Gëzim Ajgeraj

 

 

 

 

Etje në fjalë

 

poezi

 

 

 

Revista letrare

METAFORA

Prizren, 2008

 

 


ETJE NË FJALË

Thatësi në fjalë, në shpirt në mungesën tuaj
Silueta të trazuara në kolonën e mallit dhe orën e prishur
I huaj mes të huajve dhe damkën e përbuzjes prapa shpine
Me se ta zbukuroj fjalën, ç`t’i jap vargut, në këtë thatësi alpesh
Ku fjala shkrumbohet buzëve nga zjarrmi e mungesës suaj
Ku kënga digjet thatësisë së mallit, ende pa i vënë notat në
pentagramin e udhëve e shkrihen në lot, e dita bëhet pelin
Mungesës vizatojmë portretin e mallit etjes ledhatojmë ngjyrat
Me tingujt e dhimbjes i i ngushëllojmë vargjet që të mos na i zërë
Harrimi i mallkimit të udhëve në kolonat e ikjes pa arbitër
Himnit të largësive ngrij flamurin e ylbereve të fjalës
Largësitë tek i lidh nëpër jehonën dhe krismën e saj
Që na nxjerr nga harrimi e më kthen atje ndër lisa
Mes dashurisë tuaj mes ëndrrave mes kullave të shkreta
Ku përhyjnojmë ecjet tona e ditës i vëmë një emër
Me netët e vona gëzojmë edhe kupën e qiellit e atdheun
Ku breznive u vëmë ebra burimesh lumenjsh e malesh
E na shtohet kënga jonë nëpër ecjen plot dritë për të nesërmet
Që do të vijnë të bardha si rrezja mbi Sharr
Për Vërrinin ku ruaj këngët e pakënduara të moteve barbare
Dashurinë për lirinë të bërë shkrumb nëpër kulla
Qëndresën nëpër mote dhe besimin për dritën e së nesërmes
Rritën time në kulla e porosinë e plisbardhit pranë oxhaku
Për besën e ruajt ndër shekuj traditën kullës
Ç`t’i jap më shumë vargut në këtë udhëtim alpesh
Kur ikja mbytet zjarrmisë e kolona e mallit më lë vetëm
Pos ngushëllimit se një ditë do mbathim mbathcat e do nisemi
                                          Zvicër, janar 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ETJE NË FJALË

 

 

 

 

 

 

MOTET E ETJES SË MADHE

Na mbyti etja e fjalës e u thamë në mall
Për pak burim vendlindje e këngë atdheu
Ikjes po i zbardhet mendimi koha po i plaket
Udhët kryq e tërthor dhe gjeografi e ikjes
Metropolet Evropa dhe ëndrrat shpresat e vrara
Që s`na u fikën, dhe daullja e harrimit që na ndjek këtë udhëtim
Mik i mirë ti atje mes mallit, m’i këndo bukur mungesës
Ikjes, largësisë, kullave të shkreta, gurit të vetmuar para derës,
Oborreve të gjelbëruara e barishteve lëvjerë teposhtë strehëve
Folmju shqip kullave me gjuhën e fjalës së përmalltë
Ndiz njëherë oxhaqet të na e djegësh mallin
E merr një këngë ndër oda të na e shuajë etjen
Të paktën mungesën time mos ta mbytë bar i harrimit
Mik, ç`mallkim na ka zënë me këtë anatemë mallit
Me se t’i shuajmë etjet kur gurrat shterojnë atdheut
Me se t’i mbushullojmë këngët kur fjala digjet largësive
Kujt t’i flasim shqip a t’ ia themi njëherë vargut
Kur gjithçka e huaj ma zë frymën përreth
E çfarë ujë t’i jap fjalës kur flaka e mallit m’i ka zhuritur muzat
mik i dashur, vaj halli për vargun dhe ne

                                    Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

JU, FRESKIA E VARGUT TIM

Nëpër etjen e mungesës suaj i kam shtjerrë krojet e mallit
Gjithçka u kam falur me fjalën, dashurinë dhe këngët e dritës
Pa çka se mua më vodhën udhët e më tret gjeografive
Frymoj mes jush mes rrjedhës së gjakut tuaj në damarë
Me ju përhyjnojë ditët motet dekadat arratisë sime harrimit
Me këngët tuaja i zbukuroj ditët e dhimbjeve të zjarrmishme
Me fjalën tuaj e freskoj vargun e shkrumbuar nga zhurinë e Alpeve
Edhe kur digjem zjarrmisë mes jush ndër lisa ia freskoj ballin mallit
E me këngën e bilbilit i shëroj kohët e dhimbjeve të mëdha
Në burimet tuaja etjes i jap freski krojeve të Vërrinit në Sharr
S`ju ndaj në varg ju përhyjnoj në fjalë në këngë
Nëpër alikimin e mendimit ju përherë mbeteni rrezja e frymëzimit
Në lutjet e mia për të nesërmet e bardha për dritën diellin
Që dua t`ju ngroh çdo ditë o ju fisi im plotë plagë
Dhe ju më, kujtoni se më mbyti harrimi nëpër kolonën e udhëve
Jo, o jo, ju lartësoj në këngët e mia ju lartësoj në fjalë
Me shkrumbin e kandilit tim dritë dua t’ju fal
Të nesërmeve tua të bardha dritën e fjalës ua fal
Ju dua o ju të uruar ju dua ndaj këngën s’e ndal
Mes jush frymoj çdo ditë në çdo muzë të mendimit
Ju përhyjnoj në këngë ju përhyjnoj në fjalë
Ju më jeni burimi freskia e këngës sime në mall

                          Zvicër, 2013

 

 

 

 

PLAGË NË FJALË

Udhët, gjeografitë plot me ju, hartat, vetëm atdheun në gji dhe ikjet
Ngado e kudo ku bredh ju kam pranë udhëtimit tim dhe tuaj
Prapa jush rrjedh loti, digjet malli dhe kënga e lënë diku në kulla
Jemi bërë kronikë e ikjeve gjaku im i shprishur nëpër botë
Ecim shkrumbit të mallit, nëpër mallkimin e harrimit të huaj kudo
Jemi bërë hije e sokaqeve të fustanshqyerës, ja mbushëm me kopilë portat
Vaj halli për kullat tona të shkreta, zot ç`mallkim na ke vënë mbi shpinë
Nëpër këngët tuaja çdo ditë e shtrydhi ajkën e fjalës e më del lot
Ikjeve tuaja çdo ditë ia shpalos dashurinë, e zjarri i mallit më djeg në ballë
Portave tuaja përditë hyji, më verbojnë merimangat e pritjes së kthimeve
Nëpër ecjen tuaj vizatoj udhët, gjeografia e planetit përditë më zvogëlohet
Ti fisi im i shkapërderdhur, medet ç`dhimbje m’i jep shpirtit
Vargun ma ndizni e lirika tërbohet mallit, me se t’ia shuaj etjen
Zogu im krahëprerë ç`të të jap nga këto udhë malli
Të lartësoj në fjalë, të ushqej në shpresën për kthimet e zogjve të tu
Pranë shtrofullës sate të çarë, të copëtuar nga bishat rreth teje
Zogjve të tu nëpër gjeografinë e udhëve u flas çdo ditë
Me dhembjen e shpirtit, me zjarrin në ballë dritë përpiqem t`ju ofroj
Për një ditë të bardhë, për të nesërmen tënde plot dritë
Të vijmë në sofër ne zogjtë e tu, e të gjithë së bashku
Pranë teje, krahëve t’u gëzohemi për kthimet tona, për ty

                             Zvicër, 2013


 

 

 

ANATEMA E FJALËS SË PËRMALLTË

Fjalë e pathënë, hap portat e shpresës, thuaj
Përtej largësive të përmallta, përtej gjeografive, udhëve
Ndërto shtrofullën e mendimit, ngacmo muzën, atje
Ku zotat e mallit prehen, ku flenë dashuritë, kënga
Ku rrit djepat, ku gëzohen kulla ndër breza, nëna
Përkund nipat si lisa, ka kthehen e zbukurojnë ditët, nuset
Arbërore sa mirë u rrinë për krahu, si flutura oborrit, peshë
Ku të ka emri, rrit mendimi i së nesërmes, dritë
Të ka e thëna, dritë mendimi, kuptimësi ecja, mjaltë
Ku është balta, plot dashuri ku shtrohet kënga
Ngrit shtrofullën e mendimit, mes dashurive pushto hapësirat
Dritë jepi të nesërmes, brezave së ardhmes hap portat
Se drita jote ka shkëlqim, është rrezja ku ngrohet, e nesërmja
E bardhë, plot dritë, plot shpresë, plot vizion

                             2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VARGJE PLOT ZEMRIM

Kush na i vodhi ëndrrat e së bardhës kohë
Apo e vramë veten kotësisë së mashtrimit
Njerëzit e bëjnë kokën koha s`pjell kohë
Pse s’i sjellim kokës t’i thërrasim pendimit

Me këto ecjet tona shumëherë po gabojmë
Kot i rrahim gjokset e i thërrasim trimërisë
Në emër të atdheut dritën po e rrotullojmë
Me gisht shpuam gjokset në emër të lavdisë

Të mirat lulëkuqet moti kanë lulëzuar
Me dorën në zemër respekt përjetësisht
Për këso far të sotme ata nuk flijuan
Për dritën e brezave ranë trimërisht

Jo për këso të sotme jo për këso të nesërme
Dikush vdes urie e dikush ngopur s`di
Në emër të atdheut në emër trimërie
Kush çfarë mund të kapë për luksin e tij

Kur vidhej atdheu një moti dikur...
Apo kur armiku na gërryente në shtëpi
Po ç`u gjeti juve të sotmëve, more burrë
Njësoj si ata, mbaruam për drejtësi

Tani kot më thirreni e kot shponi gjokset
Ju që po ma rripni atdheun për së gjalli
Me ju kam mbaruar, besa qysh moti
Për ju ngroh ky diell...?! të mjerët ne, vaj halli!!!
                                      2013

MOTIV ME MALL

Vonesës sonë ç`na u shëmtua dhuntia
Fjala e përmalltë ra si pikë shiu
Dhe fjalën në varg e zu arratia
Metafora rima zjarrmi i përpiu

ç`pikoi pema e fjalës vesës së mendimit
Dhe ngriu në varg si një kokërr vese
Zjarrmi e përmalltë ma shkriu pendimin
Mbetën metaforat pa pikë e pa presje

Dhe ra pema e fjalës etjes përvëluar
Shpuploi mendimet vargut vuri strofull
Ngushëlloi udhët s`na la të harruar
Vargje edhe rima mblodhi rreth e rrotull

S`na la të harruar kokrrën e mendimit
Tek pëlciti etjes fjalës së pathënë
Dritë mi bën vargut udhëve të zhgënjimit
M’i nxjerr nga errësira këtij dielli të nxënë

                 2013

 

 

 

 

 

 

 

MOS QOFTË E THËNË

Mos na qoftë e thënë të na thahet mendimi
Apo ikjes sonë të na ha malli fjalë
Një kronikë mbi letër fletë mosharrimi
Një varg për të nesërmen për ditën e bardhë

Mos na qoftë e thënë të na mbytin harrimet
Apo udhët tona të na i djegin këto fjalë
Ndryshe ikjen s`do ta zërë pendimi
Kjo mungesa jonë le të mbytet në mall

Mos na qoftë e thënë udhët të na djegin
Ëndrrat e kthimeve dhe shpresën mbi ballë
Le t’i thërrasim mallit çdo ditë edhe kthimeve
Të lutemi për ditën të vijë e bardhë

Mos na qoftë e thënë të na humbin kronikat
E ditëve të etshme udhëve nëpër mall
Kolonën e mallit të mos e vrasë harrimi
Të paktën lëvruar le të themi në fjalë

                            Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

ÇAST ALPIK

Shiu alpin m’i lag çastet e vetmisë
Mbi kokë të mbaj qiell i shpuar
E udhëve të Buchs-it bluaj me mallin

Jam bërë hije e këtij qyteti
Tavernat e tij më verbuan shkëlqimit
Dhe vargjet mbi letrën e bardhë

Mallit ia numëroi dekadat
Tek përshëndes brezat e kolonës sime
Shesheve të këtij qyteti

Kush s'na thotë më, të huaj
Jemi bërë numër katër në Helveti
Këtu edhe muret kanë filluar të flasin shqip

Zot ç'mallkim mbi lisin e atdheut
Degët e tij po thyhen përditë
E ne jemi bërë gjethe mbi degët e thyera

... E unë vazhdoj të bredh udhëve
Këtij mëngjesi alpin
Të falat mbi letër ia nis Sharrit

     Buchs CH, 24 shtator 2012

 

 

 

ÇAST

Në prehrin e vetmisë sime dimri ka zënë strofull
Stalakmiteve të pritjes është lëvjerë largësia
T’i djeg diku mallit nëpër shkrumbin pritjes

Me lëvozhgat e mallit a kam mbështjellë mungesën
Që të mos e mërdhijnë dimrat e acartë alpin
Me pushin e pritjes e ngroh shpresën e kthimeve

Udhëve u kam lëvjerrë në qafë kalaveshët e shpresës së kthimeve
Që t’i mbëltoj çasteve të hidhura alpine nëpër vetmi

Nëpër vonesat e kthimeve mosharrimeve i shkruajmë kronika
Dhe me këngët e mallit zbukurojmë ditët e arratisë nëpër gjeografi

Dhe me këngët e së nesërmeve të bardha
Brezave ia vizatojmë udhët e ikjeve tona
Harrimit i ndezim kandilin e dritës

                   2013

 

 

 

 

 

 

 

JU GITHMONË MË MUNGONI, MIQTË E MI

Ditë për ditë mes vargjesh mes rimash te ju zbres
Atje buzë Lumëbardhi e u takoj përmallshëm, ju të mirë
Ç`më keni humbur më mungoni tepër për besë
Këtij malli alpin, ç`më ngacmon kjo dëshirë

U zbres në metafora ju ajka e frymëzimit tim
Tek i flladisim ditët e kthimeve të përmallta buzë Lumëbardhi
Ç`më keni humbur, eh sa më mungoni,mungesa më ndjell trishtim
Këtyre udhëve të mia nëpër alpe, ç`më dogji malli

Vargjeve të mia këndoj këngët e bardha për ju
Mallit numëroj hapat buzë Lumëbardhit, nën hije bliri
Dhe freskoj ballin nën hije, bashkë me ju
Sa mungoni kësaj largësie miqtë e mi, ç`ju ka hipur zemërimi

Ju kërkoj mes vargjesh ju zbres në mall e gjithandej
Tek tjerr muzat e ngacmimit nëpër metafora
Ju dua shumë, më mungoni, sinqerisht ju rrëfej
Edhe atëherë kur ju më harroni, e u ndalet ora

         Buchs, 2013

 

 

 

 

 

 

 

ME EMRIN TËND NËNË, SHPIRTIN E SHËROJ

Nëpër këngët e jetës ti je vetë burimi
Ku s`të thyhet fjala e merr frymë jeta
Nëpër emrin tënd lumë rrjedh frymëzimi
Më merr udhë vargu kuptim merr jeta

Nëpër ecjen tënde fryma jote më priu
Ku shkel e lëshoi hapin e ngado ku shkoi
Porosive tua dielli rreze ndrin
Ku është fjala jote ngado kah marshoi

Dashuria jote në çdo hap më prin
Ku nis merr frymë jeta e ku do të mbarojë
Shpirti yt i ëmbël gjithmonë më ndrin
Thirrja e zemrës sate mirësi buron

Emër më të ëmbël ku ka nënë, se ti
Ku më pushojnë ëndrrat ku shpirti shëron
Përpos teje në botë ku gjen dashuri
Ky emri yt: Nënë, sa ëmbël tingëllon

Tani që jam larg me të djegshmin mall
Këtyre udhëve të botës e shumë larg nga ti
Pos lotit të përmallshëm dhe vargut plot zjarr
Të më falësh nënë se shumë kam mërzi

Sa më dhemb shpirti etja më trazon
Në këtë ditën tënde të fal dashuri
S`më lëshojnë këto ikje udhët s`më lëshojnë
Të paktën një lule të ta sjell te ti

Ndaj po t’i fal vargut frymën e shpirtit tim
Të më kesh më pranë pak fllad të freskoj
Unë po digjem mallit të djegshmin mërgim

Me mallin tënd Nënë, shpirtin e shëroj

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SA S`ËSHTË VONË

Polli koha udhë e u ndamë në dysh
Ikjet e largësitë u bënë gjeografi
Degëve tona të thyera nuk u shkon kurrqysh
Ky lisi ynë pemë në arrati

Çfarë t’i bëjmë ikjeve e çfarë mendimit
Mbeti fara jonë farë për gjeografi
E kjo ikja jonë na kërkon pendim
T’i mblidhemi trungut t’i falemi atij

E t’i biem kokës ende sa s`është vonë
Pos degës pranë trungut s`rritet askund tjetër
T’i shartojmë pipat atje në degën tonë
Ku fruton më bukur pema jonë e vjetër

T’i thërrasim pendimit se na vajti vonë
Të mos na mbytë harrimi gjeografive të botës
S’ka strofull më të bukur sikur Nëna jonë
Se mbetëm të humbur udhëve arratisë

      
Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

KTHIMIT PO VONOJMË

Digjet diku një mall e ma ndez etjen
Dhe një fllad mendimi na i thirr mosharrimit
Një shpresë plot dritë më frymëzon për jetën
Këtij aktit të udhëve m’i duhet kthimi

Në ato kulla të kuqe ku gurët ma ruajnë emrin
Këngën e vegjëlisë që më gëzon përherë
Atje fjala ime vetëm atje e gjen vendin
Ma mbushullon frymëzimin fjala ku ka vlerë

E në ato burime ku më flladitet fjala
E ky mall në alpe plot me zjarrmi
Atje etjes sime ia flladis ballin
Dhe ia marrim këngës me plot dashuri

E nën ato hije përplot me flladi
Dal i freskoj çastet dhe këtë mallin tim
Këto udhë të gjata nëpër arrati
Më duan vëlla i dashur, sa më parë një kthim

Ndryshe mallit tonë digjemi harruar
Apo kthimet tona si shumë po vonojnë
Ta hedhim këtë zjarr malli ta nëmojmë mallkuar
E me mallin tonë kthimet t’i gëzojmë

               Lichtenshtajn, 2013

NËPËR MALL, PËRVËLUAR

1.

Nëpër mall i përvëluar, digjet shkrumbi i shpirtit tim
Nëpër udhë i harruar, larg alpeve në mërgim

Rroj ma mall e rroj me shpresë, për të djegshmin vendin tim
Se këtu s`dua të vdes, atje shpirti më gjen shërim

Ai që udhët ka provuar, ia di shkrumbin shpirtit tim
Se si digjem përvëluar, për pak fllad të vendit tim

Kur ju flas ju flas plot mall, ju të dashur njerëz të mi
Më mungoni në çdo fjalë, ju përcjell plot dashuri

Dhe nga larg këtu ku jemi, shpirtin tim te ju e kam
Në gji ju mbaj e kurrë s’ju nxjerr, t’ju mbaj ngrohtë sa më pranë

Të mos mbeteni të harruar, as dhe mua të mos më harroni
Shpirtit tim të përvëluar, ah sa shumë ju më mungoni

Dhe një ditë plot dashuri, do të kthehem përmalluar
Përgjithmonë mes jush të vij, afër vatrës të bashkuar

2.

Nëpër vargje tek këndoj, është dhembje e shpirtit tim
Nëpër mall tek kalëroj, t’ju sjell juve pak mërgim

Shpirti im ndjen vetëm dhembje, këtij malli përvëluar
Qysh se e mora arratinë, udhëve mbeta i mërguar

Kur djeg malli me vetminë, kur mungoni të uruar
Ju përcjell dashurinë, përmes fjalës letërshkruar

Dhe kur malli më pushton, përmbi vargje ndez zjarrmi
Mbi buzë fjala nis shkrumbon, digjet rima në poezi

Ju që udhët nuk i dini, as dhe mallin mos provoni
Në vendin tuaj atje rrini, udhët e ikjes mos lakmoni

3.

Këtij qyteti i mërguar, ku ngroh dielli nëpër mall
Herë herë ndihem i harruar, më djeg udhëve nji ky zjarr

Nga këto udhë të mallkimit, vetëm fjala më shëron
E më nxjerr nga harrimi, pranë jush më ofron

M’i lehtëson dhimbjet e mia, e më sjell në mesin tuaj
Nuk më lë këtij mallkimi, shpirti im të mos vuajë

Të mos ndihem i vetmuar, pranë meje s`më largon
Unë kurrë s`ndihem i harruar, deri sa vargu më shoqëron

           Buchs, 2013

LUMË AI QË EMRIT I LEN DRITËN

Po i lëmë shumë fjalë kësaj bote e s`do marrim asgjë me vete
Dhe do të iki duarthatë pa asgjë në gji e asgjë në xhep
Le të themi se fjalët e mira janë drita e kësaj bote, ti hapësirave trete
E të themi se i dhashë gjithçka pata, asaj që quhet jetë

Po i lëmë emrin dhe hijen që na ndoqi nga pas
Me vete s’po e marrim vetëm deri te guri mbi dhe
Lum ai që i la dritë emrit kandil hijes që s`ju nda
Dhe iku, plot dhimbje nga ne

Me ikjen secili një ditë ka për t’u takuar
Lum ai që të mirat i lë mbi këtë dhe
Me veten do t’i marrë dy këmbë e dy duar
E emrit një kandil që t’i bëjë dritë përherë

                  
Prizren, 2000

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

KRONIKAT E UDHËVE

Ikjelarg udhë mallkuara ku është maja e dëlirësisë
Udhëharrimeve të mërguar peng marr arratisë

Nëpër këmbë e të nëmuar në dhera t`huaja rob nxënë
Të përbuzur mallverbuar pa atdhe babë e nënë

Tha mallit e vetmisë degë e thyer nëpër botë
Pema jonë arratisë ky mallkim ç`është me ne, Zot?!

Mbetëm udhëve të harruar fara jonë mish për furtuna
Pse ky kod i mallkuar na ra hise në troje e kulla

Le të thirremi gjeografisë ikje kthimet e t’i ftojmë
Të mallkojmë udhët e arratisë mbathcat kthimeve t’i bashkojmë

           Zvicër, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VARGUN PËR TY ATËDHE

Në ditën e poezisë kurorën e vargut e thura për ty
Të të hijeshoj bukur nëpër dashurinë e vargut
Ardhjeve të bardha ditëve të tua nusërore

Mbi kokën tënde shkarkuan rrufetë e shekujve
E lisat e tu rrëzuar s`ti kanë furtunat
Mbi gjoksin tënd të skuqur shkarkuan apokalipsit
Thyer i kanë kokat nëpër betejat e humbura
Mbi ecjen tënde ballëlartë ulën kokën motet
E u thyen lashtësisë ku nis toka e shkëlqen dielli

S`të thyen rrebeshet as Azi e Karpate
Kot ngulën bajraqe e shtiza të të nusërojnë
I ngulën kafkat e veta dhe ikën betejave të humbura
Ti mbete përherë nusërore shekujve pa kurorë
Ti, e bukura e dheut

Dhe pikërisht në ditën e poezisë të nusëroi në vargje
Të të thur kurorën e dashurisë në fjalë
E të them se të dua, ty e bukura e dheut

Unë biri yt ballëlartë nëpër furtuna
Me vargun e bërë mburoja e fjalën plumba
Si përherë do të më kesh pranë
Se ashti yt dhe gjaku im janë një
E një do të mbeten...
                         
Zvicër, 2013

 

ZGJOHU ZOGYNË

Kob Zogynë kob korbat po kërkojnë të t’i hanë zogjtë
Skajit të arës t’i kanë ngritur shatorret dhe mbi copat e zaptuara
Kërkojnë varre të reja ende pa i mbyllur të parat
Mbi kokën tënde mbi trupin tënd mbi vrragët e pashëruara
Mbi kullat tua ende të pa rindërtuara erë flake po frynë
Duhmë e veriut të zi ka aromën e shkrumbit
Uri e tij për zogjtë e tu për tokat s`ka të ngopur
As për arën në veri të oborrit as për luginën e zanave
Pa çka se trupit tënd plot me njolla të zeza rëndon
Vetëm unë ta njoh klithmën zogynë ta njoh dhimbjen si ther në shtat
Dhe rrjedhën e plagëve nëpër shekuj dhe kullat e shkreta
Djepat e rrapëlluar me sungi në mes e nënat që s`lindën kurrë
Motrat që s’e panë ditën e nusërisë e djemtë që t’u bënë lule për ditën e bardhë
Pleqtë e plakat që tu dogjën kullave duke j bërë roje lashtësisë
Oborret të mbushura shkrumb e hi e oxhaqet që s`u rrëzuan kurrë
Si statuja u rrinë përballë gjurmëve të barbarisë
Vetëm unë ta njoh plagën zogynë ta njoh rritën
Që s`ta lanë të shumëzohet nëpër shekuj
Ah ky veriu i zi zogynë ky veriu i zi karpatik
ç`kërkon mbi qiellin tënd mbi trupin tënd mbi arën tënde
Zgjohu njëherë o shqiptarë, trego grushtin, shtypja kokën njëherë e përgjithmonë
Këtij gjarpri me etjen e pangopshme nëpër shekuj

                           Janar, 2013

UNË I BËJ ROJË LASHTËSISË

Fol plisbardhi im, mos mbyll gojë, fol me gjuhën e shekujve
Unë isha këtu e dielli këtu më gjeti i lashtë sa toka
Shekujve mbijetesës i bëra rojë të më rritej fara
Që mbi bimën time të mos më bie thatësi e moteve
Me gjakun tim ia ujita rrënjët që të më lulëzonin pipat

Shqip u fola maleve shqip bjeshkës shqip fushave
Me këngën time mbushullova kullat jetën djepat

Mbijetesës sime u shkarkuan furtunat shekujve
Azi e Karpate ranë këtej pari e s`mi shkulën lisat
Se bima ime rrënjët i ka në zemrën e tokës
E kokën deri në kupë të qiellit

Pema ime nuk shartohet me pipat e huaj
Se rrënjët i ka në gjak e degët plot me dhimbje
Vetëm unë ia njoh rrjedhën e damarëve

Kot e kanë furtunat duan të na e shkelin lashtësinë
Të na i nëpërkëmbin motet mbijetesën
E mbi kokat tona të na mbjellin farën e huaj

Unë s`luaj nga këtu se këtu i kam varret gjakun rrënjët
Se mua dielli këtu më gjeti e këtu do të mbetem

                            
Prizren, 2012

 

 

MBI ARËN TIME MOS HIDHNI FARËN
E SJELLË NËPËR FURTUNA


Unë jam këtu qysh kur puthej toka me diellin
Rrënjët i kam thellë në zemrën e tokës e kokën kah qielli
Rojë i bëj shekujve kah parakalojnë furtunshëm këtejpari
I bëj roje tokës kullave lashtësisë stërgjyshore
Dhe shqip i flas dheut shqip bjeshkës të m’i ruajë këngët

Moteve sa herë bën furtunë Veriu Azia a Mesdheu
I sfidoj pritave furtunave ia pres kokën

Ju kot përpiqeni të hidhni farën tuaj në arën time
E po më flisni për hise ju fara e furtunave shekullore
Arës sime s`rritet bima e veriut karpatik
As pema e shartuar me pipat ballkanik
Se si duron toka e skuqur nga damarët e plisit

Unë jam këtu qysh ku puthej toka me diellin
Kot kërkoni të ma shartoni bimën
E të ma përzieni farën me farë ardhacakësh nëpër furtuna
Se rrënjët i kam në tokë e kokën te dielli
Qysh kur shkrepi drita mbi këtë topth
E ngrohu dielli

            
2013

 

 

 

 

TI FARA E SJELLË NËPËR FURTUNA

 

Ti me atë farën e sjellë nëpër furtuna

Ç`mi kërkon vend bimës nëpër arën time

Ti fara e dreqit me atë bimën e pashartuar
Këtu isha unë me diellin e me këto burime

 

Ty që të sollën furtunat e moteve të tërbuara

Nga malet e egra të acarta të veriut

Më erdhe pranë gardhit besa dhe oborrit

                                 mëkat që s`të përzura

Më erdhi keq, po ti më dole gjarpër me

                                këmbë të njeriut

 

Ty që të hapa portën e të bëra vend në kullën time

I rritur egërsisht karpateve në malet e veriut

Të dhashë bukë, ujë, të ngroha, e ti me thikën prapa shpine

Ti gjarpër i gjarprit i mbështjellë me lëkurën e njeriut

 

Ty që të ula në sofër me fëmijën tim e gruan edhe bukë të dhashë

Më re në besë e besën për mikun ne e kemi të shenjtë

Ti fara e keqe me thikën prapa shpine keq më re nga pas

O farë ardhacakësh nëpër furtuna, gjarpër me fytyrë njeriu, përjetë

 

                                      2013

 

 

 

 

MOS HARRONI

Të djeshmen e dhimbshme mos e harroni ecjes nëpër të nesërmen
As apokalipsës së veriut mos ia falni shekullin plot plagë
Që e nesërmja mos të rikthehet kobëzezë mallkimit

Pa shihni kodrat si ndrydhen varret mbuluar me lulëkuqe
Sa nëna motra e fëmijë derdhin lot mbi varret e thata
Mureve të shkrumbuara shkruhet epoka e dhimbjeve

Pa shihni lulet mbi lapidarë dhe emrat e artë
Krenaria e të djeshmes pushon me ata
Mos t’ju pushtojë terri i harrimit se ju mallkon historia

Dikush na i frynë harrimeve të djeshmes, të mjerë janë ata
Na duan të ulemi në një sofër me satanën të pimë ujë nën një krua
O Zot! as edhe nën një diell nuk dua të ngrohem me të

Dhe ju kujtoj se unë po flas përçart më është tërbuar vargu
Seç më dhemb një plagë e madhe në zemër e më kullon përditë
M’i skuqi edhe vargjet rrjedhë e saj si ta ndal këtë dhimbje

Dhe prapë m’i thirrni harrimit, mashtroheni ju o të mashtruar, ooooo...

                           Janar, 2013

 

 

 

 

FQINJI I PABESË

Ky fqinji çdo natë i mpreh shpatën fërshëllimën ia dëgjoi çdo mëngjes
Në skaj të oborrit përtej mezhdës kah i numëron kokat e fqinjëve
Kujt t’ia ndal orën në cilën mezhdë të këput një copëz

Medet ç`lakmitarë gjarpri me gjarpër në kokë
E ka trashëgim nga stërgjyshi gjarprin, të rritë në oborr

Fërshëllimën e shpatës ia dëgjoi çdo mëngjes ka pret koka fqinjësh
Besa dhe rrjedhën e gjakut kah rrjedhin lumenjtë
Ka një shekull që më rri mbi kokë e m’i ha zogjtë në oborr

S`më la të më shtohet fara ka një shekull që hap varre arave të mia
S`më la gurë e dru në kullë shkrumb e hi ma mbushi oborrin
Më dëboi edhe nga shtëpia deshi të ma zaptojë edhe diellin

Prapë na kërkon hise besa edhe vend në sofrën tonë në kullë
Luan lojën e dhelprës bashkë me atë zonjën plakë bënë kurthe
Medet ç`fqinj i keq ky fqinji i veriut grabitqar

Kujdes plisbardhi im fërshëllimës së shpatave kujdes
Kujdes frëngjinë kullën dhe gjarprin e veriut mos m’i lësho nga syri

                       Janar, 2013

 

 

 

POROSIA

 

Mos i beso gjithkujt plisbardhi im

Jo të gjithë janë miq të së nesërmes sate të bardhë

Kujto dredhitë e moçme dhe mashtrimet e dhelprës plakë

Kujdes puthjes së të pafytyrëve se mos të përgjakin

Lëmimit të të pabesit ruaju mu aty ta futë thikën pas shpine

Dhe ti s`do të kesh kohë as për pendim më pastaj

Vonë do të jetë shumë vonë të kujtohet urtia e plakut

Ruaju mashtrimit biro, të pabesit zemrën mos ia hap

 

I sheh si na kanë hyrë shtëpisë e na bredhin oborrit

T’i hanë zogjtë në pikë të ditës pa nam e nishan

Besa edhe bukën në sofër e gardhin skaj oborri

 

Ruaju biri im ruaju lëmimit të tyre edhe puthjes

Sa herë ta rrahin shpinën kujdes gjoksin

Pabesia e tyre një herë të plandosë e s`ngrihesh kurrë më

 

Në shtëpinë tënde bëhu zot i saj, as birën e gardhit mos ia hap kujt

Se syri i lig shiton edhe kalatë besa i prish edhe urat

 

                                     Janar, 2013

 

 

 

 

 

 

MOS U ULNI NË SOFËR ME SATANËN

"Fqinji" i veriut tonë çdo ditë na fton në sofrën e mashtrimit
Harron gjarpri i veriut epokën e kuqe apokalipsi dorëzi

Kërkon ta futë bishtin në skaj të oborrit tonë

Me thikën prapa shpine po vjen e me buzëqeshje mashtruese
E shihni Evropës si ia rrah shpatullat kurvërisht e përqafon
E majën e thikës e mban gati përtej mezhdës sonë

Harron lulëkuqet mbi varret tona e varret pa arkivole
Dhe kolonat biblike dhe kullat shkrumb e hi
Dora barbare satana e veriut të zi

S`ka ç`na duhet fqinjësia me satanën e pabesë
Fytyra e re ende i ka njollat e freskëta të krimit
Me kriminelin nuk ulet në një sofër

E shihni si shtiret as pendimit nuk i thirr
Duart i ka plot gjak i fsheh prapa luleve
Vetëm shikojeni kur ia dhuron zonjës plakë

Ti plisbardhi im atje te oxhaku e bëhu zot shtëpie!
Njëherë e përgjithmonë tregoja vendin "fqinjit" e zonjës plakë
Digjja bishtin te mezhda gjarprit të veriut
Dhe thuaj zonjës plakë njëherë e përgjithmonë
Në kullën time, zot shtëpie jam vetë!

                                       Janar, 2013

Ç`KËRKON KY GJARPËR NË OBORRIN TIM

Ç`kërkon ky gjarpër në oborrin e shtëpisë sime, pritjani udhën
Ka njëqind vjet m’i ha zogjtë dhe rritën e luleve në kopsht
Lisat e atdheut m’i than furtunë e tij dhe këngën ndër kulla ma vret
Rritën e fëmijës ndër djepa buzëqeshjen e vogëlushit
Shtypjani kokën te gardhi të mos na e përbalt gurin e mezhdës
Pse heshtni hapave të tij, flisni me gjuhën e zjarrit, gjuhë tjetër s`njeh
Ikjes së tij pas njëqind vjeçe ende plagët na pikojnë
Ende kullat tona mbyten shkrumbit e pritjes ata që s`po kthehen
Kodrat tona janë të mbushura lulëkuqe a s`i shihni si ndrydhen varret
Nënat shamizeza tek rrisin jetimët me bukë e pa bukë
Vashat që s’e pritën ditën e nusërisë e djemtë që s`u bënë kurrë dhëndër
Pleqtë e djegur në kullë tek i bënë roje lashtësisë
E djemtë që u bënë lulëkuqe në legjendat e atdheut
Dhe kujton se ia kemi harruar të bëmat e zeza, përpara ikjes veriut
Mos m’i lëndoi plagët që sa po më kanë zënë cipë
Mos m’i trazoni dhimbjet e moteve barbare
Shtypjani kokën atje te guri s`dua ta shoh në oborr
Ma thuaj vëlla i dashur, a jetohet me gjarprin nën një çati
Dhe ti më thua se vargu yt ka plagë e plagë
Por mua plaga ende më kullon në gji...

                       Janar, 2013

 

 

 

 

FQINJËT GRABITQARË


Arës së ngushtuar të atdheut na ndrydhin përditë
Arnojnë dhunshëm hartat e tyre me copëzat e zaptuara
E na e skuqin këmishën çdo ditë me gjakun tonë fqinjët grabitqarë

Poshtë arën e gjyshit dhe detin m’i vodhi satana e jugut
Në lindje as dielli s’po lind me natën e zezë verbon
Pa shih gjarprin e veriut grabitqar ku kërkon ta shtrijë bishtin
Perëndimit korbat i nxinë malet ujqit duan mjegull

E ne sillemi fitimtarë nëpër arën e copëtuar të katragjyshit

Fqinjët tanë të parë mos i paçim kurrë
ç`të duhet grabitqari kur çdo ditë në skaj të arës ta shtyn mezhdën
E me thikë prapa shpine ta vret diellin e lirisë
E s`ngopen, e s`ngopen, e s`ngopen

Hej ti plisbardhi im, pa zgjohu njëherë e shih
Si të janë katandisur vëllezërit e motrat hartave copa-copa
Tregohu zot në arën tënde e thuaj se ti ishe këtu
Edhe kur të tjerët stepeshin lisave...

Prapë arës tënde kërkojnë hise bishat e karpateve
E të sillen vërdallë mezhdës së atdheut
Medet ç`fqinj të pangopshëm rrethojnë gardhit tënd

Ngrihu dhe njëherë, plisbardhi im, ngrihu
Për mikun bukë e kripë e zemër, për armikun... p!
Kjo është gjuha e historisë, fatkeqësisht në Ballkan...

                                   Dhjetor, 2012

 

 

POROSI PËR ATA

Edhe ashtu nëpër hartën e copëtuar kanë harbuar bishat
Tërësia gjeografike është ndrydhur nëpër mezhdën e fqinjëve
E ne kot së koti i biem me thika prapa shpine njëri tjetrit

Hapim gropa arave tona të copëtuara historisë
I zgjerojmë hendeqet e dhimbjeve të së djeshmes
Kot i flasim së nesërmes për dritë e diell mbi qiellin tonë

Ecja jonë kërkon dritë e nesërmja na do të zgjuar
Verbëria juaj na mbyti me terr na i verboi edhe ëndrrat
Ju kot më flisni ç`shkëlqim ka drita kur përditë pëllumbave i vritni qiellin
***
Nëna na do të zgjuar bijtë e mi faqebardhë?
Mos më turpëroni emrin mos ma njollosni
Haram ju qoftë rrita ime, nëse ecni ligësive

***
Në tregun e plaçkave nuk nxirret atdheu as në pazarin e fqinjëve
Edhe sikur të ishte ara e babait me gjak duhet mbrojtur
Njëherë e humb e s`të kthehet më as mezhda

Gurin mos i hidhni në pusin e mashtrimit, thotë urtia
Se kurrë s`do të mund ta nxjerrim as edhe një popull
E juve do t’u mallkojë historia me faqen e zezë do të shkruhet

Në varg hyri porosia se më trazoi dhimbja e shpirtit
Plaga ime e hapur që ende po kullon gjak pranë shtëpisë shkrumb e hi
E s`më lë të hesht kësaj kohe bizare

Në fund të fundit atdheu nuk është veç yti...
                            
Zvicër, 2013

QELËSIN E PORTËS TE OBORRI, MOS IA BESO ASKUJT

 

Bëhu zot shtëpie plisbardhi im besën mos ia fal gjithkujt

Për bijtë e tu për arën e copëtuar për fushën plot lule e diellin

Mos lejo të t’i nëpërkëmbë i huaji as fqinji yt grabitqari i përtej gardhit

 

E djeshmja e mashtrimeve dhe Evropa dhe fqinji kriminel përtej gardhi

S`të lanë mezhdën në një vend oborrin copëtuar ta deshi dhe hise kërkoi

Zogjtë e tu t’i degdis gjeografitë e Evropës t’i mbush me kolona malli

Besa edhe t’i vrau e t’i sakatoi nëpër qiellin tënd të nxirë nëpër shekuj

 

Kthe kokën mbrapa pa shih edhe njëherë hartave Ilirisë

Trupit tënd të copëtuar dhe këmishën e kuqe plot plagë

Nga Molla e Kuqe e deri në Çamëri trupi yt po tkurret, deri kurë?!

 

Shtrëngo grushtin e tregoju të tjerëve këtu jam unë

Den baba den e zot i kësaj toke këtu unë do të jem

Tokë për të falur e atdhe tjetër nuk kam

Zot shtëpie këtu unë isha e shekujve do të jem

 

                     Prizren, 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

UNË S`IA FAL AS VETES MË ATË GABIM

 

Qysh ditën kur më erdhe ti te gardhi, në besë

Besa dhe në oborr kur të ula dhe në sofër

Kullës sime i ra perde e zezë

Dritë nuk pashë më, në timen vatër

 

Oxhaqet m’u nxinë, e vatrën ma mbuloi tymi

Rrita e vogëlushit u ndal, vaji te djepat u shtua

Kjo murtajë e zezë, bashkë me ty se nga na hyri

E s`na u nda shekujve, shpeshherë edhe vatra m’u shua

 

Orëliga me ty seç na erdhi, krrokama e korbave në oborr

U bënë të zeza motet, vaj halli ç`na gjeti

Qysh prej atij moti veç korba na këndon

Fusha e kodra u mbushën me varre, e s`na u nda gazepi

 

Prapa hijes sate erdhi dhe nata për mua

E ti erdhe me thikën e fshehur pas shpine

Na e nxure diellin, na preve në besë, satanë e veriut të harbuar

Ti bisha e karpateve, që nëpër shekuj dritën ma nxive

 

Të të fal nuk mundem, s`më lënë shekujt dhe gjaku mbi kodra

Dhe besa e prerë moteve, sa herë më godite prapa shpine

Tani më ta njoh fytyrën, ty gjarpër me lëkurë njeriu, ti kobra

Mësova nëpër shekuj tradhtinë tënde, nuk ia fal vetes më atë gabim...

 

                     Prizren, 2013

 

 

GJURMË NË KULLË

Qysh ditën kur hyri
Gjarpri i veriut në oborr
Qoshet e shtëpisë na u helmuan

Shtëpisë ligësitë na harbuan
E shpirtrat e ligë
Hapësirat na i pushtuan

Medet ç`kob ra në kullë
Nata me ditën ritmin e harruan
As dielli më s`shndrinte
Në oborrin tonë

U bëmë rob në kullën tonë
Ruajuni nga gjarpri
Na thoshte nëna

Po ne s`u bindëm
Se s`u bindëm
Ia shtypëm kokën

Tani më
Veç bishti lëviz nëpër oborr
Një ditë edhe pa të

          
2012

 

NËN SHËNJESTRËN E ARMIQVE, NËPËR SHEKUJ TË GJETA

Nëpër notesin e miqve ty askund nuk munda të të gjeja vend
Të kërkova edhe shekujve nëpër ecjen e plisit të bardhë
Të gjeta netëve të mia me thikë në dorë tek rend
Po haje zogjtë e mi një nga një ti, i pabesi barbar

Dikur të hapa portën miqësisht të prita të dhashë dhe bukë
Ti m’u shite engjëll e nëpër mote më dole djall
ç`ti bëj këtij mashtrimi tim, e di mirë kur erdhe, tani të them humb
Ti më hyre nëpër oborr, plot hile e m’i dogje shekujt, dhe dritën e bardhë

Në shënjestër të armiqve, gjysh e stërgjysh, ty përherë të gjeta
Ty që po krrokatje si korba fushave, maleve, oborreve e kullave të mia
Ti vendin ia ke bërë vetvetes, s`të kam faj unë, t’u shkurtoftë jeta
Ti gjarpër i veriut, të vraftë nata, ty s`ta paguan as drejtësia

Dhe sërish m’i përvëluake kullë e çati e kodrat m’i mbushe varre
Ti gjarpër i veriut të zi, bir i gjarprit i rritur me gjarpër nëpër shekuj
Edhe sot e kësaj dite me plot faje e krime, s`kërkon falje
Të paktën plaga në zemër të më pushojë, se s`a gjak që t’i lanë,
                          krimet e tua mbi mua, ty satanë karpatike e egër

Dikush më thotë se: poezia jote ka dhimbje helm e vrer
Metaforat më janë tërbuar pa ndalur më kullojnë gjak
Është gjaku i brezave, i plisbardhit tim nëpër shekuj
E rimat e mia, nën shënjestrën e armiqve, nën rafal,
                                                përherë të mbajnë
                                   2013

PUTHJA ME GJARPRIN, DO T’JU VRASË

Na kërkojnë të mbyllim gojën të puthemi me gjarprin
Të hamë e të pimë bashkë besa edhe në një shtrat
Ec e besoji bishtit të tij kur të mbushet helm në diell

Pakkush i ruhet kafshimit të tij unë si besoj

Ai ka fshehur vetëm dhëmbët pas buzëqeshjes tinëzare
E shihni si lëviz bishtin mashtrim e ka për ju
Një ditë do t’ia shihni helmin ah sa vonë

Ilaç s`do t’i gjini vetes as edhe vend për varr
Se hile e tij fshihet pas këmbëve rrathë rrathë
Ia keni parë ndonjëherë as kurrë s`do t’ia shihni

Ruajuni gjumit mashtrues të tij ai nuk fle
Kërkon t’ju vë juve në gjumë e mbi kokat tuaja
ta ngritë nga një kryq harrimi për të nesërmet e zeza


Unë s`dua të ulem me gjarprin në sofër
Në hisen e oborrit tim nuk ia dua as bishtin
Ju po deshët puthuni me të o të mashtruar

Një ditë s`do të mund të më shikoni në sy
Mashtrimi juaj do t’ju vrasë

                                      2013

KUMT PËR NJË KRONIKË

Mesjetë e vonuar Ballkanit harbuan bishat karpatike
Me zjarr e hekur skafandra të tërbuara mbi Kosovë
Shkrumb fusha e male kulla kodra me varre
Ç`bisha me lëkurë njeriu e me shpirt djalli

Me tërbim korbash ranë bishat e veriut
Vranë prenë e dogjën gjithçka rrotulluan së prapthi
Medet ç`egërsirë është njeriu fatkeqësia e kësaj toke

T’i shihni gjurmët mbi kullën time t’i thua bishat ranë këtejpari
Shkrumb hi kudo as edhe gozhdë mbi muret e nxira
Dhe gjaku i gjyshes mbi muret pranë portës
Medet ç`apokalips veriu ra këtejpari

Ta portretoi nuk mundem këtë guernikë Kosove
Se ngjyrë gjaku do më duhej me cisterna
E pëlhurë sa qielli i Kosovës

Zot! më jep durimin kësaj katrahure
E ruami mendtë e kokës, zotynë!

                 Malësi e Vërrinit, 1999

 

 

 

 

 

 

PREDIKËT BLU

Predikëve blu moti u ka dalë boja kot thirren të shkuarës së mashtrimeve
Me orën e prishur nuk matet koha as dielli nuk rrotullohet mbrapa
Ju kot së koti nxirrni dhëmbët përjashta e thirreni të shkuarës

Ju që fshiheshit pas skafandrave blu koha ua çjerri maskat
E djeshmja mallkon e sotmja gjykon mashtrimin tonë
Ju kot na flisnit me zërin e lirisë tek na verbonit me natë

Mashtrimit tonë ju na i zhaguat ëndrrat nëpër vitet e pritjes
Dëshirat na i vonuat shpesh edhe na i përflakët nëpër mote
Vite të humbura populli im deri në ditën e bardhë

Jo rrallë na i përgjakët dëshirat të kaluarën na e burgosët
Edhe na damkosët siç deshi satana e veriut
Na hodhët edhe hi syve kujtuat se ne po hamë bar

Ne më mirë se ju e njohim peshën e lirisë ngjyrën e gjakut
Dhe dashurinë për atdheun që i skuqëm çdo gur
Ata që na e përbaltin lirinë nuk e kanë vendin këtu

                        
Dardani, 2008

 

 

 

 

 

 

PËR TY KA VETËM NJË DIELL

Zgjimit tonë himnizojmë e nesërmja zgjuar të na gjejë
Mashtrimeve tona të shkuara harrimeve t`ua rrëfejmë

Të sotmen plot dritë mbushulluar se zgjuar na gjeti orëbardha
Të djeshmes copëtimit mashtruar si t’ia qepim këto harta

Në copëzat e trupit të ndarë etjet e fqinjëve shkarkojnë
Ti zogynë plot plagë me se dhimbjet të t’i mëkoj

Dhimbjet e tua mbi shtat ç`më rëndojnë dhimbshëm mbi shpinë
Ah ty zogynë trupndarë të vrarë ma ke gjeografinë

Nëpër dëshirat e etjeve tua diellit tënd tek kërkoj
Pos qepjes së hartave tua dritë tjetër s`shikoi

Koha na do të zgjuar zgjimit t’i himnizojmë
Trupit tënd të copëtuar zogynë këngën e bashkimit ta këndojmë

                        
Nëntor, 2012

 

 

 

 

 

 

 

 

VARGJET E MIA

Ju shartoj nëpër pipat e fjalës
E ju më lulëzoni plot dhimbje damarëve
Edhe kur malli përvëlon

Ju vadis nëpër brazdat e fjalës
Të mos t’ju mbyt zjarrmi e largësive
Ju më trazoni në mall

Ju mbushulloi dritë nga rrezet e mallit
Të mos ju mbyt hije e largësive
Edhe kur harrimi verbon

Dhe nëpër bukurinë e luleve të fjalës
I palos pranverat e mallit
T’i ruaj në arkën e mosharrimeve

U rritsh pema ime e vargut
Përherë ballëlartë

                 Zvicër, janar 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

KRIZA E VARGJEVE

 

Janë turbulluar lumenjtë e fjalës

Metaforat janë zhveshur lakuriq

Si mbeti as aromë as bukuri vargut

 

Lum narracioni është bërë fjala

S’i ngjan më as poezisë

 

Urata, dialog, sharje e pështymje

Besa edhe arenë e fjalës politike

A mund të themi, frazës i ngjason

Por poezisë shumëherë jo

 

Miq, arti i fjalës e do daltën e mprehtë

Fjala e gdhendur mos të dalë gungaçe

E vargu si litari në thes

 

Alegoria e fjalëve të përditshmërisë

Fërfëllon faqeve virtuale

E na vijnë te dritarja edhe të paftuar

 

Medet sa poshtë ka rënë metafora

As llafeve të odave si ngjason

Krizë në fjalë e në poezi,

Lum miku...!

 

                     Zvicër, 2013

 

 

KLITHMA E LIRISË

 

(Poetit Din Mehmeti)

Një pishtar drite shkëlqen errësirës

E ndizet mes vargut me të bardhën fjalë

Shkreptimë në furtuna për kohë trimërie

Kalluar mes fjalëve për ditën e bardhë

 

Nën regëtimë fjalësh në mes të furtunës

Dritë i jep mendimit forcë trimërisë

Tek pëlcasin vargjet m`i thërret guximit

Për ditën e bardhë brezave ardhmërisë

 

Me këngën e fjalës mbushullon në kulla

Gurë i bën vargjet në themel të lavdisë

Me thirrmën e vargut trimëron dhe burra

Në “Vargjet e pëlcitura” i këndon lirisë

 

Mbi qiellin e vrarë flatron me guxim

Plumb e bënë shkronjat e fjalët jehonë

Sa herë vritet dielli e derdhim pikëllim

Këngë i bënë vargjet për emrin Kosovë

 

“Për ballin e blertë, për emrin e saj”

Klithmë e lirisë atje në Dukagjin

Mes netëve të errëta lëvron në fjalë

Thirrja për qëndresë jehon për kushtrim

                      Zvicër, 1998

 

*Vargjet të pëlcitura”, është një poemë e Din Mehmetit, e cila u recitua shumë herë nëpër tubimet e shqiptarëve nëpër Evropë, si thirrje dhe kushtrim për liri. “Varg i poetit” Din Mehmeti.

*Kjo poemë, për mua ka mbetur emblemë e kushtrimit për liri, gjatë rinisë sime. E shkruar shumë herët dhe me përkushtim, e ripërpunuar në vitin 2008.  *Kjo poezi, është botuar në revistën

“Metafora” nr. 8, që e nxjerr autori  i kësaj poezie në Zvicër, më 2008 (me pak ndryshime të vogla). Poezi e nxjerrë nga “Albumi i poetit të arratisur”. Zvicër 2009.

VARGJE MES MALLIT

Një etje e moçme më fton mes fjalës
Ngacmimi i muzës m’i bie me daltë mendimit
Këngët e pakëndueme zbresin fletëve, të bardhës
Metaforat mbushullojnë akte të përmallimit

Aromë Evrope mbushullojnë mall
Udhëve tek zbresin me plot udhëtarë
Zjarrmisë tek shkrumbohen e digjen mbi ballë
Ç `m’i zhuritin vargjet me aktin e parë

Ç `gjëmim pende e zjarrmi mbi ballë
Marrin vargjet rimat tërbohen në varg
S`kam faj unë as ti pena ime
Ah këto udhë dhe ty të lanë vrragë

Përditë mes vargjesh mendim tjerr
E freskoi me mall kupën e mendimit
Ti varg e di se të djeg ky ballë
Por muzën s`do ta ndal edhe kur më zë pikëllimi

      
Zvicër, 2012

 

 

 

 

 

 

KTHEHU TI

Ti që ike atje larg derë më derë e shesh më shesh
Ti i huaj në çdo hap ti largësitë që ke peshë
Që të djeg balli përherë e kurrë buza nuk të qeshë
I zhuritur në çdo hap gëzof mallin që ke veshur

Ti vetmia e harruar që të mbytën largësitë
Ti që dherave perënduar grisë dekadat e mërzitë
Dherave të huaj perënduar që errësirës kërkon dritë
Mbete mallit ballëshkrumbuar në kërkim të t’bardhës ditë

Ti që shkele det e fusha udhëtarë plot përmallim
Ti që mbete në dhera të huaja ruaju kobit harrim
Ruaju udhëve në harrim mbete etje e dheut tim
Kthehu këngëve ku pret kulla e ku shpirti gjen shërim

Kthehu ti atje ndër kulla mbushullo dritë vendin tim

                                          
Zvicër, 2012

 

 

 

 

 

 

 

 

 

KTHIMIT MOS VONO

 

Nëpër ikjen tonë ka zënë koha erë

Apo udhët tona i shitoi mallkimi

Ylbereve largësive fjala krah merr

Njat mungesën tonë mos ta mbysë harrimi

 

Kthimet që na thirrin mbathcat u mungojnë

Apo kësaj zjarrmie i mungon një shpresë

Shpresat e kthimeve për çdo ditë na ftojnë

Na prijnë në mendime na ftojnë në pendesë

 

Kjo pendesë jona malli që na zuri

Apo udhët tona që s`u sosën kurrë

Kur të na thinjet mosha të pëlcasë dhe guri

Kthimi do të jetë vonë, shumë vonë, për një gur

 

                           Korrik, 2012

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PORTA E MORINES

Eh sa ëndrra u vranë e sa dëshira s`të kaluan
Etje e moçme e këngës së babait
Vërrinit jehoi dëshira për diellin tënd përtej
Ah, moj portë e Morinës

Për hapin përtej pragut tënd të vënë nga një dorë e hekurt
Dekadave e ushqeva shpresën pritjes
Plisbardhi im dhunshëm eksodit biblik ta kapërcej pragun
Mua m’u desh t’i shkurtoja kokën gjarprit të veriut
Që biri im të kalojë lirshëm


Po ty, eh ç`burg të zi ruajte ti andej
Muret e tua panë kobin e tmerrit


Portë moj mallkuar pragun


Nëpër pragun tënd u nda historia e dhimbjes
E u shkruan plagë të kuqe andej e këndej
Ah, portë moj portë në Morinë

 

E unë sot të kaloj i lirë e krenar të dy krahëve të tu

Po ç`na duhesh sot trupit të trungut të copëtuar
Apo të duhen ende plagë flijimi


Portë e Morinës moj mallkuar qofsh

                  
Vërmicë, Prizren, maj 2012

 

JU ECNI BALLËLARTË BIJTË E MI

Edhe nëse do të më kërkoni një ditë nën gurë bijtë e mi
Apo të vraponi kërkimit të emrit tim nëpër botë
Ecni rrugëve dritë atje do të më gjeni

Nëpër gjakun e pendës më kërkoni se aty do të ma gjeni rrjedhën
Më kërkoni në fjalë se aty prehet emri im

Kam ecur një jetë në këmbë udhëve të idealit ditë e natë
Me furtuna karpatesh jam ndeshur në arenën e dritës
Për të nesërmen e bardhë të Kosovës

Me skafandër e helmete na e vritnin diellin
Gjarpri i veriut na kish rënë në oborr
Nëpër teh shpate e përbiruam idealin e së nesërmes

Toka u shtrua me lulëkuqet
Malet i mbushulluan me dritë
Për diellin e Kosovës

Udha e mbijetesës kaloi nëpër maja thikash
Por s`na theu kurrë ecjes sonë
Derisa gjarprin e veriut e përzumë nga oborri

Sot ju jeni zogj të lirë në lirinë e atdheut
Gëzoni ballëlartë përpara brezave
Edhe për rininë tonë që ia falëm atdheut
E si kërkuam asgjë

Edhe për idealin që s`na e thyen furtunat
As etjet e pushteteve të buta
Përherë besnik në idealin e kombit

                   Gusht, 2012

ZGJOHU

Zgjohu, o ti Shqiptar i nëpërkëmbur
Zgjohu bëji dritë emrit të bardhë
Zgjohu, mos lejo dikush të ta rrjepë lëkurën
Të të vrasë me natë, e me ditë të qajë

Zgjohu o plisbardhi im i vrarë ndër shekuj
Zgjohu se dita jote ka ardhur
Mos lejo që edhe nga goja bukën të ta heqin
Vajtojcat e kolltuqeve, që s`të lanë edhe djersë në ballë

Zgjohu o ti i uruar, plisbardhi im
Mos lejo mbi shpinë, kush qohet më parë
Pa zgjohu edhe njëherë e shtrëngo grushtin
Lëkurë për të shitur nuk ke, as tokë për të falur

Zgjohu njëherë e përgjithmonë, o Shqiptar
Zgjohu, hapi sytë e shiko
Mos të të hedhë kush hi syve, të të mashtrojë
Drejt dritës, drejt fitoreve të reja marsho

Zgjohu o plisbardhi im, zgjohu
Se koha të ka ardhur...

                
Gusht, 2012

 

 

 

DIKUSH KËRKON...!

Dikush kërkon rënien time çdo ditë
Fjalës m’i bën prita
Prapa shpine m’i vret engjëjt e vargut


Dikush kërkon nëpër degën e fjalës
Pëlcitjen ku mund ta thyejë atë pabesisht
Që pipat e vargut të mos pipojnë më


Dikush me pushkë të zbrazur
M’i gjuan thneglat e vargjeve prapa shpine


Me shkopin e urrejtjes
Kërkon të m’i groposë muzat e fjalës
Dielli nuk eklipsohet me dorë


Dikë e ka verbuar smira
E s`mund ta shikojë shkëlqimin e vargut tim


Dikush nga gropa ku ka rënë
Përpiqet të na e tërheq këmbën e fjalës
O zot sa poshtë paska mbetur

 

Kohë me furtuna , lum miku
Vaj halli për njeriun me emër dhe fjalën


Edhe sa kohë na duhet ta mësojmë
Artin e dashurisë së vargut
T’ia shohim bukurinë e diellit

Mbetëm të verbër, Oooooh...

               Zvicër, 2012


RISHPALOSJE E PLAGËS

Jua mora në qafë ëndrrat bijtë e mi, shpresat
Jua ngarkova në strajcën e mallit e ju dhashë udhëve
ç`mallkim ju zuri pas ikjes sime

Jam lutur përherë kam ëndërruar
Me ju e kam ndërtuar kullën e shpresës për të nesërmen
S`kam dashur kurrë t’ju prek mallkimi i fatit tim

E liga të godet aty ku dhemb më së shumti
Kjo është filozofia e jetës

Ëndrrat tona na i vrau gjarpri i veriut të zi
Na e ndoqi fjalën këngët, na e vrau lirinë tonë
Na hodhi përtej harrimit të udhëve

Ma zuri frymën e mendimit diellin e fjalës
M’i ndoqi hapat e idealit tim, më prangosi dritën e fjalës
Edhe bukë në sofër s`na la

Ç`t’ju jepja juve, bijtë e mi
pos mishit nga ashti im
Të gjitha shtigjet e jetës mbyllur na i kishin

U ngarkova në strajcën e ëndrrave të mia
Të mos vuanit emrit tim të përndjekur nga dorë e zezë
Të paktën t`jua shpëtoja kokat

Ju mësova si të ecni në jetë
Të dalloni të bardhën nga e zeza,
Të gjykoni vetë në rrugët e jetës
Të doni e kurrë mos të urreni,
Me syrin e vigjilencës ta vështroni jetën
Ta doni atdheun edhe atëherë kur jeni larg
... e të, ... e të,... e të,....

Udhët janë tepër të gjata bijtë e mi
Tepër shkrumbuese, përvëluese
Mos ju zëntë mallkimi i tyre
Se hi ju bën flaka e harrimit

Alkimia e udhëve tona kërkon kthime
Xhevahiri i paqes na pret në Kosovë
Kot i kemi hipur lundrës së udhëve
E bredhim Evropës

Më falni bijtë e mi
Nuk ju kam mashtruar kur ju flisja për të mirat e Evropës
S`kishit moshë t’ju flisja për ligësitë
As për skllavërinë moderne të civilizimit

Ç`farë t`ju thosha në atë moshë?!

S`doja t’jua lëndoja ëndrrat e njoma plot shpresë
As këngët e rritës s`desha t`jua plagosja
Vetëm rritën jua ushqeja

Sot më jeni bërë dhimbje e këtij monologu të udhëve
Plagë e borëbardhave të mallit mbi kokën time
Bashkudhëtarë të udhëve

Gjethe e degës së thyer të fisit

Bijtë e mi
Do të vijë koha kur këto dhimbje malli do t’i shpalosni
E mbi to do të gjeni kërkimfaljen time
Dhimbjen e shpirtit tim për udhët që jua dhashë
Po s`pata qare
Se gjarpri i veriut na kish rënë në kullë
E edhe kripën nuk na e la me bollëk

Tani m’u sosën fjalët se më mbyti dhimbja
Dekadat e mallit më kanë rënduar në shpirt
E edhe loti po më tradhton

Ç`të them tjetër në këto çaste zjarrmie
Mallkuar qofshin udhët që na morën e s`na kthyen më

Ikni bijtë e mi, ikni drejt alkimisë së rrënjëve
Atje do ta gjeni xhevahirin e paqes

                             Zvicër, 2012

 

 

 

 

KOHË E LIGË PËR VARGUN DHE MIKUN TIM POET

Ta lexoj dhimbjen mes vargut, lum miku
Kronikat e kohës të mbytura në dhimbje
Me çfarë ta mëkoj plagën e diellit tënd

Sheshet të janë mbushur politikë
Parti e kaos është bërë pushteti

Erë e përçarjes po i vjen kohëligës
Me gur gënjeshtre po ngrihen kalatë
Ka harbuar ligësia ballkanisë
Medet ç'kundërmim po i vjen kohës

Sharlatanizmi na i ka pushtuar hapësirat
Gazetat janë mbushur me kokëdhembje
Medet ç'surrat, alamet portrete, m’u verbuan sytë

Fjalës tënde mik i pendës ia kanë zënë frymën
Kot ti e unë e tjerrim trurin për fjalën e shenjtë
Njeriut tonë ia tregojmë diellin

E shihni si e ka verbuar pluhuri i kohës
Ia kanë zënë frymën bukën nga goja ia vjedhin
A lexohen libra me barkun bosh

Kohë e ligë për vargun dhe mikun tim poet


                
Prizren, 2 shtator 2012

 

 

KOT MË FLISNI

Kot më flisni ju ulur nga kolltukët

Përralla për mizat e sokakut tim
Popullizmin Evropa moti e ka hedhur në shportë

Kot ndërtoni dinasti të rrejshme
Përrallat e faraonëve janë shembur me piramidat
Mbretëritë e hekurta i thyen grusht i popullit

Kot më restauroni pallate për lutjet e minjve
Me objekte kulti s`mbushet barku i të varfrit
"Faleminderit", qytetin ma bëtë copa copa

Kot më flisni ju për qytetin e krenarisë
Besën Abdylit e Ymerit çdo ditë po ia shkelni
Shesheve të tij harroi se i takoi shumicës

Kot më flisni ju për idealizmën e djeshme
Fraza populiste e kam mbushur Lumëbardhin
Kjo e sotmja shumë keq po u rri

Kot më flisni për dashurinë e atdheut
Për ëndrrën e madhe për bashkim
Ju, çdo ditë ma copëtoni zemrën e qytetit tim!

      
Prizren, 2012

 

 

UNË E MALLI

Nganjëherë mallit i vë pikë
Dhe eci udhëve pa u ndalur
Se si më merr s`më lë të iki
Kudo që të ikësh pas kam për të ardhur

Dhe iki unë vërdallë planetit
Flatroj mbi kodra hiq pa u ndalur
Kot fshihem udhëve brigjeve e detit
Kudo që ikën pas kam për të ardhur


Dhe ikën mosha as vetë s’e shoh
Unë gjeografive hiq pa u ndalur
Ngado që shkoj ai s`më largon
Kudo që të ìkësh pas kam për të ardhur
Tek m`vizaton rrudha mbi ballë

Deshëm e s`deshëm miqësuar jam
E mbaj në gji më djeg në ballë
Udhëve pandalshëm këtë mik e kam
S`më lë kurrë vetëm i djegshmi mall

            
Haag, 2012

 

 

 

 

 

SA HERË PËR TY UNË KAM ZJARRMI

 

Nën hijet e tua e freskoj mallin

Dhe ia marr këngës plot dashuri

Mes vargjeve e rimave e freskoj ballin

Të sjell të falat me plot zjarrmi

 

Krojeve të tua i laj sytë mallit

Sa herë verbohem e kam mërzi

Mes vargjeve e rimave e freskoj ballin

Të sjell të falat me plot zjarrmi

 

Kullave të tua e pushoi mallin

Çdoherë kur lodhem e kam mërzi

Mes vargjeve e rimave e freskoj ballin

Të sjell të falat me plot zjarrmi

 

                     Bodense, 2012

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MALLKUAR UDHËT

 

Këto nënat tona ç`i përvëluam

Me ikjen tonë në arrati

Ato mallin tonë me lot e shuajnë

Mallkuar qoftë kurbeti i zi

 

Këto nënat tona ç`i dogjëm krejt

Me ikjet tona udhëve pa kthim

Ai malli ynë lot u ka mbetur

Mallkuar qoftë udhë e mërgim

 

Këto nënat tona seç i verbuam

Me ikjet tona udhëve në botë

Mungesën tonë me lot e shuajnë

Mallkuar udhëve për jetë e mot

 

Si nënat tona kush njeh aq mall

Për djemtë e saj ikur nëpër botë

O nënë shqiptare shpirtin ma kall

Mallkuar udhët për jetë e mot

 

                       Gjenevë, 2012

 

 

 

 

 

 

 

MË FAL PËR LOTËT, TI NËNA IME

 

Më fal të lutem për lotët e tu

Ti nëna ime atje ndër kulla

Ti vet më thoshe nëpër urime

Kurbeti biro është për burra

 

Dhe ndër ninulla kur na këndoje

Mua e vëllezërve pranë te vatra

Ti e di vetë a s`na uroje

Për udhë kurbeti u paçin motrat

 

Dhe ikën vitet e ikën motet

Për dorën tënde m`përvëlon ky ballë

Seç më zuri malli më dolën lotët

Për lotët e tu ti nënë më fal

 

As vargun më s`po mund ta shkruaj

Se malli yt sytë m’i verboi

Nuk i shoh germat rimat më luajnë

Ai loti yt ç`më përvëloi

 

             Zvicër, 2012

 

 

 

 

 

 

 

DHE JU SA HERË TË MË KËRKONI

Kur një ditë ju të më keni harruar
Unë në mes këngëve do të këndoj
Këtij mallit tim shkrumbi përvëlon
Mëngjeseve tua do t’ju zgjoj

Si një bilbil atje ndër lisa
Cicërimën time kur ta kujtoni
Me mallin tim shkrumbi përvëlon
Aty mes vargjesh hyni kërkoni

Dhe do të më gjeni duke kënduar
Mëngjeseve të tua bashkë me diellin
Mbushur plot mall shkrumb përvëluar
Aty mes librave pranë kandilit

Dhe sa herë vargu të marrë jehonë
Mbi qiellin tuaj plot shkëlqim
Kujtoni vargjet shkrumb përvëluar
Në biblioteka aty jam mirë

                 St. Gallen, 2012

 

 

 

 

 

 

SIKUR NËNAT TONA,

NUK KA KUND NË BOTË

Vajta në gjithë botën e askund s`takova
Nëna që nxjerrin nga shpirti lot
Dhe aq mall që të djeg zjarrmi
Sikur nënat tona s`ka askund në botë

Kaq mall për bijtë e kaq dashuri
Sa të shkrumbon loti i saj kur rrjedh
Takova një nënë diku në Itali
Ardhur pas të birit, ikur prej shumë vjetësh

Pak djathë Shqipërie e pak mall Kukësi
Ato duar të saja më mbushën me lot
Pak do zarzavate këtu për djalin tim
U bënë shtatë vjet se kam parë dot

Për orë të tëra aty brenda portit
Kjo nënë e shkretë djalin duke pritur
Prapa receptorit më thotë gjatë të pres
Se kjo italianja derisa të gatit

Dhe pret nënë e shkreta e pret me orë
Atë djalin e saj sheshit nëpër portë
Duart e saj nga puna përplot me të çara
Nëpër sytë e mi seç më nxjerrin lot

Iku gjithë dita e vajti shumë vonë
Ata krahë të saj kurrë nuk i harroi
Si flatra në flatrime sikur një shqiponjë
Atë djalin e vet tek e përqafoi

Dhe puthja e saj që i dha në ballë
Mu duk se Gjallica peshën e shkarkoi
Ah, lotët e saj të djegshëm në mall
Djalin e saj tek e përqafoi

E ku ka në botë sikur nënat tona
Na qajnë me lot edhe për së gjalli
Janë më të mirat këto krahë shqiponja
Ah moj nëna ime, dhe mua më dogji malli

      
Lugano, 2012

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VARGU M’I BËN ROJË HARTAVE TË ATDHEUT

 

Si ushtarë të lirisë radhitur i kam vargjet

Rreshtuar hartave të copëtuara të atdheut

Porosinë që e mbaj në gji besën e Abdylit e Ymerit

Zgjuar i kam vargjet deri në fitore

Armatose me barot Drenicë

Që përjetësisht të dëgjohet krisma e tyre

Nga Molla e Kuqe e deri në Çamëri

rreshtuar i kam

Në gji ma ruajnë amanetin e Ymerit

E me martinën e Sylë Vokshit në front

Për një Shqipëri

Mos ma harroni Çamërinë

Plaga që ende më kullon gjak

As motër Preshevën

Këtë shami të kuqe në qafën e atdheut

Kot më flisni për Iliridë,

Hotë Grudë e Plavë

Edhe për Kosovën s`dua të këndoj

Se kam një plagë këtu në mes

Që vargu m’i bën rojë çdo ditë

Zgjuar pa gjumë

Hartave të shqyera të atdheut

Vargu im gjakon

Nga Molla e Kuqe deri në Çamëri

Për Shqipërinë këndon

 

                 Prizren, 2012

 

NJERËZVE TË MI

Ngado që shkoj e kudo ku jam
Me mallin tuaj unë frymoj
Ju mbaj në gji në zemër ju kam
Këto udhë Alpeve ç`po më shkrumbojnë

Si pëllumb i vrarë kudo vetmuar
Mbi flatra malli flatroi çdo ditë
Mbi qiellin tim diell shkrumbuar
Territ të mallit nuk shoh as dritë

Ju s`mund ta dini sa më mungoni
Kësaj vetmie në arrati
Vargjeve të mia kudo frymoni
Të paktën aty bashkë me ju rri

Ah sa ju dua s`mund ta besoni
Harroj dhe veten me ju kur rri
Me dhimbjet e tua sa më lëndoni
Veç zemra ime mund ta di

Ngado ku shkoj ju kam në gji
Me mallin tuaj digjem çdo ditë
Ju bëj të fala plot dashuri
Një ditë patjetër mes jush do të vij

    
Felkirch- Austri, 2012

 

VARGJE E MALL, BASHKË

Në kullat e mendimit ç`më gumëzhin muza
Me zjarrmi e mall udhë mbushulluar
Plot guxim e etje ujëvarë e gurra
Me çfarë ta freskoj fjalën e shkrumbuar

Me frymëzim malli kthehem tek fillimi
Këto kokat e vargut kur priste censura
Në logun e fjalës më shpërthente guximi
Ujëvarat e vargjeve kah rridhnin ndër gurra

Mbeti dhe e djeshmja pergamenë në fjalë
Kronikave të vargut si statujë rri koha
Kullave të fjalës ç`na hyri ky mall
Në muzën e fjalës udhët dhe Evropa

Tmerrësisht muza e fjalës u zhurit në mall
Kokat e mendimit ç`u mbytën zjarrmi
Të më falë vargu dhe e bukura fjalë
Nuk kam faj unë ka kjo arrati

Mbetem rrjedhës fjalës s`dua të ndaloj
Pa le të shkrumbojë malli në këtë vargun tim
Le t’i djegë dhe balli kurrë mos t’i pushojë
Unë poeti i mallit udhë e mërgim

                  
Zvicër, 2012

 

ABERRIM*

Çfarë t’i japim kohës të na ndryshojë mendimin
Apo shpëlarje truri na i duhet së ardhmes
Nëpër kokat tona t’i sjellim pendimit
Aberrimit* tonë t’i ndjellim të bardhës

Ah ç`pendim na i duhet kohës që na zhveshi
Shkolla e së kaluarës vrazhdësi e mendimit
Ndoshta fati ynë rastësisht na buzëqeshi
Ndryshe ecja jonë shpesh po i fryn zemërimit

Si sjellim dot kokës mur e kem mendimin
Apo kokat tona na kanë marrë erë
Këtij udhëtimi i ndjellim harrimit
Pse kësaj ecjes sonë dielli nuk po del

Dikur mbillnim kokat për diellin e bardhë
Zogut të atdheut gjak nga ashti ynë
Sot me duart tona njëri tjetrin hamë
Ç`mjerim për kohën, ç`pikëllim zogynë

Pika t’i bjerë kohës dhe pika mendimit
Këtë zemërimin tim djalli le ta marrë
Ju dua të bardhë t’i sillni pendimit
Se ndryshe e ardhmja na i jep kokës erë

            
Prizren, 2012

 

* Aberracion - Largim nga mendimi apo sjellja racionale.  

VARGJE PROZAIKE

Vjeshta alpine veç sa i ka mbuluar hapat e njëzetepesta
Njëzet e pesa një e katërta e shekullit në matematikë
Po si t’i numërojmë vitet ndryshe udhëve tona
Me një fletore në dorë i mbledhim çastet e ikjeve tona
Kronikat e mendimit i vjelim një nga një si kokrra rrushi
E mbëltimit të tyre e shtrydhim thartirën e mallit
Medet ç`përzierje mes fjalëve kjo dhimbja jonë
Askund nuk duket fundi i udhës nëpër gjeografi
Gjethet e saj zverdhen vjeshtave pikojnë një nga një harrimit
Kujtimi më kthen nëpër historinë e brezave
S`qenkam as brezi i parë as i fundit i kësaj kolone
E m’i vë prita shpesës së kthimeve në Vërri
Miku im atje ndezi një qiri mungesës sime
Se gjethet tona po i zverdh vjeshtë e harrimeve alpine
Se derisa ne t’i mbathim mbathcat e t’i hipim kthimeve
Moteve pa arbitër nuk u dihet as udhëve
Një ditë sa s`mbeta sandviç mes një hekurishte në rrugë
Po ku i dihet detit e qiellit pa prekur këmbë në tokë
Ikjet tona shpesh janë tragjike bash si udhët
Ndaj ta mëkoj me këtë varg mungesën time
E kronikave të mendimit ta lë fjalën si shërim shpirti
Vetëm ti di të ma ruash emrin dhe ky varg plot mall
Ndaj mos më gjyko nëse të paktën të kam trazuar dhimbje
Ty që rri vertikalisht atje mes Sharri e m’i bën rojë atdheut

                                Buchs, 2012

PEZULL

Këto udhët tona na i kërkojnë harrimet
Një kronikë në vargje na nxjerr nga kujtesa
Një dëshirë e vjetër mbathcat dhe kthimet
Çfarë t’i jap vargut e mbyti pendesa

Kthehem nëpër mall udhët nuk i ndal
Ylbere largësish verbërisht më ngacmojnë
Këtu buzë Rajnës vargun nuk e ndal
Kronikat e udhëve harrimet m’i zgjojnë

Dhe më kthejnë ndër kulla ikja ime zgjuar
Vargjet e shkrumbuara harbojnë e tërbohen
Hijeve në Vërri më kërkojnë mua
Ulur këmbëkryq gjithë ditën harrohem

Kot i bie mallit e marr me të mirë
Apo ikjes sime një strofull kërkoj
Vetëm fjala në varg më nxjerr nga ky harrim
Mbi letrën e bardhë shpirtin e shëroj

Estetikë e zezë shpesh m’i bie mendimit
Dhe fjalën në varg sa shumë ma lëndon
Ku ta gjej një strofull të mbytem harrimit
Këtë mallin në varg me çfarë ta zbukuroj

          
Zvicër, 2012

POROSIA E BREZAVE

Mos e lë të sotmen të gjykojë e nesërmja
Ligësive të kohës mos nënshkruaj nënshtrimin
Në ecjen ballëlartë në frontin e fjalës
Ni kjo ecja jonë na e kërkon guximin

Mos lejo të nesërmes të mbajë kokën ulur
Gjykimi i saj të të përbaltë ndër gojë
Më mirë ecjes tënde të të flasë trimëria
Ndryshe ardhmëria rëndë do të gjykojë

Në sheshin e atdheut ka vetëm dy udhë
Njëra është e bardhë e kjo tjetra zi
Ec udhës së diellit mos në të paudhë
Pasqyra e së nesërmes përpara të rri

Te udhët e së djeshmes u ngjitën lavdisë
E për të paudhët mbolli koha turp
Ju bijtë e të sotmes ecni bardhësisë
Të nesërmen e ardhur të mos hani bukën me turp

                      
Kosovë, 2012

 

 

ÇASTEVE TË ARRATISË

Ti vetë je bërë malli, ai mall i djegshëm mes Alpeve
Mes një harrimi të harruar mes ikjesh
Ikja që të mori, t’i njeh të njoma kujtimet e lëna kullave
Dhe sa herë të zë malli ti mbytesh mes kujtimesh
E mes fjalësh i shtrydh kujtimet metaforave
Ti mbetesh ikja e kënga jote i mbath kthimet
Dhe nga ajo që e shtrydh mendimit pikon malli
Këngëve të tua nëpër lirika pikon etja e largësive
Dhe kroi i mendimit të marrë zjarrmi zot ç`përvëlim
Me ç`ta ushqejmë fjalën e t’i freskojmë ballin
Ikjes që na vodhi e na mbyti harrimeve
Vetëm një shpresë ti ruan kthimet e tua
Një gur dhe një dru diku nën lisa, ta pret kthimin

                     Zvicër, 2012

 

 

VARGJE MES MALLIT

Një etje e moçme më fton mes fjalës
Ngacmimi i muzës m’i bie me daltë mendimit
Këngë te pakënduara zbresin fletëve, të bardhës
Metaforat mbushullojnë akte të përmallimit

Aromë Evrope mbushullojnë mall
Udhëve tek zbresin me plot udhëtarë
Zjarrmisë tek shkrumbohen digjen mbi ballë
Ç`m’i zhuritin vargjet me aktin e parë

Ç`gjëmim pende e zjarrmi mbi ballë
Marrin vargjet rimat tërbohen në varg
S`kam faj unë as ti pena ime
Ah këto udhë dhe ty të lanë vrragë

Përditë mes vargjesh mendim tjerrë
E freskoj me mall kupën e mendimit
Ti varg e di se të djegë ky ballë
Por muzën s`do ta ndal edhe kur më zë pikëllimi

      
Zvicër, 2012

 

 

 

VARGJE PLOT ZJARMI

 

I.

Largësisë tënde digjet sa e sa mall

E hijeve të tua flladiten ylberet e shpresave

Brezat që t’i vodhën udhët

 

Ti tani je bërë dhimbje e shpirtit

Vargut kudo që na ndjek

Zjarrmi e fjalës, këngë e lënë përgjysmë

 

Kullat e krenarisë i shkretoi pritja

Për ikjet që ende s`po kthehen

 

Gjeografive të botës

Ti tani më je bërë anatemë e mallit

 

Ylbereve të largësive në mes

Digjen shpresat e moteve pa arbitër

Tek presin kthimet e udhëve

 

II.

Ikjeve kërkoj flladin tënd

Po asnjë hije se gjej Alpeve

Ku t’i strehoj ëndrrat shpresave

 

Tani është bërë vonë shumë vonë

Malli i ka zhuritur të gjitha

 

Dy dekada e gjysmë zjarrit të udhëve

Ora e mbrapshtë dhe koha prishur janë

 

Janë prishur këtij udhëtimi

 

Udhët pamëshirshëm brejnë kujtimet

 

Mik, si të të qaj hallin

Kur ti s’e njeh gjeografinë e udhëve

 

Edhe vargun ma dogji zjarrmia

 

III.

Shpeshherë natën e marr me të keq

E zemërimin ia shtrydh terrin deri në pikën e fundit

 

Me lapsin i ushqejmë shpresat

Çmallemi me mallin, atdheun

 

I ndriçojmë me ylberet e shpresës

Mes fjalëve në varg, atdheut

I thurim këngët e pritjes

 

Kolonave të ikjes ia flladisim ballin

Me shaminë shpresave të kthimit

Ia fshijmë shkrumbin e mallit

 

E me gjuhën e vargut ia freskojmë buzët etjes

 

Me gjuhën Naimiane netët i ndezim

E me këngët e atdheut ia shërojmë plagët mallit

 

IV.

Miku im, sa më larg që jam

Aq më shumë ju dua

 

E ke vënë re se kur dikë e do e të mungon,

Dhe sa më shumë që të mungon, etja shtohet

 

Unë këtu i kam të gjitha pos juve dhe atdheun në gji

 

Me vete i kam udhët, mallin, zjarrminë, udhët

Për mua ju e atdheu jeni të gjitha

 

Ah, ç`mall ra mbi varg

E ma dogji poezinë

 

V.

Me kolonën tënde udhët gjarpërojnë gjeografive

E të shkrumbon pika e mallit mbi ballë

Kosova numëron ikjet kullave të shkreta

 

Ikja i ka rënë si mortajë e mallkimit të saj,

Malli bëhet anatemë e përjetshme

 

Kënga hyn notave të vajit në pentagramin e atdheut

Jo kot thuhet: mërgimi vaj i ka këngët

 

Malli bëhet ylber i ikjeve

Përtej teje, ti një statujë e harruar

Mes udhëve, mallkimit të harrimit

 

VI.

Çdo çast këngët i kthej në atdhe

Flladeve të Vërrinit ndër lisa

(Pse gjithë ky mall për vendlindjen)

Dhe i flladis ato me mallin

 

Me njerëzit e mi në kulla merr oshtimë kënga

Vërrinit mbushet dritë gëzimi prek kupën e qiellit

Adem e Hamëz Jashari flatrojnë si shqiponja atdheut

 

Qiellit të atdheut shkëlqim marrin grykëhollat

Shtohen kullat Vërrini mbytet jehonave

Avull bëhet kënga vapa e gushtit pëlcet gëzimeve

 

Vërrini mbushullon dasmave

E kënga jehonë çmallshëm

Tek shtrohet në sofra ndër kulla

VII.

E kam lënë diku një etje

E çdo ditë udhëve m’i fryn me mall

M’i mbushe shpresat e udhëve me kthime

 

Flladit të saj shuhen vullkane malli

Mes ylbere ikjesh e kthimesh

 

E kam lënë diku një etje

Ku kënga rritet ndër fllade

E nga oshtimë e saj

Ushqehen shpresat e mbathcave

 

Tek presin pritjet kullave

Kthimet që do të vijnë me ne

me gumëzhimën plot filiza e pipa

 

E kam lënë diku një etje

Ku frymon shpresa, frymon jeta

Ku dua të më gjejë dhe vdekja

A siç thoshte Fishta; Deka

 

VIII.

Më hedh harrimit pas shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve

Të mos i vijë as aromë malli udhëve të ikjes

Sa më larg aq më shumë ndez etja

 

Përcjell dhe kolona të reja

Që sa më shumë të na mallkojë harrimi

 

Shpendin në beze ma përgjakën

I lidhën dhe këmbë e duar me zinxhir

Të na e ndezin frikëharrimin

 

Dritën ia vranë me skafandër

Të na e mbytë terri shekullor

 

I përflakën dhe kullat shekullore

Ec e duro plisi im kryengritës

 

Malet në këmbë zgjuar, kolonën

Zgjuar ma gjeti kthimi në atdhe

 

Se ka një magji në mes

Që na i ruan pragjet e vatrat

Edhe përtej udhëve të harrimit

 

IX.

Ju që ma dëgjoni klithmën e shpirtit

Të përmalltë, të shtrenjtit të paharruarit

Tani jam kthyer mes jush

 

Si rrezja me diellin e mëngjesit në gji

Në kërkim të diellit për ju

I jap shkëlqim kohës, netëve të tua

 

Në mesin tuaj i kthyer

Po i çmall dëshirat e përflakta

 

Flladeve të Vërrinit t’ia freskoj mallit ballin

Kolonës sime ku djeg balli e digjet malli

 

Atje ku vaji bëhet këngë e kënga lot

 

Mos ndillni harrim, larg mallkimit

Flisni një fjalë të bukur për kolonën e ikjeve

 

Ndillni kthimet për ta

Sikur jehonës në pyll

Kur i thirr mirë dhe ta kthen mirë

 

Mos iu gëzoni harrimit të tyre

Se do ju zërë mallkimi dhe juve

Oh sa më ndjell kob kjo fjalë plot ironi

 

X.

Me gushtin sonte i cakërrojmë

Çastet e ngrohta, këngën e bëjmë avull

E dashurinë e shtrojmë përqafimeve

 

Koha e largësive mes nesh

Shkrihet shpërmallimit

Dhe vapa e verës flladitet Vërrinit

 

Sonte nata i ngjan ditës

Mua e ty zgjuar na kanë kullat

Mbushullojnë kthimet filiza e pipa

 

E në jehonë tupanash dridhen malet

Dasmë në Vërri, shtohen brezat

Vallet bëhen avull ballit të plisbardhit

 

Sonte unë e ti mëngjes do ta bëjmë

Nën cakërrime gotash gëzuar do t’i bëjmë

 

Kthimit të kolonës së përmalltë

Vërrinit mbushullojnë kullat

 

                               Gusht, 2011

 

 

DIKUSH..., PO I BËN GROPA LIRISË

 

Ju që të djeshmen po e dërgoni në gjykatë

Mos i gëzoni të sotmes

E nesërmja do t’ju hakmerret

 

Vërtet, kanë ndërruar faqet e historisë

Liria ende të freskët e ka aromën e luleve

E rrënjët plot gjak

 

Plot njëqind vjet i dhamë gjak nga bonca jonë

Gjymtyrë e mish nga ashti

E ushqyem me çka patëm, të shtrenjtën

 

Dhe ju prapë si bini kokës

Liria e ka ngjyrën e gjakut

Blu, është ngjyrë e huaja

 

Ju që po ma dërgoni kohëkuqen në gjykatë

E m’i vini pikëpyetje faqeve mbi histori

Mallkimi i gjakut do t’ju zërë

 

Lum ata, që lirinë e shikojnë në sy

 

     *Disa vite më vonë, pas një lufte të përgjakshme në Kosovë.

 

 

 

 

 

MBIJETESË

 

Tehut të shpatës e përbiruam fjalën

Që të mos i pritej gjuha mendimit

Kohë e dhunshme karpatesh pat rënë mbi ne

 

Nëpër teh shpate e përbiruam mendimin

Që të mos i këputej koka shpresës

Kohë thikash karpatike patën rënë mbi atdhe

 

Nëpër teh shpate i përbiruam këngët

Që të mos i vritej motivi shpresës

Kohë shtrigash karpatike ia lidhnin gojën atdheut

 

Tehut të shpatës e përbiruam mbijetesën

Me qëndresë e besim në të ardhmen

Gjarprit të veriut ia këputëm kokën

 

Mbijetesë, ishte koha jonë

 

                 Prizren, 2001

 

 

 

 

NOKTURNO PËR IKJEN

 

E lashë të djeshmen duke kënduar nën lisa

Me vete e mora këngën e pakënduar dhe mallin

Ika dhe pa u përshëndetur s`më la loti

Dhe shkrumbi i nënës tek më puthi mes ballit

 

E lashë të djeshmen të m’i freskojë kujtimet mes këngëve

Me vete i mora ëndrrat dhe strajcën plot mall

Ika pa u përshëndetur pa i dhënë lamtumirën

Seç m’u hap në zemër atë ditë dhe një plagë

 

E lashë të djeshmen të ma ruajë ditën e kthimit

Me vete i mora shpresat dhe mbathcat në strajcë

Nuk i dhashë lamtumirën shumëkujt që i dua

Më pritni thashë, se kthimi një ditë ka për të ardhur

 

                               Zvicër, 2011

 

 

 

VARGJE PËR DUART E NËNËS DHE VRESHTAT

 

Rrushin që na e shtroi përpara në tryezë

Ruajtur nga dorë e nënës për të shtrenjtin mall

Ky fillim marsi na ktheu në vjeshtë

Në jam në ëndërr apo në përrallë

 

Ruajtur e kam këtë rrush me kujdes

Nëpër pritën tënde kthimin nga mërgimi

Është rrush i *kodrës nga tonat vreshta

Dhe plot mollë e dardhë që mbëltojmë këtij dimri

 

E fali natyra bëri mrekulli

Si rrushi sivjet s'mbahet mend ndër mote

Kalaveshë të plotë rëndonin hardhitë

Ah moj nëna e ime,

           është djersë e ballit dhe dora jote

 

         *     *     *

 

Kujtimet m’i ktheu, ballin tek më lëmonte

Kur kisha zjarrmi e llastohesha kot

Me dorën e saj dhimbjen ma shëronte

Ah dorë e nënës, kjo dorë magjiplotë

 

Dhe kur vreshta jonë zverdhej e lëngonte

Në fletë të hardhisë dhimbjen ia lexonte

Me duart e saj vetë e punonte

Në çdo kalavesh plagët ia shëronte

 

Sërish rikujtoj kur isha fëmijë

Mbushullonin në vreshta rrush mollë e pjeshka

Por si vreshta jonë s'kish rrush në Vërri

Dorë e nënës sime i rrit tonat vreshta

 

           *     *     *

 

Ah ty nëna ime sot unë të kam faj

Në dorë shaminë përlotur peng mallin ta mbaj

Të më falësh nënë por unë nuk kam faj

Ka faj ky mërgim që motet i ndaj

 

                   Malësi e Vërrinit, mars 2008

 

* Vërri-regjion në jug të Prizrenit

* Pas kthimit nga mërgimi

 

 

 

 

IKJE PA LAMTUMIRË

(Poetit të ndjerë, Rexhep Smajlaj)

 

Dy ditë para ikjes

Më dha ngushëllimin për babanë

Ah, sa më lehtësove dhimbjen mik...

 

E dy ditë më pas,

S`di pse të pëlqeu ajo ditë tetori

Apo e zgjodhe vetë, Ti i pari

 

Dy ditë përpara ikjes

Ma fale ngushëllimin për babanë

Mik, i gjakut të pendës

Sa m’u lehtësua dhimbja

E dy ditë më pas...

Nuk e di

Në e zgjodhe vetë

Atë ditë të bukur tetori

A të zgjodhi ajo Ty

 

Sa pak fjalë ndërruam

Brenda ngushëllimit

Të paktën të mbajta krahun tek të përcolla

Rrugës s`më tregove për ikjen

Të paktën edhe një lamtumirë të ta thosha

... sot, më vjen të plas

 

Unë, ende s`pajtohem me ikjen

Ajo ditë tetori po më bën të plas

Ah, sa pak fjalë ndërruam

Brenda atij ngushëllimi

Të paktën dhe një herë për vargun

Ndonjë fjalë ta çmallnim

 

Unë ende nuk pajtohem me ikjen

Shpresa më mban diku të pres

Të paktën dy tri fjalë të t’i thosha për Vërrinin

Për luftën, për trimat....

Për bukuritë që të kishin magjepsur...

Ah, mik i pendës

Kjo po më bën të plas

 

Unë nuk pajtohem me ikjen

Ndaj lamtumirën s`ta kam dhënë

Një ngushëllim për mua e vargun

Një kujtim për ty, e vargun tënd

 

             Tetor, 2010, Zvicër

 

(Vetëm dy ditë më parë, poeti Rexhep Smajlaj, bashkë me miqtë Berat Batiun dhe poetin Ilam Berisha, më patën vizituar në shtëpinë time në Malësi të Vërrinit, për të më dhënë ngushëllime për babanë tim. Dy ditë më vonë, lajmi për ikjen aq të papritur të poetit, më vjen në Zvicër).

 

 

 

 

NA HODHËN PËRTEJ ATDHEUT

 

Në binarët e trenit të ikjeve i varëm shpresat

Që e nesërmja të mos na gjejë pa bukë në sofër

Me se t’i ushqejmë zogjtë e së ardhmes

Kur zot i tokës sonë ishte bërë ardhacaku

 

Arën tonë e korrte xhandari i veriut

As edhe qiranë e tokës s`na e jepte

 

Me pushkë i ruante sheshet

Që rrezja e diellit mos të zbriste në tokë

 

Ëndrrat na i vriste me natën e na i vajtonte ditën

Herë herë edhe nga një pushkë te koka na e linte

Për ta dëshmuar para botës emrin e ri

 

Nëpër teh shpate e grykë tytash e përbiruam jetën

Që të mos na hante mishi hekur, morëm dhe udhët në sy

Që dritën e së nesërmes ta ruanim ndër breza

 

Na hodhën dhe përtej atdheut

Që lulet e mendimit të lirë mos të rriteshin

 

E shihni pse kaq larg juve u treta

E udhëve të mallit përjetësisht mbeta

 

                                           Tetor, 2011

 

 

UDHËT

 

Udhët janë

Trashëgimia e mallkuar

E ditëve tona

 

Bartur

Me strajcën e shekujve

Të mbushura plot ëndrra

E mashtrime

 

Kolonës së të nëmurve

Me të nesërmen

E vrarë në gjoks

Pritave të ikjes

 

Ëndërr e trishtuar

Në shtratin e harrimit

 

Njëherë

Të vjedhin ato

E të shpijnë mallkimit

 

UDHËT II

 

Udhët rrjedhin si lumi

E s`ndalen

Gjeografive të botës

 

Vërshojnë shpesh

Shkulin dhe lisa

E të humbin

Pa shenjë e pa dukje*

 

Bubullimës së tyre

Shkarkohen motet pa arbitër

Tek mbarset koha

Me farën e humbur

 

Shumë vonë e kupton

Se ti je mbytur

Në detin e harrimit

 

UDHËT III

 

Ato prehen

Nën shkrumbin e mallit

 

Kur të përpin

Flakë e tyre

Largësia bëhet

Etje e shkrumbuar

 

Ato shkarkohen

Ylbereve të mallit

E mbyten në shi

 

Mos vënçi kokë

Në prehrin e tyre

Se të djeg balli

 

 

 

 

UDHËT IV

 

Ato rrjedhin

Me dhimbjen e lotit

 

Pikojnë

Kur pikojnë strehët

Barit të lëvjerë

Strehëve

 

Kur pikon kulla

E shuhet zjarri në vatër

 

Pikat e tyre

Groposin dhembjes

Me vrullin e mallit

 

UDHËT V

 

Buka e tyre

Ka shijen e pelinit

 

Buka e përditshmërisë

së tyre

Është e gatuar

me lot

 

Tharbi i tyre

Moti është prishur

në vapën

e moteve pa arbitër

 

Me se t’i gatuajmë ato

kur gjithçka është prishur

në magjen tonë

 

 

 

PËRPJEKJA PËR TA ZBUTUR METAFORËN E MENDIMIT

 

Nëpër frëngjinë e mendimit çelikoset vigjilenca e idealizmës, duke i qëndruar gjithmonë besnik dritës për qiellin e lirë brenda hapësirave tona. Kësaj pathyeshmërie, vizioni arriti ta ruajë pikën kulmore të ecjes drejt dritës. Rrugëtimi kërkonte vizion, vendosmëri guxim dhe sakrificë.

Ecejaket nëpër lirinë e cunguar, sigurisht se kanë krijuar edhe mjegullnaja në përhapjen e dritës e cila sikur një furtunë edhe sot na ndjek nga pas si në pikëpamje tematike, ashtu edhe nga arti i fjalës, që me vrazhdësinë e kohëve të cilat ateruan mbi ne, u munduan të vrasin gjuhën e bukur të mendimit e të fjalës.

 

Me barotin e guximit e ndezëm muzën

Mendimit të kryqëzuar e rritëm fjalën

Që të na prijë e lirë të nesërmeve të bardha

 

Këtij dritëmendimi, përpiqemi që me gjuhën më të butë të metaforave, ta zbusim vargun, pavarësisht se shpeshherë na egërsohen ato, sepse vetë koha nëpër të cilën kaloi edhe fjala e mendimi ynë, vetë ne ishte një ecje nëpër tehun e një mbijetese të egër.

 

ETJA NË FJALË

 

Rrita jonë me mungesën e qiellit të lirë të fjalës ka krijuar etje, e cila është e pamundshme të kalojë përmes injorancës së harrimit. Ajo kohë, nëpër varg, na tërhoqi zvarrë, për të mos na u ndarë nëpër rrjedhën e tij. Etje kjo që do të transformohet për të na sjellë deri në zjarrin e mallit, me të cilin edhe vargu do të mishërohet edhe me ikjet në largësi, në arrati e kudo në udhët e gjata

 

Me se ta zbukuroj fjalën, ç’ t’i jap vargut, në këtë thatësi alpesh

Ku fjala shkrumbohet buzëve nga zjarrmi e mungesës suaj

Ku kënga digjet thatësisë së mallit ende pa i vënë notat

Në pentagramin e udhëve shkrihet në lot,..


Brenda këtij udhëtimi të përmallshëm dherave të huaja, atdheu, njerëzit, vendlindja, ... janë etje e pashuar në fjalë, të cilët në vazhdimësi digjen brenda shpirtit të fjalës. Ylberet e mallit që na rrethojnë e s`na ndahen gjithandej udhëve tona, transformohen në etje të përhershme që të tërheqin brenda vetvetes në format më të pamëshirshme të një malli plot zhurinë.


Nëpër etjen e mungesës suaj i kam shtjerrë krojet e mallit

Gjithçka u kam falur me fjalën dashurinë dhe këngën e dritës...

...
Plaga e madhe e kësaj etje, janë udhët, ikjet, arratia, kolonat e përmalluara të shpërndara gjeografisë së globit si një degë e thyer nga trungu i atdheut. Kjo plagë, jo e re për kombin, sikur po na përcjellë në vazhdimësi, duke hapur plagë të reja, për të na bërë etje atje, e etje këtu.


Vaj halli për kullat tona të shkreta, Zot ç`mallkim na ke vënë mbi shpinë

Nëpër këngët tuaja çdo ditë e shtrydhi ajkën e fjalës, e më del lot...

...
Ti fisi im i shkapërderdhur, medet ç`dhimbje m’i jep shpirtit

Vargun ma ndizni e lirika tërbohet mallit, me se t’ia shuaj etjen...

...
Ngjyrat e këtij udhëtimi, janë kolorit në vete, që në të vërtetë, krijohen imazhe të papërshkrueshme malli, dhe kur ato zbresin brenda fjalës, koloriti i tyre nuk i ndahet as vargut.

Herë vjen si anatemë, herë si zemërim, duke u shkëputur çaste të cilat na i shpalosin dhimbjet, mungesën e vendlindjes, të atdheut e të njerëzve tanë nëpër vonesën e kthimeve tona. Këtyre kronikave, atdheu është korniza e mallit dhe e etjes së kolonës së vargut.

Jo rrallëherë, plagët e atdheut, sikur e ndjekin nga pas vargun, duke u kthyer deri te rrjedha dhe burimi i problemit të kësaj ikjeje nëpër botë.

Mungesa e lirisë së atdheut, qielli i vrarë nga korbat grabitqarë të fqinjëve tanë, janë gjeneza e gjithë asaj të keqeje që mbuloi hapësirat tona, që si ndahen edhe sot e kësaj dite, kur po kërkojnë sërish të ulin në të njëjtën sofër me kobrën.


Mbijetesës sime u shkarkuan furtunat e shekujve

Azi e Karpate ranë këtejpari e s`m’u shkulën lisat

Se bima ime rrënjët i ka në zemrën e tokës

E kokën deri në kupë të qiellit



Brenda këtyre pak vargjeve, nëse e njohim të kaluarën tonë, do të shpalosim nga kujtesa ecjen tonë shekullore, që përveç që na faroi me plagë të shumta, brenda trungut tonë, veç tjerash, u krijuan kolona ikjesh nëpër gjeografitë e botës.
Muzat e fjalës prekin sentenca të shumëngjyrshme, duke na i ngacmuar ndjenjat e qëndresës sonë, vendosmërisë dhe guximit, se për tokën, vendin, atdheun, duhet qëndruar dhe sakrifikuar, për ta ndalë këtë të ligë, që në vazhdimësi e bënin fqinjët tanë përreth.


Të djeshmen e dhimbshme mos e harroni ecjes për të nesërmen

As apokalipsës së veriut mos ia falni shekullin plot plagë

Që e nesërmja të mos kthehet kobzezë mallkimit

...
Edhe tani kur ofrohet një paqe e rrejshme, nga gjarpri i veriut, besimi ynë i vrarë nëpër shekuj për të, ecën binarëve të dyshimit. Këtë pabesi, fqinjët tanë e kanë dëshmuar në vazhdimësi, dhe gjithmonë nëpër furtuna e zhvillime të ndryshme, kanë harbuar edhe vetë brenda furtunave mbi hapësirat tona për të na e vrarë lirinë. Këtij mosbesimi, vargu i qëndron stoik, duke bërë thirrje në vazhdimësi për kujdes dhe vigjilencë.


Dhe ju kujtoj se unë po flas përçart më është tërbuar vargu

Seç më dhemb një plagë e madhe e në zemër më kullon përditë

M’i skuqi edhe vargjet rrjedhë e saj si ta ndal këtë dhimbje...

 

Mbijetesa jonë, përballë një fqinji të etshëm e barbar, për kokat e tokat tona, sigurisht se, është tepër e ndjeshme edhe në artin e fjalës. Ajo na përcjell bashkë me dhimbjet që na ndoqën si popull, duke e bërë poezinë shumë specifike, për ta ngjyrosur atë edhe me gjurmët e kohës. Është e pamundshme të dilet nga ajo katrahurë, qoftë si poet, pa qoftë edhe si varg, pa i kronikuar, pa i hapur dritën vizionit të lirisë, pa e transmetuar ndër breza, sado që mund të mendohet, se kjo sikur na e rëndon poezinë tonë.

Gjithmonë në luftë dhe nëpër ngjarje, jam përpjekur ta zbusë metaforën brenda këtyre vargjeve, sado e vrazhdë që ishte koha përball nesh, megjithatë kujtoj se misioni i vargut në të shumtën e rasteve e ka arritur efektin e vet. Në fund të fundit, misioni i artit sado universal të jetë, bazën dhe bërthamën nacionale duhet ta shërbejë dhe t’i bëjë dritë asaj.


Pa shihni kodrat si ndrydhen varret mbuluar me lulëkuqe

Sa nëna motra e fëmijë derdhin lot mbi varret e thata

Mureve të shkrumbuara shkruhet epoka e dhimbjeve

...
Apo vargu;

...
Etja jonë kërkon dritë ecja na do të zgjuar

Verbëria juaj na mbyti me terr na i verboi edhe ëndrrat

Ju kot më flisni ç`shkëlqim ka drita kur përditë pëllumbave i vritni qiellin

...
Ndërrimi i epokave në atdhe hap hapësira të reja brenda vargjeve, për të krijuar mundësi edhe për tema tjera nga përditshmëria, arti, fjala, jeta sociale, mërgimi, etj. Kur jemi te ky i fundit, hapen tjera kaptina shumë të gjëra, për të cilat, e kam vështirë t’i ndaj nga hapësira e vargut. Ajo është plagë e popullit tim, është barrë që direkt rëndon mbi shpirtin tim.

Një etje e moçme më fton mes fjalës

Ngacmimi i muzës m’i bie me daltë mendimit

Këngë të pakëndueme fletëve, të bardhës

Metaforat mbushullojnë akte të përmallimit

...
Brenda vargjeve, metafora mall kap hapësira të gjera, duke u bërë plagë e fjalës, që gjithmonë lëngon nga dhimba, siç rëndon kjo plagë mbi kolonat e mërguara të fisit tonë gjithandej gjeografisë së botës. Vargu shpalos dhimbjen në dimensione, sa është edhe vetë përmasa e saj, duke mos u ndier asnjëherë e tepërt brenda fjalës.

Ndoshta gjatë shpalosjes së vargjeve brenda përmbledhjes do të mund të shtonim e zbërthenim edhe shumëçka, por e ndjejmë më të arsyeshme që perceptimin e vargut ta bëjmë nga këndi individual i mendimit, që do të krijonte përjetime të ndryshme.


 

 

  

Gëzim Ajgeraj

ETJE NË FJALË

100 faqe, 20 cm

Viti i botimit: 2013

Prizren