Gëzim AJGERAJ

 

DEGË  E THYER

Përgatiti dhe zgjodhi

Ilam Berisha


Revista letrare

Prizren, 2007

 

 

 

 

DEGË  E THYER


1.


Gjeth i degës së thyer, e ndien veten shpesh poeti. Fillin e pëlcitjes e të thyerjes së përditshme i ndjen qysh moti, duke ia dëgjuar edhe klithmën që lëshon trungu dhe dega kur pëlcasin gjatë ndarjes. Gjeth i kësaj dege, që frymon ndërmjet këtij karvani njerëzish të arratisur nga trungu i atdheut. Trungu, është vetë atdheu, dhe, me degën e thyer e të shkëputur nga trungu, që vërtet po ngjet, nuk pajtohet poeti.


2.


Ikja larg atdheut, për poetin e ka zanafillën shumë herët. Dihet mirëfilli se, qenia jonë shqiptare përjetoi trazira të shumta. Migroi në Turqi, Junon, Azi, Evropë e Amerikë... e ku jo tjetër. Janë kolonë brezash të harruar, të cilët njëherë ranë nga filizat e kësaj dege dhe i mbyti harrimi.Pra, e gjithë kjo golgotë i ngjason gjethit të tharë, i ndarë nga trungu i vet. Dhe, ndodhitë e këtilla të cilat treten në hapësirë, që pasqyrojnë plagën tonë kombëtare, padyshim janë shqetësim që, figurativisht, i ndieshim në poezinë e poetit. Tragjika individuale, që nganjëherë merr përmasa kolektive, mund të parandalohet vetëm duke i bërë rezistencë asaj, thotë poeti.

 

3.


Kolonës së të shpërndarëve kudo nëpër botë, i përket edhe vetë Ajgeraj, megjithatë përmes vargut është përhapës i ideve që gjethi i trungut të mos venitet nëpër kohë të brishta që fatkeqësisht po e përcjellin kombin. Janë kronikë poezitë e kësaj përmbledhjeje që pikturojnë njeriun e arratisur, mërgimtarin e përmalluar, të harruarin mes të harruarve, të huajin mes të huajve, duke e zhveshur atë nga çdo maskim kozmetik që ndonjëherë dikush i bën ikjes larg atdheut.

 

...“Nën pëlcitjen tënde kanë rënë sa e sa gjethe
    E të kanë lënë plagë e zjarr në shpirt”...


Gëzim Ajgeraj, i demaskon ata që, kur kthehen në atdhe, vijnë të maskuar, duke proklamuar lumturi, kënaqësi, madje edhe pasuri që u sjell mërgimi. Për Ajgerajn “Guri rëndë peshon në vendin e vet”. Dhe, kush mund të ketë mallëngjim më shumë se Ajgeraj, të cilin tashmë dekadat e përcjellin larg atdheut, larg tokës së lindjes?! Megjithatë, poeti, me mish e me shpirt, prore është tek atdheu që të parët na e lanë amanet për ta kultivuar atë.

 

... “Dhe tani, përditë varen klithmës plot mall
     Harrimit i shkruajnë kronikat e dhembjes”...


4.

 

Është universi poetik i vargut të Ajgerajt, i cili tërheq lexuesin për ta njohur nga brenda klithmën e thyerjes së kësaj dege të kombit. Vargu fjalëpak, mbërthen në vete shumëkuptimësinë e fjalës brenda së cilës fshihet filozofia metaforike e poezisë së sotme shqipe. Ai nuk ndjek pararendës, përkundrazi krijon një stil të veçantë me një përkushtim brenda temës se mallit, që rrallëkund mund ta hasim, dhe e gjithë kjo, i ngjason maksimës: “Balta në atdhe, më ëmbël është se mjalti në dhe të huaj”.          Vargut të poetit i prin një ideal i lartë, që me fanatizëm e ruan në poezinë e tij.

“Me rrjedhën e Drinit

desha të vij

nuk më la guri“

               „Kukësi“


5.


Gëzim Ajgeraj, vjen nga një rreth i pasur me tradita kombëtare e atdhetare, ndaj, imazhi i vendlindjes, me gjuhë, kulturë, e ndjenja atdhetare, përherë mbeten pjesë e vargut të poetit. Vetëm traditat e forta e të shëndosha, individuale e kolektive, mund ta ndalin thyerjen e trungut ilir, shprehet poeti.

 

6.


Në vargun e Ajgerajt, pos tjerash, në mënyrë të figurshme mësojmë edhe për luftën e popullit, ata që sakrifikuan, që ky popull njëherë e përgjithmonë të bëhet i lirë. Ata që vepruan në prapashpinë e sidomos shtetet fqinje, përkatësisht Evropën që “mbaroi kurthe”, poeti në varg e quan “zonjë fustançjerrë”. Dhe, kësaj “zonje”, përkundër padrejtësive të bëra në kurriz të shqiptarëve, përmes vargut të poetit vërejmë se edhe në të sotmen i mungon ndërgjegjja e pastër përballë lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve.


7.


Poezia “Degë e thyer” është njëra ndër poezitë që flet shumë për tragjedinë tonë. Vargu, sikur të magjeps, ndaj edhe përzgjedhja titullohet me këtë emër. Ajo lëshon klithmë, zë,ndërgjegjësim, thirrje nga humbellat, drejt njeriut tonë të tretur.


8.


Këputëm vetëm një fletë nga pema e krijimtarisë së Ajgerajt, duke veçuar kështu një cikël nga notesi i poetit të mërguar për ta sjellë përpara jush një pjesë jete të këtij xhevahiri të letrave të sotme shqipe. Është nder dhe privilegj edhe për ne, që Ajgeraj hapi arkivat e shumta të krijimeve të tij, për të na e bërë të mundur përzgjedhjen ashtu siç na e do ëndja ne lexuesve.


   Prizren, 2007                    Ilam BERISHA, prof.

 

 

 

UDHË

Ra ajo fjalë u shkretuan kullat
Në lumenj lotësh u mbytën detet
Fort digjet balli largësive të mallit
Nëpër binarë shkrumbohet jeta

Mos plaga futi rrënjë në oborr
Apo na shituan lakmitarët e shekullit
Si t’i shkurtojmë e rrjedhën t’ua presim
Në mos të paktën t’i japim kuptimësi jetës

A përgjithmonë një lamtumirë ikjeve
Më dogje o varg të djegtë flaka
Pse s`u shkrove në një vend tjetër?!...

                                   Zvicër,13.8.1999


I MËRGUARI

Kafkës së tij digjet mendimi
Zjarri i shekullit bëhet hi
Fjala i mbaron harrimit
Një copë atdhe përvëlon në gji

Një mal urimesh përtej shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve
Në krah të dallëndyshes fluturon çdo ditë
Nis kah Kosova me të ndër male
Merr këto lule dhe pakëz dritë

Digjet Kosova digjet mendimi
Lumit të jetës shafran ditën
Brenda vetvetes e ndrydh zemërimin
Djeg kalendarët, e ikën, e ikën...



DEGË E THYER

Nën pëlcitjen tënde kanë rënë sa e sa gjethe
E të kanë lënë plagë e zjarr në shpirt
Dhe tani përditë varen klithmës plot mall
Harrimit i shkruajnë kronikat e dhembjes

Dhe sa herë që klith pëlcitjes
Gjethet e dhembjes pikojnë

Mbi ty shkarkuan erëra e furtuna
Kolona  ime, ti e di sa dhemb ikja
Pelini i saj i ngjan helmit

Gjethet e tua të thara nën degë
I mbyt vjeshtë e harrimit

Ligësi ka rënduar pëlcitjes sate
Mbi trungun tënd harbojnë furtunat
Erërat që me natë e ditë krasitin mallkimit

... ah kolona ime, degë e thyer
Merrmë pak dhe Kosove e varrosmëni dhembjet!

                         Zvicër, 2007





 

KLITHMË GJETHI NË DEGËN E THYER

S`dua të më zverdhin motet pa arbitër
As stihitë e stinëve në kohë të zjarrmisë
Dua të freskoj degën me flladin e mëngjesit

E dua ledhatimin e mëngjeseve të Sharrit
Puhiza e tyre të më ledhatojë damarëve
E kur merr vapë vera, etjen ta shuaj burimeve
Rrënjëve ta thith nektarin e tokës
Të mos më zverdhë kohë e përdalë

S`dua që degës sime t’i shkëputet  kërcelli
As t’i thyhen pipat që bulojnë mbi të
Ju lutem...
trungun mos ma dëmtoni

S`dua që unë të zverdhem moteve pa arbitër
Edhe pse jam gjeth i degës së thyer
E ruaj gjelbërimin e pranverës së parë
... se ushqehem nga trungu im

                     Zvicër, 2007



FATE DHE UDHË

Na polli koha udhë e u ndamë në dysh
Gjeografi e harta i blemë ardhmërisë
Dhe trastën e qepëm nga lëkura jonë
Për grushtin me dhe nga dheu i atdheut
E luleferrën e mbollëm në oborr
Drynin e shtëpisë nën një merimangë
Të na i ruajë ëndrrat nga dyzet hajdutët
Apo nga barbari mbi kokë të atdheut
Gabimisht udhëve shpresat i thurëm
Ndoshta fajin tonë s’na e kanë të tjerët
Që na marrin udhët e na mbyt lakmia
Prandaj ikjeve tona u duhet lamtumirë
A këtij udhëtimi një fund dhe largësi

                  Buchs, 13 shtator 2000



NË LABIRITHET E MALLIT...

Jam pelegrin i djegur në mall
Përreth u fishkëllejnë erërat e harrimit
Grusht i dheut në trastën e mërgimtarëve
Të paktën zjarri i fjalës le të vijë te ju
Dallëndyshet e plagosura përpëliten përreth mallit
Ora e tyre moti e ka humbur drejtmatjen
Verbuar harrimi i ka
Shtegtojnë ato udhëve plot mall
Shpresave të tyre ngrihet e ardhmja
Me ëndrrat plot që kërkojnë shpresë
Në dritën e së ardhmes

 

 

 

KRONIKË

Ikjet dhe udhët kishin ndezur mallin
Kulla mbyllur e vatra, zjarri fikur në oxhak
Gjeografi e harta i përpin hallet
Dhe një dashuri të lënë diku larg

Pak strehë e pak diell që u kish tepruar
Ndarë na kishin lënë dhe pak trotuare
Ia qëndisëm sheshet faqet ia zbukuruam
Evropa me ne hiqet zonjë e madhe

Dhe tani që portat ia kemi pushtuar
Ajo buzë përbuzur na sheh të vetmuar
Harruam ardhjet tona se nga kemi ardhur
Hiqemi të lumtur mjerë ne të mashtruar

                      Zvicër, korrik 2007


BALADË PËR UDHËT

Udhëtari i parë nisi e bëri udhë
Udhë bënë edhe shumë pas tij
Prej ikjeve dhe bota  u tkurr
Udhët ikën e bënë largësi

Udhëtarë me zë si ata kosovarë
Udhë mbi udhë i bënë botës hark
Do të rrjedhin lumenjtë s’do të ndalen ujëvarat
Do të digjen largësitë e do të digjen vargjet

Dhe pollën udhët siç pjell koha mushkë
Filiza e pipa plot ky dushk
Udhë e kryqëzime me largësi
Na e kërkojnë harrimin në këtë prush të zi

Dhe ikën udhëtarë të bardhë vijnë të tjerët
Të ndjerët të paharruarit të zitë
Udhët e tyre ikën një udhë të re
Trashëgimisë së udhëve u dhanë rritë

Sa kohë që udhëtarit s’i këputen gjunjët
Globi ky fatziu  kryqëzata e udhë
S’do të blihen libra për kokë veç për sofër
S’do të ketë dijetarë ta prishë këtë urë

                      
Zvicër, 19.2.2000




NËN LËKURËN E MALLKIMIT

Diçka e mirë sot m’i duhet mendimit
Apo rrënjës mallit koha kërkon udhë
Ku t’i gjej mbathëset lëkurës mallkimet
Dhe këtë lamtumirën që s’u pamë kurrë

Ç’farë t’i bëj mallkimit që ma kërkon borën
Ose floku i bardhë që ka nisur rrënjë
Më mirë sot një ikje se nesër pendimi
Dhe këtij mallkimi u pamë në një përrallë

Apo ta mbyll kohën në varg anës shpresës
Për nesër të shohim do t’i thërrasim pendimit
Ndoshta radhës udhëve u vjen lamtumira

                  Vaduz, 12 shtator 2000



KRONIKË

Mbeti udhët tona nëmës së mallkimit
Dhe ky zjarr yni vullkan i pari shuan
Ku t’i gjejmë mbathëset udhët e kthimit
T’i shkruaj këto mote në libër të harruar

Dhe ky malli ynë libër pa shkruar
Pranverat pa ne vajtën na harruan
Mbetën udhët tona peng e pendimit
Dhe ikjet me shi na rrodhën mallkimit

Dhe kjo plaga jonë udhë nëpër shekuj
Ferrë në oborr na mbetën nëmët
Vonë dhe shumë ikje erdhën tjera vite
Trashëguam udhët ardhjet pa pranvera

Mbeti kënga jonë e s’u rrit ndër male
Kujtimi i vogëlisë mbeti varur në degë
Vijnë e ranë pranverat e ikën pa ne
E kjo plaga jonë kronikës u tret

Si s’iu thyen dhëmbët e s’u ndez pendimi
E s’i zuri hataja malli e mallkimi
Këto udhët tona një kohë e vjetër
Një kronikë më pak në  një kohë tjetër

                        Zvicër, 14.8.2000


KOLONA IME

 

Plot ikjet plot udhët kupa
Mjerë atdheu pa ta
Në ylber malli i shkruan ikjet
Në kokrra loti etjet i shuajnë
Me një vullkan në gji
Dhe trastë në duar zjarri mbi ballë
Në stacione metro e qytete
Gjeografitë e botës kudo i ke
Me këngë në gojë e me buzë në vaj
Ia shuajnë plagët atdheut që s’e kanë
Dhe kur i zë vapa
Shqip vajtojnë
Motet s’i njohin arbrit
Katër stinë në një ditë i kanë
Kur digjet moti e kur nxihet qielli
Kur bën acar ujëvarat rrjedhin

Dhe guri qan i urti thotë
Kur zbresin kujtimet e kur ikin mallit
Kur vritet shpresa e digjet balli
Oh vaj halli për ta

2
Kur ia marrin këngës
Ah kur merr kënga
Dridhma buzëve e gjoksi kur gufon
Qan etje atdheu
Mallin ia trazon
Po qajnë nuk këndojnë
Mbushur shtambat i kanë
Në retë e atdheut
                
15.8.2000
DITA BUZË LIQENIT

Me flatra pulëbardhash flatron mbi liqe
Vapën e shkund deri në muzg
Mbi lëkurë tatuazhin ngjyrë bronzi

Buzë liqenit valën s’e zë vendi
Anije e tërbuar bëhet dallga bregut të lakuriqtë

Vapës së verës çlodhet mbi rërë shkëlqimi i ditës
që përcëllon mbi alpet e trazuara

Në horizonte hap krahët lirshëm
Me përqafime të ngrohta shtrihet mbi ne
Deri në thellësinë e liqenit fundoset
anija e shkëlqimit të saj

Deri në rrezen e fundit çlodh ashtin
e skllavërisë sonë që na rëndon
Dhe na i vjedh motet
pa e hetuar zbardhjen e tyre

Kujtimet bredhin në largësi ëndrrat në mall
Emri Kosovë puhizë e liqenit mbi ballë

Freskon udhët e ikjeve
pa e ndalur vrapin e moteve

Dita buzë liqenit Valense

         Valenshtat - Zvicër, korrik 2002
DITË PA KOSOVË

Err  e  terr  bredh  mungesës
vaj  dita  pa ty

Në  Dardani  e   Ulpianë  zbrita
e  në  fllad  të  Vërrinit
Për  një  sy  gjumë

Ndër  gurra   pimë  ujë  kaçakçe
I kënduam lirisë
Një tufë  lule  dëshmorëve

Vaj  për  ditën
që  na  zhuriti  largësive
Dita  pa  Kosovë

           Janar 2001









UDHË ME MËRGIM

Sado udhët tona të na lidhin harrimit
del një zog një beze e m’i bie pendimit
Sado gjeografitë të na hedhin përtej
del një mall atdheu e udhëve na djeg

Sado udhët tona të na mbajnë të larguar
del një gjuhë e plis na kërkon afruar
Sado udhët të mbushen filiza e pipa
del një zë shqiponje e lum bën për nipa

U shkretofshin udhët qofshin të harruara
kohë e ndarë në dysh e moteve të shëmtuara
Dhe kur motet tona të ikin harrimit
merrni këto vargje bëjini varrkujtimit

                       Zvicër,8 shtatorë 1999


UNË, VETMIA E PASHUAR

E  një  zjarr  i  heshtur  etjes  m’i  djeg
E  ma  shprish  largësinë  ëndrrat  m’i  kall
S`perëndon  me  diellin  e  lind  me  agun
Shtrëngatë  e  dhembjeve  të  përflakta  trazon
Etjen  e  ylbereve  të  ylberta  që  s`këputen
Largësive  të  largëta  e  të  përmalla
Nëpër shpresën  e  pashpresë  të  ardhjeve,
Të bardha  t’i  rendë  nëpër  ëndrrën
E  perëndimeve  të  agimeve të  paardhme
Me   shpresën  e  pluhurosur  thinjave  të  bardha
Për  barishtet  e  varura  largësive   të largëta
Për  gurin  e  drurin  e  dheun  si  mjalti
Fanar  i  ndezur  shpresave  të  paardhme
Nëpër metafora  e  vargje    të  përflokura
Ku  frymojnë  shpresat  e  digjen  largësitë
Terapia  ngushëllimi  e  ditëve  të  paardhme
Kandil  i  vetmuar  largësive  të   largëta

                 Zvicër, 29.1.2001


VARGJE E UDHË 

Udhët  e  ikjes  për  lotin  sytë  e  Kosovës
Gjaku  i  Arbrit  shprishet  mashtrimit  të  udhëve
Rreshtat  e  mallit  gjeografi  e  botës
Majave  të  plisit  thellohen  rrudhat

Klithmë  e  cicërimë  zhuritur  në  mall
Plaga  e  Kosovës  kortezh  në  funeral
Metrotë  e  Evropës  filiza  e  pipa
Gjakut  të  shprishur  të  Arbrit plotpërplot me nipa

Rrodhi kohë  lakmie  u  përzje  fisi
Këtij  marshi  mortor  humb  shkëlqimin  plisi
Vaj    për  ato  male  mjerë  për  ato  kulla
Udhët  edhe  ikjet  na  e  grisin  fisin


                            Zvicër,25.1.2001


PENDIMI I IKJEVE

Pendimi i ikjeve ma bluan mendimin
Koha që u shtang moti si s'u thye
Dashuri kah lindja rrjedh përtej harrimit
Një mbarim i ikjeve me të njëjtin krye

Në faqe kalendarësh na gjen të harruar
Mes udhëve e mbathëseve një kokë dhe dy duar
Një zog dhe një beze na nxjerr prej harrimit
Mes për mes këtij qielli m'i bie pendimit

Një diell prej malli djeg përtej këtij qielli
Një fole dashurie na ngroh me shumë mall
Çfarë t'u bëj dhembjeve oh si m'u kthye
E nga kjo humnerë pendimi o Zot të dalë

                                           1998

THATËSI E FJALËS

Kanë shteruar gurrat e mendimit
Thatësi e fjalës
U terën vargjet

Alfabeti i ikjeve po digjet mallit
Verës pa varg

Metafora e pikëllimit
I shtrydh dhembjet e udhëve
As pikë për lot s’ka mbetur
Për t’ia freskuar ballin

As kokërr djerse nuk gjen
Për t’ia shtrydhur zjarrin

Vetëm shkrumb
Në muzën e përvëluar të mendimit
                  

                     Shkurt 2004


NË PRITJE TË IDESË

Ka orë që e pres në shesh udhës po vonon
Po sa ngjitet mallit ballin ma shkrumbon
Nis udhë kah atdheu por mua më harron
Si nuk zbret bardhësive të paktën të më ngushëllon

Pritja ka zënë erë e u tret kërkimit
Udhëve e vetmuar përplaset harrimit
Kot e marr me të mirë kot e kërkoj kërkimit
Ma djeg zjarri i mallit udhëve të mallkimit

Kot i bie daltës kot qiellit e pres
Dhe deti i pendës zemërohet për besë
Nis vijat e mallit nisin e zemërohen
Metafora vargje rima nis tërbohen

Me krah të pëllumbit ra para zemërimit
Në fund edhe pritja shpagoi vonimit
Kohë e ndarë në dysh kronikë e kërkimit

                                        Zvicër,19.8.1999


RIMA ME ZJARRMI

Ku zë fill malli e hyn në një kronikë
Shkruhet e pashkruara e një moti plot mall
Dhe udhët kërkojnë retorikë
Një diell nga larg më djeg në ballë

Dhe zjarri ha fjalë e letër
Ku nisin udhët e tej mbarojnë
Dhe rimat rrjedhin rrjedh lumi i jetës
Këngën e mallit tek e këndojnë

Ikën kronikat e ikën rimat
Ylberet e mallit nisin e rreshtohen
Rrjedhin ujëvarat i pushtojnë shkretëtirat
Dhe malli i nënës sa vjen e shtohet

                          Zvicër,18.8.1999








PIPAT E FJALËS

Pipëzojnë ato sytheve të etjes
Blerojnë lisat e vargjeve
Dhembjet harbojnë vargut
Stinëve pa arbitër

Bryma e ikjeve i zvetënon
Pika loti lëngojnë vargut
Vapës së mallit

Me pesticidin e etjes i spërkas
Për mbrojtje nga moti i lig i udhëve
Prapë stinëve të mallit zbresin

Pipëzojnë ato truallit të dhembjes
Lëshojnë gjethe fjalës
E bëhen varg

                  Dhjetor, 2003



PËR VARGUN


        
Gjethet e mendimit rriten
         Në kërcellin e ajthshëm të fjalës
         Po ku i  ka rrënjët lisi i këngës?!...


LISI I DHEMBJEVE

Gurëve të fjalës lëshon rrënjë
Bëhet metaforë e plagës
Fjala në varg

Dhembjeve e shpalos lëvozhgën e fjalës
Lulëkuqe mbushen vargjet
Në metaforën e pikëllimit

E ushqej me shpresën e shkëlqimit të dritës
Prapë vesë e kap mendimin
Në gjethet e fjalës

Me se ta vadis mallin
Në këtë vapë fjale
Lis i dhembjeve të mia

                     2004

FJALA E PATHËNË

Rreth grevës së saj vrapon mendimi
Tingull i pakënduar moto e kërkimit
Etje e kallur mbyllur harrimit
Varg i pashkruar bardhësi e kërkimit

Kur nuk shkruhen libra e merr koka erë
Ku është mbyllur fjala e nga terri s`del
Digjet fjala mallit dhe digjet amshimit
Dritë kërkojnë udhët e dritë mendimi

Dritë kërkon fjala e dritë mendimi
Zukamë e një vape bari i harrimit
Fjalë e pathënë etje e kërkimit

                  Zvicër, 17.9.1999



ÇAST PA FJALË

Është më mirë të flasim për një kohë tjetër
sesa të na i marrë udhëtimet mendimi
Apo sa ta presim temën e kërkimit
që heshtjen e thatë mos ta mbytë harrimin

Më mirë është t’i japim fjalës kot qiellin
sesa të mbytemi qetësisë mendimit
Dikur paqen tonë do ta mbytë harrimi
çasti që s`mori fjalë e të ikë pendimit

Më mirë ta bluajmë kohën mall për një kohë tjetër
sesa kotësisë të na shuhet kohë e vjetër
Apo çaste të thata të bien harrimit
kohë e ndarë në dysh t’i bie pendimit


                                  Zvicër,17.9.1999


MBI KALLDRËMIN E JETËS

Eci kalldrëmit të jetës
me zjarrin e mallit në gji
mbi kronika ikën ditë

Çfarë t'i jap fjalës
pos mallit dhe imazhit alpin

Me se ta shuaj etjen e vargut
kur më mungon gjuha e Naimit

I huaj mes të huajve
me shpresën e kthimit në gji
i ushqej motet

E përmallte dhe kjo ditë
buzë liqenit në Buchs

         Zvicër, 22 mars 2007



VARGJE ME MALLKIM

Ma dërgon e ferrit  ma bloi mendimin
Koha që u nda koka si s’u thye
Çfarë t’u bëj mbathëseve ku ta gjej  pendimin
Dy duar dhe veten kokën për t’u kthyer

Liria matanë ma përbuz largësinë
Hijet edhe flladet freskohen mallit
Udhët edhe ikjet ndrydhen vetmisë
Nga dy zjarri ynë çarë t’i japim ballit

Kërkon ky zjarr sikur një mot tjetër
Vargut të kulluar e mallkon harrimin
Këtyre udhëve tona diku një fllad i vjetër
Apo ikjes sonë t’i shkruhet pendimi

                                   Zvicër, 2000


ÇASTE ME SHI

Vullkan largësive motet përvëluan
Orë e ndarë në dysh çastit i mallkuam
Marrin udhët ikën mendimi largësinë
Në krah dallëndyshesh malli rri e rri
Mallkon koha vargun për një çast tjetër
Llavinëe fjalës djeg përmbi letër
Digjet koka zjarrit e digjet mendimi
Kohëmbathësat e ikjeve shi i pendimit
Lirika e fjalës prehet në largësi
Qielli i kosovuar mallit në vetmi
Motet ndarë në dysh kronikë harrimit
Përvëluam pritjen udhët e pendimit
Udhët e mallkimit flamurtar të skllavërisë
Dritë e harxhuar rrezja e ardhmërisë
Mallit i shkruajmë letër e grishim në pendim
Çastet e zjarrmisë i përcjellim në mërgim
I pimë vapës verës helmin e pelinit
Majës së zjarrmisë i shuajmë shpërthimin
I mbytim kokën helmit për një çast tjetër
Plagës së mërgimit s`harron plagë e vjetër
Dhe kur vapës sonë s`i shuhet zemërimi
Atëherë çastin tonë e mbulon shiu

                                   Zvicër, 2000

ÇAST PA FJALË

 

Është më mirë të flasim për një kohë tjetër

Sesa të na i marrë udhëtimet mendimi

Apo sa ta presim temën e kërkimit

Që heshtjen e thatë mos ta mbytë harrimin

 

Më mirë është t}i japim fjalës kot qiellin

Sesa të mbytemi qetësisë mendimit

Dikur paqen tonë do ta mbytë harrimi

Çasti që s`mori fjalë e të ikë pendimit

 

Më mirë ta bluajmë kohën mall për një kohë tjetër

Sesa kotësisë të na shuhet kohë e vjetër

Apo çaste të thata të bien harrimit

Kohë e ndarë në dysh t’i bjerë pendimit

 

                                   Zvicër,17.9.1999



 

 

MONOLOG

 

Rastësi apo udhëtim i pafund

udhëheqin këto ikje unin tim

Duan mbathëse apo duan kthim

njëqind vjet largësi nëpër botë

Duan që unë një grusht i dheut

Sharrit që të çmallem me ty

dhe që ky mishërim me jetën

të na shpjerë në dritën e fatit

ku duan zotat e dëshirave

dhe të ëndrrave të paarrira

Nënë t`u verbuan sytë vetëm lot

te pragu i shkrumbuar në lagjet

e shkreta e te lisi e te hija e arrës

Deri te vatra e sofra e shtruar

Nën qiellin tënd bie një tel kitare

e mallin na ngacmon së largu

e rigon shi mbi vargjet e shkruara

Me shkrumb për këngët e mbetura

përgjysmë si kujtim i hidhur i ikur

duke fshirë lotët me shaminë qull

duke bredhur betejave si një flamur

i një lufte të humbur me plot skllevër

që vjen diku me ëndrrat e liga

si një udhëtim të moçëm të pafund

që me lot nisi e s`u mbarua kurrë

 

                         12.2.2000

 

 

 

ATA PO VONOJNË

 

Ç`përvëluam kokë udhë motgjata

Grykën e gjerë ia qepëm trastës

Na rrjep për së gjalli plakëmadhja

Kokëbardhë i çelëm kokës lulevjeshta

Më afër harrimit gurin e afruam

Përshpejtuam rrjedhën e lumit të jetës

Tani kumti i ikjes po vonon harrimit

Udhëve të gjata me dhembje e pikëllim

Pas atyre shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve

Pret votërshkreta e bërë blozë e hi

S`e mbaruam ende gunën e mërgimit

Digjet pritja avull ardhjes së vonimit

Bardhësitë e ardhura presin padurimit

Liri e Kosovës dritë m`i bën këndimit

 

                             Zvicër, 22.2.2000

 

DITAR I DITËS

 

Nga dritarja e largësisë

ikën ëndrrat e mëngjesit

Pa u çlodhur mirë amshimit

para diellit e nisi udhëtimin malli

e u bë rrufe qielli të dallëndyshes

As lamtumirë s`më dha as përqafim

Përtej shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve

Aty ku ia thuan një këngë lirshëm

Kosova larg ëndrrave të mia gëzohet

e unë mjerani i largësive të humbura

këtyre udhëve Evropës ia kruaj shpinën

Ndrydhi ditën kronikave bojëgjaku

pa kujtuar se borëbardha po vjen

Me gropat e lumit të jetës mbi ballë

e me një trastë malli mbi shpinë

 

                         24.2.2000

 

NJË SHI PËR TY

Sonte më shumë se kurrë pata mall

Ylberet e sosura janë mbushur me zjarr

Vetëm shiun për vete po e ruaj

Le të shuajnë etjen udhët me plagë

Këtij qielli të mbushur me re e brengë

Unë eci eci dhe s`di kah vete o zot

Unë udhëtari yt i humbur në këtë shi

Me ikjet që më ndjekin pas gjithnjë

Me largësitë që më verbojnë pa pra

Nga bukuria jote o engjëllushja ime

Tej meje i thura ëndrrat dhe këngët

Sot ti je dielli unë shtegtari i humbur

I harruar si Ago Ymeri kthyer pas luftës

Me ty në gji e pa ty këtu larg Kosovës

                                           29.2.1999

FATE E NJERËZ

 

Na polli koha udhë e u ndamë në dysh

Gjeografi e harta i blemë ardhmërisë

Trastës që e qepëm nga lëkura jonë

E grushtin me dhe nga dheu i atdheut

Luleferrën e mbollëm në oborr

Pragun e shtëpisë nën një merimangë

Të na i ruajë ëndrrat nga dyzet hajdutët

Apo nga barbari mbi kokë të atdheut

Mashtrimit udhëve shpresat i thurëm

Fajësia jonë na mbyti lakmia

Dhe udhëve tona për një lamtumirë

E këtij udhëtimi, një fund dhe harrimi

 

     Buchs, 13.9.2000

 

UDHË E ZJARMI

 

Ç 'përvëluam kokë ditët në largësi

Malli i qielluar udhëve përmbi rri

 

Ndrydhet rrënja jonë e shtrydhet mallkimi

Gjuhë e lidhur kryq shqipja bredh harrimit

 

Largësive të përmallta shpresa na merr krahë

Udhë e përdalë ditët na i ha

 

Ditudhëve tona i shkruajmë pendesë

Letër i çojmë mallit mos na lë në harresë

 

Dhe me mallin tonë e bëjmë një kronikë

I shkruajmë kohëpaardhurës shpresë në lirikë

 

                Zvicër, 16.6.2002

 

FJALA E PATHËNË

 

Rreth grevës së saj vrapon mendimi

Tingull i pakënduar moto e kërkimit

Etje e kallur mbyllur harrimit

Varg i pashkruar bardhësi e kërkimit

 

Kur nuk shkruhen libra e merr koka erë

Ku është mbyllur fjala e nga terri s`del

Digjet fjala mallit dhe digjet amshimit

Dritë kërkojnë udhët e dritë mendimi

 

Dritë kërkon fjala e dritë mendimi

Zukamë e një vape bari i harrimit

Fjalë e pathënë etje e kërkimit

 

                   Zvicër, 17.9.1999

 

 

UDHË E MALLKIM

 

Një shkëndijë drite m'i duhet mendimit

Apo rrënjës mallit koha kërkon udhë

Ku i gjejë mbathëset lëkurës mallkimit

Dhe këtë lamtumirën që s'u pamë kurrë

 

Ç 'farë t'i bëj mallkimit që ma kërkon borën

Apo floku i bardhë që ka hedhur shtat

Më mirë sot një ikje se nesër pendimi

Dhe këtij mallkimi u pamë në një përrallë

 

Apo ta mbyll kohën në varg a në shpresë

Për nesër të shohim t’i thërrasim pendimit

Ndoshta udhëve radha u vjen lamtumira

Ikjet edhe mbathëset metaforë e kthimit

 

           Lihtenshtajn, 12.9.2000

 

 

 

 

 

 

 

NOSTALGJI

Më vjen pranverës i përmalluar
Me sytë e zi qerpik rënduar
Thellë në zemrën e lënduar
E më gjen përvëluar

Ai lot në sytë e tu
Që gremiset sikur shi
Lumë rrjedh para meje
E më zgjon nostalgji

Flokut tënd por si ar
Derdhet erë e mallit tim
E unë kujtimeve ziliqare
I marr vitet në përqafim

Ikën motet mallit tënd
Fatit tonë të mallkuar
Ti atje e unë këtu
Kujtimet tona i mbajmë në duar
Ah, pranverë mall trazuar

                     2007








DËSHIRË E VRARË

I fali pranvera një lule në ballë
Një vashë me sy deti më mbyti në mall
Dritën i dha dielli qiellit flatëruar
Bardhësinë e borës flokëpraruar

Të lehtë i dha krahët flutur përmbi lule
Më vrau flatër e saj ëndrrat m’i përkule
E ligë u shtrua kënga se më mbyti vetmia
Shpresa u bë ëndrra përvëlon largësia

Bukuri e saj vret ëndrrat e bardha
Dehet ligësia e shtrohet përpara
Bëhen ëndrrat pluhur në këmbët e saj
Mollë e ndaluar një dëshirë e vrarë

Tani larg e kërkoj e dehem në mall
Ëndrra ndizet prush e zemra plot zjarr
E ikin kujtimet përvëlon vetmia
Mes largësive tona urë dashuria

Ah, kjo dëshirë sa më bën të mjerë
E ndjek nga pas veç ëndrrat m’i vjedh
Te hija e saj humbet e harruar
Digjen flakë shpresat diku të vetmuara

                        Mars 2004




MALL I PASHUAR

S'është mall i perënduar
Mall i vashës sy të shkruar
Faqekuqe buzë shkrumbuar
Mall që vret ikjes së shkuar

Vjen e zgjohet në pranverë
Kur mbushullojnë lulet me erë
Vjen e shtrohet në mes të mallit
Në të dyzetën pranverë

E më gjen të përmalluar
Udhëmërgimeve të harruar
Zëri i saj mall trazuar
Prapë më bën të rinuar

Shkon e vjen vjen e shkon
Pëllumbeshë qiellit të bardhë
E më zgjon më rinon
Shpresën time e mbyt në mall

                Pranverë, 2007









LETËR MIKUT

(Mikut tim, Ilam Berisha-poet)

Mik i dashur!
Të gjata janë udhët tona
sa gjeografitë e botës

Lot është bërë malli
vaj kënga

1.
Hej mik!
Kam njëzet pranvera që bredh
me strajcën mbi shpinë
e mallin në gji

Sheshe e qytete janë tonat
Përditë e më bukur i zbukurojmë ato
Evropës ia qëndisim fustanin
që më e bukur të duket

Vaj halli për ne
Udhët ikjet

Dyerve të huaja rrjedhin motet
I huaj këtu e atje
Përherë në rendin e dytë
nën mallkimin e harrimit

Udhë të Evropës
i qëndisim ëndrrat
për kthimin që s’po vjen

3.
E mban mend ikjen?
Qielli u nxi, mbi kulla ra shi

Atdheut praroheshin pranga për idealin tonë
e neve na dhembte shpirti për fjalën e lirë
Kujt t’ia shpalosnim dëshirat
e t’i hapnim zemrat?!

Gjokset i kishim bërë murana
për diellin e Kosovës

Me vdekjen piqeshim përditë
Ec e duro nën lëkurën e robit

4.
Motet e kuqe mbi Vërri
rrodhën pa ne
Hapën plagë të reja

Edhe pse s'isha në ditët e dhimbjes
Atdheut kurrë s’i mungova

Sa mirë që erdhi dita
e idealit tonë, mik!

Ende pikon ajo
Ende dhemb shpirti


6.
Tani kur Vërrini i shëron plagët
e netëve të ndërrimit të epokave

Vargu për atdheun është bërë forcë
Lirikat këngë e dhembjes krenare
për ardhjet e bardha
të mbytura në blu

E ne ia numërojmë plagët faqeve në libra

7.
Mik i dashur!
Neve na dogjën ikjet, udhët
Gjithçka është bërë mall
                 në këtë kapërcim

Largësitë kanë hyrë në mes
E ne flasin me gjuhën e harrimit
Gjaku i Arbrit po shprishet

Ah mik, - anija e fjalës shqipe po mbytet
në detin e fjalëve të huaja
Mik!
Më mbytën këto plagë

9.
Vargun e mbyti shiu
nën këtë qiell pa ombrellë

Gjaku i shprishur është bëre plagë
nëpër gjeografitë e ikjeve
Gjithçka kundërmon harrim

Vetëm Ti ia njeh plagën
klithmën e vargut tim

10.
Mik i dashur!
Merrma një këngë bjeshkëve
me jehonën e shqiponjave
Shter dhe notën e fundit të fjalës
me peshën e gurit

Këndo bukur me gjuhën e Naimit
që të marrë forcë fjala
që të rriten lisat
që të mbushullojnë kullat
plot shpresë për ardhjet e bardha

11.
Këngën e idealit mos e ndal
Këndo rimave
me zërin e atdheut
Edhe atëherë kur bën furtunë
e korbat sillen vërdallë

Jepi forcë vargut
edhe atëherë kur dhemb koha Migjeniane

Shpresat tona janë të bardha
Larg atyre që mbjellin terr

13.
E di ç`më porositi
dje një mik?!

Vargun e adoleshentëve
hidhe në shportë
Mos e lexo...

14.
Virusi i ligësisë ka hyrë
në çdo qelizë të jetës sonë
Ruaju mik

Sa më larg
nga ata që vuajnë nga kjo sëmundje

15.
Kohë e ligë po rëndon
mbi atdhe
Korbat i kanë rënë në qafë
gjakun me fije pambuku ia pinë

Edhe lirika
është mbushur plagë

Koha plot dhembje

16.
Jam mbushur mik
Fjala më është bërë klithmë e dhembjes
Vargjet janë mbytur në detin e lotëve
se më ka etje gurrat mali e fusha
kulla, nëna me shaminë e qullur te vatra
atdheu...

Janë bërë shumë...

Vetëm *metafora më mban
në këtë mërgim
Ushqim i përditshmërisë sime
Jetë...

17.
Mik i dashur! - Të fala....
... A T DH E U T!

          Zvicër, 2006


___________________________
*Metafora, - është revista letrare të cilën e editon poeti në çdo tre muaj në Zvicër dhe në Prizren.

KOHA PA NE

 

Epokë e kuqe rrodhi në largësi

Mote barbare plagë mbi çati

 

Ia pimë dhembjes helmin e pelinit

I këndojmë epokës këngën e më trimit

 

Në kolonë dhembjesh fjalën e bëjmë gur

Shpresës bardhësive Kosovës flamur

 

Mblidhemi rreth saj e e ndajmë pelinin

Udhëve motgjata e shtrydhim pendimin

 

Atdhe i kryqëzuar mizorisë

Korba karpatesh gjuhë e historisë

 

Ndrydhet fundshekulli në kodra e varre

Vuloset krimi i kohëve barbare

 

Letër na çon malli na thërret në bardhësi

Liria në flamur valon kuq e zi

 

                     Zvicër, qershor 1999

FJALË PËR LIDHJEN

Me ju kur sheshoj flas me historinë
Shpalos të kaluarën ardhjet të ushqehen
Mbretërisë suaj ideali prin
Të sotmes së ardhme rrezet i shkëlqehen
Shkëndijë e dritës më prin në guxim
Me atë fanar m’i ndriçon trimërisë
Është një ideal që nuk do kthim
Liri e atdheut dritë e ardhmërisë
Një shkëndijë prej stralli ndizet para jush
M’i flet historisë tash njëqind e njëzet e pesë vjet
Flakadanin ndezur s’ma shuan askush
Është dritë për breza flaka e lirisë
Me zjarrin e ndezur që s’e shuaj kurrë
Atdheut i këndoj me prushin e etjes
Lirisë i këndoj legjendat e trimave
Flakadani Juaj dritë e së ardhmes

             Prizren, qershor 2003



RIOKUPIMI I KOSOVËS NGA SERBËT
NË VITIN 1913


Ra Osmanllija u thye gjysmëhëna
Një shpresë drite u mbyt në tradhti
Në Dardani iku Azia e erdhën Karpatet

Një gjëmë ra në llap e Carralevë
U dogjën fushat
Ç'kob solli dita, kullave arbërore
Prapë ra mortja,
Mjerë ti shkaba ime krahëprerë

Natë shekullore, e zezë korb mbi Kosovë

Vdekja hyri kullave, ra shkrumb e hi
Gjarpri i zi ra në oborr, e mori hise
Zot ç'mallkim ra mbi dheun arbëror

Qielli u nxi e kobi ra mbi kulla
Frëngjitë s'jepeshin, oshtinin grykat
Etja për dritë s'shuhej, në kërkim të diellit
E nata s'mbaronte, gjithçka ngjante me gjakun
Dardania skuqej me mortjen mbi kokë
Rridhnin motet në lumenj gjaku, shuhej jeta
Kodrat u ndrydhën varreve
Plis i mjerë, ç'kob ka rënë mbi ty

Dhe nata arbërore verbonte
Etjes sonë për dritën, i rritnim djepat
Shpresat nuk i humbnim
Që fare mos të na shuhej
...
Dhe nata zgjatej e zgjatej
Shekulli e mori ngjyrën e gjakut

EPIKË

Kohë e ikur na e kërkoi harrimin
Rrodhi e kuqe damarëve të fisit

Atij plisi të bardhë e fisi të hollë
Erdhi ogurzeza i ra në oborr

Dhe kur nisi plaga të marrë dhenë
Nisën të flasin malet si me Skënderbenë

Nisën skuqen kullat dhe bjeshkët e gurrat
Flet trimëria bukur flasin burrat

Nisën flasin bjeshkët i këndojnë lirisë
Filloi t’i marrë ikjet satani i robërisë

Ngrihet Vlora e hapëron liria
Majave të fisit nis gëzon lavdia

Legjendave të fisit deri në shpëtim
Lavdi trimave deri në amshim

                                        1999








NËSE

Nëse ke zbritur një herë në Kosovë
e s’e ke takuar Prizrenin
ti nuk e di ç'është besa

As nënën Terezë nuk e njihje

Nëse të ka rënë udhë  në Kosovë
e s’e ke takuar Adem Jasharin e Drenicës
ti nuk e di ç'është qëndresa

Bacë Isai na pret në kullë
e bën roje pranë frëngjisë

Shpata e Skënderbeut
matet me rrezet e diellit në Prishtinë

Mos harro miku im
Merr pak histori Kosove me vete

                                 9 korrik 2005


FLAMURTARËT E LIRISË

(Heronjve   të  Vërrinit  dhe gjithë heronjve të Kosovës)

Juve  më  besnikë  ju  pat  atdheu
që kullat  e  krenarisë  të frymojnë  lirshëm
kur  na   turret  veriu  e  na  e  kërkon  harrimin

Ju  i  dhatë  jetë  nga  jeta  Juaj
Dritë  nga  shkëlqimi  Juaj
kur  na  e  kërkuan  vdekjen  me  natë

Me  Ju  liria  rrënjët  i  ka  në  gjak
e  shkëlqimin  në  qiell
nëpër  ditët  e  bardha

Ju  yje  të  pashuar  që  na  i ndriçoni  rrugët
edhe  kur  na i bënë  natë

O pishtarë  të  dritës  në  qiellin  e  atdheut
O  drita  të  pashuara  që  i  hapni  rrugën  njerëzisë
edhe  kur  na  bënë  mjegull  përpara
e  humbim   errësirës

Ju  i  dhatë  këngë  jetës,  shkëlqim  flamurit
në  festat  e  atdheut
që  të  shkëlqeni  historisë
sa  herë  të  na  përsëritet  ajo

Ju  hytë  legjendave  të  dritës
prej  ku  nis  e  shkruhet   biografia  e  atdheut
I  dhatë  ngjyrë  lirisë

I  dhatë  frymëzim  vargut  në  pendën  e  poetit
Ju jap fjalë, penda  ime do të  gjakojë  për Ju
O flamuj  të  atdheut!

                                   Qershor 1999

 

MALLI QË S’DO TË SHUHET KURRË

     (Rinisë heroike të Vërrinit)

Asnjë fjalë nuk e ndërruam si moti
Det më është bërë malli
Mungon kënga liria drita
Në oshtimë legjendash më vjen prej së largu
Sonte edhe fjala më del nga vargu
Nëpër histori ndizen kandilat
Ndërsa vetmia digjet mes ballit
Për fjalën etjen për bilbilat
Një dallgë prej detit trazohet ballit
Bjeshkëve të Vërrinit fluturon kujtimi
Rrjedhin lumenjtë gurra prej gjaku
Merr udhë legjenda e skuqet Drini
Gjithçka është ngjitur yjeve legjendave
Nëpër epikë ka marrë rrjedhë jeta
Më djeg një mall në mungesë
Kohë të historishme solli mesjeta
Ku rrjedhin gurrat e merr udhë jeta
Ku gjelbërojnë malet e frymon jeta
Ku blerojnë fushat e lulëzojnë sheshet
Kujtimet shkretojnë mallit

                               Zvicër, mars 1999






VARGJE  PËR    LEGJENDARË

Vetëm  legjendat  i  gjeta  dhe  lapidarin  o  trima
Kullat  e  krenarisë  që  frymojnë  lirshëm

Në  gojën  e   filizave  të  trashëgimisë
e  të  plisbardhëve  tek  oxhaku
Në  muret  e  dyert  e  llamarinta
duke  e  ndjekur  rrezen  e  diellit
që  na  e nxinin  retë  e  zeza

Në  gurin  e  legjendës  ku  shkruhej  biografia
e  dritës
Kush  thotë ka  pak  heronj   Vërrini?!
E  dini  sa  yje   ka  qielli,  i shihni  këta  në  lapidarë
Janë  më  shumë  se  yje  më  shumë   se  rreze

Me  ta  s`ia  zë kush  diellin  atdheut
as  kur  tërbohen  motet  e  bën    furtunë   veriu
as   kur   hienat  e  natës na sulen
Ata  të  zgjuar  rrinë
Besim, Agim, Fatmir, Avdi
Salë, Xhevat,Shefqet, Hasim, Alajdin, Bekim,
Nehat, Naip, Shahadin, Ibrahim
Bashkim, Ymridin,Alajdin,Feriz,Tahir,
Hysen, Skender,Hajdar e Hamit

Me  ta  matet  mali  e i  numëron  lisat
Me  ta  matet  fusha  e  i  numëron   lulëkuqet
Me  ta  matet  bjeshka  e  i  numëron  gurët
Ata   janë  më  shumë  se  lisat
Më  shumë   se  lulëkuqet
Më  shumë   se  gurët
Me ta hapëron liria e i numëron legjendat
nëpër lapidarët e atdheut

                                          Prill 1999


VËRRINI

Shtatit tënd shkarkuan mllefet barbare
Trupit të  la thonjtë urrejtja
Shtatorit çdo vit ia kujtojmë plagët
që rrodhën motit të përdalë
kuqtë e boncës së Sharrit deri në Drin
Lisave të tu ranë erërat e egra karpatike
Gurëve i thyen kafkat,

Ti e di sa të egra ishin furtunat e erërave barbare
Bukuria jote i vrau theqafjes
Shkëlqimi i ngritjes sate
që po vinte me diellin
Tani më dritë ndrin historisë së atdheut
që merr rreze nga rrezja jote shkëlqimndritur

                     Malësi e Vërrinit, 30.7.2003















AH, SIKUR TË ISHE SOT XHEVAT BERISHA ME SHOKË

1.
Ah, sikur të ishte sot
bre Xhevat Berisha me shokë
e ti gëzonim këto ditë të bardha në Vërri

Odave të bardha plot dritë
të mbushura me rrezet e lirisë
e telin t`ia këputnim çiftelisë
gëzimin ta derdhnim në kupë të qiellit

Me plakun plisbardhë
ta luanim vallen e lirisë
kah mbushullojnë bjeshkët në tupan

Natën ta bënim ditë
deri në rrezen e parë
të agut të ri

2.
Xhevat vëlla
Nuk e di si do t’i shkrinim
kujtimet e netëve të gjata
për Kosovën e lirë

Në Dukagjin e Drenicë
në Kukës e në Vërri
nga një flamur ta flatronim

Dhe sa herë bajlozi
t’ia ndalte flatrimit
Me hovin e Gjergj Elez Alisë
t’ia shpaguanim zemërimin

3.
Dhe, po të ishe sot
cicërimës së vogëlushëve
me abetare në dorë

Shkollën e re do ta gëzonim
filiza e pipa të ri
plotë do t’i çelnin Kosovës
sa mirë do t’i rreshtonim
brezat e lirisë

4.
Dhe, po të ishe sot
bre Xhevat Berisha me shokë
nënave tona do t’u thoshim
të na e pjekin misërniken e lirisë
në çerepë me saçin e bakrit te vatra

Ujë nga krojet e bardha të
Vërrinit të pimë
dhe gjakut tonë t’i japim vrull
në damarë, me vrullin e lirisë

Me zemër kreshnikësh
kaçakçe bjeshkës përmbi t’i rrimë

Kullat do të mbushullonin oshtimë
dhe forcë do t’u jepnin
ushtarëve të lirisë

5.
Dhe, po të ishe sot
kur ende na bën furtunë
atdheut, e përreth

me bacë Salën e gjoksin sa bjeshka
furtunë karpatesh
s`do të frynte më në këto anë

Me shokët e tu
Barbarit do t’ia paguanim të gjitha

6.
Dhe sot, kur i drejtohem lapidarit
më mungon shumë
edhe dëshmitari i kohës
që t’i mësoja të gjitha
ngjarjet e legjendës

Dhe Ti, me buzëqeshjen tënde
më thua se i di të gjitha
Unë druhem nga ajo

7.
Dhe sot, kur ma prekin Kosovën
këmishën e kuqe të saj
e m’i bëjnë prita lirisë,
me vete them:
Ah, sikur të ishe sot
Xhevat Berisha me shokë

Atëherë mbushem vrer
e rebelohem

E kërkoj fillin
e këtij lëmshi
e i them vetes:
Ruajna zot nga mallkimi i gjakut
Të paktën, shpëto Kosovën!

8.
Dhe sot, jam mbushur,
më shumë se kurrë, pa ty dhe shokët e tu:
Salën, Shefqetin, Hasimin, Alajdinin,
Bekimin, Shahadinin, Ibrahimin,
Nehatin e Naipin
dhe dy pleqtë: Asllanin e Izairin

9.
Dhe, po të ishe sot
bre Xhevat Berisha me shokë
pushkën do ta linim në frëngji
me grykë kah veriu
e t’i mprihnim pendët
e t’i shkruanim lirika atdheut
nga molla e kuqe
e deri në Çamëri


                 7,8 maj 2001.


 

DY HERË E PA BABAI VDEKJEN ME SY

Dy herë e pa babai vdekjen me sy
para grykës e tehut të satanit
dhe asnjërën herë s'iu trembe asaj
që prej gjashtëdhjetë vjetësh e prite diku
Dheut të të parëve s’ka kush më luan
Gjyshërve e katragjyshërve do t’ua ruaj varret
nga grabitqarët e veriut që na i matin kokat me tehe
Etjes së tyre për hartat,kokat, tokat tona
s’na rrezuan perandorë, cezarë e otomanë
as dhe veriu i zi, ky satan
Dy herë e pa babai vdekjen me sy
dhe sot e grin zjarrin e zemërimit
për atdheun që i dogji barbari i zi
edhe dymijë herë po ta shihja vdekjen me sy
mua nga këtu nuk më luan kush
Kosova është imja

       Malësi e Vërrinit, Qershor 1999










 

 

PLISI I VËRRINASIT

Ç'borë ia zbardhi
e s'ia nxin kohët

Në ç'gurë e mori qëndresën
që s'ia thyen furtunat

Kush ia dha krenarinë
e e mbajti mbi vetull

Bardhësisë së tij
harroi rreze dielli

Ç'bukuri e bardhë
mbi kokën e arbrit

Vërrinasi im

       Malësi e Vërrinit, korrik 2003











HAPE ZEMRËN NËNË

Nënë hape zemrën e ngushëllohu
Bëju vend nipave, mbesave pa shpresë
Po t’i sjellin plagët, dhembjet e tua t’i shërosh
Po t’i sjellin erëshkrumbi, erë Kosove njëqindvjeçe
Mbaji në gji, thuaj jo udhëve, ikjeve
Që dita e bardhë të të gjejë me ta
Evropës së Brukselit, NATO-s , Amerikës, jepi zemër
E m’u thuaj: Në ballë ta godasin Satanin
Djemve të maleve, UÇK-së mbushja dëshirat
O sot o kurrë kohë të historishme ka sjellë mesjeta
Vetëm kështu Isa Boletini do të prehet i qetë
Dhe plaku dhe Vlora dhe Bajram Curri
E Abdyli në mes prapë do të mblidhen
Dhe në Prizren Sulejman Vokshit edhe një jetë
Do t’i zgjatej, e Shota pranë Azemit e qetë do të prehet
Hape zemrën nënë bëji vend robit tënd
Deri në bardhësitë e afërta të nesërmeve të bardha

                                   1999






AKT I PAKRYER

Iku kohë e kuqe ra në një kurorë
Plagët e orëligës mbetën  në oborr
Bardhësia i këndoi tri herë lavdisë
Mbeti pemë e degë udha e lirisë

Amaneti i trimit thirr nga legjenda
Udhë e pathyer kërkon trimëri tjera
Mos zot kohës kuqe s’i duhet harrimi
Liria në udhëkryq prapë kërkon më trimin

Ndoshta motet tona kërkojnë lojë tjetër
Mos o zot Evropës luhet lojë e vjetër
Apo zonjën plakë e ka zënë tradhtia
Udhë e mashtrimit udha kah liria

Tradhtisë së vjetër nuk i zihet besë
Dhe pamja e gjatë humbet në harresë
Lirisë së Kosovës s’i duhet vonimi
Aktit të robërisë t’i pritet kapitulli

Pritja e bardhësisë dhe NATO ndërmjet
Frika e tradhtisë brezave amanet
Dhe koha e pritjes të mbyllet harrimit
Liria në udhëkryq peng i zemërimit






RICOPËTIM

Ndanë Shqipërinë me gurë e gardhiqe  
Shqipëri andej e këndej
Evropa në mes mpreh gërshërë
Fustanet shqipërizave ia pret

Shqipëriza andej e kendej, atje e këtu
Shqipëriza të vogla në mes
Vaj halli për krahët e tu zogu im
T’i preu Evropa, për besë

Vaj halli për krahët e tu, zogu im
Shqipëriza andej-këndej e atje
Ku të mbeti trupi, koka e gjymtyrët
E di se Evropa, krahët t’i ka prerë

                     Kosovë, 1999














SONATË E DHIMBSHME

Mbi shtatin tënd të copëtuar kafshojnë bishat
e reja, me etjen  moçme ushqen ardhmërinë

Çdo ditë përgjakin thonjtë shtatit tënd
mbi dhembjen e shuajnë etjen
Dhe, sa herë që pritët, t’u ngre furtunave
Rrëzuar t’i kanë lisat ato rrufe të egra
Dredhi e saj i përngjan kobit


Atdhe, Ti e njeh më mirë "mëshirën" e të ligës
Shtatit tënd të copëtuar plot plagë, shuajnë etjen
Duan të ta shuajnë emrin e zogut, copëtuar të kanë
Kujdes shkaba ime, mbërthyer të duan korbat
në kryqin e harrimeve


Thua se i ke rënë në oborr apo bishtin shkelur ia ke
shkaba ime e plagosur

                       Prishtinë, korrik 2005







MORINA

Gjithçka zbret nga kujtesa
Veç dhembja rri e varur pranë meje

Nëpër bardhësitë e ardhme
Trazohen kujtimet për karvanin
Me plot dhembje e plagë
S'ndalet rrjedha e Drinit
Gjaku shkon gurrë

Rrugët ndrydhen gjurmëve
Kurora andej e këndej
I bëjnë homazh gjakut

Gurin dua ta thyej
Majë kodre ndahet zemra
                      e atdheut

Drita e mundi terrin
Mbetën vetëm plagët
Atdheu im i përgjakur

Dhe bashkimi që nuk erdhi

         Vërmicë, verë 1999






KUKËSI

Me rrjedhën e Drinit
desha të vij
nuk më la guri

Me lundrën e ëndrrave
e nisa mallin
ma vrau xhandari

U desh t’ia ndërronim faqet historisë
Kapërcyem edhe legjendat
për të ardhur te ti

       Kukës, 16.7. 2005

















LUMA

1.
Të  kuqe  ma ke  këmishën
nëpër  histori

Kështjellë  qëndrese
nëpër  furtuna
Shkëmb  ku  thyen
kokat  e barbarëve
që  përpiqen
të na  e  hedhin
farën  e  harrimit

Muranë  e  atdheut
nën  shkabën  e  Ismail  Qemalit

Te  Kulla  e  Lumës
skuqen  damarët  e  Drinit
Barbarit  i  paguhet  fajësia

2.
Me  shkrepat  kryelartë
ku  përgjaken  motet   e  tërbuara
të  stinëve  pa  arbitër

Fusha  plot  lulëkuqe
kurorë   të  atdheut
lum  e  bukura  e  dheut

Malli  im  mbi pikëllim
dyzet  vjet
Mollë  e  ndaluar


3.
Në  ty  lindin  zanat
që  rritën  sokola
për  t’i  bërë  pritë  furtunave
rrebesheve  të  historisë

Besnik  amanetit  të  të parëve
legjendave  të  lavdisë
për ditë   të  bardha
flamur  mbi  shtizë

Fole  e  trimave

4.
Fole  e  përjetshme
e  zjarrit  të  lirisë
në  atdheun  e  ndarë  përgjysmë

Flamur  përtej  gurit  që  na  ndanë

më  rri  krenar  në  shtizë

Urë  e  pakëputshme
Edhe  atëherë   kur
vrullshëm  vërshon  veriu

e  bjeshka  çahet  përgjysmë

Lum  motra  ime  e  pandashme
s`na  ndajnë  as  në  përjetësi
5.
Motra  ime  prej  gjaku
damarëve  të  fisit

Strehë  e  ditëve  të  kuqe
për  motrat  e  vëllezërit
plagët  e  Kosovës

Përkrah  vëllezërve  përjetë
Barot  për  grykat
e  ushtarëve  të  lirisë

Bukë  kripë  e  zemër
për  motrën

Shami  e  lotit  të  nënave, motrave
në eksodin  biblik
6.
Mirë  se  vjen  në varg
të  kam  në  gjakun  e  pendës
rreshtave  të historisë

Dhe,  nëse të  kam   hyrë  në hak
të  më  falësh
trupin  na e  patën  ndarë
përgjysmë

Ti  matanë  krenare
unë  këndej  përpëlitjeve
urat  e  historisë
na i  patën  lidhur
në  zinxhir

Na  ndanë  në  varg
e  në  rritë
Luma  ime  fortesë  e
trimërisë!

                    Vërmicë, tetor 1999

STATUSKOHA

Ikën kohëzezat
as s'zbritën bardhësitë
Vorbulla e pritjes vlon në mes

Dhamë secili nga vdekja
I kënduam dritës
që s'po vjen

Gjatë ëndërruam
Pritjes iu zgjatën veshët
Lajmi i mirë s'po vjen

Kosovë, kujdes pritjes!!!

Kosovë,17 korrik 2003
4 vjet pas një lufte të përgjakshme e mizore















DHEMBJE NË PLAGË

Plagët e tua
ende pikojnë gjak
Ti dhembja ime
si ta shërojmë kohën,
më thuaj?
Kur do ta marrim vallen e lirisë
të mbushullojë kënga e fitores

Nga dhembjet shtrydhen kodrat tona
Plagët (me të cilat e shkruam
                        biografinë e dritës)
me melhemin e gjysmë-lirisë
dhembjes ia shërojmë plagët

Kohëkuqja është plaga jonë
nëpër ditët e bardha
Pa Ju na dhemb mungesa
Me Ju patën shkëlqim malet
kah i sfidonit territ

Tani, bardhësive i thurim këngët për Ju
jeni bërë dhembje në plagë

                 Prizren, 18.1.2005






MURGJËRIT E RREJSHËM

Nga janë e s`janë vijnë pa rroba predikësh
Me fjalë ungjillore e kollare
          Thikën prapa shpine e mbajnë

Me vete marrin statuskohën
Mjegullnajës hedhin hi syve
          Pritjeve të bardha ia zgjatin veshët

Mesha politike na mbajnë
Vetëm fjalët e ungjillit s`i thonë
Ah sa ju “dhimbset” Kosova

Edhe ninulla gjumi na këndojnë
Vogëlushit i kanë ndalur rritën
Në djepin e vogël lidhur këmbë e duar

Nganjëherë edhe “dëshpërohen”
Të drejta minoriteteve
Nuk e dimë kush ua ndalon ato

Para ikjes, i nxjerrin shpatat
Ia presin ëndrrat lirisë

             Gusht 2003






FARAONËT E PALLATEVE TË RREJSHME

Me fjalorin blu
Na i flasin paqes
Nga pallatet e rrejshme shesin përralla
Gjumit tonë shekullor

Herë herë në pikë të ditës
Na e vizatojnë lirinë e ëndrrave
Tek kolltukojnë mbi lëkurën tonë
E na hedhin hi syve

Mbretëria e tyre
Dorë e lavires plakë
Keq na nëpërkëmbën gjakun
Që e mbollën lulëkuqet e lirisë

Tani më janë bërë përrallaxhinj
Për mizat e sokakut
Kur e do puna
Popullit ia matin kamxhikun

Mbretërisë së tyre
Po i soset risku

Tragjik është përfundimi
... i kësaj mbretërie

                 Prizren, 28.8.2007


MOTIVE TË THATA

Ç`verdhësi e zbrazët gurgullon mes nesh
Të thata zbritën motet
Na u vizatuan trupit

As me dritë s`u ngop koha
Që u tha skamjes
Verdhëtërbuara thatësi

Shesheve qyteteve harbon
Cucërr strukur mbi gurë
Lëmoshverdha dergjet

Me vdekjen matet çdo ditë
Në front e pret zorrëthata
Lufta moti ka filluar

E verdhë është koha
Si kudo në Kosovë

    Prizren, korrik 2003










KOSOVËS

Duhet ta mësojmë
kumtin e mortjes
të ta duan emrin

Ndoshta duhet
t’i mësohet gjuha e krimit
të shkruhet biografia e lirisë

Me gjuhë profeti
si thyhet dreqit qafa

SHQIPËRI

Të vranë në zemër
Të vranë korbat

E nda të kanë

Me gurë e ndanë tokën
Ndan zemra

Po rrjedha e Drinit
s’u ndal

Ta zunë edhe frymën
të mbetesh e harruar

Po shpirti
s’u nda
              
27.1.1998
NJË TAKIM MES VËLLEZËRVE TË GJAKUT

Antonio Bellusci

Në Cyrih na mblodhi fjala, vëllezërit e shpërndarë
dhe gjakun e Arbrit - arbëreshin flokëbardhë
U pamë si dy vëllezër dhe pse s'njiheshim kurrë
një takim vëllezërish, përqafim plot mall

Ç'mister ka ky gjak ç'ag shumë na ofron
gjuhë e Kastriotit në mes, na bashkon

                                         Zvicër, Cyrih, 2005

















SA GJATË TË PRITA

Të kërkova nëpër netët e mia
si ëndrrën për të dashurën përpara takimit
Me duar të shtrira drejt teje
e me shpresë se ma ndjen klithmën
Të kërkova në këngën time në varg
duke menduar se të paktën më dëgjon
Ti endesh largësive të mia
E mbyllur në kafaz sa larg më rri
e më rrah kambanën në çdo çast
Ditët m’i përcjell funeraleve
Njerëzit varg e varg ikjeve udhëve
Shpresa nuk më këputet
Një herë do të ikë vrasësi
e do të shijojë me dashurinë time
që shkrumbon ylbereve të mallit
Në gishta t’i vizatoj rrezet e dritës
e ta mat shkëlqimin
Dhe kthehem si i dehur dhembjeve të
mungesës sate
Ti kujton se kam ikur
por unë i bëj lutje vetes të të pres
Të të takoj, të të përqafoj e të qullem lotëve
Të të përkëdhel si fëmijën e kërkuar
E sheh, kohë e kuqe iku
Agimet e bardha po vijnë
qiellit tënd të shkrumbuar
Sa gjatë të kam pritur liria ime
Sa më skuqe
                                 21.9.1999

RUAJENI   KUJTIMIN

Dhe kur një ditë do të ikim
ëndrrës që na kërkon emrit që e lëmë
Gurë mos hidhni hirit për mallkim
të paktën u pamë në një përrallë

Kur një ditë të jemi emër në hapësirë
e të ikim pluhurit nëpër harrim
Gurë mos hidhni emrit për mallkim
aktit që ishim lutje për tjetërsim

Kujtimin përherë të na e ruani
aktit që erdhëm e i lamë emrin
Gurë të mos hidhni harrimit të emrit
një rekuiem për aktin që s`jemi

Edhe kur të ikim nëpër harrim
emrit kujtim, gurit lulen
Mos hidhni gurë mbi varrin tim
tjetërsimit të paharruar

                 ntor  2002









NATA E TJETËRSIMIT

(Kushëririt tim, Sabri Ajgeraj)

Kujtimit të tij heshtin fjalët
dhembja ngrihet ngritjes së tij
tjetërsimit që na ndau  e e mori

Ndoshta ty të thirri jeta me vdekjen
me dhembjen që dhemb mes nesh
për të na lëne pikëllimit me natën

Ne tani i gdhendim kujtimet e jetës
tjetërsimit i ndezim qirinjtë e dritës
Një lutje për shpirtin tënd emrit që na e la

Dhembjen e shtrydhim heshtjes
kokrrën e lotit e derdhim
për natën që erdhi pa ty

Zemrës i japim forcë
me ritakimin tonë në botën e tjetërsuar
që na pret
                       17 nëntor 2002








ATY KU PUSHOJNË ËNDRRAT E TUA


Je mbytur në botën e mallit
botë e shkrumbuar e një gjeografie
Të ngatërruar
Shëmti e vjetër në lirikë

Kthehu atje ku flenë ëndrrat e botës
në ato fllade Vërrini
ku freskohen zotat e dashurisë

Kthehu atje te kënga e lënë përgjysmë
ku ditët nisin e mbarojnë me të
të mos digjesh prapa ylbereve të mallit
                                                                    

                         Zvicër,27.1.1999















NJË LETRARI

Kot rrah daullet me natë e me ditë
Më i miri varet në një varg
As ty e as mua s'të kanë pritur
Se moti ka lindur ky art

Janë mbushur faqe e libra
Teori e përralla ka mjaft
Nuk është varur  kjo letërsi
Në tëndin varg

Më i miri ndër më të mirët trumbeton
Dhe përralla për miza tregojnë gazetat
Thonë ke miq të mirë
Kritika ka hallet e veta

Njeriut në jetë shpesh i rritet mendja
Ka kriza deri në skizofreni
Por se vargu yt s'ka letërsi
sinqerisht e di

Ruaju kritikës së miqve
Kur të lëmojnë e lavdërojnë poezi
Të duhet edhe shumë punë në letra
Tani më je plakur s'ke kohë as ti

                      Zvicër, 2007




AMANET VOGËLUSHËT E MI


Udhë e pafilluar ma kërkon kallirin
Mall i stërngarkuar ma vjedh qiellit shiun
Vrap i pafilluar mos merr udhë me diellin
Shtatë bjeshkë e shtatë dete mos u jep dëshirën
Ndryshkut të binarëve mos e var mëshirën
Kërko diellin tënd atë më të mirin
Besnik amanetit bëma mal dëshirën
Thur për mua një këngë e mos më qaj dot
Digj grykën e strajcës e udhët mallko
Nën hije të Vërrinit dil mallin kërko
Nëse s`mund ta gjesh mbi prag mos harro
Ndiz kandil për mua e më pikturo
Ngjitu nëpër kulla shkrumbit më kërko
Udhët që s’u thyen sa të mundesh mallko
Amanet biri im...
Mos pi shafran
Nga gota ime se të zë mallkimi i tokës
Kosovës

                                  1999









KTHIMI NË ATDHE

Nën pikëllimin tënd ta lexova dhembjen
Pleqve u shkrova biografi
Nëpër shkrumbin tënd t`i mblodha varret
Vargut i dhashë ngushëllim
Për rrobat e tua të zeza që t`i veshi kohë barbare
Përpjekjes për ditët e bardha që erdhën
Lulëkuqeve e shpalosa dhembjen e shpirtit
Mungesës i shkrova rekuiemin
Për ata që na ikën e më s`u pamë
Për bardhësitë e ardhme mbi qiellin tënd
E skuqën epokën i vunë emër fundshekullit
Që  po ikën  e po na  lënë  plagë
E kthimeve tona na bëjnë të pikëlluar
Ditët e përkujtimeve të mbushura lulëkuqe
Mermerit të bardhë ku i ruajnë emrat
E atyre që i hapën portat e kthimeve tona
E s`na pritën kullave po ikën legjendave
Trashëgim ndër breza na e lanë atdheun
Dhe rrezen e diellit të na ngrohë të lirë
E kthimeve tona na nxjerr nga harrimi
I udhëve të humbjes që na dogjën përmallimit

                                       Vërri, 1999







PRITMË NËNË

Pranë gurit të vatrës në pragun e shtëpisë
Nën strehën e llamarintë ku bari varet shi
Me shikimin kah dielli që djeg prej mërzisë
Ngrohu kujtimet e shpresës së kthimit tim
Unë do të kthehem plisbardhë pa plis
Me kujtimet e ikura moteve pa ty
Vetmisë sate e simes plot errësirë
E ta ç`lodhim mallin në vjeshtën e vonë
T’i djegim motet e hidhura të largësive
Nën tingujt e këngëve për nipat si lisa
E nuset që do të na i mbushin oborret
Stërgjyshes e gjyshit t’ia numërojnë
                                thinjat mbi ballë

                               Zvicër, 21.3.2002


DERI TE DRITA

 

Udhët njëherë të marrin

kthimit nuk i dihet

 

udhëtojmë moteve pa arbitër

 

deri te dita

dita e shpresës së madhe

mbetur ka edhe shumë

mëngjesi po vononte

 

             21 maj 2006

DITA KUR MË MORËN IKJET U MBYT NË SHI

Dita kur më morën ikjet
u bë plagë në zemrën tende
Më fal nënë

Qielli u mbyt në shi
Vërshuan udhët

Dy dekada ikjen
nga ajo ditë plot lot
që t’i vrau shpresat
e nuk t’i ktheu më

NËNË, MË FAL PËR
LOTËT E TUA


Nënë
si të ta fshij lotin
Unë rob i udhëve

Largësia në mes
u bë lot në shami
E di

Po si t’ia bëj
me udhët
Unë zog i arratisur?...



ETJE PËR FJALËN
NËNË...


Kur më pushton
malli yt
Ngrohtësia e mungesës sate
më djeg
Largësia bëhet etje
për thirrjen
Nënë...




SOT PO TA NIS MALLIN

Për sonte
po ta nis mallin

Nuk më ka mbetur
asgjë pranë
pos etjes për dorën tënde
mbi ballin tim
dhe zjarrmisë
që përvëlon

Oh,
ç'zjarrmi kam sonte
Nënë...



UDHËVE TË MIA NDJEJ

NOSTALGJI PËR TY

(Qytetit tim)

 

NOSTALGJI

 

Qiellit tënd

nostalgjia bie si pika shiu

e shtrohet shtatit tënd

si fllad Lumëbardhi

shesheve të tua

 

Seç më mungon

në këto udhë

ikja

e më fton

në sedrën tende

 

UNË VAZHDOJ TË TË DUA

 

Ti vazhdon

të më presësh

ikjen time

e dogji malli

pa ty

 

Më merr njëherë

në gjirin tënde

në ngrohtësinë tende

ta shijojmë

dashurinë

 

TANI MË

 

Nëpër këtë udhëtim

kthehem i shpalos ditët

kur ishim bashkë

me serenadat e verës,

aromën e zambakëve të tua

e këngën e Lumëbardhit

tek e shoqëron nën kala

mbrëmjen tonë

 

Tani më

ato janë bërë etje

i mbyti malli

i mbrëmjeve pa ty

 

 

 

PËR SONTE

 

Sonte e ndaj

vetëm një dëshirë

 

Të jem

pranë shesheve të tua

e me gotën

e mallit tone

ta shtrydhim deri në

pikën e fundit

etjen

buzë Shatërvanit

 

SHPRESA MË MBAN

 

Vitet po ikin

pa njëri tjetrin

 

Shpresa më mbante

se një ditë

do të jemi bashkë

e ta djegim

këtë mall

të udhëve të mia

 

Dashuria për ty

fle thellë në shpirtin tim

 

VAZHDOJ TË TË DUA

 

 

Unë vazhdoj të të dua

me afshin e parë

tani kur pranvera

i trazon kujtimet

nostalgjia të të kem pranë

më ka pushtuar

 

Etja u dogj mallit për ty

nëpër këto udhë të mia

 

       22. 3. 2006, Zvicër

 

 

PRIZRENI

 

Maje vetulle mban plisin

Orëve të zgjuara

Prin përpara

 

Kandilin e ndezur ma ke

Për dritën e bardhë

Në ardhmëri

 

Dhe fjalën e atdheut

Ruajtur ma ke

Besën e kombit

 

     mars 2004, Prizren

 

 

 

 

 

 

SHËNIME PËR AUTORIN


Gëzim Ajgeraj, poet i arratisur larg atdheut, përreth dy dekada, apo me mirë të themi gati gjysmën e jetës së tij e kaloi jashtë vendit të vet. Zvicra ishte stacioni i fundit, kur në vitin 1988 u arratis nga atdheu i robëruar dhe mori botën në sy. Ai flet me nostalgji për vitet e rinisë, vite këto që u rrit e i kaloi në qytetin e bukur, në qytetin e lashtësive historike, në qytetin e Abdyl Frashërit e Ymer Prizrenit, buzë rrjedhës së çiltër të Lumëbardhit. U lind në Vërrinin heroik dhe gjithnjë rezistues në luftërat për çlirimin e vendit nga okupatori. Shkollimin e mbaroi në Malësi dhe në Prizren për të vazhduar më vonë edhe në Zvicër. Ishin vitet e rënda, vitet e lëvizjeve të mëdha në Kosovë kur Gëzimi u largua nga vendlindja, duke qenë i pranishëm me tërë qenien pranë dheut të lindjes. Gjashtë vjet veprimi në ilegalitetit, moralisht u kalit, tradicionalisht i frymëzuar nga një ideal i lartë drejt përpjekjeve për çlirimin e atdheut. Gëzim Ajgerajn, kurdoherë e gjejmë të pranishëm nëpër demonstrata që organizoheshin kundër shtypjes e shfrytëzimit nga ana e okupatorit serb. Gjatë viteve '82-88 dha kontribut shumë të çmuar rreth shpërndarjes së materialeve propagandistike për vetëdijesimin e masave të thjeshta të popullit. Në vitin 1988, nga njerëz të besuar qe njoftuar se së bashku me shokun e tij S.P., nga shërbimet sekrete të shtetit okupator përgatiteshin dosje dhe se së shpejti do të arrestoheshin. Për t’u shpëtuar kthetrave të këtilla, detyrohet të largohet nga atdheu, gjoja për shkaqe ekonomike.
Krijimtaria e tij letrare fillet e para i ka që nga klasat e para të fillores. Më vonë, kësaj dhuntie, filloi t’i përkushtohej edhe më me shpirt. Shkrimet e tij i gjenim të botuara në shumë revista e gazeta të kohës, po,për shkak të censurës, jo gjithçka e shkruar nga Gëzimi gjente dritën. Gjatë viteve 1988-1989, u bënë lëvizje të mëdha në Kosovë. Gëzim Ajgerajn e gjejmë kudo, në Gjenevë, Bernë, Cyrih, Prizren, Prishtinë, e deri në Hagë, gjithnjë në shërbim të kombit e atdheut.

Duke përfunduar, fitojmë përshtypjen se, Gëzim Ajgeraj, veprimtarinë në shërbim të atdheut më me ngulm e ka filluar që nga viti 1981, që nga vitet e para të shkollimit të mesëm, duke mos u ndalur deri në përfundimin e luftës më 1999. Ndonëse larg atdheut fizikisht,veprimi i tij, tashmë edhe më i mobilizuar në shërbim të atdheut, kudo që kishte vërrinas e të tjerë shqiptarë nëpër Evropë, Gëzimi qëndronte në ballë të organizimeve për ta ndihmuar luftën edhe moralisht edhe materialisht duke gjetur përkrahje të plotë nga shokët me të cilët bashkëpunonte.


                                 *         *       *


…Është e pandashme krijimtaria letrare e tij gjatë gjithë kësaj kohe. Që nga viti 1987, filloi të botojë thesar librash, si:1.”Klithmë malli”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë,1997; 2.”Ëndrra për parajsë”, poezi,“Rilindja“,Prishtinë, 1998; 3.”Qiellit po digjem”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998; 4.”Flakë në plagë”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998; 5.”Kënga e babait”, poezi për fëmijë, „Apolonia“, Prishtinë, 1998; 6. “Urti popullore të Vërrinit 1”, (bashkautorësi), „Apolonia“, Prishtinë,1998; 7. “Mallëngjimi”, poezi, „Rilindja“,2000; 8. “Balada e Vërrinit”,  K.L. „F. S. Noli“, Prizren, 2001; 9. “Rruga e lirisë”, dramë,  „Meshari“Prishtinë, 2001; 10. “Rruga e lirisë” (intervistë) me Zafir Berishën, botoi Asociacioni i Veteranëve të ish- UÇK-së – Prizren, 2002; 11. “Atdheu në trastë”, cikël me poezi, e botoi revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV, Prishtinë; 12. “Pëllumbat e lirisë”, novelë për fëmijë, Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2004; 13. “Ditët e bardha”, novelë për fëmijë, Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren 2004; 14. “Atdheu i copëtuar”, cikël me poezi,  në librin “Pikoi molla gjak” (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR-Departamenti i Çështjeve Jorezidente, Prishtinë, 2004; 15. Cikël me poezi, “Udhë e zjarrmi”, në librin “Muzat i bien lyrës”, Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2005; 16. “Lulëkuqet e Vërrinit”, Edicioni “Metafora”, poezi, Zvicër 2005. 17. “Zana në mërgim” (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007;
18. “Huqet e Benit”,(poezi për fëmijë), ”Metafora”, Zvicër, 2007; 19. “Bosi lepurushi”,  fabula, ”Metafora”, Zvicër, 2006; 20. “Gjëegjëza”, ”Metafora”, Zvicër, 2006;
21. “Dita me Tonin” (Poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006;
22. “Muajt e vitit me Ardin” (Poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006; 23. “Dallëndyshja në Vërri” (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007; 24. “Kroi i qytetit tim”, (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007; 25. “Masakra e Tuzsuzit”, Monografi, (bashkautorësi), „Metafora“, Prizren, 2007.

Nga janari i vitit 2004, editon revistën: ”Metafora” (Editorial i poetit) që del në çdo tre muaj. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në Prishtinë. Nga 23 marsi 2002 është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës.

Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: “Rilindja”, Zvicër - Prishtinë, “Bujku”, - Prishtinë, “Zëri i Kosovës”, Zvicër - Prishtinë, “Bota sot”,- Zvicër, “Koha ditore”, - Prishtinë, “Epoka e re”, - Prishtinë, “Zëri”,- Prishtinë”, “Fakti”, - Shkup, “Ars” – Tiranë, “Pena Shqiptare”, - Prishtinë, “Pionieri” – Prishtinë, “Zogu i mëngjesit”, - Prishtinë, etj.


 

Gëzim Ajgeraj

Degë e thyer

100 faqe; 20 cm

Viti i botimit: 2007