ILAM BERISHA

 

 

 

GËZIM AJGERAJ

POET I MALLIT DHE I

KRENARISË KOMBËTARE 1

 

 

Revista letrare

 

 

Prizren, 2012


GËZIM AJGERAJ –

POET I MALLIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE

 

Kur e mora në dorë dhe e lexova librin e parë të Gëzim Ajgerajt, "Klithmë malli", u gëzova pa masë. Pasi e lexova të tërin, gati me një frymë, në fund të librit, për pak çaste mbeta pa fjalë. Një ndjenjë e brendshme më kishte pushtuar për të mirë. Nuk e di nga më vinte ajo ndjenjë, por më kujtohet si sot këtu e një dekadë e gjysmë më parë, dhe me vete thashë: Vërrinit dhe Prizrenit do t’i vijë një poet, një mjeshtër i madh i pendës. Përmasat e guximit të tij në vargje, më shtynin të mendoja edhe më larg, mbase, në atë të përmasave kombëtare. E di se në fund të librit, në një faqe të zbrazët kam shënuar fjalët më të mira që mund të thuhen për një poet. Gëzimi i atyre çasteve, për mua si vërrinas, si njohës i Gëzim Ajgerajt, që nga fëmijëria, si nxënës i dalluar, nga rinia e zëshme e tij me ideal kombëtar, por edhe veprimtarinë në mërgim, e tashmë edhe në letrat shqipe, më nxitën edhe më, natyrisht për të mirë. Një shkëndijë drite, një shpresë e re e fjalës, një poet… po hapte kopertina të reja në historinë e letrave shqipe, që për kohën po mbillnin shpresë. Kujtimet e atyre çasteve më shtynë të mendoja edhe për largësinë e tij; udhët përtej atdheut; barra e rëndë e mërgimit, dhe malli. Kjo më rëndoi shpirtërisht. Vendi dhe koha kishte nevojë më shumë se kurrë këtu në atdhe, por ai, edhe atje ku ishte, bënte dritë për të. Ndizte pishtarët e dritës për t’i bërë dritë territ të robërisë në atdhe. Ai, ndonëse nga largësia gjeografike, po, shumë i afërt shpirtërisht, sfidonte terrin shekullor, duke u përballur me të në arenën më të madhe, atje në frontin ku sfidohej fjala e lirë dhe liria. Guximi i tij me fjalën në varg, më trimëroi dhe më nxori përtej vetes, për ta shikuar me shpresë të ardhmen, që aq shumë na ishte rrënuar nga robëria në ato kohë. Vargjet mes librit, më çmallnin, e herë herë më ftonin edhe në lot. Hapësira përpara meje dhe përreth, më përcëllonte, dhe atyre çasteve bashkëjetoja me botën e brendshme të poetit. Pasqyrimi emocional i botës së tij shpirtërore në vargje, shpërthente si një vullkan, ndërsa vargu kapte përmasat e vlerave të larta poetike, të cilat ishin shumëpremtuese për artin e fjalës. Mbase, ai afsh i fshehtë i tij, i rënë plot zjarrmi mbi varg, më ndizte nga brenda dhe më ngrohte shpirtin. Dhe ky afsh përvëlues, sikur gufonte në vete drejt shpërthimit për të kapur dimensione të reja të lirisë së shprehjes. Robëria pëlciste brenda fjalëve dhe kapte përmasat e rrezes së dritës. Kësisoj, hapeshin horizonte të reja të mendimit dhe të lirisë. Poezitë e këtij libri, vërtet më magjepsën tej mase, sepse më mbushën shpresë se, Gëzim Ajgeraj, qysh me librin e parë i ka hyrë me shumë seriozitet rrugës së artit, për të ecur drejt majave të letërsisë. Dhe, vërtet ashtu ndodhi. Nga koha e sotme kur shkruajmë për veprën e tij, parashikimi im më duket shumë i drejtë. Tashmë, pas tridhjetë librave të publikuar, ai me moshën që ka, radhitet ndër kolosët më të rinj të letërsisë shqipe, i cili ka bërë emër dhe gjurmë të pashlyeshme në botën e letrave shqiptare dhe më gjerë.

 

 

 

 

 

 

 

RRETHANAT DHE KOHA NË TË CILËN ERDHI PENA E AJGERAJT

 

Robëria e atdheut dhe ndrydhja e lirisë së shprehjes, e mendimit dhe e jetës shqiptare në përgjithësi, në Kosovë, në ato kohë, i ngjasonte përmasave të aparteidit. Liria vritej në çdo pore të jetës shqiptare, ndërsa dhuna e pushtuesit serb, s`kishte kufi. Nga dhunë e pashfrenuar nga ana e okupatorit, mbisundonte jetë robërie, ndjekur nën opusin e grilave të hekurta. E kush kishte guxim në ato kohë t’ia fillonte si i ri sfidave të guximit të penës? Po pra, në këto kohë, i riu Gëzim Ajgeraj, merr guximin dhe nën edicionin e “Rilindjes”, nxjerr librin e parë. Rruga e tij jetësore nëpër artin e fjalës, po fillonte, pikërisht atje ku ishin sprovuar penat më të ndritura të letrave të kombit. Dhe jo rastësisht, parimet ishin tepër të forta që, Ajgeraj, tanimë dëshmonte me vargun e tij. "Klithmë malli" është libri i parë i tij, i botuar në vitin 1997 në “Rilindjen” e Prishtinës. Poezitë e këtij libri, qenë shpërthim i brendshëm që vinin si një revoltë shpërthyese karshi kohës dhe robërisë, mbi të gjitha, që shpërthejnë hapur, madje duke bërë edhe për ngritje gjithëkombëtare. Pak muaj më vonë, erdhi libri "Ëndrra për parajsë", si dëshmi se ky autor i ri i asaj kohe, nuk kishte hyrë rastësisht në rrugën e penës. Serioziteti i tij do të dëshmohet gjithnjë e më tepër gjatë kohës që do të vijë. Në kohën kur në Kosovë po shkrepnin shkëndijat e para për çlirim, Ajgeraj na i sjell edhe katër libra të tjerë: "Flakë në plagë", po në “Rilindje”. Një libër plot revoltë e shpërthim të hapur, për një luftë të armatosur kundër pushtuesit. Drama "Rruga e lirisë": - Një dramë me personazhe dhe ngjarje nga lufta. Pra, gjithmonë flasim për verën e vjeshtën e vitit 1998, derisa në Kosovë po bëhej edhe luftë. Pakkush në ato kohë e kemi ndjekur nga afër punën dhe veprimtarinë e tij në rrugën e artit e të penës, por unë, meqë kam qenë shumë i afërt me të, ndaj shumë respekt për ecjen e tij dhe qëndrimin e pathyeshëm për artin dhe lirinë. "Urtia popullore e Vërrinit" -1, na vjen po në këtë kohë, ku përmes urtisë dhe të folmes vërrinase, na sjell deri te thirrjet militante të të rinjve të kësaj ane. Vazhdon me librin, "Qiellit po digjem", "Kënga e babait", një poezi edhe për botën e më të vegjëlve, si një sprovë e re edhe e kësaj natyre. Dhe na vjen me shumë sukses. Kështu, nga paraokupimi, me penën gjithnjë të gdhendur, ecet, për të arritur deri në ditët e çlirimit. Tashmë paslufta në Kosovë dhe çlirimi i vendit e gjen si një poet e shkrimtar të formuar e të dëshmuar, në rrugën e artit e të fjalës. Vazhdonte si një uragan drejt këtij udhëtimi, duke sprovuar veten në të gjitha zhanret e artit të të shkruarit, deri në kritikë. Edhe këtu, krijuesi e dëshmon veten, se letërsinë, artin e të shkruarit, e njeh si tërësi dhe thellë, duke e dëshmuar nëpër publikime, në libra, revista, faqe interneti dhe në shumë sfera të artit. Qëllimi ynë ishte të pasqyronim kohën e ardhjes në skenën e artit dhe nuk do të hyjmë në thellësi të botimeve, për t’u lënë hapësirë vetë punimeve dhe punës në vazhdim.

* * *

Për të mos i hyrë nga fillimi, qysh në librat e parë, punës së kritikës për librat e hershëm, nga arkivi kemi shfrytëzuar edhe disa recensione, që janë bërë nga të tjerët për librat e Gëzim Ajgerajt. Disa nga kritikët që janë marrë në atë kohë me krijimtarinë e tij janë, si Iljaz Prokshi, Shyqri Galica, Shefqet Dibrani, Ali Jakupi, Abdullah Konushevci, etj. Dhe si të tilla, disa nga këto shkrime, të botuara në revistat e kohës, kemi vendosur t’i shfrytëzojmë si dëshmi edhe në këtë libër.

 

Recension

 

Iljaz PROKSHI

SIMBOLIKA E FJALËS POETIKE

Gëzim Ajgeraj: "Klithmë malli", poezi; Rilindja, Prishtinë 1997

 

Gëzim Ajgeraj është emër i ri në letrat shqipe. Mirëpo, ai me vëllimin e tij të parë poetik, "Klithmë malli", te lexuesi shqiptar vjen me ndikim të mrekullueshëm, si për nga ligjërimi poetik, si për nga motivet dhe temat që vështron, po ashtu edhe nga stili i kapshëm bashkë me mesazhin që sjell kjo përmbledhje. Pikë e parë e perceptimit është malli për atdheun, vibrimi i sekuencave shpirtërore për dashurinë, njerëzit e tij, të menduarit estetik, qasjet psikologjike të subjektit, si dhe një varg përjetimesh tjera.

 

Diaspora si frymëzim

 

Autori, poezinë e shkruan me mjaft sukses, me tone të ç’lirshme, kuptimplote, me përjetime meditative, për çfarë, në këtë plan shquhet lirika “Peizazhi”, që bart me vete mesazh të caktuar me parime të qarta poetike. Poezia e përfshirë në këtë vëllim kap një botë të shqetësuar të subjektit lirik, botën e vetmuar larg atdheut, në diasporë, larg fëmijëve, gruas dhe të dashurve të tij. S'do mend se, te ky poet, të gjitha përjetimet gjatë mërgimit, kontaktet me njerëzit e tij që kanë vajtur larg atdheut, ato kontakte të përhershme me ata njerëz, si dhe shqetësimet shpirtërore të tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyera. Prandaj, kjo poezi del e kapshme, si një ditar intim, e standardizuar në aspektin e procedimit të figurës poetike brenda strukturës së poezisë që krijohet te ne. Vëllimi përbëhet nga njësitë ciklike: "Tinguj dhembjesh", "Botë pa orkestër" dhe "Heshtje e thyer". Jo rastësisht në poezinë hyrëse "Larg atdheut", Gëzim Ajgeraj percepton dhembjen e individit të mërguar, që nis nga gjendja e ndjeshme e tij dhe vjen gjer te shpresa se gjakimi për liri nuk do të shuhet kurrë, por do të vazhdojë të ekzistojë. Është një poezi që në thelb ka aftësinë e të shprehurit, unitetin motivues e tematik. Ky djalosh që mërgoi si shumë bashkatdhetarë të tij, mori guximin t'i publikojë këto poezi, motivet e të cilave janë të përshkuara nga një frymë pa hezitime, por përherë të ndjeshme e të ngashëryera. Nëpërmjet qenies së vet, poeti bën thirrje për ta ndjerë "vetminë dhe ëndrrën e tij". Së dyti, kërkon që lexuesi ta kuptojë flirtin që bart bota e tij e brendshme ndaj të bukurës, vetë poezisë, sepse është një poezi që vjen në kohën kur flluskojnë libra gjithfarësh, me vlera të dyshimta... Gëzim Ajgeraj starton, pra mjaft bindshëm, meqë arrin që idetë, motivet, frymëzimet t'i shkrijë natyrshëm në vargje. Vjen tamam në çastin kur do të "shpëtojë" të mërguarin dhe, mbase edhe vetveten. Për më tepër, kjo poezi do të gjejë lexuesit e vet, ngase poeti ia di origjinën gamave të individit dhe kolektivitetit të vet, mënyrën e klithmës së mërgimtarëve, imazhet, ironinë poetike me kontraste, por që kanë një kuptim të caktuar, që me pak fjalë të përfshihet gjithë drama në diasporë.

 

Mozaik lirik i një ditari intim

 

Lirika e këtij krijuesi është mjaft e shqetësuar. Ai ndjen dhembjen për faktin e subjektit, i cili gjakon përherë lirinë që i mungon, duke bredhëritur nëpër botë, duke ngritur zërin, vlimin e brendshëm, që kuptohet vetëm përmes figurave dhe simboleve, fjalës magjike. Është me rëndësi të veçohen tri motivet themelore të këtij vëllimi: nëna, që simbolizon atdheun; gruaja, që shënjon dashurinë e mallëngjyer; natyra-pikturimi i rrethit, janë pra opsione lirike të këtij poeti, që kanë njëherësh një rezonancë: atdhedashurinë, që merr funksion të caktuar stilistik, semantik dhe ideoestetik. Vëllimi "Klithmë malli" është vëllim për njeriun që botën e kundron nga një kënd vetjak, me interesim të thellë, herë-herë i mbushur me emocione të tepruara, por mbi të gjitha me një përjetim poetik. Është kaq i thjeshtë objektivi i perceptimit, sa edhe shqetësimi vjen virgjëror, me ngashërime të mëdha, duke bërë mbase një rizbulim mbi këtë dhembje, të cilat janë thënë lirshëm dhe me maturi. Nëse emocionet e këtij poeti paraqiten në një formë më të shtrënguar, ato nuk janë abstrakte, sepse lufta për çlirim vjen vetvetiu dhe kuptohet vetëm gjatë leximit ndërmjet rreshtave, si lufta për ekzistencë, më në fund edhe për art të mirëfilltë, për çfarë, Gëzim Ajgeraj e ka ndjerë, kuptuar dhe do të vazhdojë ta kultivojë edhe më tepër. Poezitë e përmbledhura, në këtë vëllim kapin jo vetëm indin verbal, por edhe metaforik të qasjes poetike të subjektit lirik; kapen ato shtresat e kujtimeve, mallit të përhershëm, që në brendi përbëjnë një mozaik lirik i shpaluar si në ditar intim. Poezia e Gëzim Ajgerajt, mund të thuhet ndërkaq se është një zë i mëvetësishëm, që gjërat i vështron në heshtje, frymëzimet e gjejnë përherë me penë në dorë, në vetmi, pa zhurmë, i hedh ato në letër dhe bën itinerarin e tyre të mbarë "për shpirtin e trazuar/që ia ka plasur zemrën", siç thotë poeti. Gëzimi, e shkruan poezinë e vet me ndjenja, i vetëdijshëm për misionin që ka krijuesi, pa mendje të turbulluar, por me interesime të mëdha për botën dhe për njerëzit e vet. Ai, është një talent që ka potencial krijues, që padyshim do të na pasurojë edhe me libra të tjerë dhe vlera edhe më të avancuara.

                                      Prishtinë, 5 tetor 1997

 

Recension

 

Iljaz PROKSHI

 

DASHURIA DHE MALLI PËR ATDHEUN

 

Gëzim Ajgeraj: "Ëndrra për parajsë", poezi; Rilindja, Prishtinë, 1997

 

Është një plejadë poetësh në mërgim që aktin krijues e ndiejnë si vokacion. Veçanërisht dallohen disa syresh, siç është Gëzim Ajgeraj, i cili pas botimit të librit me poezi, "Klithmë malli", mori guxim dhe nxori edhe librin e dytë të titulluar "Ëndrra për parajsë", në botim të NB "Rilindja", Prishtinë. Mendoj se ky poet i ri, me talent, nuk vrapon pas fjalëve të mëdha patetike, por në esencë i rreket fjalës së bukur magjike, asaj që e përjeton me lehtësi shprehëse e me mendje të hollë, që pak krijues e kultivojnë këtu dhe në diasporë. Përndryshe, temat dhe motivet i gjen kudo, në rrethin ku tani gjendet, shkon larg Zvicrës, ku ka mërguar dhe bie në krahët e atdheut, prej nga me syrin optik prej poeti, vështron gjërat, njerëzit, natyrën…

 

Mërgimi, frymëzim i lehtë poetik

 

Poezia e Ajgerajt është tërheqëse, thjesht një shprehje e frymëzimit të lehtë autentik, pa grimasa, pa kozmetikë të jashtme, por e nxjerrë nga shpirti i përvëluar si për atdheun që e ka lënë, si për njerëzit e tij, si për mërgimtarët. Mjafton të lexohet poezia hyrëse "Vargu im", që të shihet bota e poetit, perceptimi i tij; si t'i lidh vargjet / sikur bashkë kur ishim /, është një zë i çiltër, njerëzor, gati si testament për kohën kur është shkruar, për vetë poezinë apo për subjektin që i referohet. Në strukturën e kësaj poezie, por edhe të ciklit të parë "Albumi i vetmisë", gërshetohen në mënyrë të natyrshme aktet e vetmisë, të lidhura me intimitet, kujtimet, zërat e shpërndarë andej-këtej atdheut, gjer në perëndim. Është një cikël që ngre zërin e dhembjes mbi të bukurën, por edhe një akord spontan, himn për mallin, dashurinë, ëndrrat... / "Dhe një ditë do të ikim / nga këto përralla / kujtimet e shqyera do të lodhen nga pritja /; "Ëndrra për parajsë" fq. 16, që për lexuesin është një reminishencë e rizbuluar, veçanërisht e mërgimtarit që jeton larg atdheut me vite. Njëherë tjetër, poeti shpreh vetminë pas largimit, pa mohuar dhembjen, as dashurinë intime, por asnjëherë pa e harruar atdheun aq të amshuar, të dashur, të robëruar. Derisa poeti pret si një “Godo i vetmuar”, shpreson se do të vijë ajo që i ka premtuar muza, e kjo s'është tjetërkush veçse poezia për dashurinë: / " E urrej pritjen / Në prehrin e vetmisë tënde" /, apo / "Të mos e lë peng dashurinë" / "Ofshamë vetmie", fq. 21, që është pothuajse zëri më i dhimbshëm që shfaq një poet ndaj botë së tij intime. Poezitë e këtij cikli kanë pothuajse një rezonancë: mallkimin e heshtjes, të vetmisë, që në esencë e preokupojnë muzën e poetit, dhe ai shprehet lirshëm, pa kursyer fjalë, as dhuntinë e vet, gjë që, përmes figurës dhe simboleve bën një akt që shprish ëndrrën ose aktin e mërgimit.

 

Arketipi i fjalës magjike

 

Është e pabesueshme, por Gëzim Ajgeraj jo vetëm me librin e parë, "Klithmë malli", por edhe me këtë libër ka prekur sekuencat më të ndjeshme të poezisë. Ai, për më tepër, si duket është një poet që frymëzimi i vlon nga brenda, dhe kur e nxjerr zërin e thotë drejtpërdrejt, një varg pa agresivitet, por figurshëm, i lehtë, i kapshëm dhe mjaft domethënës. Ciklet "Romancë mërgimi" dhe "Fund vere", shquhen për shprehje metaforike dhe kapin dimensione më të gjera në krahasim me ciklin e parë. Poezitë janë më të qëndrueshme në rrafshin estetikoletrar. /"Bukuria nuk shihet /Bukuria ndihet/, është fjala për poezinë, që poeti e percepton në harmoni me dridhjet e heshtura të shpirtit, pa krijuar huti e mëdyshje. Poezitë më me vlerë në këta cikuj janë: "Vetëm ti", "Këngët përvëluese", "Engjëlli im", "Oktavë pikëllimi", "Zjarri i dashurisë", "Trëndafil e ëndërr", "Fund vere" etj, të cilat përbëjnë një kurorë poetike të fuqishme, të thëna bukur me lot në vete, por lot që kanë një bukuri magjepse, si vargjet: "Nëpër të gjitha këngët e mia/ndiej dhembje përvëlohem", ose "Vera na qenka vetë dashuria". Është kjo ajo rruga që ndjek ky poet, po aq i përvëluar për dashurinë ndaj atdheut, për njerëzit e tij siç i quan ai, që jetojnë në një kohë të pakohë. Poeti, duke u njëjtësuar me fatin e mërgimtarëve dhe të atyre që shkruajnë në mërgim, bën punë të rënda, mbase fizike për ekzistencë, mban mbi supe dyfish më rëndë se njerëzit e thjeshtë: artin dhe djersën, duke përjetuar mungesën e lirisë, dhembjen që e bren aq pamëshirshëm larg në ekzil. E ndërkaq, idetë e tilla, motivet e shkrira në varg, jo rrallë e shtyjnë poetin Ajgeraj t' i harrojë vuajtjet, ngashërimet për njerëzit e afërm, miqtë, dhe në vetmi bën një poezi që rrjedh me një vullnet spontan, e nivelit konstant të verbit poetik dhe s'ka asnjë pikë dyshimi se Gëzim Ajgeraj është poet me prirje nga i cili pritet edhe më shumë, ngase hetohet karakteri refleksiv, meditativ i poezisë së tij, se: "Mbase vetëm poezia / Ta ndërron mendjen/ Engjëllushë lamtumirë/ se vetmia dhe malli/ më dëgjon mua të tërin/ ma vodhën vargun"/. Ky është ai indi që ndërlidh kuptimin poetik të këtij poeti, që merr përmasa më të gjera dhe e bën njëkohësisht poezinë e tij me shprehje moderne poetike në përgjithësi.

                                                        Prishtinë 1997

 

VARGJE PLOT MLLEF

 

Libri më i ri i Gëzim Ajgerajt, që titullohet "Flakë në plagë", përmbledh tetëdhjetë vjersha të ndara, në gjashtë cikle. Autori i takon grupit të atyre krijuesve që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendlindjes dhe që nga atje, prej së largu, përcjellin vuajtjet dhe traumat e bashkëvendësve të tyre, të cilat i shprehin mandej, përplot zemërim e me një lirizëm të ndjeshëm. Që në librin e parë "Klithmë malli", Gëzim Ajgeraj, i cili jeton qe disa vite në Zvicër, ka dëshmuar se është një krijues që di të paradizojë skena të tmerrshme dhe në të njëjtën kohë, të vërë në thumb të maskuarit që zvetënuan një kolektivitet të tërë njerëzor. Nga vetë titulli i përmbledhjes, në zbërthim, e veçmas nga titulli i vjershës hyrëse, "Varg me shkrumb", mund të kuptohet lehtë se cikli në të vërtetë është preokupim i autorit, që në të vërtetë, shqetëson shpirtin e trazuar të poetit në mërgim, dhe që, vazhdimisht është në kontakt me ngjarjet dhe njerëzit e vendlindjes. Është kjo, pra, Kosova, që në dhimbjen e vjershëtorit është vetë plaga, plaga që kullon gjak, Kosova që po digjej flakë; flakë të cilën ia kishin vënë barbarët serbë, që nuk kursyen asgjë, as plakun e kërrusur e as fëmijën në djep, duke u shkrepur plumbat në kokë, vepër të cilën nuk mund ta marrë me mend qenia njerëzore. Vepruan kështu ata, të udhëzuar nga udhëheqësi i tyre, nga satanai, i cili i kishte urdhëruar që të mos lënë bimë mbi tokë për t'ia shkulur kështu rrënjën njëherë e përgjithmonë ilirishtes në këto troje. Kështu, Kosova do të shndërrohej në ferr të vërtetë, të shkaktuar nga bishat që jetojnë në kohën e sotme me botëkuptimet mesjetare. Të shkruara, kryesisht vitin e kaluar, vjershat e Gëzim Ajgerajt shprehin frymëzimet nga ngjarjet që i përjetoi populli martir i Kosovës së djegur në të gjitha anët.

                     / Ali Jakupi / 1998, Prishtinë (“Kosovarja”)

Gëzim Ajgeraj

 

SHQIPTARËT

 

Kur deshën

T'ua shkulin rrënjët

Ilirisht mbinë

Kur ia zunë

Eklipsin Diellit

Hijet shqip folën

Kur tha Satanai

Të bukta i paskan tokat

Bjeshkët u mbushën krisma

Fushat u mbushën lulëkuqe.

     Gëzim AJGERAJ, "FLAKË NË PLAGË"

 

Gëzim Ajgeraj i takon brezit më të ri të poetëve shqiptarë, i cili, ndryshe nga të tjerët, jeton dhe krijon në dhe të huaj. Deri tash ky krijues botoi vëllimet poetike: "Klithmë malli" (1996), "Ëndrra për parajsë" (1997) dhe "Qiellit po digjem" (1998). Është për t’u theksuar se, G. Ajgeraj, vjershëron si për të rritur, si për fëmijë, duke treguar kështu se ndjek gjedhen e një numri të madh të lirikëve tanë bashkëkohorë. "Flakë në plagë" është libri i tij më i ri poetik, në ballë të të cilit është poezia "Varg me shkrumb". Poeti e ka ndërtuar, ndërkaq, këtë vëllim në gjashtë cikle; "Korba e mallit", "Udhët e ikjes", "Nëmë mëkati", "Plaga më djeg", "Qielli i mjegulluar" dhe "Origjina e krimit". Si lajtmotiv i poezisë së tij më të re, mund të thuhet se është lufta e përditshme në Kosovë me të gjitha pasojat: dramat, tragjeditë, fitoret, humbjet e saj, të cilat poeti i bashkëpërjeton mjaft fuqishëm. Një numër vjershash kanë dhe karakter të theksuar elegjiak, në të cilat vajtohet për humbjen e mikut ("Militanti"), humbjen e djegien e Vërrinit ("Kulla e poetit"), masakrën e Billushës, masakrimin e familjes Jasharaj, etj.

                              Botoi "Rilindja", Prishtinë, 1998.

                     Abdullah Konushevci, (“Bujku”, Prishtinë 1998)

 

 

 

 

Ilam Berisha

 

PENA SI PËRKUSHTIM JETËSOR I SHKRIMTARIT

 

Gëzim Ajgeraj, tashmë në pjesën e tretë të këtij kapitulli, na vjen si një uragan i pandalshëm në rrugëtimin me artin e fjalës. I tërhequr në brendinë e artit të fjalës, i përkushtuar brenda librave dhe i skajuar larg politikave, rruga e tij në art ka ecur binarëve të shëndoshë të letrave, duke mos e ndarë kurrë letërsinë dhe kombin, por duke i detyruar gjithmonë letërsinë kombit. Ky tipar, po e shoqëron gjatë gjithë kësaj kohe të pjesës së tretë, siç e kemi ndarë në këtë shënim krijimtarinë e tij. Librat e shumtë me poezi, krijimtaria për fëmijë, drama, urtia, folklori, proza, romanet, esetë, reportazhet, vlerësimet kritike, kanë mbushur një bagazh të gjerë të shkrimtarit, që për nga mosha që ka, rreth tridhjetë librat e publikuar, dëshmojnë thënien tonë se, pena është përkushtimi jetësor i Gëzim Ajgerajt. Është privilegj për mua, që kam pasur fatin dhe nderin ta njoh nga afër, ta përcjell gjithmonë dhe në çdo hap krijimtarinë e tij, dhe shpesh edhe të punojmë së bashku në rrugën e artit. Prandaj, njohja ime me Gëzimin, me krijimtarinë letrare të tijën, më bën shumë të vendosur t’i qëndroj mendimit, se pena e tij, është rruga jetësore të cilën e ka zgjedhur dhe po i qëndron besnik asaj. Duke njohur bagazhin krijues të Ajgerajt, dhe arkivin e tij, që kap përmasat edhe tri herë më tepër sesa asaj që ka publikuar, ky uragan i letrave shqipe, edhe sikur sot ta braktiste penën, sigurisht, për disa dekada të ardhshme, do të kishim se çfarë të publikonim. E thamë edhe këtë sekret, dhe fakt, sepse e kam parë dhe prekur nga afër gjithë arkivin krijues, që kurrë nuk ka ngurruar që të mos e zbulojë. Për mua, si mik i afërt i shkrimtarit, si shok, por edhe si njohës i elanit të tij krijues, të them të drejtën, shpesh mbetem pa fjalë. Një kolosi të tillë, punës dhe dashurisë së tij për artin, vërtet, shumëkush duhet t’ia ketë lakmi. Përgjegjësia për fjalën, kultura për artin, qasja për librin dhe dashuria për të, janë tipare karshi shumë tipareve tjera që ka, që shumica e krijuesve duhet ta kenë shembull. Ajgeraj, ishte dhe do të jetë vetë arti, pena dhe mendja e ndritur për letërsinë dhe kombin.

 

EPIKO-LIRIKA NË PENËN E SHKRIMTARIT

 

Dihet mirëfilli se, Gëzim Ajgeraj, vjen nga një rreth që ishte drejtpërdrejt i kyçur në konfliktin e armatosur kundër okupatorit. Njëherësh, vetë Ajgeraj, edhe para luftës, si pjesëtar i ilegales, ka qenë shumë aktiv, si në vend, edhe jashtë atdheut ku punoi e veproi. Ai, gjatë luftës dha kontribut shumë të çmuar në nivelet e organizimit dhe mbështetjes së luftës çlirimtare të popullit tonë. Doemos ka lënë gjurmë edhe kjo kohë në krijimtarinë letrare të tij, por edhe atë publicistike e të zhanreve tjera në përgjithësi, ndryshe, s`do të mund ta mendoje ndryshe krijuesin e mirëfilltë shqiptar në raport me rrethanat dhe kohën. Gjurmët e kësaj kohe i bart edhe vargu poetik i tij, proza, tregimi, romanet, e në veçanti, publicistika dhe librat e kësaj natyre, që nuk i mungojnë Gëzimit. Nga librat e kësaj periudhe, do të veçonim librin publicistik: "Rruga e Lirisë"- intervistë me Zafir Berishën, libër i cili flet më së miri për luftën në këto anë të Prizrenit, në veçanti për zonën e Vërrinit. I po kësaj natyre, vjen edhe libri;"Masakra e Tuzsuzit", në bashkautorësi me Ilam Berishën; libër që flet për krimet serbe në Prizren e rrethinë. Shkrime tjera publicistike të këtij zhanri u botuan mjaft edhe në periodikun e kohës, si: “Epoka e re”, “Zëri”, “Bota sot”, “Flaka”, “Zëri i Kosovës” (në mërgim), etj. Me një fjalë, lufta çlirimtare në penën e shkrimtarit Gëzim Ajgeraj, ka qenë ndër prioritetet qenësore të tij. Kur e themi këtë, dhe në përcjellje të asaj që është shkruar për luftën, në raport me krijuesit tjerë në tokat shqiptare, Gëzim Ajgeraj prin si kolos i këtij arti. Ai nuk u tremb kurrë, sepse, e deshi atdheun, lirinë, e deshi fjalën e lirë, pse jo edhe artin për luftën. Vetëm njerëzit që e duan atdheun, popullin e tyre, lirinë… janë të denjë të sakrifikojnë edhe në art. Ana tjetër e medaljes, se pos që ishte vetë në rrjedhat dhe brendinë e këtyre organizimeve, gjatë rrugëtimit tonë nëpër këto kohë, ai humbi edhe shumë shokë të idealit, luftëtarë të lirisë, të cilët patjetër se, kanë lënë gjurmë në shpirtin e tij edhe në penë. Një libër të tillë e ka publikuar edhe në faqe interneti si: www.metaforapoetike.de.vu , për heroin e kombit, Xhevat Berisha. Libër ky, që në thelb përmban jetën dhe veprën e kolosit të kombit Xhevat A. Berisha. Si publikim në letër, edhe pse na mungon, ai gjendet nëpër veb-faqe, dhe lexuesit mund ta lexojnë. Edhe poezia e Ajgerajt, bart me vete vrragët e luftës dhe gjakon për lirinë, siç gjakonte shpirti i tij i etur për të. Ajgeraj, e di dhe e thotë shpesh: E di se e kam ngarkuar edhe poezinë, me gjurmë lufte, por ajo është fryma dhe shpirti i popullit tim, dhe s’ka si të ndahet ndryshe, dhe letërsia për fëmijë ka këto përmasa, por në një formë më të lehtë të të shprehurit e të kuptuarit, duke pasur parasysh botën e më të vegjëlve. Si të tillë, në dy romanet për fëmijë të Gëzim Ajgerajt, i pari me ngjarje të zhvilluara gjatë luftës, dhe i dyti, në ditët e lirisë, na sjellin dëshirat, dashurinë për lirinë e atdheut, kryesisht nga bota e më të vegjëlve. Romani për të rritur, që tashmë kanë marrë dritën, si: "Misioni i Kriminelit", "Serboarmatosja" dhe libri, që së shpejti do të dalë, "Helmimet", janë tri romane që pasqyrojnë në thelb, kohën e aparteidit në Kosovë deri në përfundimin e luftës. Dhe, gjurmët e kësaj kohe nuk do të humbasin kurrë, sepse Ajgeraj ka arritur t’i dokumentojë ato. Në pyetjen e parashtruar, për rrugën e artit dhe gjurmët e së kaluarës në të, poeti thotë: Përpiqem ta dokumentoj të kaluarën, t’i jap dritë të sotmes, që e nesërmja të na gjejë më të zgjuar. Pra, jo rastësisht, për Gëzim Ajgerajn, mund të thuhet se është shkrimtari më i përkushtuar, që gjurmët dhe varrat e kohëve barbare që i përjetoi populli ynë nga okupatori serb, të mos harrohen kurrë. Dhe vërtet, nëse hyhet në thelb të zbërthimit të krijimtarisë së Gëzim Ajgerajt, që e krijoi gjatë kësaj kohe, mund të themi lirisht se ishte poeti dhe shkrimtari më i zëshëm epiko-lirik i kësaj kohe për të cilën folëm.

 

Ilam Berisha

 

BALADA E VËRRINIT - SHPREHJA E DHIMBJES DHE E SHPRESËS SË POETIT PËR LIRINË

 

Gëzim Ajgeraj është poet i dhimbjes kombëtare dhe i krenarisë. Atdheu, malli dhe liria, janë tri simbolika qenësore që e ndërtojnë vargun e tij poetik. Është shpirti shpërthyes i brendshëm i tij, që e bën vargun të na japë dritë. Nuk e fsheh brendinë, ndjenjën, dashurinë, mallin por edhe dëshirën për lirinë, të ardhmen e ndritshme. Këtë ndjenjë na e pasqyron në varg për ta transmetuar edhe te lexuesi. Si i tillë, vargu i tij jep dritë, shpresë, dashuri….

 

BALADA E VËRRINIT

 

Është shprehja më e mirë e dhimbjes dhe e dashurisë për atdheun, për plagët që nuk i ndahen nga robëria, e deri te thirrja për luftë për çlirim kombëtar. Fillimi i baladës nis me paraluftën, me aparteidin e planifikuar nga ana e armikut kundër një populli të tërë; me shpërnguljen masive në vendet e Evropës, duke mos pasur pikë shprese në atdhe. Ngjarja vendoset në Vërri, prej nga e ka rrënjën e origjinës vetë poeti. Atje zbrazen kullat, e turma-turma i marrin udhët e mërgimit. Atje mbyllen pragje e shtiren konakë, thotë poeti. Atje ka rënë murtaja dhe shpresat e vetme, e për një jetë të dinjitetshme e të lirë janë vënë binarëve të ikjes. Dhe zemrat digjen, siç digjet vetmia në kulla, ndërsa nënat, duke i pritur djemtë të kthehen nga dherat e huaja. Shpresa e poetit se kjo ditë do të vijë, nuk ndalet. E ndjen, e percepton atë, e di kur do të vijë ajo ditë, sepse ai, edhe vetë qëndron lart në ballë të organizimeve dhe kohëve që do të rrjedhin. Dhe jo rastësisht, në një varg të Baladës e thotë: Tym e flakë nxjerrim nga goja, / Sokolesha ka ky dhe. Pra vargu vjen si paralajmërim se koha po afrohet dhe shumë shpejt do të vijnë kthimet edhe për rininë vërrinase, e do t’i kthehen atdheut për t’ia sjellë lirinë. Dita erdhi. Ajo do të sjellë dhimbje e plagë, shkrumb e hi, por fundi i saj është liria. Për këto sfida, sikur paradijëzon poeti. E di se dhimbje do të ketë, por forcën dhe moralin për lirinë, kurrë nuk e shuan, edhe në çastet më të vështira, atëherë kur Vërrini digjej flakëve.

KOHA E DHIMBJEVE KRENARE

 

Lufta që erdhi, Vërrinin e gjeti në këmbë, në ballë të organizimeve për luftë. Tamam siç paralajmëronte poeti. Ai e dinte. Kryengritësi i kohëve më të vështira, "i parehatshmi" i kohëve të okupimit; shkëndija e kohëve të aparteidit, nuhatej nga autori. I njihte zhvillimet dhe kohën që do të vinte. Edhe përkundër shpresës për lirinë dhe krenarinë, dhimbja është plaga e hapur e poetit, ngase, nuk kishte zgjidhje ndryshe. “Liri pa gjak nuk ka”, thotë urtia jonë. Dhimbja e poetit në “Baladën e Vërrinit”, është shprehja më sublime e shpirtit të sinqertë poetik, të cilën na e pasqyron në varg.

Ç`farë ka hëna maje Sharri

Ç`farë ka dielli që s`bën dritë

Pse s`del rrezja maje mali

Kush ia vodhi bukuritë

Mos janë qyqe a zana mali

Ato britma thikë përpjetë

Janë britma a vaje fëmijësh

Kush i zbath e kush i zhvesh

E aj tym që shkon përpjetë

A mos qielli është i zi…

             Balada e Vërrinit

E po, ku më sinqertë e më bukur e gjejmë në varg atë çfarë ndodhi në Vërri gjatë një lufte dhe krimi mizor që kreu barbari i veriut në kurriz të popullit tonë. Gëzim Ajgeraj, frymon mes këtyre njerëzve, jeton në shpirtin e tyre, e ndan dhimbjen me ta. S`ka si të jetë ndryshe. Ai i ka njerëzit e vet, familjen, gjakun e kombin brenda kësaj dhimbjeje. Vargjet ngrihen mbi dhimbjen, ato këndojnë vetë, këndon shpirti i poetit, siç këndon shpirti i luftëtarit në vijat e frontit.

Kullojnë gjak kullat e rrugët

Rrjedha turmën pas e ndjek

Kush në dorë ka një fëmijë

Dikush të gjallë e dikush të vdekur

Gjithkah mbrapa nga një varr

Kush pak dhe e kush më thellë

Kush një gur e kush një dru

Oh malësi ç`kob t`paska gjetur…

                       Balada e Vërrinit

Klithma e poetit, vjen si dhimbje karshi asaj çfarë po ndodhte me Vërrinin, me malësinë ku u lind ai. E gjitha, jo si nënshtrim, sepse, ai këngën e vazhdon dhe nuk ndalet, siç vazhdon lufta nëpër vijat e frontit, deri në ditën e bardhë. Pra shpresa e poetit gjallon, nuk ndalet, ecën bashkë me marshin e luftëtarit, për ta larguar barbarin e veriut nga tokat tona dhe për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë.

 

Bjeshkë e male skuqen lëndina

sa e rëndë po ndihet britma

për çdo çast po rritet plaga

sa e gjatë bëhet balada

ka nisur lufta dhëmbë për dhëmbë

në Berishë po ndihet gjëmë

bëjnë qëndresë djemtë e Berishës

ushtojnë bjeshkët në çdo anë…

                 Balada e Vërrinit

Kushtrimi i poetit, dhe thirrja del edhe përtej Pashtrikut, edhe përtej gurit ndarës. Ai, lëshon kushtrim, thirr nënën... mëmëdheun... Thirrja për bashkim në kohë lufte dhe thirrja për ndihmë, është zëri i çiltër i poetit, i cili e fton atdheun në luftë të hapur përkrah vëllezërve të vet këndej.

Edhe ti moj xhuxhe moj

mbas Pashtrikut pse po fsheh

dil këtej gurin ta qajmë hallin

të paktën plagët të m`i njeh

në mos mundsh ditën të ma zbardhësh

apo natën të ma heqësh

t`paktën në do folma ndoj fjalë

zemrës sime jepi shpresë

në mos mundsh fjalën të ma dërgosh

dal te guri e po të pres

nxito pak ndihmomë mua

po vonove unë po vdes

jo mor jo kush tha atë fjalë

se malësia është ende gjallë

në qofshin kullat se janë djegur

kurrë nuk humbet nji kjo farë…

                  Balada e Vërrinit

Të ka rënë në dorë historia, thotë vargu i poetit, ndaj thirrja e tij jo vetëm si kushtrim për ndihmë, por si kërkesë dhe nevojë e patjetërsueshme për bashkim. S’mund të jetë ndryshe. Një trup i ndarë me gjymtyrë të copëtuara në pesë-gjashtë copë, nuk mund të mbijetojë si i tillë. Gëzim Ajgeraj, mbetet poet idealist i bashkimit kombëtar, i cili, tërë qenien dhe përkushtimin, me penën e tij, ia fal këtij ideali. Një gjë të këtillë e hasim edhe në vargun emblematik për atë kohë, “Të ka rënë në dorë historia”. Balada vazhdon siç vazhdon kënga nëpër këtë udhëtim të dhimbshëm të kohëve të përgjakshme. Kujtimet e poetit zbresin e bëhen këngë në Vërri. Ato vijnë si një çlodhje pas një beteje, për ta rimarrë veten dhe për të vazhduar ecjen drejt lirisë. Dhimbja për të afërmit, për miqtë e poetit, e gjithë të rënët tjerë, ndonëse nën ndjenjën e pikëllimit në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, të përqafuar me krenarinë kombëtare, vargun figurativ, gjithnjë e më tepër e përafrojnë për të hyrë direk në zhanrin e baladës poetike. Ka çaste kur poeti përmallohet e i pëlcet dhimbja deri në lot, por shpejt e merr veten dhe vazhdon këngën e vargut. Herë-herë nuk do ta besojë rënien, duke grumbulluar forca të reja krijuese, sepse, liria veç po afrohet për ta pritur atë sa më krenar.

 

Nuk besoj kush të ketë vdekur

a Vërrini të jetë djegur

sa jam lodhur e jam dërrmuar

flakës mallit jam shkrumbuar

padrejtësive shkoi kjo jetë

dikush gjallë e dikush vdekur

ah po ty mor korb i zi

që m`i rri lirisë përmbi

për flamur për mëmëdhe

mëkatin tënd s’e lan ky dhe

mirë e dinë kullat e ngrata

që atëherë kur erdh korbëgjata

se sa varre kjo tokë numëron

ndalni pak dëgjomëni mua

çdo shtëpi është shkrumbuar

e çdo kullë është e rrafshuar

ah pra ty mor korb i zi

mirë e di një kjo Malësi

mirë e dinë se çka do ti

do ta jap ty imi Vërri

           Balada e Vërrinit

Fundi i baladës është fundi i një kohe, sa të dhimbshme, aq edhe krenare. Më krenarë janë ata që i dhanë luftës për ta sjellë lirinë. Më krenar është Vërrini i poetit, në të cilin u derdhën lumenj gjaku, u bë shkrumb e hi për të bardhën dritë, për lirinë e Kosovës. “Balada e Vërrinit”, mbetet poema më emblematike e luftës së Kosovës, për çlirim nga zgjedha e huaj serbe. Ajo është dëshmia më e mirë në vargje, për kohën të cilën e jetuam dhe e mbijetuam si tërësi. Dhe, ishte ky kolos i letrave shqipe, Gëzim Ajgeraj, i cili, përmes “Baladës së Vërrinit”, i këndoi vargut epiko-lirik, u këndoi kohëve të dhimbshme që mëtonin lirinë.

 

Iljaz PROKSHI

 

URTI POPULLORE TË VËRRINIT – 1 PASTHËNIE

 

Ana e Vërrinit, është një trevë mjaft e begatshme me krijimtari popullore shqiptare. Fjalët e urta, të cilat i mblodhën dhe i përgatitën për shtyp, njëri poet, Gëzim Ajgeraj, dhe tjetri, mbledhës i folklorit, Ahmet Poniku, kanë bërë një punë tejet të vlershme. Shikuar nga pikëpamja fonetike dhe dialektore, vërehet qartë se shumë fjalë të urta i gjen edhe te trevat tjera të Kosovës, por ajo që të bjerë në sy, është e folmja karakteristike e anës së Vërrinit, një e folme e veçantë, që është ruajtur brez pas brezi në këtë trevë. Prandaj, meritë e këtyre dy krijuesve është se pas sa vjetësh po e nxjerrim në dritë një thesar të kësaj urtie, që do të zgjojë interesim si te lexuesit, ashtu edhe te studiuesit shqiptarë. Fjalët e urta të kësaj ane, në një mënyrë, paraqesin fuqinë shprehëse metaforike, të cilën e ruajtën me xhelozi njerëzit e sotëm të Vërrinit. Megjithatë, do theksuar se, siç shprehen edhe autorët e këtij vëllimi, ka pasur ca ndryshime, por qenësore është origjinaliteti i së folmes dhe, ç'është me rëndësi të theksohet, pa marrë parasysh lëvizjet e popullit, ajo ka mbetur e pandryshuar nëpër kohë. Veçori tjetër e kësaj urtie është shprehja e fuqishme metaforike dhe filozofike, karakteristikë e gjithë urtisë popullore shqiptare. Autorët i kanë hyrë një pune të rëndësishme, si në aspektin filologjik, ashtu edhe dialektor dhe mjaft interesant, për çfarë mbetet që të punohet edhe më tej në mënyrë profesionale, me dashuri e forcë qytetërimi, që kjo urti të dalë sa më e përfshirë para lexuesit. Libri, "Urti popullore të Vërrinit" - 1, është vetëm një kapitull i asaj që flitet, jo vetëm në këtë trevë, por më gjerë. Megjithatë, karakteristikë e përgjithshme e kësaj urtie, si nga pikëpamja fonetike, leksikore dhe dialektore është fuqia metaforike e të kuptuarit të saj. Ata që e përgatitën, shihet se i kanë hyrë një pune të madhe, me vlerë të shumëfishtë filozofike e letrare, që natyrisht, do të duhej të pasurohej edhe më tepër, duke shënuar edhe më denjësisht urtinë e të folmes së Vërrinit, të bëhet një fjalor i fjalëve të rralla, në mënyrë që lexuesi i sotëm, ta kuptojë më lehtë secilën fjalë apo shprehje. Megjithëse, në kohën e sotme folklori paraqet edhe mjaft anë të vështira për t'u mbledhur, autorët e këtij libri ia kanë dalë që të kryejnë një pjesë të punës, por u mbetet të vazhdojnë më me ngulm, që t'i shënojnë edhe mjaft shprehje të cilat kanë mbetur pa u përfshirën në këtë vëllim. Mendoj se, ky libër, si tërësi, me disa mangësi të natyrës objektive, ka një nivel të arrirë në fushën albanologjike dhe njëherësh është një dokument që pasuron shkencën shqiptare nga fusha e dialektologjisë dhe folkloristikës në përgjithësi.

                                                       Prishtinë, 1998

 

Recension

 

Iljaz PROKSHI

 

MAGJIA E FJALË SË ÇILTËR

 

Gëzim Ajgeraj: "Qiellit po digjem", Rilindja, Prishtinë, 1998

 

Gjatë këtyre tri-katër vjetëve, janë prezantuar me librat e tyre një numër mjaft i madh krijuesish në mërgim. Gëzim Ajgeraj, pas librit

të parë "Klithmë malli" dhe të dytit, "Ëndrra për parajsë", sivjet lexuesit shqiptar iu prezantua me një libër tjetër me poezi, "Qiellit po digjem". Që në kontakt të parë me poezinë e këtij poeti, vëren se vargu i tij të ngacmon, meqë autori niset nga objekti real, botën e brendshme poetike e percepton pothuajse në mënyrë të hapur, reale, pa hezituar ta thotë troç të vërtetën. Në këtë mënyrë, ai u bën sfidë shqetësimeve të tij larg atdheut, duke shfaqur kështu një ligjërim poetik të çiltër, që të pushton sapo ta lexosh. Autori nuk përton të bëjë eksperimente, por çdo gjë e nis nga vetja, bota që e rrethon, të cilën e ka përjetuar, qoftë në vendlindjen e tij, qoftë në mërgim ku vepron.

Sfida e poetit

 

Si çdo akt i brendshëm shpirtëror intim, poezia e Gëzim Ajgerajt nuk shpreh vetëm një dëshirë për ekzistencë për të rrëfyer pikëllimin apo mallin larg atdheut të subjektit lirik, por njëherësh ta ngrejë ëndrrën e tij nga një krijim magjik në zhgjëndërr. Liria e të shprehurit është sugjestive, konvencionale, evoluive. Herë-herë ligjërimi poetik del jashtë disa konventave, por kjo vlen për arsye të shpërthimit emocional, pak a shumë parafrazim, por në fokus gjithmonë është njeriu ynë dhe rrugëtimi i tij, për shembull, ky motiv vërehet në ciklin e parë "Udhëtim i pafund", që nis me poezinë "Mëmëdheu". Ky cikël shquhet për artikulimin e fatit të individit dhe të kolektivitetit, ndryshe, as që mund të paramendohet frymëzimi poetik. Përveç këtij momenti, poezia e këtij cikli shquhet për faktin se shpreh mënyrën e ekzistencës, pikëllimit nëpër botën e njeriut tonë, që poeti e ndjen më për së afërmi, meqë edhe vetë gjendet në mërgim. Duke mos iu larguar motiveve të këtij libri të konceptuar brenda pesë njësive ciklike, gjatë leximit mund të mbështesim mendimin se në të gjitha ciklet, si në atë, "Udhëtim i pafund", "Hënës ia vras dritën", "Kohë e pakuptimtë", "Shekulli i shtrigave" dhe "Deti i mërguar", mund të thuhet se është poezi që percepton fatin e individit, shqetësimet e tij, të ndryshuar nëpër faza të cilat nuk kanë prekur aq tepër njëra-tjetrën, sa vetë fakti se poeti i ka harmonizuar ato, i ka bërë unike. Është kaq i thellë në mendime, mbase magjia e fjalës së çiltër e bën këtë poet të lexuar dhe ta shmangë lexuesin për një çast nga mallëngjimi. Atmosfera e mërgimtarëve është dhënë jo vetëm në aspektin bardh e zi, por i ngjyrosur, ku poeti inkuadron vargje që ngrijnë probleme të gjera, duke u nisur nga detajet, fotografia e atdheut, e gjer te shtresat më të thella shpirtërore. Kosova e mërgimtarit përherë rri në mendje dhe në kujtesën e pashlyer: /Kosova muranë e Ilirisë/, kështjellë qëndrese/, është një ligjërim i drejtpërdrejtë, një melodramë e shkurtër, që nuk krijon boshllëqe, domethënë, është një poezi racionale, përkatësisht stil i kapshëm pa hyrë në historinë shumë të gjatë e të madhe të Kosovës. Përgjithësisht, poezitë e këtij poeti kanë për subjekt njeriun e mërguar dhe ky libër vjen në kohën kur mërgimtarët tanë zihen nga mallëngjimi për atdheun e robëruar, kurse paraqitja e Ajgerajt me këtë libër është një sfidë, është pothuajse një armë e fortë kundër pushtuesit, sepse libri në të, përmban vlera të mirëfillta artistike.

 

Lirika e shqetësimeve

 

Dy ciklet e fundit: "Shekulli i shtrigave" dhe "Deti i mërguar", mund të aktivizojnë reminishencat e poetit, i cili shpreson në shprehjen e tij, ligjërimet e tij poetike, duke menduar botën jo vetëm brenda kornizave të caktuara të ndjeshmërisë, por poetët e tillë në kërkesat e tyre karakterizojnë subjektin lirik nga aspekti filozofik-letrar, duke dhënë mesazhin sublim ndaj botës së trazuar gjysmë të lumtur, gjysmë të rëndë, gjysmë të traumatizuar, gjysmë të sakatuar dhe, ç'është më karakteristike te ky poet, u ikën implikimeve të shprehura më herët në poezinë shqipe. Ky konstatim vjen pas një leximi që i bëhet sidomos ciklit "Shekulli i shtrigave", që ka një përputhshmëri me ngjarjet që po ndodhin në Kosovë: Ç'është ky mallkim o zot/Toka thith veten / qielli tymoset/, e kjo është tragjike dhe njëkohësisht për fat të keq shumë reale, sepse para syve tanë, para syve të botës po digjen jetë, shtëpi dhe toka të shqiptarëve në Kosovë. Mu në këtë mjedis po luhet /"premiera e djajve / me fytyra njeriu"/. Është, pra një varg himnizues për ngjarjet në Drenicë, në Deçan, në kufi me Shqipërinë dhe "bota i përcjell prapa perdeve/me gota shampanje/”. Ku ka qetësim, ku ka mënyrë të të shprehurit më të lirshëm dhe të hapët sesa ky ligjërim poetik. Është e udhës të theksohet se një perceptim të këtillë pak e gjejmë te poetët tjerë, në diasporë apo këtu në Kosovë. Sepse, poeti nuk është "optimist", sepse mallëngjimi i tij është i madh ndaj Kosovës që zien nga vrasjet, djegiet, sepse meditimi i tij është një lloj citimi poetik që i bën sfidë dhunës dhe pyet "Ç'bën Evropa qe një shekull?!"/ poezia "Në vend të letrës". Gëzim Ajgeraj, këtë libër sikur e ka shkruar me porosi. Nga fondi i këtij libri mund të nxirret mesazhi sublim që sugjeron në vetëdijesim për mënyrën e të shkruarit, përgjegjësinë ndaj letërsisë, stilit, gjuhës... Prandaj, "Qiellit po digjem" është ndër librat më të dalluar që janë botuar në redaksinë e botimeve "Rilindja", që nga janari e gjer më tani. Vlerat letrare estetike mund të shpalosen vetëm pas një leximi të vëmendshëm dhe profesional, për çfarë lexuesit do të ndahen të kënaqur në këtë kohë të rëndë me strese e vuajtje të mëdha.

 

                       Bujku, e enjte, 4 qershor 1998, Prishtinë

 

 

 

 

 

 

Vitrina e librit

 

Gëzim Ajgeraj, "RRUGA E LIRISË", botoi "Meshari", Prishtinë 2001; Rruga e lirisë

 

Autori i disa vëllimeve poetike, si: "Klithmë malli", "Ëndrra për parajsë", "Qiellit po digjem", "Flakë në plagë", "Kënga e babait", "Mallëngjimi", "Balada e Vërrinit", etj, është një mërgimtar që punon në Zvicër, por që jeton me dashurinë dhe mallin e atdheut. Ai, krahas angazhimeve të përditshme në kurbet, nuk rresht së shkruari. Pos krijimeve në fusha të tjera, këto ditë doli para lexuesit me dramën triaktëshe titulluar "Rruga e lirisë". Preokupim i autorit në këtë vepër është lufta e fundit e Kosovës, kurse personazhe të saj janë luftëtarët e lirisë, sidomos ata të Malësisë së Vërrinit, një mjedis karakteristik që ka zhvilluar luftë të fuqishme ndaj pushtuesve serbë. Atmosfera e luftës, ngjarjet e njëpasnjëshme, dialogu dinamik dhe skenat e shumta dramatike e shquajnë këtë vepër. Autori zë momente të rëndësishme të luftës; paraqet situata të heroizmit e të sakrificës së luftëtarëve të lirisë, disa nga të cilët me gjakun e tyre e lajnë këtë tokë. Janë çaste vendimtare të atdheut, ndaj personazhet e dramës janë njerëz të këtij trualli që synojnë ëndrrën shekullore, lirinë...

                                                         Shyqri Galica

*Vitrina e librit, “Rilindja” (Kultura), 10. 1. 2001, Prishtinë

 

 

ZANA NË MËRGIM

 

Në udhët e mërgimit, që morën shumë nga njerëzit tanë, gjendet edhe vogëlushja Zanë. Ajo, së bashku me prindërit janë vendosur në një qytet të Zvicrës Lindore.

 

Shikimi i mbeti mbrapa

E ra në mendime

Për gjyshin e gjyshen

Dhe shoqet në vendlindje

             LOTI I ZANËS

 

Gjyshi ruan lashtësitë e tokës së lindjes, ndërsa Zana e vogël, është shumë e përmalluar për përrallat e gjyshit, për gjyshen, shoqet dhe shokët e përmalluar për Kosovën. Njëkohësisht, ajo gjendet përballë vështirësive që sjell vendi i huaj, gjuha e huaj në shkollë, vështirësitë gjatë komunikimit në shkollë me mësuesen Haidi, etj. Janë të gjitha këto vështirësi që e shoqërojnë vogëlushen Zanë që në ditët e para të shkuarjes në vend të huaj.

Babi thirri Zana

Dua të fluturoj

Me ylberin në Kosovë

Te gjyshi të shkoj

   ZANA DHE YLBERI

Malli nuk i shuhet dot, e nga malli burojnë dëshirat të cilat në forma të ndryshme ia shpreh nënës e babait. Janë ngjyrat e ylberit, përmes së cilave ajo kërkon të shkojë në Kosovë. Te gjyshi, është dielli i Kosovës që i ngroh ëndrrat e vogëlushes. Është bardhësia e ujit të Lumëbardhit që kalon përmes qytetit të saj të lashtë magjepsës për syrin e vogëlushes dhe, s'ka lumë që nuk i duket i turbullt larg vendlindjes. Pra, te kjo çupëlinë, lulëzon dashuria për vendlindjen, për shoqet e shokët dhe për të afërmit, mungesën e të cilëve e ndien çdo çast. Me kalimin e kohës, çupëlina fillon ta përvetësojë edhe gjuhën gjermane dhe komunikimi me mësuesen Haidi, me shoqet dhe me shokët e klasës bëhet më i lehtë.

 

Mësuesja Haidi

Zanës i ndihmon

Por e kanë një hall

Njëra tjetrën s'e kuptojnë

Shpeshherë zihen ngushtë

Ajo kur shpjegon

Në letër i shkruan

Babai i ndihmon

   MËSUESE HAIDI

 

Megjithatë, malli për vendlindjen, është pjesë e përditshmërisë së saj. Ndërsa, mamasë mundohet t'i ndihmojë në çdo punë të shtëpisë, madje edhe ato që nuk mund t'i bëjë vetë. Do të çmallet Zana, ngase, i jep fjalën babai, se kur të vijë dita e pushimit, do të kthehen në Kosovë. Ashtu siç rriten filizat, rritet edhe Zana, me shpresën se një ditë do të kthehet përgjithmonë në atdheun e saj të dashur.

 

Dhe një lule ia dha kopshti

Edhe gjyshja plot të fala

Babi e mami i dhanë dorën

Për pushime erdhi koha

    SHKËLQIMI I ZANËS

 

Me rrëfimin për Zanën, përmes vargut, arrijmë të mësojmë fatin e shumë fëmijëve shqiptarë të shpërndarë nëpër botë bashkë me prindërit e tyre. Pa dyshim, është kjo ndër plagët që po e përcjellin fatin e popullit tonë, të degdisur gjithandej vendeve të botës.

                                                   Ilam Berisha, prof.

 

HUQET E BENIT

 

“Huqet e Benit” është një vëllim poetik që trajton botën e një fëmije të mërguar larg atdheut. Beni, është një vogëlush i cili së bashku me babanë, mamanë dhe motrën e tij, Besën, jetojnë në Zvicër.

Vogëlushi Ben

Me faqet si mollë

Këtu në mërgim

Ai shkon në shkollë

Është ca i llastuar

Shpesh thotë ka mërzi

Për shokët në Kosovë

Dhe gjyshin e tij

...

   VOGËLUSHI BEN

Gjatë fillimeve të para të jetës larg atdheut, Beni ka shumë huqe, të cilat i përsërit në vazhdimësi. Grindet me shokë, merr nota të dobëta në shkollë, ia prish kukullat motrës, ia ngacmon macen e zonjës Haidi, qenin e zonjës Tina, ia prish kompjuterin e babait, u telefonon shokëve në Kosovë pa dijen e babait, i thyen vazot e luleve duke luajtur me top, etj.

 

Me thupër në dorë

Poshtë në trotuar

Herët në mëngjes

Beni sot ka dalë

Macen lara-lara

Filloi ta godasë

Ndërsa zonja Haidi

Nisi t'i bërtasë

...

   BENI DHE MACJA

 

Të gjitha këto janë aventurat e një vogëlushi të llastuar, i cili, me kohën fillon të përmirësohet. Ai një ditë betohet përpara babait se kurrë më s`do të gabojë dhe që nga ajo ditë, Beni bëhet fëmijë shembullor.

 

Thonë për çudi

Beni ka ndryshuar

Dhe notat në ditar

I ka përmirësuar

Sillet mirë me motrën

Dhe me shokë të tij

Shumë i sjellshëm është

Oh sa mrekulli

...

   BENI SHUMË I MIRË

I gjithë libri, prek sekuenca interesante nga bota e fëmijëve dhe shumëçka nga këto të bëma janë pjesë e secilit nga ne... Këtë vit, Ajgeraj me përkushtim është dhënë pas botimit të librave për fëmijë, që deri më tash ka botuar gjashtë nga ato.

                 Botoi “Metafora”, Prizren-Zvicër, 2007.

                                 Ilam Berisha, prof.

 

 

GJËEGJËZA, SI SPROVË DHE DASHURI PËR BOTËN E TË VEGJËLVE

 

Libri me "GJËEGJËZA", i Gëzim Ajgerajt, na vjen edhe si një sprovë e shkrimtarit në zhanrin e botës për fëmijë. Është dashuria për të vegjlit, botën e tyre, që autorin e shtyjnë, të krijojë edhe në këtë zhanër, duke ndërtuar shprehje dhe figura të reja, të cilat e sprovojnë mendjen e më të vegjëlve për ta ngacmuar kujtesën e tyre. Dhe ky ngacmim na vjen në forma të ndryshme, përmes gjësendeve, figurave të ndryshme e deri te sprova e simbolikave të fjalëve, për ta dhënë sa më saktë, atë që quhet gjëegjëzë.

 

Dymbëdhjetë vëllezër

rreth një topi

njëri pas tjetrit

ndërrohet moti.

     MUAJT E VITIT

 

Autori, gjithmonë përpiqet të vërë në skenë figura sa më të kapshme, të cilat me pak sens të hollë të vogëlushëve, i bën ato të këndshme dhe të kapshme. Dhe si fryt i rezultatit të gjetjes së zgjidhjeve, pos sprovës psikologjike që u bën atyre, arrin të mbjellë dashuri dhe t’u sjellë gëzime botës së më të vegjëlve.

 

Shok i mirë

kurrë s`përton

për çdo ditë

të mësojë.

   LIBRI

 

Me këtë libër, për shtresën e këtij lexuesi, ai arrin të bëhet shumë i dashur dhe i kërkuar. Dhe në dialogët tona, se çfarë e ka shtyrë të hyjë edhe në këtë zhanër të shkrimit, ai me nostalgji na thotë: E kam dashur qysh si fëmijë gjëegjëzën. Kisha dëshirë kur lexoja dhe e sprovoja logjikën time, për ta gjetur vetë atë që kërkohej. Kjo më gëzonte shumë dhe më shtynte edhe më tej të kërkoja të lexoja sa më shumë; të dëgjoja gjëegjëza nga të tjerët; të përgjigjesha. Me një fjalë, është një nostalgji e vogëlisë sime, të cilën kam dashur t’ua fal edhe brezave dhe gjeneratave që po vijnë pas nesh... botës së më të vegjëlve. Shikuar nga kjo përgjigje, arrijmë të vijmë në përfundim, se dashurinë e tij për diturinë, leximin, për fjalën në përgjithësi, por edhe përvojën e përgatitjes së tij si fëmijë, e trason në breza, duke filluar nga bota e më të vegjëlve.

Si një topth i zjarrtë

me ngjyrën e artë,

gjithë botën e shkëlqen

ngrohtësi i fal.

         DIELLI

Libri përmban gjëegjëza kryesisht të reja të krijuara nga vetë autori, me një stil dhe gjuhë të rrjedhshme.

                                                       Botoi “Metafora”

 

KROI I QYTETIT TIM

 

Vargut të margaritarëve të librit për fëmijë, të Gëzim Ajgerajt, i shtohet edhe libri me poezi nga bota e të vegjëlve, "Kroi i qytetit tim". “Kroi i qytetit tim”, në kuptimin e metaforës, vjen si një burim jo vetëm me ujin që e flladisin qytetin e lashtë dhe historik të autorit, por me bijtë edhe bijat që i dha atdheut ky qytet. Poezitë e këtij libri janë të mbushura me figura atdhetare e kombëtare që i dhanë dritë kombit nëpër histori. Kroi, pra mbetet vetëm simbolika ku pinë ujë shumë tribunë të atdheut, prej nga e bashkuan mendjen dhe idealin për çlirimin dhe bashkimin e kombit.

… Trimat e atdheut

Pranë tij u freskuan

Me ujin e ftohtë

Etjen e larguan

Etjen e shuan

Abdyli* e Ymeri

Trim Sylejman Vokshi*

Mici kryetrimi

Ballin e freskoi

Trim Adem Jashari

Qytetit të besës

Një uratë i fali

Trim Xhevat Berisha

Dhe këngë i këndoi

Sa herë e shoi etjen

Bekim i dhuroi

...

   KROI I QYTETIT TIM

 

I tërë libri, i ndërtuar për botën e fëmijëve, bart me vete tema të larmishme, që hiç më pak, janë të pëlqyeshme edhe për botën e të rriturve. Frymëzimin kombëtar që bartin me vete këto vargje në libër, janë një zgjim, një thirrje, një kushtrim, prej nga ndjenja e bashkimit mbetet e ndezur përgjithmonë, deri në realizimin e qëllimit dhe interesave kombëtare.

 

Si dy pishtarë drite, ndriçojnë në histori

Vizion për brezat, dritë për ardhmëri

Abdyli e Ymeri, dy burra të atdheut

Simbol i bashkimit, besë e mëmëdheut

Nga molla e kuqe deri në Çamëri

Vëllezër të një gjaku bashkë një Shqipëri

E lidhën një besë të gjithë në Prizren*

Ta mbrojmë Shqipërinë, e bëjmë atdhenë

Atje në Kuvend, e dhanë dhe një fjalë

Në mbrojtje të atdheut për bashkim kombëtar

                       ABDYLI E YMERI

Në epiqendër janë figurat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Abdyl Frashëri, Mic Sokoli, Bajram Curri, për të ardhur te legjendat më të reja kombëtare, si Adem Jashari, Xhevat Berisha, e shumë heronj tjerë që flijuan për atdheun. Bukuritë dhe pasuritë kulturore të qytetit nuk mbeten jashtë vargut. Ato vijnë vetvetiu dhe gërshetohen brenda tij, si pjesë të pandashme apo si gjymtyrë të qytetit të lashtë, të cilat ia shtojnë vlerat dhe bukurinë e tij.

 

Gur më gur në harqe

Ku lidhen dy brigje

Është Ura e Gurit

Punim i lashtësive

Një herë në një verë

Lumi u hidhërua

E vërshoi qytetin

Ura u shkatërrua*

Prapë pas disa muajve

Te ura meremetuan

Ashtu siç qe më parë

Urën e ndërtuan

Sot qyteti ynë

Atje nën kala

I ruan monumentet

Nga lashtësia që i ka

 

   URA E GURIT DHE LUMI

 

Muzeu i Lidhjes, Ura e Gurit, kalaja, muzetë tjerë, Lumëbardhi dhe shumë objekte tjera kulturore, vijnë të vizatuara mes vargut si margaritarë të përjetshëm të bukurisë së qytetit. Në pjesën e tretë të këtij libri, vijnë poezitë e karakterit edukativ të botës fëmijërore, si thirrje e poetit për edukim të brezave, sepse vetëm të ditur dhe të edukuar si duhet, do të dimë t’i nderojmë idealet e dëshmorëve, do të dimë të punojmë e të veprojmë si ata, që të nesërmen ta kemi të lirë dhe të shëndoshë kombëtarisht. Pa u zgjatur në detaje, do të preferonim që ky libër për fëmijë, të lexohet edhe nga moshat madhore, për të kuptuar e vepruar drejt ecjes sonë përpara.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Disa vlerësime për librin publicistik “Rruga e lirisë” (Intervistë me Zafir Berishën), të Gëzim Ajgerajt

 

LIBËR QË FLET PËR RRUGËTIMIN, I CILI KËRKON VIZION, SAKRIFICË, URTI POLITIKE, DERI NË LIRINË E PLOTË

 

Rruga e lirisë së popullit shqiptar nga sundimi serb ishte e gjatë, me shumë sakrifica dhe vuajtje, por gjithnjë me krenari kombëtare. Për këtë na dëshmon edhe rrëfimi i protagonistit të librit "Rruga e lirisë", Zafir Berisha, i njohur në radhë të parë si një nga pjesëtarët dhe komandantët e spikatur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zafir Berisha, sipas përjetimeve të kallëzuara në këtë libër, personifikon vetëm njërin nga shumë atdhetar të Kosovës dhe shqiptarisë përgjithësisht, të cilët të frymëzuar me idealin e çlirimit të atdheut nga sundimi serb, duke kaluar nëpër ilegalen politike kombëtare e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ngritën në heronjtë e ditëve tona. Dëshmia e tij për rrugën e çlirimit të Kosovës, deri në pavarësi dhe më larg, nuk përmbyllet me këtë libër. Rrugëtimi deri në lirinë e plotë, ende kërkon vizion, sakrificë, urti politike, vetëmohim, unitet kombëtar dhe para së gjithash atdhedashuri. Libri "Rruga e lirisë", le të shënojë edhe një faqe në shkrimin e historisë për luftën dhe lirinë e popullit tonë të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

                           Prizren, prill 2002 Prof. Mr. Agim ZOGAJ

 

 

 

 

PASQYRË REALE PËR LUFTËN ÇLIRIMTARE DHE SAKRIFICAT E TREVËS SË VËRRINIT DHE LAGJES TUZSUZ TË PRIZRENIT

 

Libri "Rruga e lirisë", i Gëzim Ajgerajt, i realizuar përmes intervistës me Zafir Berishën, është më i miri i këtij lloji për luftën çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Ky libër me protagonistin, Zafir Berisha, ka vlera të shumanshme, që në të ardhmen do të shkruajnë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trevën e Vërrinit. Në librin "Rruga e lirisë", Zafir Berisha pretendon dhe ia arrin në mënyrë të sinqertë e të suksesshme të përshkruajë luftën çlirimtare të UÇK-së në të gjitha dimensionet e saj. Këtu vend të merituar dhe vend nderi ka edhe Gëzim Ajgeraj, i cili diti që protagonistit të librit me mjeshtri të hollë t'ia vjelë nga mendja e kujtesa tërë thesarin dhe bukurinë përshkruese të periudhës më të lavdishme të historisë sonë më të re. Lexuesi i vëmendshëm, edhe me një lexim të librit "Rruga e lirisë", do t'ia arrijë ta formojë një pasqyrë reale për luftën çlirimtare dhe sakrificat e trevës së Vërrinit dhe lagjes Tuzsuz të Prizrenit.

 

                       Prishtinë, prill 2002 Prof. Jakup KRASNIQI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

DOKUMENT HISTORIK PËR LUFTËN E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

 

"Rruga e lirisë" është më shumë se libër, është edhe një dokument historik për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të zërë vend të merituar në bibliotekat shqipe. Përmes këtij libri autori dhe protagonisti shpalojnë dhe ndriçojnë detaje të rëndësishme, të panjohura deri më tani për luftën Çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut, përkatësisht të Vërrinit. Brezat e sotëm dhe ata të ardhshëm do të kenë në duar një botim të rëndësishëm nga fusha e publicistikës, libër me të cilin do të mësojnë se, me sa mund e sakrificë, guxim dhe vendosmëri, u arrit çlirimi i Kosovës nga sundimi serb. Protagonisti Zafir Berisha, komandant i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familja e tij, janë vetëm një nga shumë shembujt e ndritur të popullit tonë, se si duhet punuar dhe luftuar për atdheun.

 

                         Gjakovë, prill 2002 Prof. Dr. Qamil GEXHA

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Besim R. Cengu

 

DY FJALË PËR ROMANIN “DITËT E BARDHA”

 

Është krejt e natyrshme, që kur kapërcehen epokat e vështira në një popull, të shkruhen vepra artistike entuziaste. Kjo është kryesorja. Pastaj, se sa janë këto vepra artistike të arritura, është tjetër punë. Periudha dramatike që kalon një popull, karakterizohet nga prodhimi i bollshëm artistik në të gjitha gjinitë, si reflektim dhe përjetim i gjithë asaj që ka ndodhur dhe, që është bërë shkas për transformimet rrënjësore për kalimin nga një gjendje, në një gjendje tjetër psikologjike e sociale e një kolektiviteti. Pikërisht në këtë situatë, ndodhet populli shqiptar pas luftës kundër pushtuesit serb në fundin e shekullit të njëzet. Romani për fëmijë i Gëzim Ajgerajt, “Ditë të bardha”, është shkruar në këtë situatë të popullit shqiptar. Okupatori nuk është më. Njerëzit tashmë janë të lirë, të entuziazmuar, optimistë e të gatshëm për të rindërtuar shtëpitë dhe vendin nga shkatërrimi i luftës absurde shkaktuar nga okupatori i egër. Mirëpo, bashkudhëtare me lirinë e fituar është edhe dhimbja për të rënët, për dëshmorët e lirisë që nuk janë më midis nesh. Ata dhanë jetën për lirinë e popullit, për lirinë dhe prosperitetin e brezave që do ta gëzojnë tokën shqiptare. "Nënë, unë po shkoj në luftë për të çliruar vendin. Ndoshta edhe do të vritem, por nuk ka shumë rëndësi. Kryesorja është se do të fitojë lirinë populli ynë". Kështu i pat thënë Agim Shala nënës së tij, kur po nisej për në front. Gjithçka në roman shikohet përmes syve të një fëmije. Granit Sharri, një vogëlush i shkathët dhe i zgjuar, nuk beson se vërtet ka ardhur liria. Shumë gjëra ai do t'i mësojë tani, pasi është kthyer në shtëpi. Ndërsa nëna, gjyshja e tij e shtrenjtë, dhe motra, Blerta, po pastronin shtëpinë, kthehet nga mërgimi babai. Të gjithë gëzohen pa masë. Gjithçka zhvillohej si në një ëndërr të bukur. Nga ana tjetër, Graniti shikon me admirim dajë Xhemën dhe luftëtarët e UÇK-së, që aq shumë kishin dhënë për çlirimin e vendit. Gjithçka kalon si në një pasqyrë para syve të djaloshit. Kudo sundon optimizmi dhe gatishmëria për të kthyer çdo gjë në normalitet. Autori, përmes figurës së Granitit, synon që të depërtojë në të gjitha shqetësimet e pasluftës. Së pari, autori nxjerr në pah idenë, se pa respektuar të rënët dhe pa vlerësuar veprën e tyre të rëndësishme historike, nuk mund të ketë fillim të asnjë pune tjetër. Kjo gjë, del te interesimi i vazhdueshëm i djalit të vogël për të shkuar në përkujtimet për të rënët, për ata heronj që nuk u përkulën përpara askujt për të arritur qëllimin e lartë të lirisë. Shumë emocionale janë momentet kur Graniti reciton me shumë ndjenjë, apo kur ai ndodhet para shtatores së mësuesit në qendër të Prizrenit. Së dyti, autori ka mundur të paraqesë një tablo të qartë dhe të plotë të periudhës së pasçlirimit. Ai nuk rreket të ndërlikojë fjalinë dhe fjalën, por përmes një përshkrimi të thjeshtë e të qartë, arrin qëllimin që ai i ka vënë vetes. Gjithashtu, ka ditur të ndërthurë personazhet reale me ato artistike, ndërmarrje e cila i ka dhënë dorë autorit që të konkretizojë sa më mirë epokën për të cilën ai shkruan. Përfundimisht, autori pyetjes së sinqertë të personazhit kryesor, Granit Sharrit, "se a ka ardhur vërtet liria?", i jep përgjigjen e qartë se liria jo vetëm se ka ardhur dhe po e gëzojmë, por se, përgjithmonë populli shqiptar do të jetë i lirë. Atë, askush më nuk do ta pengojë në ecjen e tij përpara. Preokupimi i Granitit, tashmë është të jetë nxënës i shkëlqyeshëm në shkollë. Atë dhe bashkëmoshatarët e tij nuk do t'i pengojë kush më që t'i këndojnë atdheut, të thurin vargje për dëshmorët dhe mësuesit e tyre. Prandaj, e ardhmja do të jetë shumë e mirë. Libri “Ditët e bardha” ka vlera, sepse secili prej fëmijëve tanë ndjehet personazh në këtë libër. Granit Sharri, është tipizimi i fëmijës së sotëm, pa të cilët nuk mund të kuptohet asnjë aktivitet, asnjë përkujtim për dëshmorët tanë që u flijuan për atdheun. Dëshmorët janë frymëzimi i brezit tonë që po rritet, ndërsa ky brez i shëndoshë është objekt frymëzimi për ne që na detyron të ndërtojmë jetën tonë të re të bukur e të lumtur.

 

KOLONAT E MALLIT SI NJË DEGË E THYER PËRTEJ TRUNGUT TË ATDHEUT

 

Gjeth i degës së thyer, e ndien veten shpesh poeti. Fillin e pëlcitjes e të thyerjes së përditshme i ndjen qysh moti, duke ia dëgjuar edhe klithmën që lëshon trungu dhe dega kur pëlcasin gjatë ndarjes. Gjeth i kësaj dege, që frymon ndërmjet këtij karvani njerëzish të arratisur nga trungu i atdheut. Trungu, është vetë atdheu, dhe, me degën e thyer e të shkëputur nga trungu, që vërtet po ngjet, nuk pajtohet poeti.

Nën pëlcitjen tënde kanë rënë sa e sa gjethe

E të kanë lënë plagë e zjarr në shpirt

Dhe tani përditë varen klithmës plot mall

Harrimit i shkruajnë kronikat e dhembjes

Dhe sa herë që klith pëlcitjes

Gjethet e dhembjes pikojnë

….

             DEGË E THYER

Ikja larg atdheut, për poetin e ka zanafillën shumë herët. Dihet mirëfilli se, qenia jonë shqiptare përjetoi trazira të shumta. Migroi në Turqi, Junon, Azi, Evropë e Amerikë... e ku jo tjetër. Janë kolonë brezash të harruar, të cilët njëherë ranë nga filizat e kësaj dege dhe i mbyti harrimi. Pra, e gjithë kjo golgotë i ngjason gjethit të tharë, i ndarë nga trungu i vet. Dhe, ndodhitë e këtilla të cilat treten në hapësirë, që pasqyrojnë plagën tonë kombëtare, padyshim janë shqetësim që, figurativisht, i hasim në poezinë e poetit. Tragjika individuale, që nganjëherë merr përmasa kolektive, mund të parandalohet vetëm duke i bërë rezistencë asaj, thotë poeti.

Mos plaga futi rrënjë në oborr

Apo na shituan lakmitarët e shekullit

Si t’i shkurtojmë e rrjedhën t’ua presim

Në mos të paktën t’i japim kuptimësi jetës

A përgjithmonë një lamtumirë ikjeve

Më dogje o varg të djegtë flaka

Pse s`u shkrove në një vend tjetër?!...

                     UDHË

 

Kolonës së të shpërndarëve kudo nëpër botë, i përket edhe vetë Ajgeraj, megjithatë përmes vargut është përhapës i ideve që gjethi i trungut të mos venitet nëpër kohë të brishta që fatkeqësisht po e përcjellin kombin. Janë kronikë poezitë e kësaj përmbledhjeje që pikturojnë njeriun e arratisur, mërgimtarin e përmalluar, të harruarin mes të harruarve, të huajin mes të huajve, duke e zhveshur atë nga çdo maskim kozmetik që ndonjëherë dikush i bën ikjes larg atdheut.

 

Kafkës së tij digjet mendimi

Zjarri i shekullit bëhet hi

Fjala i mbaron harrimit

Një copë atdhe përvëlon në gji

Një mal urimesh përtej shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve

Në krah të dallëndyshes fluturon çdo ditë

Nis kah Kosova me të ndër male

Merr këto lule dhe pakëz dritë

Digjet Kosova digjet mendimi

Lumit të jetës shafran ditën

Brenda vetvetes e ndrydh zemërimin

Djeg kalendarët, e ikën, e ikën...

            I MËRGUARI

 

Gëzim Ajgeraj, i demaskon ata që, kur kthehen në atdhe, vijnë të maskuar, duke proklamuar lumturi, kënaqësi, madje edhe pasuri që u sjell mërgimi. Për Ajgerajn, “Guri rënd peshon në vendin e vet”. Dhe, kush mund të ketë mallëngjim më shumë se Ajgeraj, të cilin tashmë dekadat e përcjellin larg atdheut, larg tokës së lindjes?! Megjithatë, poeti, me mish e me shpirt, prore është tek atdheu, që të parët na e lanë amanet për ta kultivuar atë.

...

Është universi poetik i vargut të autorit, i cili tërheq lexuesin për ta njohur nga brenda klithmën e thyerjes së kësaj dege të kombit. Vargu fjalëpak, mbërthen në vete shumëkuptimësinë e fjalës brenda së cilës fshihet filozofia metaforike e poezisë së sotme shqipe. Ai nuk ndjek pararendës, përkundrazi krijon një stil të veçantë me një përkushtim brenda temës se mallit, që rrallëkund mund ta hasim, dhe e gjithë kjo, i ngjason maksimës: “Balta në atdhe, më ëmbël është se mjalti në dhe të huaj”. Vargut të poetit i prin një ideal i lartë, që me fanatizëm e ruan në poezinë e tij.

 

Err e terr bredh mungesës

vaj dita pa ty

Në Dardani e Ulpianë zbrita

E në fllad të Vërrinit

Për një sy gjumë

Ndër gurra pimë ujë kaçakçe

I kënduam lirisë

Një tufë lule dëshmorëve

Vaj për ditën që na zhuriti largësive

Dita pa Kosovë

           Ditë pa Kosovë

 

Gëzim Ajgeraj, vjen nga një rreth i pasur me tradita kombëtare e atdhetare, ndaj, imazhi i vendlindjes, me gjuhë, kulturë, e ndjenja atdhetare, përherë mbeten pjesë e vargut të poetit. Vetëm traditat e forta e të shëndosha, individuale e kolektive, mund ta ndalin thyerjen e trungut ilir, shprehet poeti. Në vargun e Ajgerajt, pos tjerash, në mënyrë të figurshme mësojmë edhe për luftën e popullit, ata që sakrifikuan, që ky popull njëherë e përgjithmonë të bëhet i lirë. Ata që vepruan në prapashpinë, e sidomos shtetet fqinje, përkatësisht Evropa, që “mbaroi kurthe”, poeti në varg e quan “zonjë fustançjerrë”. Dhe, kësaj “zonje”, përkundër padrejtësive të bëra në kurriz të shqiptarëve, përmes vargut të poetit vërejmë se edhe në të sotmen i mungon ndërgjegjja e pastër përballë lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve. Poezia “Degë e thyer” është njëra ndër poezitë që flet shumë për tragjedinë tonë. Vargu, sikur të magjeps, ndaj edhe përzgjedhja titullohet me këtë emër. Ajo lëshon klithmë, zë, ndërgjegjësim, thirrje nga humbellat, drejt njeriut tonë të tretur.

S`dua që unë të zverdhem moteve pa arbitër

Edhe pse jam gjeth i degës së thyer

E ruaj gjelbërimin e pranverës së parë

... se ushqehem nga trungu im

     KLITHMË GJETHI NË DEGËN E THYER

 

Këputëm vetëm një fletë nga pema e krijimtarisë së Ajgerajt, duke veçuar kështu një cikël nga notesi i poetit të mërguar për ta sjellë përpara jush një pjesë jete të këtij xhevahiri të letrave të sotme shqipe. Është nder dhe privilegj edhe për ne, që Ajgeraj hapi arkivat e shumta të krijimeve të tij, për të na e bërë të mundur përzgjedhjen ashtu siç na e do ëndja ne lexuesve.

                                     Prizren, 2007; Ilam BERISHA, prof.

 

 

 

 

 

 

 

DALJA NGA SHTYPI I LIBRIT DEGË E THYER

Autor i shumë vëllimeve Poetike ("Klithmë malli","Ëndrra për parajsë","Qiellit po digjem","Flakë në plagë","Kënga e babait", poezi, "Urti popullore të Vërrinit" 1 (bashkautorësi), "Mallëngjimi", "Balada e Vërrinit", poezi, "Rruga e lirisë", dramë, "Rruga e lirisë" - Intervistë me Zafir Berishën, botoi Asociacioni i Veteranëve të ish-UÇK-së, "Atdheu në trastë", "Pëllumbat e lirisë", "Ditët e bardha", novela për fëmijë, “Lulëkuqet e Vërrinit”, poezi, Zana në mërgim, poezi për fëmijë, Bosi lepurushi, fabula, “Gjëegjëza”, “Dita me Tonin” (poemë), “Muajt e vitit me Ardin” (poemë); që nga janari i vitit 2004, editon revistën "Metafora", editorial i poetit që del në çdo tre muaj. etj). Gëzim Ajgeraj, është një shkrimtar që jeton në Zvicër dhe është anëtar i LSh të Zvicrës. Ky është libri i shtatë, që nga janari i këtij viti. “Degë e thyer”, është një vëllim poetik që trajton temën e mërgimit. Ajgeraj, në poezinë për të rritur, sikur ka pushuar për këto shtatë vjet, për të filluar sërish me një ngritje të lartë në poezi. Kjo ecje, flet për një përkushtim shumë serioz të tij. Përzgjedhim disa rreshta, që disi tingëllojnë fuqishëm nga shpirti i poetit. ...Gjeth i degës së thyer, e ndien veten shpesh poeti. Fillin e pëlcitjes e të thyerjes së përditshme i ndjen qysh moti, duke ia dëgjuar edhe klithmën që lëshon trungu dhe dega kur pëlcasin gjatë ndarjes. Gjeth i kësaj dege, që frymon ndërmjet këtij karvani njerëzish të arratisur nga trungu i atdheut, trungu, është vetë atdheu, dhe, me degën e thyer e të shkëputur nga trungu, që vërtet po ngjet, nuk pajtohet poeti.                 Botoi “Metafora”, Prizren-Zvicër, 2007.

                                 Ilam BERISHA, prof.

 

 

REVISTA „METAFORA“ - ZËRI I ARTIT POETIK TË GËZIM AJGERAJT

 

Në janar të vitit 2005, Gëzim Ajgeraj fillon të editojë revistën letrare „Metafora“. Një projekt shumë i qëlluar për kohën, për shkakun se, mungonin revista të tilla letrare. Në fillim, katër numrat e parë dalin me emrin „Metafora poetike“, ndërsa më vonë editori vendosi shkurtesën „Metafora“, e cila u botua deri në numrin e shtatë. Revistën e përgatisnin, në bashkëpunim me krijuesin, i cili jeton dhe vepron në vendlindje, profesorin Ilam Berisha. Numrin e parë e nxori në qytezën Buchs të Zvicrës, duke e sjellë pjesërisht një numër të caktuar edhe në Kosovë e Shqipëri. Revista kryesisht nxori materiale të natyrës letrare, si: ese, kritikë, tregime, poezi, urti, fabula etj. duke mos veçuar asnjë zhanër të letërsisë. Të detajuar po i sjellim 5 numrat e saj, të cilën na japin pasqyrën përmbajtjesore të revistës.

 

METAFORA POETIKE

 

Revista letrare "METAFORA POETIKE", Editorial i poetit, Viti 1, Nr. 1, janar 2005, Zvicër

 

Editori, për revistën në numrin e parë Ideja për të nxjerrë një revistë letrare ka qenë e ushqyer herët brenda meje, ndërsa me kalimin e kohës, dëshira dhe dashuria për të, veç sa është rritur. Duke e ushqyer gjithmonë këtë ndjenjë, fillimi i vitit 2005, na gjeti të gatshëm për fillimin e editimit të saj. E gjithë kjo ide, ishte mbledhur disa vite më herët dhe publikuar në Web-faqen: www.metaforapoetike.de.vu, dhe nga aty, fjala e lirë, përmes internetit e kishte pushtuar botën. Ishte fjala ime e shkruar, e publikuar aty, njëkohësisht u kisha dhënë hapësirë edhe miqve të mi të pendës, t’i prezantoja në faqe. Pra, i gjithë ky projekt, për metaforën si revistë, thuajse ishte gati qysh herët. Kështu, revista letrare "Metafora poetike", e mori emrin nga Web-faqja e publikuar në internet.

 

METAFORA POETIKE, nr. 1, janar 2005

 

Si editoriale e përmuajshme, revista sjell tema kryesisht letrare që i qëndrojnë kohës dhe moteve. Pa u ndalur në tema e probleme aktuale, apo qofshin ato edhe të natyrave politike, por gjithmonë me synim letërsinë dhe artin e të shkruarit letrar. ”Pak dritë nga metafora e arratisur”, është ese e shkurtër, që hap faqen e parë të revistës dhe synon që me fjalën e shkruar diku larg në mërgim, fjala shqipe të flatrojë gjithandej ku flitet e lexohet shqip. Letërsia i detyrohet kombit, është eseja e dytë, me të cilën bëhet një paralele mes raportit komb e letërsi. Si editorial i poetit, lexuesi, nga revista, nganjëherë e ndien të nevojshme të dijë më tepër për shkrimin, motivin e të shkruarit, etj. dhe pikërisht në esenë “Pse shkruaj”, i jepen përgjigjet kësaj pyetjeje. Liria e fjalës, është nevojë e patjetërsueshme në artin e shkrimit, kur dihet se sa është ndrydhur ajo te ne në të kaluarën. Si editor, angazhohem që ajo (fjala), të ndihet e lirë, të thuhet pa frikë e pa censurë, sepse vetëm atëherë do të kemi letërsi të lirë e të mirëfilltë. Si pjesë, nga debatet letrare nëpër revistat tjera, “Metafora” angazhohet t’i thyejë ”udhët e ankthit”, që zakonisht i përcjellin krijuesit e rinj. Një kapitull nga romani në dorëshkrim, “Dosja P”, e kapërcen ciklin e eseve të prezantuara në faqet e revistës. ”Vitet ikin shpejt”, është tregimi që i shtohet larushisë së temave. Ndërsa në faqen 7, sjell një recension të shkurtër të poetit Bujar Salihu, për librin "Mallëngjimi", G. Ajgeraj, Prishtinë 2000, të titulluar “Muza poetike e diasporës”. Një recension nga shkrimtari Iljaz Prokshi, për dramën "Rruga e lirisë", G. Ajgeraj, botoi "Meshari”, Prishtinë 2001, me titull, “Një shqiptim i lirshëm i luftës”. Në faqen 8, një temë pak e trajtuar dhe e kultivuar te ne, një reportazh nga Vërrini, “Oxhaqet e kullave të shkreta”, sërish ese, “Shkrimtari dhe vepra si autoritet publik, një paralelizëm mes veprës dhe autoritetit të shkrimtarit, si temë e hapur për debat, nga revista ARS, e Tiranës”, ku editori i “Metaforës poetike”, shpesh shkruan: Poezia mbetet përherë maja e artit, që e preferon “Metafora poetike”, në këtë numër; ”Atdheu në trastë”, është cikli me poezi në faqen 10. Një recension nga editori, për librin me poezi, të poetit Ilam Berisha, "Aromë poetike", botim i autorit, Prizren 2002, me titullin “Ngacmimet emocionale në metaforë”, fq. 11. Shtigje koloritesh poetike, shkruan profesor Sabri Bresa, duke e bërë një vështrim të librave të botuar të G.. Ajgerajt. Dhe në fund, eseja: “Shkrimtar ose politikan”, është çështja që e trajton editori në formën e një debati, çështje e cila sot te ne prek një numër të madh krijuesish. Me 12 faqet e saj, dhe me një tirazh prej 400 numrash, revista letrare “Metafora poetike”, u shpërnda në shumë shtete të Evropës dhe në botë, pjesërisht edhe në Kosovë e Shqipëri, duke synuar gjithmonë shtresën e lexuesve të zgjedhur, për temat dhe çështjet që i trajton ajo. Si e tillë, te kjo shtresë e lexuesit, është mirëpritur me kënaqësi. Për këtë fakt, flasin edhe letrat e ardhura pas daljes së saj të cilat pjesërisht u prezantuan në numrat e ardhshëm.

METAFORA POETIKE, nr. 2, mars 2005

 

Numri i dytë i revistës letrare “Metafora poetike”, sjell një zgjerim dhe prezantim edhe të poetëve e të shkrimtarëve tjerë dhe si e tillë përpara lexuesit vjen edhe më e pasur për nga larushia e temave. Pas prezantimit të përmbajtjes, në faqen 1, në faqen 2 e 3, paraprijnë tri ese të cilat i sjell editori i revistës, G. Ajgeraj. Pelegrini i mallit, Zeja e artit të shkrimit dhe Letrarët dhe politika, janë tri tema që i zgjedh editori, për këtë numër. Maja e letrave shqipe, Ismail Kadare, në metaforë vjen përmes pesë poezive: Pa ty, Dimri, Ditë vjeshte, Edhe kur kujtesa dhe koha janë të pamjaftueshme. Shkrimtari Iljaz Prokshi, për këtë numër sjell dy tregime: Dorëshkrimi dhe Terrori, ndërsa Flori Bruçi, publicist e shkrimtar nga Prishtina, sjell tregimin, Pagjumësia. Në shtojcën, Histori, ky numër i revistës, flet për Masakrën e Tuzsuzit, që e kryen forcat serbe në maj të vitit 1999 në Prizren. Faqja 8, 9, 13, dhe 14, sjellin detajet dhe të dhënat historike nga kjo ngjarje e dhimbshme e historisë, ndërsa faqja 11, 12, sjell fotografitë e të vrarëve dhe të të masakruarve në këtë masakër. Një shtojcë speciale, “Metafora” sjell edhe për fëmijët, duke treguar kujdesin dhe respektin edhe për botën e më të vegjëlve. Është fjala e editorit të revistës, drejtuar vogëlushëve, me poezi dhe një kapitull nga romani për fëmijë, “Ditët e bardha”, një përrallë nga libri në dorëshkrim, “Gjashtë picimulët në olimpiadë; “Baladën e lulëkuqeve”, kushtuar fëmijëve të Jasharajve; Fabula dhe gjëegjëza, nga libri me gjëegjëza i G.. Ajgerajt. Milazim Krasniqi, prezanton me poezinë “Palimpsest”, ndërsa Adem Istrefi, me tri poezi: “Deri kur do të jemi kështu, nëna ime”, “Falmë, nëna ime, nëse mund të më falësh” dhe “Nëse perëndisë s'i besova, ty të shpalla perëndi”. Në faqen 16 dhe 17, nga editori, vjen një recension, për librin: "Çasti im shekullor", i autores Mardena Kelmendi, e cila jeton dhe vepron në qytetin Treviso të Italisë. Ilam Berisha, që njëherësh është edhe lektor i revistës, në këtë numër sjell shtatë poezi: Kohëve, Lëneshë, Hëna, Qëndresa, Dikur, Trupi i ndarë dhe Dykrenorja. Janë dy punime në vizatime, të piktores së re prizrenase, Dafinë Thaçi, që, padyshim, i zbukurojnë faqet e revistës. Në faqen e miqve, është një poezi dhe një letër, e lexuesit dhe mikut të “Metaforës”, Dr. Afrim Poniku dhe dy poezi në vend të letrës, të autorit Bedridin Kryeziu, po ashtu edhe një letër e drejtorit të arkivit të historisë në Prizren, prof. Mujë Berisha. Portreti i autorëve në libra, është eseja që trajton çështjen e portretit të autorëve, të cilët i prezantojnë nëpër librat e tyre. “Metafora poetike” nr. 2, përveç rritjes së cilësisë dhe kualitetit, në këtë numër ajo del me tirazhin 500 copë, ndërsa rrugët e shpërndarjes së saj, tashmë janë hapur nëpër shumë shtete të botës.

 

METAFORA POETIKE, nr. 3, qershor 2005

 

“Shko pas mendjes së shëndoshë, nëse do të përfitosh”, është urtia e cila vjen në faqen e parë, bashkë me dy shkrime editoriale për “Metaforën”. Shkrimtari dhe vepra si autoritet publik, është eseja që trajton zhvillimet të cilat përcjellin veprën dhe shkrimtarin.

Letër

I dashur mik,

Kur vjershat e mia lexon varg për varg,

Ti thua se unë në këtë vatër kam lumturi?

Vërtet, vëlla, ashtu të duket nga larg,

Ndërsa aspak nuk e di...

... Janë këto vargjet e poetit Dritëro Agolli, i cili vjen me tri poezi: Poeti plak, Nostalgjia e plakës dhe Letër. Iljaz Prokshi, me tregimin “Jeta rob”. Xhevahir Spahiu, përfaqësohet me disa poezi nga libri, “Pezull”, ndërsa poeti Ali Podrimja me katër poezi nga libri, “Buzëqeshje në kafaz”. Edhe poeti Adem Gashi vjen me një cikël poezish, si dhe poeti Sali Bashota. Satiriku nga Tirana, me banim në Bruksel të Belgjikës, kësaj here vjen me poezinë, “Dashuria ime”. Flori Bruçi, me poezinë, “Akuareli i diellit” dhe “Mendim i kredhur”. Metafora për fëmijë, sjell tregimin “Trenat” dhe “Toni” dhe përrallën, “Gara vrapimit me anije në lumë”, të shkëputur nga libri me përralla, “Gjashtë picimulët në olimpiadë”, G. Ajgeraj. Dy recensione për romanet, “Pëllumbat e lirisë” dhe “Ditët e bardha” të G.. Ajgerajt, të cilat i kanë shkruar, poeti i mirënjohur për fëmijë, Rifat Kukaj dhe Besim R. Cengu nga Kukësi. Në kapitullin e historisë, Faridin Tafallari na vjen me kujtimet për luftën e Vërrinit. Gazetari Shefajet Berisha, në shtatëvjetorin e rënies së komandantit Remzi Ademaj, sjell një biografi të këtij kolosi të luftës për liri. Pishtari i lirisë, është një biografi e shkurtër për dëshmorin e kombit Xhevat Berisha dhe një biografi për dëshmorin Selajdin Berisha, të cilat i sjell editori i revistës. “Mesazh”, quhet poezia të cilën e sjell poeti dhe profesori nga Prizreni, Sabri Bresa. Me tregimin, “Ditari i luftëtarit”, paraqitet poeti Ilam Berisha. Rami Berisha, Berat Batiu dhe Qazim Thaçi, sjellin poezitë e tyre, që prezantohen në faqen 14 të revistës. Dy poezi të poetit Çerkin Bytyçi: “Pavdekësi” dhe “Përkulje”. Një letër përshëndetëse nga miku i editorit dhe i “Metaforës”, Faridin Tafallari, sjell urimet më të mira për “Metaforën”, njëkohësisht si bashkëpunëtor i poetit dëshmor, Jusuf Gëvalla, ai bën një paralele të veprimtarisë së dikurshme nga ata dhe sot nga ne, brezi më i ri. Web-faqet dhe letërsia dhe Debati dhe kritika, janë dy esetë që i mbyllin faqet e numrit 3, të revistës “Metafora poetike”. Revista u botua në Zvicër, në tirazh 500 copë, në 16 faqe dhe u shpërnda nëpër shumë shtete, me numër më të madh në Kosovë (Prizren).

 

METAFORA POETIKE, nr. 4, shtator 2005

 

Fjalët e qiririt, janë vargjet e Naimit të madh, që i prijnë numrit 4 të revistës, bashkë me esenë e editorit, “Vetë jeta e shkrimtarit, është më interesante se çdo roman”, shkruar nga ai dhe një fotografi e editoit të revistës, e studiuesit arbëresh, Antonio Bellusci. Eseja “Vlerësimi, vlerësuesit e vlerës dhe të jovlerës”, është tema që editori e trajton për këtë numër. “Anës lumenjve”, Fan S. Noli, gjë që, na kthen edhe një herë te poetët e rilindjes kombëtare. Pranë ujit të liqenit, lexojmë vargjet e Lasgush Poradecit. Një problem që e preokupon editorin dhe një pjesë bukur të madhe të shoqërisë sonë, është edhe keqpërdorimi i gjuhës shqipe, që po ndodh nganjëherë te ne. Është një trajtesë, që editori e sjell për të nxitur debat, por edhe duke vënë në thumb keqpërdoruesit e saj. Poeti Agim Vinca, vjen në këtë numër me tri poezi, ndërsa Azem Shkreli, me disa poezi të zgjedhura nga libri,"Zjarr i fjetur". “Rondo”, quhet poezia e Elon Drenit (pseudonim), që për editorin, autori është i njohur. Flori Bruçi, sjell tri poezi. Tri tregime: “Vullnetarët”, “Prita” dhe “Çlirimtarët”, janë autorësia e editorit të revistës. "Një dhembje e shprehur në lirizëm", është recensioni për librin e poetit Mehmet Bislimi, për librin, "Trëndafila maji". Poeti Demir Reshiti, na vjen me pesë poezi. Nga faqet e historisë, ky numër sjell biografinë e dy dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Astret S. Poniku dhe Arsim R. Poniku. Profesor Skënder Berisha, nga Prizreni, sjell dy poezi, “Arbëria” dhe “Motra e Gjergj Elez Alis”. “Udha e lirisë”, është tregimi i poetit Ilam Berisha. Revista letrare, “Metafora poetike”, mbyllet me një udhëpërshkrim të editorit të revistës, rreth një udhëtimi nëpër fshatrat e Vërrinit pas përfundimit të luftës 1998/99. Edhe ky numër i revistës u shtyp në Buchs të Zvicrës, në tirazh 500 copë, 12 faqe, dhe u shpërnda në shumë shtete të Evropës e më gjerë dhe në Kosovë.

 

 

METAFORA nr. 5, 5 janar 2006

Në vizitën që na e bëri poeti Agim Vinca, në verën e vitit 2005 në Zvicër, krahas poezisë që ai na i dha për revistën, i shtruam idenë tonë rreth shkurtimit të emrit të revistës letrare, “Metafora poetike”, ide të cilën si editor e kisha që në fillim të editimit të numrit të parë. Një mendim të tillë e kishte edhe prof. A. Vinca, dhe si propozim ai na i dha dy versione: “Metafora e gjallë” ose, vetëm “Metafora”. Këto propozime, të profesor Agim Vincës, i pranuam me kënaqësi dhe vendosëm që nga nuri i 5-të, “Metafora poetike”, të emërtohet “Metafora”. Një vit me “Metaforën”, është shkrimi i redaksisë, i cili i bën një rikthim zhvillimit dhe suksesit të fjalës së lirë që e prezanton revista. Kjo fjalë, vjen si një shkëndijë drite që sjell "metafora e arratisur", përtej atdheut, e vendosur diku në Zvicër, prej nga edhe merr udhë “Metafora”. Pavarësia krijuese dhe hapësira e autorit në shoqëri, është tema e debatit të “Metaforës”, të cilën e sjell editori përpara lexuesit. Filip Shiroka, Hil Mosi, Fan S. Noli, Migjeni, e Jusuf Gërvalla, janë poetët që përmes vargut, shpërndajnë nektarin e fjalës së shkruar, nëpër “Metaforë”. Tre poetë në mërgim, Shaip Beqiri, Gëzim Ajgeraj dhe Brahim Avdyli, sjellin poezinë e tyre në faqen 4. Tri tregime të shkurtra, “Një capuqino në Trevizo”, “Lulet përskaj rrugës” dhe “Pamje e verdhë”, sjellin çaste nga jeta e editorit të revistës, të ngritura në formën e tregimit të shkurtër. Iljaz Prokshi dhe Flori Bruçi, që njëherësh janë edhe anëtarë të këshillit të redaksisë, sjellin liriken e tyre për këtë numër festiv. Një kthim te romani i Anton Pashkut, "OH", përmes një fragmenti të shkëputur, rikujtojmë veprën e tij shumë të çmuar në letërsi. Një recension për librin me poezi, "S'më la koha të bëhem kohë", të autores së re nga Prizreni, Vjosë Karanezi, e sjell editori për lexuesin e revistës, bashkë dhe dy ese: “Në rrugën e artit” dhe “Përgjigje në pyetjen: Përse literatura”? Nga cikli i faqeve të lavdishme të historisë, prof. dr. Sabahajdin Cena, sjell shkrimin, “Zjarr në Vërri, zjarr në Jeshkovë”, me një biografi për dëshmorin e kombit Bashkim Suka. Dy tregime, i sjell poeti dhe lektori i revistës, Ilam Berisha, bashkë me një intervistë me drejtorin e shkollës fillore "Mic Sokoli", nga Malësia e Vërrinit, z. Selajdin Selmanaj. Një temë nga zhvillimet psikologjike te personaliteti krijues apo politikani te ne, sipas shkencës së Dianetikës, e përmbyll numrin 5 të revistës letrare “Metafora”. Duhet plotësuar këtu, se nga ky numër, revista letrare “Metafora”, ka këshillin e konsoliduar redaksional, të cilin e përbëjnë: Redaktor, Gëzim Ajgeraj; anëtarë të redaksisë, si Iljaz Prokshi, shkrimtar, (Prishtinë), Flori Bruçi, publicist dhe shkrimtar, (Prishtinë), Engjëll Shehu, satirik dhe poet, (Belgjikë, Tiranë), Faridin Tafallari, publicist (Gjermani) dhe Ilam Berisha, (Prizren), lektor dhe këshilltar editues në revistë. Numri 5 i “Metaforës”, është shtypur në 500 ekzemplarë në Prizren (shtypshkronja “EDI”) dhe në Zvicër 300 ekzemplarë (në Buchs të St. Gallenit). Shpërndarja e saj është bërë në të gjitha shtetet e Evropës e të botës, duke pasur parasysh rrjetin e gjerë të lexuesve të rregullt të saj.

 

PROZA E SHKURTËR - MJESHTËRI E RADHËS NË ARTIN E PENËS

 

Pas sukseseve në poezi, novelë, letërsi për fëmijë të të gjitha zhanreve, ese e kritikë, një sprovë tjetër poeti i vë vetes edhe prozën e shkurtër. Një zhanër mjaft i vështirë për kah aspekti psikofilozofik i shprehjes së mendimit. Kur shikojmë tregimet e publikuara gjithandej në libra e faqe interneti, shohim një mjeshtëri të rrallë të shprehjes, të filozofisë tematike të artit e të ndërtimit të këtij lloj tregimi. Vërtet ky lloj tregimi, me pak fjalë na thotë shumë, dhe këtu Gëzim Ajgeraj, dëshmon se di dhe njeh magjinë e fjalës dhe metaforën brenda saj për ta përdorur edhe në këtë formë filozofike të tregimit. Pak shkrimtarë janë marrë edhe me këtë lloj arti, sepse si i tillë ky lloj tregimi, ka specifikat e veta të njohjes dhe ndërtimit. Dhe, për këto specifika, Gëzim Ajgeraj, sikur ka një gjen të fshehtë brenda vetes, të cilin di ta përdorë më së miri në artin e fjalës. Edhe kjo sprovë e shkrimtarit, sikur na bind se gjenialiteti i Gëzim Ajgerajt, në të gjitha zhanret e shkrimit, ka rrënjët e njohurive të tij, të cilat po i përdor shkëlqyeshëm në letrat tona. Ne do t’i japim këto katër tregime edhe të këtij lloji zhanri të të shkruarit, për ta dëshmuar atë më së miri, vetë tregimet e shkurtra të tij.

 

VULLNETARËT

 

Thirrja e atdheut ishte shpërndarë në të gjitha skajet e botës, ndërsa pushkët e lirisë thërrisnin djalërinë shqiptare anembanë botës për t’i dalë zot atdheut. Dheu i Kosovës digjej e përgjakej në çdo cep nga ushtria barbare e okupatorit serb. Shkrumbi e gjaku që derdhej damarëve të tokës sime e shpon dhembjen e çdonjërit shqiptar jashtë atdheut. Dhe, djalëria militante tani po i ktheheshin atdheut, pushkëve të lirisë. Në korrik të nëntëdhjetenëntës i gjeti gati drejt Malësisë së Vërrinit. Gjithçka i kishin bërë gati, rrobat, armët dhe gjërat e tjera të nevojshme për udhëtim. Mëngjesi i së shtunës, i gjeti të zgjuar dhe gjatë tërë natës ata nuk bënë një sy gjumë. Duam të çmallemi, thoshte Rexha, pastaj luftë është dhe kush e di a shihemi më, dhe nëse shihemi, vetëm në Kosovën e lirë. Kur i tha këto fjalë, sytë iu mbushen me lot, vetëm në liri, shtoi Sabriu e Qaza që ishin bërë gati për nisje. Fokusi i kamerës, shënonte çastet e fundit të kujtimeve me vëllezërit dhe shokët në mërgim. Me t’u nisur, shumicës iu mbushen sytë me lot, por secili mundohej të përmbahej përpara vullnetarëve të lirisë. Betimi në flamur, përpara nisjes, u dha forcë të gjithëve, ngaqë mu nga zemra e alpeve po niseshin trimat e atdheut me flamurin kuq e zi në gji. Televizioni zviceran shënoi edhe intervistën e parë publike. Po shkojmë për të vdekur, tha Rexha. Për lirinë e atdheut, të djemve të Vërrinit, të cilët shënuan fundin e nisjes së tyre vullnetare në rrugën e atdheut. Prapa tyre mbetën kujtimet e viteve në mërgim, që ndrynin në vete, duke u ndarë kush e kush me ata që kishin kaluar një kohë të gjatë. Kishte të atillë që nuk mund të rrinin pa qarë, në ndarje, por edhe gjatë rrugës. Atdheu, megjithatë ishte pika më e dashur dhe vetëm ai mund t’ua lehtësonte dhembjen...

                                                             1998

 

BIBLIOTEKA

 

Lajmi për djegien e Malësisë, ra si rrufe. Nga një sulm barbar që bëri okupatori në anën jugore të qytetit P., mbi disa katunde shqiptare, atdheu sërish u përgjak. Ç'logjikë mund t’i pjellë ato krime, pos barbarit të ardhur nga veriu i zi. Atyre vrasjeve, masakrave e djegieve kishte nisur shtatori. Ishin vrarë fëmijë, gra, pleq e plaka. Ishin vrarë edhe shumë të rinj në mbrojtje të kullave stërgjyshore. Armiku nuk i kishte kursyer as edhe kafshët. Ishin djegur shtëpi e biblioteka. Fusha e male shkrumb e hi. O zot, ç'mizori. Në çastin kur erdhi lajmi, m’u kujtua malësia, lagjja ime e dashur, shtëpia. Për një çast, një dhimbje më trazoi. Jo se më dhimbsej pasuria, larg asaj, të gjitha ia kisha falur atdheut dhe luftës për liri. Në ato çaste, flaka e qiriut përpara meje ma kujtoi flakën e kullës. Ta imagjinoj dosido djegien e saj, nuk është e mundur. Ta fshij nga kujtesa, diç po digjet brenda meje. Si ta ndal këtë zjarr?! Flaka e librave shpërthente përtej mureve të kullës. Thyente dritare e kulme dhe ngjitej qiellit përpjetë. Ajo përpinte pamëshirshëm shkronja e fjalë. Gjithçka e bukur brenda librit shkrumbohej në hi. Digjej Buzuku, Barleti, Naimi, Fishta, Migjeni, Lasgushi, Kadareja, Agolli, Shekspiri, Niqe, Gëte, Tolstoi, Cvajgu,... një botë e tërë. Si ka mundësi që brenda një ore të shkrumbohen tridhjetëvjetët e krijimit të bibliotekës?! Jam unë që po trilloj apo dora barbare që bëri shkrumb e hi. Lajmi për vrasjen dhe djegien e gjyshes në kullë, që erdhi atyre çasteve, më tmerroi. Ca pika lot më turbulluan sytë e mi, sa që, më dukej se po verbohesha. Dhimbja i kishte prekur majat, ndërsa flakët e saj s'shuheshin dot. Çaste të kobshme e të dhimbshme që vështirë mund të përshkruheshin. Mbylla librin e kujtimeve bashkë me dhembjen e kobit të asaj dite. Flaka e kriminelit nuk ka mëshirë as për librin, fatmirësisht, edhe kësaj do t’i vijë fundi.

                             Shtator 1998, Zvicër

 

GJYSHJA

 

Mbrëmja e dytë e atij shtatori erdhi e dhimbshme. Lajmet që vinin nga atdheu, ishin tmerruese. Çdo çast që ikte, sillte dhembje të reja e të kobshme. Gjithçka përkonte me një luftë që hapte plagë të reja. Kishte ikur dita e dytë, ankth e dhimbje. Atë mbrëmje, po lutesha për fundin e atij ankthi. Të paktën t’i shpalos dhembjet e dy ditëve të shkuara. Mu atyre çasteve, erdhi lajmi i zi. Gjyshja ime ishte vrarë dhe djegur në kullë nga dora barbare e satanit të ardhur nga Serbia. O zot, ç'dhimbje e trishtim ndjeva. Një lumë kujtimesh rrodhi atyre çasteve. M’u kujtua fëmijëria ime, pushimet e verës që i kaloja te gjyshja, rritja me dajën tim jetim. Kujtimet bëheshin copë e grimë e digjeshin dhembjes. Janë shumë ato, kam frikë se mund t’i hyj në hak kujdesit të saj. Kam pak letër përpara vetes, por dhimbja po më ndrydh. Ajo kërkon shpërthim. Në këtë grumbull dhimbjesh, m’u kujtuan duart e saj kah na i lëmonte flokët, mua edhe dajës. Na uronte të rritemi si lisat e Vërrinit. Xhepat plot me gështenja të pjekura na i mbushte. Me misërniken që e piqte në çerep te vatra, na e ngrohte barkun. S'dua ta harroj as reçelin e fikut e të rrushit nga vreshta te *Kodra e Sadit”. Faqet na kuqëlonin nga thanat dhe mollët e pemëve të Gjeqit. Te “Guri i Kallogjerit” e matnim jehonën e zërave, e ajo ndrydhte duart ankthit për ne. Kënaqej me lojën tonë në oborr, të paktën na kishte përpara sysh. Këto kujtime vetëm sa m’i trazojnë amzat e dhembjes. Ku ta gjej ngushëllimin që është mbytur në gjak. Lotët që më binin mbi faqe, më vinin sikur pika gjaku mbi mur. Ato shpërndaheshin murit të bardhë të kullës dhe zbritnin deri nëpër gurët e oborrit. Rrjedha e tyre i ngjasonte rrjedhës së lumit të *Rekës së vogël pranë kullës”. Një shkëlqim flake ra mbi kullë dhe mbi trupin e saj. O zot, jam në ëndërr, apo po trilloj! Kujtimet ishin mbytur në shkrumb e hi. Si mund të qetësohem tani, kur çdo çast lajme me plagë të reja hapen në mua?!. Si mund të qetësohem, kur dora barbare po i skuq me gjak kullat tona stërgjyshore?! Krimi e ka një fund dhe do të shporret nga trojet tona. Megjithatë, plagët dhe dhimbjet do të mbeten ndër ne, ndërsa, kujtimi për gjyshen time, do të jetojë gjithmonë. Ngushëllova veten atyre çasteve. Gjeq (Jeshkovë), shtator 1999 Janë pra këto tre tregime të shkurtra të cilat pos dëshmisë për mjeshtërinë e ndërtimit të këtij lloj tregimi, ato janë edhe lloj simbolike e mallit poetik, e dhimbjes së shpirtit të tij dhe njëkohësisht, e krenarisë kombëtare, që e ruan me fanatizëm dhe e kultivon Gëzim Ajgeraj.

 

ROMANI "Misioni i kriminelit", Metafora 2008, Prizren

 

NJË SHEKULL PLOT DHUNË

Nga një etje hegjemoniste, e ushqyer atje në Beograd për gati një shekull, dhe e injektuar herë pas here edhe nga Rusia, filloi të ndërtohej miti i rrejshëm për Kosovën, që pastaj, iu servua si një ushqim politik serbëve në Serbi dhe një pakice ardhacakësh (e dëshmuar në histori), duke shkelur mbi popullsinë autoktone vendëse Dardane Ilire, dhe kështu, kësaj popullsie që quhen shqiptarë, t’i bien në qafë me të gjitha të ligat që njeh satanizmi në historinë botërore për ta zhdukur atë dhe për të zaptuar trojet e tyre.

 

NJË EPOKË PLOT KRIME NËN OPTIKUMIN LETRAR

Gjatë shpalosjes së romanit “Misioni i kriminelit”, të shkrimtarit, poetit, dramaturgut, e publicistit Gëzim Ajgeraj, na bie në sy zanafilla e dhunës dhe etja hegjemoniste e popullit serb kundër popullit rrënjës shqiptar. Dhunë kjo, e cila vazhdimisht ka qenë e përsëritshme viteve e dekadave, në forma e mënyra të ndryshme. Ajgeraj, edhe pse në plan të parë ndalet në vitet e fundit të shekullit që e lamë, gjatë leximit të romanit arrijmë të veçojmë periudha kyçe të ndodhive në këto hapësira. Koncepti i perceptimit në roman, edhe ai letrar, edhe ai historik, bukur mirë është i stilizuar. Përmes dëshmive të Kolonelit e gjenezës së tij ndër breza, arrijmë të zbërthejmë mëtimet lidhur me ëndjet e kamotshme për këto troje që, pa pasur asnjë të drejtë, vetëm përmes fantazisë, kanë gjetur rrojtjen në këto troje. Pa zmadhime, por shumë me modesti, Ajgeraj arrin të shpalosë shumë nga këto zhvillime kundër popullit shqiptar, të cilat tashmë janë të dëshmuara edhe historikisht. Në romanin "Misioni i kriminelit", hasim një epokë të dhunshme që për fat të keq qe realitet i ditëve tona. Kësaj radhe, autori i romanit, ngjarjet i shpalos nga një kënd tjetër, duke vënë në plan të parë palën që ndaj shqiptarëve zbatoi dhunën. E tërë ngjarja e këtillë që në tematikë përfshin dhunën, shpaloset përmes personazheve që vijnë nga hierarkia e lartë ushtarake me qendër nga Beogradi. Ngjarja përfshin dy epoka: atë të sundimit me dhunë, dhe e dyta, është liria. Jo më kot, autori, diku brenda librit, shpreh këtë simbolikë: “Kosova gjithmonë ua ka ngrënë kokat sundimtarëve”! Ngjarja në roman zbërthehet përmes personazheve kryesisht ushtarake. Autori u ikën datave e kohëve që lidhen me format historike të shprehjes dhe, ndonëse ngjarjet që kanë ndodhur, për brezat mund të jenë “të shkuara”, përmes përshkrimit të tyre, me fjalët shumë të qëlluara artistike, për lexuesin shqiptar, mbeten të freskëta dhe të kapshme gjithmonë.        

                                                                    Ilam Berisha, prof.

 

 

PROZA MODERNE, SFIDA E RADHËS E GËZIM AJGERAJT

 

(Parathënia e librit “Serboarmatosja”)

 

Nëse sadopak keni arritur të hyni në botën e krijimtarisë së shkrimtarit Gëzim Ajgeraj, ju keni hyrë në një univers të gjerë të perceptimit të botës së tij të dytë, siç është bota e artit, prej nga do ta shihni realen, përmes një dioptrie krejt tjetër, të zgjeruar e të zbërthyer. I gjithë ky univers është pasqyrim i brendshëm i përjetimit të asaj realeje, i ylberosur me ngjyrat e imagjinatës artistike, e cila më pastaj, natyrshëm dhe përjetshëm, krijon bukurinë më vete, dhe për vete. Kjo finesë, padyshim është dhunti. Dhunti që, natyra ia ka falur të ecë drejt udhëtimit të shenjtë, drejt artit të mirëfilltë. Nga kjo, mund të kuptojmë se autori ka një vizion të ushqyer mirë nga kjo dritë, dhe se botëkuptimi i tij ka një univers shumë të gjerë, brenda të cilit, artit i vijnë gjëra të bukura. Për ne që e njohim nga afër botën e krijuesit, na lë të kuptojmë se, arti i tij ka rrugëtim të gjatë, duke na lënë shpresë, se në letrat shqipe zbret një uragan i cili s`di të ndalë.

* * *

Duke shfletuar arkivin shumë të pasur të shkrimtarit Gëzim Ajgeraj, më tërhoqi titulli i këtij romani, megjithëse autori hezitonte ta quante roman. Ky titull, më kujton një kohë, kur populli ynë kaloi nëpër labirintet e një aparteidi të paparë nga dhuna serbe. Ende pa e shfletuar romanin, titulli, “Serboarmatosja”, m’u parafytyruan motet e dhunshme `88, `89, `90, e në vazhdim dhe, ende pa e filluar leximin, sikur m’u krijua portreti i hidhur i këtyre kohëve. Do të shtoja edhe këtë se, Ajgeraj, ngurronte publikimin e romanit në formën kështu siç është. I shkruar më herët, por i shikuar nga syri i së sotmes, sikur autori e shihte nevojën e një ripërpunimi. Dëshira ime ishte, që ky roman të botohej kështu si është. “Serboarmatosja”, një roman i shkruar që në rininë e hershme, i ruajtur në sirtarët e arkivave të tij, duke pritur ditë më të mira për t’i dhënë dritën, na vjen si një margaritar i çmueshëm, duke u dhënë dritë brezave për të kaluarën tonë. Brenda romanit, ndeshen dy botë të kundërta të zhvillimeve në Kosovë: bota shqiptare që kërkonte të çlirohej nga robëria, dhe dhuna serbe që ushtronte regjimi i Kalamegdanit i instaluar në Kosovë, duke përdorur si mashë edhe pakicën serbe. Këndi i zhvillimeve në roman shihet nga burimi i dhunës, që këtë roman e bën shumë interesant. Autori, burimin e ndjek nga kreu, ashtu siç ndiqet amza e lumit nëpër shtratin e tij. Ky trajtim, nga tabori kundërshtar i origjinës së autorit, vërtet kërkon mjeshtri dhe njohuri të zhvillimeve, të situatave dhe të kohës në përgjithësi. Dihet botërisht se, autori ishte pjesëtar i ilegales shqiptare dhe i takonte majave të kësaj ilegaleje, prandaj trajtimi i ngjarjeve mban vulën e njohurive të kohës dhe të ndodhive. Thënë shkurt, edhe vetë ishte në shënjestër të atij pushteti të hidhur. Nga të lexuarit e romanit, arrijmë të mësojmë shumëçka që është përgatitur dhe zhvilluar nga ana e taborit kundërshtar. Dhe, pikërisht përmes kësaj forme, autori arrin ta zhveshë deri në palcë dhunën e pushtetit okupator dhe terrorin serb ndaj popullatës autoktone shqiptare në Kosovë. Duke njohur nga afër krijimtarinë e Gëzim Ajgerajt, përmend edhe një element shumë të rëndësishëm, në veçanti për romanin. Romani është shumë i ngjeshur me ngjarje, duke mos kursyer për t’i ruajtur për ndonjë libër tjetër. Ky element ka shumë rëndësi, ngase e hasim te pak shkrimtarë në letrat e të shkruarit. Ngarkesa filozofike hasim më pak, ndërsa siç u tha, dominuese janë ndodhitë, të cilat e bëjnë romanin më të thjeshtë e më konkret për nga kuptimësia. Personazhi i romanit, kush tjetër pos Millanit, është fytyra më e qartë e një krimineli, i cili përmes veprimeve të dhunës, terrorit, vrasjeve... na shpalos etjet hegjemoniste serbe dhe dhunën e pushtetit ndaj një populli tjetër. Millani, personazh kyç i romanit, protagonist i të gjitha zhvillimeve, është më negativi që trajtohet në brendinë “Serboarmatosja”. Këtu qëndron edhe thelbësorja e trajtimit të zhvillimeve të kësaj kohe, duke mëtuar përpara lexuesve zhveshjen e fytyrës kriminale e të dhunshme të atij pushteti. Dhuna, vrasjet dhe ekzekutimet e shqiptarëve pa dallim moshe nga njerëz të atij pushteti, ishin mizori dhe realitet i kohëve të hidhura. Strategjia shfarosëse ndaj një populli, ishin plane të artikuluar nga lart. E gjithë kjo, i ngjason një lumi të turbullt, i cili, duke ecur rrjedhës, shtohet e turbullohet, duke shkatërruar gjithçka. Veprimet e Millanit, janë veprimet e pushtetit serb ndaj popullatës shqiptare, plot dhunë e terror, deri në qëllime më barbare. Qëllimet e këtij shteti okupues diheshin, shfarosja e çdo gjëje që ishte shqiptare. Këto qëllime, dhe edhe të tjera plane kundër një populli në trojet e veta, vështirë se mund të realizoheshin. Fundi i Millanit, personazhit kryesor në romanin “Serboarmatosja”, është edhe fundi dhe fati i shumë kriminelëve të tillë, që i polli koha për të zezën e njerëzimit. Ky fund, në birucat e Evropës e gjeti edhe kryekriminelin e Kalamegdanit. Duke mos u zgjeruar më shumë, arrijmë në përfundim se, letërsisë shqipe, ky margaritar, çdo ditë e më tepër po sjell vlera të mirëfillta letrare, gjithnjë duke shtuar vargun e romaneve moderne, përfshirë këtu edhe krijimtarinë e zhanreve të ndryshme maratonë, të cilat shumë prej tyre janë në duart e lexuesve, e më shumë pritet të shohin dritën në kohën që do të vijë.

* * *

Pasthënia në kopertinën e librit “Serboarmatosja” Armatosja e popullatës serbe, që ndodhi përpara viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar nga regjimi i atëhershëm i Serbisë, ishte një përgatitje për një luftë të ardhshme, e cila, nuk vonoi, dhe ndodhi dhjetë vjet më vonë. Romani i Gëzim Ajgerajt, na e rikthen kujtesën, duke nxjerrë në dritë shumë të panjohura të kohës për ne shqiptarët. Ndërkaq, libri si i tillë, në brendi, shumë qartë na e tregon armatosjen ndjellalufte, ku vërtet ka ndodhur një luftë e përgjakshme, dhe na rikujtohet se nëpër ç`përmasa të dhunës u përbirua populli shqiptar i Kosovës. Dhe, duke u nisur nga ngjarjet e vërteta të kohës, kronikat e romanit kanë vlera të jashtëzakonshme. Përmes personazhit, në këtë rast kryeudbashit, autori arrin të zhveshë lëkurën e kobrës, duke filluar nga hierarkia e dhunshme e një pushteti të tërë kundër një populli të pambrojtur. Ky roman, dhe një seri krijimesh të mëparshme e të mëpastajme, mëtojnë dëshminë e ngjarjeve tragjike, të cilat, përbindëshi serb, me shekuj i ka ushtruar ndaj kauzës shqiptare në Kosovë. Me këtë seri, me një tematikë të trajtuar shumë konkrete, Gëzim Ajgeraj, padyshim radhitet ndër kolosët e letrave të shkruara, dhe jo vetëm në letërsinë shqiptare, po edhe më gjerë.

 

                         Prizren, 2012 Ilam Berisha, prof.

 

 

 

 

 

 

NOTESI I POETIT TË ARRATISUR

 

Në kulturën e punës në letërsi, krijimtaria e Gëzim Ajgerajt është e pandashme. Vargu i tij lind kudo, buron në çdo çast si ide, si ngacmim i muzës poetike të tij, dhe hyn në fjalë e në varg. Notesi i poetit, është arkivi i vargut të përditshmërisë së tij, i cili nuk di të ndalet. Krijimtaria e poetit bart me vete temat e përditshmërisë krijuese të tij. Me një fjalë, vargu e përcjell kudo, ku frymon e gjallon ai. Ky arkiv, që titullohet “Notesi i poetit”, është një pasuri e jashtëzakonshme, që mban në vete mijëra krijime poetike në poezi. Për prozën, romanin, novelën, fabulën, urtinë, tregimin e shkurtër, kritikën, esenë, etj, ai ka tjetër qasje të punës në studion e tij ku punon pa ndërprerë në të gjitha zhanret e artit. I njeh të gjitha zhanret e shkrimit, por siç shprehet për ne: “Më për shpirt i fle poezia”. Pajtohemi plotësisht, kur kemi parasysh nivelin e lartë të vargut të tij. Ai, për ne është mjeshtër i madh i vargut. Dalta e tij e penës e gdhend vargun, fjalën në të, dhe kur e lexon atë, të magjepsë për bukurinë dhe artin e skalitur përbrenda. Do të zgjedhim ca poezi nga notesi i tij, vargje për konditat e kohës që po jetojmë, për ta parë atë nga shpirti i poetit, dhe për t’i dhënë atë që i jep poeti kësaj kohe:

Si të pajtohem me kohën, ligësitë

Plot populizëm e përralla për mizat e sokakut

Me idealizmin e varrosur injorancës, më thuaj vëlla, si?

Ku mbeti atdhedashuria?

Ku bujaria? Ku besa?

Kur shkelet mbi gjakun e militantëve

Kohë e ligë vëlla!

Më ka hyrë edhe vargjeve, ligësi e saj

E m’i përçau rimat

Vaj halli për poezinë

     KOHË E LIGË VËLLA

Mospajtimi i poetit me kohën, vjen si shpërthim i brendshëm për ta ndëshkuar atë. E gjithë kjo çfarë po ndodh mes nesh dhe rreth nesh, sikur ka krijuar një ç`orientim, të cilin poeti e ndjen, e lufton atë, bile shumë hapur në arenën e fjalës. Me këtë, ai sikur do të na kthjellojë sërish nga kjo huti jona, për ta marrë veten, për të qenë në vigjilencën e kohës, për t’u kthjelluar si popull. Kjo torua që herë-herë na kaplon, sikur na nxjerr përtej binarëve të rrënjës sonë. Një botë tjetër nga notesi i tij, vijnë vargjet e mërgimit. Është bota e poetit të arratisur, i cili për asnjë çast, gati për dy dekada e gjysmë, nuk u pajtua me një fat të tillë.

Në flluska bore e lag, e shtrydh në toptha

E nën këmbë të qullura trotuareve

Çfarë t’i bëjmë kohës unë dhe ky qytet alpin

Vargjet mërdhijnë mes buzëve

Dhe rimat verbohen kësaj zymtësie të mjegullt

Ku ta zë vargun nën flluskat e borës që s`ndalet

Një kafe nën tavernën e kafenesë Edelveis

Ngroh çastet dhe avullon monotoninë

Këtij përmallimi alpin

Mik i dashur, në Kosovë sot ngroh dielli

Atje festohet njëvjetori i mëvetësisë

Urime, urime...

Çfarë t’i bëjë kësaj kohe monotone

Pra, edhe tash kur atdheu feston përvjetorët e mëvetësisë, poeti gjendet jashtë saj. Për të, kjo kohë vjen e bëhet edhe më e vështirë. E vështirë sa monotonia e kohëve alpine, madje, edhe i djeg në shpirt. Dhe, edhe kjo kohë, sa monotone, zbret e hyn në varg për t’u bërë pjesë e Notesit të poetit. Vargjet vazhdojnë, siç vazhdon kënga e poetit, siç vazhdojnë kujtimet, të cilat e përcjellin kudo. Ato bëhen ylbere malli, ngacmojnë muzën poetike të poetit dhe rrjedhshëm hyjnë rimave.

Përmbi kodrat e tua i kam lënë kujtimet

Të m’i ruani të blerta nëpër stinë e mote

Unë i mora udhët i lashë përmallimet

S`ish dëshirë imja ish fati i kësaj bote

I lashë plot shpresa e plot dashuri

Te rrita pranë jush e lisave të gjatë

Tash kam një mall përvëlon në gji

Është malli për ju që më ndjek nga pas

Të m’i ruani të freskëta nëpër motet larg

Bukurive të tua nëpër fushë e male

Çdo hap që e bëj përherë ju kam pranë

Ju shtrëngoj në gji e ju ngroh plot mall

         KUJTIMET PËR VENDIN TIM

Madhështia e kësaj poezie, përmbyllet në dy vargjet e fundit, të cilat na japin të kuptojmë më së miri shpirtin e poetit Gëzim Ajgeraj. Me çiltërsinë më të mirë, shpalos dashurinë për njerëzit e tij, për popullin e vet, për të cilin, si poet sakrifikon çdo ditë. Falë kësaj madhështie, çdo ditë e dëshmon shpirtin e sinqertë, dashurinë për njerëzit, për atdheun…Edhe atje ku vepron e krijon, nuk na harron kurrë, por frymon me ne dhe me shpirtin e tij krijues. Shkëputëm vetëm këto tri poezi nga Notesi, për ta shpalosur një shkëndijë drite të vargut të tij, nga mijëra ato që shkëlqejnë, për t’i përjetuar ca çaste me botën e poetit, dhe për t’u çlodhur vargut që shndrin.

 

PREZANTIMI I POETIT DHE I KRIJIMTARISË SË TIJ NË MEDIET SHQIPE.

 

Gëzim Ajgeraj, si poet, ka vend meritor dhe është prezantuar shpesh edhe në mediet tona në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, si në mediet e shkruara edhe në ato elektronike. Qysh me botimin e parë, këtu e pesëmbëdhjetë vjet më parë, ai prezantohet në mediet e kohës. Asokohe, gazeta "Bujku" e Prishtinës pat botuar shumë poezi të tij, shënime për librin dhe publikime tjera. Me daljen e librave në vazhdim, prezantimet në medie, nuk kanë munguar. Për të, kanë shkruar dhe vlerësuar njerëzit eminentë, si Iljaz Prokshi, prof. dr. Shyqri Galica, Adem Gashi, Sali Bashota, Ali Jasiqi, e shumë të tjerë, emra të letrave shqipe. Me një fjalë, krijimtarisë së Ajgerajt, në vazhdimësi, pas çdo publikimi, i kanë pasuar edhe shkrimet në gazetat e kohës. Edhe RTSh shqiptar, ka njoftuar vazhdimisht përmes gazetarit Shaqir Foniqi, për çdo libër dhe publikim që ka bërë ai. Pas luftës, këto medie u shtuan bashkë me lirinë e tyre të shprehjes. Punimet e Gëzim Ajgerajt, janë botuar vazhdimisht në “Epokën e re”, “Bota sot”, “Zëri”, “Koha ditore”, “Pena shqiptare”, “ARS-i” i Tiranës, “Flaka e Shkupit”, dhe shumë medie tjera të kohës. Edhe intervistat, si të drejtpërdrejta në televizione, edhe në ato elektronike dhe për faqe interneti, nuk kanë munguar. RTK e Kosovës, përmes publicistit dhe gazetarit Ismet Rashiti, në Zvicër, ka publikuar disa herë intervista me poetin. Televizioni i Prizrenit, po ashtu përmes gazetares Valbona Musliu dhe gazetarit Rami Berisha. Televizioni “Besa”, përmes gazetarit Qazim Thaçi. Për “Kosovapressin”, përmes gazetarit Shefajet Berisha, po ashtu edhe për “Zërin” e Prishtinës. Thënë shkurt, nga bagazhi dhe arkivi i Gëzim Ajgerajt, për intervistat dhe publikimet në medie, ka një arkiv të gjerë, që flet për punën e tij. Pos intervistave dhe publikimeve nga të tjerët për të, Ajgeraj edhe vetë ka shkruar gati për të gjitha mediet në tokat shqiptare. Eseja e tij është botuar në vazhdimësi nga “ARS-i” i Tiranës. Kritika, shumë herë i është botuar në “Epokën e re”, “Bota sot” dhe në “Zëri”. Edhe shkrime tjera publicistike në proporcion me kohën dhe zhvillimet politike, nuk mungojnë. Bagazhi i Gëzim Ajgerajt, nuk është vetëm ky i njëzet e tetë librave kur veç jemi duke shkruar. Ai bart me vete edhe po aq punime e publikime, jashtë librave. Dhe, këto punime nuk i kanë munguar kohës. Publikime tjera dhe vend meritor mbajnë edhe punimet dhe shkrimet për luftën, të cilën më mirë se ai, vështirë ta gjejë njeriu e ta njohë. Flasim për regjionin e Prizrenit dhe të Vërrinit, nga vjen vetë shkrimtari. Arkivi i tij, pjesërisht është publikuar nëpër medie dhe faqe interneti. Një anë tjetër e kësaj medaljeje, janë web-faqet e Ajgerajt, të cilat i ka të stërmbushura me shkrime. Ato mbajnë një vlerë të lartë dhe një pasuri me shkrime, që shfrytëzohen edhe nga studiues dhe të rinj që mbrojnë tema diplome e studime tjera shkencore për nivelet e larta titujsh shkencorë. Nga web-faqet e tij do të veçojmë www.metaforapoetike.de.vu, e cila ka mbi një dekadë që e menaxhon vetë autori. Tjetër faqe do të veçonim, www.letërsishqipe.npage.com dhe www.gezimi.jimdo.com , faqe të cilat po ashtu menaxhohen nga autori. Një faqe tjetër si enciklopedi shqiptare është edhe webfaqja www.zemrashqiptare.net e cila në vete përmban gjithë krijuesit shqiptarë, nga më të vjetrit e deri më sot. Gëzim Ajgerajn, me një fjalë e kemi shumë prezent kudo, dhe sot nëse kërkon shkrime për të, i gjejmë ku të duam.

 

PJESËMARRJA DHE PREZANTIMI I POETIT NËPËR ORËT LETRARE DHE PROMOVIME

Gëzim Ajgeraj, si poet në prezantime përpara publikut, nëpër orë letrare dhe takime e promovime poetike, ka një performancë para auditoriumit. Si pjesëmarrës aktiv në organizimet në mërgim dhe në vend, ai ka bërë një përvojë për lakmi, me një kulturë tepër të lartë performuese dhe me përgjegjësi në prezantim e në fjalë. Ndërsa, për sa i përket pjesëmarrjes nëpër promovime e takime letrare, tashmë, në memorien e tij nuk mund të numërohen. Si poet, ka prezantuar në shumë vende të Evropës, si në Zvicër, Gjermai, Itali, në Shqipëri e Kosovë. Dhe në të gjitha këto prezantime, vargu i tij gjithmonë është pëlqyer nga publiku. Ka deklamuar vargun edhe shumë herë edhe në qytetin e lindjes, në Prizren, dhe me zërin artistik i ka shtuar edhe më shumë bukurinë tërheqëse vargut të tij. Pjesëmarrja e tij në "Takimet e Gjeçovit", në takime poetike në Kukës, e edhe në Prishtinë, ka lënë mbresa edhe për shoqërinë, edhe për vetë poetin. Në një pyetje tonën, pse shumë herë na mungon nëpër manifestime të ndryshme këtu në vend, poeti thotë: Unë nuk kam faj, fajet i ka mërgimi. Largësia. Dheu i huaj ku patjetër më duhet të punoj, të veproj e të jetoj. “Zvicra është stacioni im i fundit, dhe nga atje, nuk mund t’i zë të gjitha organizimet që bëhen këtu në vend”. “Unë jam pajtuar me fatin, por jo, kurrsesi, nuk jam i nënshtruar atij”. Përpjekjet e mia për të qenë sa më shumë prezent në manifestime kulturore, vazhdojnë. Përpiqem t’i zë ato, dhe në mos i zënça fizikisht, mendja, shpirti dhe pena ime janë të pranishme kudo. Një gjë mund të them: Kur lexuesit i arrin libri im, përmes së cilit shpreh ndjenjat e mia, të të dy botëve, edhe asaj të brendshmes, edhe asaj të jashtmes, mendoj se misioni im është përmbushur. Gëzim Ajgeraj, gjatë karrierës së tij ka pasur disa promovime, si në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, në Shtëpinë e Kulturës në Prizren, në Shoqatën e Shoqërisë “Agimi”, po në Prizren, në Cyrich të Zvicrën, në St. Gallen, po të Zvicrës, në Buchs, etj. Promovime këto, enkas për poetin Gëzim Ajgeraj, i cili u vlerësua gjithmonë si krijues me vlera të larta letrare. Veprimtaria e tij e cilësuar me vlerë, dhe vetë bagazhi i madh i krijimeve letrare, padyshim se krijuesin e radhisin ndër uraganët dhe kolosët e ardhshëm në letërsinë shqiptare.

 

PËRKTHIMET DHE PUBLIKIMET NË MEDIET E HUAJA TË KRIJIMTARISË SË POETIT

 

Dihet mirëfilli se, Gëzim Ajgeraj, është anëtar i LSh të Kosovës, njëherësh edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës (ADS) nga viti 2002. Ky anëtarësim në këto organe, sidomos në atë të Zvicrës, ka krijuar premise dhe mundësi njohjeje për njohje më për së afërmi me botën dhe me letrat e huaja të artit. Vargu i tij është kapur edhe në gjuhë të huaja dhe tani ai përkthehet në vazhdimësi. Leksikonet e Lidhjes së Shkrimtarëve zviceranë, e radhisin atë ndër shkrimtarët më të suksesshëm të kohëve moderne. Poezitë e tij përkthehen e botohen në revista e publikime tjera, kryesisht të kulturës. Ndër përkthyeset që ka përkthyer poezinë e Gëzim Ajgerajt, shquhet Sara Gretler, një njohëse e mirë e gjuhës dhe e letërsisë shqiptare, e cila ka studiuar në Kosovë. Ajgeraj publikon dhe shkruan edhe artikuj e reportazhe edhe për mediet zvicerane, dhe shquhet për temat që zbërthen. Gazeta ditore "Werdenberg", që del në regjionin e Zvicrës Lindore, boton shpesh shkrime e artikuj të tij, por edhe për të, që shkruajnë të tjerët. Shkëpusim këtu një shkrim të tij në fejtone: "Shqiptarët në regjionin e Zvicrës Lindore, që nga viti 1964, deri më sot", kryesisht në gjuhën gjermane. Pastaj, shkrimin e publicistit zviceran Hansruedi Rohrer, "Pa librin, s`mund ta mendoj jetën", intervistë me Gëzim Ajgerajn, shkrimtar nga Kosova. Shkrime të kësaj natyre janë të shumta dhe nuk mund edhe t’i përmbledhim të gjitha brenda këtyre shënimeve. Një botë tjetër drejt lindjes, është ajo në gjuhën rumune. Poezinë e Gëzim Ajgerajt, atje, e ka përkthyer dhe botuar në shumë revista rumune, studiuesi dhe përkthyesi Ardian, Kristian Kyçyku. Kjo poezi është botuar dhe botohet në vazhdimësi në revistat kulturore rumune. Një hap tjetër po në këtë gjuhë dhe me përkushtim e ka ndjekur edhe përkthyesi Baki Ymeri nga Bukureshti, i cili në vazhdimësi përkthen e boton nëpër revistat e atjeshme poezinë e Gëzim Ajgerajt. Falë këtyre studiuesve e përkthyesve, në këtë vend, letërsia dhe vargu i këtij poeti ka qenë dhe është në vazhdimësi prezent përpara lexuesve. Ofertat për përkthimin e vargut të Gëzimit janë edhe në gjuhën angleze, italiane etj. dhe janë në rrugë e sipër. Megjithatë, përkushtimi i Ajgerajt është krijimi i artit dhe letërsisë në gjuhën shqipe, sepse siç thotë vetë ai: “Vetëm aty më pushon shpirti i fjalës, të tjerat vijnë me kohën”. Një studiues dhe përkthyes anglez, poezinë e Ajgerajt e krahason me atë të Lasgush Poradecit, si poezi tepër komplekse për t’u përkthyer, duke thënë se: “Bota e tij komplekse, e mbështjell vargun shumë hermetikisht, saqë është vështirë të zbërthehet e të përkthehet në origjinal”. Përkthimet dhe prezenca e tij nëpër medie të huaja, në veçanti ato të shkruara, janë në vazhdimësi dhe s’kanë të ndalur, siç nuk ka të ndalur pena e tij.

 

 

 

DALLËNDYSHJA E MALLIT

 

Gëzim Ajgeraj: "DALLËNDYSHJA NË VËRRI", botoi "Metafora", 2007, Prizren

Duke lexuar librin me poezi për fëmijë të Gëzim Ajgerajt, "Dallëndyshja në Vërri", kapim motive shumë interesante nga bota e më të vegjëlve. Kështu, poeti përmes vargut për fëmijë kap dy botë: atë të mërgimit që është shumë e theksuar në këto anë, dhe e dyta, pikëpamjet shpirtërore të atdheut. Këto dy botë sikur flatrojnë kah njëra tjetra për t’u afruar gjithmonë njëra me tjetrën. Në njërën anë ndërtohet bota e mallit, ndërsa në anën tjetër njerëzit, afërsia, peizazhet e atdheut. Dallëndyshja, simbolikë që fluturon gjithmonë vendeve të ngrohta, bart me vete dëshirat, dashurinë, mallin, porositë duke i sjellë ato te dëshirat. I tërë libri, pasqyrohet përmes botës së të vegjëlve dhe përmes figurave, peizazheve, veprimeve dhe lojërave të tyre, të cilat, sikur e ndërtojnë gjithë botën brenda këtij libri. Të gjitha këto elemente, këtë libër e bëjnë edhe më të këndshëm, më tërheqës dhe më me ëndje për t’u lexuar.

Dallëndyshja në Vërri

E sjell letrën fluturim

Shpendin fort e gëzon

Babai hidhet në përqafim

Dhe një këngë e këndon

Përmbi kulla cicëron

Flatrat Shpendi ia lëmon

Pastaj letrën e lexon

Kështu Shpendi e shpërblen

Bukë e ujë atij i sjell

Të dy bashkë nisin këndojnë

Mall e këngë i bashkojnë

     DALLËNDYSHJA NË VËRRI

Poezitë tjera si: Dëshira e mërgimit, Mërgimtari, Dua një aeroplan, Fëmijët e vendlindjes, etj. sikur e plotësojnë misionin e dallëndyshes dhe trajtojnë mallin si metaforë ndërmjet këtyre largësive që i ka krijuar mërgimi. Është një botë e tërë e fëmijëve si personazhe të cilat e bëjnë librin. Janë dëshirat e tyre, ëndrrat për të ardhmen, malli për prindërit, iku larg në mërgim. Përmes kësaj shpalosjeje të botës së tyre, futemi edhe vetë brenda librit dhe si personazh, dihet se gati i gjithë populli ynë preokupim dhe plagë e ka mërgimin.

Merita i lutet mamit

Krahëhapur të vrapojë

Do të ngjitem qiellit

Te aeroplani të shkoj

...

Do t’i lutem babit

Mua të ma blejë

Xhaxhin Tani dhe Ardi

Në Kosovë të ma sjellë

     DUA NJË AEROPLAN

Është ndjenja e vogëlushëve, malli i tyre, dëshirat që shkarkohen në varg plot mall. Edhe botës së vogël të tyre u mungojnë njerëzit e vet të larguar mërgimit, dhe ata përmes dëshirave të tyre duan t’i kthejnë afër vetit. Edhe këtu, ndjenja mall është shumë e theksuar. Një shpalosje tjetër e botës së fëmijëve të vendlindjes na vjen përmes poezive: Fëmijët e fshatit, Fëmijët e vendlindjes, Te kroi i lagjes, Dielli i vendlindjes sime, Te shpella, Te dardha e Gecit, etj, etj. E gjithë kjo botë, sikur të krijon ndjenjën se poeti e bën një

rikthim mbrapa, duke u kthyer edhe në vogëlinë e vet. Brenda vargjeve shpalos kujtimet dhe botëkuptimet se si ishte dikur kur ishte fëmijë.

Piqet rrushi edhe pjeshka

Dalim lart nëpër vreshta

Marrim pak ëmbëlsi

Ajër të pastër për mushkëri

Dhe pak ujë bjeshkës të pimë

Në hije Sharri të rrimë

E të kthehemi në shtëpi

Plot freski e ëmbëlsi

           DHE TË DALIM NËPËR VRESHTA

Pas një rikthimi të përmallshëm, poeti duket sikur kërkon një çlodhje brenda bukurive të vendlindjes për një çmallje. Në libër gjejmë edhe shumë poezi të karakterit edukativ, të cilat kanë një mision të caktuar për botën e më të vegjëlve, si poezitë: Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, Gjurmët flasin vetë, Kur bie shi, Tre bilbilat e vegjël, Përrallat e gjyshes, Kush punon ka, Pema e xha Canit, etj. Dhe libri, tamam përfundon brenda ylbereve të mallit, ngase, përmes simbolikës së krahëve të dallëndyshes, njerëzit e mërguar mbeten largësive, për t’u sjellë copa malli nga mërgimi. Mund të vijmë në përfundim, se libri, “Dallëndyshja në Vërri”, është një libër shumë i përkryer, që hyn thellë në brendinë e botës fëmijërore, dhe sigurisht, çdo fëmijë që i qaset leximit, do të ndihet personazh i tij.

                                                  Ilam Berisha, 2012

 

 

FAKTI, 15 qershor 2002

 

MUZA POETIKE E DIASPORËS NË KËRKIM TË NJË ESTETIKE TË RE TË MENDIMIT

(Rreth librit „Mallëngjimi“ të autorit Gëzim Ajgeraj)

AKUAREL I LIRISË

Mirë se vini në atdheun tim lule e pëllumba

Përtej fletëve tuaja flatrave mbytet bardhësia

Estetikë e vjetër, estetikë e re digjet mendimit

Me nga një brushë në dorë, me një letër plot bojë

Në dëshirën time ra e shumëkërkuara

Hyri kornizave mureve estetikës

Mbi shëmtinë e vjetër fluturuan lulet, pëllumbat

Dhe u mbyt errësira

Hapësirën e pushtoi shkëlqimi

 

SILUETA IME

Mos u digj

Silueta ime prej qiriu

Çlodhu ëndrrave të vrara

Ëndërro bardhësitë e bardha

Agimet e mëngjesit të ri

Dritën, pranverën, Kosovën

 

Poeti Gëzim Ajgeraj është padyshim poeti më produktiv që jeton dhe vepron në Zvicër. Në letrat shqipe është paraqitur diku në vitet `90, kurse në librin e tij të parë „Klithmë malli“, në edicion të shtëpisë botuese „Rilindja“, na paraqitet në vitet 1996. Po nga ai vit, Ajgeraj ka botuar edhe disa përmbledhje të tjera si: „Ëndrra për parajsë“ (1997), „Qiellit po digjem“, (1998), kur boton edhe përmbledhjet „Flakë në plagë“, „Kënga e babait“ si dhe librin „Urti popullore të Vërrinit“ , ndërkaq, „Mallëngjimi“ është përmbledhja e tij e fundit e botuar në vitin 2000 nga „Rilindja“. Kohë më parë ka botuar edhe një libër: Intervista me komandantin Zafir Berisha.

***

Në poezinë e Ajgerajt ka mall, ka shqetësim, ka ikje kolektive, ka ankth për fatet e atdheut, pra ka rrekje që përmes një gjuhe të përzgjedhur poetike të ngrijë shqetësimet e mëdha, me ç`rast bie në sy një kujdes që këto shqetësime t’i përcjellë sa më qartë, por koha nëpër të cilën kaluam shpeshherë edhe rimave do t’u vinte zjarrmi:

Dhe zjarri m`i djeg fjalët e letrat

Ku nisin udhët e tejmbarojnë

Dhe rimat rrjedhin, rrjedh lumi i jetës

Këngën e mallit tek e këndojnë

Vargje këto të poezisë „Rima me zjarrmi“ nga përmbledhja „Mallëngjimi“. Poezia e Ajgerajt nuk mund të lexohet vetëm si shqetësim, megjithatë ajo jo rrallë është tablo, vizatim i lirë i lirisë, krenari, optimizëm, etje e ndezur, thirrje e lehtë dhe e ndërgjegjshme për një estetikë të re të mendimit, ndonjëherë edhe duke shkruar një biografi tjetër. Gëzim Ajgeraj, tash e më shumë se dhjetë vjet jeton dhe krijon në Zvicër, është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe nga ky vit edhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës.

                                           Përgatiti:Bujar Salihu

 

 

 

Sabri Bresa, prof.

 

SHTIGJE KOLORITESH POETIKE

 

Krijuesi relativisht i ri Gëzim Ajgeraj, sërish e gjallëroi ambientin kulturor këtu në Prizren me një përmbledhje të re poetike, titulluar "Mallëngjimi". Tabloidit të vet artistiko letrar ia shtoi edhe një gjerdan filizikesh kreative, që mund të kuptojmë se letërsia në Kosovë, dita ditës begatohet me suvenire të reja të mirëfillta. Gëzim Ajgeraj, ka të botuara shtatë përmbledhje poezish, duke dëshmuar cilësitë e pamohueshme inventive letrare, në gjirin e së cilave çelin sythat e rinj vargnues, me një mesazh, jetizuar nga nostalgjia e pozicioni impresiv i një mërgimtari, që brengat e njerëzve të tij i bart me vete tok me dashurinë e përjetshme, që rregullisht metaforizohet në forma të ndryshme. Poezitë e tij vërshohen nga iluzionet subtile të autorit që lidhen me ideshmërinë, si parantezë e një deti aspiratash që populli i tij më në fund duhet t'i përqafojë erërat e vërteta demokratike dhe ai si një paraprijës i vërtetë, t'u gëzohet atyre me sensin e një fëmije. Autori portretin e njerëzve të tij më të dashur e mban në gji, sikur ka frikë të ndahet nga ato, ku pas një glorifikimi magjik vargjesh, pas një shkrirje modale, na del i përsosur peizazhi dehës i vendlindjes së tij që permanent i mungon. Autori çdoherë gjendet në fokusin e angazhimeve të njëmendëta, të inovacioneve narrative humane, ku tregohet si një udhërrëfyes i pinjojve të rinj: që ta duan atdheun e tyre mbi të gjitha, të mos zilikojnë mërgimin, sepse "lotët e mërgimtarit, janë më të rënda se pesha e margaritarit". Një të tillë gjë, krijuesi Ajgeraj është duke e përjetuar mbi shpatullat e tij një kohë të gjatë. Vetëm disa ditë dhe ai do të kthehet pranë vatrës më se mallëngjyese, ngase vetja i përngjason një kazani bubulak, në të cilin janë sublimuar vrerosjet jetësore poliylberike, të një kurbetçari që shërimin shpirtëror do ta gjejë, kur do të marrë bekimin e ngrohtë të dheut të vet, të njerëzve që defilojnë nëpër poezitë, reliket e tij të mbushura plot pezm nga e kaluara që e ndjek pas si një hije amshuese... Në disa poezi qartësohet peizazhi i përkryer kosovar i një natyre madhështore, përmes së cilit sendërtohet ideja e së bukurës, duke e bërë atë të stëryshtur nga gjithë aderuesit. Me përshkrime sensuale, aty këtu bukolike, ai e ndjen thellë e më thellë pulsin e njerëzve që bashkëfrymojnë, e sidomos u referohet atyre që janë larg në mërgim. Vokacioni inkurajues, është si një formë e një proklamateritmike poetike dhe njëkohësisht, ftesë për një kthesë sa më të shpejtë drejt "magnetit qendror spiritual", sepse vlerat e vërteta, njeriu mund t'i tregojë e fitojë, vetëm në trojet e veta të shenjta.

                               Prizren, 2000 (Gazeta e KFOR-it)

 

PAVARËSIA KRIJUESE

 

Se krijimtaria është një çështje individuale dhe e pavarur, kjo dihet. Krijuesi për ta ruajtur atë pavarësi, nuk duhet të jetë i prirë apo nën ndikimet e jashtme, por edhe ato të brendshme që mund të lindin ndonjëherë, sepse do të çonin në dëm të veprës së krijuar. Ndikimet e jashtme mund të jenë të shumëngjyrshme nga të cilat do të njollosej vepra e krijuar. Ato mund të jenë: ndikime grupore, klanore, partiake, etj. Në ndikimet individuale që mund të lindin te krijuesi, mund të jenë: simpatia, urrejtja, interesat individuale, etj. Të gjitha këto që i përmendëm, në kuptimin negativ do të ndikonin në dobësimin e qëllimit dhe ruajtjes së pavarësisë krijuese. Ekzistojnë edhe elemente tjera që mund të nxirren brenda kësaj hapësire, por është shumë e rëndësishme që krijuesi të ruhet nga këto ndikime. Ai duhet ta ndërtojë hapësirën krijuese jashtë këtyre kornizave, brenda një vizioni më të gjerë nga i cili nuk duhet të ndahet asnjëherë. Këto ngacmime negative, mund të jenë të përkohshme, ndërsa vepra e krijuar, mund ta ruajë përjetësinë. Është edhe një element shumë i rëndësishëm nga i cili fillojnë të gjitha këto çështje. Pastërtia shpirtërore është faktor kyç për ndërtimin e personalitetit krijues, sepse nga aty do të niset misioni i veprës, se çfarë pavarësie dhe shëndoshmëri do të ketë një vepër. Sa do të jetë në gjendje krijuesi ta ruajë atë pavarësi, këtu lidhet i gjithë problemi. Pra, për ta ruajtur pavarësinë krijuese, krijuesi nuk duhet të udhëhiqet as nga parimet e sëmura individuale që mund të ekzistojnë në qenien njerëzore e as nga intencat grupore apo klanore të cilat reflektojnë rreth tij. Në një kuptim më të gjerë, krijimi i dedikohet dikujt, por ajo duhet të ketë hapësirë të gjerë e të pavarur nga e cila do të fitonte gjithmonë arti. Në këtë rast edhe krijuesi, por edhe vepra e krijuar, do ta reflektonte vetë hapësirën dhe pavarësinë krijuese, nga e cila s'do fjalë se do të rridhte suksesi.

 

 

 

HAPËSIRA DHE MUNDËSITË AFIRMATIVE TË KRIJUESIT NË SHOQËRI

 

Hapësira dhe mundësia afirmative e krijuesit, është një çështje në vete brenda së cilës shpesh sillet suksesi dhe mossuksesi i krijuesit në shoqëri. Pra, shpesh, suksesi varet nga rrethanat dhe zhvillimet brenda një shoqërie të caktuar. Kur e themi këtë, e kemi parasysh hapësirën krijuese që mund ta përcaktojnë faktorët e zhvillimeve politike brenda një sistemi të caktuar në shoqëri. Nëse krijuesi është i prirë ta thotë mendimin e lirë të tij, por që nuk i përshtatet një zhvillimi politik në kohë të caktuar, hapësira e tij është e kufizuar. Kjo ka ndodhur shpesh në sistemet moniste, por për fat të keq, pasojat e këtilla po barten edhe në sisteme me pretendime demokratike. Me një fjalë, krijuesi gjithmonë duhet të jetë i prirë nga një parashikim e krahasim me kohën, dhe ndodh shpesh që hapësira e tij të jetë e ngushtuar nga çështjet e mospërshtatjes me kohën, apo moskuptimit të drejtë të tij. Brenda kësaj hapësire të ngushtuar, gjithmonë dëmtohet fjala e lirë. Dhe, nëse ky mendim i lirë që duhet t'i paraprijë krijuesit nuk i përshtatet kohës, sistemit, grupeve, apo klaneve që i kanë në dorë institucionet e caktuara në shoqëri, mundësitë e tij për afirmim, do të hasin gjithmonë në pengesa. Pra, në këtë rast, mundësia për afirmim, prapë ndihet brenda grilave. Kjo siç e thamë më lart ndodhi gjatë sistemeve moniste kur individë të caktuar, u gjendën në ballë të institucioneve që i shërbenin shtetit, e jo interesave të popullit. Krijuesi duhet të jetë i prirë t'i shërbejë letërsisë e cila i detyrohet kombit, ndërsa, jo gjithmonë, pushtetet i shërbejnë atij. Në këtë pikë hapësira afirmative në shoqëri gjithmonë ngelet e cunguar. Në sistemet më të avancuara, çështja qëndron pak më ndryshe, por jo edhe te vendet në tranzicion, sepse pasojat e një mentaliteti të caktuar kërkojnë kohë për t'u ndërruar. Mundësitë afirmative, siç thamë në shoqëritë më të avancuara, lidhen ngushtë me vlerat, interesat e shtëpive botuese të cilat pastaj, vënë në lëvizje gjithçka: reklamat, mediet dhe gjithë potencialin reklamues që do të krijonte hapësirë të gjerë në shoqëri. Këtij drejtimi, shpesh ngrihen edhe vlera. Shtrohet pyetja: si mund të ndodhin ato? Brenda një zhvillimi kohor, apo një ngjarje që tërheq opinionin, krijohet një vepër që do t'i përshtatej kohës. Ajo mund të bëjë një bum në shoqëri, pavarësisht nga vlera që e ka. Raste të tilla kanë ndodhur, më pak në letrat shqipe, por më shumë në atë botërore. Në fakt, në vizion, ato krijime kanë rënë me rënien e interesimit për një ngjarje të caktuar. Kështu pra, brenda saj edhe nëse ka munguar vlera, bumi i kohës e ka ngritur, por kalimi i kohës e ka hedhur harresës. Në këtë rast, hapësira afirmative lidhet ngushtë me fatin e krijimit-veprës. Prandaj, krijuesi gjithmonë duhet të krijojë vlera, pavarësisht se brenda një kohe të caktuar i mungon hapësira. Kohët ecin dhe kualiteti i veprës u qëndron atyre. Kjo ka ndodhur edhe në letërsi, edhe në art, pikturë etj. kur shumë krijues pas vdekjes së tyre, vepra e tyre e ka arritur kulmin e hapësirave në shoqëri. Vlera e krijimit e gjen kohën dhe hapësirën vetë në shoqëri, pavarësisht se gjatë një kohe të caktuar ajo cungohet.

 

 

ROLI I INSTITUCIONEVE NË AFRIRMIMIN E KRIJUESIT

 

Kur flasim për krijuesin, parasysh gjithmonë e kemi veprën e tij, kjo është e pandashme. Se cili është roli i institucioneve, qofshin ato kulturore, informative apo edhe institucione shtetërore, pak a shumë u thanë edhe më lart. Megjithatë, disa çështje duhet të kapen më gjerësisht për ta qartësuar këtë çështje. Nga institucionet që u zunë në fjalë, do të fillonim me ato kulturore, këtu mund të jenë: shtëpitë botuese, shoqatat e ndryshme, lidhjet e shkrimtarëve, klubet letrare, qendrat e ndryshme etj. Të gjitha këto, kanë rol të rëndësishëm si në afirmimin e krijuesit, edhe në degradimin e tij. Një krijuesit të ri, me siguri se do t'i mungojë përvoja në hapat e parë. Mandej, gjithçka nuk mund të jetë e përkryer. Në këtë rast, ai do të ndeshet që në hapat e parë me këto institucione, që kuptohet i ndërtojnë individët. Marrë në problematikën e çështjes, është shumë i rëndësishëm roli i këtyre institucioneve, se si do të akceptohet krijuesi, vepra e tij. Këtu do të gërshetohen edhe interesat individuale të individëve që udhëheqin një institucion. Përvoja e shoqërisë sonë ka treguar në praktikë, se jo gjithherë ka shkuar në drejtimin e duhur roli i institucioneve në afirmimin e një krijuesi. Kjo është përsëritur shumë herë për fat të keq te shumë krijues, të cilët kanë përfunduar nën pluhurin e kohës. Me një fjalë, ata janë persekutuar deri në ndjekje penale. Historia e letrave shqipe njeh plot këso rastesh, si në Kosovë, edhe në Shqipëri. Për fat të keq, roli i institucioneve po vazhdon edhe më tej, jo me ato mundësi dhe ato premisa, por megjithatë, ka krijues që edhe sot e kësaj dite e ndjejnë veten të ndrydhur nga këto institucione. Po flasim gjithmonë për anët negative, sepse ato janë virusi që e dëmtojnë fjalën e lirë, e që ne angazhohemi për një liri sa më të gjerë të krijuesit në shoqëri. Për fat të mirë, kjo nuk ndodh me krijuesit që kanë filluar të bëjnë emër, ose janë të afirmuar në shoqëri. Ata nuk janë të varur nga këto institucione. Kjo duhet të dihet botërisht, për arsyen se: krijimtaria është çështje individuale. Herët a vonë, vepra e krijuar e gjen vendin e vet, pati o s'pati ndihmë apo pengesa. Çështja është pak e çuditshme, sepse në njërën anë po përmendim institucione të cilat ndërtohen brenda një shoqërie, për bashkimin e vlerave, afirmimin e tyre në shoqëri dhe më gjerë, thithjen e atyre vlerave dhe shumë detyra tjera që mund të kenë ato. Përvojat e zhvillimeve në shoqërinë tonë, brenda këtij gjysmëshekulli, kanë treguar, se ka pasur institucione që kanë vendosur edhe në dëm të krijuesit. Kjo pikë e zezë, është edhe esenca e problemit të cilin po e trajtojmë. Nga këto dobësi, duhet të mësojnë të gjithë individët brenda këtyre institucioneve vendosëse, se për hir të interesave të ngushta, smirës, interesave klanore apo edhe arsye tjera që mund të gjenden plot, vendosin në dëm të krijuesit. Brenda një kohe të caktuar, roli i tyre mund ta dëmtojë krijuesin, por jo përjetësisht. Kohët ndryshojnë, dhe krijuesi i vendosur do ta gjejë veten në shoqëri. Do të jetë ai që do ta demaskojë kohën e ligësive pastaj. Kur flasim për aspektet pozitive, institucionet mund të ndikojnë shumë në fillimet e para të krijuesit, deri sa ai ta gjejë veten në shoqëri. Në fund të fundit, lexuesi është ai që zgjedh dhe jo institucionet. Prandaj, krijuesi gjithmonë duhet ta krijojë pavarësinë e vetvetes dhe përmes veprës së tij, ta kërkojë rolin në shoqëri. Të gjitha këto që u thanë, kapin të gjitha nivelet e institucioneve. Megjithatë, kohët ecin siç ecën vepra e krijuesit. Dëshira gjithmonë i çan hapësirat që mund të kenë qenë të mbyllura, dhe edhe pse me vështirësi, krijuesi e gjen veten e vet. Ku mbetet roli i individëve dhe institucioneve?! – Kjo është pasoja.

                               Gëzim Ajgeraj,16.12.2003

 

 

 

 

VETË JETA E SHKRIMTARIT ËSHTË MË INTERESANTE

SE ÇDO ROMAN I SHKRUAR NGA AI

 

Ka pak libra autobiografikë të shkrimtarëve, por ato që janë, nëse lexohen me kujdes, janë shumë më tërheqës se çdo roman i shkruar nga vetë ai. Nga këndi i jashtëm i të kuptuarit, nga ana e lexuesit, kjo paksa tingëllon absurde, por nga një perceptim më i hollë dhe një njohje e brendshme e zhvillimeve të botës së shkrimtarit, kjo është shumë e qëndrueshme. Në hulumtimin për ta zbërthyer botën e shkrimtarit, pikasim shumë zhvillime interesante brenda psikologjisë së tij, të cilat rrallë herë trajtohen në libra apo edhe studime shkencore. Vetë bota e thellë psikologjike e shkrimtarit, sjell aspekte të zhvillimeve shumë interesante që ndodhin brenda tij. Duke pasur parasysh këtë fakt, dhe vetënjohjen e të jetuarit nën këtë vello, mund të themi se brenda jetës së shkrimtarit ka dhe një jetë tjetër nga e cila merr vazhdimisht për t’i dhënë jetë fjalës. Të jetuarit brenda kësaj velloje është tepër e vështirë, sepse është një botë e imagjinuar brenda së cilës si shkrimtar duhet mësuar së jetuari brenda saj. Të jetuarit brenda kësaj bote, është vetë koha e shkrimit të librave, megjithatë ndeshja mes botës reale dhe kësaj që e thamë, është një proces transformimi që ndodh gjithmonë te shkrimtari. Pikërisht ky proces mes të jetuarit në jetën reale dhe botës së brendshme të shkrimtarit, është transformimi më i mundimshëm. Përballimi i gjithë asaj që quhet reale, duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet që ndodhin përreth shkrimtarit, kur dihet se çfarë zhvillime në të gjitha sferat ndodhin te ne dhe në botë, është depresion i tërë që mblidhet përreth tij. E themi depresion, sepse syri dhe mendja e shkrimtarit, nuk mund të pajtohet kurrë me zhvillimet që ndodhin rreth tij. Të qenit shkrimtar, nuk është vetëm emër. Brenda tij ka jetë, ka dritë ka vizion. Pikërisht janë këto çështjet që e shtyjnë drejt mospajtimit me shumë zhvillime rreth tij. Ndërsa, drita e tij, vizioni i tij, ndriçon larg, kërkon shkëlqim tjetër. Pikërisht mes këtyre dy çështjeve qëndron filozofia e të perceptuarit të botës së shkrimtarit. Pra, gjithë këto zhvillime brenda botës së shkrimtarit, rrallëherë janë të përshkruara, apo fare pak në libra. Është liria njerëzore, liria e fjalës, vetë njeriu që do të jetë i lirë, dhe pikërisht kjo liri rritet në shpirtin e tij, në vetë qenësinë e tij, për ta nxjerrë pastaj përtej fjalës që ua fal të tjerëve. Janë vetë ngacmimet që i bëhen muzës së tij dhe nuk e lënë të qetë për asnjë çast. Është dhuntia e fjalës ajo që shpërthen brenda tij dhe kërkon dritë me botën e fjalës. Është transformimi i muzës së tij në fjalë, procesi që sjell në jetë fjalën. Pikërisht këto zhvillime i bëjnë shumë më interesante autobiografitë e shkrimtarëve, se sa vetë librat e tyre. Ata janë personazhi më besnik dhe më origjinal i të gjitha personazheve nëpër librat e tyre. Pra, vetë jeta e shkrimtarëve është një roman shumë interesant, që për fat të keq shpeshherë edhe nuk është shkruar.

                       Gëzim Ajgeraj, Zvicër, 22.11.2004

 

FUNDI I PAPËRFUNDUAR I NJË LIBRI TË HAPUR

 

U fol për krijimtarinë e Gëzim Ajgerajt, për librat, për artin e fjalës së tij, për filozofinë e mendimit të shprehur në artin e të shkruarit. Jam përpjekur që të paktën të hyjmë në botëkuptimet e tij, qofshin ato të përjetimeve të brendshme shpirtërore, qofshin të mjedisit të jashtëm letrar e artistik, i vetëdijshëm se nuk ka qenë e mundur të përfshihen të gjithë librat e botuar nga krijimtaria e tij e deritashme. Nga këto që u thanë e që nuk u thanë, mund të konstatojmë se ky libër për këtë kolos të letrave shqipe, nuk ka mbaruar dhe nuk do të mbarojë kurrë, ngase, e këtillë është veprimtaria e këtij uragani, ndaj, edhe studimi i veprës së Gëzim Ajgerajt, për trajtim e studim do të jetë i gjerë sa do të jetë e gjerë edhe krijimtaria letrare e artistike, duke qenë të lumtur nëse sadopak është arritur të hyhet në botën letrare të tij, për të dhënë pak dritë për këtë krijues të letrave tona. Le të mbetet ky një libër i pambaruar, apo një fund i një libri të papërfunduar për poetinGëzim Ajgeraj, ashtu siç nuk ka të ndalur veprimtaria e tij, e cila çdo ditë e më tepër pasuron bibliotekat tona për t’ua ndriçuar rrugën brezave që vijnë. Përfundimisht, unë si zbërthyes i krijimtarisë së deritashme të këtij margaritari, ndjehem shumë i lumtur që të paktën kam hyrë në studimin e veprës së tij, dhe si rezultat, për lexuesin, kam arritur të krijoj një pasqyrë drite për veprën dhe krijimtarinë e poetit dhe shkrimtarit Gëzim Ajgeraj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ilam Berisha

– Është i lindur më 9 gusht 1959 në katundin Arbëri të Prizrenit. Mësimet e para i ka marrë në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme, përkatësisht gjimnazin, e ka kryer në Prizren. Ka kryer studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike – dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, po ashtu në Prizren, ndërsa më vonë ka vazhduar studimet në Prishtinë, në Fakultetin Filologjik, ku edhe ka diplomuar. Është profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Merret me shkrime të zhanreve të ndryshme, si: me poezi, tregime, shkrime publicistike, e të tjera. Ka të botuara shkrime nëpër libra e revista të ndryshme.

Veprat e botuara:

   1. Aromë poetike (poezi) – 2002

   2. Ditari i luftëtarit (tregime) – 2004

   3. Masakra e Tuzsuzit – bashkautorësi – (monografi e luftës)

   4. Kritikë letrare; Gëzim Ajgeraj-poet i mallit dhe i krenarisëkombëtare (1), “Metafora”, Prizren, 2012

   5. Grup autorësh; “SHKREPTIMË NË HORIZONT”, (Krijime artistike kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë), botoi; Bibloteka ndërkomunale e Prizrenit, dhjetor, 2012, Prizren

 

Ky është libri i tij i gjashtë.

   Që nga viti 2012 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të

Kosovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ILAM BERISHA

GËZIM AJGERAJ - POET I MALLIT DHE I KRENARISË

KOMBËTARE (1)

100 faqe; 20 cm

Viti i botimit: 2012

Prizren