ILAM BERISHA

 

 

 

NJË ZË ORIGJINAL I VLERAVE TË ARTIT LETRAR - 2

(Vlerësime, biografi, kritikë letrare, poezi, ese, publicistikë...)

 

 

 

 

Revista letrare

 

 

Prizren, 2013


 


NJË ZË ORIGJINAL I VLERAVE TË ARTIT LETRAR

 

1.

 

(NJË BIOGRAFI MES VARGUT DHE KRITIKËS – 2)

 

Brenda metaforës së Gëzim Ajgerajt, të mos e gjesh mallin, atdheun dhe lirinë, të cilat janë të lidhura si mishi me ashtin ndërmjet veti, gati është e pamundshme. Ai është origjinal, i kolonave të mallit, që gjëllijnë jashtë atdheut. Dashuria e theksuar për të dhe liria, që për kohë të gjatë i ka munguar rinisë së tij, dhe atdheut në përgjithësi, janë klithma origjinale e zërit të tij në vargje. Të gjitha këto elemente e bëjnë të dallueshëm metaforën e krijuesit, ndërsa për lexuesin e mirëfilltë të vargut shqip, thuajse nuk ka kurrfarë vështirësish për ta dalluar poezinë e këtij vargani letrash, pa qoftë edhe atëherë kur i mungon autorësia. Brenda vargut, është vetvetja, i cili, me syrin nga këndi i një mërgimtari, bart një individualitet të përsosur poetik e të veçantë, duke ia përkushtuar atdheut tërë qenien e tij personale. Gjatë leximit të krijimtarisë së këtij margaritari, kam konstatuar se, vargu i tij, zëri dhe fryma e poetit në përgjithësi, burojnë nga një origjinalitet, që rrallëkund mund të hasen në letrat e kohës.

 

METAFORA – BOEM I SHPIRTIT TË PËRMALLUAR

 

Nëse e keni përcjellë në vazhdimësi poezinë e Gëzim Ajgerajt, dhe në përgjithësi artin e krijimit poetik, metafora poetike e tij është arti i mërgimtarit të përmalluar jashtë atdheut. Më tepër se çdo shkrimtar e poet tjetër, e ka zbërthyer këtë temë, duke e ditur se edhe vetë i takon kolonës së të arratisurve jashtë atdheut, që për kombin tonë kjo plagë është më e dhimbshmja dhe drama më e rëndë kombëtare. Ndonëse shumë i ri, duke iu afruar dekadës së tretë larg vendlindjes, Gëzim Ajgeraj, për asnjë çast nuk i është ndarë atdheut, çështjes madhore të kombit, duke qenë i frymëzuar rrugës së trasuar të rilindësve, se pena është arma më e fuqishme për t’i dalë zot kombit, po, duke mos iu shmangur edhe pushkës për të cilën pati nevojë populli ynë. Vargjet e Gëzim Ajgerajt shpalosin dashurinë për atdheun, dramat e kombit nëpër kohë, duke mos e ndarë kurrë edhe plagën e mërgimit, si lajtmotiv i përhershëm i një tragjedie kombëtare. Me shumë mjeshtëri, të gjitha këto që u thanë i shkrin brenda një metafore, duke i sjellë të gjitha ato nëpër vargje. Brenda këtyre vargjeve nuk është edhe e vështirë të shpalosim se sa është i lidhur autori me atdheun shpirtërisht, ndonëse fizikisht gjendet në mesin e kolonave të mërgimtarëve. Kushtrimi i metaforës së tij është zë i lirisë, e cila na ka munguar, që sipas vargjeve të poetit, në kuptimin tërësor mungon edhe në kohën që po jetojmë. Për poetin, liria është e shenjtë, e cila ka vulën me ngjyrë gjaku, ndërsa atdheu është trupi brenda të cilit frymon ajo. Dhe, e gjithë organika brenda këtyre dy simboleve në poezinë e Ajgerajt, padyshim se, është e pandashme. Lindja e mallit vjen më vonë, kur poeti largohet, gjëllin larg kësaj organike me trup, por me shpirt brenda tij. Pikërisht mes këtyre ylbereve të largësive, siç shprehet përmes vargjeve, zhurit malli i autorit.

 

*     *     *

 

Më shumë se dy dekada, Gëzim Ajgeraj, boton poezinë, duke filluar nga robëria në Kosovën e okupuar gjatë aparteidit dhjetëvjeçar të paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj, po, edhe pas çlirimit të vendit. Duke ditur rrethanat dhe kohën nëpër të cilën kaloi ai, vargu i tij ka shqetësime nga më të ndryshmet. Shqetësimet dhe pasqyrimet në art përkojnë me kohën dhe me situatat, gjithnjë fitues ndaj të keqes, e sidomos ndaj robërisë së vendit. E vërteta artistike në varg, frymon nga ai i përditshmërisë, që sillet përmes detajeve të ndryshme si imazhe të zhvillimeve, të portretizuara përmes metaforës, e herë herë të krijuara edhe si personazhe të cilat i japin frymë kohës. Me guximin dhe talentin shumë të veçuar, në kohë të pakohë, eci vargut të krijimtarisë, dhe tha shumëçka që kishim ëndje dhe që do të kemi edhe në të ardhmen, të pasqyruara me shpirtin më të çiltër të një krijuesi, siç është Gëzim Ajgeraj.

 

*     *     *


Në kërkim të një biografie mes vargut dhe poetit, Gëzim Ajgerajn e gjejmë shumë herët mes poezisë. Ai, qysh i ri krijoi, por rrallë botoi në periodikun e kohës edhe si nxënës në shkollat e qytetit. Kjo, mu për arsyen se, kohët dhe censura ishin shumë aktive në raport me qëndrimet dhe paraqitjet e tij. Rrallë pati fatin si nxënës ta gjejë veten në mediet e shkruara, megjithatë, poeti i dinte rrethanat dhe priste ditë më të mira, siç na pat thënë njëherë gjatë një bisede të lirë. Poeti, më kuptimplotë, Gëzim Ajgeraj, nuk u thye kurrë. Krijoi në vazhdimësi, duke u bërë profesionist i të shkruarit, prej nga koha dhe sukseset, do ta dëshmojnë më vonë. Mospajtimet me kohën, i gjenim të shprehura edhe në revistën "Thumbi" të atëhershme, prej nga përmes sarkazmit dhe humorit, shprehte qëndrimet e veta. Edhe kjo kohë i kishte sfidat dhe censurën nëpër të cilën vështirë mund të kalohej, mirëpo, karvanit, vështirë se mund t’i ndalej guximi. Në revistat për fëmijë, motivi për atdheun nuk e linte pa krijuar dhe pa botuar poezi. Duke parashikuar se njerëzve, siç ishte Gëzim Ajgeraj, u planifikoheshin prita, pa dëshirën e tij, u largua nga atdheu, dhe vendosja në një vend të huaj, siç ishte Zvicra, hapi horizonte të reja në jetën dhe synimet e këtij uragani. Ishte ky gushti i vitit tetëdhjetë e tetë, kur u vendos në një vend turistik (Wildhaus) të Zvicrës. Vendosja në një vend me kulturë e gjuhë të huaj, nuk ishte pa sfida për shqiptarin e emigruar nga Kosova. Kultura, gjuha, rrethi...ishin vështirësitë me të cilat për fillim duhej të përballej poeti i ri. Për të komunikuar dhe për t’u lidhur me shoqërinë e me jetën e atjeshme, shumë shpejt e mësoi gjuhën gjermane. Megjithatë, krijimeve dhe punës në art, nuk iu nda për asnjë çast, gjë që e dëshmoi shumë herë edhe nëpër gazetat dhe revistat e kohës që dilnin në mërgim. Njëra nga ato, me të cilat më së shumti bashkëpunoi dhe publikoi, ishte "Zëri i Kosovës", organ i Lëvizjes për Çlirimin e Kosovës, i cili dilte vetëm në vendet perëndimore. Përmes kësaj reviste, e gjente vetveten për të zbërthyer idealizmin, duke qenë gjithmonë në shërbim të çështjes madhore të kombit. Përmes vargut, ndonëse brenda një situate tepër të rënduar politike në atdhe, dhe brenda një terri meditativ e informativ në Kosovë, përmes "Rilindjes", në Prishtinë, vendos të botojë librin e parë, "Klithmë malli". Ishte viti nëntëdhjetë e shtatë, kur nxori librin e parë, ndërsa, pa u vonuar, brenda pak muajsh, botoi edhe librin e dytë, "Ëndrra për parajsë". Tashmë, intelekti i tij krijues po hynte brenda kornizave të librave, duke shpalosur botën e brendshme shpirtërore drejt misionit për të tjerët. Dhe pas këtyre dy librave, brenda një kohe të shkurtër, arriti të hyjë si emër i ri në letrat shqipe, suksesshëm dhe guximshëm, pavarësisht se kohët dhe zhvillimet politike ishin në dëm të krijuesit shqiptar. Megjithatë, dashuria për artin, vendosmëria dhe talenti i tij, ecën guximshëm për t’u radhitur në profilin e poetit të ri, i cili viteve në vazhdim do ta zgjerojë edhe më tepër zhanrin krijues e botues, drejt pasurimit të vlerave të të shkruarit shqip. Ecëm kështu kalimthi nëpër vite, diku kah fundvitet e nëntëdhjeta, për të arritur drejt shpalosjes dhe detajeve të veprimtarisë dhe krijimtarisë së letërshkruesit, Gëzim Ajgeraj.

 

 

2.

 

MALLI SI METAFORË NË POEZINË E GËZIM AJGERAJT

 

   Që në librin e parë, vlerat e poezisë së Gëzim Ajgerajt japin sinjalet e një cilësie të lartë poetike. Këto vlera sfidojnë stilet retorike, dhe si poezi cilësore, radhiten në elitën cilësore të të shkruarit.  

   Stili, origjinaliteti, por edhe temat që i shtjellon poeti, siç është malli si një përkushtim i veçantë i tij, e bëjnë që, Gëzim Ajgeraj, të bëhet vetvetja, në krahasim me të tjerët. Krijuesi, që ende mund ta quajmë “i ri”, shihej se kishte një përkushtim real, një zbërthim që përputhet me realen, jeton dhe vepron gjithnjë brenda vargut të shkruar.

   Në pamje të parë, na duket se ka një ngarkesë shpirtërore, ndoshta edhe pakëz si të tepruar, por, nostalgjia për atdheun, peshon shumë rëndë për të, ndaj edhe arsyeja e zë vendin e merituar për t’u shfryrë i tëri përmes kolonave vargjesh poetike.

 

Qiellit të kurbetuar po m'i vjen erë

Motit të kosovuar nata fund s'po merr

Mes ylberesh malli zymtësia harbon

Rima vargjesh zjarri të shkrumbon

 

Si t'ia bëj me ikjen si ta hedh në erë

Ku t'i gjej mbathëset ku ta gjej atë derë

Dhuntia e fjalës mes kafkës harbon

Mes vargjesh dhe rimash freskinë e kërkon

 

Sa do të zgjasë moti fundi nuk i dihet

Shëmtia e emrit gjuhën po ma nxjerr

Çfarë t'i merret kohës vargut çfarë t'i lihet

Këtyre fjalëve rima mallin t'ua nxjerrë

 

                 RIMA ME ZJARRMI

 

   Është klithmë e kësaj kolone, që për nga përmasa e dhimbjes, është plagë kombëtare. Këtij shqetësimi, Ajgeraj i rri karshi, e zhvesh atë dhe e ngrit si problem të shoqëruar me shqetësime, deri në kërkesën për sfida kundër kësaj dukurie.

   Ky migrim i njerëzve të gjakut tonë nëpër dhera të huaja, mbetet shqetësim, i cili, edhe vetë pati fatin të jetë pjesë e këtyre kolonave. Për vlerat e vargut dhe poezive në përgjithësi, poezia e Gëzim Ajgerajt, është poezi e vlerave të larta.

   Krijimtarinë e këtij poeti, e kam përcjellë e lexuar në përgjithësi, edhe atë, mbi pesëmbëdhjetë librat e botuar, kryesisht të zhanrit poetikë, ndërkaq, në arkivin e tij, presin të dalin në dritë edhe shumë e shumë krijime, madje të zhanreve të ndryshme letrare. Dhe, nëse sadopak lexuesi e njeh poezinë moderne, qoftë këtë shqiptare, qoftë edhe poezinë e autorëve eminentë të botës, pa gabuar se, Gëzim Ajgeraj i bashkohet vargut të tyre krijues. Le të shërbejnë këto vargje të shënuara më poshtë, dhe shumë të tjera, brenda së cilave me mjeshtëri përdoren figurat letrare artistike, dhe vetë lexuesi i mirëfilltë, le të gjykojë dhe të vlerësojë, për të ardhur deri te përfundimi real i vlerave letrare.

 

Pendimi i ikjeve ma bluan mendimin

Koha që u shtang moti si s'u thye

Dashuri kah lindja rrjedh përtej harrimit

Një mbarim i ikjeve me të njëjtin krye

 

Në faqe kalendarësh na gjen të harruar

Mes udhëve e mbathëseve një kokë dhe dy duar

Një zog dhe një bez na nxjerr prej harrimit

Mes përmes këtij qielli m'i bie pendimit

 

Një diell prej malli djeg përtej këtij qielli

Një fole dashurie na ngroh me shumë mall

Çfarë t'u bëj dhembjeve oh si m'u kthye

E nga kjo humnerë pendimi o Zot të dalë

                           PENDIMI I IKJEVE

 

   Nëse zbërthejmë vetë kuptimin e këtij vargu, dhe nëse kërkojmë kompleksin e raportit të poetit me fenomenin mall, mund të kuptojmë se kemi të bëjmë me zjarrminë përvëluese, ndaj është e pamundshme që vargu të dalë përtej këtyre udhëve. Prore, në shpirtin e poetit është ndjenja e flaktë dhe dashuria për atdheun. Është mishërim i poetit me njerëzit dhe me vendlindjen.

   Përkundër qëndrimit me dekada në dhe të huaj, dëshira, ëndrrat e malli që e përvëlon, janë gati pothuajse humnerë siç mendon ai, dhe vështirë se mund t’i dilet. Ndodhjet larg vendlindjes, shkrimtari i mërgimit, ja si i përshkruan më poshtë:

 

Kafkës së tij digjet mendimi

Zjarri i shekullit bëhet hi

Fjala i mbaron harrimit

Një copë atdhe përvëlon në gji

 

Një mal urimesh përtej shtatë bjeshkëve

Në krah të dallëndyshes fluturon çdo ditë

Nis kah Kosova me të ndër male

Merr këto lule dhe pakëz dritë

 

Digjet Kosova digjet mendimi

Lumit të jetës shafran çdo ditë

Brenda vetvetes e ndrydh zemërimin

Djeg kalendarët e ikën e ikën...

 

                             I MËRGUARI

 

Le ta kuptojmë vargun me ndjenjën e mërgimtarit dhe ta perceptojmë atë brenda kësaj ndjenje, vetëm atëherë do ta njohim më së miri peshën e mërgimit, brenda së cilës digjet mendimi, apo thënë ndryshe, malli bëhet varg; varg që shafrani i udhëve ndaj atdheut, për asnjë çast nuk i ndahet. Balsam për poetin e mërguar, janë vetëm vargjet:

 

M'i duhet vargut një kohë tjetër

Koha e shkrimit me shi po tretet

Dhe rreshtin më s'e ha robëria

Në lirikë rimash gjakon liria

 

Një zog rimash ma kërkon qiellin

Një tjetër dhembje dashurinë ma vret

ç't'i bëj frymëzimit ta fik ndër rima

Apo ta ruaj për ditën që më pret

 

Kam frikë se kohës ha mishi hekur

Sado po e lidh më të voglën fjalë

Më mirë të shkruhet për një kohë tjetër

Një kronikë bashkë varg edhe zjarr

 

                 NGACMIMI I MUZËS

 

 

   Edhe brenda zhurinës së mallit, Gëzim Ajgeraj, krijon dhe s`ndalet. Krijon edhe atëherë kur atdheu digjet robërisë e gjakon liria. Vargu bëhet klithmë, thirrje, kushtrim për lirinë. Këtë mesazh, të shijojmë më poshtë përmes vargjeve:

 

Ky shkohëzim ma mbyt mendimin

Ashtit të kosovuar ku ha mishi hekur

Ky servil Evrope fort na ka munduar

Lum për ato male lum për atë shënjestër

 

Eci zogu ynë e jo flakë malesh

Beza e bajraku na duan të zgjuar

Më kullon lirika e dija m'i ha fjalët

Kohë e shkohëzuar më mban të pushtuar

 

Vetëm një dëshirë e marr me të mirë

Një lutje laike çdo ditë ia thërras

Për një ditë të bardhë për një ditë të mirë

Ballin për çdo ditë me freski ia godas

 

Një regëtimë malesh fort më gëzon për besë

E një oshtimë fjalësh shpërthen e kallur

Pos trungut me dhembje ku ta gjej atë shpresë

Pranverat si kjo qofshin të mallkuara

 

                       PRANVERA E DHEMBJES

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

SIMBOLIKA E FJALËS POETIKE

 

   Gëzim Ajgeraj; "Klithmë malli", poezi, Rilindja, Prishtinë 1997

   Që në librin e parë, “Klithmë malli”, shohim një shprehje të çiltër dhe kuptimplote me një sens meditativ, që në plan të parë shquhet lirika peizazhesh, që bart me vete mesazhe të caktuara me parime dhe stil të qartë poetik. Poezia e Ajgerajt, në këtë libër, përfshin një botë të shqetësuar të subjektit lirik, botën larg atdheut, mallin, por edhe shqetësimin për njerëzit e tij në atdheun e robëruar.

   Ky libër është një ditar intim i poetit, i standardizuar në pikëpamjen e perceptimit të figurës poetike. Libri kapërthen në vete katër cikle: "Tinguj dhembjesh", "Botë pa orkestër" dhe "Heshtje e thyer". Jo rastësisht në poezinë hyrëse "Larg atdheut", Ajgeraj percepton dhembjen e individit të mërguar, që nis nga ndjesitë e përjetuara dhe vjen gjer te shpresa se gjakimi për liri nuk do të shuhet kurrë, por do të vazhdojë edhe më. Përmes kësaj poezie, poeti bën thirrje për ta ndjerë "vetminë dhe ëndrrën e tij"; së dyti, kërkon që lexuesi ta kuptojë flirtin që bart bota e brendshme ndaj së bukurës.

   Për më tepër, kjo poezi do të gjejë lexuesit e vet, ngase poeti ia di origjinën gamave të individit dhe kolektivitetit të vet, mënyrën e klithmës së mërgimtarëve, imazhet, ironinë poetike me kontraste, por që kanë një kuptim të caktuar, që me pak fjalë të përfshihet gjithë drama në diasporë. Lirika e këtij krijuesi është mjaft e shqetësuar.

   Ndjen dhembjen për faktin e subjektit, i cili gjakon përherë lirinë që i mungon, duke bredhëritur nëpër botë, duke ngritur zërin e vet, vlimin e brendshëm, që kuptohet vetëm përmes figurave letrare, po edhe përmes fjalës magjike.

   Është me rëndësi të veçohen tri motivet themelore të këtij vëllimi: nëna, që simbolizon atdheun; gruaja që shënjon dashurinë e mallëngjyer dhe, natyra-pikturimi i rrethit, janë opsionet lirike të këtij poeti, që njëherësh kanë rezonancën e atdhedashurisë, që merr funksion të caktuar stilistik, semantik dhe ideoestetik.

   Vëllimi "Klithmë malli", është vëllim për njeriun që botën e kundron nga një kënd vetjak, me interesim të thellë, herë-herë i mbushur me emocione të tepruara, por mbi të gjitha me një sens poetik.  

   Poezia e Gëzim Ajgerajt, mund të thuhet se, është një zë i mëvetësishëm, që gjërat i vështron në heshtje; frymëzimet e gjejnë përherë me penë në dorë, në vetmi, pa zhurmë; i hedh ato në letër dhe bën itinerarin e tyre të mbarë "për shpirtin e trazuar/që ia ka plasur zemrën", siç thotë poeti.

 

                                                 Iljaz PROKSHI

 

 

3.

 

VARGU SI ART I GUXIMIT DHE I DASHURISË PËR ATDHEUN

 

   Gëzim Ajgeraj, nuk i vë censurë fjalës në varg. Atë që e mendonte dhe që duhej të thuhej, e thoshte në kohën e duhur, ndonëse, autori i ri edhe mund ta pësonte, qoftë arti i vargut të tij, pa qoftë edhe vetë poeti si individ, kur dihej se atyre kohëve shpata e armikut fërgëllonte pamëshirshëm mbi kokat shqiptare, e sidomos ndaj atyre të penave të cilët nuk u shkonin përshtati orekseve të pushtuesit. Autori, madje në një vend shprehet:  

   Duhej që edhe ne krijuesit ta vinim veten përpara këtyre situatave, për ta sfiduar kohën dhe veten; pastaj, ne si krijues duhej t’u prinim proceseve, pa qoftë edhe me vargje. Falë lëvizjeve të vazhdueshme, herë jashtë vendit e herë edhe brenda, duke u përballur me sfidat e kohës, autori ia ka arritur t’i shpëtojë disi krijimet. Për të përjetuar këto që u thanë më lart, pasojnë vargjet më poshtë:

 

Më jep ngrohtësi nga jeta jote

T`ua vak zemrën të tjerëve

Më jep amanetin e këngëve

Të pakënduara

Ta dërgoj ndër breza

Më jep fjalën tënde që ngeli pa thënë

T`u jap oshtimë bjeshkëve

Më jep dëshirën e idealit tënd

Kult për rrugën e lirisë

Më jep uratë nga mermeri yt

T`u jap udhë këngëve të pathëna

                     UDHË BREZASH

                     (Xhemajli Berishës)

 

   Simbolika e guximit del e pacensurë, kur dihet se martiri për të cilin flet vargu, ishte pjesëtar i ilegales që mëtonte çlirimin e vendit, ndërsa sistemin në fuqi, haptas e quante pushtet okupator.    

   Ndërkaq, semantika e vargjeve: Më jep fjalën tënde që ngeli pa thënë / T`u jap oshtimë bjeshkëve, godet kujtesën e atdhetarizmës, me një paralajmërim se duhet ecur amanetit të martirëve, për ta realizuar atë, deri në ngritjen për një luftë, e cila në realitet ndodhi dhjetë vjet më vonë. Ky identifikim, që me librin e parë jep shenjat e një guximi poetik, i cili, në shërbim të çështjes së atdheut ka vënë pendën dhe veten si poet.

 

*     *    *

 

Duke e shpalosur kujtesën, ky varg më kthen kujtesën rreth dy dekada më herët, kohëve të robërisë ekstreme të popullit shqiptar në Kosovë, kur i qenë marrë e po i merreshin të gjitha të drejtat nga pushteti okupues serb. Kujtojmë Gëzimin shumë të ri, që sa herë protestohej kundër okupatorit, ai gjithmonë gjendej në Kosovë. Udhëtimet dhe kthimet e shpeshta në atdhe, nuk ishin rastësi. Shikuar nga këndi konspirativ, planet dhe veprimet e tij kanë qenë brenda rretheve të mbyllura, ndërkaq, brenda bisedave, idetë dhe vizioni se si duhej të ishte e ardhmja, shpërndaheshin hapur, në rrethe familjare, në takime të ndryshme kudo që gjente mundësinë. Ishin fundvitet e tetëdhjetës, tetëdhjetë e shtatë, tetë, nëntë... kur edhe ndodhin ndryshime të mëdha në Kosovë. Gëzimi, dukej shumë aktiv. Në një mbledhje të mbajtur në vendlindjen e tij, shumë hapur shfryhej për situatën e kohës, dhe aty për aty kërkonte të ndërmerreshin masat për të sfiduar okupatorin. Më kujtohet kur, dikush në atë mbledhje të hapur me shumë të pranishëm kërkonte detajet për njerëzit dhe bazat e burimit të këtyre qëndrimeve. “Të veprojmë brenda vetes në raport me interesat kombëtare”, ishte përgjigjja e prerë e Gëzimit. Të them të drejtën, ndonëse e njihja për së afërmi, qëndrimet titanike e këmbëngulëse karshi rrugës për një të ardhme siç parashikonte ai, më bënë edhe më kureshtar të besoja, se ky djalosh, është një vizionar për të cilin do të ketë nevojë atdheu. Ishte kjo pranvera e tetëdhjetë e tetës. Vjeshta do të vijë edhe më e vrullshme. Shtypja e okupatorit ndaj popullatës shqiptare, nuk kishte të ndalur. Në shenjë rezistence, plasin protestat kudo në Kosovë. Gëzim Ajgerajn, në rreshta të parë e gjejmë kurdoherë, në Prizren e në qytete tjera, duke u prirë kolonave me flamurin kombëtar në dorë, që tashmë s’mund t’i ndalte kush. Të gjitha këto, dhe ngjarje tjera që pasonin, shpreheshin edhe duke marrë pjesë vetë Gëzimi, ndërsa për t’u ruajtur për brezat, fill e për pe, shkruheshin dhe paraqiteshin përmes vargut letrar.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

4.

 

NËSE NUK SHKRUAN LIRIKA DASHURIE, NUK JE POET

 

(Nga një kënd tjetër i leximit të librit)

 

   Një titull, sa interesant, aq edhe sfidues në artin poetik. Jo për nga pesha e vargut që krijohet për këtë zhanër, por thjesht për moshën e poetit. Nuk mund të shkruhet gjithçka në çdo kohë. Lirikat, zakonisht shkruhen duke iu përshtatur moshës dhe kohës kur krijohet. Megjithatë, ndjenja lirike, mbështetur gjatë leximit të librave të ndryshëm, edhe pavarësisht të thënave më lart, shkruhen dhe hasen nëpër kohë dhe mosha të ndryshme.

   Përqendrimi i letrarëve tanë, ishte i orientuar më tepër në motivin atdhetar, përmes mesazheve në vargje, ndërsa lirika, sikur është lënë anash.

   Duke mos dashur të merremi me këto studime, çfarë më tepër e çfarë më pak, konkretisht mund t’i qasemi zbërthimit të titullit që cituam më lart. Në një takim letrar, që poeti, i cili ende konsiderohej i ri, kishte pasur në një qytet të Zvicrës gjatë vjeshtës së vitit nëntëdhjetë e shtatë, njëri nga poetët më në zë të asaj kohe, i kishte thënë: ¨Nëse nuk shkruan lirika dashurie, nuk je poet". Përgjigjja që i kishte dhënë poeti, ishte shumë e thjeshtë dhe shumë domethënëse: “Krijimtaria ime është një lirikë, - asgjë më shumë”. Pas pak kohe, duke nxjerrë krijime edhe notesi i poetit, boton librin, "Ëndrra për parajsë", një libër kryesisht me lirika dashurie, por jo e tëra e kësaj simbolike. Mesazhet e këtij libri janë shumë dimensionesh, dhe përfshinte, jo vetëm lirikën e dashurisë siç mund të mendohej.

   Ky mbetet vlerësim yni se, pavarësisht ndjenjave që duken të orientuara drejt këtij zhanri, megjithatë, lirika atdhetare do ta dominojë poezinë e tij, dhe vërtet ashtu edhe bëri.

 

DHOMË DASHURIE

 

Pak romancë mërgimi

Heshtas e them në vetvete

Nën etjen tënde skofiare

Dua të prehet hija ime

Se ashtu do t’i kem më afër

Ëndrrat e mia jo të qeta

Do t'i pushtojnë jo me dridhmë

Venat e tua

Dhe do ta dish kush erdhi

Kush po prehet i qetë në ty

 

Shpesh bie në mendime

Poezia një natë më mbeti pa titull

Si ta fashit brengën

E ta kem së paku një gjysmë diell

 

KUJTIMET M'I HUMBIN 
VARGJET

Dielli fshihet nga unë

E muret përplasen errësirës

Sytë shkëlqejnë para hijeve

Kujtimet rrjedhin lumë

Më kthejnë kohës së ikur

Gjithçka humbet brenda çastit

E kujtimet e ikura

Më mbajnë rob

S'di si të çlirohem

 

FUND VERE

 

Vera tani po ikën

Bashkë me të edhe këngët

 

Diell edhe në vjeshtë

Mbase ma ngroh shpirtin

me dashurinë e verës

Të gjesh strehim tek unë

 

Vera na qenka vetë dashuria

Mijëra herë këtë e kam thënë

Para fundit të verës

 

Çdo ditë mbi qiellin tënd

Si gjilpërë plagët më therin

 

Heshtja vazhdon të djegë

As shirat e vjeshtës

S'mund ta lajnë mëkatin e verës

 

Mbase kot kacafytesh me djallin

Vapa s'bën të hiqet

A ndjen kush heshtjen tënde

 

Fshehtas zgjohesh e ikën

Pa ndalur dot buzëqeshjen

Fjalët më treten para vargut

*     *     *

 

Iljaz PROKSHI

 

MËRGIMI FRYMËZIM I LEHTË POETIK

 

   Poezia e Ajgerajt është tërheqëse. Një shprehje e frymëzimit të lehtë autentik, pa grimasa, pa kozmetikë të jashtme, por e nxjerrë nga shpirti i përvëluar si për atdheun që e ka lënë, për njerëzit e tij, po edhe për mërgimtarët. Lexo poezinë hyrëse "Vargu im", dhe aty shihet bota e poetit dhe perceptimi i tij; Si t'i lidh vargjet / sikur bashkë kur ishim /, është një zë i çiltër, njerëzor, gati si testament për kohën kur është shkruar, për vetë poezinë dhe për subjektin që i referohet.

   Në strukturën e kësaj poezie, por edhe të ciklit të parë, "Albumi i vetmisë" gërshetohen në mënyrë të natyrshme aktet e vetmisë, të lidhura me intimitet, kujtimet, zërat e shpërndarë andej-këtej atdheut, gjer në perëndim. Është një cikël që ngre zërin e dhembjes mbi të bukurën, por edhe një akord spontan, himn për mallin, dashurinë, ëndrrat. / "Dhe një ditë do të ikim” / nga këto përralla / kujtimet e shqyera do të lodhen nga pritja /, "Ëndrra për parajsë" fq. 16, që për lexuesin është një reminishencë e rizbuluar, veçanërisht e mërgimtarit që jeton larg atdheut me vite.

   Njëherë tjetër, poeti shpreh vetminë pas largimit, pa mohuar dhembjen, as dashurinë intime, por asnjëherë pa e harruar atdheun aq të amshuar, të dashur, të robëruar.

   Derisa poeti pret si një Godo i vetmuar, shpreson se do të vijë ajo që i ka premtuar muza, e kjo s'është tjetërkush veçse poezia për dashurinë: / " E urrej pritjen” / Në prehrin e vetmisë tënde" /, apo / "Të mos e lë peng dashurinë" / "Ofshamë vetmie", fq. 21, që është pothuajse zëri më i dhembshëm që shfaq një poet ndaj botës së tij intime.

   Poezitë e këtij cikli, kanë pothuajse një rezonancë: mallkimin e heshtjes, të vetmisë, që në esencë e preokupojnë hyjin e poetit dhe ai shprehet lirshëm, pa kursyer fjalë, as dhuntinë e vet, dhe përmes figurës dhe simboleve, bën një akt që shprish ëndrrën ose aktin e mërgimit.

 

Arketipi i fjalës magjike

 

   Është e pabesueshme, por Gëzim Ajgeraj jo vetëm me librin e parë "Klithmë malli", por edhe me këtë libër ka prekur sekuencat më të ndjeshme të poezisë. Ai për më tepër, si duket është një poet që frymëzimi i vlon nga brenda, dhe kur e nxjerr zërin i thotë drejtpërdrejt, një varg pa agresivitet, por figurshëm, i lehtë, i kapshëm dhe mjaft domethënës.

   Ciklet, "Romancë mërgimi" dhe "Fund vere" shquhen për shprehje metaforike, kapin dimensione më të gjera në krahasim me ciklin e parë, poezitë janë më stabile në rrafshin estetiko-letrar. /"Bukuria nuk shihet/Bukuria ndihet/, është fjala për poezinë, që poeti e percepton në harmoni me dridhjet e heshtura të shpirtit, pa krijuar huti e dilema.

   Poezitë më me vlerë në këta cikuj janë: "Vetëm ti", "Këngët përvëluese", "Engjëlli im", "Oktavë pikëllimi", "Zjarri i dashurisë", "Trëndafil e ëndërr", "Fund vere" etj. të cilat përbëjnë një kurorë poetike të fuqishme, të thëna bukur me lot në vete, por lot që kanë një bukuri magjepse, si vargjet: "Nëpër të gjitha këngët e mia/ndiej dhembje përvëlohem", ose "Vera na qenka vetë dashuria". Është kjo ajo rruga që ndjek ky poet, po aq i përvëluar për dashurinë ndaj atdheut, njerëzve të tij, që jetojnë në një kohë të pakohë.

   Poeti duke u njëjtësuar me fatin e mërgimtarëve dhe atyre që shkruajnë në mërgim, bën punë të rënda mbase fizike për ekzistencë, mban mbi supe dyfish më rëndë se njerëzit e thjeshtë: artin dhe djersën, duke përjetuar mungesën e lirisë, dhembjen që e bren aq pamëshirshëm larg në ekzil.

   Idetë e tilla, motivet e shkrira në varg, jo rrallë e shtyjnë poetin Gëzim Ajgeraj, t' i harrojë vuajtjet, ngashërimet për njerëzit e afërm, miqtë, dhe në vetmi bën një poezi që rrjedh me një disponim spontan e nivelit konstant të verbit poetik dhe s'ka asnjë pikë dyshimi se Gëzimi është poet me prirje nga i cili pritet edhe më shumë, ngase hetohet karakteri refleksiv, meditativ i poezisë së tij, se: "Mbase vetëm poezia/ Ta ndërron mendjen /Engjëllushë lamtumirë/se vetmia dhe malli/ më dëgjon mua të tërin/ ma vodhën vargun"/.

   Ky është ai indi që ndërlidh verbin poetik të këtij poeti, që merr përmasa më të gjera dhe e bën njëkohësisht poezinë e tij me shprehje moderne poetike në përgjithësi.

 

                                                    1997, Prishtinë

 

 

 

 

 

 

5.

 

DRAMA E DHIMBJES DHE E KRENARISË KOMBËTARE

 

   Drama e tragjedisë shqiptare ka kaluar nëpër faza shumë të dhunshme të terrorit nga okupatori serb. Herë u shkrua e herë jo, e gjithë kjo për shkak të sundimit shekullor serb.

   Lufta e fundit që ndodhi në Kosovë, e edhe në regjionin e Vërrinit, krijuesin Gëzim Ajgeraj e detyroi t’i qaset edhe më me ngulm dëshmive në art. Personazhet e kësaj drame të hidhur, s’ka dyshim se janë njerëzit e poetit dhe, në pikëpamje artistike, janë më tepër se të vërteta që edhe përputhen me realitetin njerëzor e jetësor.

   Drama, "Rruga e lirisë", më tepër se çdo gjë na e mëson tërë atë që ka ndodhur në lokalitetin e Vërrinit të Prizrenit, duke u vargëzuar edhe në linjën historike për t’i qëndruar besnik realitetit të kohës.

   Duke qenë edhe vetë afër këtyre zhvillimeve dhe brenda tyre, kjo dramë sikur më rikthen brenda atyre kohëve dhe përjetimeve, si kujtime sa krenare, aq edhe të dhimbshme për shokët që fizikisht nuk i kemi më, por që, me emrat e tyre në lapidarë, sikur na bëjnë të qëndrojmë dhe të jemi krenarë. Ndërkaq, Gëzim Ajgerajn, jo vetëm me letra të shkruara, po prania e tij vërehej kudo që ai e shihte të nevojshme. Dhe, nëse dramës “Rruga e lirisë” i bëjmë një zbërthim më detaj, vijmë në përfundim se ngjarjet e shtjelluara në libër dëshmojnë atë çfarë në të vërtetë ka ndodhur gjatë viteve nëntëdhjetë e tetë e nëntëdhjetë e nëntë në luftë për çlirimin e Kosovës.

 

*     *     *

 

DRAMA E REALITETIT TONË KOSOVAR

 

   Drama “Rruga e lirisë”, një zhanër që nuk është shumë i përkushtuar nga letrarët shqiptarë, për Gëzim Ajgerajn, nuk na del shumë i vështirë.

   Motivi, kryesisht ka të bëjë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë këtu heroizmin e luftëtarëve shqiptarë, gjer në sakrificën e tyre për liri. Në tri aktet e kësaj drame, jepen ngjarje reale brenda një familjeje, jeta e të cilëve bëhet sinonim i luftës.

   Takimi i luftëtarëve me personazhin kryesor, që në këtë rast është Lokja, përbëjnë boshtin kryesor të dramës. Ngjarjet vështrohen në mënyrë konvencionale, duke treguar njëherësh karakterin e luftës, qenësinë e luftëtarëve brenda të cilëve mbretëron një atmosferë e denjë njerëzore.

   Vetë drama e ngjarjeve bëhet ekuivalent subjektiv i kohës së luftës, ndërsa autori ka qenë plotësisht i vetëdijshëm, se në dramë ngjarjet kundrohen paksa më ndryshe, prandaj shpeshherë, në disa skena, dramaturgu, në këtë rast Gëzim Ajgeraj, sikur bie në “kurth” të perceptimeve të tjera kundrejt ndërthurjeve që kërkon vetë drama si gjini letrare.

   Disa skenave, që të përkujtojnë tatëpjetat, ose edhe ngritjet e stërmadhuara, krijuesi, u ikën me mjeshtri për të paraqitur më tej frymën heroike, përgatitjet dhe sfidat e familjeve shqiptare të anës së Vërrinit të Prizrenit, me të vetmin qëllim për të fituar lirinë.

   Pra, çështje themelore në këtë dramë, që shquan autori, është ajo se ka parë që djemtë e lirisë janë të gatshëm të përballen kundër armikut pa marrë parasysh flijimet. Lokja si një prej vetave të kësaj drame paraqet fytyrën e nënës shqiptare, që përkrah dhe ndihmon moralisht dhe materialisht luftëtarët. Kontaktet e saj me Komandantin, Agimin, Samiun e të tjerë, kanë të bëjnë me virtytet si nënë dhe gatishmërinë e saj për të vepruar.

   Kjo është një vlerë e lartë morale e traditës shqiptare, që jepet përmes dialogëve të Lokes me luftëtarët, që nuk zhvillohet për të treguar mënyrën formale të dramës, por karakterin dhe frymën e përbashkët, me të vetmin qëllim për të fituar luftën dhe lirinë.

   Bota dramatike që është prezent në fushëbetejat e UÇK-së është e ndërlikuar, aq edhe e qartë dhe kuptimplote, duke përshkruar ato situata ashtu siç janë dhe pa improvizuar asgjë, e që shpie nga e vërteta, e cila gjithnjë e më tepër po bëhet universale. Drama “Rruga e lirisë”, është një dramë origjinale, sepse ngjarjet që përjetohen në të janë ngjarje pa ndonjë ngarkesë dhe s’kanë të bëjnë me paradokse si në disa drama të tjera.

   Tërë dramën e përshkon një skenë e hapur, ku autori vë përballë personazhet pa konflikt me njëri-tjetrin, edhe pse janë të kategorive të ndryshme. Lufta në linjën vdekje – pavdekësi merr konotacion sa tronditës, aq edhe krenar.

   Populli lëshon vatrat pse armiku i djeg shtëpitë e tyre, por akti i qëndresës së tyre në këtë dramë jepet si një trup unik, të barabartë, të cilët s’mendojnë për ndonjë alternativë tjetër përveç asaj të drejtës madhore, fitoren për lirinë e Kosovës. (I. P.)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

6.

 

URTIA E VËRRINIT, VLERË E FOLKLORIT TË KËSAJ ANE

 

   Vërrini, si tërësi gjeografike, në kuptimin e ngushtë, që në përbërje përfshin tetë fshatra. Ka një të folme të pastër, me një të folme autoktone, ku kryesisht dominon dialekti i veriut. Ndërkaq, krahas gjuhës së pastër, tradicionale është ruajtur edhe urtia popullore. Gëzim Ajgeraj, nuk përton t’i qaset edhe këtij lloji letrar.

   Duke parë se këndej kishte mjaft fjalë të urta, autori mbledh sa të duash fjalë të mençura, të cilat i sistemon në dy pjesë, pra “Urti popullore të Vërrinit – 1”, që veç është e botuar dhe, edhe pjesën e dytë, që pritet edhe ajo të shohë dritën e botimit.

   Ja disa urti të librit të parë: “I yti të shtyn, po nuk të le me ra / Shoqin e mirë ruaje për ditë t'kiametit / Gaca me dorë nuk kapet / Rrushi tej pa rrushin piqet / Burri rrihet me fjalë e jo me dru / Burrnia nuk matet me kandar / I kish fjalët me okë / Rrana i ka komët e shkurta / Shkavi nuk ka besë / Kojtja e korit burrin / Mos u livdo se po t'kallxon puna / Hajde ku je jaran i pites / Këmishën e ke vesh, po mos i beso / Hajdut aga nuk i kanë thonë kërkuj / Dyjaja osht shkallë-shkallë, do hypin e do zhdrypin / Pa vatan nuk ka iman / Gjysë doktori të la sakat / Pushka e trimit nuk nalet / Shkavin kurrë s'un e bojsh vëlla / Kush kesh - vesh / Tradhtarin e vret tradhtia e tij / Kqyre zanatin tond se s'ishe për politikë / Malësia e bon luftën, shehri e ngra bajrakin / Në luftë deka edhe dasma bohen bashkë / Ma trim osht ai gji fal, se ai gji vret”; Disa mençuri në librin e dytë, “Urti popullore e Vërrinit 2”:N`dasëm të huj, luën gjithkush / Magarit si viet shalë / I dereti hek,po s`hup kurrë / Krevi budallës e zeza mahallës / Plakit mos ja ngofsh fjalën,ngoja pordhën / Me ni vant ku knon pula ska bereqet / Spasja asht dera hekrit / Ori pula qele vet ike vet erdhe / Pa e fshi oborrin tand,mos del me fshi të hujin / Budallën mos e pyvet se t`kallxon vetë / Grazhdi pelës nuk e ngin kalin / Gjylpana kret botën e veshë,për veti rri vdeshët / Duet mej hap synt pa u martue,se ma von të mshilen / Gaca mluët ti djeg duërt / Ka t`shkojsh nreqe ka ni shpi / Mprija kosën se i pret kamët e veta / Laje let nget vetën deri kur t`lodhet / Mikin e mir ruje për dit t`kjametit / Bujki mir dipllomën e merr në vjesht”. Pra, marrë nga këto që u thanë më lart, mund të konstatojmë se, për studiuesin shqiptar, sidokudo, janë të dhëna këto urti, që me siguri do të zgjojnë interesim për lexuesin e mirëfilltë.

*     *     *

 

 

URTIA POPULLORE VËRRINASE, VEÇORI E TË FOLMES SË KËSAJ ANE

 

   Ana e Vërrinit është një trevë mjaft e pasur me krijimtari popullore shqiptare. Fjalët e urta, të cilat i mblodhën dhe i përgatitën për shtyp, njëri poet, Gëzim Ajgeraj dhe tjetri, mbledhës i folklorit, Ahmet Poniku, kanë bërë një punë tejet të vlershme.

   Shikuar nga pikëpamja fonetike dhe dialektore, vërehet qartë se shumë fjalë të urta i gjen edhe te trevat tjera të Kosovës, por ajo që të bjerë në sy, është e folmja karakteristike e lokalitetit të Vërrinit, një e folme e veçantë, që është ruajtur brez pas brezi në këtë trevë.

   Meritë e këtyre dy krijuesve është se, pas sa vjetësh po nxirret në dritë një thesar i kësaj urtie, që padyshim, do të zgjojë interesim si te lexuesit, ashtu edhe te studiuesit shqiptarë. Fjalët e urta të kësaj ane, në një mënyrë, paraqesin fuqinë shprehëse metaforike, të cilën e ruajtën me xhelozi njerëzit e sotëm të Vërrinit.

   Do theksuar se, siç shprehen edhe autorët e këtij vëllimi, ka pasur disa ndryshime, por qenësore është se nuk ka humbur origjinaliteti i së folmes dhe, ç'është me rëndësi të theksohet, pa marrë parasysh lëvizjet nëpër kohë, ajo ka mbetur e pandryshuar. Veçori tjetër është se, shprehja e fuqishme metaforike dh filozofike, është karakteristikë e gjithë urtisë popullore shqiptare.

   Autorët i kanë hyrë një pune të rëndësishme si në aspektin filologjik, ashtu edhe dialektor dhe mjaft interesant, për çfarë mbetet të punohet edhe më tej në mënyrë profesionale, me dashuri e forcë qytetërimi, që kjo urti të dalë sa më e përfshirë para lexuesit.

   Libri "Urti popullore të Vërrinit" 1, është vetëm një kapitull i asaj që flitet jo vetëm në këtë trevë, por më gjerë. Megjithatë, karakteristikë e përgjithshme e kësaj urtie, si nga pikëpamja fonetike, leksikore dhe dialektore është fuqia metaforike e të kuptuarit të saj.

   Ata që e përgatitën, shihet se i kanë hyrë një pune të madhe, me vlerë të shumëfishtë filozofike e letrare, një libër që do të duhej të pasurohet edhe më tepër, duke shënuar edhe më denjësisht urtinë e të folmes së Vërrinit, të bëhet një fjalor i fjalëve të rralla, në mënyrë që lexuesi i sotëm, ta kuptojë më lehtë secilën fjalë apo shprehje.

   Megjithëse, në kohën e sotme folklori paraqet edhe mjaft anë të vështira për t'u mbledhur, autorët e këtij libri ia kanë dalë të kryejnë një pjesë të punës, por u mbetet të vazhdojnë më me ngulm, që t'i shënojnë edhe mjaft shprehje të cilat kanë mbetur pa u përfshirë në këtë vëllim.

   Mendoj se ky libër, si tërësi, me disa mangësi të natyrës objektive, ka një nivel të arrirë në fushën albanologjike dhe njëherësh, është një dokument që pasuron shkencën shqiptare nga fusha e dialektologjisë dhe folkloristikës në përgjithësi. (I. P.)

                                                 Prishtinë, 1998

 

 

 

 

 

 

7.

VARGJET E DHIMBJES DHE TË SHPRESËS

 

   Krijimtaria e Gëzim Ajgerajt, çdo ditë e më tepër, ecën e shtohet. Ai, tashmë ka hyrë në botën e poezisë me seriozitet për të vazhduar rrugën e vështirë të artit letrar. I vetëdijshëm për këtë rrugë, krijon në vazhdimësi, duke dëshmuar dhe duke e bindur lexuesin se nuk ka hyrë rastësisht në letrat shqipe. Vargu i tij gjithnjë e më tepër reflekton ngritje dhe përsosmëri, nga libri në libër.

   Tashmë, nuk i vë censurë fantazisë, dhe shpërthen hapur për t’i dhënë jehonë fjalës. Shprehja e fjalës dhe guximi, për krijuesin është bërë vizion dhe nuk ka të ndalur për të pasuruar me shkrime gjithnjë të freskëta, e që nuk janë thënë nga të tjerët.

 

Dashuri që vrapojnë për ta zënë diellin

Shkëmbinj ngjyrë flamur e plisa të bardhë

Shtëllunga tymnajash që e vrasin qiellin

Vrapim shqiponjash për ditën që s'ka ardhur

 

Nëpër gjëmë tytash ku shkrihet jeta

Pëllumbat e malet dhembjen e ndajnë

Një sundimtar ka sjellë mesjeta

Këtij burgu të madh nëpër Ballkan

 

Në tregti kohërash Evropës së vjetër

Finale të çuditshme po luan ky fundshekull

Nga një kuvend lodrash një moti të përdalë

Liria e shqipeve para aktit final

 

                                     AKT

 

Vargjet e Gëzim Ajgerajt, tashmë paralajmërojnë lirinë. Përkundër plagëve që e rëndojnë atë, dhe dhuna që vjen e zymtë në varg, shpresa nuk shuhet kurrë. Më shumë shohim dritë, ndërsa shpresa, prore është në ndjenjat e poetit, se një ditë liria do të vijë. A nuk i kontribuojnë lexuesit vargjet të cilat janë të shkruara nën terrin shekullor, dhe a nuk janë mesazh për t’u frymëzuar e për të kërkuar lirinë, madje pa kursyer asgjë?!

 

T’i lexojmë me ëndje vargjet më poshtë

 

Shpërtheu ajo fjalë e ranë kobit kullat

Lumenj gjaku na dhuroi mesjeta

Në tragjedinë tonë fort po ndrydhen varret

Ç'diell do të na ngrohë e ç'zot do të na dojë

A mos zogun tanë na e shituan

Lakmitarët e fundfillimit shekullit

Njëqind mote dhunës dritë për një kohë tjetër

Nëse s'rrjedh gurra apo lumi

E bëjmë një legjendë, i japim kuptimësi jetës

Në mos të paktën i ndezim kandilin vetvetes

Na i marrsh të ligat o varg

Që s'u shkrove në një mot tjetër

                                       DHUNË

 

   Tanimë dominon simbolika e dhunës, sepse vetë koha brenda së cilës merr frymë ky varg dhe e gjen dritën, ishte e dhunshme. Dhuna e armikut, ndaj njerëzve të poetit, e bërë barbarisht, duke vrarë e duke masakruar e dëbuar popullatën shqiptare, poetin gjithnjë e më tepër e nxit.

   Në formë kronike, shpalos shkrimet e tij, duke pasur kujdes që asgjë të mos i shkojë huq, dhe asgjë të mos kalojë pa u futur në dëshmitë e shkruara.

 

Udhët e mallit i gjetëm

Ato kërkojnë vetëm një shkuarje

Vetëm sa të thinjet floku

E varri ta ndërrojë dhembjen

 

Në palcën e harrimit

Do të mbetet vetëm hi

E mbathëse e kthimit

Flakë në plagë

                       ETYD

 

   Vargu i fundit i poezisë, paralajmëron se së shpejti do të na vijë edhe një libër, dhe s’vonoi, u botua libri, „Flakë në plagë“. Libri, më vete përfshin gjithë atë që ndodhi gjatë luftës në Kosovë brenda viteve nëntëdhjetë e tetë e nëntëdhjetë e nëntë.

 

*     *     *

Iljaz PROKSHI

 

Magjia e fjalës së çiltër

 

   Gëzim Ajgeraj: "Qiellit po digjem", Rilindja, Prishtinë, 1998

 

   Gëzim Ajgeraj, pas librit të parë, "Klithmë malli", dhe të dytit "Ëndrra për parajsë", lexuesit shqiptar iu prezantua me një libër tjetër me poezi, "Qiellit po digjem".

   Që në kontakt të parë me poezinë e këtij libri, vëren se vargu të ngacmon. Autori niset nga objekti real dhe botën e brendshme poetike e percepton pothuajse në mënyrë të hapur, reale, pa hezituar ta thotë troç të vërtetën.

   Kështu, u bën sfidë shqetësimeve larg atdheut, duke shfaqur një ligjërim të çiltër poetik dhe, të pushton sapo ta lexosh. Autori nuk përpiqet të bëjë eksperimente, por gjërat i nis nga vetja, nga bota që e rrethon, përjetimet, qoftë në vendlindje, qoftë ne mërgim ku vepron.

 

SFIDAT E POETIT

 

   Poezia e Gëzim Ajgerajt, nuk shpreh vetëm dëshirën për të mbijetuar, për të rrëfyer pikëllimin apo mallin larg atdheut të subjektit lirik, por ajo ngrit zërin që ëndrrën e tij, nga një krijim magjik, ta shndërrojë në të vërtetë.

   Liria e të shprehurit është sugjestive, konvencionale, evoluive. Ligjërimi poetik, nganjëherë duket sikur del jashtë kornizave, por e gjitha vjen, për arsye të shpërthimit emocional, pak a shumë parafrazik, por në fokus gjithmonë është njeriu ynë dhe rrugëtimi i tij.

   Për shembull, ky motiv vërehet në ciklin e parë "Udhëtim i pafund", që nis me poezinë "Mëmëdheu". Ky cikël shquhet për artikulimin e fatit të individit dhe të kolektivitetit, dhe ndryshe as që mund të paramendohet. Poezia e këtij cikli, ndër tjerash shquhet edhe për faktin se shpreh mënyrën e ekzistencës, pikëllimin nëpër botë, dhe jo vetëm të vetvetes.

   Duke mos iu larguar motiveve të këtij libri të konceptuar brenda pesë njësive ciklike, gjatë leximit mund të mbështesim mendimin se në të gjitha ciklet, si: "Udhëtim i pafund", "Hënës ia vras dritën", "Kohë e pakuptimtë", "Shekulli i shtrigave" dhe "Deti i mërguar", mund të thuhet se është poezi që percepton fatin e individit, shqetësimet e tij, të ndryshuar nëpër faza të cilat nuk kanë prekur aq tepër njëra-tjetrën, sa vetë fakti se poeti i ka harmonizuar dhe i ka bërë unike. Është kaq i thellë në mendime, saqë magjia e fjalës e bën poetin të lexuar dhe për në çast, shmang lexuesin nga mallëngjimi.

   Atmosfera e mërgimtarëve është dhënë jo vetëm në aspektin bardh e zi, por këtu, ngjyrosur me pamjen e ylberit, ku poeti inkuadron vargje që ngrijnë probleme të gjera, duke u nisur nga detajet, fotografia e atdheut, e gjer te shtresat më të thella shpirtërore.

   Kosova e mërgimtarit përherë rri në mendje dhe në kujtesën e pashlyer: /Kosova muranë e Ilirisë/, kështjellë qëndrese/, është një ligjërim i drejtpërdrejtë, një melodramë e shkurtër, që nuk krijon boshllëqe, pra është një poezi racionale, përkatësisht stil i kapshëm pa hyrë në historinë shumë të gjatë e të madhe të Kosovës.

   Përgjithësisht, poezitë kanë për subjekt njeriun e mërguar dhe ky libër vjen në kohën kur mërgimtarët tanë zihen nga mallëngjimi për atdheun e robëruar, kurse paraqitja e Ajgerajt me këtë libër është përballje kundër bamave të pushtuesit, duke dhuruar për lexuesin vlera të mirëfillta artistike.

 

LIRIKA E SHQETËSIMEVE

 

   Dy ciklet e fundit, "Shekulli i shtrigave" dhe "Deti i mërguar" mund të aktivizojnë fuqinë krijuese të poetit, i cili shpreson në shprehjen e tij, ligjërimet e tij poetike, duke menduar botën jo vetëm brenda kornizave të caktuara të ndjeshmërisë, por edhe duke karakterizuar subjektin lirik nga aspekti filozofik-letrar, me mesazhin sublim ndaj botës së trazuar gjysmë të lumtur, gjysmë të rëndë, gjysmë të traumatizuar, gjysmë të sakatuar. Poeti, u ikën implikimeve të shprehura më herët në poezinë shqipe.

   Ky konstatim vjen pas një leximi që i bëhet sidomos ciklit "Shekulli i shtrigave", që ka një përputhje me ngjarjet që po ndodhin në Kosovë: Ç'është ky mallkim o zot/Toka thith veten / qielli tymoset/, e kjo është tragjike dhe njëkohësisht për fat të keq shumë reale, sepse para syve tanë, para syve të botës digjen jetët, shtëpi dhe toka të shqiptarëve në Kosovë. Mu në këtë mjedis po luhet /"premiera e djajve / me fytyra njeriu"/. Është pra një varg himnizues për ngjarjet në Drenicë, në Deçan, në kufi me Shqipërinë dhe "bota i përcjell prapa perdeve/me gota shampanje/”. Ku ka qetësim, ku ka mënyrë të të shprehurit më të lirë dhe të hapët se sa ky ligjërim poetik?! Është e udhës të theksohet se një perceptim të këtillë pak e gjejmë te poetët e tjerë, në diasporë apo këtu në Kosovë, ngase, poeti nuk është "optimist", sepse mallëngjimi i tij është i madh ndaj Kosovës që zien nga vrasjet, djegiet, sepse perceptimi i tij është një lloj citimi poetik që i bën sfidë dhunës dhe pyet: "Ç'bën Evropa qe një shekull?"/ poezia "Në vend të letrës".

   Gëzim Ajgeraj, këtë libër sikur e ka shkruar me porosi. Nga fondi i këtij libri mund të nxirret mesazhi sublim që sugjeron në vetëdijesim për mënyrën e të shkruarit, përgjegjësinë ndaj letërsisë, stilit, gjuhës...Prandaj "Qiellit po digjem" është ndër librat më të dalluar që janë botuar në redaksinë e botimeve "Rilindja", që nga janari e deri më tash. Vlerat letrare estetike mund të shpalosen vetëm pas një leximi të vëmendshëm dhe profesional, për çfarë lexuesit do të ndahen të kënaqur në këtë kohë të rëndë me strese e vuajtje të mëdha.

 

     “Bujku”, e enjte, 4 qershor 1998, Prishtinë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

8.

BALADA E VËRRINIT


Vërrini, kjo pikë e atdheut në shpinën e Prizrenit, është lokaliteti prej nga vjen poeti Gëzim Ajgeraj. Vërrini, i varfër ekonomikisht, por luftës për çlirim dhe lirisë së atdheut i ka dhënë. Poema "Balada e Vërrinit, në brendi përfshin gjithë ngjarjet dhe zhvillimet që ndodhin gjatë kohës së luftës në Vërri. Fillon me zhvillimet e luftës, pa e lënë anash edhe temën e mërgimit. Zbrazja e kullave, largimi i brezave larg atdheut, lënia e vendit dhe e pasurisë, siç thotë poeti, është shumë e dhimbshme. Vërrini, i dha shumë vetvetes, i dha shumë atdheut. Plagë e dhembje shkaktoi lufta, por vërrinasit, me pietet të lartë ruajnë krenarinë për të qëndruar ballëlartë në kohët që do të vijnë. Të shijojmë vargjet që pasojnë

 

BALADA E VERRINIT


Ç`janë këto udhë e ato turma

Pse po shtirren ato kulla

Ç`është ai barë mbi ato pragje

Pse po shtirren ata konakë

Nëpër vërri mos ra murtaja

Apo ikjet i zu hataja

U zgjatën shpresat nëpër binarë

Udhët me trastë janë bërë barrë

Edhe në u zgjatshin udhët e zeza

Nëpër vërri prapë frymon jeta

Dhe në u djegshin zemrat mallit

Nëpër vërri jehon këngë malit

Po në u mbushtë qielli dallëndyshe

Kah fluturojnë rrugës përpjetë

Shuani mallin në krah të tyre

Edhe të falat që shkojnë rresht

Po në këndofshin zogjtë e malit

A cicërima nëpër lisa

Nuk janë zogj por janë fëmijë

Nëpër mall iu dogj rrita

A në këndofshin zana mali

Kah qëndisin motet nëpër vërri

Vatër në vatër pragjet ia rrisin

I mbushin kullat kësaj malësie

Po në i dashtë a t`jetë nevoja

Në krah të burrave për atdhe

Tym e flakë nxjerrin nga goja

Sokolesha i ka ky dhe

....

                                 (Prologu)

 

   Në origjinalitetin e këtyre vargjeve frymon jeta vërrinase, e shoqëruar me mall e dhimbje brenda kullave që zbrazen e drynoset jeta prapa pragjeve të mbyllura të udhëve përtej mallit. Udhët e mërgimit bien si një murtajë dhe varen shpresave nëpër binarë që shpijnë diku përtej atdheut, duke e lënë atë dhe duke kërkuar një jetë më të mirë dhe pak liri, që në atdhe mungonte në pakufi. E gjithë balada bart me vete shpresën për kthim, duke e pritur ditën e kthesave historike, rrugën e lirisë.

Ç`farë ka hëna n’maje Sharri

Ç`farë ka dielli që s`bën dritë

Pse s`del rrezja n’maje mali

Kush ia vodhi bukuritë

Mos janë qyqe a zana mali

Ato britma thikë përpjetë

Janë britma a vaj fëmije

Kush i zbath e kush i zhvesh

E aj tym që shkon përpjetë

A mos qielli është i zi

Kulla stogje shkurre e male

Çfarë ka zoti me këtë malësi

Pa më thuaj moj zanë mali

Pa më thuaj pashë ata sy

Ç`far kanë bërë këta malësorë mali

Ç`faj kanë bërë ata fëmijë

Mos janë gjyle moj zanë mali

Apo korba në qiell të zi

Mos o zot tanke rrëzë mali

Apo miga përmbi vërri

....

                             (Strofa 1)

 

   Dhe kobi bie, edhe më i zi, ashtu siç pritej. Dhuna e okupatorit tanimë ka harbuar e tmerrshme me përmasa të krimeve njerëzore ndaj njerëzve të poetit. Dhunë që vjell tym e flakë, bën vrasje e krime, deri në përmasa apokaliptike.

   Ndërsa, barbari i veriut që harboi mbi Vërri, nuk kurseu mjete e makineri, vetëm pse ishin shqiptarë. Korbi, ashtu siç mbolli kob kudo, kështu veproi edhe në Vërri.

   Balada e luftës vazhdon, herë me përmasa të dhimbjes, herë duke bërë qëndresë, me shpresën se një ditë do të vijë drita e pritur me shekuj.

 

Kullojnë gjak kullat e rrugët

Rrjedha turmën duke ndjekur

Kush në dorë ka një fëmijë

Dikush gjallë e dikush t’ vdekur

Gjithkah mbrapa nga një varr

Kush pak dhe, e kush më thellë

Kush një gur e kush një dru

Oh malësi ç`kob t`paska gjetur

Mbushen grykat mbushen lugjet

Edhe malet plot përpjetë

Kalojnë ditët kalojnë netët

Kulm mbi kokë qielli ka mbetur

Sa me frikë po mbaron dita

Sa e gjatë po bëhet nata

Sa fëmijë britma ndër lisa

E sa nëna duar thata

oh po etshëm po më ther plaga

heu Malësi ç’të paska gjetur

çfarë janë këta korba të zinj

mos o zot veç marrin jetë

….

                           (Strofa 3)

 

   Nata e robërisë së luftës vazhdon, siç vazhdon terrori e dhuna e agresorit ndaj popullatës civile. Tashmë gjithçka digjet, shkrumbohet e bëhet hi.

   Kodrat ndrydhen në varre. Skuqen kulla e fusha nga gjaku i njerëzve të vrarë. Kobi bie mbi kulla, e njerëzit, kush si mundi, marrin arratinë, kodrave e maleve. Gjithë ky kob i gdhendur me mjeshtri në varg, te lexuesi, sjell, sa mësim, aq edhe trishtim.

 

Qiellin tymi e ka mbuluar

kullat flaka i ka kapluar

kush mbi tanke kush mbi helmetë

kush mbi pushkë në front ka mbetur

sa e gjatë s`po mbaron dita

bëjnë qëndresë djemtë nëpër prita

sa me gjak po afron nata

mbush me flakë malësi e ngrata

...

                               (Vargu 5)

 

   Vargjet e shpresës nuk mbyten kurrë. Rrjedhin me kohën siç afrohet edhe shpresa e fundit të luftës dhe ardhja e lirisë. Në varg, frymohet lirshëm, duke mbushulluar dritë e gëzim për ditën e bardhë që po vjen....

ah pra ty mor korb i zi

mirë e di një kjo Malësi

mirë e dinë se çka do ti

do ta japë ty imi Vërri...

                         (Strofa 16), 1998

   Shpresa e poetit për lirinë nuk shuhet edhe atëherë kur është më së vështiri. Dhe, kjo që parandjeu poeti, së shpejti do të bëhet e vërtetë, për çka, vërehen shkëndijat e lirisë. “Balada e Vërrinit”, mbetet përgjithmonë histori e thurur në vargje, duke treguar kohët e dhimbjes, sa të trishtuara, aq edhe krenare nëpër të cilat ka kaluar populli ynë.

*     *     *

„Balada e Vërrinit“, mbetet një nga perlat e vargut të asaj kohe përmes së cilës autori skalit dhimbjen, qëndresën dhe krenarinë e kombit. Ndërkaq, në duar të lexuesit mbetet, sa për të shijuar vargun, aq edhe për të mos harruar tragjedinë e përjetuar në fundin e shekullit që iku. Vargjet e „Baladës së Vërrinit“, mbeten thirrje e kohës dhe zgjim i ndërgjegjes kombëtare, për të ardhur deri te ditët më të mira për çka është ëndërruar me shekuj.

 

 

 

 

9.

 

QASJA PËR LUFTËN DHE PUBLICISTIKA RRETH SAJ

 

   Gëzim Ajgeraj ka dhënë kontribut të çmuar edhe për luftën çlirimtare. Për këtë duhet të flasin të tjerët, kompetentët, njerëzit që drejtpërdrejt kanë pasur lidhje dhe e njohin veprimtarinë patriotike të Gëzim Ajgerajt. Përqendrimi ynë është që, më tepër të fokusohemi rreth shkrimeve që kanë të bëjnë me luftën, të cilat, në të ardhmen mund të jenë bazë e dëshmive për studime historike për të mësuar të vërtetën.

   Për të mësuar më gjerësisht, për gjithë ato ngjarje, edhe të hidhura, edhe që na bëjnë të krenohemi, më së miri mund të mësojmë përmes librit të këtij krijuesi, "Rruga e lirisë" - intervistë me Zafir Berishën. Autori, përmes këtij libri publicistik, në formën e intervistës, ia del ta zbërthejë gjithë atë çfarë ka ndodhur në Vërri e në Prizren gjatë vitit 1998/99, duke dhënë dritë në detaje për luftën e Ushtrisë Çlirimtare në këto anë, dhe krimet e masakrat serbe në anën tjetër.

   Përmes personazhit kryesor në libër, zbërthehen ngjarjet kryesore, ndërsa për lexuesit, në mënyrë shumë të detajuar pasqyrohen gjithë ato që kanë ndodhur. Ndonëse krijuesi më tepër i përkushtohet poezisë, ai nuk ka frikë të futet edhe në libra të zhanreve të këtilla. Në një rast, madje thotë: “Një popull që nuk e shkruan historinë, do të humbasë historia e tij”. Mandej, përsëri thotë: “E di se kam hyrë në një fushë të minuar, por më mirë ne ta shkruajmë historinë, se të tjerët të shkruajnë për ne”.

   Gëzim Ajgeraj, vazhdoi edhe me publicistikën dhe librat për luftën, me të cilët i dha dritë kohëve dhe pasqyrë brezave për gjithë atë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Krijimtaria e Gëzim Ajgerajt, nuk mjafton me kaq.

   Pa pushuar fare, në bashkautorësi me krijuesin Ilam Berisha, botojnë librin, "Masakra e Tuzsuzit". Ndërkaq, në faqe të internetit ka të publikuar librin monografik për heroin e kombit, Xhevat Berisha. Nga kjo që flitet, mund të konstatojmë se Gëzim Ajgeraj, mirë i ka njohur ngjarjet e luftës, ndaj pa humbur kohë, dhe pa kursyer aftësitë dhe pasionin për të shkruar, nuk i ndalet punës vargërore të artit.

   Duke folur për librin “Rruga e lirisë”, ku protagonist është komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trevën e Vërrinit, Zafir Berisha, ndonëse libri është intervistë me luftëtarin e lirisë, ngjarjet janë të përshkruara në një spektër të përgjithshëm të luftës, duke i ikur gjithnjë individualizmit, si nga ana e krijuesit, po ashtu edhe nga personazhi i luftës, në këtë rast, komandanti Zafir Berisha. Meqë Gëzim Ajgeraj, edhe vetë ishte kontribuues i çështjes kombëtare, që nga 81-ta e deri në ditët e luftës, dhe përkrahës dhe pjesëmarrës i shumë shumë lëvizjeve për çlirimin e atdheut, nuk e kishte të vështirë të merret edhe me krijime të llojeve të këtilla letrare.

 

*   *   *

 

PASQYRË REALE PËR LUFTËN ÇLIRIMTARE DHE SAKRIFICAT E TREVËS SË VËRRINIT DHE TË LAGJES TUZSUZ TË PRIZRENIT

 

   Libri "Ruga e lirisë" i Gëzim Ajgerajt, realizuar përmes intervistës me Zafir Berishën, është më i miri i këtij lloji për luftën çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Ky libër me protagonistin, Zafir Berisha, ka vlera të shumanshme, që në të ardhmen do të shkruajnë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për trevën e Vërrinit.

   Në librin "Rruga e lirisë", Zafir Berisha pretendon dhe ia arrin në mënyrë të sinqertë e të suksesshme të përshkruajë luftën e UÇK-së në të gjitha dimensionet e saj. Këtu vend të merituar dhe vend nderi ka edhe Gëzim Ajgeraj, i cili diti që protagonistit të librit me mjeshtri të hollë t'ia vjelë nga mendja e kujtesa tërë thesarin dhe bukurinë përshkruese të periudhës më të lavdishme të historisë sonë më të re.

   Lexuesi i vëmendshëm, edhe me një lexim të librit "Rruga e lirisë" do t'ia arrijë ta formojë një pasqyrë reale për luftën çlirimtare dhe sakrificat e trevës së Vërrinit dhe të lagjes Tuzsuz të Prizrenit.

 

    Prishtinë, prill 2002         Prof. Jakup KRASNIQI

 

 

 

DOKUMENT HISTORIK PËR LUFTËN E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

 

"Rruga e lirisë" është më shumë se libër; është edhe një dokument historik për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të zërë vend të merituar në bibliotekat shqipe. Përmes këtij libri, autori dhe protagonisti shpalosin dhe ndriçojnë detaje të rëndësishme, të panjohura deri më tash për luftën çlirimtare në Zonën Operative të Pashtrikut, përkatësisht të Vërrinit. Brezat e sotëm dhe të ardhshëm do të kenë në duar një botim të rëndësishëm nga fusha publicistike, për të kuptuar se, sa e vështirë ishte sakrifica e popullit shqiptar për të arritur deri te çlirimi i Kosovës. Protagonisti Zafir Berisha, komandant i shquar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familja e tij, janë shembujt e ndritur të popullit tonë, se si duhet punuar dhe luftuar për atdheun.

 

       Gjakovë, prill 2002       Prof. Dr. Qamil GEXHA

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LIBËR QË FLET PËR RRUGËTIMIN, I CILI KËRKON VIZION, SAKRIFICË, URTI POLITIKE, DERI NË LIRINË E PLOTË

 

Rruga e lirisë për popullin shqiptar nga sundimi serb ishte e gjatë, me shumë sakrifica dhe vuajtje, por gjithnjë me krenari kombëtare. Për këtë na dëshmon edhe rrëfimi i protagonistit të librit "Rruga e lirisë", Zafir Berisha, i njohur në radhë të parë si një nga pjesëtarët dhe komandantët e spikatur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zafir Berisha, sipas përjetimeve të kallëzuara në këtë libër, personifikon vetëm njërin nga shumë atdhetarë të Kosovës dhe shqiptarisë përgjithësisht, të cilët të frymëzuar me idealin e çlirimit të atdheut nga sundimi serb, duke kaluar nëpër ilegalen politike kombëtare e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ngritën në heronjtë e ditëve tona. Dëshmia e tij për rrugën e çlirimit të Kosovës, deri në pavarësi dhe më larg, nuk përmbyllet me këtë libër. Rrugëtimi deri në lirinë e plotë ende kërkon vizion, sakrificë, urti politike, vetëmohim, unitet kombëtar dhe para së gjithash atdhedashuri. Libri "Rruga e lirisë", le të shënojë edhe një faqe në shkrimin e historisë për luftën e lirinë e popullit tonë të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

 

Prizren, prill 2002        Prof. Mr. Agim ZOGAJ

 

10.                           Masakra e Tuzsuzit

 

   Me Gëzim Ajgerajn, kam pasur rastin të punojmë edhe në një projekt të përbashkët, siç ishte libri "Masakra e Tuzsuzit". Puna e përbashkët, më ka ofruar shumë mundësi të njohjes së tij nga afër.

   Kultura dhe qasja se si i përkushtohet seriozitetit në punë, më ka bërë përshtypje, saqë, jam shumë i sigurt, se çdo pune që ia fillon, mund t’ia dalë shumë me sukses. Një punë e tillë e përbashkët, ndonëse nuk ishte bash e lehtë, megjithatë ia dolëm me shumë sukses që edhe ky libër të dalë në dritë dhe të sjellë dëshmi për ndodhitë e bëra plot ngjarje e mistere.

*     *     *

   Të përballesh me ngjarjet e zhvillimeve të luftës, është sprovë dhe përgjegjësi për krijuesin. Megjithatë, Gëzim Ajgeraj, me guxim dhe me përgjegjësinë më të madhe i qaset kësaj pune, duke u munduar që t’i qëndrojë sa më besnik fjalës së shkruar.

   Në “Masakrën e Tuzsuzit”, vërehet se sa të vërteta dhe pa hiperbola jepen ngjarjet, sa, kur ta lexosh librin, të duket se njeriu po e përjeton luftën me të vërtetë, dhe sikur po kthehesh përsëri në ato ngjarje shumë të vështira me të cilat u përball populli.

   Krimet e bëra nga ushtria serbe, në Vërri e në Prizren në përgjithësi, nuk duheshin lënë harrimit, dhe atyre, në këtë libër u dhamë dritë së bashku me Gëzim Ajgerajn, sadopak për të ndriçuar ngjarjet që kanë ndodhur gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prizren.

 

PËRSHKRIMI I MASAKRËS SË TUZSUZIT

 

   Disa dëshmi rreth vrasjes së martirëve të masakrës së Tuzsuzit

 

   Vrasja e banorëve civilë në lagjen “Tuzsuzi” nga policia serbe më datën 26.5.1999, u bë në mënyrën më mizore e më barbare. Forcat e okupatorit qenë të stacionuara në skaj të Tuzsuzit. Në Prizren, konkretisht në Vërri e në Tuzsuz, vepronin njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut me në krye Samidin Xhezairin – Komandant Hoxhën dhe Zafir Berishën, njësite këto që vazhdimisht kryenin sulme ndaj ushtarëve e policëve serbë që vepronin në këto anë.

   Më 26 maj të 1999-s, nga ushtarët e lirisë, nga një sulm shumë mirë i përgatitur, u vranë shumë policë serbë. Kështu, pasuan hakmarrjet ndaj popullatës civile shqiptare. E mërkura e kësaj date ishte plot ankth e trishtim. Gjakatarët serbë futen në shtëpinë e Hesat Xhemshitit dhe atë, së bashku me nipin përkatësisht djalin e vëllait Bejanin i torturojnë e në fund i vrasin.

   Ndërkaq, Rafet Abdylmexhiti, një burrë 52 vjeçar, i cili mbante kontakte të vazhdueshme me njësitin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në lokalitetin e Vërrinit, së bashku me vëllanë Samiun dhe me djemtë e vëllait Shefikun e Beharin, kushëriri i tyre Hyrmet Sylejmani dhe djali i dajës së tyre Mirsad Osmani, Xhevat Xhemshiti e Vahit Abdylmexhiti qëndronin bashkë. Paramilitarët serbë futen në oborrin e shtëpisë së tyre dhe i vunë zjarrin veturës e cila gjendej në oborr. Tortura vazhdon dhe me kondak pushke e sulmojnë Rafetin përpara anëtarëve të familjes, duke e përgjakur këmbë e krye.

   Mbasi i plaçkitin, anëtarët e familjes, i largojnë nga shtëpia, ndërsa Hyrmetin e marrin me vete dhe e çojnë deri në shtëpinë e vet, ia marrin veturën e mandej përsëri e kthejnë në oborrin e shtëpisë së Rafetit. Pa pritur më tej, para shtëpisë i ekzekutuan Rafetin me të vëllanë Samiun, djemtë e Samiut, Shefikun dhe Beharin, kushëririn Hyrmetin dhe djalin e dajës Mirsadin. Këta të katër, Shefiku, Bejani, Mirsadi dhe Hyrmeti, edhe më herët kishin qenë të zënë robër nga forcat serbe, dhe vetëm pak ditë para masakrës në Tuzsuz qenë liruar. Nuk u kursye as jeta e Beharit, ende pa i mbushur 17 pranvera, nxënës i Medresesë së Prizrenit. Vlen të theksohet se, para se të ekzekutohej, Behari paskësh thirrur ezanin duke qëndruar i palëkundur para plumbit të xhelatit.

   Plakut Bislim Qengaj dhe plakës së tij, mbasi ua marrin të hollat, të dy i vranë duke i lënë të përgjakur në dhomën e ditës. Bislimi, atyre që me dhunë u përzunë nga trojet, u paskësh thënë: “Ju do të ktheheni, por neve vështirë se do të na gjeni, megjithatë më lehtë e kemi ne kur juve nuk ju shohim në duart e barbarëve”.

   Edhe Salih Elshanin, duke mos pranuar t'i lëshojë trojet e veta, shumë stoik, e vranë në oborrin e shtëpisë. Aty kah ora 18 e 45 minuta, forcat serbe futen në shtëpinë e Ymer Thaçit, ku aty e gjejnë edhe mikun e tij nga Arbëria (Leskoveci), Avdi Berishën. Të dy i ndajnë dhe i futin njërin në një dhomë dhe njërin në dhomën tjetër, të cilët me nga një plumb në kokë, pa kurrfarë arsye që të dy i ekzekutojnë.

   Që të dy këta qenë liruar para një jave ngase ishin të nxënë robër, Ymeri për të hapur istikame, ndërsa Avdiun, ndonëse i moshuar, e kanë torturuar sa kurrë në jetën e vet nuk kishte përjetuar çaste më të rënda e më të vështira.

   Plaku 78 vjeçar, Avdi Berisha, citohet të ketë thënë: “Nuk ishte i rëndë dajaku, sa ishte i rëndë çasti kur ma hoqën kësulën e bardhë, ma shanë dhe ma shkelën përpara syve të mi. Nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u varrosën në oborrin e shtëpisë së Ymerit. Refki Berishën e ekzekutuan shumë barbarisht duke përdorur armë të ftohta në gjymtyrë të tij. Hajrim Arifin, serbët e gjetën në shtëpi bashkë me anëtarët e familjes.

   Hajrimin e dërgojnë në bodrum duke e lënë të vrarë, mandej ia vënë edhe flakën shtëpisë. Gjurmëve të kërkimit të kufomës, babai i tij shkon në spitalin e Prizrenit, ku mjekët serbë i kërkojnë 3000 markë gjermane, vetëm për ta identifikuar kufomën në kufomoren e spitalit.

   Gjatë një rrëmuje të krijuar, kur në ato çaste serbët i sjellin mbi 50 kufoma të ushtarëve e policëve nga radhët e tyre, ai përfiton nga rasti dhe e merr kufomën e djalit të vet. Edhe Sani Bajramin, serbët e zunë në shtëpinë e tij. Saniun e ndalën. Familjen ia përzunë, ndërsa shtëpisë ia futën zjarrin. Pas kthimit të familjes nga Shqipëria, në oborrin e shtëpisë u gjetën tre plumba, njolla gjaku dhe tri gropa.

   Neki Gashi, u vra nga forcat serbe po të njëjtën ditë, rreth orës 8,30 minuta, në korridorin e shtëpisë së vet në prani të bashkëshortes së tij, e sipas planit të tyre, ia dogjën edhe shtëpinë. Sipas dëshmive të bashkëshortes, së bashku me kriminelët serbë të pranishëm qenë edhe romë dhe të tjerë që u shërbenin atyre, ndërsa varrimin e bëri bashkëshortja me disa të afërm në varrezat e Prizrenit.

   Selim Berisha, së bashku me vëllanë Feimin, ditën e vrasjes ishte në qytet për të blerë bukë.    

   Duke u kthyer, diku rreth orës 11,30 minuta, në rrugën mbi varrezat e qytetit hasin në policinë serbe. Me këtë rast ata fillojnë t'i plaçkitin, duke i fyer e torturuar, më në fund edhe i pushkatojnë. Trupat e pajetë i dërguan në kufomoren e spitalit të Prizrenit, ku u mbajtën një javë e mandej i varrosën në një varrezë masive.

   Edhe Xhemajli Poniku, së bashku me vëllanë Halilin, pasi i kishin legjitimuar të dy vëllezërit, i ekzekutuan në rrugën “Selajdin Berisha” pranë varrezave të qytetit.

   Fazile Maçkaj, motra e dëshmorit Selver Maçkaj, ishte e sëmurë, e paralizuar, të cilën paramilitarët serbë rreth orës 10 e kanë masakruar e mandej trupit të saj edhe ia kanë futur flakën. Babai e nëna rastësisht i shpëtuan kësaj masakre ngase gjatë këtyre çasteve nuk qëlluan në shtëpi. Fazilen e varrosën në oborrin e shtëpisë, mandej të dy prindërit largohen për në Shqipëri.

   Ditën e 26 majit të 1999-s në Tuzsuz është vrarë edhe Rexhep Maçkaj, trupi i të cilit u gjet në një grumbull plehu. Pos vrasjeve e masakrave që bënë, serbët plaçkitën ashtu siç e kishin zakon dhe dogjën rreth 250 shtëpi të shqiptarëve për të humbur shumë gjurmë të krimeve të tyre.

   Këto ngjarje, këto shëmti nga ana e okupatorit serb, bënë që 26 maji i 1999-s në Tuzsuz, të hyjë në librat e historisë për brezat, duke përkujtuar gjakun e martirëve që u martirizuan në shtëpitë e tyre, në tokën e tyre, në Kosovën e lashtë, mbi qiellin e së cilës ato ditë mbuluan retë e zeza të tymit që dukej sikur dilte nga zemra e tokës dardane.

*     *     *

Doli nga shtypi libri: „Masakra e Tuzsuzit“, monografi, nga Gëzim Ajgeraj e Ilam Berisha, Prizren, 2007

 

Këto ditë në Prizren, doli nga shtypi libri:“Masakra e Tuzsuzit“, Monografi nga autorët, Gëzim Ajgeraj e Ilam Berisha. Ky libër në vete kapërthen pjesën më të dhimbshme nga historia më e re e Kosovës, përkatësisht masakrën që e kryen forcat okupatore të ushtrisë, policisë e forcave paramilitare të Serbisë, kundër popullatës së pambrojtur shqiptare në Lagjen Tuzsuz të Prizrenit.

   Libri në vete përmbledh ngjarje që ndodhën përpara kësaj masakre, masakrën që ndodhi më 26 maj 1999 dhe zhvillimet e mëpasme, deri në ditët e sotme. Libri ka pesë kapituj dhe fillon me parathënien e redaktorit Zafir Berisha, komandant i UÇK-së në Vërri dhe me fjalën e recensentit prof. dr. Sabahajdin Cena.

   Libri është një dokument historik që fillon me historikun e kësaj lagjeje, duke vazhduar deri te fillimi i luftës së UÇK-së më 1998/99. Është një prezantim i organizimeve të luftës në këto anë, për të vazhduar me aktivitetin edhe të misionit të OSBE-së në regjionin e Prizrenit. Një pjesë i kushtohet edhe sulmeve të Aleancës së NATO-s kundër caqeve te ushtrisë serbe.

   Përzënia e popullatës shqiptare të Kosovës në drejtim të Shqipërisë, është një kaptinë në vete, për të ardhur deri te dita e 26 majit 1999 në Tuzsuz kur forcat serbe vranë dhe masakruan shumë civilë. Një dëshmi për secilin të vrarë në këtë masakër e shoqëruar me biografinë e martirëve dhe me fotografi, është thelbi i kësaj monografie.

   Rreth ngjarjeve në Tuzsuz dhe në Prizren e rrethinë, është kapitulli tjetër i librit. Ditët e pasluftës në Kosovë, sjellin tjera rrethana për t’i rivarrosur e identifikuar nga Tribunali i Hagës, ku një komision i këtij tribunali, bën identifikimin dhe obduksionin e këtyre martirëve. Nderimet dhe kujtimet e qytetarëve nëpër këto përkujtime janë të shoqëruara edhe me fotografi.

   E gjithë pjesa e fundit është një thirrje për drejtësi, si nga familjet e këtyre martirëve po ashtu edhe nga qytetarët e shumtë. Dhe krejt në fund të librit, janë dëshmitë e komandantëve, Samidin Xhezairi-Hoxha dhe komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, të cilët sjellin dëshmi nga ajo kohë, dhe për ngjarje të tjera të ndodhura më 1998/99. Ky libër do të mbetet mbështetje dhe dëshmi për historinë që ka ndodhur në Lagjen Tuzsuzi

Libri ka 144 faqe, e botoi revista letrare „Metafora“, Prizren, 2007.

 

 

 

 

 

 

 

 

11.

 

   Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, pas mesit të dytë të vitit nëntëdhjetë e nëntë, Gëzim Ajgeraj boton edhe dy romane për fëmijë: “Pëllumbat e lirisë" dhe si vazhdimësi e të parës, nxjerr pjesën e dytë, "Ditët e bardha". Këta dy libra, kanë një lidhshmëri të ngushtë ndërmjet veti.

   I pari përfundon me përfundimin e luftës në Kosovë, ndërsa i dyti vazhdon po aty, deri në vazhdim të ditëve të para të lirisë. Në romanin e parë, personazhi kryesor është Granit Sharri bashkë me shokë. Brenda botës së fëmijëve, Gëzim Ajgeraj, arrin të përshkruajë ndjenjat dhe zhvillimet e luftës nga bota e fëmijëve.

   Për ta përafruar më afër atë ndjenjë, sa trishtuese po edhe aq krenare, personazhet e romanit janë nxënës të mësuesit, i cili më vonë bie dëshmor. Kush tjetër, pos dëshmorit e heroit, mësuesi Xhevat Berisha, të cilin poeti e portretizon në mënyrë shumë origjinale, brenda ngjarjeve dhe takimeve të tija të herë pas hershme edhe me fëmijët, konkretisht me nxënësit e tij.

   Ngjarjet u zhvilluan në Vërrinin e shkrimtarit, dhe si të tilla, hynë brenda romanit, sa me nota entuziaste, aq edhe të dhimbshme. Janë këto kohë, që ndryshe mund të quhen, të guximit e të trimërisë kombëtare, të përcjella edhe me ndjenjën e dhimbjes kombëtare. Këtij portreti, autori mundohet t’i qëndrojë sa më besnik, për t’i pasqyruar ngjarjet në mënyrë sa më afër dhe gjithnjë sa më të vërteta. Edhe mësuesi, edhe nxënësit, janë ata të cilët përmes fjalës së krijuesit, mund të kuptojmë se kanë mbajtur të fortë shpresën se, ajo për çfarë është luftuar e është derdhur gjak, së shpejti do të vijë. Edhe poeti me nam shqiptar, Rifat Kukaj, nuk përton të japë vlerësimin për brendinë e romanit në fjalë.

 

PARATHËNIE PËR ROMANIN PËR FËMIJË "PËLLUMBAT E LIRISË" - 1

 

   Në vorbullën e luftës për liri, përplaset dhe përjeton peripeci vogëlushi Granit me moshatarët e tij në një fshat të Sharrit. Gjendet mes shumë përpëlitjesh në moshë të njomë. Zemra i zhuritet të radhitet mes luftëtarëve të lirisë, po ja që këshillat e Mësuesit, të Gjyshit e edhe e Babait nga mërgimi, tek ai kërkojnë që të mësojnë dhe se lufta është për të rriturit.

   Kjo moshë përjetoi çaste të hidhura, në e parë me largimin e Mësuesit që i përgjigjet kushtrimit të luftës, më pastaj me vrasjen e Komandantit, e në fund me vrasjen e Mësuesit dhe trimave tjerë.  

   Nga ana tjetër, fëmijët kureshtarë përjetojnë edhe çaste gëzimi, mburrje të papërmbajtur, që sapo i shohin nga afër, i njohin dhe i adhurojnë ushtarët tanë me uniforma dhe me shenja kombëtare. Te fëmijët lulëzon ajo lulja e ëndrrës së lashtë, të ketë ushtarët e vet, mbrojtësit dhe çlirimtarët kjo tokë e zhuritur ndër shekuj.

   Ajgeraj rrëfen qetë e bindshëm për Granitin me moshatarët që ndajnë gëzimet e hidhërimet, dhe përjetojnë momente edhe tronditëse në fund gjatë ofensivës së fortë të armikut, të cilën luftëtarët e lirisë e përballojnë burrërisht.

   Vrasja e Gjyshit, Granitin sikur e skërmit, por përmes vdekjes së tij, ia njeh edhe më mirë trimërinë dhe shpirtin e tij prej patriotit të paepur, që s'deshi të largohej nga shtëpia…

   Me rrëfimet e gjyshit sa qe gjallë, nipi Granit mëson për të kaluarën jo vetëm të tij, por të njeriut tonë gjatë një lufte tjetër, kur premtimet dhe shpresat e popullit tonë për liri të plotë e bashkim kombëtar kishin filluar.

   Në fund të rrëfimit, sërish fëmijëve fati u buzëqesh me një shkollë të re, mbi shkrumbin e luftës në fshatin që qe bërë shpuzë nga ushtria e policia barbare serbe.

                                       (Rifat Kukaj)

*     *     *

   Në vazhdimin e dytë, apo më mirë të themi në romanin “Ditët e bardha", Gëzim Ajgeraj, hyn me po të njëjtat personazhe, por me mungesën e atyre që ranë për liri. Tanimë, ata që ranë, janë dëshmorë e martirë të luftës, të cilët kanë tjera përmasa të trajtimit. Personazhi i gjallë, Granit Sharri, hyn brenda ditëve të bardha të lirisë, duke i përjetuar ato si një çlirim nga ankthi i luftës dhe duke i gëzuar ato ditë bashkë me babanë e sapo kthyer nga mërgimi. Megjithatë, ndjenja e dhimbjes, e bashkëshoqëron vogëlushin.

   Rënia e mësuesit, e gjyshit dhe e shumë të tjerëve nga rrethi, janë edhe plagët e shkrimtarit.  

Graniti, tashmë shkon nëpër tubime përkujtimore të të rënëve, në varreza për t’u sjellë lule te varret atyre që u flijuan. Duke lexuar romanin, hyjmë thellësisht në të, dhe të gjitha ato që i përjetuam, sikur na ringjallen përsëri. Edhe krijuesi i njohur, Besim R. Cengu, nga Kukësi, na e jep një tablo shumë interesante për romanin.

*     *     *

DITËT E BARDHA

 

Dy fjalë për romanin "Ditët e bardha"

 

   Është krejt e natyrshme, që kur kapërcehen epokat e vështira në një popull, të shkruhen vepra artistike entuziaste. Kjo është kryesorja. Pastaj, se sa janë këto vepra artistike të arritura, është tjetër punë. Periudha dramatike që kalon një popull, karakterizohet nga prodhimi i bollshëm artistik në të gjitha gjinitë, si reflektim dhe përjetim i gjithë asaj që ka ndodhur dhe që është bërë shkas për transformimet rrënjësore për kalimin nga një gjendje në një gjendje tjetër psikologjike e sociale të një kolektiviteti. Pikërisht në këtë situatë ndodhet populli shqiptar pas luftës kundër pushtuesit serb në fundin e shekullit të njëzet.

   Romani për fëmijë i Gëzim Ajgerajt, "Ditët e bardha", është shkruar në një kohë kur po ndjehej erë lirie. Okupatori nuk është më. Njerëzit tashmë janë të lirë, të entuziazmuar, optimistë e të gatshëm për të rindërtuar shtëpitë dhe vendin nga shkatërrimi i luftës absurde shkaktuar nga okupatori i egër.

   Mirëpo, bashkudhëtare me lirinë e fituar është edhe dhimbja për të rënët, për dëshmorët e lirisë, që nuk janë më midis nesh. Ata dhanë jetën për lirinë e popullit, për lirinë dhe prosperitetin e brezave që do ta gëzojnë tokën shqiptare. "Nënë, unë po shkoj në luftë për të çliruar vendin. Ndoshta edhe do të vritem, por nuk ka shumë rëndësi. Kryesorja është se do të fitojë lirinë populli ynë". Kështu i pat thënë Agim Shala nënës së tij, kur po nisej për në front.  

   Gjithçka në roman shikohet përmes syve të një fëmije. Granit Sharri, një vogëlush i shkathët dhe i zgjuar, i cili nuk beson se vërtet ka ardhur liria. Shumë gjëra ai do t'i mësojë tash, pasi është kthyer në shtëpi. Ndërsa nëna, gjyshja e tij e shtrenjtë dhe motra, Blerta, po stabilizonin shtëpinë, kthehet nga mërgimi babai. Të gjithë gëzohen pa masë. Gjithçka po zhvillohej si në një ëndërr të bukur. Nga ana tjetër, Graniti shikon me admirim dajë Xhemën dhe luftëtarët e UÇK-së, që aq shumë kishin dhënë për çlirimin e vendit. Gjithçka kalon si në një pasqyrë para syve të djaloshit. Kudo sundon optimizmi dhe gatishmëria për të kthyer çdo gjë në normalitet.

   Autori, përmes figurës së Granitit, synon të depërtojë në të gjitha shqetësimet e pasluftës. Së pari, krijuesi nxjerr në pah idenë, se pa respektuar të rënët dhe pa vlerësuar veprën e tyre të rëndësishme historike, nuk mund të ketë fillim të asnjë pune tjetër. Kjo gjë, del te interesimi i vazhdueshëm i djalit të vogël për të shkuar në përkujtimet për të rënët, për ata heronj që nuk u përkulën përpara askujt për të arritur qëllimin e lartë të lirisë. Shumë emocionale janë momentet kur Graniti reciton me shumë ndjenjë, apo kur ai ndodhet para shtatores së mësuesit në qendër të Prizrenit. Së dyti, autori ka mundur të paraqesë një tablo të qartë dhe të plotë të periudhës së pasçlirimit. Ai nuk rreket të ndërlikojë fjalinë dhe fjalën, por përmes një përshkrimi të thjeshtë e të qartë, arrin qëllimin që ai i ka vënë vetes.  

   Gjithashtu, ka ditur të ndërthurë personazhet reale me ato artistike, ndërmarrje e cila i ka dhënë dorë autorit që të konkretizojë sa më mirë epokën për të cilën ai shkruan.

   Përfundimisht, autori pyetjes së sinqertë të personazhit kryesor, Granit Sharrit, "se a ka ardhur vërtet liria?", i jep përgjigjen e qartë se liria jo vetëm se ka ardhur dhe po e gëzojmë, por se përgjithmonë populli shqiptar do të jetë i lirë.  

   Atë, askush më nuk do ta pengojë në ecjen e tij përpara. Preokupim i Granitit, tashmë është të jetë nxënës i shkëlqyeshëm në shkollë. Atë dhe bashkëmoshatarët e tij nuk do t'i pengojë kush më që t'i këndojnë atdheut, të thurin vargje për dëshmorët dhe mësuesit e tyre. Prandaj, e ardhmja do të jetë shumë e mirë.

   Libri “Ditët e bardha” ka vlera, sepse secili prej fëmijëve tanë ndjehet personazh në këtë libër. Granit Sharri, është tipizimi i fëmijës së sotëm, pa të cilët nuk mund të kuptohet asnjë aktivitet, asnjë përkujtim për dëshmorët tanë që u flijuan për atdheun. Dëshmorët janë frymëzimi i brezit tonë që po rritet, ndërsa ky brez i shëndoshë është objekt frymëzimi për ne që na detyron të ndërtojmë jetën tonë të re të bukur e të lumtur.      

  

                                   (Besim R. Cengu)    

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

12.

 

POETI DHE KOHA


   Për letërsinë dhe zhvillimet lidhur me letërsinë, Gëzim Ajgeraj ka shfaqur shumë mendime e vlerësime, duke publikuar ese nëpër revista të ndryshme letrare. Shikuar në tërësi, krijuesi shpreh pikëpamjet, si në këndin pozitiv, ashtu edhe negativen nuk e lë pa e trajtuar, që për fat të keq, në letrat shqipe është e pranishme.

   Vlerësimet, ndonëse zgjojnë reagime, janë më se të vërteta, drejt interesit jo individual, por në përgjithësi kolektiv letrar. Ky vizion, të jep të kuptosh se Gëzim Ajgeraj, pavarësisht “simpatisë”, nuk bëhet servil i askujt, as poet i oborreve e i taborëve, me të vetmin qëllim që të jetë sa më real në të mirë të kombit e të atdheut, duke qenë i pajisur me përmasa universale, sepse, misioni i shkrimtarit dhe i krijuesit është ky.

   Vertikalisht ecën në shtjellimin e çështjeve, duke mos u bishtnuar të pavërtetave, drejt vlerave të mirëfillta letrare. Ese të këtilla janë botuar në “ARS”-in e Tiranës dhe në disa revista tjera këtu në Kosovë, ku kemi arritur në gjykimin se, për të gjitha problemet që e rrethojnë letërsinë dhe letrarin, ka dhënë vlerësime, që meritojnë të përkrahen e të përvetësohen. Pasojnë pjesë të shkëputura vlerësimesh të ndryshme që kanë të bëjnë me artin e me letërsinë.

LETËRSIA I DETYROHET KOMBIT


   Kombi ynë ka kaluar nëpër shumë peripeci, dhe dy çështje janë kryesore që e kanë shtyrë të qëndrojë dhe njëkohësisht të bëjë sfidë kundër pushtuesve. E para është se, shpeshherë e ka bindur veten se duhet rezistuar, por nga ana tjetër të shumtën e rasteve ka hezituar, edhe pse koha ka qenë e papërshtatshme. Pushtuesit bënin sulme nga çdo anë, megjithatë kombi ynë ka arritur të mbijetojë.

   E dyta, vetë letërsia e rilindësve, mbase edhe ajo më përpara, ka arritur ta sensibilizojë çështjen kombëtare. Asnjë shkrimtar nuk ka mundur të bëjë gjë pa idealin e lartë, madje edhe të trashëguar nëpër breza; në rezistenca, e paepur nëpër luftëra të shumta, ku përherë ka dalë në ballë një prijës, siç ishte Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, më vonë edhe kryengritës nga koha e Lidhjes së Prizrenit, luftërat e 1910-s e të 1912-s, e mbi të gjitha lufta e UÇK-së e vitit 1998-1999, që i dha fund pushtimit mbi njëqindvjeçar.

   Disa autorë, luftën për çlirim e kanë trajtuar në masë më të madhe në veprat e tyre, qoftë në poezi, qoftë në prozë. Subjekti lirik, në librat me poezi të poetët, përherë del fytyra e atdhetarit, e kombit, e dashurisë së zjarrtë për vendin, për tokat shqiptare. Në raport me jetën, me vetë ngjarjet, letërsia ka bërë mjaft. Është krijuar një opus i madh veprash letrare që secila syresh shpalos historinë kombëtare. Pothuajse në të gjitha gjinitë letrare janë prekur temat nga jeta dhe lufta, nga dashuria për çlirim kombëtar. Prandaj, letërsia dhe kombi, apo anasjelltas, gjithmonë sikur shkojnë bashkë. Edhe nëse ka dallime, ato janë të pakta, simbolike, sepse në esencë, në plan të parë del përherë qenësia jonë kombëtare, ruajtja nga zhbërja, dhe motivimi i shkrimtarëve për ta shpjerë më tej mesazhin e tyre poetik.

   Përsëri, vlen të përmendim qëndrimin jetësor të kombit, që diti të rreshtohet kur qe nevoja, dhe në këtë rreshtim të madh apo të vogël mbijetoi njeriu ynë; u shkruan vepra të ndryshme letrare, u shpërndanë te lexuesi dhe kësisoj e tërë ngjarja e madhe e një rrugëtimi shumë të gjatë e plot sakrifica bëhet ekuivalent i kohës.

   Shikuar në pikëpamje kompozicioni të këtyre veprave, konstatojmë se vetë letërsia rezulton me atë se çfarë kanë bërë njerëzit tanë, dhe çfarë kanë “përshkruar” krijuesit shqiptarë, sa i kanë përmbushur objektivat e tyre, dhe sa është e qëndrueshme një vepër letrare në raport me kohën.

   Duke qenë se gjithnjë kërkohet profesionalizëm në mënyrë që letërsia të bëhet konsekuencë për një ekzistencë shpirtërore, megjithatë, ekziston edhe diçka që, jo gjithherë i ka përmbushur kërkesat e kombit. Edhe në kohën e monizmit janë bërë vepra që s’kanë qenë të “pëlqyeshme” nga sistemi, por tani për prezantimin e tyre kërkohet një qasje tjetër, ndërkaq për vepra të reja kërkohet mish dhe gjak tjetër; krijuesi duhet ditur rrugëtimin e kombit dhe synimet e tij dhe, jashtë kohës dhe hapësirës ai s’mund të dalë. Për një situatë çfarë ndodhemi, gjendja në letërsi është mjaft e volitshme.

   Kombi është boshti dhe organika e qenësisë, ndërsa pas fjalës së shkruar rri autori me qasjen dhe perceptimin e tij vetjak, i plotfuqishëm që ndjek një diskurs letrar dhe kombëtar. Pra, në formë biografike, letërsia ka përshkruar fatin e individit dhe të kolektivitetit, të vetë kombit.

   Letërsia dhe kombi përherë janë të pandashme, ndërsa vend qendror zë njeriu ynë, që në përjetimin e tij, duke mbajtur në kujtesë historinë e vet, nuk harron të kaluarën, e ngrit aktualitetin e së tashmes në shkallë më të lartë, me vizion të qartë për të ardhmen, si parakusht për të qëndruar në nivel me shtetet perëndimore, posaçërisht me ato më të avancuarat në botë.

   Pra, letërsia përherë i detyrohet jetës dhe në përgjithësi, qenies së kombit. Marrëdhëniet që i japin në koherencë njëra-tjetrës nuk janë vetëm pjesë apo çështje formale, por përmbajtësisht një sens i etikës së lartë të vetë njerëzimit.

 

                                                             2003

 

 

 

 

LIRIA KRIJUESE


   Duke kërkuar lirinë krijuese, në krijimtarinë e Gëzim Ajgerajt e gjejmë pa komplekse dhe ndrydhje në çdo kohë dhe në secilin libër qysh nga fillimi. Raportet me kohën, sidomos ato gjatë robërisë totale të vendit, për Kosovën e paraluftës, ishin gjithmonë në “konflikt”.

   Megjithatë, krijuesi, lirinë e të shprehurit, qoftë në të shprehur verbal, qoftë në të shkruar, brenda vetes e kishte ngritur me vetëdije të plotë dhe me guxim duke e bartur atë në artin e të shkruarit. Krijuesi, kishte edhe thënien, që padyshim duhet mbajtur në mëndje: “Kohën e bëjnë njerëzit, dhe rruga e drejtë e tyre nëpër kohë, do të sjellë atë që synojmë dhe dëshirojmë”.

    

LIRIA E FJALËS

   Realizimi i fjalës, në të shumtën e rasteve ka qenë i cunguar, në veçanti në vendet e Evropës Lindore, ku dominonin sistemet moniste, doemos edhe te ne shqiptarët. Ndrydhja e lirisë së fjalës lidhet ngushtë me lirinë e individit e të shoqërisë në përgjithësi. Shikuar nga ky kënd, ndrydhja e fjalës është e dëmshme jo vetëm për individin por për gjithë atë shoqëri ku mund të ekzistojë kjo dukuri. Në letërsi, liria e fjalës është çelësi për realizimin e veprës letrare dhe, kur ajo mungon, apo bëhen kufizime qofshin ato të natyrës së brendshme të autorit, për hir të reflektimit apo koncesioneve që mund t’i bartë autori, apo edhe nga cezura e jashtme, është i pamundur pasqyrimi komplet i mendimit në një vepër të caktuar, ndaj edhe pasojat nuk mungojnë, gjë që mund të vijë deri te absorbimi i pasqyrës reale në një vepër të caktuar.

   Megjithatë, pas Luftës së Dytë Botërore e këtej, letrarët vazhdimisht janë përpjekur, që brenda asaj lirie të kufizuar, të krijojnë pa u ndalur, dhe në një masë të caktuar edhe ia kanë arritur qëllimit. Krijuesi, Gëzim Ajgeraj, diku në shkrimet e tij thotë: “Lirinë e fjalës, çdo krijues duhet ta ndërtojë në vetvete, ta ushqejë atë dhe ta thotë me guxim, sepse duke qëndruar nën frikën e robit, nuk e kemi realizuar atë”.

                                                         2004

 

PËR KRITIKËN

 

   Vlerësimi si një nga pasqyrat shumë të rëndësishme të veprës letrare, nga Gëzim Ajgeraj, herë herë shihet edhe me syrin kritik. Kjo mu për faktin se sot, ose ka një vërshim të tepruar të kritikës dhe të kritikëve, ose nuk ka fare. Duke zbërthyer mendimin e poetit, qëndrojnë edhe njëra edhe tjetra. Kritika, kryesisht zhvillohet brenda klaneve të caktuara, brenda grupeve të interesit, brenda interesave të ngushta, pa pasur një qasje humane për letërsinë. Dhe kështu, sipas poetit na dalin dy lloj kritikash: Kritikë dhe "Kritikë" të vetëshpallur.

   Këta të dytët, sikur më shumë u shërbejnë interesave sesa artit. Në esetë e krijuesit, hasim edhe qëndrime kritike ndaj këtyre të dytëve, sidomos ndaj atyre që edhe një varg të shkruar nuk e kanë vënë në letër, ndërsa mundohen të “qërojnë hesape” thotë poeti Gëzim Ajgeraj.


KRITIKËT DHE “KRITIKËT”

 

   Kritika, si pasqyrë e një vepre autoriale vjen në forma të ndryshme, varësisht nga perceptimi dhe shija e kritikut. Vlerësimi kritik, është një mësim i mirë edhe për krijuesin por edhe për lexuesin. I pari, nga lëshimet që mund të jenë bërë në veprën e caktuar, ndërsa i dyti hyn më thellë në botën e perceptimit të një vepre. Këto janë vetëm dy nga elementet kyç, që e bëjnë të rëndësishme kritikën e një vepre, qoftë për anët pozitive, qoftë për ato negative të veprës. Vlerësimi real. - Shtrohet pyetja: Kush është kritiku dhe nga cili prizëm e vlerëson një vepër? Kjo çështje, tash për tash, te ne, është një çështje që duhet kapur me një sens të hollë dhe të kujdesshëm.

Zhvillimet e përgjithshme që kanë ndodhur dhe po ndodhin në shoqërinë tonë, jo vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, por edhe tash, kanë pasur mjegulli në këtë pikëvështrim, ndaj edhe ka qenë pakëz më vështirë për ndonjë vlerësim real.

   Nganjëherë, mund të haset edhe smira, interesat grupore, klanore, pa u lënë anash edhe dukuri tjera për qëllime të caktuara. Janë këto edhe reflektimet e çështjeve politiko-sociale nëpër të cilën po kalon shoqëria jonë. Tema për të cilën bëhet fjalë, duhet të përfshihet në një kapitull më të gjerë, thotë krijuesi, Gëzim Ajgeraj.

                                                                       2004

 

PËR DEBATIN DHE KRITIKËN

 

   Vija e parë që tërheq shkrimtari, është çështja e dallimit të nocionit debat dhe kritikë. Dhe jo pa arsye, sikur shpesh këto dy nocione ngatërrohen njëra me tjetrën dhe lindin probleme e polemika të cilat shkojnë në dëm të artit në rastin e studimit tonë. Debatet që janë provuar të ngrihen apo edhe janë zhvilluar, kanë përfunduar në kritika, shantazhe e fyerje, ngase, brenda tyre janë futur interesa të caktuara të cilat i kanë dëmtuar ato.

   Dhe jo më kot, problemi i ngritur kërkon vizion dhe vullnet, me qasje intelektuale, brenda kornizave pa pretendime, por gjithmonë në dobi të artit letrar. Pra, nëse fillohet një debat, të debatohet brenda niveleve të tolerancës dhe mirëkuptimit, pa qëllime të këqija qenësore për ngritje ose ulje të veprës letrare. Kritika, në kuptimin klasik të degradimit nuk sjell asgjë, pos largim nga ajo që synohet të vlerësohet. Krijuesi, kërkon që forma e kritikës të zhvillohet brenda reales, pa e keqpërdorur vijën vlerësuese. Le të ndalemi tek eseja.

 

DEBATI DHE KRITIKA

 

   Të debatosh do të thotë të flasësh për një çështje të caktuar, por për të debatuar, duhet të mbizotërojë dija dhe guximi. Sipas poetit, përvoja e deritashme, për debate letrare mungon, siç mungon toleranca për debat letrar.

   Kur këto dy nocione, debati dhe kritika ngatërrohen ndërmjet veti, është vështirë të arrihet edhe suksesi. Mbetemi gjithmonë te letërsia, megjithëse debatet mund të ngrihen edhe në shumë fusha tjera. Debatet më të suksesshme mund të jenë atëherë kur bisedohet për një çështje të përgjithshme, ndërsa kur kalon në çështje individuale, ka rrezik të ndërrojë drejtim dhe të marrë përmasat e kritikës.

   Në këtë pikëpamje, debatuesi do ta vërë veten në sprovë, dhe vështirë mund t’i qëndrojë besnik vijës së debatit, apo do të bjerë edhe në grackën e kritikës. Kritika është një “armë” e rrezikshme që duhet të përdoret me shumë rezervë. Ajo, gati gjithnjë, sjell reagimin e kundërt që ndoshta mund të jetë edhe hakmarrëse. Për kritikën, thuhet se: ajo nis rrugën nga diskutimet e grave të ndyra të rrugëve, te buzëqeshjet e djallëzuara të nëpunësve që shpërthejnë nga ashensorët e shtëpive të larta për t’u futur në një stacion hekurudhor nëntokësor (Watson). Ajo mund të jetë më shumë e dëmshme sesa e dobishme.

   Është e dëmshme sepse, ai që kritikohet nuk e përfill atë. Kështu, kthehemi përsëri te debati, i cili mund të ketë më shumë sukses se sa kritika që ngrihet nga dikush. Kjo vlen edhe për letrarët dhe letërsinë. Kritika, zakonisht largon simpatinë që mund të ketë pasur subjekti i kritikuar, kështu që, nisin armiqësitë dhe krijojnë ndarje, duke rrezikuar edhe mundësitë për debate.  

                                                                   2004

 

ANTOLOGËT DHE ANTOLOGJITË

 

   Sipas Gëzim Ajgerajt, në letrat shqipe, gjatë mijëvjeçarit që kemi hyrë, sikur ka dominuar një trend i ri i antologjive. Në kuptimin më të mirë të fjalës, antologjitë janë të mirëseardhura, si për artin, krijuesin, por edhe për lexuesin. Nëse kemi antologji të mirëfilltë, mund të themi se letërsia nderohet dhe pasurohet. Por, me gjasë, shihen edhe shenja negative, të cilat e shëmtojnë këtë zhanër. Krijohen antologji provincash, klanesh politike, grupe interesi, etj, etj. Dhe si të tilla, duke i njohur të gjitha këto çështje në brendi, nga syri i poetit shihen shumë të dyshimta në pikëpamje të vlerës që mund të kenë.

   Të bësh një antologji, do të thotë të bësh një përzgjedhje të krijimtarisë së disa poetëve dhe t’i përmbledhësh në një libër. Ka antologji të mira, joshëse dhe me vlerë. Por ka edhe të tilla, saqë ia nxjerrin bojën qëndrueshmërisë dhe vlerës së mirëfilltë letrare e artistike.

   Duhet pasur kujdes të mos hidhet në kosh gjithçka. Të mos dominojnë klanet e interesat përbrenda trungut artistik, shprehet poeti. Një gjë dihet: Letërsia i detyrohet kombit, prandaj, edhe duhet përmbajtur, duke mos shkelur rregullat e të shkruarit.

                                                             2004

LETRARËT DHE POLITIKA

 

   Është një çështje sa problemore aq edhe shqetësuese, si për krijuesin ashtu edhe për artin letrar në përgjithësi. Ka dy mënyra të perceptimit të këtij problemi. E para, siç thotë autori, nuk i përshtatesh një tabori, në këtë rast politikës dhe të hedhin në taborin tjetër, madje duan edhe të të përvetësojnë; së dyti, ka krijues letrarë që kanë hyrë me fanatizëm brenda merimangave të politikave ditore partiake, dhe kur dalin në letërsi, e dëmtojnë atë. Të gjitha këto zhvillime, hasen kudo, në Kosovë, në Shqipëri, po edhe në shtete tjera. Gëzim Ajgeraj, këto “vlera”, gjatë vlerësimeve, sikur i përjashton nga arti i vërtetë, madje duke mos i quajtur as art.

   Të jesh letrar sot, është shumë vështirë të gjendesh jashtë rrjedhave, në veçanti atyre politike që po ndodhin te ne. Brenda këtij kaosi zhvillimesh, deshe o s'deshe, mundohen të të përplasin të tjerët brenda një grupimi. Në fakt, kjo e dyta tingëllon shumë absurde, megjithatë, gati më realja që po ngjet në të vërtetë.

   Këtu vjen në shprehje grupimi apo politizimi i letrarëve. Letërsia, nuk guxon të vihet brenda këtyre kornizave e vellove ideologjike e partiake, madje të jetë edhe në shërbim të gardhiqeve politike. Letrarët e këtillë, jo që do të kenë sukses për vlera, por shpejt edhe do të dështojnë si të tillë.

   Le të mbetet përgjegjësi individuale e çdo letrari se sa do të jetë i përkushtuar për art të shëndoshë e të mirëfilltë. Letrari duhet t’i takojë letërsisë, politika politikanit, shkruan poeti dhe krijuesi Gëzim Ajgeraj.                                                          

                                                      2004

 

VLERESIMET, VLERËSUESIT E VLERËS DHE TË JOVLERËS

 

Për vlerësuesit e vlerës dhe të jovlerës, Ajgeraj paraqet zhvillimet e ndryshme brenda rretheve letrare dhe atyre jashtë letrare, ku individë të caktuar marrin rolin e vlerësuesve, pa qenë kurrfarë faktori brenda letrave të shkruara, apo pa publikuar asgjë. Por jo vetëm kaq, individë, grupime dhe qarqe të caktuara, me interesa dhe qëllime të caktuara, kur vlerësojnë, mbivlerësojnë apo nënvleftësojnë jashtë reales në letërsi, për të janë dëm i letërsisë.

   Njerëz të tillë dhe vlerësues të tillë, nga përvoja e sotme gjejmë mjaft. Janë interesa që gërshetohen brenda këtyre individëve, klaneve e grupeve, të cilat koha dhe arti i vlerave, do t’i hedhë në shportë vetë. Vlerat vetë i qëndrojnë kohës, por për momentin, vlerësuesit jo të mirëfilltë në pikëpamje artistike, i sjellin dëm letërsisë, krijuesit dhe artit në përgjithësi.

Vlerësimet e përgjithshme, të cilësdo natyre qofshin ato, janë gjithmonë të gabueshme dhe të papeshuara mirë.

   Vlerësimi kritik i një vepre, është shumë i rëndësishëm në letërsi, ngase këtu hapen apo mbyllen edhe portat e suksesit dhe të mossuksesit të një krijuesi.

   Si rezyme e gjithë kësaj që e thamë, eseja e Gëzim Ajgerajt, është shumë e pasur, siç është edhe vetë arti i rrethuar me çështjet e brendshme dhe të jashtme, të cilat herë herë, sikur ia nxënë frymën. Megjithatë, poeti e thotë, e shkruan, e nxjerr përtej vetvetes, duke hapur dritë për të tjerët, gjithmonë në të mirë të artit dhe të krijimtarisë letrare. Përmendim disa tituj të eseve të Gëzim Ajgerajt, të cilat zbërthejnë çështje të këtilla të cilat i qartësuan më lart, si: Në rrugën e artit; Për fjalën e lirë; Psudonimet; Analistët politikë; Fallxhinjtë e gazetarisë; Deklamimi i vargjeve para publikut; Fjalamanët e fushatave; Intelektuali dhe politika; Gjuha shqipe dhe keqpërdoruesit e saj; Krijimtaria si çështje individuale deri te rëndësia shoqërore; Letërsia nëpër mjegull; Letrari i partisë; Mushkonjat pickuese; Megjithatë veten e quan poet; Pelegrini i mallit; Ngritja e pushtetarëve; Përkthyesit dhe përkthimet; Liria blu; Prezantimi i krijuesit përpara publikut; Shkrimtar ose politikan; Shkrimtari dhe mërgimi; Pse shkruajë?; Shkrimtari dhe vepra, si autoritet publik; Pavarësia krijuese, etj. Janë këto disa nga esetë e poetit, të cilat kur të lexohen në përgjithësi, do të njihen më për së afërmi, për të ardhur në përfundim drejt rrugës nëpër të cilën po kalon letërsia dhe shoqëria jonë në përgjithësi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

13.

 

EPILOG I PAPËRFUNDUAR

 

   Nuk është mjaft të flitet e të zbërthehet vepra e Gëzim Ajgerajt. Ajo nuk mund të përmblidhet në këtë studim brenda këtyre kornizave, sepse bagazhi tij letrar e krijues, deri në këtë moshë që ka, kalon shumë përmasa të një uragani krijues në letrat tona. Prekëm vetëm disa nga veprat, duke i mbetur borxh krijimtarisë së tij edhe për shumë publikime tjera që kanë mbetur pa u zbërthyer nga ana kritike.

   Mendojmë se të paktën kemi dhënë dritë për veprën dhe personalitetin e krijuesit prizrenas, për atdheun dhe për artin universal në përgjithësi.

Me gëzofin e vendlindjes i kam mbështjellë shpresat

Që të mos ngrihen udhëve nëpër Alpe

 

Ngrohur i kam në vatër te oxhaku

Me zjarrin e dushqeve të Vërrinit

 

Ushqyer me misërniken e gjyshes

E gatuar në çerepin e baltës së *Llangave

 

Me ujë gurrash etjen ia kam shuar

Që të mos na zërë zjarrmia

 

E me këngën ndër male ushqyer ia kam shpirtin

Që të mos e mbyt harrimi i udhëve

                 SHPRESËN PËR KTHIM,

                   KURRË NUK DO TA SHUAJ

 

   Kritika për krijimtarinë e Ajgerajt, ka shkruar si para luftës së Kosovës, po ashtu edhe pas saj. Mirëpo, duke pasur parasysh punën krijuese dhe si poet larg qendrave të vendosjes, i mërguar larg atdheut, ka edhe mungesa në këtë mes. Kjo ndodh gjithmonë, kur krijuesit zakonisht jetojnë larg qendrave mediale e institucioneve vendëse.

   Megjithatë, kur kërkojmë brenda arkivave dhe shkrimeve të publikuara për krijimtarinë e tij e të ruajtur nga ai, për çdo libër të publikuar, gjejmë vlerësime kritike nga kritikë të mirëfilltë të letrave shqipe, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë.

   Gëzim Ajgeraj nuk synon imponimin. Punon në heshtje, pa u brengosur fare për sukseset, por gjithmonë me vizionin se sukseset e artit të tij vijnë nga pas, madje, duke folur vetë vepra e tij siç edhe po reflektohet fuqishëm te lexuesi.

*     *     *

   Vargjet e tij kanë estetikën, origjinalitetin dhe fuqinë e fjalës, të cilat janë bartur që nga vargjet e fillimeve të tij e në vazhdim. Vargu përcjell idetë, tablotë, peizazhet, mallin, e çdo gjë që ka të bëjë me lidhjen e gjakut e të pasurisë shpirtërore.

 

E lash të djeshmen duke kënduar nën lisa

Me vete e mora këngën e pakënduar dhe mallin

Ika dhe pa u përshëndetur s`më la loti

Dhe shkrumbi i nënës tek më puthi mes balli

 

E lash të djeshmen të m’i freskojë kujtimet mes këngëve

Me vete i mora ëndrrat dhe strajcën plot mall

Ika pa u përshëndetur pa i dhënë lamtumirën

Seç m’u hap në zemër atë ditë dhe një plagë

 

E lashë të djeshmen të ma ruajë ditën e kthimit

Me vete i mora shpresat dhe mbathcat në strajcë

Nuk i dhashë lamtumirën shumëkujt që i dua

Më pritni thashë, se kthimi një ditë ka për të ardhur.

 

                               NOKTURNO PËR IKJEN

 

   Vargu i tij herë herë nxjerr mendime të thella, që kanë shumëkuptimësinë e të kuptuarit, duke krijuar vështirësi për lexuesin e rëndomtë. Kjo veçori vërehet brenda strukturimit të fjalëve, brenda metaforave, duke u dhënë atyre shpesh edhe fjalë të moçme nga tradita, bashkim fjalësh, thyerje të vargut në gjysmë dhe shumë fshehtësi e elemente tjera që mbërthejnë brenda vargut.

   Të gjitha këto elemente, na japin të kuptojmë se Ajgeraj e njeh mjeshtërinë e ndërtimit, strukturimin e vargut, duke e ndërtuar atë me elemente që reflektojnë përsosmëri.

 

Mjaft më me ato lot malli nëna ime

Të lutem mos ma rëndo kurbetin, më bën të vuaj

Në mes ylberet e largësive tona dhe motet

Ti digjesh atje e unë këtu në dhe të huaj

 

Largësia në mes përvëluar na i ka ëndrrat

Shpresat e dikurshme për nipa e mbesa plot kullat

Djemtë, nipat e tu të tretur udhëve të botës

Me ëndrra tjera po rriten, ende s`duan të bëhen burra

 

S`duan të dinë për shpresat, dëshirat tona

Dhe këtë mall që na dogji neve të dyve në mes

Ende s`duan petkat e burrnisë, s`na ka ikur koha

E ç’ke ti e gjyshja, pse po u ngacmon ky ves

 

            MJAFT MË ME ATO LOT MALLI, NËNË

 

   Për sa i përket stileve në varg, ato në pamje të parë sikur ia imponojnë temat e trajtuara, por që në fakt, ai gjithmonë ia përshtat motivit dhe mesazhit që do ta përcjellë te lexuesi, duke e bërë atë sa më të kapshëm. Brenda gjithë ndryshimit të stileve, origjinaliteti i tij reflekton besnikëri ndaj artit, duke qenë vetvetja kudo që e hasim.

   Fjalori është mjaft i pasur, madje edhe me fjalë të reja, por gjithnjë duke mos i ikur origjinalitetit të traditës e të shqipes letrare. Vargjet bartin mesazhe, me karakter edukativ e dashuri për njeriun në shoqërinë tonë e më gjerë në botën universale.

   Vargu është pasqyra më e mirë e karakterit të tij sa njerëzor aq edhe human, që skalitet përballë dhimbjes, vuajtjes njerëzore, lëmoshës, plagëve të ndryshme, natyrës përreth, duke i bartur të gjitha ato në brendinë e vet dhe duke i përcjellë si mesazhe që kërkojnë zgjimin e ndërgjegjes njerëzore, sidomos për shtresat e larta të shoqërisë.

 

Në brazdën e këngëve të mia

Mbjellë i kam vargjet

 

Ujitur i kam në kroin

E gurrave të vendlindjes

 

E ngrohur me rrezet e diellit të Sharrit

Që të mbushulloj fruta vargjesh

 

Që bima e mendimit për të nesërmen

Të lulëzojë e çiltër ndër breza

 

         NË BRAZDËN E KËNGËVE TË MIA

 

   I tërë ky mision i vargut, godet fuqishëm, i lirë dhe pa komplekse, si një lajtmotiv i humanizmit njerëzor. I tërë shpirti poetik i tij, i shkrirë brenda vargjeve, reflekton çiltërsinë, duke qenë pasqyrë e botës që na rrethon.

   Na mbetet edhe shumë punë për të bërë e për t’u studiuar vepra letrare e Gëzim Ajgerajt, ngase ai, është i pandalshëm, duke shtuar çdo ditë e më tepër bagazhin e të shkruarit drejt letërsisë bashkëkohore, madje jo vetëm shqipe. Përmes këtyre zbërthimeve, sadopak, ndoshta është arritur të shpaloset personaliteti i këtij uragani të artit e të krijimtarisë në përgjithësi.

 

                                     Prizren, korrik 2012

 

 

 

Plotësim

 

DALLËNDYSHJA E MALLIT

 

   Gëzim Ajgeraj; "DALLËNDYSHJA NË VËRRI", botoi "Metafora", 2007, Prizren


   Duke lexuar librin me poezi për fëmijë të Gëzim Ajgerajt, "Dallëndyshja në Vërri", kapim motive shumë interesante nga bota e më të vegjëlve.

   Kështu, përmes vargut për fëmijë, poeti kap dy botë shumë interesante, siç është ajo e mërgimit e theksuar në këto anë dhe atë në atdhe. Këto, sikur flatrojnë kah njëra tjetra për t’u afruar gjithmonë afër. Në njërën anë ndërtohet bota e mallit dhe në anën tjetër njerëzit, afërsia, peizazhet e atdheut.

   Dallëndyshja, si simbolikë që fluturon gjithmonë vendeve të ngrohta, bart me vete dëshirat, dashurinë, mallin, porositë dhe i sjell ato te dëshirat.

   I tërë libri portretohet përmes botës së të vegjëlve dhe përmes figurave, veprimeve e lojërave të tyre. Dhe kështu, ndërtohen botëkuptimet e këtij libri. Libri bëhet tërheqës për t’u lexuar dhe si i tillë, lehtë përjetohet te lexuesi.

 

Dallëndyshja në Vërri
E sjell letrën fluturim
Shpendin fort e gëzon
Babai hidhet në përqafim

Dhe një këngë e këndon
Përmbi kulla cicëron
Flatrat Shpendi ia lëmon
Pastaj letrën e lexon

Kështu Shpendi e shpërblen
Bukë e ujë atij i sjell
Të dy bashkë nisin këndojnë
Mall e këngë i bashkojnë

DALLËNDYSHJA NË VËRRI


   Poezitë tjera si: Dëshira e mërgimit, Mërgimtari, Dua një aeroplan, Fëmijët e vendlindjes, etj.  

   Duket sikur plotësojnë misionin e dallëndyshes dhe trajtojnë mallin si metaforë në mes këtyre largësive që i ka krijuar mërgimi. Është një botë e tërë e fëmijëve si personazhe të cilat e bëjnë librin.

   Janë dëshirat e tyre, ëndrrat për të ardhmen, malli për prindërit. Dhe përmes kësaj shpalosjeje të botës së tyre, futemi edhe vetë brenda librit dhe si personazhe, dihet se gati i gjithë populli ynë, preokupim dhe plagë e ka mërgimin.

 

Merita i lutet mamit
Krahëhapur të vrapojë
Do të ngjitem qiellit
Te aeroplani të shkoj
...
Do t’i lutem babit
Mua të ma blejë
Xhaxhin Tani dhe Ardi
Në Kosovë të ma sjellë

   DUA NJË AEROPLAN


   Është ndjenja e vogëlushëve, malli i tyre, dëshirat që shkarkohen plot mall. Edhe botës së vogël të tyre u mungojnë njerëzit e vet të larguar mërgimit, dhe ata përmes dëshirave të tyre duan t’i kthejnë afër vetit. Edhe këtu, ndjenja mall është shumë e theksuar.

   Një shpalosje tjetër e botës së fëmijëve të vendlindjes, na vjen përmes poezive: Fëmijët e fshatit, Fëmijët e vendlindjes, Te kroi i lagjes, Dielli i vendlindjes sime, Te shpella, Te dardha e Gecit, etj, etj. E gjithë kjo botë, sikur të krijon ndjenjën, se poeti e bën një rikthim mbrapa, duke u kthyer edhe në vogëlsinë e vet. Brenda vargjeve shpalos kujtimet, botën e tij, si dikur kur ishte fëmijë.

 

Piqet rrushi edhe pjeshka
Dalim lart nëpër vreshta

Marrim pak ëmbëlsi
Ajër të pastër për mushkëri

Dhe pak ujë bjeshkës të pimë

Në hije Sharri të rrimë

E të kthehemi në shtëpi
Plot freski e ëmbëlsi

DHE TË DALIM NËPËR VRESHTA

Pas një rikthimi të përmallshëm, poeti sikur kërkon një çlodhje brenda bukurive të vendlindjes.

Në libër gjejmë edhe shumë poezi të karakterit edukativ, të cilat kanë një mision të caktuar për botën e më të vegjëlve, si poezitë: Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, Gjurmët flasin vet, Kur bie shi, Tre bilbilat e vegjël, Përrallat e gjyshes, Kush punon ka, Pema e xha Canit, etj. Dhe libri sërish përfundon brenda ylbereve të mallit.

   Përmes simbolikës së krahëve të dallëndyshes, kthehet malli i poetit.

Konstatojmë se libri, Dallëndyshja në Vërri, është libër, brenda të cilit mund ta gjejë veten çdo fëmijë.            

                                      Ilam Berisha, 2012

 

 

 

FAKTI     15 qershor 2002

 

MUZA POETIKE E DIASPORËS

 

NË KËRKIM TË NJË ESTETIKE TË RE TË MENDIMIT

 

(Për librin „Mallëngjimi“ të autorit Gëzim Ajgeraj)

 

AKUAREL I LIRISË

 

Mirë se vini në atdheun tim lule e pëllumba

Përtej fletëve tuaja flatrave mbytet bardhësia

Estetikë e vjetër estetikë e re digjet mendimit

Me nga një brushë në dorë me një letër plot bojë

Në dëshirën time ra e shumëkërkuara

Hyri kornizave mureve estetikës

Mbi shëmtinë e vjetër fluturuan lulet pëllumbat

Dhe u mbyt errësira

Hapësirën e pushtoi shkëlqimi

 

                                     SILUETA IME

Mos u digj

Silueta ime prej qiriu

Çlodhu ëndrrave të vrara

Ëndërro bardhësitë e bardha

Agimet e mëngjesit të ri

Dritën pranverën Kosovën

 

   Poeti Gëzim Ajgeraj, padyshim është poeti më produktiv që jeton dhe vepron në Zvicër. Ai në letrat shqipe është paraqitur diku në vitet `90, kurse në librin e tij të parë, „Klithmë malli“, në edicion të shtëpisë botuese „Rilindja“, na paraqitet në vitet 1996.

   Po nga ai vit, Ajgeraj ka botuar edhe disa përmbledhje të tjera si: „Ëndrra për parajsë“ (1997); „Qiellit po digjem“ (1998); përmbledhjet „Flakë në plagë“; „Kënga e babait“; „Urti popullore të Vërrinit“, ndërsa „Mallëngjimi“ është përmbledhja e tij e fundit e botuar në vitin 2000 nga „Rilindja“. Kohë më parë ka botuar edhe një libër “Intervista me komandantin Zafir Berisha”.

   Në poezinë e Ajgerajt dominon malli, shqetësimi, vërehen ikjet kolektive, ka ankth për fatet e atdheut, pra ka rrekje që përmes një gjuhe të përzgjedhur poetike, ngrit shqetësimet e mëdha, me ç`rast bie në sy një kujdes që këto shqetësime t’i përcjellë sa më qartë, ndërsa koha nëpër të cilën kaluam, rimave do t’u vinte zjarrmi:

 

     Dhe zjarri m`i djeg fjalët e letrat

     Ku nisin udhët e tej mbarojnë

     Dhe rimat rrjedhin rrjedh lumi i jetës

     Këngën e mallit tek e këndojnë

 

     Vargje këto të poezisë „Rima me zjarrmi“ nga përmbledhja „Mallëngjimi“.

   Megjithatë, poezia e Ajgerajt nuk mund të lexohet vetëm si shqetësim. Ajo, jo rrallë është tablo, vizatim i lirë i lirisë, krenari, optimizëm, etje e ndezur, thirrje e lehtë dhe e ndërgjegjshme për një estetikë të re të mendimit, ndonjëherë edhe duke shkruar një biografi tjetër.

   Gëzim Ajgeraj tani e më shumë se dhjetë vjet jeton dhe krijon në Zvicër. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe nga ky vit edhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës.

 

                                Përgatiti: Bujar Salihu

 

Sabri Bresa, prof.

 

SHTIGJE KOLORITESH POETIKE

 

Krijuesi relativisht i ri Gëzim Ajgeraj, sërish e gjallëroi ambientin kulturor këtu në Prizren me një përmbledhje të re poetike, titulluar "Mallëngjimi". Tabloidit të vet artistiko-letrar ia shtoi edhe një gjerdan filizikesh kreative që do të thotë se letërsia kosovare, këtu dita ditës begatohet me suvenire të reja të mirëfillta. Gëzim Ajgeraj, ka të botuara shtatë përmbledhje poezish, ku përherë i dëshmoi cilësitë e pamohueshme inventive letrare, në gjirin e së cilave çelin sythat e rinj vargnues me një mesazh, jetizuar nga nostalgjia e pozicioni impresiv i një mërgimtari, që brengat e njerëzve të tij i bart me vete tok me dashurinë e përjetshme që rregullisht metaforizohet në forma të ndryshme.

   Poezitë e tij vërshohen nga iluzionet subtile të autorit që lidhen me ideshmërinë, si parantezë e një deti aspiratash që populli i tij më në fund, duhet t'i përqafojë erërat e vërteta demokratike dhe ai si një paraprijës i vërtetë, t'u gëzohet atyre me sensin e një fëmije.

   Autori portretin e njerëzve të tij më të dashur e mban në gji, sikur ka frikë të ndahet nga ato, ku pas një glorifikimi magjik vargjesh, pas një shkrirje modale, na del i përsosur peizazhi dehës i vendlindjes së tij që permanent i mungon. Autori çdoherë gjendet në fokusin e angazhimeve të njëmendta, të inovacioneve narrative humane, ku tregohet si një udhërrëfyes i pinjojve të rinj: që ta duan atdheun e tyre mbi të gjitha, të mos zilikojnë mërgimin, sepse "lotët e mërgimtarit, janë më të rënda se pesha e margaritarit".

   Një të tillë gjë, Krijuesi Ajgeraj është duke e përjetuar mbi shpatullat e tij një kohë të gjatë. Vetëm disa ditë dhe ai do të kthehet pranë vatrës më se mallëngjyese, ngase vetja i përngjason një kazani bubulak, në të cilin janë sublimuar vrerosjet jetësore poliylberike, të një kurbetçari që shërimin shpirtëror do ta gjejë, kur do të marrë bekimin e ngrohtë të dheut të vet, të njerëzve që defilojnë nëpër poezitë, reliktet e tij të mbushura plot pezëm nga e kaluara që e ndjek pas si një hije amshuese...

   Në disa poezi qartësohet peizazhi i përkryer kosovar i një natyre madhështore, përmes së cilit sendërtohet ideja e së bukurës, duke e bërë atë të stëryshtur nga gjithë aderuesit.

   Me përshkrime sensuale, aty këtu bukolike, ai e ndjen thellë e më thellë pulsin e njerëzve që bashkëfrymojnë, e sidomos u referohet atyre që janë larg në mërgim. Vokacioni inkurajues, është si një formë e një proklamate ritmike poetike dhe njëkohësisht, ftesë për një kthesë sa më të shpejtë drejt "magnetit qendror spiritual", sepse vlerat e vërteta, njeriu mund t'i tregojë e fitojë, vetëm në trojet e veta të shenjta.    

 

                 Prizren, 2000   (Gazeta e KFOR-it)

    

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ilam Berisha

– Është i lindur më 9 gusht 1959 në katundin Arbëri të Prizrenit. Mësimet e para i ka marrë në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme, përkatësisht gjimnazin, e ka kryer në Prizren. Ka kryer studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike – dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, po ashtu në Prizren, ndërsa më vonë ka vazhduar studimet në Prishtinë, në Fakultetin Filologjik, ku edhe ka diplomuar. Është profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Merret me shkrime të zhanreve të ndryshme, si: me poezi, tregime, shkrime publicistike, e të tjera. Ka të botuara shkrime nëpër libra e revista të ndryshme.

Veprat e botuara:

   1. Aromë poetike (poezi) – 2002

   2. Ditari i luftëtarit (tregime) – 2004

   3. Masakra e Tuzsuzit – bashkautorësi – (monografi e luftës)

   4. Kritikë letrare; Gëzim Ajgeraj - poet i mallit dhe i krenarisë kombëtare (1), “Metafora”, Prizren, 2012

   5. Grup autorësh; “SHKREPTIMË NË HORIZONT”, (Krijime artistike kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë), botoi; Bibloteka ndërkomunale e Prizrenit, dhjetor, 2012, Prizren

   6. Gëzim Ajgeraj – Poet i mallit dhe i krenarisë kombëtare (1), “Metafora”, Prizren, 2013

Ky është libri i tij i shtatë.

   Që nga viti 2012 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të

Kosovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ILAM BERISHA

(Gëzim Ajgeraj)

NJË ZË ORIGJINAL I VLERAVE TË ARTIT LETRAR - 2

100 faqe; 20 cm

Viti i botimit: 2013

Prizren