsa libri i tij i tetë që doli nga shtypi këtyre ditëve është; "Ola sikur molla". Libri "Ola sikur molla" është i ilustruar me punime të nxënësve të autorit, që janë ilustrime të mrekullueshme dhe të punuara me shumë përkushtim. Libri i kushtohet një vogëlusheje dy vjeçare me emrin Ola, e cila fillon me lojrat e veta që nga mëngjesi e deri në mbrëmje, ndërkaq të gjitha ato që i bën gjatë ditës përbëjnë një ngjarje mjaft  interesante. Vlen të ceket se krijuesi Ibrahim Skenderi është edhe kryetar i klubit letrar "Luigj Gurakuqi" në Sharr, klub ky i cili është një vatër e krijuesve opojanë. (Epoka e re).

 

BIOGRAFIA E POETIT IBRAHIM SKENDERI

 

Ibrahim Skenderi u lind më 1948 në Brrut të Opojës së Sharrit. Katër klasë të fillores i kryen në fshatin e lindjes, kurse prej klasës së pestë deri në të shtatën udhëton rreth  dhjetë  kilometra në ditë deri në Bresanë.  Ndërkaq klasën e tetë e vazhdon në shkollën e sapo themeluar tetëvjeçare në Bellobrad. Pas kryerjes së fillore,  Ibrahimi regjistrohet në Shkollën Normale të Prizrenit.  Ai ishte i mishëruar në profesionin e mësuesisë dhe ky mishërim i tij vjen nga shembulli i mësuesve të tij.  Nga mësuesit, për të cilët thotë se ishin më të mirët në botë dhe pa ngurrim i quan; Lapidarë të Dritës dhe nuk lë pa i përmendur: Raif S. Aliun, Elez Shaban Shalën, Nexhmidin Ramadanin  dhe Shani Nuri Shabanin, me të cilin sot e kësaj dite kanë miqësi dhe raporte të mrekullueshme shoqërore. Për artin e fjalës dhe të pikturës, Ai tregoi interesim qysh në rininë e tij të hershme dhe po në këtë moshë i bie në sy të arsimtarëve Jashar Muçaj (Kabashi), Hasan Ibri dhe Rexhep Kryeziu të cilët i japin kurajo për të vazhduar në rrugën e artit. Sa i përket motivimit, element që Ibrahimi e çmon më së shumti për ngritjen e talentëve, e kujton një rast shumë të veçantë: “Isha nxënës i klasës së pestë. Pas dite në shtëpi vizatoja motive nga më të ndryshmet. Një ditë vizatimet ia tregova një tezaku të gjyshit që vinte shpesh tek ne. E thirrnim La Mon. Ai, kur i pa vizatimet bëri sikur u mahnit dhe më porositi t’ia vizatojë Nasradinin hipur mbi gomar. Unë porosinë e mora si shumë serioze dhe e kreva si  obligim dhe më besoni kjo më dha krahë në punën e mëtutjeshme...” Ibrahimi ndonëse lë përshtypjen e një personi shumë të kulturuar, të urtë, pedant dhe të heshtur është shpirttrazuar, parimor e këmbëngulës dhe di edhe të rebelohet për një ideal të caktuar, i tillë u tregua edhe si nxënës i Normales.  Më 1968, në vitin kur shënohej 500 vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Skënderbeut, vetë angazhohet në aktivitete si në folklor dhe në orkestrën e mandolinave, por kërkon edhe nga profesori i historisë M. O. t’iu flasë për Skënderbeun, meqenëse në shkollë nuk mësohej historia kombëtare shqiptare. Këtu bie në konflikt hakmarrës me profesorin, gjë që profesori e shfrytëzoi në një rast kur më 25 maj 1968 Ibrahimi me dy bashkëvendas nga shkolla e muzikës  i ndihmojnë ish shkollës së tyre fillore në një koncert garues në Dragash.

 

Këtu e zënë vendin e parë dhe festojnë edhe me këngë, natyrisht edhe patriotike. Me këtë rast dënohet me një muaj burg drejtori i shkollës fillore “Sezai Surroi”, z. Rexhep Kryeziu, kurse Ibrahim Skenderi sipas një orkestrimi nga udba-shët komunalë dhe të Normales, dërgohet dhunshëm në shërbimin ushtarak, vetëm një muaj para diplomimit.  Sipas kësaj ai do ta humbte jo vetëm diplomën por edhe klasën e pestë, sikur të mos ishte z. Riza Alaj drejtor i Normales dhe ish kujdestari i klasës së Ibrahimit, i cili i mundëson hyrjen në provime të diplomës një muaj para shokëve, pikërisht gjatë mbajtjes së provimeve shtetërore (profesionale) për mësuesit me mbi dy vjet përvojë në arsim.Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, menjëherë fillon punën si mësues, por dashuria për artin e shtyn të regjistrojë degën e Artit Figurativ në Shkollën e Lartë të Prishtinës, të cilën e kryen pa shkëputje nga puna. Për afër tri decenje ishte kuadri i vetëm profesional nga kjo lëmi, prandaj edhe i ra barrë që për 15 vjet të jep artin figurativ  edhe në Gjimnazin “Emin Duraku” të Dragashit.  Gjatë gjithë punës së tij në këtë institucion, çdo shfaqje, program festiv apo edhe pjesë teatrale, skenografinë gjithmonë e bënte Ibrahim Skënderi. Nga puna e tij e vyeshme, kanë dalë edhe katër piktorë të tjerë të cilët me sukses kanë hyrë dhe mbrojnë botën e artit. Një kontribut shumë të çmueshëm, Ibrahimi ka dhënë edhe gjatë kohës së mbijetesës së shkollës shqipe në Kosovë (1990-1999), në komunën e tij dhe në Opojë.  Ishte redaktor dhe ilustrator i revistave të ndryshme, si; “Buletini”, “Sharri”, “Penda” dhe në revistën për fëmijë; “Fidani”, që botohet në Prizren. Gjatë kësaj kohe, nëpër këto revista punoi qindra ilustrime dhe ballina revistash,  mbi gjashtëdhjetë librave të botuar ua punoi ballinat e tyre, edhe atë siç shprehet poeti e piktori; “Për riza t`Zotit dhe për inat të okupatorit”, flasim për kohën nën okupim. Në krijimtari, ai u dallua si krijues letrar për fëmijë. Deri më tani, ky poet ka botuar 17 vepra letrare; tri monografi, tre vëllime me poezi për të rritur, tri drama për fëmijë, tri poema për fëmijë, katër vëllime me poezi për fëmijë dhe një libër me tregime për fëmijë.

 

Veprat:

 

  1. “Dritë e dituri”, (Monografi), Prizren, 1987;

  2. “Pas heshtjes”, (Vëllim poetik për të rritur), Sharr, 1994;

  3. “Portret i pa kryer”, (Vëllim poetik për të rritur), Sharr, 1996;

  4. “Nesi, Nesi interesi”, (poezi për fëmijë), Pionieri, Prishtinë, 1997;

  5. “Kujdes unë po rritem”, (poezi për fëmijë), Pionieri, Prishtinë, 1998;

  6. “Nesi supervashë”, (poezi për fëmijë), Rilindja, Prishtinë, 2000;

  7. “Piktorja e vogël dorartë”, (Poemë për fëmijë), Fidani, Prizren, 2002;

  8. “Ola sikur molla”, (poemë për fëmijë), Fidani, Prizren, 2004;

  9. “Loku dhe carroku”, (poezi për fëmijë), Fidani, Prizren, 2005;

  10.  “Zgjim mes dashurish”, ( Tregime për fëmijë), Fidani, Prizren, 2006;

  11.  “Dielli ma luan syrin”, (poemë për fëmijë), LSHK, Prishtinë, Dega Prizren, 2008;

  12. “Burri në pikturë”, (pjesë teatrale), LSHK, Prishtinë, Dega Prizren, 2009;

     

  13.  “Klasa e Lirisë”, (pjesë teatrale), LSHK, Prishtinë, 2010;

     

  14. “Dritëhënë”, (poezi për të rritur), Fidani, Prizren, 2011;

     

  15. “Krushqit e Lirisë”, ( Pjesë teatrale), Fidani, Prizren, 2012;

 

 

 

  1. “Shkolla e parë shqipe në Opojë”, (monografi), Shoqata kulturore “Ymer Prizreni” Sharr 2013

 

 

 

  1. “Brruti sfidave të shekullit”, (monografi), Shoqata kulturore “Ymer Prizreni” Sharr 2013

     

     Është koautor në Përmbledhjen me poezi të poetëve opojanë me titull “Reshje nën Pikëllimë” dhe në librin  "Lule në Zinovë", poezi të zgjedhura nga autorë opojanë, përzgjedhje nga Bedri Halimi, botoi; "SHK "Ymer Prizreni", Sharr, 2011

    Ibrahim Skenderi, edhe sot në moshën 65 vjeçare ruan ritmin e krijimtarisë letrare dhe krijon pa u ndalur, duke sjellur në letërsinë shqipe, e në veçanti atë për fëmijë, libra me vlera të larta artistike dhe me karakter edukativ.

    Ai, është anëtar aktiv i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” të Kosovës.

    Jeton në  Brrut të regjionit të Opojës, komuna e Sharrit.

     

 

Gëzim Ajgeraj

ARTI POETIK I IBRAHIM SKENDERIT NËN OPTIKËN E RIVLERËSIMIT

100 faqe, 20 cm

Viti i botimit: 2014

Për botuesin: Gëzim Ajgeraj

Edicioni:  METAFORA, Zvicër, 2014