Gëzim Ajgeraj

 

KTHIMIT

FURTUNAT M’I BËJNË PRITA

 

Poezi

 

Revista letrare

 

METAFORA

 

Prizren, 2013


 

METAFORA E UDHËVE TË PËRMALLTA


Metafora e mallit, kjo plagë jo e re, sikur ka vërshuar me shekuj ndër ne, kështu rrjedha e saj s’ka të ndalë. Ajo, përditë po na i gërryen kullat, trojet tona, farën tonë edhe ashtu të sakatuar nëpër shekuj. Ngado ku shkon e ku shkel gjeografive të botës, është e pamundur të mos e gjesh bimën tonë.

Rrita e saj ka lëshuar shtat gjithandej, po plagët pak kush ia shpalos. Dhimbja e kolonave të mallit, është klithma e vargut, i cili hyn në poret e kësaj kolone për ta shpalosur atë.



I gjetëm duke gërryer kullave dardane
Filiza e pipa tek ia vidhnin një nga një
Që t’i shkretohej fara

Qysh me motin kur ra këtej pari
Murtajë e saj
Faroi bimën tonë
...
PËR UDHËT

Vargut të këtyre udhëve, u rrit dhe malli për atdheun e lënë diku, për vatrën, për kullën, për njerëzit, për mëmëdhenë.

Fjala e zjarrmishme që djeg brenda vargut, është malli i cili nuk i ndahet asnjëherë, mërgimtarit të larguar përtej vendit të vet. Ndërsa largësia në mes shkon e vjen si ylbere malli, por të mos na i shkëputur harrimet e viteve në largësi.


E lamë midis kullash, në fusha e male...

Pa të harruar asnjëherë


Ti na e shkrumbove shpirtin

Udhëve të arratisë sonë


Po si s`na u ndave asnjë çast

Këtij udhëtimi



MALLIN E LAMË ROJE



Furtunat e udhëve s’kanë të ndalur, bashkë me furinë e saj, çdo ditë i thyen degët e trungut të kombit, duke i hedhur përtej diku harrimit. Kjo e ligë e ikjes nga mëmëdheu, sikur s`ka të ndalur ndër ne.


E panë duke krasitur lisa e pipa dheut Arbëror

Furi e saj i ngjasonte kobit

Askush s`ia preu udhën bishës


...
FURTUNAT E UDHËVE


         Se ikja jonë ka larushinë e saj, që i ngjason një koloriti kohësh dhe rrjedhës së tyre në atdhe, kjo s`kontestohet.

Furtunat e shekujve, okupimi i gjatë, robëria shumëshekullore dhe dhuna e okupatorëve të ndryshëm, krijoi rrethana që bëheshin furtuna për ta larguar njeriun tonë nga vendi i vet.

Shikuar kësaj larushie ikjesh, dëbimesh, lindin edhe periudha të caktuara kur ikja nga atdheu njeh përmasa marramendëse.

Megjithatë, udhët kanë një emër siç e ka malli, siç e ka etja për kthim të të gjithë atyre kolonave të përmalluara. Nganjëherë udhët janë parë edhe si shpëtim nga furtunat në atdhe për një kohë të caktuar.

Por edhe ajo ekonomike, e arsye tjera nuk u mungon këtyre udhëve. Pikërisht këtu fshihet koloriti i udhëve dhe kolonës së përmalltë.

Nganjëherë, fjala në varg, për një krijues të arratisur, tingëllon si shpëtim nga ajo katrahurë e mallkimit të udhëve, për ta ndezur dritën e shpresës se një ditë do të ketë edhe kthime.


Vargun ma shkrumboi ky mall

Nëpër çdo germë ka hyrë zjarrmia jote

E si gjej dot shërim


Me se ta mjekoj fjalën

Kur më mungon thirrja jote

Dhe ti...


Nëpër qiellin e muzës sime

Mungesa verbon

E ma vret rrezen e mendimit

...
MUNGESA JOTE DHE KY VARG


Për njeriun e mërguar, që në vazhdimësi ndjen ndjenjën e mungesës së atdheut, kthimi gjithmonë mbetet si një preokupim i lëvarë, që e ndjek gjithandej nga shkon e gjendet. Kthim ky që, është një sfidë e madhe e njeriut të shkëputur, sidomos atyre që për një kohë të gjatë i munguan atdheut. Kthimi i tyre nuk është kthim dosido, është kthim me sfida, për jetën, për ekzistencën, për fatin e mëtejmë në vazhdim.

Kjo sfidë aq më shumë rëndon kur vëmë përballë gjendjen e tanishme e kur flasim për atë ekonomike në vend. Në këtë rast, mërgimtari gjithmonë mbetet në kërkim të alkimisë së kthimeve me të cilat do të përballet më pastaj.



Se si dilet nga udhët

Mëso alkiminë e kthimeve

Mos të të mbulojë pluhur i harrimeve

...


MËSO ALKIMINË E KTHIMEVE

 

Vargu brenda metaforës së mallit ka specifikat e veta. Ai sikur tingëllon i mbingarkuar në ikje, arrati, kolona të përmallta, udhë... Megjithatë ato janë elemente shoqëruese të një njeriu të mërguar. Dhe si e tillë, është e domosdoshme që të shtrohen brenda fjalës në varg.

E gjithë kjo filozofi e mendimit dhe e shprehjes, është e shoqëruar nga muza e arratisë dhe e udhëve, dhe zbërthimi sigurisht se në mes ka dhimbje, mall, etj. Këto vargje, herë-herë definohen si vargje te çasteve të zjarrmisë.

Me çfarë t’i përhyjnojë vargjet

Kësaj alkimie të udhëve

Ku fjala digjet mallit


Brishtësi e zvetënuar e mendimit

Muzat m’i djeg para kohe


U djegsh dhe ti çast monoton

I kësaj të shtune të vonë alpine

Që s`na freskove në fjalë


     ÇASTE PA FRYMËZIM



Gati është e paimagjinueshme të jesh i mërguar, të krijosh vargun jashtë kornizave të mallit.. Ai sikur na shoqëron brenda portretit tonë duke mos u ndarë për asnjë çast. Djeg mendimi, djeg shpirti, digjet dhe fjala në varg.

Një nga një pikojnë


Ecjes çastet

Nëpër udhët e gjeografive


Rrëfanën e mendimit

E djeg flakë e mallit


Përpara rënieve

Derdhen largësive

...
     GJETHET E MALLIT

 


Motet e gjata udhëve, dekadat e djegshme nëpër gjeografitë e botës, larg atdheut, vatrës së ngrohtë, rrethit, sikur kanë krijuar një mall të papërballueshëm dhe etje të madhe për kthim nga kemi ardhur.


...


Kthehu sa s`ka rënë borë

Mbi flokun tënd

Se mos bëhet vonë...!


Kthehu, sa s`të ka zënë

Bari i harrimit


   KTHEHU SA S`ËSHTË BËRË VONË


Për krijuesin e mërguar, fjala në varg vjen si shërim shpirtëror për veten dhe një shkëndijë drite që ndriçon të tjerët. Brenda kësaj metafore malli, shkrihet shpirti i trazuar i mërgimtarit të arratisur larg atdheut, i cili na portretohet me gjithë ato sfida që rrethojnë atë, duke i kthyer në varg për të tjerët.

Se këto ikje e duan dhe një ditë të mbarë, ditën e kthimeve, s`ka asnjë dilemë. Le të përfundojmë këtë shkrim përmes vargut, për t’i hapur dritë mendimit tuaj për poezitë në vazhdim.


Kthehu atje

Ku krisma e emrit tënd jehon malet

Mbushullon kullën e këndon te vatra


Kthehu atje

T’ia fshijnë lotin e nënës

Me shaminë e kthimeve


Kthehu atje

Ku hëna t’i ruan ëndrrat

E dielli t’i ngrohë ditët e bardha


Kthehu...
                         Zvicër, 2013


 

 

PËR UDHËT

I gjetën duke gërryer kullave dardane
Filiza e pipa tek po ia vidhnin një nga një
Që të shkretohej fara

Qysh me motin kur ra këtejpari
Murtajë e saj
Faroi bimën dardane

Kush s’i doli përpara
T’ia ndalë turrin
Medet ç`kob ra mbi çatinë e pambuluar

Kullat u shkretuan kësaj furtune

             2013

 

 

 

 

 

NGA DOLI KY MALL

E pollën gjeografitë e udhëve
Në prag të shtëpisë lëvar na e lanë
Që të na shuajë farë e harrimit

Na hodhi përtej vatrave
Dhuratë na e dhanë dhe trastën mbi shpinë
Që të na rëndonte ikja

Edhe mallkimin na e dha
Që të na mbytë harrimi

U djegshi o udhë
Që na dogjët në mall

             2013

 

 

 

FURTUNAT E UDHËVE

I pamë duke krasitur lisa e pipa dheut arbëror
Furi e saj i ngjasonte kobit
Askush s`ia preu udhën bishës

Hyri kullave derë më derë
Virus i murtajës që s’i dihej filli
Fundi i saj ishte plot lot

Furi e saj s’ka të ndalë
Trungun e Arbrit e zhveshi degëve
Zot! ku do t’i dalë fundi kësaj katrahure?!

Na i shkretoi trojet

           2013

 

 

 

 

NË LUFTË ME UDHËT

Flamurin e bardhë s`do ta ngrijmë kurrë
Harrimi të mos na i shuajë shpresat
E të mos i gëzohen fitoreve udhët

Në luftën me ikjet
Fitimtarë s`ka
As të dorëzuar

Do t’i biem tejpërtej betejave
Dhe një ditë me mbathcat tona
Do t’i kthejmë ikjet

Kush vonë e kush në kohë

                 2013

 

 

NË KËRKIM TË LIRISË SË MENDIMIT

Në kërkim të lirisë së mendimit
I gjetëm tjetër qiell fjalës
Që të mos na lidhej nyjë gjuha

Zinxhirët moti na i kishin praruar
Për duar të bardha të mendimit, pranga
Mbi qiellin e saj të mos ngrohë dielli

Gjarpri i veriut me skafandër e helmetë na vriste qiellin
Jehonës së saj t’i pritej koka e flatrimit
Ec e mbyllur gojë përpara kësaj katrahure fjala ime

I kërkuam tjetër qiell t’ia ngrohim shpirtin
Për diellin e saj i dhamë gjak epokës nga ashti ynë
U desh t’ia ndërronim faqet e historisë

Tani flatro e lirë fjala ime
Të të mos të zbehin ligësitë e moteve
Me forcën tënde thyej furtunat
Shkëlqe me rrezet e tua

                     Prizren, 2002

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

FJALA SI FRYMËZIM

Nëpër lojën e fjalëve
Tek bredhë muza e mendimit
Merr udhë vargu

Me pikat e rrezes së frymëzimit
Ndriçon fjalën e pathënë
Nëpër dritën e fjalës

Nga bukuri e luleve të saj
Frymon aromë e bukurisë së jetës
Këtij udhëtimit tonë

                       2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËR MUZËN E MENDIMIT

Nën plisin e mendimit
Rritur e kam fjalën
Që të ma ruajë përjetësisht lashtësinë

Me gjuhën e plakut
I flas përherë
E peshoj mirë për arenën e fjalës

E vjel çdo çast amzën e mendimit
Që të më mbëltoj përherë në fjalë

E ngroh dhe në rrezen e diellit
Të mos ma verbojnë udhët e mia
Nëpër botë

E fytin dhe ballin i freskoj diku
Në hijet dhe krojet e atdheut

             2013

 

 

HAPËRO KRENAR VARGU IM

Me daltën e mendimit të mirë
E kam gdhendur fjalën
Ta stolisë së bukur
Në lapidarin e vargut
Për atdheun
Milito bukur vargu im
Nëpër shekuj
Të të mos zvetënojnë
Furtunat e kohës
As mungesa e ikjes sime
Edhe atëherë kur
të mbetesh vetëm
E unë të jem strukur
Diku nën gurë
Me ushtarët e fjalës sime
Emrit m’i bë roje
Të kam gdhendur
Me fuqinë e shpirtit
Me mjeshtërinë e artit të mendimit
E të kam ngrohur
Në diellin më të ngrohtë
Të atdheut
Që kurrë të të mos mbulojnë
Hijet e harrimit
Shkëlqimit tënd nëpër shekuj
Nuk ia kam frikën
Se me kandilat e shpirtit
Kam ndriçuar sheshet e tua
Që ti të ecësh
Gjithmonë nëpër dritë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MUNGESA JOTE DHE KY VARG

Vargun ma shkrumboi ky mall
Nëpër çdo germë ka hyrë zjarrmia jote
E si gjej dot shërim

Me se ta mjekoj fjalën
Kur më mungon thirrja jote
dhe ti...

Nëpër qiellin e muzës sime
Mungesa jote verbon
E ma vret rrezen e mendimit

Nëpër krojet e fjalës
Thatësia jote m’i thau gurrat e mendimit
Me se ta vadis rimën në varg

Mungesa jote
Ma vrau dhe poezinë

                 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ME URTINË E MOÇME MBËLTOJ FJALËN

Pelinin e udhëve
Mbëltova me shpresën e kthimeve
Që të m’i ruajë të freskëta frymëzimet

Një ditë do të kthehem "Atje
ku është balta si mjalta"

Dhe me mjaltin e mallit
Mbëltova fjalën
Të mos m’i helmojë udhët

     2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

TË ZEZA NETËT NËN
DRITËN E HËNËS

Nga sarajet e mendimit
E djeshmja zemërohet
E mallkon shekujt

E nata verbon
Nën terrin e hënës
Kërkoi dritën e nxënë

Copa-copa u bëra arave të copëtuara
Duke bredhur netëve shekullore
Dikush pishtarin ma shuante

Shekujve më verboi me natë
Me dritë të hënës kandilat m’i vriste

Të zeza netët shekullore

               Prizren, 2013


 

 

 

 

 

 

VARGUT TIM TI JE DIELLI

Me ngjyrat e vargut t’i pikturoi dëshirat
Mbi pëlhurën e qiellit tënd të bardhë
Tek flatrojnë pëllumbat

Plot gjak ma ke trupin plot plagë
Motet e guernikës tënde të dhimbjeve
Më skuqen vargjet fjala ende kullon

Me se t’i zbukuroj motet e ikjeve barbare
Kur e kuqja e gjakut tënd
S`më ndahet mbi fjalë

Nëpër fjalën time ti je dielli
Në vargun tim metafora
E në këngët e mia
Vetë kënga

Të dua krenare e faqebardhë
Moteve të tua të bardha
Ty e bukura e dheut

           Zvicër, 2012

 

 

POEZIA

Ti zonjë e rëndë me atë gjuhë të ëmbël
Buzët e tua lakmon t’i puthë çdokush
Eh, kur ia merr këngës me atë zërin tënd
Bukuroshja e fjalës shpirtin me frymëzim ma mbush

Me ty frymëzohen perënditë e dashurisë
Ku nis kënga jote e frymëzon shpirti
Nëpër linjat e tua fshihet magji e bukurisë
Lum ai që të shijon e i ka dritë mendimi

Lum kush të shijon me shpirt ty zonjë aristokrate
Tek mbëlton në jetë plot dashuri e dritë
Ëmbëlsisë së fjalës tënde buka mjaltë me kate
Unë frymoj për ty e ti dekadave fjalës time i bën rritë

Ti zonjëzë më besnike përherë virgjërisht më pret
Në shtratin tënd plot pendla ku shtrohet e pushon fjala
Ti je më e bukura e dheut të kam shpirt e jetë
Kur bëj dashuri me ty më shërohet shpirti, fjala

Ndaj të them bukuroshe e të dua përjetësisht
Se ti ma shëron shpirtin e më ringjall ëndrrat e mia
Se në ty jam dashuruar e të dua marrëzisht
Ne të dy jemi një, të rrojë fjala e ëmbël – poezia.

                           Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

ETJE BARBARI

Farën thonë e kishte sjellë nga karpatet
Uji nga Kalamegdani
Bimës i kërkuan rritë Dardanisë

Me shtiza e bajraqe harbuan
Lakmisë, dheut të huaj

Të bukëta tokat të pjella arat Iliria

E etshme ëndrra e zaptijeve
Sa e gjithë lakmia e botës

Deshën t’i lëshojnë rrënjët arës së huaj
Ta rritin farën e karpateve mbi eshtrat e Ilirisë
Farës së Arbrit t’i thahet bima

Zot, ç`etje mizore ky karpat
Pangopshmëri e tij m’i ngjason bishës

E lumja ditë kur thyen shtizat
E me kafkat e veta nën sqetull
Ikën veriut

                 Prizren, 1999

 

 

 

 

 

 

EHHHH KULLA IME

Ehhhhhh, kulla ime e shkrumbuar në flakë
Apokalipsë e veriut shkarkoi mbi ty
S`të la gurë e mur

Kërkoi t’i shpalosë kujtimet themeleve të tua
Tek përpushi hirit të gjejë ndonjë fjalë nga librat
Me ç`të të zbukuroj në ditën e kthimit

I shtrëngoi plagët një nga një gjoksit
E nëpër pikat e gjakut të gjyshes i shpalosë kujtimet
Medet ç`dhimbje kam në shpirt

Klithma e dhimbjeve të tua tani më pushon e qetë
Po si t’i pushojë unë kur shpirti më dhemb
E fjala më digjet në buzë

Sonte, unë e ti natën do ta bëjmë bashkë
Mbulojsa e nënkresa ime do të jetë hiri yt
Për nesër, nuse do të të ribëj

Një lule edhe për gjyshen do ta mbjell

                   Malësi e Vërrinit, Prizren, qershor 1999

 

 

 

 

 

 

 

 

POROSIA E GJYSHIT

Porosinë e gjyshit kurrë nuk e harroj
Me gjarprin në sofër mos u ul kurrë biro
Sa herë fryn veriu gjithmonë e kujtoj
Se shpirti i gjarprit rron nën lëkurë njeriu

Mos i hap as portën atje përskaj gardhi
Se mos në të hyftë diku në oborr
Kuku zogjtë e tu e për ty vaj halli
Përmbi kullën tënde do të ndjellë veç kob

Ah ai helmi i tij mos të rëntë ndër kulla
Mbi kobin e saj qyqja do të vajtojë
A të vjellë vrer mbi qiellin tënd
Përmbi bimën tënde pipa s`do t’pipojnë

Gjarprit të veriut kurrë mos i beso
Amaneti i gjyshit më prin në ideal
Frenxhin kah veriu përherë ma vëzhgo
Atje në skaj gardhi shënjoje në ballë

                       Prizren, 1999

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

EKUINOKS I PARAKOHSHËM

Nga degë e thyer e trungut
Gjethet po zverdhen çdo ditë
Vjeshtë alpine i shkëput një nga një

Zvetënim i tyre po më ngjall trishtim
Për pak diell Sharri po zverdhen para kohe

Si t’i shpëtojmë nga ky mallkim
Kur kthimet i mbytën udhët
Dhe ky mall në mes

                          2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRPARA SE TË TË VIDHNIN IKJET

Ditën kur të vodhën udhët e t’i more ikën
E dija se mbi kullë po këndonte korba e zezë
Qiellit të zi të atdheut po verbonte terri barbar i veriut

Gjarpri i veriut helm e vrer villte mbi ty
Mbi emrin tënd kërkonte ta mbillte gurin
E fjalën të ta lidhte me zinxhir

Furtunë e egër atij moti harboi mbi ty
Ec e thyeje murin e robërisë me kokë
O hap plagën e ikjeve të të rëndojë në trup

Edhe pse mbi ty harbuan furtunat e apokalipsës
Ti mbete se mbete lis i pathyeshëm nëpër furtuna

                                 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NË KËRKIM

Ëndrrës sate të udhëve
Kurrë s’e kape diellin e shpresës
Mbete vrap pas rrezes

Vrapi yt m’i ngjan
luftës me mullinjtë e erës

Ti kujton se ke zënë dritën
Vrapit tënd nëpër errësirë

Nëpër shekuj ia kërkoj melhemin kësaj plage
Alkimi e saj m’i thau kullat
Prapë udhë se udhë

         2013


 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


MËSO ALKIMINË E KTHIMEVE

Ditëve të tua nëpër mall
Shkëputen një nga një motet
T’i kujton se ke udhëtuar

Mos vdis këtij vetëharrimi
Të djegshmet i ke

Se si dilet nga udhët
Mëso alkiminë e kthimeve
Mos të të mbulojë pluhur i harrimeve

         2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

AH TË TË MOS VIDHNIN UDHËT

Në kullën e mallit tënd
Moti është fikur zjarri i pritjeve
Ti mbete shtegtar i udhëve
Nëpër gjeografitë e botës

Ka dekada që i bënë roje mallit
E digjesh zjarrmisë

Ah, të të mos vidhnin udhët
E ti rob i nxënë arratisë
Sa me dashuri do t’i freskonim këngët
Diku në Vërri

          2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



KTHEHU SA S`ËSHTË BËRË VONË

Udhëve nëpër gjeografitë e botës
Ti je vetë përmallimi
Alkimisë së udhëve
Pa merr njëherë kthimet
E në do fllade ndër lisa në Vërri
Atje ku fle malli yt
e prehet freskia jote

Kthehu sa s`ka rënë borë
Mbi flokun tënd
Se mos bëhet vonë...!

Kthehu, sa s`të ka zënë
bari i harrimit

           2013

 

 

 

 

 

 

MOS PRIT TË TË KTHEJË
BARI I HARRIMIT

Ditën kur të kthehesh
E mbi ty të ketë rënë pikëllimi
Vonë do të jetë shumë vonë

Me vete do të të japin
Vetëm një gur për hise
Dhe pak dhe

Atëherë do të të tradhtojnë
Edhe udhët e malli
Ti do të mbetesh ikja

Ajo ditë me ty
Do t’i mbledhë të gjitha udhët
Në një çast
E ti, do të mbetesh kujtimi
Dhimbja jonë

Sigurisht, vonë do të jetë
Shumë vonë!


              2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ETJES SHKURTOJA GJUNJËT

Etjes tënde shkurtoja gjunjët
Të të mos tërheq zvarrë
Nëpër udhë

Edhe ushqimi i tepërt
Të bën dëm

Sharto pemën e shpresës
Në trungun e lisit tënd
Fryti i saj sado i vogël të jetë
Ka ëmbëlsinë e tokës sate

Etjes shkurtoja gjunjët
Përpara se të të vrasë ajo

       2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MASHTRIMI MOS TË TË GËNJEJË

Mashtrimi mos të të gënjejë
Kur të premton diellin tënd
diku larg

Kot të flet me të mirat e botës
Kur asgjë s`është jotja
Veç udhëve

Kot të flet për lumturinë tënde diku larg
Për botën e kristaltë, e për, ... e për,...

Kujdes sa s`ke rënë preh e mashtrimit
Tani do të jetë vonë!

             2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MOS U MIQËSO ME UDHËT

Në kullën e mendimit
Mos ia shtro sofrën udhëve
As këmbëkryq mos e lë
të të ulet pranë oxhakut

Mos u miqëso me udhët
Mashtrimi i tyre të vret

Dhe po u miqësove
Mbete pa prag e vatër
Zaptuar t’i kanë të gjitha
Edhe ty
Mos u miqëso me udhët

             2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NËSE IKJA NA VJEDH PARA KOHE

Nëse kthimet s`do të vijnë
E ikja para kohe do të na e shkëputë
rrëfanën e fatit tonë
Ligësi ka rënë mbi ne

Malli i lënë në kullë
E diku ndër lisa
Le të vishet në zi për ne

Për dashurinë tonë le të vajtojë
Për ikjen tonë
Që s’u kthyen kurrë

Për këngët që i lamë në gjysmë
Lëvar në telin e çiftelisë
Në kulla

E për, ... e për, ... e për,...

         2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

KUJDES VONESËS DHE LAKMISË
SË TEPRUAR

Kujto verën kur të përcolli udhëve
E të uroi rikthim të mbarë
Edhe kullën kur ra në pikëllim

Mos harro se dekadave të mungesës sate
Çatinë e ka mbuluar bari i harrimeve

Lakmia jote dhe udhët
Tani më janë mbytur myshkut të harrimeve

Ora e kthimeve të tua moti ka filluar të cingërojë
E ti je mbytur gjumit të harrimeve alpine

Kujdes vonesës dhe lakmisë së tepruar

                 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MALLIN E LAMË ROJE

Mos harro ikjet që na morën
Dhe ditën kur na përcolle plot lot
Ne u bëmë loti yt në qerpikë

Të lamë midis kullash, në fusha e male...
Pa të harruar asnjëherë

Ti na e shkrumbove shpirtin
Udhëve të arratisë sonë

Po si s`na u ndave asnjë çast
Këtij udhëtimi

           2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DERI KUR

Një strofull diku në Vërri
Na i ruan të ngrohta kthimet
Nën merimangën e pritjes

Nga barishte e lëvarë strehëve
Pikon loti i mallit
Deri kur ky shi?

Pritjes së kthimeve
Ndrydhet loti i nënës në shami
Medet ç`dhimbje

             2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PEMËN TONË NA E MBLEDHIN
TË TJERËT

Nëpër arratinë e udhëve të tua
Pipat e pemës së Arbrit
Po zverdhen një nga një

Pranverat e tyre i ka zënë ves ikjeve
Vështirë të gjendet rreze dielli
T’ia ripërtërijë rritën

Mbi pemën e tyre
Vështirë të frutojë vera arbërore
Për një kthim të mbarë

Oh, ç`më frikëson kjo stinë e udhëve
Pemën tonë do të na e lë pa fruta

Edhe ato pak, na i mblodhën të tjerët

       Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DIELL KA EDHE PËR MUA

Me shekuj m’i bëri roje qiellit
Që të mos shndriste dielli
Korbëzeza e veriut

Me natë deshi të ma verbojë harrimin
Që të mos ia njihnim rrezet dritës
Natëzeza e veriut

Mbi bimën time të lashtë sa toka
Me shpatë m’i krasiti filiza e pipa
Po rrënja s`u tha, se s`u tha

Një ditë, bima e lashtë doli nga errësira
Tani, frutë i saj puthet me diellin

                 Prizren, 2001

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NJË URTI E MOÇME

Një urti të moçme e nxora
nga poqë e mendimit
Ta ushqej frymëzimin e ri

"Guri i rëndë peshon,
në dheun e vet"

Dhe me çekanin e fjalës
T’i bie në kokë
Këtij ikje-harrimi

       2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DERI NË DITËN E KTHIMEVE

Deri tek ajo dita e mbarë
M’i duhet durim mendimit
Dhimbje fjalës

Pritja e saj le të digjet mallit
Kthimi le të presë diku ndër fllade
Duke kënduar këngët e dhimbjes
Për mungesën tonë

Do t’i rritet kullës floku
Shami e nënës do të jetë e qullur
E zjarri në vatër do të jetë shuar
Edhe shumë këngë pa ne
Do të jenë kënduar

Deri në ditën e bardhë

       Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VJESHTA PARA KOHE PO
ZBRET NË ALPE

Mbi kokën e mallit
Ka filluar të bjerë borë
Mosha e udhëve po plaket

Tek i bënë roje udhëve
Vjeshta po zverdhet para kohe
Si t’i priten udhët stinës

E parakohshme kjo bardhësi
Me bardhësinë e alpeve po zbret
Një nga një mbi kokën e mallit

Vjeshta para kohe po vjen!

           Zvicër, 2013

 

 

 

 

VERDHËSI NËPËR MALL

Trastën e mendimit ç`ma rënduan udhët
Çfarë t’i jap muzës në këtë arrati
Malli m’i djeg fjalët plot shkrumb i kam buzët
Me këtë verdhësi kohe tani mik dhe ti

Muzat e mendimit më digjen zjarrmisë
Dhe mallit diku larg verdhësi ka harbuar
Në luftë me udhët dhe kësaj arratie
Dhe kjo verdhësi jotja sa më ka rënduar

Zjarrmi m’i jep rimave ky i djegshmi mall
Dhe këto udhët tona që s`gjetën pendim
Kjo verdhësi e mjerë atdheut që ka rënë

Ah ti mik i dashur ç`ma shtove këtë pikëllim


Mbi strajcën e udhëve malli sa shkrumbon
Dhe hijet e udhëve na e zverdhin mendimin
Dhe kjo varfëri mbi atdhe rëndon
Çfarë t’i marrim udhëve ta djegim këtë zvetënim

Dhe ikja e udhët mes fjalës më ranë
Ç`m’u rëndua dhimbja plaga më rëndoi
Dhe kjo verdhësi kohe mbi atdheun amë
Brishtësi e saj vargun ma zverdhoi

                   Zvicër, 2013

KU T’I GJEJ VEND FJALËS

Ditë për ditë mendimin e marr me të mirë
Të më shkëlqejë në varg dritë e mirësi
Sa t’i jap qiellin e lëshoj të lirë
Në dritën e fjalës harbon kjo zymtësi

Mbi qiell të atdheut nisen e flatrojnë
Të mbushullojnë shpresë dritë kësaj bardhësi
Verdhësi e ligësi rimat m’i torturojnë
Dhe m’i lidhin muzat me këto padrejtësi

Gjëmë m’i bie vargut dhe kjo kohë plot halle
Mbi frontin e popullit dhe lojëra plot hile
Ç`faj na ka koha mos ne po bëjmë faje
Mbi kulturë të fjalës goja po më lidhet

Kot i bie daltës fjalës me të mirë
Dhe kopshte me lule më kot i premtoj
Këto ligësi kohe m’i vrasin çdo dëshirë
Ku t’i strehoj vargjet nga e liga t’i çliroj

Lirisë së mendimit këto lojëra plot hile
Kot trimëroj fjalën i premtoj liri
Mbi kobin e krimit luhet lojë plot hile
Ku t’i gjej vend fjalës në këto padrejtësi

Me shpresën për dritën dhe vargun s’e ndal
Frymëzimi rebel s`ndalet proteston
T’i prangojmë padrejtësitë jo të bardhën fjalë
Dhe fjala në varg kokëlartë militon



 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ÇASTE PA FRYMËZIM

Me çfarë t’i përhyjnoj vargjet
Kësaj alkimie të udhëve
Kur fjala digjet mallit

Brishtësi e zvetënuar e mendimit
Muzat m’i djeg para kohe

U djegsh dhe t’i çast monoton
I kësaj të shtune të vonë alpine
Që s`na freskove në fjalë

               2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MELANKOLIA

Të shkuarën e lëvarë në prag të shtëpisë
Dhe ika me udhët diku nëpër mall
S`dija se braktisja ditët e lumturisë
Këto ikje mbushur mashtrim e përrallë
Ndaj sot digjem shesheve të melankolisë

Na ishin ato mote, mote të lumturisë
Sot kot i kërkoj diku nëpër mall
Mbeti e kaluara mbëltim nostalgjisë
Të mira m’i vodhën udhët një nga një me radhë
Ndaj sot digjem shesheve të melankolisë

Plot mall më pret vatra pragu i shtëpisë
Kthimet edhe mbathcat nën sqetull dhe këtë mall
Ndoshta do të kthehen ditët e lumturisë
Kësaj ikje udhët do të mbeten përrallë
S`dua të jem preh e melankolisë

                       Zvicër, 2013

 

 

 

NA HODHËN PËRTEJ ATDHEUT

 

Në binarët e trenit të ikjeve i varëm shpresat

Që e nesërmja të mos na gjejë pa bukë në sofër

Me se t’i ushqejmë zogjtë e së ardhmes

Kur zot i tokës sonë ishte bërë ardhacaku

 

Arën tonë e korrte xhandari i veriut

As edhe qiranë e tokës s`na e jepte

 

Me pushkë i ruante sheshet

Që rrezja e diellit mos të zbriste në tokë

 

Ëndrrat na i vriste me natën e na i vajtonte ditën

Herë-herë edhe nga një pushkë te koka na e linte

Për ta dëshmuar para botës emrin e ri

 

Nëpër teh shpate e grykë tytash e përbiruam jetën

Që të mos na hante mishi hekur, morëm dhe udhët në sy

Që dritën e së nesërmes ta ruanim ndër breza

 

Na hodhën dhe përtej atdheut

Që lulet e mendimit të lirë mos të rriteshin

 

E shihni pse kaq larg jush u treta

E udhëve të mallit përjetësisht mbeta

 

                                         Tetor, 2011

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ASNJËHERË I HARRUAR      

 

Asnjëherë se ndjej

Veten i harruar

Pavarësisht se udhët

Më vodhën gjeografive

 

Ato veç sa

Më kanë hapur shtigjet

Për ta gjetur myhyrin

E etjes sonë

 

Asnjëherë se ndjej

Veten të harruar

 

Kthimet një ditë

Do t’i mbathin mbathcat

E do të kthehen atje

 

             2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

GJETHET E MALLIT

 

Një nga një pikojnë

Ecjes çasteve

Nëpër udhët e globit

 

Rrëfanën e mendimit

I djeg flakë e mallit

 

Përpara rënieve

Zverdhen largësive

 

Pritjet vijnë të trishta

Pemës së udhëve

Largësitë tallen me shpresën

 

E pikëlojnë një nga një

Nëpër vjeshtën e largësive

 

     Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

RREZE DRITE PËR TË TJERËT

Do ta mëkoj me urtinë e shpresës fjalën e pathënë
Që të mos më bëhet zemrake nëpër kohë
Përballë furtunave dhe ligësive

Urti e saj të m’i flasë mendimit të mirë
E të m’i zvetënojë të ligat e kohës përballë

Bukuri e saj të na i prijë ndër mote këngëve të jetës
Që të mos na përpijë e liga, që ndonjëherë na i pushton hapësirat

Oh ç`sakrificë kërkon ky art i fjalës dhe ky emër imi
Të kesh shpirt poeti t’i duhet të jesh gjithmonë rreze dielli
Ti, brenda zjarrit të vetvetes

                             2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NJË SHKËNDIJË E RE

Një shkëndijë e re m’i ra mendimit
E m’u ndezën vargjet një nga një
Medet ç`mall ra mbi lirikën e fjalës

Kot e marr me të mirë e kot i flas me të butë
Shkrumbi i saj m’i dogji kullat e ngacmimit të muzës
Fjala u tha ende pa kaluar pragjet e mendimit

Ku ta shuaj zjarrin e fjalës
Kur asnjë pikë ujë atdheu nuk kam këtu në alpe
Zot, ç` mallkim!...


                   Buchs, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SOT S`PO MË NDAHET KY MENDIM

Assesi sot të dal nga ky mendim
Ikje udhë vetmi kohe dhe ky mall
Është kjo mallkim apo plagë e fisit tonë

Shtizave tona po e bartim flamurin e mashtrimit
Kot marshojmë betejave tona të humbura
Nëpër horizontet e botës

Dhe ne ushtarët e mallit enkas të praruar vetë
Sillemi e pështillemi rreth lamës së mallkim-harrimit
Me shpresën se nesër do të lindë një ditë e mirë

Assesi sot të dal nga ky mendim
Ka filluar me të madhe të m’i vrasë
Edhe ushtarët e muzës sime të mendimit

             Zvicër, 2013


 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ME SHPRESËN E KTHIMEVE

Në sheshin e fjalës e kam vënë mendimin
Që të shpalos plagën e udhëve
Në të pathënat për to

Që të mëkoj dhimbjet e kolonave të mallit
Me balsamin e bukurisë së saj në varg
Ti mbushulloj shpresat e së nesërmes

Pipave të saj qel mendimi i mirë
Dhe pranverat e vargjeve aromë shprese
Nëpër kthimet që një ditë do të vijnë

U rritsh mendimi i mirë
Në diellin e atdheut, në sheshin e fjalës

               Zvicër, 2013


 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PA DIL DHE NJËHERË NGA KY MALL

Mbi supet e tua rëndon barrë e mallit
Dhe këto ikje plot mallkim
E ti i mbytur në alkiminë e udhëve

Silli njëherë mendimit të kthimeve
Ëndrrat e ditëve të tua nostalgji flenë atje
Pranë etjes sate pranë mallit

Ato flladiten nën hijet e kujtimeve të tua
E ti je mbytur kësaj vetmie alpine

Pa dil dhe njëherë nga ky mall
E ikjet e tua lëvar në binarët e kthimeve
Mos të të mbulojë bari i harrimit

               2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

TI MBETE UDHË SE UDHË

Nëpër alkiminë e udhëve nuk ka tok të shenjtë
Mashtrimi është maja e të gjitha lakmive
Dhe ti me lutjet e tua kah malli

Kot m’i përkulesh pendimit
Njëmijë herë të kam thënë përpara nisjes
Kujto urtinë...

Tani më vajti vonë, tepër vonë
Dekadat kanë rënduar mbi ty e ikjet e tua
Ti mbete udhë se udhë

                 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SI TA FRESKOJ FJALËN

Frazave të fjalës përvëlon malli
Mbi varg kanë rënduar udhët
Me ç`ta ushqej muzën e mendimit

Kur hija e udhëve s`m’i ndahet fjalës
E alkiminë e mendimit e djeg malli

Kot i marr me të mirë muzat e mendimit
E kot i ngroh me shkëlqimin e rrezes së shpresës
Kthimet kanë zënë në thua e s’po vijnë

Me ç`ta flladisim ballin e mendimit
Që ta freskoj fjalën

             2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SOT RA DHE NJË GJETHE
NGA DEGË E THYER E FISIT

Sot dhe një gjethe e zverdhur
ra nga degë e thyer
Iku bashkë me vjeshtën e vonë
Përtej alpeve

E kishin mashtruar udhët
Në arkivolin e kthimeve
Ia mbyllën ëndrrat, lakmitë dhe udhët
Dhe i dhanë udhëkthimet

Atje ndër lisa e quan
Ku ia ruante amaneti emrin
Dhe guri

           2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DERI KUR

E madhe kjo plaga jonë e fisit
Me shekuj s’po gjen shërim
Mbetëm zogj në arrati

Murtajë e saj na i faroi kullat
As cicërimë e zogjve më s`dëgjohet
Medet ç`kob

Pema jonë vetë krasitet përditë
Lisi ynë mbeti pa degë
Ia vodhi gjeografi e ikjes

Deri kur?

         Zvicër, 2013



 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NJË KANDIL M’I DUHET MENDIMIT

Nga këto mijëra udhë dekadave
Kthej kokën e ikjeve të mashtruar mbrapa
Shpresën e kthimeve ta ushqej

Një kandil m’i duhet mendimit
Nga netët e udhëve
Të m’i ndriçojë kthimet

Medet ç`zjarrmi
Këtij udhëtimi
plot mall

               2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

QIELLIN MBI ÇATI TA TYMOJMË

Kthehuni ta pimë ujin te kroi i dëshirave
Ku zotat e dashurisë i kanë freskuar shekujt
N`ato fllade Sharri

Ta çmallim dhimbjen e përmallimit
Nën gurra të Vërrinit
Ta shuajmë etjen e udhëve

E nëpër kthimet tona
T’i harrojmë ikjeudhët
Tek gëzojmë në kullë

Qiellin mbi çati ta tymojmë

               2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NË DASMËN E KTHIMEVE TONA

MOS NA HARRONI

Në dasmën e kthimeve mos harroni të na ftoni
Me tupan t’i mbushullojmë bjeshkët
E vallen e bashkimit ta djegim avull

Mos harroni të na i këndoni këngët e udhëve tona
Mungesën që na dogji arratisë
Me notat e pentagramit të mallit pa ne

Pa le të gëzojë fusha mali e kulla
Për filiza e pipa tek ia zbukurojmë pranverat
Në vallen e kthimeve

Le t’i ndezim kandilat e lumturisë
Dhe brenda asaj nate plot dritë
Kullat t’i gumëzhijmë në festë

Mbi qiellin e atdheut të jehojnë kthimet


                 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

SOT GËZOJMË SË BASHKU

Me pranverat e këngëve të mia
T’i kamë gjelbëruar sheshet
Si një kopshtar i mirë stinës së re

Të të shkëlqejë bukuria jote
Ditëve të bardha të nusërisë sate
Të veshur me vellon e bardhë

Të t’i zbukuroj shekujt e dhimbjeve
Dhe terrin e robërisë sate
Që verbuar të ka

Sot ti je zonjë e lirë
Dhe mbi fjalën time dielli ka rënë
Sa bukur ia themi këngës për dasmën e madhe

Flamurin e fjalës e valëvit të lirë
Nën qiellin tënd të bardhë
Dhe gëzojmë ditëve të tua plot dritë

             Prizren, 2012

 

 

 

 

 

DHIMBJE, VARG E MALL

1.

Nëpër gjeografitë e botës i vizatuam ikjet
Farën e harrimit e mbollëm kullave
Bimës sonë ia krasitëm degët

Fara jonë mbjellë gjithandej
Ka marrë ngjyrat e udhëve

Shtegtarë me fole e pa të
Dhe strajcat mbi shpinë
Zot! ç`mallkim dega ime e fisit

Me çka të ta zbukuroj ikjen
Si të ta flladis ballin e mallit
Kur atdheun s’e kam marrë me vete

Ti mbetesh përherë dhimbje e trazuar
Kolona ime, degë e thyer...

2.

Nga kjo gjeografi e udhëve bota po tkurret
Mijëra plagë i kanë rënë ikjes
Mbi kolonën e harrimit

Melhemin e shërimit kund s’e gjetën
Ikjeve të tua, fisi im

Pushtuan gjithë qoshet e botës
Alkimi e mallit i ndoqi gjithandej
S`gjet as fllad as hije për të

Oh, si të dalim nga ky mallkim
Kur harrimi na i verboi ditët tona
O lisi im plot degë, fisi im në arrati

3.

Kemi filluar ta këndojmë këngën e harrimit
Buzët na përdridhen germave të Manastirit

Besa edhe të belbëzojmë jemi mësuar
Duke puthur lakmitë e botës me buzët tona

Nuk e paskam ditur se jemi kaq lakmitarë
E maskohemi pas fanatizmit kozmetik

Ka filluar të më dhemb shpirti e të rebelohem
Të më falni ju gjaku im edhe ky varg plot plagë
Se po më dhemb shpirti e zemra po më qahet

Kah i shoh zogjtë arbrit tek më këndojnë këngën e huaj
Këtyre udhëve plot mallkim e harrim
...
                                         Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

KTHEHU ATJE KU TË
PRET EMRI

Udhëve të tua plot harrim
Anatemë malli verbon
Kësaj ikjelarg

Ti kot digjesh kësaj alkimie

Një strajcë mbi shpinë
Dhe udhët e tua

***

Kthehu atje ku emri të pret
Dhe nëna me lot në sy
Atje prehen ëndrrat e tua

Kthehu atje
Ku këngë jote ka jehonë
Se zjarri në vatër po të shuhet

Kthehu sa s`të ka djegur
Flakëharrimi

***

Nëpër ecjen tënde janë shtruar udhët e botës
Ti je bërë shtegtar nëpër gjeografi
Kujdes mashtrimit të lakmive

Myhyrin s`ke për ta gjetur askund
Kot kërkon Cyrich, Paris, Berlin, Londër, Wash....
Ai fshihet atje te vatra jote

Kthehu atje ku të ngrohë dielli i lumturisë
Ku kënga dhe dhimbja kanë një emër
Se mbete emër fikur
Këtij terrharrimi

***

Ti kujton se e ke gjetur diellin
Shtegtar i përjetshëm mbete
Zog pa fole

Krahëve të tu të plagosur
Lëvaren udhët
Ti udhëtar i harruar

Në kërkim të folesë më të mirë
Ke humbur tënden atë strofullin e ngrohtë
Plot dashuri
Diellin s`ke për ta zënë kurrë
Netët e udhëve, verbuar të kanë
Ti shtegtar i mashtruar

***

Kërkon t’i kapësh të mirat e botës
Mos u bën pre e lakmive
Një dit dy duar dhe një gur me vete

Lakmia e tepërt vret
Aq më keq shpirtin
Ti kujton se ke kapur lumturinë

Ti mbetesh lakmitar i mashtruar
Alkimisë së udhëve

***

Kthehu atje
Ku krisma e emrit tënd jehon malet
Mbushullon kullën e këndon te vatra

Kthehu atje
T’ia fshish lotin e nënës
Me shaminë e kthimeve

Kthehu atje
Ku hëna t’i ruan ëndrrat
E dielli t’i ngrohë ditët e bardha
Kthehu...

       Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PRIZRENIT
 
Dritat mos i shuaj sonte
Portat lëri hapur dhe dritaret
Se po ta nis mallin tim nga alpet
 
Sofrën lëre shtruar sonte
Dhe bukën e kripën mbi
Dallëndyshe e uritur po të vij
 
Dhe krojet mos i ndal sonte
Le të rrjedhin me freskinë e Sharrit
Këtij malli të hasdisur t’ia shuaj etjen
 
Portën lëre hapur dhe pritmë kësaj nate
Dritat mos i shuaj shesheve
Se mallin për sonte po ta nis nga alpet
 
                      Zvicër, 1 korrik 2009

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VARGUT MË PIKON MALL
 
Metaforat më digjen zjarrmisë së udhëve
Mes stihive gjeografike të botës
Vargut më pikon mall
 
Me se t’i freskoj rimat
Rrjedhës së tyre mote të zjarrmishme
Zverdhin ikjet
 
Digjen shkronjat mbi eter
Për pak fllad atdheu
Vargut më pikon mall
 
Si ta shuaj etjen e tyre
Kësaj thatësie përcëlluese të alpeve
Kur mungon fjala shqipe
Të paktën ta ushqej vargun
Pa qoftë edhe për një këngë arbërore
Vargut më pikon mall
 
                Zvicër, 2009

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PASDITE NË BAR

 

Fillim maji na gjeti në Bar

Tek po e ngrohnin agun pranveror

E kah po i nisnim ëndrrat përtej detit

 

Me shpinën e ngarkuar plot mall

dhe dëshirat e mbushura në valixhe

Po i ktheheshim atdheut

 

Ëndrrat moti kanë ikur

përtej zemrës së atdheut

Morina na pret krahëhapur

 

Kosova na pret zemërhapur

 

   Në qytetin Bar të Italisë, 2 maj 2009

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MBI DASHURINË TIME HARBOJNË FURTUNAT

 

Të moçme e të sotshme njësoj

Stihitë e tyre plot kob

Mbi dashurinë time harbojnë furtunat

 

Etja e tyre rrëzon dhe lisa

Barbarinë e shkruajnë me zjarr e skafandër

Diellit ia vrasin rrezet

 

Kobin na e mbjellin kullave

Hirit të tyre e shkruajnë biografinë

Mbi dashurinë time sërish harbojnë furtunat

 

Zogu im kryelartë, me emërimin siç di ti

Shkul nga kjo të etjet e moçme e të reja

Përtej veriut të zi

 

                            Kosovë, 1999

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MBI DEGËT E TUA PËRPLASEN RRUFETË

 

Stihitë e moçme e të reja përplasen

Lisit të copëtuar moteve pa arbitër

Degë të tua përplasen rrufetë

 

Djeg e shkreton pipa e gjethe

Me zjarr e flakë shkreton barbarisht

Trungut tënd të copëtuar

 

Kërkon harrimin tënd

Emrin të ta shuajë

 

E ti lisi i qëndresës

Mblidh degët gjithandej shpërndarë

Mbahu përballë rrufeve

 

Ushqe rrënjët e tua me fuqinë e diellit

Që filiza e pipa mos t’i thyejë furtuna

 

                  Prizren, 2009

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

NË LINDJE ENDE S'PO LIND DIELLI

 

Rrëzë Sharrit shtatit të Iliridës

Nata shekullore ka lëshuar shtat

Në lindje ende s`po lind dielli

 

Territ të saj nata verbon

Ligësi ndjell mallkim kullave të Iliridës

Në lindje ende s`po lind Dielli

 

Zgjohu shqipja ime zgjo dhe zogjtë e tu nga gjumi

Kërko rrezen e diellit kërko dritën

Thyeja qafën korbave mbi qiellin tënd

E ngroh zogjtë e tu me rreze lirie

Ngrohi me fuqinë e diellit

 

Në lindje ende s`po lind dielli

 

                       Tetovë, 2004

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MOTET E MALLIT

 

Motet i dogjëm

Gjeografive të mallit diku larg

Derisa i ushqejmë shpresat

Se pritja na pret kthimin

 

Herë i ushqejmë shpresat me kthime

Herë i djegim ato tek na harron harrimi

 

Ikjet na morën me lot

Lumë u bënë udhët

 

Se na dogji malli

Moteve të arratisë

Ngarkuar strajcës së mërgimit

 

I huaj mes të huajve

 

  Zvicër, 2002

 

 

 

 

 

 

 

 

INTERMECO PËR IKJEN

 

I njomë shumë i njomë isha

Kur dita iu bë dallëndyshe qiellit

E fluturoi në sfondin e lartësive alpike

 

I ri, shumë i ri kur ikja u bë udhë

E gjeografive të botës

Malli u bë zjarr

 

Pritjen e mbyti zjarrmia

Në trastën e mbushur shpresë

 

Thinjave të saj

Mosha i numëron ikjet udhët

Mbathcat që i kanë harruar kthimet

 

             Zvicër, 1 korrik 2009

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MBI DEGËN E THYER KAN RËNË KORBAT

 

Mbi degën e thyer kanë rënë korbat

Harbojnë përmbi pipa me krrokamë karpatesh

Ah, lisi im i moçëm Dardan

 

Krrokamës së tyre e zezë bëhet dita

Natën sythave të tu verbojnë

E gjethet shkëputen një nga një plot dhimbje

 

Lotit tënd plot shkrumb dhimbja rrjedh trungut

Qëndro dega ime e thyer - Preshevë

 

                     Prizren, 2003

 

KTHIMI I MËRGIMTARËVE NË MALËSI

 

 

Po kthehen shpendët shtegtarë zogjtë      

e shqiponjës

Sy përmalluar e plot dashuri

Kanë sjellë nga larg në Vërri

 

Shëndosh e mirë si molla zemërbardhë

Mbëltoj si bleta pranë zgjoit të vet

Vërrinit i japin jetë

 

Çmallin mallin e moteve në largësi

Shërojnë ëndrrat e moteve në vetmi

Freskojnë zjarrin e ballit flladeve në Vërri

 

Mbushullojnë dhe kullat e bardha arbërore

Bjeshkët gjëmojnë në zurla e tupan

Plot dasma, Vërrini shtohet prore

 

Sa bukur gumëzhijnë dhe kullat

Katundet plot jetë e gjallëri

Sjell me vete, kthimi i mërgimtarëve    

                     në Vërri

 

***

 

Dhe kur i marrin udhët, ikin nga kanë ardhur

Në Vërri zbehet jeta kullat mbyten në mall

 

                             Gusht, 2001

 

 

 

 

S`DUA TË VDES UDHËVE

 

Vdekjen s’dua ta bëj këtu

I harruar edhe ashtu jam

Kthimi në atdhe më pret

 

Jam vonuar tepër ikjeve

Harruar i kam motet e arratisë

Shpresën e ushqej përditë me kthime

 

Rënduar më kanë dekadat

Malli djegur m’i ka udhët

Mik i dashur, kthimi ende s’po më gjen

 

***

 

Ushqyer i kam motet plot me shpresa

ëndrrat i çlodh në atdhe

Në pritje të ditës së madhe i çlodh kthimet

 

Ti ditë e bardhë

merrmi të paktën kthimet e mbathcave

Më kthe atje ku prehen zotat e dashurisë

Pranë kullave pranë lisave

Me ujë Sharri ma shuaj etjen

diku në Vërri

 

***

 

Vonesa më trishton

Këtu jeta s’ka bukuri

Përshkimi i saj digjet në mall

 

Mbi emrin tonë atje

Ka mbuluar myshku i largësisë

 

Me ne gjithçka digjet mallit

 

Këtu as vdekjen s’e pranoj

 

***

 

Dhe nëse më merr para kohe

Varr nuk dua këtu

Pranë dashurisë

Pranë emrit të më ktheni

Në hije lisash

Një gur Vërrini pranë

Që kujtimin për mua

Ta shpalosë emri

 

2000

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ASSESI TË DAL NGA KY PIKËLLIM

Me këngën e vrarë nëpër udhë
Kam ngritur një mal me mall
Dhe assesi nuk mund ta përkul
Këtë ikje që dritën ma ka ndalur

Pikëllimi i ikjeve na verboi qiellin
Na la diku në mallin harruar
Na e vrau dhe dritën e na e zuri diellin
E ne mbetëm mallit të verbuar

E nesërmja si do të na gjejë
Gjithsesi diku i harruar
Mes mallit po se po këtej
Udhëve diku i mërguar

     Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MOSHË E UDHË PA FJALË

Mbi kokën e mallit po bie borë
Motet po shkrihen flluska zjarrmisë
Udhët e arratisë numërojnë dekadat
Medet ç'mallkim mbi harrim

Etja e fjalës shkrumbon në buzë
Çaste pa fjalë melankolisë
Ç`t’i japë kohës të ngacmojë këtë muzë
Kur udhët mbetën arratisë

Po plaken udhët malli në fjalë
Rëndon dhe ikja plot zjarrmi
Ç't’i jap vargut udhëve ç`t’u marr
Ma vrau moshën, po edhe vargun kjo arrati

         Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

ASGJË S`U MBETI UDHËVE

Asgjë më e bukur s’i mbeti kësaj udhe
E zhveshi nga degët etja për kthim
Mallkimit të tyre malli përvëluar
Ç`na dogjën këto udhë, e ky balli im

Mbi gjethet e saj motet plot zvetënim
Zbriti kobëharrimit një shëmti e vjetër
Shkarkoi mallkimit të reja arrati
Mbi qiellin e saj s`ka më stinë tjetër

Çfarë t’i marrim udhëve kthimit çka t’i japim
Na i morën të gjitha fillikat na lanë
Lum kush u bë zog, kthimet kush i kapi
Ndryshe udhët tona diellin na e kanë nxënë

Mos o Zot! mendimit të na i marrë koka erë
T’u dorëzohemi udhëve deri në amshim
Mbi përjetësinë tënde as gurë mos të ketë
Përmbi ikjen tënde mallkim e harrim

             Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PIKËLLIM

Një gjethe e njomë stinës i ra në tokë
Sa dhimbshëm trupin tokës e shtroi
E mori vesë e mëngjesit përpara kohe
Sa pikëlluar syri i degës lotoi

Një lajm që erdhi nga diku larg
Sa dhimbshëm ra e më pikëlloi
Një mësues që e njihja një shpirtartë
Në moshë të re iku e shkoi

Një heshtje pranë plot pikëllim ra
Një lot në sy më rëndoi qerpikun
Dhe dega pranë pikoi pa pra
Ti qaj për gjethin e unë për mikun

       Zvicër, 2012

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MOTE PARAZITËSH

Brishtësi motesh, zvetënim mbi qiell
Mbi ne, parazit sheshesh, zyrash, kafenesh
Përplot, gjithë ditën bluan mendimin, tehun
E briskut ku ta rrjepin, medet ç`lëkurë të butë
Kjo shpina e popullit, lum për ta, rrjepin e rruajnë
Për së thati zhbirojnë, kurthe u pjell mendimi, gojëplot
Llafazan, parajsën ta zbresin në tokë, yllin tënd
Ta ndezin në pik të ditës, medet ç`filozofi e kopalla
Për mizat e sokakut, lum ai që ia merr vesh artin e
Mendimit dhe hapin e tyre lakmitar, artin e mbijetesës
E kishin mësuar nga ushejzat, e këngën e mashtrimit
Nga gjysh e baballarë, medet ç'sharlatanë...

     2013

 

 

 

 

 

 

 

DRITA E FJALËS

E kërkuan nëpër terrin
E moteve shekullore
Me fanar në dorë
Ia ndriçuan natën
Që të mos e verbonin
Motet e harrimeve

Yllin e saj ia kërkuan
Nëpër qiellin e vrarë
Të na i ndriçonte vizionit
Të së nesërmeve
Të bardha

Me shekuj ia vranë diellin
Po rrezet e shkëlqimit
S`ia shuan se s`ia shuan

E gjetën në mendjen e poetit
Tek po i gatuante mendimet
E dritës për të nesërmen

       2010

 

 

 

 

 

 

GRIGJAT E FJALËS

Thinjave të vargut ta lexoj
Pjekurinë e moshës
Ti kot më flet
Për filozofikun e mendimit

Nëpër pemën e fjalëve të tua
Ti shoh frutat
Që s`do të të piqen kurrë
Kot përpiqesh t’i mbulosh
Me gjethe vargjesh

Kjo pema e fjalës seç ka një gjen
O shartohet e piqet në kohë
O po e zuri bryma e vjeshtës
Vaj halli për vargjet

Dikush, kot i bie me daltën e fjalës
Drurit të thatë të mendimit

Jo gjithkush vdes
Për artin e bukur të fjalës

               2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

FJALË E PATHËNË

Rreth  teje zdirgjet zukamë e mendimeve
Nën kapakun e vorbullës ku muza gurgullon
Avullon etja e zjarrmisë sate

Në kullën e saj ulen pleqnarët e botës
Vlerësojnë çastin dhe vendin
Ku duhet ta ulin shkëlqimin e saj

Ajo s`duhet të ulet kudo
I duhet gjetur vendi dhe kuvendi

Pemës së saj kur i mungon pjekuria
Tharti e saj të helmon
Thyen edhe koka në kuvende
Shkurton dhe gjuhë

Heshtje e saj
Shpesh i ngjason ngjyrës së arit

         Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

FLETËT E MALLIT

I morëm me vete kujtimet
Si fletët e një ditari në korniza
Dhe tek bredhim udhëve harruar
Të na i ruajnë të freskëta kujtimet

Dhe sa herë të na mbytë hiri i harrimit
A të na përvëlojë zjarrmi e mallit
Me flladin e hijeve të tyre
I flladisim ikjet tona mallkimit

E nëpër shkëlqimin e tyre
I ndriçojmë udhët tona
Për yllin që na pret diku

Dhe tek i shpalosim ato
Si pajën e nuses nga arka e rojës
Me aromën e tyre i freskojmë këngët
Për kthimet që po na presin diku
Dhe i këndojmë mëmëdheut
Këngën e shpresës
Të na e ruajnë të freskët

         2013

VARGJE PËR VETEN

Ti çdo ditë digjesh nëpër zjarrin e fjalës
E me kandilin e shpirtit tënd
Përpiqesh të na i ndriçosh ecjes tonë

Pishtari yt i muzës na zbukuron në fjalë
Na i ndriçon këngët e pakëndueme

Të të nesërmeve të bardha


Ti mbete kandil i pashuar i muzës së mendimit
Të na i ndriçon ecjes sonë nëpër shekuj
Me dritën e shpirtit tënd të ndezur

Me ajkën e shpirtit të mendimit
Na e zbukuron fjalën
Këngët na i mbushullon

Ai mishërimi i shpirtit tënd me fjalën
Na i jep gjak mendimit
Frymë shpirtit të lodhur nëpër shekuj

Krojet e burimeve të tua të pashtershme
Mbushullojnë liqenet e fjalës
E pinë ujë kolonat e etshme të dritës së mendimit

Ti mbete se mbete kandil i pashuar
I muzës së mendimit për të nesërmet

Me ç`të të përhyjnoj ty
Që digjesh netëve të tëra pa gjumë
Për mëngjeset tona të bardha

                

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MALL E FRYMËZIM

Me flirtin e dashurisë sate
I kam mbushulluar muzat e frymëzimit

Që të mos i zbehen fletëzat e fjalës
Motet e ikjeve pa arbitër

Që të m’i ruajnë të freskëta ato
Nëpër shpresat e kthimit

Që në kthimet e saj me ylberet e mallit
Të mos i zbehin udhët e arratisë

Ti ma ushqen shpirtin e fjalës
Etjeve të mia nëpër mall

             Zvicër, 2012

 

 

 

 

 

 

 

NËNËLOKET NË DJEPA NA E RRITËN MENDIMIN

Nënëloket në djepa na e rritën mendimin
Me lulen e bukur atë të lirisë
Na e mësuan fjalën atë të çlirimit
Me gjuhën e këngës atë të frëngjisë

Nëpër rritët tona këngës i dhanë udhë
Të na rritet e bardhë etja për liri
Nën diellin e nxënë që s`na ngrohu kurrë
Ta kërkojmë rrezen gjithmonë në trimëri

Në kullën e mendimit na e ngrohën guximin
Qe hija e frikës të mos na e shuajë ndër shekuj
Nëpër rritën tonë na e kalitën betimin
Si t’i mbrojmë vatrat ta duam atdheun

E ruajtëm të freskët të mos na brejnë shekujt
Dhe këngën e tyre kurrë nuk e harruam
I dhamë zjarrit hekur ruajtëm amanetin
Për ditën e bardhë malet mbushulluam

                   Prizren, 1999

 

 

 

 

 

DRITËZAT E MENDIMIT

Ndezur janë ato shteg më shteg
Me zemrën e përvëluar
E shpirtin e bërë flakë

Në shndritjen e errësirës
Nata mos të verbojë

Duke e djegur veten
T’i ndriçojnë fjalës

Dhe duke ndriçuar për të nesërmet
Natës ia thyejnë qerpikun e errësirës

Veten e bënë hi
Duke kërkuar kujtimeve në errësirë
Nga udhët e ikjeve të dhunshme

Le të mbeten ndezur ato
Me ndjenjën e rrezes së diellit
Nëpër kthinat e mendimit

Që fjala e dritës
Mos të vdesë territ të harrimeve

2013

VARGUN PËR DIELLIN E ATDHEUT S’E NDAL

Kam një jetë që e hedh farën e dritës së fjalës
Me dashurinë e amzës së shpirtit mbëltuar e kam
Që t’ju ndriçoi juve nëpër netët e errëta të verbimit
E t’ju mbëltojnë nëpër ditët e hidhura këtij udhëtimi

Me ajkën e mallit fjalën mbështjellë e kam
Që të mos ma vrasë furtunë e udhëve largësinë
As mungesën tuaj që më përvëlon në gji

Këndova edhe atëherë kur s`më këndohej në vargje
Edhe kur na e lidhnin fjalën e praronin pranga
Edhe kur diellin na e nxinin e hënën na e përgjaknin
Që ta ushqenim shpresën e të nesërmeve të bardha

Shpesh ecëm gjoks-hapur nëpër udhën me prita
Edhe atëherë kur fjalës na i zinin pusi e gojës i shkurtonin gjuhën
Se deshëm të përqafoheshim me dritën, e ta kapnim diellin

Ndaj sot faqebardhë rritet kjo pemë e vargut tim
Pavarësisht shtojzovallet i bëjnë hije e ngrijnë prita
Vrulli i guximit është ai i moçmi ndaj si ndalet rrita

Nëpër qiellin e vargut tonë ngrohet dielli i atdheut
Atij që ka nevojë më së shumti për rrezen e dritës

                     Zvicër, 2013

 

 

SHPËRTHIM I DHIMBSHËM NË VARG

S`mësuam se s`mësuam nga mashtrimet e fqinjit
Përherë po na i luan mezhdat në skaj të arës
E po na i ha zogjtë e zogut një nga një

Me dorën tonë ia falim fajet e tij e ia miratojmë me përqafime
Në vend se t’ia vëmë prangat e ta ndëshkojmë për krimet

Kur do të mbushemi mend vallë e ta shohim të zezën në sy
Apo të vërtetës t’i vëmë emrin që vetë e emëruan
Puthja me gjarprin në kohë të pakohë të helmon

Nuk di se deri kur s`do të mbushemi mend
E të bindemi me të zezat e fqinjit të pabesë

Kohë e gjatë na duhet të dalim nga kjo gëzhojë e besimit
Edhe shumë zogj do të na i hajë ky korbi i fqinjit

Po më duket se kjo besa jonë
Po na i gërryen edhe trojet mashtrimit

             Prizren, 2013


 

 

 

 

 

 

 

LISI MBI KODRINË

Diellit rrezen e parë ia grabis
Kur zgjat kokën mbi dhe të na ndriçoië
Aromën e freskisë së mëngjeseve ua thith
Të më mbëltojë dita ime

Pranvera vjen e para më ulet pranë
E më fal bukurinë e hershme të stinës

Qëndresën ma mësuan furtunat e egra
Të moteve të tërbuara mbi mua
Edhe rrufetë që shkarkuan pamëshirëm shekujve

As degët s`m’i rrëzuan ato rrufe të egra
Që ranë mbi lëvozhgën e gjetheve të mia
Tanimë jemi një s`kanë ç`na bëjnë furtunat

Unë rri më vertikalisht mbi trungun tim
Me rrënjët në tokë e shikimin kah qielli
Atje mbi kodrinë në Vërri

                 Malësi e Vërrinit, 2000

 

 

Ç' MË PËRSHPËRIT KËTË ÇAST
NË VESH MALLI

Po të pres buzë Sharri t’ia trazojmë notat këngës
Buzë gurrave t’ia freskojmë ballin kthimeve
E këtë ditë pranvere ta gëzojmë plot jehonë mbi Vërri

Kullave të vendlindjes ta ndezim zjarrin
E ta pjekim misërniken e gatuar nga dora e nënës
Me çerepin e baltës nga dheu i llangave

Eja ta shtrojmë sofrën e ditëve të bardha
E t’i mbëltojmë ato me rrushin e vreshtave të Vërrinit
Të mbledh nga dora e nënës

Atë e verboi mungesa jote dhe pritja
Nëpër shaminë e qullur lotit ia numëroi peshën e udhëve
Të tua nëpër mërgim

Mbi libra ka harbuar pluhuri i harrimit
Dorën që i shfletonte ato ia kanë prangosur udhët
Mezi i presin kthimet

Te dera e kullës merimangat i vizatojnë udhët e tua
E e luajnë në qetësi lojën e shumëzimit

E më pëshpëriti, e më pëshpëriti... shumëçka
Dhe iku e u bë dallëndyshe përtej meje

Më plase o mall, në këto çaste vetmie në alpe

                       Zvicër, 2013

 

 

 

PËR TË NESËRMEN E FJALËS

Nëpër truallin e fjalës kur ta lëshoni hapin e mendimit
Mos rëndoni me peshën e ditëve tuaja të gjykimit
Mbi rrezen e dëshirave tona rënduan retë e moteve të zeza

Tinëzisht ushqyem etjen e mendimit të lirë
Me shpresën e të nesërmeve të bardha qiellit tonë

Edhe atëherë kur mbi diellin tonë nxinte korba
E fjala lidhej prangave nëpër labirintin e harrimit
E për verdhësinë e saj na i jepnin shafran mendimit

Edhe kur dritës sonë të bardhë ia përzienin të kuqen e mendimit
E sharlatanët e moteve faraonike na i bënin magji verbimit
Ngjyrave të saj e rritëm ylberin e besimit

E ruajtëm se e ruajtëm në strofullin e shpresës
E ushqyem me ç`gjetëm e ç'patëm nga e bardhë dritës
I vumë edhe lak në fyt vetes që t’ia mbushnim barkun mendimit
Që fuqi e saj nesër t’i dalë përballë reve të zeza të harrimit

Ndaj, në pasqyrën e saj shikoni me kutin e kohës
Që shkëlqimit në varg t’ia ndjeni dritën e muzës së mendimit

                                         Zvicër, 2013


 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MES UDHËVE

Ikje mendimi, ikje muza mall fjala
Arratia jonë po digjet gjeografisë së harrimit
Etje e përjetshme në krahët e dallëndyshes
Më kërko mes udhëve, as këtu as atje
Jemi bërë ike mes ikjeve të mos na zërë mallkimi
Se shëmti e udhëve na i shteroi këngët
Largësive orë e çast na i fryu me mjegull harrim
Atje në kullën e mallit mbytur shëmtia
Merimangë e shtëpisë na i ruan pragjet
Dhe zjarrin e shuar në vatër
Këtu largësia djeg ballit dhe fjala në varg
Asgjë si shkon këtij udhëtimi
Jemi bërë hije në mes udhë

                 Zvicër, 2007


 

 

 

 

 

NË KTHIMIN TËND

Nëpër poetikën e mallit
Ta shpalos mendimin
Dhe prushin në gji

Zjarrmi e fjalës
M’i jep etje mungesës sate
Medet ç`boshllëk

Rima në varg
M’i trazon motet e dhimbjes
Nëpër pentagramin e etjes sonë

Kënga jote
Është bërë vaj i kullave

Veç kthimi yt
Na i shëron plagët e mallit
E me vargun tënd
I ndërtojmë këngët e jetës
Për të nesërmet e bardha

             2013



 

 

KRIZË PËR MENDIMIN

Mbase kokës sonë po i plaket mendimi
Me kutin e moçëm po e matim të sotmen
Ky tërbim i kohës na e trazon zhgënjimin
Kot i gdhendim librat kot ia mbushim kokën

Mbase këtij tërbimi ka marrë fjala erë
Ç`na zbriti ky ves kohë e politiktë
Pak shfletojmë libra gazeta përherë
Vaj halli për ne dhe juve more mik

Në foltore e gazeta nuk tirret mendimi
Kot e gënjejmë veten kot mashtrojmë të tjerë
Ndaj këtij qiellit tonë ka zbritur tërbimi
Shumëkë e dogji koha i ka marrë koka erë

U mbush koha jonë plot me V-I-A-j-pia
Kot shkruajmë gazeta e kot edhe libra
Besa dhe shumëkë e dogji shizofrenia
Vaj halli për ne e mjerë politika

Mbase gjithë kjo kohë ç`kërkon shërim
Me dritën e fjalës ndriçohet mendimi
Përrallave e llafeve s`kërkohet shpëtim
Ndryshe ecjen tonë do ta zërë mallkimi

                 2010


 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ç`TËRBIM MBI LIRIKË

Dita e sotme assesi s’po hyn në varg
Kot i bie me daltë mendimit e i ngacmoi muzën
Shëmti e saj ia nxiu qiellin e zu diellin
Nga një foltore rrahagjoksët i thurin lavdi vetes
E më tregojnë përralla për mizat e sokakut
Ia përbaltën edhe emrin zogut krahët më ia vranë
Shesheve e qyteteve na i dhanë ngjyrën e verdhë
As bukë e kripë s`na lanë në sofër thatë
Sot edhe vargu m’u zemërua assesi të qetësohet
Ua hidhëruan faraonët e pallateve të rrejshme
Bigbosat e plaçkave të atdheut
Të pangopshmit e të pangopshmëve
Medet ç`tërbim më ra mbi lirikë
E më verboi edhe qiellin e saj

           2010


 


VËRTET KËTO UDHË NA LANË TË HARRUAR

Vërtet pikëllim malli në udhën e mërguar
Ky na ishte fati që ishte ndarë
Udhëve të largësisë vullkan i trazuar
Ballin e shkrumbuar plot zjarrmi në fjalë

Vërtet gjethe malli në degën e thyer
Që s’i jepet tokës në stinën e trazuar
Kandil mes terri netëve të pëlkyera
Në luftë me harrimin me penën në duar

Vërtet udhëtar i udhëve plot etje
Por jo edhe udha ku të mbytë harrimi
Me fjalën kthim mbushullojmë çdo ditë shprese
Gjeografitë e botës s`na e mbollën mashtrimin

Vërtet mall djegur në fjalë e në ballë
Por jo zjarr i shuar ku të mbytë harrimi
Jam ikje e etur që për dritë ka mall
Ndaj këtij mallit tim m’i duhet kthimi

Vërtet ikjes sonë i duhet një kthim
Se këtyre udhëve rehati s`po gjej
Ku shpirti e fjala gjithmonë ka frymëzim
Me këtë vargun tim atje të shkëlqejë

                 Zvicër, 2013

PASTHËNIE

 

UDHËT SI DOMOSDOSHMËRI E LIRISË

 

Kur i rishpalosim faqet e kujtesës në rininë tonë, fillimisht më vjen në fotografi rinia ime e ndrydhur, robëria e atdheut të shtypur nga një çizme e ardhur nga veriu dhe mërgimi i gjatë i babait, pa të cilin u rritë rrita e ime. Këto tri vrragë të jetës, sikur më mundojnë e më përcjellin gjithandej nga eci, për të mos m’u ndarë edhe sot e kësaj dite edhe në varg.

Në Vërrnin e bukur dhe piktoresk të asaj kohe, gjallërisht frymonte jeta. Njeriu i kësaj ane, i përkushtuar punës, natyrës dhe luftës për mbijetesë, nuk linte pëllëmbë pa e punuar. Vreshtat, livadhet, pemët nga më të ndryshmet e natyrës, ishin burim i jetës. Dora e pushtetit nuk ndihej askund në këto anë, pos atëherë kur duhej ndëshkuar dikë apo për të kujtuar se pushteti ekziston, pra për mes organeve të rendit. Megjithatë, edhe ashtu ky pushtet prej dekadave, qysh pas luftës së Dytë Botërore, njihej pushtet i huaj.

Ecim kështu viteve të shtatëdhjeta, kur kërkesat e jetës për njeriun e kësaj ane po rriteshin. Deri në ato kohë, mërgimi në këto anë njihej aty këtu dhe i pjesshëm. Kurbetçinjtë aty-këtu i mungonin vendlindjes, dhe kështu, në të ardhmen vazhdonte.

Si fëmijë, ndeja mungesën e babait të ikur diku në mërgim. Lakmoja shokët e mi, që rriteshin me prindër pranë dhe nën kujdesin e tyre dhe, kjo më bënte gjithmonë ta mallkoja mërgimin. Kohët që rrodhën më vonë, hapën edhe më shumë këtë plagë. Nuk mbeti shtëpi pa u prekur. Mërgimi ra si murtajë duke i marrë djemtë më të mirë Vërrinit e atdheut.

Për mua, i rritur me këtë plagë, tanimë ia njihja dhimbjen. Tashmë, për mua, filluan të hapeshin shtigje të reja të njohurive, sepse fillesat nëpër shkolla dhe njohuritë e para mbi shoqëritë në mërgim, sikur përpara kohës dhe moshës sime po më hapnin tjetër dritë. Kisha dëgjuar për shoqëritë shqiptare në Amerikë, Rumani, Stamboll, e gjetkë. Gjithmonë më preokuponin arsyet e themelimit dhe veprimet e tyre. Për atë kohë, ëndrra m’u dukeshin. Megjithatë, çështja shqiptare, mungesa e lirisë totale në Kosovë, më motivuan t’i qasem përkushtimit me tërë qenien time.


*     *    *

Plaga e ikjeve që kishte rënduar me shekuj mbi popullin tim, tanimë lëshonte shtat edhe mbi mua. Shpresat për ndërtimin e jetës brenda atyre hapësirave të ngushtuara nën okupim, tanimë edhe shkollimi si bënte punë, ndërsa ana tjetër e veprimtarisë sime, si çdo i ri që donte atdheun dhe vepronte në të mirën e tij, ma ngushtonte edhe më tepër lirinë e veprimit tim.

Kështu, pushteti okupator veç i kishte vënë syrin veprimeve të mia dhe disave nga shokët e mi, dhe na duheshin edhe pak ditë për të rënë në dorën e okupatorit. Kishin mbetur dy zgjidhje përpara nesh: o të binim në duar të armiku, për të mos i vyer më as atdheut dhe as vetvetes, ose largimi nga vendi.

Thuajse, të gjithë shokët e mi më kishin preferuar largimin, nën pretekstin e lehtë të largimit “për arsye ekonomike”. Dhe, ashtu ndodhi. Gushti i tetëdhjetetetës, tanimë atë plagën kombëtare të mërgimit, po e lëshonte edhe mbi mua për t’u bërë pjesë e pandashme e jetës sime.

E gjithë kjo vinte si një dhimbje e heshtur, e përlotur dhe plot mall, duke pushtuar poret e jetës sime. Ishim mbi dyzet e pesë të rinj, që asaj kohe iu larguam Malësisë, e disa qindra, Vërrinit, si zonë. Lamë kullat, lamë nënat e motrat plot lot në sy, lamë shkollat, lamë të ardhmen tonë, lëvar diku nostalgjisë për një kthim të shpejtë. Lamë idealin në gjysmë të rrugës, me shpresën për të vazhduar jashtë atdheut, ashtu siç edhe bëmë. E gjithë jeta jonë e deriatëhershme, shkollimi ynë, dija, fuqia dhe gjithçka që kishim marrë brenda vetes deri në atë moshë, po përmbyseshin.

Njohuritë dhe dija jone, iknin diku për t’iu falur një vendi të huaj. Eh, sa plagë po hapeshin brenda nesh në atë kohë. Megjithatë dëshira dhe shpresa për kthimin, na mbante të fortë e na motivonte, për çështjen kombëtare, që në kushte dhe rrethana të reja t’i përkushtohemi me tërë potencialin tonë fizik, material e intelektual. Dhe, vlerësuar në kohë, përpjekja jonë në rrugën e idealizmit, edhe larg atdheut e bëri të vetën. Ndoshta në këtë pikë do t’i jepnim të drejtë vendimit për largim, sepse kontributi ynë nga jashtë ishte më i madh për dhjetë apo njëqind fish më i madh, atje ndoshta kandili ynë mund të ishte shuar shumë shpejt nga dora e okupatorit.


*     *     *


Kapërthimi ynë brenda kaptinave të udhëve hapi horizonte të reja në kërkim të lirisë sonë, sidomos asaj në atdhe. Vetëm në një atdhe të lirë do të mund ta gjenim veten tonë, identitetin dhe peshën e emrit tonë.

Duke u vënë në kërkim të lirisë, doemos se po hapnim horizonte të reja edhe për veten dhe artin e fjalës, i cili në vazhdimësi e ndoqi ecjen tonë. Nga alpet zvicerane ku vepronim, asnjëherë nuk heshtëm, duke e shprehur mendimin tonë edhe përmes artit.

Kontributi dhe koha i solli edhe ndryshimet, në veçanti ato në atdhe, të cilat hapën portat e veprimit dhe shprehjes së lirë, për ta dëshmuar secili veten.

Kështu, kontributi ynë brenda idealizmit, jo që pushoi, por i tëri kalonte brenda pendës dhe artit të fjalës. Jo të gjitha furtunat brenda atdheut kishin pushuar.

Sfidat e reja në atdheun e lirë, herë-herë i sfidonin edhe kthimet tona. Megjithatë, shpresat se dielli i lirisë do të ngrohë edhe më shumë, janë pjesë e pandarë jo vetëm imja, po edhe e të gjithë mërgimtarëve, të cilët, me trup ndodhen larg, e me mendje e shpirt, në zemrën e atdheut.

                                                                                                                            Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gëzim Ajgeraj

Kthimit furtunat m‘i bëjnë prita      

Poezi

110 faqe, 20 cm

Viti i botimit: 2013

Prizren