Gëzim Ajgeraj

 

Xhevat Berisha –

Legjenda e Vërrinit

 

 

(Jeta dhe vepra e mësuesit, luftëtarit, dëshmorit dhe e poetit) 

 

Zvicërr, 2002

 

Bashkëkombësve të mi

këtë Pishtar Kosove

G.Ajgeraj 

 

 

Pishtari i lirisë

 

Nga fjalori i tij

fjala frikë treti,

krimin e hodhi në përrua

ushqehet me ambrozi

fjala e tij nektar

ushqim i plisave

në këtë kohë

pasuria mjerim

jeta ka një qëllim

Kosovë – Nënë Shqipëri

 

Xhevat Berisha

 

 

LIRIA, MEGJITHATË NUK VJEN

PA KRISMËN E PUSHKËVE

 

Asnjëherë në jetë, nuk e kisha menduar se do të shkruaja monografi apo diç të kësaj natyre e aq më pak për bashkëmoshatarët e mi. Historia jonë gjithmonë në momentet më të vështira nxori patriotë e luftëtarë të denjë për çështjen kombëtare, të cilët nuk e kursyen veten deri në aktin më sublim-flijimin. Është nevojë e kohës, obligim kombëtar, por edhe dëshirë e shokëve, bashkëluftëtarë të Xhevat Berishës, por edhe njohja, respekti dhe dëshira ime për të shkruar për njerëzit e mëdhenj, që i dhanë gjithçka atdheut.

Aftësia e tij prej mësuesi, veprimtar i popullit, puna me përkushtim, dashuria për atdheun, lirinë, guximi dhe vendosmëria, ishin tiparet e Xhevat Berishës, të cilat e përcollën gjatë jetës dhe të gjitha këto tipare, ai diti t‘i jetësojë në veprim, përkatësisht në organizimin e rezistencës së armatosur kundër pushtuesit me të gjitha format e së fundi edhe në vijat e frontit. Xhevat Berisha, u dëshmua edhe në krijimtarinë letrare, ku pas vetes la disa shkrime poetike, të cilat u botuan pas rënies së tij në altarin e lirisë. Për mua është barrë e rëndë në njërën anë, por obligim në anën tjetër si krijues vërrinas dhe njohës i Xhevatit, që të paktën të bëj pak dritë, apo të vë një lule për pavdekësinë e këtij dëshmori të kombit.

Njohja nga afër e pjesës më të madhe të biografisë, njohja e rrethit, por edhe njohja personale, janë orientim i shpirtit krijues, që e detyron pendën të shkruajë për një legjendë të rrallë të Vërrinit dhe në anën tjetër respekti për Xhevatin, për veprën e tij deri në flijim, që janë pjesa e dhembjes dhe e krenarisë, që kërkojnë dritë dhe hapësirë në historinë e rrugëtimit të atdheut, në historinë tonë kombëtare të luftës sonë të drejtë për liri.

Në historinë më të re të Kosovës, Xhevat Berisha, zë vend të rëndësishëm me aktivitetin atdhetar në shërbim të çështjes kombëtare deri në flijim. S`ka se si të jetë ndryshe rruga jetësore e këtij patrioti, trasuar nga trashëgimia e   rrjedhës së viteve të atdheut të robëruar. Xhevat Berisha, i frymëzuar nga idetë liridashëse të trimave nëpër faza të ndryshme të historisë, i edukuar nga babai në frymën atdhetare, se atdheu është miti për të cilin duhet luftuar e flijuar, për t‘i shkëputur prangat e robërisë, për t‘i ndriçuar errësirës. Vetë jeta dhe vepra e këtij mësuesi, patrioti dhe poeti është shumë e thellë, sa edhe vetë veprimtaria ilegale që ka zhvilluar ai.

Veprimtaria e Xhevat Berishës në mbrojtje të atdheut, është dëshmia më e mirë e kohës, se nëpër cilat katrahura kaloi populli shqiptar i Kosovës, e në veçanti pjesa atdhetare e saj, që kurrë nuk e shoi kandilin se „lufta është e vetmja rrugë nëpër të cilën mund të arrihet deri te liria". I kalitur me virtyte të larta njerëzore, i ushqyer me idealet e larta të atdheut, vepra e tij shndrit kudo. Përveç atdhetarizmës së tij, ku shquhet me tipare organizative, si mësues, ai përhapi kudo rreze drite, mbolli dije ndër brezat e rinj, me shpirtin e tij të ngrohtë e të pastër, s’do të harrohet kurrë...

Dashuria e tij për kulturën, artin, muzikën, sportin, vallen e traditës, këngën e pastër shqiptare..., por edhe dashuria për letërsinë, do të shprehet kohë pas kohe edhe në vargjet që krijoi e i la në dorëshkrim, për ta vazhduar ligjëratën atdhetare edhe pas përjetësisë së tij.

Personaliteti i shquar i Xhevat Berishës, afërsia, guximi dhe veprimi, do të dalin në pah pas viteve 1981. Vite këto kur revolta e popullit tonë doli haptas në shesh përmes demonstratave që organizoheshin gati për çdo vit në të gjitha qendrat e Kosovës e edhe në Prizren. Ndërsa, ideali me të cilin ushqehej ai se atdheu mund të çlirohet vetëm me pushkë, është rruga jetësore e veprimtarisë, është rruga e udhëtimit të atdheut dhe e popullit të tij kah liria, për të cilën edhe u flijua që t‘i ndriçojë asaj, me veprën e tij, sa herë të rrezikohet ajo.

 

 

 

Në juglindje të Prizrenit, fundbjeshkëve të Sharrit, buzë maleve ku lisat maten me krah të hapur, përreth përroskat që gurgullojnë ujë gurrash me bardhësinë e borës, pranë livadheve e arave, që bereqetojnë nga dora e malësorëve, kopshtet e pjerrëta të rrethuara me gardhiqe të thurura me kujdes nga dora punëtore, pranë gjelbërimit të hijeve të mollëve e të pemëve tjera përreth kullave dykatëshe, të ndërtuara nga gurët e latuar të dorës punëtore të mjeshtërve, atje lart ku përfundon shiriti i shtatit të Vërrinit, shtrihet fshati Lez me rreth tridhjetë shtëpi, trashëguar nëpër shekuj identitetin kombëtar. Janë Berishët, kompaktësia fisnore, që e bartën këtë trashëgimi të këtij fshati.

Në veriperëndim të Lezit, gjendet kodra e Kryekodrës (Cylenit), rrëzë fshati Kushtendil, në veri lokaliteti i Zhupës dhe fshati Struzhë, në jug shtrihet Opoja dhe nga këtu fillon shtatin territori i Vërrinit, që duket si në pëllëmbë të dorës, shikimi i të cilit derdhet drejt fushës së Prizrenit deri në Pashtrik.

Ky përshkrim, me pak fjalë do të ishte përkufizimi i Lezit, i kësaj pike të gjakut në historinë e hartave të gjeografisë së atdheut. Më poshtë vijnë rrjedhat e gurrave që rrjedhin e gurgullojnë shtatit të Vërrinit, nëpër këtë krahinë të Kosovës të mbushur plot për plotë me gjelbërim e bardhësi, që ia fal natyra nëpër stinë. Kodrinat e vogla, ndajnë fshatrat dhe i bashkojnë rrugët gjarpërore me lumenj, që freskojnë shtatin Vërrinit të bukur, me popullsi autoktone shqiptare.

Fisi i Berishëve janë ata, që do të mbushullojnë kullave, arave e livadheve, maleve e fushave të Lezit nëpër shekuj me radhë, ndërsa historia kërkoi të ndalemi në njërën nga familjet lezjane. Gjyshi i Xhevatit, Avdi Ramadan Berisha, ishte hoxhë i Lezit dhe i Kushtendilit. Kultura fetare e krijuar në familje, e trashëguar nga babai i tij Ramadani që po ashtu kishte qenë hoxhë i fshatit, bartte me vete edhe kulturën e gjerë familjare të njohurive në lëmin e kulturës.

Ishte viti 1916 kur në shtëpinë e Avdi Berishës, dëgjohej vaji i parë i fëmijës, që do të pagëzohet me emrin Ahmet. Po në ato vite do të vdesë gjyshi i Ahmetit të vogël, Ramadani, ndërsa pesë vjet më vonë, më 1921 u lind edhe vëllai i Ahmetit, Mehmeti. Zanatin e babait e të gjyshit nuk do ta trashëgojë Ahmeti, por kulturën dhe njohuritë e babait i përvetësoi me shumë kujdes. Ishte koha kur Kosova ishte e okupuar nga Austro-Hungaria. Pjesa e regjionit të Vërrinit, që ndahej nga rruga Prizren- Zhur, administrohej nga bullgarët. Vite këto shumë të rënda për popullatën vërrinase, sepse okupatori me taksat që i mblidhte, fshatarëve ua merrte edhe ato pak bagëti që i kishin, drithin, mishin, e gjithçka që gjente në arkat dhe magjet shqiptare.

Në atë kohë nuk mbeti fshat dhe familje pa u goditur.

Lufta e Dytë Botërore, Ahmet Berishën e gjeti me pushkë në dorë, në kuadër të divizionit „Skënderbeu“, që manovronte nëpër zonat e Sharrit, nga Prizreni e deri në Tetovë, deri me ardhjen e nazistëve gjermanë. Pas, kapitullimit të Gjermanisë naziste, Kosova përsëri mbeti nën çizmen e huaj, në kuadër të një shtetit të krijuar artificialisht nga shumë kombe dhe kombësi, të quajtur me emrin Jugosllavi. Prandaj, duke e futur dhunshëm Kosovën në kuadër të këtij shteti, shqiptarët s‘do të gëzojnë kurrfarë të drejtash nën këtë administrim të dhunshëm.

Ngjarjet që pasuan më vonë, do ta dëshmojnë këtë të vërtetë. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, Ahmet Berishën e gjeti përsëri në vendlindjen e tij në Lez, pranë të afërmve të tij, duke e punuar tokën dhe duke u kujdesur rreth punëve të shtëpisë. I rritur dhe i edukuar me idetë e babait, pra në frymën e traditës së rrethit , Ahmet Berisha, mori tipare që do t’i trashëgonte me krenari edhe ndër breza. Ai u martua me Ryfeten ( më 1918) bijë e shaljanëve nga Malësia e Vërrinit (ish-Lybeqeva), fshat ky i afërt me Lezin. Ahmet Berisha me Ryfeten lindën gjashtë fëmijë, që ishte një dëshirë e prindërve në traditën shqiptare të trashëguar ndër breza, sepse një urti e këtyre anëve thotë: „ Aty ku ka shumë fëmijë, ka më shumë dritë’’. Më 1943, u lind vajza e parë Nesibja, ndërsa tri vjet më vonë, gëzimi i shtohet kësaj kulle dhe më 1946, kur u lind djali i parë i Ahmetit, Neshati, sepse në traditën tonë shqiptare djali është shtylla e shtëpisë, prandaj linte dëshira dhe nevoja për të pasur sa më shumë fëmijë. Më 1949 u lind Jeminja, më 1954 Vehapi, më 1958 Hanifja, ndërsa më 1961 u lind djali i tretë i Ahmetit e i Ryfetes, të cilin e pagëzuan Xhevat, Xhevat Berisha, të cilin për një kohë të gjatë më të moshuarit e shtëpisë dhe të farefisit do ta thërrasin „ Xhevap“, emër përkëdhelës ky, që në të ardhmen do t‘i bëhet synim i jetës dhe i veprimtarisë, duke qenë në realitet lajmëtar i ngritjes së vetëdijes kombëtare.

Viti 1961, për kullën e Ahmet Berishës, në Lez, shënon lindjen e djalit të tretë Xhevatit, ndërsa për Kosovën një pishtar drite në terrin e robërisë. Populli shqiptar i Kosovës, që kishte kaluar e po kalonte nëpër flakët e sundimtarëve me uniforma të ndryshme, por me qëllime të njëjta, që nga viti 1912, kur u largua Turqia, pas sundimit të saj pesëshekullor, Kosova u pushtua nga Serbia. Vetëm pas disa viteve nëpër Kosovë marshuan sundimtarët e rinj austro-hungarezë dhe ata bullgarë. Pas luftërave të shumta shqiptare kundër këtyre pushtuesve, edhe këto aleanca u larguan nga Kosova, por hegjemonizmi sllav kundrejt tokave shqiptare e në veçanti ai serb nuk hoqën dorë. Kështu, Kosova prapë u gjet e ripushtuar, duke u vrarë e djegur dhe duke u shkatërruar çdo gjë shqiptare. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore nga nazifashistët, Kosovës iu shtua edhe një pushtues tjetër- italianët.

Kapitullimi i Gjermanisë fashiste dhe mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, Kosovën prapë tradhtisht e gjeti në kuadër të shtetit të Jugosllavisë. Këtu do të fillojë edhe një kapitull tjetër i robërisë për shqiptarët.

Pra, siç dihet, shqiptarët edhe gjatë luftës, por edhe pas saj, në kuadër të këtij shteti qenë gjithmonë në shënjestër të shovinizmit serb, por tani me një formë më të organizuar shtetërore, nën maskën e shtetit që u ndërtua artificialisht nga komunistët e disa popujve të regjionit, në këtë kontest shqiptarët me popujt tjerë të këtij shteti nuk i lidhte asgjë e përbashkët, e në veçanti me sllavët që i ndanin shqiptarët nga ata lumenj gjaku gjatë tërë historisë, por ja që shqiptarët deshën e s’deshën, tradhtisht më se gjysma e tyre ngeli jashtë kufijve të shtetit amë - Shqipërisë.

Plagët e marra nga lufta dhe robëria e re, Kosovën e futi në një robëri totale pa kurrfarë të drejta nacionale dhe, ndonëse i qenë premtuar gjatë luftës dhe qe luftuar për to, asaj nuk iu dha asgjë. Vitet e rënda që i kaloi populli shqiptar i Kosovës, s’do të harrohen kurrë, duke bërë shpërnguljet për në Turqi, vrasjet, humbjet pa gjurmë, djegia e shtëpive, marrja e tokave në emër të reformave agrare, marrja e bagëtisë, marrja e drithit dhe së fundi aksioni i armëve, aksioni më famëkeq kundër shqiptarëve që ndërmori Jugosllavia kundër shqiptarëve gjoja në emër të ç‘armatimit të shqiptarëve në vitin 1955 –1956, udhëhequr nga Aleksandër Rankoviqi, një antishqiptar i përbetuar.

Dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve gjatë aksionit të armëve, nuk do ta linte anash as Ahmet Berishën, të cilin në emër të kërkimit të armëve, për katër ditë rresht nuk do të dinte askush se ku gjendej, pos UDB-ja serbe, që bënte kërdi në atë kohë në Kosovë që e kishte marrë me vete duke e torturuar nëpër borë, duke e rrahur e në stacionin e policisë në Zhur dhe në Prizren vetëm e vetëm që ai ta dorëzonte armën. Kështu, pas katër ditësh rrahjesh e torturash, të dërmuar fizikisht e lirojnë për t’u kthyer në shtëpi. Koha e plagëve që përjetuan shqiptarët, la gjurmë të thella kudo në kullat shqiptare, ndërsa urrejtja kundër pushtetit s’kishte kufi, ndërkaq e ardhmja nuk dukej askund qiellit të nxirë të Kosovës. Goditjet e pushtetit vazhdonin në çdo pore të jetës në mënyrë që ta shuajnë çdo gjë kombëtare të shqiptarëve. Varfëria e skajshme ndër masat e gjera fshatare e ndihmuar edhe nga pushteti prekte kudo në vatrat e magjet shqiptare, tokat e marra në emër të kolonizimit, pastaj edhe të kolektivizimit, drithi, bagëtia e çka jo tjetër, preknin kulmin e varfërisë totale të shqiptarëve. Ndërsa, për anën politike, pak mendohej se mund të ndryshohej diçka në të mirë të shqiptarëve. Një fije drite e shprese, për një të ardhme pakëz më të mirë, u shfaqën atëherë kur shkollat në gjuhën shqipe filluan të hapeshin në shumë qendra dhe vendbanime të Kosovës.

Në shtëpinë e Ahmet Berishës, në Lezin e shpateve të Prizrenit, viti 1961 shënon lindjen e djalit të tretë, përkatësisht fëmijës së gjashtë, që do ta pagëzojnë me emrin Xhevat. Kullës iu shtua edhe një klithmë gëzimi, ndërsa për familjen edhe një shpresë dhe një vëlla i tri motrave dhe dy vëllezërve.

Kulla dykatëshe në fshatin e vogël, ato ditë të fundgushtit të atij viti mbushullonte nga gëzimi i lojës së fëmijëve, kënga e motrave dhe vaji i vogëlushit. Dëshirës së Ahmet Berishës u shtua edhe një krah, edhe një shtyllë e shtëpisë, edhe një shok shokëve, edhe një pushkë atdheut të robëruar.

Për rritjen e Xhevatit do të kujdesen nëna, babai vëllezërit e motrat, që nuk e lëshonin krahut. Nën përkujdesje të mirë nga e gjithë familja si fëmijë më i vogël i shtëpisë, Xhevati do të rritet e do të hedhë shtat siç rriten lisat në Vërri. Kështu, Xhevati i vogël filloi të zhvillohet me një temperament të gjallë, që e bënte të dallohej nga moshatarët e vet. Ndërkaq, në kujtimet e më të vjetërve, fëmijërinë e tij e përshkruajnë si fëmijë të guximshëm dhe shumë i gjallë, i dashur, i urtë, i sjellshëm, tipare karakteristike të personalitetit të tij që do t’i ruajë edhe gjatë rritjes.

Fëmijërinë dhe lëshimin e shtatit të Xhevatit e përshkon edhe gjendja e rëndë ekonomike, që e kishte atëherë populli ynë, dhe si e tillë edhe familja e Ahmet Berishës. Kështu, edhe Xhevati do të rritet në një mes me halle të njëjta si gjithë bashkëmoshatarët nga fshati i tij. Ndërsa, lojërat fëmijërore me shokët e fshatit, i përshkonte një gjallëri. Xhevati, si një vogëlush i shkathtë që dallohej për zotësi dhe do të përvetësojë me kujdes çdo fjalë, çdo porosi, çdo tregim për jetën, preokupimet dhe ngjarjet e kohës. Pra, i rritur në një familje që në gjirin e tyre tani më kishin mjaft fëmijë. Në edukimin e tij ndikim të madh pati babai, i cili nga një traditë të trashëguar me edukatë dhe kulturë nga gjyshi, të cilën kulturë do ta bartë edhe te fëmijët e tij me shumë besnikëri.

Bisedat në odë, tregimet e burrave të fshatit, zakonet e traditat e pasura të këtyre anëve, janë fillet e para ku Xhevati i vogël do të fillojë t‘i perceptojë ato nga bota e më të rriturve. Dhe vitet rrjedhin njëri pas tjetrit bashkë me shtatin e Xhevatit, deri sa një ditë ai do të niset drejt dyerve të dritës, të diturisë, drejtë shkollës.

 

 

Hapat e parë të Xhevatit drejt shkollës e mbushnin plot gëzim babanë dhe nënën e tij, por më së shumti do të gëzohet vetë ai kur do ta marrë abetaren në dorë e me të nxiton drejt shkollës së vogël, në dalje të fshatit aty buzë rrjedhës së lumit kah gurgullon uji i bjeshkës. Rruga drejt shkollës ishte rruga drejt dritës prej nga filizat e ri do ta nisin udhëtimin e vet drejt jetës, drejt njohurive të kalitjes për një të ardhme më të mirë. Ditët e shtatorit të vitit 1968, vogëlushi i kishte pritur me gëzim të madh.

Dita e parë e shtatorit të vitit 1968, do të jetë e gëzuar dhe e paharruar për të, sepse Xhevati, tani më po hynte në një botë krejt tjetër, pra në botën e librit. Loja me shokë, ndonjë punë e vogël në shtëpi që u kishte ndihmuar nënës apo babait si vogëlush, nisën të zëvendësohen me fshehtësitë e librit. Nën kujdesin e vazhdueshëm të mësuesit, pastaj edhe në shtëpi të motrave e të vëllezërve që ishin më të mëdhenj, Xhevati arriti të përvetësojë mësimet e para të shkollës në mësimin e alfabetit, përmes së cilit shumë shpejt do të arrijë të mësojë edhe alfabetin e plagëve të popullit. Shumë shpjet do të arrijë të jetë nxënës i dalluar në gjithë shkollën, e për këtë meritë të veçantë do të ketë mësuesi Ramë, që është një personazh i cili do të zërë vend në dashurinë e tij.

Në këtë mënyrë njohurive paraprake të trashëguara nga babai, nëna, rrethi e fshati, tani më po i shtoheshin edhe njohuritë që i përvetësonte nga libri e mësuesi. Sukseset e tij në mësim shpërbleheshin për çdo fundviti me dhurata që ua dhuronte mësuesi për suksesin e shkëlqyeshëm, që ishin njëherësh edhe shtytje dhe motiv për Xhevatin dhe prindërit e tij për ta vazhduar shkollën e plotë fillore, e cila mungonte në fshatin e tij të lindjes. Përkundër kushteve të vështira, mësimet do t‘i vazhdojë në fshatin Malësi të Vërrinit, ku ishte shkolla e plotë tetëvjeçare, duke udhëtuar me orë të tëra këmbë, vetëm e vetëm që të jetë më ngushtë i lidhur e i shoqëruar me librin.

Vazhdimi i mësimeve në klasën e pestë në shkollën fillore, atëherë ’’Muharrem Bekteshi’’ në fshatin Malësi e Vërrinit (ish-Lybeqevë) është një sprovë tjetër për Xhevatin dhe shokët e klasës së tij që vinin nga Lezi. E para ishte ardhja në një ambient tjetër krejt të ri, në një fshat tjetër edhe pse ishte nip i atij fshati, pastaj zgjerimi i rrethit të shokëve, numri më i madh i nxënëseve në klasë, programi shumë më i ngarkuar i lëndëve mësimore dhe mësimet me shumë mësues e të tjera veçori me të cilat u mësua shumë shpejt Xhevati, por, brenga dhe problemi më i madh ishte ai i udhëtimit nga Lezi për në Malësi të Vërrinit dhe anasjelltas nëpër mot dhe kushte të vështira atmosferike e sidomos të dimrave të vështirë të Vërrinit.

Kur ndodhte që lumenjtë të vërshonin, apo të binte edhe borë e madhe, që nganjëherë ishte e pamundur të merrej ajo rrugë deri në shkollë, Xhevati, megjithatë nuk mungonte nga mësimi. Në përgjithësi, nxënësit nga Lezi dalloheshin në mësime me sukses të mirë, ndërsa Xhevati, ndër më të mirët.

Duke qenë gjithmonë nën kujdesin prindëror, nën motivimin e vazhdueshëm të babait, të vëllezërve e të motrave, por edhe te mësuesve, u bë dalluar në të gjitha lëndët mësimore dhe në sjelljen e tij karakteristike, i dashur e i respektuar me shokë. Aty filloi t‘i marrë njohuritë më të thella për gjuhë, histori dhe gjeografi, duke mos i lënë anash as edhe shkencat tjera. Për Xhevatin ishte rasti më i mirë për njohjen më të gjerë të letërsisë, shkrimtarët tanë shqiptarë, pastaj historinë e popullit tonë, gjeografinë e përgjysmuar të atdheut etj. Dhe kështu, zelli i Xhevatit në mësime do të shpërblehet me nota të mira në ditar.

Udhëtimi i gjatë deri në shkollë dhe anasjelltas, do të jenë një kalitje për Xhevatin në të gjitha aspektet, por edhe në përgatitjen fizike të tij. Në fakt udhëtimet me shokët e fshatit për në shkollë do t’i mbesin kujtime të paharruara për shumë vite. Një pjesë e këtyre kujtimeve, si lojërat me shokë gjatë rrugës, bisedat, përsëritja e mësimeve, mësimi i vjershave, gjë që ishin vazhdimësi e mësimeve në shkollë.

 

 

 

 

Vendosja e familjes së Xhevatit në Prizren

 

Perspektiva, dëshira për një jetë më të mirë në qytet, dëshira për shkollimin e fëmijëve, janë disa nga arsyet që xha Ahmetin dhe vëllanë e tij Mehmedin i shtynë që në vitin 1973 të shpërngulen nga fshati ne qytet. Ky largim nga vendlindja e tij, pra nga Lezi për në Prizren do ta ndajnë Xhevatin nga shokët e fëmijërisë, nga shkolla ku tani më ishte mësuar për të vazhduar jetën në një ambient krejtësisht të ri në qytet. Këtë largim nga vendlindja, shokët e fëmijërisë e të klasës, Xhevati si fëmijë i përjetoi rëndë, sepse tani më atij i mungonin shokët me të cilët ishte rritur, fshati, bashkëfshatarët e tij. Mundësitë më të mira për mësim, bëjnë, që Xhevati të adaptohet shumë shpejt me rrethin e ri në lagjen e tij dhe në shkollë.

Lagjja ku u vendos familja e Xhevatit ishte krejtësisht rreth i huaj për të. Në këtë rreth të ri, nuk njihte shokë, prandaj fillimisht nisi ta ndjente mungesën e shokëve të klasës, shokët e fshatit, i mungonte vendlindja e shumëçka tjetër, me të cilat ai ishte mësuar në fshat.

Fillimet në shkollën „Mustafa Bakiu“ në Prizren, që nga klasa e gjashtë, përsëri është një rifillim në rrethin e ri, por tani me nxënës kryesisht nga lagjet e qytetit. Si shok i ri në klasën e tij, Xhevati u prit mirë, si nga shokët ashtu edhe nga arsimtarët. Prandaj, kjo mirësjellje e tyre e motivonin edhe më tepër atë për t‘i vazhduar sukseset në mësime. Si djalosh i ardhur nga fshati, ai iu adaptua shumë shpejt jetës në qytet, krijoi shpejt rreth të ri shoqëror me të cilët mësonte e luante së bashku. Puna dhe përkushtimi e bënë që ai të jetë nxënës i dalluar në klasë, për çka një ndihmë shumë të çmuar në këtë drejtim dhanë edhe arsimtarët e kësaj shkolle, të cilët iu gjendën pranë në çdo kohë.

Mundësitë dhe kushtet më të mira të jetës në qytet, takimi me shokë të rinj në lojë, në shëtitje, qenë faktorë që e ndihmuan në ngritjen dhe përgatitjen e Xhevatit me njohuri të reja, me të cilat do të vazhdojë edhe më tej rrugën e tij drejt dritës.

Interesimi i tij në leximin e veprave të shkrimtarëve tanë, duke filluar nga lekturat e obligueshme shkollore e deri te librat e ndaluara nga regjimi sllav që i vinin në dorë nga shokët, ishte një element i ri i jetës, që kishte filluar ta kuptonte me një vizion më të gjerë në raport me moshën që kishte, prandaj, rrugën e kërkimit të njohurive të reja nuk e cungonte vetëm me ato që i mësonte në shkollë, por vetin e vinte gjithmonë në kërkim të literaturës kombëtare, frymëzimi i të cilës do ta përcjellë gjithë jetën.

Përfundimi me sukses të shkëlqyeshëm i shkollës fillore e motivojnë jo vetëm Xhevatin, por edhe babanë e tij, i cili gjithmonë e kishte ëndërruar shkollimin e fëmijëve, prandaj pa kurrfarë hezitimi, vendosi t’ia mundësojë shkollimin djalit më të vogël të tij.

Dëshira për ta vazhduar shkollimin, te Xhevati ka qenë gjatë gjithë shkollës fillore, prandaj me të përfunduar atë, ai u regjistrua në shkollën e mesme, përkatësisht në drejtimin e përgjithshëm në Prizren. Kalimi nëpër disa shkolla, si nxënës i shkollës fillore, Xhevatin e kishte përgatitur për adaptim të shpejtë në kushte të reja dhe në shoqëri të re, prandaj për të nuk ishte aspak problem rrethi i ri.

I etur për dije, ai me shumë përkushtim e filloi betejën për e dituri, por tani me plane dhe programe shumë më të zgjeruara nga ato të shkollës fillore, programe që ia mundësuan edhe zgjerimin e njohurive të reja në shumë lëmë. Lënda gjuhë dhe letërsi shqipe e tërhiqte më së shumti. Këtë dëshirë gjithmonë e ushqente duke lexuar libra, jo vetëm nga plani dhe programi i paraparë, por ishte në kërkim gjithmonë edhe të librave që nuk lejoheshin por që gjendeshin nëpër shokë. Është me rëndësi të thuhet se ishte shumë e vështirë t’i gjeje shkrimtarët e “ndaluar”, ndërsa Xhevati, kishte një interesim të veçantë.

Nga shkrimtarët më të preferuar, për të ishin: Naimi, Fishta, Konica, Noli e më vonë edhe Kadare, Agolli, Mehmet Shkreli, Gërvalla, Qosja, Demaçi etj. Dihet fare mirë se në Kosovë, pas vitit 1974, pra pas ndryshimeve kushtetuese, filloi të merrte frymë më lirshëm libri shqip, për çka filluan të dalin libra që deri në atë kohë ishte vështirë të gjendeshin në Kosovë.

Shkolla e akademisë, apo siç quhej QAM, ku mësonte Xhevati, ishte një objekt i ri që i plotësonte kushtet për mësim, për nxënësit e atëhershëm të asaj shkolle, ndërsa emrin qe e mbante shkolla ishte shumë neveritës për ata nxënës që filluan ta kuptonin gjendjen e Kosovës dhe pozitën e saj, e në mesin e atyre nxënësve ishte edhe Xhevati, i cili shpesh i kishte shtruar pyetje vetes se ku u gjet emri i Dimitrije Tucoviqit që ta mbante emrin shkolla, duke u shtruar shumë herë pyetjen shokëve të tij se: „ A nuk është fyes ky emër për kulturën dhe historinë tonë, kur dihet se ne jemi popull shumicë në Kosovë, që s‘do mend se kemi edhe dëshmorë e heronj që e meritojnë për t‘i nderuar?!...” Lënda e serbishtes, ishte një provokim tjetër për nxënësin e ri, sjelljet e profesorit të kësaj lënde, shpjegimet e tij gjatë gjithë kohës për gjuhën dhe kulturën serbo-kroate, mësimi i shkrimtarëve sllavë, ishin shumë neveritëse. Si nxënës që vinte nga Vërrini, prej nga ai për serbët kishte dëgjuar vetëm për planet ogurzeza ndaj shqiptarëve, dhe kështu asnjëherë nuk kishte pasur mundësi të dëgjonte qoftë edhe një shembull të mirë, ora e gjuhës serbe i dukej se po zgjaste me shekuj, aq edhe sa kishte fillimi i sundimit të tyre mbi popullin shqiptar.

Leximi i pareshtur i librave, bisedat me shokë, lajmet që i dëgjonte nga Radio Tirana, Radio Kukësi, te Xhevati filluan të ndikonin. Marksizmi po ashtu ishte një lëndë ku lavdërohej Jugosllavija Socialiste Vetëqeverisëse, Tito, Kardeli, por të gjitha këto për të ishin teori të thata të krijuara nga rrenat e komunistëve jugosllavë të futura padrejtësisht edhe në planet mësimore të shkollave tona. Edhe lënda e historisë ishte një pjesë në vete që Xhevatin e vinte gjithmonë në kërkim të së vërtetave e në veçanti në kërkim të historisë së popullit tonë. Megjithatë, Xhevati në këtë shkollë do të kalitet me njohuri të reja nga lëmë të ndryshme dhe do të jetë nxënës i dalluar edhe në klasë. Ai kurrë nuk i dha mundësi askujt për t‘i kuptuar pakënaqësitë e tij për zhvillimet e kohës edhe pse ishte shumë i ri. Pakënaqësitë i mbyllte në vetvete, duke e vënë veten gjithmonë në kërkim të së vërtetave, në kërkim të diturisë, në kërkim të dritës për t‘i hapur shtigje të reja vetit për një ardhmëri të ndritur. I heshtur mes rrethit, i sjellshëm me shokët e klasës, me profesorët, i rregullt në mësime, ai do të krijojë rreth të mirë për të qenë shok e nxënës i dalluar në shkollë. Dy vjetët në qendrën e arsimit të mesëm “D.Tucoviq” kaluan shumë shpejt dhe rezultati i treguar në mësime ia mundësojnë atij regjistrimin në gjimnazin „J.R.Kica“, në Prizren, në drejtimin e pedagogjisë. Si nxënës i këtij gjimnazi, Xhevati i vazhdoi mësimet edhe më me përkushtim. Mosha e zhvillimit të tij intelektual, zhvillimet që po ndodhnin në Kosovë, kishin filluar të bëheshin pjesë e preokupimeve të tij për çështjen shqiptare. Padrejtësitë e pushtetit artificial jugosllav kundër shqiptarëve, që tani dukeshin sheshazi për ata që donin t‘i shihnin ato. Pra, gjatë kohës sa Xhevati ishte nxënës i gjimnazit të Prizrenit, madje edhe më herët, ai kishte rënë në kontaktet e para me idetë përparimtare dhe me bartësit e këtyre ideve që mendonin ndryshe nga gjendja faktike në të cilën ishte Kosova gjatë asaj kohe. Dhe, këto ide, kishin filluar ta pushtonin personalitetin e Xhevatit, sidomos atëherë kur ai filloi të ndeshet me problemet e jetës reale, gjendjen e popullit dhe të Kosovës nën një administrim të dirigjuar nga Beogradi, nën ombrellën komuniste të LKJ-së që kthetrat e kësaj partie shtriheshin edhe në Kosovë.

Vizioni i ri për Kosovën dhe të ardhmen e saj nga forcat përparimtare që e donin atdheun e lirë, e shihnin në ndryshimin e statusit të Kosovës dhe në përmirësimin e pozitës së saj dhe të drejtave të popullit shqiptar, sepse dihet fare mirë se ato të drejta, nën statusin e Kosovës si krahinë, ishin shumë të cunguara. Për ata që kishin ndjenja atdhetare, frymëzimi vinte nga të gjitha anët. Forcat përparimtare të grupeve ilegale, që vepronin në Kosovë, përmes afisheve e trakteve shpërndanin idetë çlirimtare dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Kështu, ata të rinj që interesoheshin dhe e donin atdheun, materialet që shpërndaheshin ishin ushqim i idealeve të tyre. Gjithçka në atë kohë i takonte veprimeve ilegale. Në këtë aktivitet ishte inkuadruar edhe Xhevat Berisha, tek i cili çështja e fatit të kombit dhe e Kosovës kishte filluar të mishëroheshin me jetën e tij.

Burime tjera të frymëzimit për Xhevatin ishin edhe librat e shumtë që depërtonin fshehurazi nga Shqipëria, pastaj emisionet televizive të televizionit shqiptar që në rrethin e Prizrenit përcillej rregullisht, po ashtu edhe Radio-Kukësi, por kishte edhe rrugë tjera të informimit.

Duke qenë në kërkim të vazhdueshëm të diturisë, Xhevati gjatë asaj kohe shfletoi dhe lexoi libra, gazeta e fletushka të ndryshme, në kërkim të ndërtimit të rrugës së ardhmërisë. Kjo rrugë i qartësohej çdo ditë e më tepër, duke e ndërtuar vizionin e qartë intelektual. Megjithatë, nga mësimet nuk u nda për asnjë çast, sepse ato ishin prioritet i moshës së tij për ta mbaruar shkollën e mesme e për t’i vazhduar studimet. Edhe gjatë viteve si gjimnazist, krijoi rreth të fuqishëm shoqëror, me të cilët sa herë që takohej bisedonte për çështjen e atdheut dhe rrugët nëpër të cilat duhej të kalonin deri te çlirimi definitiv i Kosovës së robëruar.

Takimet e shpeshta, bisedat me shokë, për të ishin pasqyrim i klithmave të atdheut të robëruar duke u munduar të definojë rrugën dhe mënyrën e daljes nga kjo situatë që po e kaliste brezin e ri, për t’u përballur me një luftë të armatosur tek e cila luftë e shihte ai bashkë me shokë zgjidhjen e vetme të çështjes së Kosovës.

 

 

 

Xhevati, pasi e mbaroi gjimnazin me sukses të shkëlqyeshëm, u regjistrua në Shkollën e Lartë Pedagogjike „Xhevdet Doda“ në Prizren. Në ndërkohë e merr thirrjen për shërbim ushtarak, kështu që iu desh ta ndërpresë shkollimin për ta mbaruar shërbimin ushtarak.

Shkuarja në shërbimin ushtarak është një etapë tjetër e jetës së Xhevat Berishës, kur dihet botërisht se shqiptarët në atë kohë duhej të shërbenin në ushtrinë jugosllave, shtet me një federatë, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova.

Mobilizimi apo shërbimi nën uniformën e këtij shteti, për shqiptarët gjithmonë ka qenë i huaj, ngase dihen sjelljet e këtij shteti dhe të kësaj ushtrie kundrejt shqiptarëve në histori. Numri i shqiptarëve nën këtë uniformë, që e përbënte 1/3 e kësaj armate, kur dihej se shqiptarët që jetonin brenda kufijve të administruar nga ky shtet artificial, ishin populli i tretë numerikisht për nga numri i banorëve. Shkuarja e Xhevat Berishës ushtar në Maribor të Sllovenisë, ishte ndoshta në kohën më të pavolitshme për shqiptarët në atë kohë, sepse lëvizjet e grupeve ilegale që tani më zhvillonin aktivitet kudo në Kosovë, ndiqeshin këmba-këmbës nga aparati i dhunës së këtij shteti (UDB-ja). Prandaj, politika jugosllave shqiptarët i shihte me një sy krejt tjetër e dihet historikisht se kjo politikë gjithmonë ka qenë dhe ishte antishqiptare e kanalizuar përmes udhëheqjes shtetërore, që dominohej nga serbët e kuptohej ky dominim i tyre ishte edhe në udhëheqjen e armatës.

Ndjekja e rinisë shqiptare nga UDB-ja jugosllave, përveç në jetën civile edhe në të ashtuquajturën APJ i kishte rrënjët, madje më të thella se gjithkund tjetër, kur kihet parasysh përgatitja e oficerëve, ndjekja dhe demaskimet që rridhnin ditë e natë kundër ushtarëve shqiptarë, duke mos kursyer asgjë prej intrigave, montimeve e deri te burgosjet e vrasjet e ushtarëve shqiptarë.

Në këtë pikë duhet përmendur edhe deklaratat apo dosjet për çdo shqiptar që përcilleshin, komuna, organet e ndjekjes nga rrethi prej nga vinte ushtari në armatën jugosllave. Duke u kthyer mbrapa, vet Xhevati do ta përjetojë rëndë jetën nën këtë uniformë, sepse diskriminimi, përbuzja kundër shqiptarëve, intrigat gjithmonë nën emrin e luftës kundër „nacionalistëve“ që e udhëhiqte UDB-ja, këtë formë të diskriminimit, Xhevati do ta përjetojë edhe vetë nga e cila gjendje ai do të mllefoset deri në masën saqë qe bindur se ai më nuk e shihte veten banor të atij shteti, mllef që gufonte në shpirtin e tij atdhetar, që e kultivonte në vizionin e tij për ardhmërinë e Kosovës.

Prandaj, ushtarin shqiptar, në këtë armatë ai e shihte të shtypur, të përndjekur, të përbuzur, të huaj, të munduar e të stërmunduar deri në padurim. Në anën tjetër, punët e rënda, detyrat nëpër vendet e quajtura “rojet e vdekjes”, kuptohet nën diktatin serb, ishin padrejtësitë të cilat edhe vetë Xhevati po i kalonte e po i përjetonte atë vit në ushtri. Gjatë kësaj kohe, Xhevati kishte hasur edhe një fenomen tjetër në këtë armatë, pra ndihej mungesa e oficerëve shqiptarë ose nuk kishte fare, por edhe nëse kishte, të paktë ishin ata. Kjo ishte një e vërtetë reale e padrejtësive të shumta kundër shqiptarëve nga ana e pushtetit jugosllav. Xhevati, tani më në moshën e pjekurisë, diskriminimin si individ që po e kalonte mbi shpatullat e tij, ishte kalitje e urrejtjes për një shtet të huajin siç e quante Jugosllavinë, për shqiptarët dhe gjithnjë i rritej urrejtja dhe dëshira e kërkimit të ideve se si mund të shkëputej Kosova nga ky shtet, vatër e diskriminimeve për shqiptarët.

Maribori i Sllovenisë ishte vend i huaj, nuk e tërhiqte aspak, i dukej vetja si i humbur nën rroba të huaja, mbrapa e kishte lënë rininë, Vërrinin, Prizrenin, Kosovën që nuk i ndërronte as me metropolet e botës. Malli për të afërmit, miqtë, shokët... e kishte zhuritur, ndërsa ëndrrat për kthimin në vendlindje, ishin të dashura sa edhe vetë dashuria dhe kujtimet e ditëve të rinisë nëpër bankat shkollore. Urrejtja ndaj shqiptarëve mbillej edhe përmes librave që gjendeshin nëpër bibliotekat e armatës të kontrolluara e të filtruara nëpër laboratorët e redaksive dhe gërshërëve të UDB-së serbe. Kështu një ditë ai duke shfletuar disa libra, has në një libër ku villej vrer për shqiptarët, për demonstratat e vitit 1968 në Kosovë dhe nga ky mllef, si përgjigje rreth asaj që shkruhej aty, në fund të librit shkruan disa vargje, dhe pas një kohe të shkurtër, rastësisht zbulohet dhe natyrisht fillojnë edhe hetimet kundër tij. Si pasojë e atij shkrimi atij gati për një vit nuk iu lejua ardhja në pushim në Kosovë dhe provokime tjera të panumërta. Nga ky rast, Xhevati doli edhe më i fortë në përgatitjen e tij për veprimet e ardhshme ilegale, që do t‘i vazhdonte pas mbarimit të ushtrisë. Mbarimi i shërbimit ushtarak, ndoshta ishte gëzimi më i madh në vitet e tij. Ndërsa përditshmëria e bezdisshme e atyre ditëve, do të mbeten kujtime më të hidhura të jetës së tij.

 

 

Menjëherë pas kthimit të tij nga shërbimi ushtarak Xhevatin e priste shkolla ku ishte i regjistruar në drejtimin e mësuesisë. Tani më i pjekur dhe i kalitur nëpër shtigjet e jetës, me situatat dhe rrjedhat shoqërore në përgjithësi, krahas preokupimeve të mësimit, atë e mundonte edhe situata e rëndë politike e Kosovës së atyre viteve. Kontaktet gjithnjë e më të shpeshta me qarqet përparimtare që realitetin dhe pozicionin e Kosovës e shihnin ndryshe nga ajo që ishte në të vërtetë, që nga bankat e shkollës së mesme, idetë dhe vizioni i tij edhe gjatë shërbimit ushtarak ishin plotësuar dhe pasuruar edhe më tepër, sepse në ushtri e kishte ndier përbuzjen, nënçmimin dhe shtypjen e popullit tonë që i bëhej nga popujt tjerë të Jugosllavisë. Nevoja për veprim të mëtejshëm në shërbim të çështjes kombëtare, ishte bërë domosdoshmëri.

Me shokët që kishte zhvilluar aktivitetin e tij e filloi përsëri veprimtarinë në këtë drejtim, por edhe preokupimi në mësime, librat, provimet, ishin çështje që kërkonin kohë e punë dhe përkushtim më të madh, duke mos lënë anash për asnjë çast çështjen kombëtare.

Motivi që nesër ai to të jetë mësues, që do t’i shërbejë popullit të tij e inspironte edhe më tepër për punë të vazhdueshme në drejtim të studimeve. Gjatë asaj kohe, Xhevati do të shfletojë mjaft literaturë, sidomos nga letërsia, që kënaqësi të veçantë i sillnin shkrimet dhe veprat që për mesazh kishin rrugën e lirisë, përkatësisht të çlirimit kombëtar.

Edhe shfletimi i literaturës politike, e sidomos i asaj që ishte e ndaluar në atë kohë nga pushteti jugosllav, ndikoi në formësimin e tij si intelektual dhe e ndiente të nevojshme që këtë lloj të literaturës edhe ta shpërndante me shokë derë më derë e dorë më dorë, kuptohet aty ku kishte besim ngase ushqim kishin patriotizmin dhe atdhetarizmin, që njëherësh ishin edhe përkrahës të demonstratave që tanimë ishin mbajtur dhe po mbaheshin në mbarë Kosovën e edhe në Prizren.

Xhevati, tani student në ShLP „Xhevdet Doda“ ishte edhe vetë pjesëmarrës i këtyre demonstratave i shoqëruar nga shokët, që me hovin dhe guximin e tyre shkëputën prangat e një shteti që kishte lidhur një popull duke e mbajtur të robëruar.

Ai, si njëri ndër pjesëmarrësit më aktiv në demonstratat e pranverës së `81-shit, do të angazhohet edhe më seriozisht në veprimtarinë ilegale të lëvizjes për Republikën e Kosovës, ku falë angazhimit dhe punës së tij zgjeroi rrethin e shokëve në aktivitetet ilegale.

Gjatë kohës së veprimit të tij në ilegalitet, Xhevati do të tregojë konspiracion të lartë në punë dhe veprime, si në propagandimin e çështjes, përhapjen e pamfleteve, fletushkave, por edhe në ofrimin e shokëve, duke i vënë në veprim. Kuptohet, i gjithë ky aktivitet ishte me rreziqe, sepse ndiqej nga ana e pushtetit, por maturia në këtë drejtim, vendosmëria, kujdesi dhe ruajtja sekrete e veprimeve, bënë të pamundur zbulimin e aktivitetit të tij nga çanaklëpirësit që ishin vënë në shërbim të pushtetit jugosllav.

Krahas literaturës së nevojshme shkollore, pjesë e përditshmërisë iu bë edhe leximi dhe shpërndarja e gazetave që depërtonin ilegalisht nga shtetet e Evropës dhe nga Shqipëria. Kështu, ndër gazetat ilegale që shpërndahej ilegalisht në Kosovë, qe “Zëri i Kosovës”, të cilin Xhevati e preferonte, por kishte edhe fletushka dhe broshura tjera, që propagandonin për çështjen e pazgjidhur kombëtare dhe për ardhmërinë e Kosovës e të shqiptarëve në përgjithësi.

Dy vjetët e studimit rrodhën bashkë me kohën dhe situatën e rëndë për shqiptarët në Kosovë, që ishin dy vjet të mundimshme dhe të rënda për Xhevatin, të cilit tani më çështja kombëtare dhe aktiviteti në shërbim të saj i ishte mishëruar dhe i ishte bërë pjesë e pandashme e jetës dhe e veprimtarisë së tij. Meqë ligji për shërbimin ushtarak ishte 12+3 muaj, Xhevat Berisha duhej të shkonte edhe për tre muaj shtesë në shërbim ushtarak, në Mitrovicën e Sremit. Pas mbarimit të këtyre tre muajve, ai kthehet përsëri në Prizren, dhe ato pak provime që i mbetën, me sukses shumë të kënaqshëm i kreu ku edhe diplomoi në drejtimin e mësimit klasor në SHLP “Xhevdet Doda“, dhe mori titullin e mësuesit, profesion të cilin pa masë e kishte dashur dhe ëndërruar gjatë gjithë jetës së tij.

Pas diplomimit, për Xhevatin ishin hapur shtigje të reja të jetës dhe punën e mësuesit ai do ta fillojë me shumë dashuri, për të punuar me nxënësit e tij dhe për t‘i edukuar ata në frymën kombëtare.

 

 

 

Viti 1981, shënon fillimin e demonstratave në Kosovë, shënon fillimin e një etape të re për t’i dhënë fund shtypjes së egër që ushtrohej mbi shqiptarët nga Serbia. 11 marsi i atij viti do të gdhijë me studentët e Universitetit të Prishtinë me grushte lart, të cilët paralajmëronin fundin e epokës së errët të krijuar nga Jugosllavia për shqiptarët. Demonstratat u përhapën shpejt edhe nëpër qendrat e tjera të Kosovës e edhe në Prizren. Parulla „Kosova Republikë“ ishte kërkesë që dominonte në çdo demonstratë dhe jehona e kësaj parulle përhapej si rrezet e diellit kudo në zemrat e kosovarëve.

Këto demonstrata u përkrahën dhe patën ndikim të madh në popullin e Kosovës, duke i hapur rrugë shpresës për një ardhmëri më të mirë dhe më të sigurt. Politika e atëhershme e Beogradit u vërsul mbi zërin e arsyeshëm të studentëve dhe popullit liridashës, duke përdorur forcën në vend të përgjigjes së kërkesave të drejta të popullit, madje duke i cilësuar pjesëmarrësit në demonstrata si „nacionalistë“ dhe „irredentistë“. Kuptohet këto cilësime të pushtuesve sllavë u përkrahën edhe nga shqipfolës të manipuluar. Pra, kjo dhunë kundër demonstruesve në Kosovë, nuk kaloi edhe pa gjak. U vranë shumë të rinj e të reja. Më pas filloi edhe vala e arrestimeve, burgosjeve, diferencimeve dhe torturimeve.

Pranvera e atij viti u quajt me të drejtë „Pranvera shqiptare“ dhe „Pranvera e luleve të kuqe“. Kosova përsëri mori plagë të reja që vazhdimisht po i zgjeroheshin. Burgjet mbusheshin plot. Arrestimet s’kishin të ndalur, ndërsa torturat ndaj rinisë shqiptare nga ana e UDB-së ishin të tmerrshme. UDB-ja synonte me çdo kusht ta shtypte me dhunë dëshirën e rinisë shqiptare për Kosovën Republikë, por dëshira e një populli nuk mund të thyhej asnjëherë, sepse grupet ilegale që vepronin anë e kënd Kosovës, vazhdonin punën e pandërprerë në shkrimin e parullave, shpërndarjen e pamfleteve, trakteve, thirrjeve për demonstrata të reja, edhe përkundër burgosjeve që s‘kishin të ndalur, ndërsa përkrahja në popull rritej vazhdimisht. Kjo pranverë mbolli filiza të ri në altarin e atdheut.

Dëshira dhe domosdoshmëria që Kosova të bëhet republikë, përkrahje më të madhe gjeti tek brezat e rinj, prandaj në Kosovë për çdo ditë vinte duke u shtuar numri i veprimtarëve nëpër grupet ilegale, sa do që UDB-ja i ndiqte, por ishte e pamundur që të ndiqej dhe të burgosej i gjithë populli. Vitet që do të vijnë më pas do të tregojnë se dëshirën e një populli nuk mund ta shuanin, sepse çdo pranverë ato përsëri ndizeshin si feniksi dhe shpërthenin qyteteve të Kosovës.

Pra, rrethanat e reja politike të krijuara në Kosovë pas demonstratave të 81-shit, shtypja e egër dhe brutale e pushtetit që manifestohej haptas në të gjitha sferat e jetës mbi popullin shqiptar, jepnin të kuptohej qartë se shqiptarët herët a vonë duhet shkëputur nga ky shtet. Mbizotëronte dëshira e popullit tonë për t’u çliruar nga kjo shtypje e dhunës dhe për t‘i fituar të drejtat e veta si të gjithë popujt e tjerë të botës.

Këto përpjekje për gëzimin e të drejtave elementare njerëzore të shqiptarëve, hasnin në kundërshtimin me dhunë të pushtetit jugosllav, i cili jo vetëm që nuk ishte në gjendje t’ua siguronte të drejtat e barabarta shqiptarëve me popujt tjerë, por ai mundohej që elementin atdhetar shqiptar ta shtypte në format më të egra, me tanke, izolime, burgosje, vrasje dhe çfarë jo tjetër, me qëllim që t’i çrrënjoste idetë çlirimtare të shqiptarëve për liri e bashkim kombëtar.

Kësisoj pra, masat represive të qeverisë beogradase, ishin përpjekje johumane dhe çnjerëzore, që manifestonin mosgatishmërinë e një pushteti për krijimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërsa në anën tjetër ato reflektonin edhe urrejtjen e atij pushteti dhe asaj politike kundër shqiptarëve. Lufta propagandistike që e bënte pushteti jugosllav në atë kohë dhe gjatë gjithë viteve që do të pasojnë, ishte shumë e vrazhdë dhe e ashpër në dëm të shqiptarëve.

Për t‘i përballuar këtyre masave represive të policisë e ushtrisë jugosllave, në ballë të kësaj rezistence qe vënë rinia studentore e Kosovës, punëtorë dhe shtresat atdhetare të kombit, ata që në shpirtin dhe dashurinë e tyre e ruanin dhe e kultivonin ndjenjën atdhetare për çlirim dhe bashkim kombëtar, sepse vetëm atëherë populli shqiptar në Ballkan do të jetë i lirë dhe i qetë nga hegjemonizmi sllav. Qëndrimi i patundur dhe i pathyeshëm i rinisë shqiptare nëpër demonstrata, gjatë arrestimeve nëpër burgje, e tërbonte armikun, ndërsa nga qelitë e burgjeve, ku dergjeshin shumë të rinj shqiptarë, vinin amanetet se, “luftën duhet vazhduar deri në çlirimin e plotë të atdheut” dhe kjo thirrje manifestohej kudo në zemrat e patriotëve shqiptarë që e donin atdheun dhe sakrifikonin për të.

Radhët e ilegalëve të rinj, rrethi i atdhetarëve që viheshin në shërbim të çështjes kombëtare, shtoheshin çdo ditë. Dhe, sa më e egër ishte dhuna e armikut, aq më shumë shtohej urrejtja kundër tij, ndërsa dashuria për Kosovën e lirë shtohej edhe më shumë. Derisa gjykimet e pandërprera që zhvilloheshin kundër atdhetarëve shqiptarë, nëpër seancat gjyqësore, në hetuesi, kudo e manifestonin pathyeshmërinë e shqiptarëve, vullnetin, dëshirën e çeliktë të popullit tonë për t‘u çliruar nga robëria dhe hegjemonizmi serbo-sllav që e kishte mbuluar Kosovën si një perde e zezë mbi qiellin e saj. Ky pushtet, që shqiptarëve u vishte gjithfarë epitetesh, duke mos kursyer terme e terminologji nga fjalori më barbar serb dhe nga ato që dinte t’i prodhonte vetëm fara e sojit të tyre, duke nxjerrë urrejtjen e tyre patologjike kundër shqiptarëve dhe duke riprodhuar atë për ta trasuar ndër brezat e tyre. Do të citojmë këtu një varg të poetit të madh shqiptar, Dritëro Agolli, i cili thotë:

„E njoh serbin me gjarpër në kokë/ gjarpër që e rritën stërgjyshërit e serbit në oborr”. Këtë thënie e vërteton lumi i gjakut të derdhur i shqiptarëve nëpër shekuj nga dhuna serbe e kjo u pa edhe gjatë gjithë historisë shqiptare. Në këtë drejtim, qëllimet hegjemoniste serbe nuk e linin të qetë edhe atdheun amë të shqiptarëve, Shqipërinë, duke u munduar me forma e metoda të ndryshme, të spiunazheve që ta destabilizojnë atë, ta komprometojnë përpara faktorit ndërkombëtar, duke e ushqyer jetën e tyre hegjemoniste për tokat shqiptare e për dalje në det të përkrahura edhe nga aleatja e saj – Rusia. Në këtë vazhdë të politikës së saj, Serbia mundohej të krijojë iluzione te populli serb se, „Kosova na qenkësh e tyre“ dhe me këto iluzione hegjemonizmin e saj për tokat shqiptare, ta ndihmojë edhe me kolonizimin e saj, duke sjellë kolonë nga viset e tjera jugosllave dhe nga vetë Serbia.

Tanimë, përpara patriotëve shqiptarë dhe rinisë shqiptare shtroheshin detyra të reja për t’iu kundërvënë sa më ashpër kësaj propagande të errët serbe me të gjitha mjetet dhe mundësitë. Pra, lufta propagandistike gjatë e këtyre viteve ishte e një rëndësie të veçantë. Në këtë kontekst grupet ilegale që vepronin në Kosovë dhe në Evropë, bënin çmos që të nxirrnin fletushka, gazeta, pamflete, broshura, me qëllim të qartësimit të kërkesave të shqiptarëve për opinionin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

Edhe demonstratat që zhvilloheshin nëpër qytetet e Kosovës dhe në Evropë, ndihmonin shumë që çështja shqiptare të njihet si problem i pazgjidhur në Jugosllavi. Ndërsa, grupet ilegale në Kosovë ishin mjaft aktive, kuptohet në kushtet dhe rrethanat e veprimit në ilegalitet, në shënimin dhe shpërndarjen e fletushkave dhe pamfleteve, sqarimin e çështjes ndër masat popullore si dhe shumë veprime tjera në goditjen e okupatorit serb dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Këto rrethana të krijuara në Kosovë, nuk e linin të qetë edhe Xhevat Berishën, tani më mësues, pjesëmarrës i demonstratave të `81-shit në Prizren dhe nëpër shumë aktivitete tjera ilegale ku ishte vënë me tërë qenien e tij në shërbim të çështjes madhore të Kosovës. Mënyra e veprimit të tij në këtë drejtim, kishte konspiracion të lartë, dhe detyrat që ia shtronte vetes i merrte me shumë seriozitet dhe përgjegjësi si në planin propagandistik, të veprimit në teren, krijimin dhe zgjerimin e rrethit dhe të gjitha detyrat tjera që shtroheshin nga shokët e ilegales në atë kohë.

Sukseset dhe mënyra e veprimit të tij është treguesi më i mirë se me çfarë konspiracioni punoi ai në shërbim të çështjes kombëtare, sepse Xhevati ishte besnik i fjalës së dhënë. Kështu, Xhevati, moto kryesore të veprimtarisë ilegale kishte thënien: „Të veprosh pa u hetuar, sepse vetëm aty fshihet çelësi i suksesit“. Mendonte kështu, sepse koha e veprimit tani më kërkonte vendosmëri, guxim e sakrificë, ndërsa dashuria për atdheun, për popullin e tij ishte shtytje për veprim në rrugën e idealit kombëtar.

Rritja e rrjetit të ilegalëve në Prizren dhe në Vërri, për ato kohë ishte sukses dhe një mundësi më tepër që edhe kjo pjesë e Kosovës të futet në veprim dhe në rrjedhat e kohës. Edhe pse pas `81-shit, disa anëtarë të këtyre grupeve ranë në burgje, aktiviteti i grupeve ilegale nëpër fshatrat e Vërrinit dhe në Prizren vazhdoi pa ndërprerë në propagandimin e zgjidhjes së çështjes kombëtare me anë të pushkës, sepse vetëm pushka ishte gjuha me të cilën duhej biseduar me pushtetin serb.

Në përputhje me aktivitetet dhe veprimet e këtyre grupeve ilegale në këto anë, përkon edhe aktiviteti i Xhevatit, i cili për asnjëherë nuk e ndali punën e tij në shërbim të atdheut, duke mbledhur rreth vetes shokë të vendosur e trima, që çështjen e atdheut e kishin mbi të gjitha. Rreth vetes ofronte dhe u besonte njerëzve të dëshmuar në aktivitete dhe veprime për çështjen e Kosovës.

 

 

 

 

 

 

 

Situata që po zhvillohej në Kosovë, në veçanti pas demonstratave të vitit 1981, kërkonte veprime shumë vigjilente të veprimtarëve të ilegales që vepronin në atë kohë, sepse ndjekjet, burgosjet, torturat tani më ishin përditshmëri kosovare, që i trillonte UDB-a serbe. Tani më shumë se kurrë rrezikoheshin pjesëtarët e grupeve ilegale, në veçanti ato të lëvizjes, që vepronin në Kosovë, sepse ata bartnin edhe barrën e organizimit të demonstratave dhe protestave kundër regjimit të Beogradit që ushtronte dhunë e terror në Kosovë.

Xhevat Berisha, siç dihet ishte i kyçur në strukturat organizative përparimtare të ilegales dhe i frymëzuar në rrugën e patriotëve e atdhetarëve të kombit. Xhevat Berisha, dashurinë për Kosovën kishte filluar ta vërë në planin e veprimit të tij ilegal, pra në shërbim të çështjes kombëtare dhe të Republikës së Kosovës, që ishte kërkesë bazë gjatë asaj kohe. Prandaj, veprimet kërkonin vigjilencë, vendosmëri e guxim, por edhe konspiracion gjatë veprimtarisë. Në këtë drejtim, Xhevati tani më kishte filluar të bëjë edhe hapat e parë të ilegalit të ri, por mosha e tij, që në atë kohë sapo i kishte kaluar të njëzetat e kishte pjekur atë për të qenë syçelë në veprim dhe në zgjedhjen e shokëve për aktivitet. Tani ai kishte krijuar përvojën e nevojshme në konspiracion dhe në ruajtjen e fshehtësive gjatë aktivitetit e punës revolucionare në të gjitha fushat e veprimit. Me shumë maturi, së pari bënte hulumtimet e nevojshme përpara se të ndërmerrte hapat e duhur. Ishte anëtar i celulave ilegale, i njihte sjelljet e një veprimtari ilegal në raporte me rrethin. Ishte i padallueshëm në mesin e njerëzve të thjeshtë dhe asnjëherë nuk krijonte hapësirë të kuptoje, për bindjet e tij revolucionare e patriotike, para atyre njerëzve që i kishte ngarkuar UDB-a për përgjimin dhe përcjelljen e çdo aktiviteti kombëtar të rinisë shqiptare në Kosovë. Ndërkaq, për lidhjet e tij nuk të jepte të kuptoje dhe në shumë raste, sipas rrëfimeve të shokëve nuk e dinte as edhe familja e tij e ngushtë e as shokët, me të cilët punonte. Për shokët e tij të veprimit, asnjëherë nuk fliste për afërsi apo edhe për ndonjë lidhje tjetër. Pranë vetes, por as në shtëpi nuk i mbante materialet e ndaluara për kohën, duke i strehuar larg vendbanimit. Ndërsa, për aksionet dhe veprimet tjera kundër armikut, ishte shumë i mbyllur dhe nuk i fliste askujt. Sa i përket vendtakimeve e dinin vetëm anëtarët e ngushtë të celulës, bashkëveprimtarët dhe për kohën e takimeve të tilla ai i kishte arsyetimet, që zakonisht thirrej në emër të ndonjë pune që duhej ta kryente, apo edhe takonte një person të tretë që nuk kishte lidhje me veprimtarinë dhe aktivitetin e ilegales. Edhe shpërndarjen e materialeve të kësaj natyre e bënte gjithmonë sipas planit të shokëve të celulës, me një fshehtësi tepër serioze, duke i zgjedhur vendet e shpërndarjes së materialit në vende adekuate dhe përmes personave të besueshëm, që me të vërtetë e lexonin dhe kishin të njëjtën dije e të njëjtin qëllim në çështjen kombëtare. Literatura ilegale, punimet, referatet, afishet, ruheshin gjithmonë në radhët e veprimtarëve të cilët pastaj e bënin shpërndarjen e tyre në terren.

Edhe gjatë përgatitjeve të demonstratave, sidomos në Prizren, Xhevat Berisha ishte shumë aktiv, ndërsa gjatë përgatitjeve të tyre, zbatohej një disiplinë vendosmërie, që nuk të jepte të kuptoje asgjë nga pamja e jashtme fizike dhe sjellja e tij. Për njerëzit e dyshimtë, kishte një përbuzje dhe një injorim, që shpeshherë e ndrydhte në vetvete për t’ia lënë kohës dhe momentit, për ta bërë demaskimin e tyre. Xhevat Berisha, gjithmonë dhe në çdo situatë i paramendonte mundësitë e rënies, prandaj edhe dinte mirë të mbrohej prej atyre kurtheve dinake e qyqare që mundoheshin t’i përgatisnin sahanlëpirësit e Beogradit. E gjithë kjo maturi vinte në saje të përvojës së fituar dhe respektimit të parimeve bazë për një veprimtar të ilegales. Një qëndrim të tillë, të matur, sidomos e mbante në vendet publike, ku asnjëherë nuk fliste për çështje që nuk i takonin legalitetit dhe as që ndërlidhej në bisedat e tilla, të fjalamanëve dhe provokatorëve që i kishte „pjellë“ koha dhe epoka e komunizmit. Një pjesë e aktivitetit dhe e veprimtarisë ilegale e tij ndoshta edhe nuk do të mund të ndriçohet për shkak të rrethanave të veprimit.

Si i tillë, Xhevat Berisha, ishte një veprimtar i pjekur, i vendosur, trim e guximtar, me konspiracion, që asnjëherë nuk arriti të kapej nga okupatori për veprimtarinë e tij të bujshme revolucionare, që ndikonte edhe në sukseset e lakmueshme gjatë aktivitetit të tij në shërbim të çështjes madhore të Kosovës. Falë këtyre veprimeve burrërore, shumë të matura në këtë drejtim, “lundrimi” i ilegalëve bëhej i padiktueshëm edhe para “syrit të keq”, sepse për të më e rëndësishme ishte që të vepronte me një rreth të vogël të veprimtarëve, sesa në një rreth më të gjerë, që ndoshta mund të komprometohej shumë shpejt.

Kështu, e gjithë veprimtaria e tij shënon sukses shumë të madh, sepse duke u kyçur edhe në aktivitetet tjera, që deri diku konsideroheshin aktivitete dhe veprime legale. Xhevat Berisha, me kalimin e kohës dhe varësisht prej situatës së përgjithshme që mbretëronte në Kosovë, arriti, që një pjesë të veprimeve ilegal t’i kryente përmes aktiviteteve legale, duke e masivizuar dhe zgjeruar fushën e veprimit në hap me kohën dhe situatën. Pra, Xhevat Berisha, mbetet një prej ilegalëve që dha kontribut dhe rezultate të çmueshme në shërbim të çështjes kombëtare në Prizren dhe rrethinë.

Këto detyra, takime, sugjerime, veprime konkrete, ai i kreu më me sukses, sidomos gjatë kohës së studimeve në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren.

 

 

 

 

 

Pas mbarimit të shkollës së lartë, Xhevat Berisha emërohet mësues në shkollën fillore në fshatin Arbëri (ish- Leskovec), detyrë të cilën e filloi me shumë përkushtim dhe dashuri. Për të shkuar në punë, ai çdo ditë duhej të udhëtonte nga qyteti mbi një orë në njërin drejtim e po aq edhe anasjelltas. Edhe pse udhëtimi ishte një problem në vete, për moshën dhe vullnetin që kishte Xhevati, udhëtimi nuk paraqiste ndonjë pengesë, qofshin ato gjatë stinës së vjeshtës apo edhe gjatë dimrave të ashpër.

Për karshi vullnetit dhe përkushtimit të tij të madh, në shërbim të çështjes kombëtare problemi i udhëtimit as që ekzistonte. I frymëzuar në rrugën Migjeniane, Xhevat Berisha ishte i palodhshëm në rrugën e përhapjes së rrezeve të dritës për brezin e ri. Dashuria e tij për atdheun, për filizat e rinj, dashuria për popullin e tij, ishin motiv dhe forcë në rrugën e përhapjes së diturisë në frymën kombëtare. Njohuritë dhe atdhedashuria, që ishin skalitur me vite në personalitetin e tij, tani më reflektoheshin te brezat, te nxënësit e tij. Përkushtimi në punë me brezin e ri, ishte i veçantë, sepse aty e shihte ardhmërinë e sigurt të atdheut. Çiltërsia dhe sinqeriteti ishin tipare që e afronin me shokë në kolektiv, me nxënës, me fshatarë e në veçanti me rininë.

Vitet po rridhnin dhe pas dy vjetësh në punë, Xhevati u pranua në shkollën fillore, „Mic Sokoli“, (atëherë „M.Bekteshi“) në fshatin Malësi e Vërrinit, shkollë kjo në të cilën ai kishte qenë edhe nxënës i saj dikur. Pra, dëshira e tij për të punuar pikërisht në shkollën, që dikur kishte qenë nxënës më në fund u realizua, ndërsa udhëtimi me orë të tëra nga qyteti në fshat dhe anasjelltas do ta përcjellë vazhdimisht. Në këtë shkollë, Xhevati do t’i gjejë edhe nxënësit nga vendlindja e tij, të cilët pas klasës së katërt mësimin e vazhdonin në këtë fshat. Edhe rrethi i kolektivit ishte më i gjerë, ndërsa në këtë shkollë kishte edhe mësues tjerë nga qyteti, me të cilët Xhevati gjithmonë udhëtonte me ta.

Për punën e tij pesëmbëdhjetë vjeçare në arsim, ai pati shumë shokë me të cilët punoi e veproi, por edhe që e ndau dhembjen dhe brengat me ta. Me këtë rast do t‘i përmendim disa nga shokët e tij siç janë: Mitat Krasniqi, Naim Çejku, Samidin Ramadani, Kasam Berisha, Asim Berisha (tani dëshmor), ndërsa në kolektiv i kishte edhe bashkëvendësit: Besim Berisha dhe Rafet Berisha, ndërsa nga fshati Malësi e Vërrinit: Baki Avdaj, Selajdin Selmanaj, Liman Kryeziu, Dalip Shabanaj, Miriman Shala, Rami Shala, Mehmet Shala, Neshat Shala, Sinan Maçkaj, Refki Avdaj, Ramush Thaçi, Hajriz Shala, Ridvan Berisha, Hazer Mehmetaj, Bashkim Likaj, Maliq Oruqaj, Ilam Berisha, etj.

Puna me fëmijë atij i sillte kënaqësi të veçantë, sepse e donte profesionin, i donte fëmijët, kalitjen me njohuri të reja për jetën dhe mbi të gjitha ai ua donte të ardhmen e tyre të ndritur. Puna e tij me nxënës, nuk përkufizohej vetëm brenda plan-programit mësimor, por njohuritë e përgjithshme për lëndët e ndryshme mësimore, ishin ndihmesë e madhe që kohën e orëve të mësimit, ta plotësonin ata edhe me shumë të dhëna nga njohuritë e tij. Fryma që ai e përhapte te nxënësit, ishte ajo e vijës kombëtare, duke qenë i vendosur në këtë drejtim, se brezi i ri që po rritej, të jetë i edukuar vetëm në atë drejtim, sepse ashtu do të jetë më mirë për ata, për kombin, për atdheun. Dhe kështu, ai brez që po rritej me një frymë të re kombëtare, do të jetë në gjendje ta do më shumë atdheun, ta çmojë drejtë të kaluarën, për t’ua hapur rrugët e së ardhmes. Pra, fryma kombëtare që ishin tiparet e personalitetit të tij, tani më po shpërndahej si rrezet e diellit mbi errësirën për t’ia ndriçuar rrugët njerëzimit.

Fuqinë më të madhe të këtyre frymëzimeve dhe motivin për të shpërndarë rreze drite e gjente në shpirtin e popullit, në historinë e lavdishme, në veprat e zgjedhura të poetëve dhe shkrimtarëve më të spikatur të kulturës shqiptare, në veçanti te rilindësit tanë. Ndërsa, vetë jeta e Xhevatit, i ngjasonte asaj Migjeniane, sepse ai e ndiente frymën e popullit, vuajtjen e tij, ia ndiente dhembjen e i përjetonte rëndë vuajtjet e tyre. Ai e ndiente gjendjen e mjerë të shtresave të popullit, të nxënësve të tij, sepse ata ishin pasqyrë e kohës, e vuajtjes, e skamjes, e vuajtjeve e rritës pa prindër, sepse prindërit e disa prej tyre i kishin marrë rrugët e kurbetit në sy, dhe të gjitha këto, Xhevati, i përjetonte, i perceptonte dhe vuante me to. Të gjitha këto atij i thernin në shpirt, por shpresa se ditë të bardha edhe për popullin tonë do të vijnë, e forconte atë. Ai gjente kohë edhe për aktivitete të lira kulturore e sportive, duke qenë prezent kudo nëpër çdo organizim, qoftë në kuadër të shkollave në qytete, por edhe nëpër fshatra ku mbaheshin ato.

Edhe në shkollën ku punonte (në Malësi të Vërrinit), mbaheshin manifestime të ndryshme kulturore, por edhe sportive dhe duke qenë gjithmonë aktiv, ai jepte ndihmesën e tij si në muzikë, sport, kulturë, por edhe në lëmë tjera të organizimit, sepse edhe vet Xhevati kishte prirje në sport, muzikë e kulturë. Si i tillë, gjenialiteti i tij krijonte mundësi, që të jetë pjesë e pandashme e këtyre organizimeve në shkollë. Krahas punës në shkollë, aktiviteti i Xhevatit jashtë saj, në drejtim politik, në shërbim të çështjes kombëtare, kap përmasa të gjera duke u shtrirë në shumë drejtime të veprimit, kuptohet me shokë të zgjedhur që veten e kishin vënë në shërbim të çështjes madhore kombëtare.

Në këtë drejtim, fushën e veprimit Xhevati do ta shtrijë përveç në Prizren, edhe në Vërri, me shokë që kishte besim, për t‘i vënë në veprim, apo në „ lëvizje“ thoshte ai. Për të gjitha këto, Xhevati, kishte kulturë të veprimit dhe parapërgatitje në këtë drejtim, duke mos u hetuar fare me punën dhe aktivitetin e tij në shërbim të atdheut, por për asnjë çast, duke mos i munguar punës në shkollë me nxënësit e tij. Për Xhevatin, veprimtaria politike kishte një vend të posaçëm që kërkonte kohë, por ai dinte t‘i koordinonte veprimet, duke mos e ndier asnjëherë mungesën e kohës, apo siç do të shprehet përmes këtyre vargjeve:

„Me zemër të përvëluar

i shkelur me vite

i ujis filizat e rinj

Unë! Mësimdhënësi.

Poeti pa liri

Deri kur Nënë Shqipëri?!“

                                 (UNË)

Pra, vitet e punës si mësues, kapin një pjesë të madhe të aktiviteteve të Xhevatit, dhe nga ky angazhim i tij dolën gjenerata e gjenerata shkollarësh, shumë prej të cilëve më pastaj do të bëhen edhe luftëtarë të denjë të çështjes kombëtare dhe shokë të pushkës, të cilët në ditët kur i thirri atdheu, iu bënë krahë në vijë të frontit, ku ai përsëri ishte së bashku me ta në ballë të luftës kundër okupatorit barbar serb. Me këtë, pra u dëshmua se ai punoi, përhapi dije kudo që shkoi, rrezatoi, duke e dëshmuar dashurinë e tij për popullin e atdheun edhe me vepër dhe duke qenë në ballë përherë.

Punën e tij si mësues, do ta vazhdojë deri me rastin e rënies së tij në burg, në shkurtin e vitit 1998. Kjo punë e gjatë me nxënës, nëpër shkollat e Vërrinit, kontributi i tij, që s‘do mend se edhe sollën rezultate e suksese, e bëjnë atë shumë të nderuar, që ne do ta quanim mësues i popullit - Xhevat Berisha.

 

 

 

Pra vetëm si i tillë, ai gjatë kësaj kohe punoi dhe veproi me një rreth të ngushtë të veprimtarëve të ilegales, të cilët më vonë do të dëshmohen shembull edhe në luftën çlirimtare, duke qenë themeluesit e celulave të para të UÇK-së në rajonin e Prizrenit. Në kuadër të këtij aktiviteti, Xhevati do ta zhvillojë një bashkëpunim të ngushtë edhe me disa nga anëtarët e grupeve ilegale të Vërrinit që vepruan gjatë gjithë asaj kohe, bashkëpunim i cili do të dëshmohet më vonë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sukses i këtij bashkëpunimi ishin edhe shumë demonstrata që u organizuan në Prizren ku rinia e Tuzsuzit (paralagje e Prizrenit) dhe ajo e fshatrave të Vërrinit, ishin shumë aktive. Kështu që, e gjithë kjo veprimtari dhe aktivitet që u zhvillua gjatë gjithë kohës së shtypjes së egër barbare të pushtetit serb nën maskën e quajtur Jugosllavi, do të vazhdojë drejt ngritjes së vetëdijes së përgjithshme, vetëdije kjo që do të reflektohet përmes organizimit të një varg protestave popullore në çdo kënd të Kosovës për ta kundërshtuar pushtuesin serb dhe ndryshimet kushtetuese, ndryshime këto që pushtuesit serb i bënë me tanke duke ushtruar dhunë e terror mbi popullatën shqiptare. As para këtyre ndryshimeve rinia shqiptare nuk qëndroi duarkryq, sepse i kundërshtoi me gjënë më sublime, me gjak. Viti 1989 shënon një ngritje të përgjithshme popullore në protesta e demonstrata gjithkund në Kosovë, protesta këto që drejtoheshin nga niveli i lartë i vetëdijes kombëtare. Kjo kohë shënon flakjen e frikës edhe te një shtresë e njerëzve, (të cilët deri në atë kohë kishin qëndruar larg idesë se përmes demonstratave që i organizonte rinia kosovare), mund të kundërshtohej hapur kundër Serbisë dhe synimeve të saja hegjemoniste mbi Kosovën. Edhe në këto protesta, rinia e Prizrenit dhe ajo e fshatrave të Vërrinit u solidarizua me marshin e tyre drejt Prishtinës. Mbajtja e këtyre protestave, e demaskojnë në mënyrë të hapur thënien serbe: „ Se janë një grusht i vogël njerëzish që e duan dhe kërkojnë për t‘u bërë Kosova Republikë“. Përmes këtyre organizimeve e kuptoi edhe opinioni botëror se fjala është për një popull të tërë, që i kërkon të drejtat e veta si gjithë popujt tjerë. U pa qartë se edhe populli shqiptar po kërkonte të jetojë i lirë dhe të vendosë vetë për fatin e tij. Pra, tubimet e nëntorit, protestat e minatorëve, studentëve, punëtorëve, të rinisë së Kosovës, ishin pasqyra më e mirë e gatishmërisë së popullit tonë për t‘u ngritur e për t‘i mbrojtur të drejtat e tyre. Edhe gjatë organizimit dhe mbajtjes së këtyre protestave, Xhevat Berisha ishte shumë aktiv në lagjen e tij dhe më gjerë, qoftë përmes koordinimit të veprimit me organizatorët e tjerë të këtyre protestave në Prizren dhe rrethinë, qoftë edhe në mbajtjen e lidhjes me shokët e ilegales që vepronin jashtë atdheut, pra në perëndim. Krahas protestave, gjatë kësaj kohe u mbajtën edhe shumë tubime me popullin, ku u kundërshtuan ashpër ndryshimet kushtetuese. Ndryshime këto që po i bënte pushtuesi serb me gjuhën e armëve, por në anën tjetër shqiptarëve po ua bënte me dije se „gjuha e armëve“ është e vetmja gjuhë, me të cilën mund të bisedohej me Serbinë, duke përjashtuar çdo mundësi tjetër të marrëveshjeve eventuale. Të gjitha këto zhvillime, Xhevat Berishën e shtynin që të mendonte edhe për forma tjera të organizimit, në mënyrë që të shfrytëzohet gatishmëria e popullit dhe vullneti kundër Serbisë për ta përshpejtuar rrugën drejt çlirimit të Kosovës. Në anën tjetër, duke i parë edhe rrjedhat politike në Ballkan e më gjerë, që për shumë analistë këto zhvillime të hovshme, konsideroheshin si „erëra të luftës“, të cilat dita –ditës po i afroheshin edhe Kosovës, duhej shfrytëzuar rrugët dhe mundësitë e mobilizimit të përgjithshëm për sfidat e reja që shtroheshin përmes „kuzhinave“ sllave përpara popullit tonë. Këto rrethana dhe zhvillime, i përcillte me vëmendje edhe Xhevati, i cili tani më ishte vënë në kërkim të rrugëve të reja të veprimit, brenda rrethanave dhe mundësive që i ofronte koha, situata dhe të gjithë faktorët tjerë, për t‘u vënë në veprim me sukses.

Xhevat Berisha, pasi e kishte analizuar mirë situatën, rrethanat dhe mënyrën e veprimit, guximi, vendosmëria dhe trimëria e tij bënë që ai të vijë në kontakt me disa nga anëtarët e frontit të rezistencës, me të cilët do ta vazhdojë rrugën atdhetare për çlirimin e Kosovës. Forma që kishte zgjedhur, ishte ajo e luftës, sepse Kosova nuk mund të çlirohej ndryshe nga Serbia, përpos me luftë, për çka e dëshmoi edhe koha në vazhdim. Kështu rruga ilegale në shërbim të atdheut, Xhevatin do ta përcjellë edhe më tej, duke qenë i palodhur dhe i pandalshëm në veprim. Për ilegalen e viteve të shkuara, rruga ilegale nuk ishte risi, por ishte vetëm vazhdim i aktivitetit, duke qenë në gatishmëri që me armikun vetëm duhet ballafaquar përmes tytës së pushkës, por për asnjë çast duke mos i harruar shokët e ilegalitetit dhe formën e veprimit të deriatëhershëm, sepse rruga ishte e gjatë dhe e mundimshme që kërkonte shfrytëzimin e të gjitha mundësive në shërbim të Kosovës.

 

 

 

 

 

Situata dhe dinamizmi i zhvillimit të ngjarjeve politike në Kosovë, Xhevat Berishën e nxitën që të futet në një drejtim tjetër të veprimit, pra në atë drejtim për të cilin ishte i bindur se angazhimet e tij për çështjen kombëtare do të korrin suksese. Tashmë erdhi koha e ndryshimit të veprimeve, nga veprimet ilegale të luftës propagandistike, në formën e organizimit të luftës së armatosur. Situata që po zhvillohej në Kosovë, vjeshta e protestave gjithpopullore e `89-tës, protestat nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, marshet e popullit drejt Prishtinës, ishin treguesi më i mirë se ishin krijuar kushtet për një rrugë tjetër të veprimit në Kosovë. Duke pasur parasysh këta tregues, shumë djem atdhetarë që ishin angazhuar deri atëherë në aktivitete ilegale, tani më filluan ta projektojnë të ardhmen e Kosovës, projekt ky që ardhmërinë e Kosovës e shihte vetëm përmes luftës, që një ditë do të ndodhë patjetër herët apo vonë. Edhe Xhevat Berisha, që deri më tani ishte angazhuar në aktivitetin ilegal, rrugën e tij do ta vazhdojë po në këtë drejtim, por në formë aktive të veprimit. Në vitin 1989, ai kyçet në „Frontin e rezistencës“, që për rajonin e Prizrenit ishte ndër të parët, me disa djem tjerë të Vërrinit, i ndihmuar gjithmonë edhe nga vëllai i tij që gjendej në Austri. Atëherë Xhevati njihet me Naim Krasniqin, Sokol Dobrunën e shumë të tjerë, që e përbënin bërthamën e Frontit. Ndërsa njohjen e parë shokët e tij e përshkruajnë, duke kujtuar një mbledhje që ishte mbajtur në shtëpinë e tij në Prizren dhe për atë takim ata sot kujtojnë : „ Xhevati ishte një djalë i qetë, i cili e përvetësonte çdo njeri me fjalë të pakta dhe angazhime të pashoq, të cilat i kryente me një përkushtim të papërshkrueshëm, sepse ai gjendjen qysh herët e kishte kuptuar dhe ishte plotësisht i bindur se me Serbinë ndarja do të ndodhte vetëm me luftë dhe për asnjë moment nuk e ka ndërprerë aktivitetin e tij brenda mundësive dhe rrethanave që i kishim në dispozicion. Kontaktet e grupit gjithmonë kanë vazhduar, ndërsa Xhevati punonte edhe me shokë tjerë, si: Zafir Berishën, Naser Berishën, Mursel Osmanin, Hajrim Qengajn, ndërsa në frontin e rezistencës atëherë ishte i kyçur edhe Minir Krasniqi, pastaj Ismail Kryeziu, Nuhi Bytyçi, që në shtëpinë e tij është mbajtur edhe një nga mbledhjet nismëtare të „Frontit“. Përpjekjet dhe synimet e anëtarëve të „Frontit“, atëherë kanë qenë gjithmonë të orientuara që të ofrojnë sa më shumë njerëz, sepse mendonin që do t‘i kontribuonin çështjes, e ata njerëz ishin kryesisht me aftësi profesionale dhe intelektuale, njerëz të sakrificës.

Qëllimi i „Frontit“ në atë kohë ishte që të formohen formacionet e para ushtarake dhe kështu të kyçen sa më tepër njerëz profesionistë në këto formacione dhe të përgatiten plane ushtarake për çdo qytet dhe fshat. „Fronti“, kishte për qëllim që të gjitha gjërat të vihen nën urdhra e rregulla ushtarake ku do të kyçeshin sa më shumë njerëz pa marrë parasysh ideologjinë apo bindjet e tyre politike.

Angazhimi në „Frontin e rezistencës“, kërkonte edhe armatosjen e anëtarëve, ndërsa sigurimi i mjeteve dhe i armatimit ishte një problem në vete, që vazhdimisht i ka përcjellë njerëzit e ilegales. Kjo dukuri i ka përcjellë edhe anëtarët e „Frontit“ në Prizren. Për Xhevatin, nuk ishte e lehtë kjo çështje, sepse çfarë mund të bëhej në atë kohë me një rrogë mësuesi e që edhe atë rrogë më shumë nuk e merrnin, por edhe kur e merrnin, për rrethanat e atëhershme ishte shumë pak. Megjithatë, Xhevatin, në këtë drejtim e ndihmonin vëllezërit e tij që punonin në Austri. Kjo ndihmesë ishte e madhe që Xhevati të paktën të kishte mundësinë t‘i siguronte ca mjete për nevojat elementare të funksionimit të „Frontit“. Edhe sigurimi i mjeteve luftarake ishte shumë i vështirë, një rrugë më e sigurt por me shumë rreziqe. Nga Shqipëria anëtarët e „Frontit“ siguronin pjesën më të madhe të armatimit. Dhe të gjithë këta djem, me mjetet vetjake përpiqeshin të siguronin të paktën nga një armë, ngase detyrat dhe angazhimet kërkonin një gjë të tillë, meqë gjatë kësaj kohe planifikoheshin jo rrallëherë aksione të armatosura kundër pushtuesit dhe shërbëtorëve të tij. Sipas dëshmive të krerëve të „Frontit“, në Prizren ka qenë aktiv vetë grupi i Vërrinit, ndërsa ka pasur edhe të tillë që kanë qenë të angazhuar edhe nga vise tjera. Pra, anëtarët vazhdimisht shtoheshin. Ka qenë një strategji e anëtarëve të këtij grupi, që në rast rrezikimi të mos bien të gjithë, këtë e ka pohuar edhe Naim Krasniqi, i cili ishte i lidhur ngushtë me Xhevat Berishën. Xhevat Berisha, në aktivitetin e tij në Frontin e rezistencës, ishte shumë aktiv dhe tepër sekret, kishte konspiracion të lartë në aktivitete dhe veprime, prandaj edhe kishte arritur që të afronte afër vetes shumë të rinj që idenë e çlirimit të Kosovës e shihnin të mundshme vetëm me luftë. Ky aktivitet ka vazhduar deri në nëntor të vitit 1991, kur u bë thyerja e „Frontit“, sepse në shumë qendra të Kosovës ranë në burgje krerët e saj, që për opinionin e Kosovës është i njohur gjykimi famëkeq i Pejës, ku u gjykuan mbi tridhjetë shqiptarë nga të gjitha viset e Kosovës. Në atë kohë ranë në burg: Naim Krasniqi, Sokol Dobruna, Mentor Kaçi, prof. Çerkin Peçi nga Mitrovica dhe mbi tridhjetë anëtarë të tjerë. Rënia e shumicës nga anëtarët e „Frontit“ në burg, e theu deri diku aktivitetin, megjithatë Xhevati me shokë në Prizren dhe rrethinën e Vërrinit, aktivitetin e vazhdoi në forma të ndryshme në përgatitjen e rinisë për sfidat e ardhshme që do t’i nxjerrë në shesh koha. Gjatë gjithë viteve të aktivitetit të Xhevatit, sa ishte në „Front“ ka qenë i pandashëm edhe Selajdin Berisha, tribuni i Vërrinit, bashkëluftëtari më besnik i Xhevatit, komandant i policisë ushtarake gjatë luftës së UÇK-së, tani dëshmor i kombit. Pra, gjatë gjithë atyre viteve, krahas aktivitetit ilegal, në planin legal në regjionin e Vërrinit dhe në Prizren, organizonin gara sportive, në veçanti aplikonin sportin e mundjes, duke formuar edhe klube sportive për përgatitjen dha kalitjen e rinisë për sfidat e ardhshme. Në këtë drejtim, Xhevati e Selajdini gëzonin autoritet të madh në të gjitha shtresat popullore të Vërrinit. Duke analizuar lidhjet e Xhevatit e të Salës në atë kohë, por edhe zhvillimet e mëvonshme të aktivitetit të tyre dhe pas rënies së Xhevatit në burg, Selajdini mori armët dhe u kthye në fshatin e lindjes, në Lezin heroik, për ta vazhduar rrugën e nisur – luftë për çështjen kombëtare.

Duke analizuar të gjitha veprimet e tyre në shërbim të atdheut, del se edhe Sala kishte qenë anëtar i „Frontit“ sekret. Selajdin Berisha ishte   krahu i djathtë i Xhevatit.

Respekti dhe dashuria e Xhevatit, për shokun do të pasqyrohet menjëherë pasi Nimi del nga burgu, në nëntor të vitit 1995. Me rastin e vizitës që i kishte bërë Xhevati, i kishte thënë atij: Je lodhur bacë? – Jo, - ishte përgjigjur ai. - Vazhdojmë, vazhdojmë, paskëshin thënë të dy. Pra, ishte përgjigje me vetëm dy fjalë, aq të thjeshta dhe aq madhështore që flasin shumë. Kështu edhe ka vazhduar punën Xhevati, brenda mundësive, kushteve dhe situatave që janë zhvilluar në vazhdim, por tani në rrugë dhe forma tjera që i kërkonte koha. Qëllimi ishte të shporrej çizmja e okupatorit serb nga Kosova. Duke pasur parasysh rënien e shumë shokëve të „Frontit“ në burg dhe formën e pamundësisë së veprimit në kuadër të „Frontit“, Xhevati tani vihet në veprim të kërkimit të formave dhe rrugëve tjera të veprimit për çështjen kombëtare, por duke i qëndruar besnik parimit se: „ Armikun nga Kosova mund ta largojmë vetëm me luftë“.

Kjo formë e aktivitetit të tij, është pjesë e veprimtarisë, që kryesisht e zhvilloi në ilegalitet Xhevat Berisha, por as në jetën legale angazhimi i tij s`do të mungojë, duke u angazhuar edhe në subjekte tjera për ta zgjeruar aktivitetin dhe mundësitë për veprim në planin e aktiviteteve të tija në shërbim të atdheut.

 

 

 

 

 

 

 

Pas protestave të mëdha gjithpopullore në Kosovë, në veçanti ato të vitit 1989 për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës dhe kushtetutës së saj të vitit 1974 që kërkohej të ndryshohej nga Serbia e të vihej në përdorim një kushtetutë e re serbe sipas së cilës shqiptarët edhe ato pak të drejta që i kishin pasur t‘i humbnin, u krijuan kushte dhe rrethana krejtësisht të reja, që ndikuan në masivizimin e përgjithshëm të protestave kundër Serbisë.

Në rrethana dhe situata të këtilla, Xhevati, me disa nga shokët më të besuar që ishte i kyçur në radhët e „Frontit për Çlirimin e Kosovës“, e shihnin të arsyeshme se gati ka ardhur koha të bëheshin gati për luftë të armatosur. Krahas luftës propagandistike kundër Serbisë, kërkohej edhe pajisja e anëtarëve të „Frontit“, me mjete të cilat nevojiteshin për çfarëdo ballafaqimi me armikun, armatosja graduale e popullatës. Kështu me punë intensive e të vazhdueshme u krijua vetëdija kolektive në këto anë se lufta ishte në prag dhe se përveç kësaj forme të armatosur s‘kishte mbetur formë tjetër për t’i kërkuar të drejtat tona, të dhunuara e të rrudhura nga regjimi i diktatorit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, prandaj edhe qëllimi i armatosjes së popullatës ishte vetëmbrojtja nga sulmet e bandave çetnike- sllave.

 

 

 

 

 

Lëvizja popullore e pajtimit të gjaqeve në Kosovë, është një etapë tjetër ku Xhevat Berisha dha kontribut shumë të çmuar në pajtimin e gjaqeve në Prizren dhe rrethinë. Disa citate nga parathënia e librit „Pajtimi i gjaqeve 1990/91“, botuar nga shtëpia botuese „Era“ në Prishtinë, 2001, nga grup autorësh. Lëvizja gjithpopullore e pajtimit të gjaqeve filloi më 2 shkurt 1990 dhe përfundoi më 17 maj 1992. Në fillim u quajt aksioni i pajtimit të gjaqeve. Bërthama e parë përbëhej nga Havë Shala, Brahim Dreshaj, Adem Grabovci, Lulëzim Etemaj, Myrvete Dreshaj, Ethem Çeku (cit. M.Dreshaj), ishin nga ana e Pejës. Shumica qenë studentë dhe më parë të burgosur politikë. Idenë e faljes e sollën nga burgu: „T‘i nderojmë tridhjetë e dy të vrarët nga terrori shtetëror serb e jugosllav. T‘i falim tridhjetë e dy gjaqe. T‘i lëmë të paçelura tridhjetë e dy varre të reja.“ Aksionit iu bashkuan studentë e intelektualë tjerë, burra të nderuar, profesorë universitarë e studiues të institucioneve. Nderim të veçantë para popullit kishte prof. Anton Çetta. Instituti Albanologjik i Prishtinës u bë qendër e rëndësishme e Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve. Sukseset ishin të mëdha. Aksioni shumë shpejt u shndërrua në lëvizje mbarëpopullore, duke u përhapur në të gjitha viset e robëruara shqiptare. U formuan këshilla rajonale dhe komunale të pajtimit nga Liqeni i Shkodrës e deri te Liqeni i Ohrit si dhe në diasporë. Pushteti serb u shqetësua shumë. Ndiqte veprimtarët dhe ndalonte tubimet. Pas pajtimeve të para në oda burrash, filluan edhe tubimet e mëdha popullore. Tubimi më i madh u organizua te “Verrat e Llukës”, më 1 maj 1990. Aty u tubuan rreth gjysmë milioni njerëz. Rezultatet e punës së lëvizjes ishin madhështore. Në Kuvendin e Parë, më 19 maj 1990 u zgjodh edhe Këshilli Koordinues. Lëvizja u bë më e fortë. Policia serbe vazhdonte të pengonte këtë veprimtari, që në fakt pos misionit të faljes së gjaqeve, kishte edhe unitetin kombëtar. “Armë” kjo që pushtuesi serb i frikësohej , andaj latuesit e kësaj “arme” shqiptare i ndiqte , i rrihte dhe i burgoste. Megjithatë lëvizja vazhdoi punën deri në Kuvendin e Tretë, më 17 maj 1992, në kuadër të formimit të këshillave rajonale dhe komunale të pajtimit të gjaqeve. Një këshill i tillë u formua edhe në Prizren, i prirë nga veprimtari i lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave për rrethin e Prizrenit, prof. Bajram Kurti, i cili rreth vetes kishte mbledhur shumë të rinj, studentë, profesorë, mësues, punëtorë, me të cilët gjatë asaj kohe dhanë një kontribut shumë të madh, duke pajtuar shumë gjaqe, plagë e ngatërresa në Prizren e rrethinë, gjaqe të cilat janë të dokumentuara në librin e sipërpërmendur nën moton: „Do t‘i pajtojmë të gjitha gjaqet, për ta vazhduar rrugën drejt ardhmërisë së shëndoshë kombëtare”. Çeta e veprimtarëve të kësaj lëvizjeje, aktivitetin e vet e shtriu kullë më kullë e shtëpi në shtëpi, kudo që kishte ngatërresa e gjaqe, duke pajtuar familje të tëra.

Në kuadër të këtij këshilli, për Prizren, ishte i kyçur edhe Xhevat Berisha, i cili dha një kontribut të çmuar në terren. Prof. Bajram Kurti, veprimtari që i priu Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve e Ngatërresave për rrethin e Prizrenit, për veprimtarinë dhe punën e Xhevatit në këtë këshill, do të shprehet kështu: „Dëshmori Xhevat Berisha, ish-komandant i ZKZ-së në UÇK, për Zonën e Vërrinit ishte veprimtari më i dalluar i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve e Ngatërresave. Çdo pajtim që është bërë në zonën e fshatrave të Vërrinit, është bërë duke iu falënderuar punës së palodhshme të mësuesit të popullit Xhevat Berisha”. Më konkretisht, kjo shihet nga faqja 143 – 176 dhe nga faqja 289 – 292 te libri “Pajtimi i Gjaqeve 1990/91”, ku janë të dokumentuara pajtesat në regjionin e Prizrenit dhe në Vërri. Këtu hyjnë të gjitha pajtimet që u bënë nëpër tubime popullore në fshatrat: Sharr (ish-Shtruzhja), Malësi e Vërrinit (ish-Lybeqevë), Hoçë e Qytetit, Kushtrim (ish-Billusha), Gurrë (ish-Poslisht), Lez, Arbëri (ish- Leskovec), por edhe në tubimet në Piranë, Zhur, Vërmicë, Muradem, Vlashnje, Shkozë etj. Në të gjitha këto pajtime, angazhimi dhe kontributi i aktivistit Xhevat Berisha është i dukshëm, duke mos e harruar edhe kontributin e veprimtarëve tjerë të kësaj lëvizjeje, sepse gjatë asaj kohe u pajtuan të gjitha plagët, ngatërresat e gjaqet në këto anë.

Xhevat Berisha, kur ishte fjala për bashkimin e popullit tonë për mobilizimin e tij kundër okupatorit, ai ishte i palodhshëm në veprim e në aktivitet, duke mos kursyer asgjë nga vetja për të mirën e popullit. Ai kishte punuar pa ndërprerë në identifikimin e gjaqeve, plagëve e ngatërresave kudo në Vërri e më pastaj së bashku me prof. Bajramin shkonin shtëpi më shtëpi. Duke kërkuar fjalën e besës e të faljes së gjaqeve e ngatërresave, në emër të martirëve të kombit, në emër të flamurit, në emër të bashkimit të popullit tonë, në emër të Kosovës, duke ua zbutur zemrat njerëzve, duke e marrë me vete fjalën e besës e të faljes, për ta trasuar atë në ditët e kuvendeve të mëdha që mbaheshin ato vite nëpër fshatra dhe qytete. E gjithë kjo lëvizje mbarëpopullore e tundi dhe e zgjoi nga gjumi vetëdijen kombëtare. Si te njerëzit e shtyrë në moshë, ashtu edhe te të rinjtë, si ndër burra ashtu edhe ndër gra, kjo lëvizje u përjetua si një ngjarje e madhe historike e bashkimit të popullit të shumëvuajtur nga këto plagë, që pjesën më të madhe të këtyre plagëve i nxiste   okupatori serb. Kjo lëvizje u kuptua drejt nga të gjitha shtresat e popullit e në veçanti nga rinia, e cila e palodhur veproi e përkrahur edhe nga veprimtarë, profesorë e intelektualë, duke e kryer me përkushtim një detyrë të shenjtë në shërbim të bashkimit të kombit dhe të të mirës së atdheut. Ndjenjat e këtyre pajtimeve janë të papërshkrueshme, sepse ndër ne po mbyllej një plagë mjaft e rëndë që kombit i kishte sjellë gjithmonë dëme, përçarje, ndërsa ndër ne ishte futur si një njollë sherri që brente gjithçka kombëtare në atë mjedis ku futej si e tillë. Prandaj, plagës së gjakmarrjes i kishte ardhur koha dhe momenti për çrrënjosje nga këto troje dhe nga ky popull. Dhe, kishte ardhur momenti i bashkimit, i mobilizimit të popullit përballë okupatorit serb, i cili për çdo ditë e pengonte këtë lëvizje, sepse e dinte mirë se bashkimi i shqiptarëve ua rrezikonte sundimin e serbëve të egërsuar dhe të   ushqyer nga idetë hegjemoniste. Xhevati, si veprimtar që ishte dhe përcjellës i mirë i situatës dhe gjendjes së mjeruar të popullit tonë, por edhe bindjen që e kishte se Kosova nuk mund të çlirohej pa luftë dhe ishte i bindur se diçka e tillë do të ndodhte, herët a vonë, ndërsa pajtimi i gjaqeve dhe i plagëve nga ai kuptohej si moment historik, ku do të bëhet unifikimi i ideve dhe qëndrimeve të kalitura nga dhuna e vazhdueshme e pushtuesve serbë. Kushtrimi, se „ ardhmëria mund të ndërtohet vetëm duke i pajtuar gjaqet”, ishte edhe një hap drejt mobilizimit të përgjithshëm përballë armikut, që e kishte ngulfatur çdo pore të jetës institucionale shqiptare.

Nganjëherë është e pafuqishme fjala për ta përshkruar gjithë atë angazhim dhe aktivitet të tij dhe të Këshillit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, por më qartë për të flet puna e bërë në terren, që është e dokumentuar në shumë studime të veçanta ku pjesë e kontributit dhe angazhimi ishte edhe veprimtari i orëve të para, luftëtari i ditëve të para nën uniformën e ushtrisë   më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmori i kombit, Xhevat Berisha.

Nën moton: „Ta varrosim hasmërinë e të bëhemi një për ta përzënë gjakpirësin dhe për t‘u çliruar nga kriminelët që vepronin kudo në trojet tona, veproi dhe u angazhua i gjithë Këshilli i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, Plagëve e Ngatërresave në Prizren, anëtar i të cilit ishte Xhevat Berisha.

 

 

 

 

 

 

Në fund të vitit 1989, atëherë kur në gjithë Kosovën veç mbaheshin protesta të vazhdueshme për të protestuar kundër ndryshimeve të dhunshme serbe për heqjen e kushtetutës dhe veprimeve tjera kundër Kosovës, edhe rinia shqiptare filloi aktivitetin në organizimin legal në forma të ndryshme. Ishte fundviti i 1989-tës e fillimviti i 1990-tës, kur në Kosovë filloi të lindë fryma e re e demokracisë. Sistemi monist i komunizmit serbosllav e mori grushtin e fundit. Atëherë, edhe rinia shqiptare që kurrë nuk ishte pajtuar me të kaluarën e fëlliqur komuniste sllave filloi edhe organizimin legal. Në prill të vitit 1990-tës, në bashkësinë lokale ku jetonte Xhevat Berisha, e mblodhi rininë e kësaj lagje dhe në lokalin e Abdullah Krasniqit, formuan „Parlamentin Rinor“. Në fillim ky parlament veproi si një organizatë pa definim të qartë politik, por karshi aktivitetit që pasoi dhe asaj që e zhvilloi rinia, ishte dhe mbetet e parëndësishme. Tanimë, Xhevat Berisha si edhe në shumë fronte tjera të organizimit, edhe në Parlamentin Rinor, ishte ideator i të gjitha organizimeve. Rinia e lagjes në krye me Xhevat Berishën për tri vjet radhazi sa veproi Parlamenti Rinor, ishte prijëse e të gjitha aksioneve që u ndërmorën në lagje dhe në qytetin e Prizrenit në të gjitha fushat e veprimtarisë jetësore. Edhe këtu, aktiviteti i Xhevatit shtrihet në përgatitjen e rinisë për përgjigje me pushkë kundër Serbisë. Veprimtaritë kryesore, që i zhvilloi në Parlamentin e Rinisë, ishte aktivizimi i rinisë në aktivitetin që ishte i orientuar në vetëdijesimin e të rinjve për rrugën e pashmangshme që e priste, pra fillimi i luftës së armatosur. Edhe në organizimin kulturor dhe sportiv, Xhevati kishte arritur të ndikojë te të rinjtë të vetëdijesohen dhe të ngrihen në pikëpamje kombëtare. Fushë tjetër e veprimit ishte edhe aktiviteti kulturor, por edhe në organizimin e përvjetorëve të historisë sonë kombëtare, që në këtë lagje janë shënuar vazhdimisht. Nga ajo kohë e veprimit të Xhevatit, lindi edhe grupi letrar i lagjes. Pas tri vjetëve të veprimtarisë së Parlamentit Rinor në këtë lagje, ky forum shuhet për t‘u formuar më pas dega e Partisë Parlamentare të Kosovës. Kështu që edhe gjatë kësaj kohe, Xhevat Berisha u dallua për suksese dhe rezultate në drejtimin e organizimit të rinisë në drejtim të çështjes kombëtare për të cilën ai ishte dhe mbeti i përcaktuar se: “Liria e Kosovës mund të arrihet vetëm me pushkë.”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Aktiviteti, tani më shumëdimensional me të gjitha rrugët dhe format e mundshme të veprimit, mori hov të madh për rrugën e veprimit të Xhevat Berishës.

Përkushtimi i tij për çështjen e Kosovës, mënyrat dhe format e veprimit të tij me shokë. Xhevati krijoi hapësirë veprimi edhe në fusha të tjera për veten dhe shokët e tij të idealit. Jo vetëm në rrethin ku jetoi dhe veproi, por edhe në mbarë regjionin dhe në Rrafshin e Dukagjinit ishte një zë shumë origjinal në korin e pavarësisë së Kosovës.

Rruga e tij e veprimit edhe në këtë sferë të veprimtarisë tij ishte një kalitje dhe forcim i bindjeve që i kishte të trashëguara e të forcuara se vetëm me armë mund të çlirohet atdheu dhe u përpoq që këto bindje të tij t’ua transmetonte edhe shokëve me të cilët një ditë do t‘i rroknin armët për ta luftuar shkaun dhe për ta larguar përgjithmonë nga Kosova.

Celula e parë e veprimtarisë kulturore të Xhevatit ishte në bashkësinë lokale ku ai jetonte, me një shtrirje edhe në Vërri. Në lagjen e tij formoi klubin letrar „Fazli Grajçevci“, ku zhvilloheshin shumë aktivitete kulturore, që tubonte rreth vetes shumë të rinj prizrenas. Ky klub me emrin e patriotit Fazli Grajçevci, në punë e aktivitet udhëhiqej nga idealet patriotike të Fazliut dhe të shokëve të tij. Pra, këtu shpaloseshin vlerat atdhetare të shumë të rinjve, që formën dhe mënyrën e veprimit të tyre e shprehnin nëpërmjet aktiviteteve kulturore, siç ishin kultivimi i fjalës së shkruar dhe aktivitetet e tjera kulturore, që në plan të parë kishin për qëllim afrimin e të rinjve e pastaj edhe prezantimin e kulturës, të cilët i ushqente frymëzimi i veprës madhore të atdhetarit Jusuf Gërvalla.

Rruga e këtij patrioti dhe martiri të kombit, kishte qenë gjithmonë inspirim se si duhej punuar dhe vepruar për çështjen kombëtare. Duke nxjerrë këtë frymëzim në dritë dhe duke e jetësuar atë në rininë prizrenase, Xhevat Berisha së bashku me Naip Berishën (tani dëshmor i kombit), Islam Cakajn , Xhemshit Krasniqin dhe shumë shokë tjerë, të cilët më vonë do të rreshtohen në rreshtat e parë të Ushtrisë Çlirimtare, përgatitën dramën „Procesi“ të Jusuf Gërvallës. Përgatitja e kësaj drame dhe shfaqja e saj nuk ishte e lehtë, megjithatë kjo dramë pati sukses të madh në Prizren dhe rrethinë, ku u shfaq disa herë. Sukseset e kësaj rinie u arritën falë angazhimit të palodhshëm të Xhevatit, i cili përveçse i shërbeu ruajtjes së kontinuitetit kulturor, kjo formë e organizimit i shërbeu shumë edhe afrimit të rinisë. Krahas angazhimeve të mëdha, Xhevati arrinte të gjente kohë edhe për t‘u marrë me krijime letrare. Ai u bë iniciator për nxjerrjen në dritë të fletushkës „Qëndresa“, organ i rinisë prizrenase për shumë kohë gjatë viteve më të rënda të okupimit serb. Gjatë kësaj kohe të nxjerrjes së kësaj fletushke, u publikuan shumë shkrime dhe artikuj, të cilët në vete bartnin ndjenjat, preokupimet e rinisë për të ardhmen e atdheut e të kombit. U botuan gjashtë numra të kësaj fletushke. Gjatë kësaj kohe, në lagjen “Tuzsuzi” (tani lagjja “Trimat”), së bashku me shokë organizoi edhe shumë manifestime të ndryshme. Në vitin 1993 u organizua „Java kulturore“, në të cilën prezantuan shumë shoqëri kulturore artistike nga Vërrini dhe u formua SHKA „Çamëria“, e cila, duke ruajtur dhe kultivuar traditën, ecte përpara drejt lirisë, për të cilën siç thoshte Xhevati: „Megjithatë ajo nuk vjen pa e kapur pushkën” Pra, ai gjithmonë u mundua të japë kontribut në ngritjen e moralit të të rinjve. Në vjershat e tij që i botonte gjatë asaj kohe në fletushkën „Qëndresa“, shumë qartë shiheshin ndjenjat dhe mendimet e tij, si poet i lirikës, poet që i këndoi lirisë. Poezitë e shkruara kohë pas kohe, që nga rinia e hershme i ruajti si xhevahir, të cilat pas rënies heroike, klubi letrar „F. S. Noli“ ia botoi me titull „Pishtari i Lirisë“.

Xhevat Berisha, veç poezisë herë pas herësh ka shkruar edhe prozë. Nga punimet e tij të botuara në këtë fletushkë, shihet qartë se ai ka kultivuar një publicistikë, përmes të cilave është shprehur „pa dorëza“, duke thënë qartë se: “Kosova, vetëm me luftë mund të çlirohet nga okupimi serb”- dhe duke qenë i bindur për këtë rrugë, nëpër të cilën kaloi Kosova, ai punoi vazhdimisht deri në aktin më sublim, pra deri në rënie.

I palodhshëm në veprime, në aktivitet me shokë, edhe në këtë drejtim kishte dëshmuar talentin e tij, mundësitë, guximin në veprim, trimërinë dhe vendosmërinë për ta kundërshtuar okupatorin serb me të gjitha format e mundshme dhe këtë kundërshtim synonte ta bënte sa më masiv, duke i vënë në lëvizje të gjitha shtresat popullore. Pra, veprimtaria kulturore e Xhevat Berishës, është e pandashme nga veprimtaria dhe angazhimi i tij atdhetar në shërbim të luftës për lirinë e Kosovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

Gatishmërinë për t‘u sakrifikuar për luftë, Xhevat Berisha e shihte te rinia e shëndoshë dhe e frymëzuar në pikëpamje kombëtare, e cila tashmë ishte e gatshme të hidhej në aksione të armatosura, por kuptohet se priste vetëm sinjalin për një veprim të tillë.

Pas kyçjes së tij në „ Frontin e Rezistencës“, vizioni për të ardhmen e Kosovës dhe çlirimin nga barbarët serbë e shihte si të vetmen rrugë përmes luftës së armatosur, por lufta kërkonte njerëz, trimëri e guxim dhe të gjitha këto virtyte Xhevati i shihte te rinia. Xhevati shtroi shumë detyra për parapërgatitjen e shokëve si në aspektin fizik ashtu edhe në bashkimin e tyre, ngase një ndër elementet themelore që ishin si kusht për zhvillimin e luftimeve ishte uniteti.

E vetmja mundësi në atë kohë për veprime legale ishte sporti dhe aktivitetet tjera kulturore, të cilat duheshin shfrytëzuar maksimalisht në përgatitjen për aksione të armatosura që do të ndodhin shumë shpejt.

Nevoja e përgatitjes fizike të rinisë, lindi në veçanti pas viteve të nëntëdhjeta e këtej, kur rinia shqiptare e Kosovës, tani më kishte filluar të mos i përgjigjej thirrjes për mobilizim në ushtrinë jugosllave, që kohëve të fundit, edhe ajo ku shqiptarët përbënin një përqindje të madhe dhe duke iu frikësuar kësaj përqindje edhe vetë politika hegjemoniste nuk ishte më e interesuar për regrutimin e të rinjve shqiptarë, në mënyrë që kjo rini të jetë sa më e papërgatitur në sfidat e ardhshme që i planifikonte Serbia për Kosovën. Në veçanti, ky bojkot i rinisë shqiptare për mobilizim në armatën jugosllave, filloi me fillimin e luftës në Slloveni, pastaj edhe në Kroaci. Erërat e luftës po vinin drejt Kosovës dhe përpara rinisë shqiptare shtroheshin detyra të reja në drejtim të angazhimit për çështjen kombëtare. Krahas gjithë aktiviteteve ilegale që zhvilloheshin në kuadër të „Frontit“ nëpër fshatrat e Vërrinit ku rinia më e zgjedhur e këtyre anëve përgatitej në përdorimin e armëve, kalitjen fizike, ishte një domosdoshmëri tjetër e rinisë. Pikërisht për këtë qëllim, mundësi e vetme që guxohej të veprohej legalisht ishte sporti, në veçanti mundja, që në Vërri i kishte rrënjët e traditës me dekada të këtij sporti. Ushtrimi i këtij sporti qe mundësi e mirë për veprim, meqë edhe një sport të tillë rinia e kësaj ane e preferonte. Duke i pasur të gjitha këto rrethana, Xhevat Berisha, i cili këtë mundësi e shfrytëzoi me shumë mjeshtri, duke angazhuar rininë e kësaj ane nëpër klube të mundjes që filluan të veprojnë nëpër fshatrat e Vërrinit dhe në Prizren. I pandashëm në veprim ishte edhe Selajdin Berisha, i cili ishte mundësi më i mirë në regjionin e Vërrinit e më gjerë, si: në Prizren, Tetovë, Shkup e kudo tjetër, ku kishte marrë pjesë në sportin e mundjes. Qëllimi i kalitjes së rinisë në njërën anë dhe mundësia e vetme për të ushtruar e stërvitur në atë kohë, ndikoi që të formohen disa klube në Prizren, në Malësi të Vërrinit (ish- Lybeqevë), Hoqë të Qytetit, pastaj kishte të rinj të angazhuar nga fshatrat Arbëri (ish-Leskovec), Gurrë (ish-Poslisht), Kushtrim (ish-Billushë), nga Lezi, Kushtendili, Sharri (ish-Struzhja) dhe nga lagjja “Tuzsuzi”, banorë të së cilës lagje ishin edhe Xhevat e Selajdin Berisha. Gjatë gjithë asaj kohe, por edhe gjatë gjithë viteve në vazhdim, këto klube sportive vepruan me shumë sukses, nga të cilat klube u kalitën edhe djemtë, të cilët e dëshmuan veten më vonë në luftëra, pra atëherë kur e deshi atdheu.

Gjatë gjithë këtyre viteve u organizuan shumë manifestime sportive dhe aktivitete tjera kulturore. Nëpër aktivitete sportive, të pandashëm ishin Xhevati e Selajdini, të cilët rreth vetit kishin tubuar shumë të rinj dhe kishin krijuar autoritet dhe respekt të madh në rajonin e Vërrinit dhe në një pjesë të Prizrenit.

Me aktivitetet sportive, në plan të parë me atë të mundjes, përmes klubeve të formuara në këto anë, ata kishin ofruar rreth vetit „shpirtin“ liridashës të popullit, duke qenë shumë të respektuar e të nderuar nga të gjithë pavarësisht moshën. Këto organizime krijuan mundësi që edhe më tepër të njihen dhe të krijojnë lidhje të reja me shokë, të cilët në sfidat e ardhshme do të jenë të pandarë edhe në luftë. Ky kishte qenë edhe synimi i tyre që ta ofrojnë sa më shumë rininë, ta përgatisin atë, që në rast kushtrimi për luftë për çlirimin e atdheut, rinia e kësaj ane të jetë e gatshme.

Një kompaktësi dhe një organizim të këtillë, nuk e gjejmë në asnjë rreth tjetër të Kosovës, siç ishte në Vërri. Këtë unitet e mundësonte edhe kompaktësia gjeografike e këtyre fshatrave, dashuria e banorëve të kësaj ane për kulturën dhe sportin e mundjes dhe shumë faktorë tjerë.

Pra, ishte një aktivitet i menduar dhe i koordinuar mirë, ishte një parapërgatitje graduale psikologjike dhe fizike e rinisë vërrinase, e cila u dëshmua edhe me fillimin e luftës kundër okupatorit serb që brenda një kohe shumë të shkurtër u bë një organizim i shkëlqyeshëm, ku rinia e kësaj ane e dëshmoi veten, duke i arsyetuar edhe ushtrimet dhe përgatitjet e bëra vite me radhë përmes organizimeve sportive.

Ka qenë gati traditë që përveç aktiviteteve sportive, të organizohen në fshatrat e Vërrinit edhe aktivitete tjera kulturore, si koncerte, përmes të cilave organizimeve dëshmoheshin vlerat shumë të pasura burimore të popullit tonë, si : këngët, vallet, recitimet e ndryshme, të cilat gjithmonë kishin pikësynim frymën dhe frymëzimin e popullit me rritjen dhe ushqimin e ndjenjave kombëtare.

Këto forma të veprimit, krijuan mundësi dhe hapësirë të mjaftueshme, sa për t‘u bindur Xhevati se rinia e Vërrinit dhe një pjesë e lagjes “Tuzsuzi” të Prizrenit, për çdo situatë „ishte pushkë e mbushur“ i bindur se në çdo kohë e moment do t‘i përgjigjeshin kushtrimit të atdheut për luftë të armatosur kundër armikut shekullor. Edhe gjatë kësaj kohe të veprimit, Xhevati tregoi maturi dhe konspiracion në veprime, në punë, në ushtrime me rininë, në manifestime kulturore e sportive dhe kudo që shkoi e veproi. Së bashku me Selajdinin udhëhiqnin me interesim të madh rrjedhën e garave në të gjitha fushat, meqë për ta të gjitha aktivitetet kryenin të njëjtin funksion dhe qëllim, atë të kalitjes   së rinisë dhe të afrimit të saj. Duke njohur nga afër aktivitetin e Xhevatit, ai ishte shumë i interesuar të kishte rreth vetes një rini të shëndoshë, të përgatitur e të fortë, të guximshme në veprim, e përgatitur për çdo sakrificë, sepse ishte i bindur se një ditë kjo rini me forcën dhe vitalitetin e saj do të vihet në shërbim të luftës e të atdheut. Lidhur me këtë, shpesh thoshte: „Rinia është e padjallëzuar politikisht“, prandaj pikërisht këtu ai e mbështeste besimin më të madh se barrën e luftës në Kosovë do ta bartë rinia, e cila kishte vizion dhe ide të pastra kombëtare për të gjetur rrugën e realizimit të lirisë. I tillë çfarë ishte Xhevati, e çmonte rininë, vitalitetin e saj, vlerat, vizionin, që kishin shikimin kah ardhmëria, prandaj ishte edhe i pandashëm nga të rinjtë. Me ta e projektonte ardhmërinë e atdheut, e projektonte lirinë e Kosovës, duke mos e harruar për asnjë moment as çmimin që duhej ardhur deri te liria. Thënë shkurt, Xhevati ishte i përkushtuar me tërë potencialin dhe kapacitetin e tij në shërbim të atdheut, andaj çdo aktivitet që e zhvilloi, ku shkoi e veproi, në këtë rast edhe përmes sportit, e vuri në shërbim të çështjes kombëtare, të përpjekjes dhe luftës për çlirim e liri të Kosovës.

 

 

 

Nevojën për shtrirjen e aktivitetit, në planin legal, Xhevat Berisha e kishte kuptuar si kërkesë të kohës dhe të situatës në të cilën gjendej populli ynë dhe Kosova. Edhe aktiviteti legal ishte i kufizuar brenda përbrenda zhvillimeve që i impononte situata dhe kushtet nën okupim. Ndërsa nevoja për një ofrim sa më të madh të masave popullore dhe të sensibilizimit drejt një qëllimi, ishte kërkesë e kohës dhe e pozicionit në të cilin gjendeshin shqiptarët në Kosovës nën okupimin serb. Luftërat që sapo kishin filluar në Slloveni e Kroaci, diktonin erëra të reja edhe në drejtim të Kosovës për një luftë në të ardhmen. Tanimë, përpara njerëzve përparimtarë shtroheshin detyra të reja për t’u vënë në veprim në rrethin ku jetonin. Në këtë drejtim, Xhevatit, tanimë ishin shtruar po ato detyra që çështjes dhe kërkesave të kohës t’u vijë në ballë, në këtë drejtim edhe në lagjen „Tuzsuzi“, banor i së cilës ishte, shtrohej po kjo detyrë. Dihet fare mirë se Xhevat Berisha, kishte qenë edhe anëtarë i parlamentit rinor ku kishte zhvilluar një aktivitet të dendur në këtë drejtim dhe ishte dëshmuar me rezultatet e tij, prandaj si njeri me autoritet përpara tij shtrohen kërkesa të reja për të vazhduar në aktivitet dhe për angazhimin e tij në lagjen ku jetonte. I dëshmuar në aktivitetin e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, në Frontin për Çlirim, në aksionin e pajtimit të gjaqeve, anëtar i këshillit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut (KMDLNJ) në Prizren, në parlamentin rinor, në aktivitete kulturore e sportive, në protesta e demonstrata kundër pushtuesit dhe okupatorit serb, dhe në shumë detyra që ishin shtruar përpara tij, Xhevat Berisha tanimë e kishte krijuar rrethin dhe njerëzit dhe gëzonte autoritet në shtresat e popullit, si në Tuzsuz e në Vërri, por edhe më gjerë. Edhe veprimet ilegale të Xhevatit, kërkonin mbulesa dhe ato më së miri mund të mbroheshin me ndonjë aktivitet legal për t’i mbajtur dhe ofruar njerëzit pranë vetes. Thënë shkurt, ishte bindje e kohës te shtresat e popullit se, nëse nuk ishe i kyçur diku legalisht që ta dinin të gjithë, t’i mund të veproje por përkrahja ishte shumë e vogël në këtë drejtim, duke ia shtuar edhe akuzat që u bëheshin ilegalëve të kohës nga okupatori dhe individë të caktuar të qarqeve të ndryshme në Kosovë. Prandaj, Xhevati me çdo kusht mundohej ta ruajë frymën atdhetare të krijuar në lagjen e tij me vite dhe në këtë plan duheshin forma dhe veprime të menduara mirë për ta arritur qëllimin. Kyçja e Xhevat Berishës në LDK vjen në kohën kur tanimë në këtë parti legale në Kosovë, ishin kyçur edhe shtresat e ish-të burgosurve politikë anembanë Kosovës. Pra viti 1993, shënon kyçjen e Xhevat Berishës në këtë parti, për t’u vënë legalisht në shërbim të popullit, në shërbim të atdheut, si kryetar i nëndegës për lagjen “Tuzsuzi” të Prizrenit. Gjatë kësaj kohe, Kosova gjendej në një okupim total nga Serbia, ndërsa luftërat që po zhvilloheshin në fillim në Slloveni, pastaj në Kroaci e në Bosnjë, po shënonin gjithnjë e më tepër shtrirje të konfliktit në përmasa tragjike. Tanimë, Kosova, në një okupim total, pa institucione përbrenda në vend, me shkolla të uzurpuara, pa radio e televizion, pa kurrfarë të drejtash kombëtare dhe shtetërore për shqiptarët, me një armatë të tërë të papunëve, në një gjendje të egër policore, nën rrahje, burgosje e vrasje të përditshme nga policia serbe, po kalonte nëpër katrahurën satanike të skafandrave e helmetave serbe, të dirigjuara nga serbët lokalë dhe të ndihmuar nga pushteti diktatorial i Serbisë së Milosheviqit. Vetëm arsimi vetëmbahej dhe vetëfinancohej nga shqiptarët në Kosovë, duke mësuar edhe nëpër shtëpi private. Në këtë drejtim, Xhevat Berisha, në kuadër të angazhimeve të tij, kishte ndihmuar mjaft që në lagjen e tij të gjenden edhe disa shtëpi të cilat për disa vite kishin shërbyer si shkolla për nxënësit e shkollave të mesme të Prizrenit. Po ashtu, edhe në kuadër të këshillave për financim, ai kishte dhënë një kontribut të çmueshëm. Në kuadër të angazhimeve të tij, në udhëheqjen e lagjes, kishte treguar rezultate edhe në shtruarjen e rrugës së kësaj lagje, pastaj në shpërndarjen e rrjetit telefonik nëpër lagje, kyçjen dhe ripërtëritjen e rrjetit elektrik, kanalizimeve dhe shumë aksioneve tjera të infrastrukturës dhe nevojave tjera të banorëve të lagjes. Për shumë vite veproi edhe ambulanca shëndetësore „Nëna Terezë“, e cila punonte në një shtëpi private dhe i shërbente popullatës në çdo situatë, me vizita, barëra dhe në ndihma të ndryshme mjekësore, duke qenë gjithmonë në shërbim të popullit. Gjatë kësaj kohe, lagjja “Tuzsuzi” e Prizrenit, ishte ndër lagjet më aktive për çdo aksion që ndërmerrej, në ndihma dhe në situata tjera emergjente që i kërkonte çasti dhe nevoja. Të rinjt e kësaj lagje ishin mjaft aktivë edhe në protesta dhe tubime që organizoheshin në Prizren. Kudo ishte Xhevat Berisha, i palodhshëm, fjalëpak dhe i vendosur në rrugën dhe idealin e lirisë. Shumë veprime të ilegalitetit i vuri në funksion dhe pjesërisht ato tanimë ishin në vlim në situatën e përgjithshme politike në Kosovë, sepse mllefi i popullit shqiptar kundër okupatorit serb e kishte arritur kulmin deri në shpërthim. Nga këto situata, Xhevati, në saje të pjekurisë së tij dhe përvojës, dinte të përfitonte nga situata për ta sensibilizuar dhe bashkuar në veçanti pjesën e rinisë për ta rreshtuar në vijën të cilën e kërkonte koha dhe atdheu. Ishte përcjellës i mirë i rrethanave, duke i përcjellë të gjitha zhvillimet në Kosovë qoftë përmes shtypit, gazetave, dhe të gjitha mundësive tjera, në mënyrë që ngjarjet dhe aktivitetin ta shtrijë në përputhshmëri me kohën dhe situatën e përgjithshme në Kosovë, në mënyrë që edhe këto pjesë të atdheut të mos ngelen jashtë zhvillimeve të interesit kombëtar. Çlirimi i popullit shqiptar nga Serbia, sipas tij por edhe nga zhvillimet që do të rrjedhin më vonë, mund të behej vetëm me luftë, ndërsa pavarësia e Kosovës dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare me shtetin amë - Shqipërinë, tanimë ishin rruga e vetme e luftës dhe e idealit të tij. Në një varg Xhevat Berisha shkruan:

Ekstazë pafund

Ëndërr e largët

Bashkim trojesh

Nëntori i tretë

Synim i feniksëve të rinj.

   (SYNIM).

Ndërsa vijën e liderizmit dhe karrierizmit politik, mundohej që edhe qelizën e fundit militante të kombit ta shuajë, vetëm e vetëm për hir të interesave të ngushta partiake dhe ndërskamcat e një pjese të caktuar në Prizren që i përgatiste kundër vijave dhe mendimeve tjera politike, Xhevat Berisha tani më i kishte kuptuar dhe për të ishin të padurueshme këto qëndrime që kishin vetëm fjalë boshe, ndërsa vija e tij militante e zgjedhur prej vitesh nuk e gjeti vendin aty, dhe i bindur botërisht se Kosova nuk çlirohet pa luftë, rruga e tij kërkonte tjetër drejtim.

Kështu, në vitin 1997, Xhevat Berisha largohet nga LDK-ja për ta vazhduar aktivitetin e tij në shërbim të çështjes kombëtare, jashtë suazave dhe programeve partiake, u vu në shërbim të interesave kombëtare, në shërbim të luftës, në shërbim të rrugës së lirisë që historia e çlirimit të shteteve e ka dëshmuar se ajo fitohet vetëm me pushkë dhe nuk ta falë askush. Në një varg thotë:

Çakalli flet

Korbi krrokat

Populli ëndërron

Pushka vajton

Lisat bien

Shtet pa pushtet

(POLITIKË).

I bindur në këtë rrugë, Xhevat Berisha, zgjodhi shokët e hershëm të veprimit, djemtë më besnikë dhe më trima që i kishte atdheu, për t’u prirë maleve të lirisë, për t’i prirë luftës që po hynte Kosova.

Me pushkë përkundesh

I fortë si guri,

Me besë e nder

Shqiptar pse heshtë?

(SHQIPTAR).

I vendosur në ideal, besën e dhënë atdheut, flamurit e kombit, ai do t’u prijë shokëve në organizimin e celulës së parë, e cila do ta bartë gjithë barrën e organizimit dhe themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në regjionin e Prizrenit, që për strehë të kësaj ushtrie do të jenë fshatrat e zonës së Vërrinit, ku do të zhvillohen luftërat më të përgjakshme kundër okupatorit dhe barbarëve serbë.

 

 

 

 

Xhevat Berisha, dallohej për karakter të fortë dhe moral të lartë në aktivitetin e tij në çdo sferë të jetës dhe të veprimtarisë së tij. Jo vetëm si mësues i zellshëm dhe punëtor i palodhur i çështjes kombëtare, por i afërt në biseda, i sjellshëm dhe shumë i respektuar për të gjithë pa përjashtim moshe. Afërsia e tij me popullin e kishte bërë të dashur për të gjithë banorët e fshatrave të Vërrinit, sepse duke jetuar në mesin e popullit, ai ishte mishëruar shpirtërisht me hallet e vuajtjet që ia sillte armiku. Me një fjalë, ai frymonte me brengat dhe me dëshirën për çlirim kombëtar. Kjo afërsi e tij e kishte shoqëruar atë që nga mosha e hershme e rinisë, si nxënës e student, por edhe si mësues prej kur filloi të punojë. Ishte parim i tij nëse të takonte në rrugë, në punë, në ara apo në festa e ahengje, të përshëndeste, të ndalte dhe të pyeste për hallet dhe problemet e jetës, duke çmuar nxënësin, fshatarin, bujkun apo mërgimtarin që kthehej në vendlindje. Respekti për njeriun tek ai buronte nga shpirti dhe sinqeriteti.

Xhevati kishte edhe shumë tipare të trashëguara nga babai i tij, i cili po ashtu ishte shumë i çmuar në rrethin ku e njohin e sidomos në Vërri. Këto tipare të mirësjelljes, kanë qenë traditë familjare e Xhavat Berishës, por në përgjithësi edhe të familjeve tjera lezjane, të cilat bartin me vete një kulturë të lartë të civilizimit. Edhe oda shqiptare ishte një shkollë, ku dëshmoheshin vlerat dhe traditat e popullit, prandaj edhe ai nga këto tradita kishte përvetësuar shumë. Duke respektuar më të vjetrit, njerëzit e moshave të ndryshme, kishte autoritet të madh, sepse Xhevati e kishte parasysh se vetëm respekti i ndërsjellë, krijonte afërsi mes njerëzve dhe kjo afërsi e ky bashkim është shumë i nevojshëm në fuqizimin e armës shqiptare siç e quante ai unitetin kombëtar.

Xhevat Berisha e çmonte popullin dhe mundohej që me të t‘i ndante plagët, dhembjet, robërinë e vuajtjet që i sillte armiku shekullor. Në përpjekje për t‘i kuptuar hallet e popullit, gjente forcë dhe vullnet që dhembjet t‘i shndërronte në shpresë e besim për ardhmëri. Këto veti, Xhevatit i jepnin besim dhe bindje se një ditë patjetër do të çlirohet Kosova e robëruar. Dhe, ja si shprehej në shumë raste në takime nëpër odat e Vërrinit duke biseduar me njerëz të moshuar: „Serbinë një ditë patjetër do ta largojmë nga trojet tona stërgjyshore, sepse i ka ardhur fundi i sundimit të shkaut që të luajë si të dojë me ndjenjat tona...“ Këtë besim e shihte në vitalitetin dhe forcën e popullit, në çdo hap, në çdo takim dhe vetëm priste finalizimin e kësaj fuqie. Xhevati i besonte fjalës, dashurisë për çlirim kombëtar, besonte në fisnikërinë e bujarinë e njerëzve dhe në forcën e popullit vetëm nëse do të jetë unik.

Xhevati i dinte mirë edhe veprimtarët e ilegalitetit, njerëzit me ndjenja të shëndosha atdhetare, njerëzit me vizion të qartë kombëtar, prandaj këta njerëz i çmonte më shumë se të gjitha shtresat tjera. I çmonte shumë edhe mërgimtarët, që në Vërri ka shumë, e njihte hallin e tyre, brengën, mallin për atdhe dhe dëshirën për jetë, sepse edhe dy vëllezërit e tij i kishte në mërgim. Në veçanti çmonte angazhimin në mërgim, sepse kishte parasysh kontributin e tyre në shërbim të atdheut dhe gjithçka që ata bënin për Kosovën, e konsideronte kontribut të madh punën e tyre. Ky besim, ishte shtytje në angazhimin e tij të mëtejshëm në shërbim të atdheut që vepronte në planin ilegal, por edhe vetë natyra e tij, bota shpirtërore, me të gjitha tiparet e bënte të dashur dhe të respektuar për shtresat e gjëra të popullit.

 

 

 

Veprimet e organizuara që herë pas here ndërmerreshin anë e këndë Kosovës kundër policisë serbe, tani më pas mesit të vitit 1997, u paraqit nevoja e koordinimit të veprimeve dhe organizimit edhe në anën e Prizrenit. Kështu, Zafir Berisha, i cili tani më kishte udhëtuar për në Shqipëri, përmes vëllait të tij, Shani Berishës, bie në kontakt me Sejdi Gegën dhe Adem Grabovcin për t’i koordinuar disa çështje rreth organizimit të veprimtarisë dhe luftës në Kosovë. Në kuadër të këtij udhëtimi, ai duhej të takohej me Hajrim n i cili ishte i shoqëruar nga Samet Thaçi, të cilët ishin të dërguar nga Xhevat Berisha, Selim Krasniqi dhe Naim Krasniqi. Këtu bisedohet rreth organizimit të celulës nën hierarkinë e UÇK-së. Të gjitha këto kontakte u mbajtën në Kukës për të vazhduar në drejtim të Prizrenit, deri në muajin shtator kur u vunë edhe kontaktet me familjen Kovaçi nga Pobregu, të cilët e depërtojnë edhe kontingjentin e parë me armatim në drejtim të Prizrenit, dhe këtë kontingjent të armëve brenda në Kosovë e kishte pritur; Xhevat Berisha, Ismail Kryeziu, Selajdin Berisha, Selim Krasniqi, Hajrim , Xhemshit Krasniqi, Elbasan Shoshaj, Mursel Osmani dhe disa shokë të tjerë të cilët filluan të armatosin jo vetëm veten por edhe të tjerët që e përkrahnin idenë për formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I gjithë ky organizim u bë diku në shtator të vitit 1997. Fillimi i vitit 1998 celulën e gjeti mjaft mirë të organizuar dhe gjithmonë në veprimtari rreth zgjerimit të radhëve të saj. Në këtë organizim, roli i Xhevat Berishës ishte i pazëvendësueshëm. Ai gjatë kësaj kohe dha një kontribut të çmuar në ofrimin dhe organizimin e shokëve. Edhe sukseset në organizim ishin të dukshme, dhe tani më ditët i numëronin për paraqitjen publike të UÇK-së në këto anë. Fundi i shkurtit të 1998-tës, do të prishë shumë plane të celulës, sepse disa anëtarë të saj ranë në burg. Veprimtaria e celulës për momentin u thye, megjithatë pjesa që i kishte shpëtuar burgosjes u arratis për në Shqipëri për ta vazhduar aktivitetin. Disa nga anëtarët dolën në ilegalitet për ta vazhduar po ashtu organizimin nga brenda.

 

21.

Rënia në burg e Xhevat Berishës qe humbje e madhe për familjen, shokët, organizimin, luftën, Kosovën, sepse rënia në burg në vlugun e aktivitetit të celulës dhe në ditët e fillimit të luftës, ndërpreu shumë punë dhe u prishën shumë plane në planin organizativ të celulës. Kjo burgosje do të ndikojë edhe në shtyrjen e procesit të planit për dalje publike të ushtarëve të parë të UÇK-së në këto anë, edhe për një kohë të pacaktuar, sepse thënë shkurt, çerdhja e organizimit të celulës për momentin u shpartallua, ngase një pjesë u burgosën: Xhevat Berisha, Hajrim , Isa Berisha, Mursel Osmanaj, më vonë Begush Bajrami, Mehmet Memçaj dhe Naim Krasniqi. Ndërsa, Xhemshit Krasniqi, Elbasan Shoshi, Selim Krasniqi e Ismail Kryeziu, u larguan për në Shqipëri. Selajdin Berisha kishte vendosur që mos të largohej nga Kosova, por ai që me rënien e Xhevatit në burg, i ngjeshi armët dhe u largua nga lagjja e tij, për t’u ngjitur në fshatin e tij të lindjes, në Lez, për të vazhduar rrugën e organizimit të luftës nga brenda në rrugën e lirisë. Pra, një pjesë e këtij aktiviteti u ndërpre, ndërsa pjesa e anëtarëve të celulës që u larguan për në Shqipëri, atje vazhduan përgatitjet dhe organizimin, duke iu bashkuar edhe pjesa tjetër e djemve të ardhur nga shtetet e Evropës, si Zafir Berisha, i cili veç ishte kthyer më herët në Shqipëri dhe i kishte krijuar fijet e organizimit. I gjithë ky aktivitet i anëtarëve të celulës në Shqipëri, u bë në kohën deri sa Xhevat Berisha me shokët e tjerë ishte në burg duke kaluar nëpër tortura më shtazarake që dinin të bënin UDBA-shët serbë, ndërsa Sala-Baca i maleve kishte rreth vetes disa të rinj atdhetarë dhe vazhdonte aktivitetin në armatosjen dhe sigurimin e mjeteve për luftë.

Stina e lirisë

Kurorë lulesh

Për ardhmërinë

Qielli i vranët

Barku pa ushqim

Bilbili n`kafaz

Zëri vajtues.

Pranverë...

Stinë e Lirisë,

thurim kurora lulesh

për ardhmërinë.

(PRANVERA).

Akuzat që i bëheshin Xhevatit dhe shokëve të tij në burgun nga hetuesia serbe, ishin nga më të rëndat, ndërsa torturat ishin nga ato më të ashprat, vetëm e vetëm për të pranuar e zbuluar diçka nga fillet e organizimit që pastaj të dënohen sa më rëndë, por, qëndresa e Xhevatit dhe e shokëve tjerë, në burg ishte stoike, duke mos pranuar asgjë nga akuza dhe duke iu përballuar e rezistuar torturave më të rënda që ushtronte UDB-a. Këtyre akuzave ai u përgjigjej gjithmonë me mohimin e akuzës që i ngarkohej, duke i definuar ato si intriga dhe të pavërteta që i bëheshin atij, ndonëse këmbëngulja e udbashëve, ishte që atij t’ia impononin akuzën, duke mos kursyer metoda e mjete në torturë fizike e në presion psikik. Dhuna e ushtruar fizike kundër Xhevatit e kishte dobësuar atë shumë fizikisht, megjithatë rrugës dhe idealit që ishte përcaktuar që në vitet e rinisë së hershme, ishte i pathyeshëm, ndërsa urrejtja për armikun, ishte e pakufishme. Gjatë kësaj kohe sa ishte Xhevati në burg, fundëshkurti, marsi, prilli e maji, në disa pjesë të Kosovës, e në veçanti në Drenicë, lufta kishte filluar, ndërsa Prekazi i komandantit legjendarë Adem Jashari kishte lëshuar kushtrimin dhe Kosova tani më kishte hyrë në luftë me okupatorin serb, ndërsa forca e vetme shqiptare që do ta luftonte këtë armik, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës me djemtë e saj më militantë që kishin vendosur t’i dilnin zot atdheut dhe të vdisnin për të. Kjo forcë e krijuar nga ajka e kombit, djemtë më të mirë të atdheut që ndër dejtë e tyre e kishin trashëguar dhe ruajtur trimërinë e guximin shqiptar ndër shekuj, asnjëherë nuk u thyen në rrugën e lirisë, duke treguar guxim, vendosmëri e trimëri, duke dëshmuar dashurinë e tyre për atdheun edhe me aktin për sublim të flijimit, që vetëm e vetëm kjo tokë, kjo pikë e gjakut në hartat e gjeografisë së botës, të gëzojë dritë dhe ky popull të jetojë i lirë. UÇK-ja, kishte dalë publikisht që më 28 nëntor të 1997-tës, në Drenicë, por edhe përpara kësaj kohe në Kosovë ka pasur lëvizje të vazhdueshme dhe konfrontime të armatosura me okupatorin serb. Koha që po rridhte me ngjarje dhe zhvillime shumë intensive në drejtim të luftës, rininë shqiptare të Kosovës gjithnjë e më tepër e bashkonte duke kapur armët nën emblemën e UÇK-së për ta luftuar pushtuesin shekullor serb. Urrejtja kundër armikut tanimë s`kishte kufi. Kjo urrejtje ishte krijuar e kultivuar me vite e shekuj, sepse barbaritë serbe kundër shqiptarëve në Kosovë i kishin rrënjët. Këto barbari serbe të ndihmuar edhe nga serbët lokalë, gjithmonë kanë krijuar urrejtje që tani më e kishte arritur kulmin e shpërthimit deri në luftë të armatosur.

E gjithë kjo urrejtje e krijuar nëpër histori, në lumenj gjaku e përshkroi gjithë shekullin e kaluar, sepse të zezat më të mëdha shqiptarët i pësuan nga serbët lokalë të ndihmuar nga pushteti i Serbisë i instaluar në Kosovë, dhe me të drejtë një fjalë e urtë jona thotë: “Më mirë i zihet besë qenit, sesa serbit”. Vërtet të tillë kanë qenë kundrejt shqiptarëve. Këtë e kanë dëshmuar shumë herë. Po të shikohen realisht vuajtjet shqiptare prej serbit, po të mblidhen gjithë ato vite burgje të shqiptarëve pa kurrfarë arsye, po të mblidhet gjithë ai gjak i derdhur i shqiptarëve pa i pasur kurrfarë borxhi serbit, duke qenë në tokë të vet, në shtëpi të vet, në atdhe të vet, po të mblidhet gjithë ai vaj nënash dhe gjithë ato vuajtje që shqiptarët i përjetuan nga serbi, shqiptarët me Serbinë i ndan një “det gjaku”, një „mur i madh kinez“, apo një mur tjetër ndarës që ende s`është ndërtuar në histori. Edhe burgjet pra ishin ndër ato aktet e dhunës dhe të politikës hegjemoniste serbe, duke i mbyllur djemtë më atdhetarë, me qëllim që urrejtjen që kishte filluar të shpërthejë, ta shuajë. Duke u kthyer përsëri te burgu i Prizrenit ku vuante Xhevat Berisha, shohim urrejtjen serbe në dhunën dhe sjelljet e gardianëve serbë në burgë. Xhevat Berisha dhe disa nga shokët e tij, tanimë mbaheshin të mbyllur në burgun e Prizrenit që nga 28 shkurti i 1998-tës, po i kalonin ditët më të vështira nëpër prangat dhe torturat e hetuesisë serbe.

I vetmuar horizontalisht

Mesi i natës - errësirë

Të shkruaj, kujt t’ia kushtoj

Pena e dora të shtangur

Zemër e sy të përlotur

Nën pranga, i shtypur

Errësirë e fundi si shihet

Rini e ikur nëpër kampe

Liri...Demokraci...Durim...

Ylli pëshpërit!?

(NË MES TË NATËS).

Po në fillim të majit të këtij viti, u burgos edhe ish-shoku dhe bashkëveprimtari i Xhevatit, që në kohën e frontit, Naim Krasniqi i cili do të dënohet për të dytën herë. Sipas dëshmive të Naimit, Xhevat Berisha gjatë kohës sa ishte në burg, ishte treguar shumë i vendosur dhe trim e i pamposhtur karshi dhunës serbe që ushtrohej ndaj tij. Me këtë vendosmëri, nuk kishte pranuar asgjë nga akuza që i ngarkohej. Në seancën gjyqësore, në pyetjen se për cilat qëllime janë siguruar armët, ai shumë i vendosur do të përgjigjet: Armët i kemi blerë për ta armatosur popullin që të mbrohet nga bandat çetnike serbe. Këto ishin fjalët gjatë seancës, ndërsa një vendosmëri të këtillë e kishte treguar edhe gjatë hetuesisë, përkundër maltretimeve dhe rrahjeve brutale të policisë serbe të cilat i dëshmon edhe Isa Berisha (nipi i Xhevatit i cili përjetoi të njëjtën dhunë në burgun e Prizrenit). UDBA serbe e tërbuar, me çdo kusht kërkonte dënimin e tij dhe të shokëve tjerë në mënyrë që pjesën më të shëndoshë të rinisë shqiptare ta thyejë e ta shkatërrojë sa më tepër, njëherësh ta thyejë edhe fillin e rezistencës së armatosur që kishte filluar të hedhë shtat nën emblemën e UÇK-së në Kosovë. Për Xhevat Berishën dhe shokët e tij nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta dënuar, por një dënim i caktuar prej tri vjet e gjysmë për ta vuajtur dënimin më vonë, apo edhe për të qenë gjithmonë në hetuesi, atë e gjeti të lirë. Tani më Xhevati e dinte se për të liri nuk kishte, veçse plane e kurthe serbe për eliminim apo edhe kurdisje tjera të mundshme që dinte të krijonte serbia. Xhevat Berisha, në këtë drejtim ishte shumë i vetëdijshëm dhe rruga e idealit e ftonte atje, në malet e lirisë, e ftonte thirrja e atdheut, e shokëve të cilët tani më ishin kthyer nga Shqipëria dhe ishin ngjitur maleve e bjeshkëve të Vërrinit nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta filluar luftën kundër okupatorit serb.

Fisi lëshoi kushtrimin

Mëmëdheu rroku çiftelinë

populli kërkon bekimin

Mëmëdhe Liria po afrohet.

(MËMËDHEU).

Dhe vetëm pas një jave pushimi për ta rimarrë veten, pas daljes nga burgu, më 28 maj 1998, më 5 qershor, ai takohet me Selajdin Berishën në shtëpinë e Nazim Berishës dhe nën përcjelljen e nipit të tij, Isa Berisha, ata vazhduan rrugën për t’u ngjitur maleve të Vërrinit ku i prisnin shokët. Pas takimit me të gjithë shokët kishin kryer disa punë rreth organizimit në fillim të celulës, filluan aktivitetin e përbashkët në zgjerimin e radhëve dhe organizimin e mirëfilltë ushtarak nën një hierarki ushtarake dhe nën një komandë të UÇK-së për regjionin e Prizrenit, selia e së cilës do të vendoset në Vërri.

 

 

Dalja nga burgu e Xhevat Berishës, ishte një gëzim dhe fitore shumë e madhe, në radhë të parë për të, familjen, farefisin dhe të afërmit e tij, por mbi të gjitha ishte një fitore shumë e madhe për shokët që tanimë ishin ngjitur maleve të Vërrinit dhe e kishin filluar aktivitetin në mobilizimin dhe rritjen e celulës që do ta bartë organizimin e UÇK-së në vazhdim, dhe ishte një fitore e madhe për Kosovën. Qëndresa në burg, vendosmëria në ruajtjen e sekreteve për shokët, mospranimi i asnjë deklarate që i kishin ofruar UDBA-shët dhe mohimi i gjithçkaje që e ngarkonin, bëri të mundshëm lirimin e tij dhe të shokëve, në mungesë provash, megjithatë ai do të jetë i përndjekur me mbrojtje në liri. Kjo qëndresë i motivoi jo vetëm shokët me të cilët ishte burgosur, por edhe shokët që tani gjendeshin maleve dhe fshatrave të Vërrinit në veprim, ndërsa dalja nga burgu, ishte forcë e madhe për shokët, celulën dhe UÇK-në. Ardhjen e Xhevatit e pritën me shumë gëzim shokët që kishin hedhur armët krahut, si: Selajdin Berisha, Zafir Berisha, Xhemshit Krasniqi, Elbasan Shoshaj, Agim Shala, Selim Krasniqi i cili për momentin kishte qëndruar në Shqipëri me qëllim të organizimit të mëtutjeshëm, etj. Rëndësia e ardhjes së Xhevatit qëndron pikërisht në atë se, ai gëzonte respekt të madh te rinia dhe shtresat e popullit në fshatrat e Vërrinit. Ardhja e tij përshpejtoi proceset e organizimit të celulës që më vonë do të shndërrohet në një ushtri të rregullt. Nevoja për më tepër armatim, ishte një çështje dhe preokupim në vete, i anëtarëve të celulës gjatë atyre ditëve, prandaj kur doli Xhevati nga burgu, vihen në lëvizje një pjesë bukur e mirë e rinisë së këtyre anëve, në këmbë e me kuaj duke u nisur për armatim për Shqipëri. Ishin ditët e para të fillim-qershorit të vitit 1998, kur edhe vetë Xhevati filloi aktivitetin luftarak së bashku me shokët e tij. Gëzimin më të madh Xhevati do ta shprehë në momentin kur do të takohen me Zafir Berishën, i cili do t’i drejtohet: A erdhi dita të dalim maleve?! - dhe një përqafim të ngrohtë ua bëri shokëve, madje duke u shprehur edhe me lot gëzimi. Përkrahja që e gjenin te rinia, edhe më tepër do t’i motivojë Xhevatin dhe bashkorganizatorët e kësaj rezistence të armatosur.

Nëpër fusha e male

Jehonë zërash e rrufesh

Njëri këndon himnin

Tjetri thërret kushtrimin

Dardania oshtin

Dhe zërat bëhen një

Në skenën me diell Lirie.

(KUSHTRIMI).

Gjatë kësaj kohe të organizimit dhe riorganizimit, celula e parë e UÇK-së, në Vërri i mbajti edhe disa mbledhje me qëllim të koordinimit të aktivitetit dhe veprimeve në vazhdim. Këto mbledhje u mbajtën në Kushtrim, në Lez, në Arbëri (ish-Leskoveci), në Malësi të Vërrinit (ish- Lybeqeva) ku edhe u bë ndarja e detyrave për aktivitetin e njësitit në vazhdim. Në këtë mbledhje u emërua edhe njësiti me emrin „Petriti“ (nofka e Remzi Ademajt), të cilin e emëruan shokët komandant të këtij njësiti. Këtu do të veçojmë edhe një çast nga kjo mbledhje kur Selim Krasniqi, nga detyra e koordinatorit që e kishte deri atëherë, propozon që komandant të jetë R.Ademaj-Petriti. Në këto çaste, gëzimi i Xhevat Berishës do të jetë i papërshkrueshëm. Po në këtë mbledhje, Xhevat Berisha u emërua komandant i ZKZ-së, ndërsa zëvendës i tij Hajrim Qengaj .

Komandant për Batalionin e Parë u emërua Naser Berisha, ndërsa për Batalionin e Dytë, u zgjodh Zafir Berisha. Detyra e komandantit të policisë ushtarake iu caktua Selajdin Berishës. Detyrën e komandantit të logjistikës do ta bartë Selim Krasniqi. Në këtë mbledhje u morën edhe disa detyra tjera rreth organizimit dhe lidhjeve që do të mbahen me shtabin e përgjithshëm të UÇK-së dhe detyra që përputhen me organizimin e mëtutjeshëm të UÇK-së për zonën e Vërrinit. Pas kësaj mbledhjeje, aktiviteti në terren u intensifikua dhe filloi edhe kyçja masive e rinisë së Vërrinit dhe një pjesë e asaj të Prizrenit në radhët e UÇK-së në zonën e Vërrinit. Ato ditë u caktua edhe selia e shtabit lokal të UÇK-së për Prizren, selia e të cilit u vendos të jetë në fshatin Gjeq (ish-Jeshkovë), ndërsa shtabi i logjistikës në Malësi të Vërrinit (ish-Lybeqevë), po ashtu edhe spitali ushtarak dhe një shkollë e regrutëve të rinj, ndërsa shkolla tjetër e regrutëve u caktua në fshatin Arbëri (ish- Leskovec), si dhe disa segmente përcjellëse për nevojat e shtabit lokal të UÇK-së me seli në Vërri. Autoriteti i Xhevatit që gëzonte në këto anë, por edhe simpatia dhe përkrahja e rinisë për UÇK-në, bëri që ajo të rritet shumë shpejt, kështu që u formua një ushtri e rregullt me formacione të rregullta ushtarake nën një hierarki ushtarake dhe nën një komandë prej nga do të koordinoheshin punët dhe detyrat të cilat do ta përcjellin në vazhdim UÇK-në në këto anë. Në planin e veprimit në terren, me shtresat e gjera popullore, Xhevati dha një kontribut të çmueshëm, duke mbajtur mbledhje nëpër fshatra, duke kërkuar përkrahje dhe mbështetje për UÇK-në. Përkrahja e popullit dhe gatishmëria e tij për ta ndihmuar UÇK-në ishte mjaft e lartë nëpër fshatrat e Vërrinit. I motivuar nga kjo gatishmëri e popullit, në veçanti e rinisë, ishte i palodhshëm në aktivitet, duke punuar e vepruar ditën e natën, vetëm e vetëm që çështjet dhe mbarëvajtja e punëve në organizim të rrjedhin sa më mirë. Vërrini u shpall zonë e lirë nga UÇK-ja. Punët në organizim shkonin mirë, numri i ushtarëve ishte rritur mjaft, u hapën istikame rreth e përreth zonës së Vërrinit, dhe nëpër pikat strategjike u vendosën ushtarët me emblemën me tri shkronja (UÇK) dhe shqiponjën dy krenare në mes. Qe kjo kohë kur Vërrinasit, ndoshta për herë të parë në historinë e vet e kishin ushtrinë që i kontrollonte këto territore. Ishte gëzim i madh, por edhe krenari në ato ditë të qëndroje në atë zonë, apo edhe më krenari të ishe ushtar i UÇK-së. Kjo ushtri e kishte edhe komandën e vet, selinë e shtabit, dy brigadat, dy shkollat ushtarake, selinë e logjistikës, kuzhinat, furrat e bukëve, depon e armëve, spitalin ushtarak, ndërsa në kuadër të kësaj ushtrie vepronte edhe policia ushtarake e cila kryente shumë punë, si brenda zonës, ashtu edhe jashtë saj. E tëra kjo, u arrit në saje të angazhimit maksimal të Xhevat Berishës dhe të shokëve, që nuk kursyen asgjë nga vetvetja, për një organizim dhe rregull ushtarak sa më të mirë në zonën e lirë të shtabit lokal të UÇK-së për regjionin e Prizrenit me seli në Vërri. Të betuar në rrugën e lirisë, të kalitur nëpër prangat e robërisë së atdheut, të vendosur në ideal, djemtë si Xhevat Berisha, nuk do t’i ndalë asgjë në këtë rrugë. Me armikun serb rreth e përreth zonës së lirë të Vërrinit, shënjestrat e armëve çdo ditë i matnin kokat e njëri-tjetrit. Ushtarët që bënin roje në këto pika, kishin moral të lartë dhe gjendje gatishmërie njëzetekatërorëshe të pandërprerë, duke qenë në ballë kundër ushtrisë e policinë serbe, në një vijë ajrore që diku-diku nuk i kishte as edhe një kilometër. Kjo punë, ky organizim brenda zonës së Vërrinit, rreth e përreth, por edhe më gjerë, është e pamundur të përshkruhet me pak fjalë puna dhe organizimi në zonën e Vërrinit, po ashtu edhe aktiviteti i Xhevat Berishës si komandant i ZKZ-së në kuadër të shtabit lokal të UÇK-së për Prizren me seli në Vërri, e pas 15 gushtit 1998 në Brigadën 125 në kuadër të Zonës Operative të Pashtrikut, kjo çështje kërkon një qasje historike ku do të trajtohej më gjerë kjo luftë. Xhevat Berisha, ishte personazh shumë i rëndësishëm i këtij organizimi që dha gjithçka nga vetja për themelimin e UÇK-së në këto anë dhe për lirinë e Kosovës.

 

 

 

 

 

DY FJALË PËR SELAJDIN BERISHËN

 

Në kohën kur Xhevat Berisha ra në burg, një pjesë e shokëve u larguan për në Shqipëri me qëllim të mobilizimit sa më të organizuar. Selajdin Berisha, i shoqëruar nga Isuf Berisha, largohet nga lagjja ku banonte në Prizren dhe kthehen në vendlindjen e tij në Lez apo thënë shkurt doli maleve ku e thërriste kushtrimi i luftës për liri. Jeta dhe vepra e këtij patrioti do një përkushtim të veçantë. Historia e ilegalitetit dhe e veprimit në shërbim të çështjes kombëtare, janë një histori e pandashme me atë të Xhevat Berishës, sepse dalja e tij maleve në luftë për liri, do ta nxjerrë në dritë lidhjen e veprimtarisë së tyre të përbashkët, të akumuluar prej vitesh, duke qenë tepër sekret në lidhje dhe veprimet ushtarake në të mirë të atdheut. Selajdin Berisha u lind në Lez më 6.2.1953. Është një figurë qendrore në Shtabin Lokal të UÇK-së në regjionin e Prizrenit me seli në Vërri.

Burgosja e Xhevatit më 28 shkurt të vitit 1998, ishte goditje e rëndë për themeluesit e celulës së parë të UÇK-së, por edhe për vetë Selajdin Berishën, i cili duke i parë zhvillimet e fundit në Prizren dhe në Kosovë vendosi të kthehet në fshatin e lindjes për ta vazhduar veprimtarinë e organizuar për çështjen kombëtare. I vetëdijshëm se Kosova tanimë i kishte shpallur luftë të hapur okupatorit serb, tribuni i maleve hodhi armët krahut dhe u nis rrugës së lirisë. Vërrrini ishte streha dhe foleja ku gjithmonë e ruante ngrohtësinë e atdhedashurisë, që do të dëshmohet edhe këtë herë. Themeluesit e celulave të para të UÇK-së dyert i kishin kudo të hapura në Vërri. Selajdin Berishën, i njohur për burrëri që nga të parët e tij, familja, vëllezërit, ishte i mirëpritur së bashku me shokët e tij. Atje e kishte rininë, i kishte pushkët e lirisë që do t‘i bashkëngjiten me kushtrimin e parë për liri. Kodrave të Vërrinit, Selajdini gjeti të gatshme rininë që e kishte kalitur prej vitesh nëpër organizime gjoja sportive, po me theks të veçantë ushtarake kundër okupatorit.

Kthimi i anëtarëve tjerë të celulës nga Shqipëria në Kosovë, fillimisht në Kushtrim dhe në Gur të Kallogjerit mbi Gjeq, do t‘i përshpejtojë dhe forcojë lidhjet e organizimit të njësitit të parë të armatosur, i cili do të merret me organizimin në rritjen dhe përkrahjen e UÇK-së në vazhdim. Nga grupi i sapo kthyer nga Shqipëria, u vendos që dy nga këta shokë të shkojnë në Lez për t‘u takuar me Selajdin Berishën. Detyrën për ta takuar Selajdinin e merr Zafir Berisha dhe Xhemshit Krasniqi. Sipas rrëfimeve të Zafir Berishës, i cili kujton këtë takim, thotë Selajdin Berisha me kohë e kishte siguruar armatimin për vete dhe për disa shokë me të cilët ishte në male.

Gjatë këtij takimi vlen të theksohen fjalët e „Bacës së maleve“, duke iu drejtuar Zafir Berishës me këto fjalë: „A ende paska djem Kosova që i dalin zot atdheut?!...“. Emocionet e për ato momente ndoshta nuk do të mund të përshkruhen me pendë. Ishte ky një takim që do ta gëzojë pa masë tribunin e popullit. Radhët e ushtrisë së djemve të lirisë çdo ditë e më tepër shtoheshin.

Selajdin Berisha, vazhdoi punën me shokë rreth organizimit të celulës, deri me daljen e Xhevat Berishës nga burgu më 28 maj 1998 dhe në mbrëmjen e 5 qershorit të vitit 1998, në shtëpinë e Nazim Berishës, takohen Xhevati i shoqëruar edhe me nipin Isa Berisha, për të vazhduar rrugën drejt lirisë.

Pas këtij takimi me Xhevatin, aktivitetin Selajdin Berisha e intensifikoi edhe më tepër në organizimin dhe avancimin e punëve në zonën e Vërrinit. Ky aktivitet do të rritet edhe më tepër kur Selajdinit do t‘i besohet detyra e komandantit të policisë ushtarake në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së për Prizren me seli në Vërri, ku ai do të japë kontribut të madh në krijimin e rregullit dhe rendit ushtarak brenda ushtarëve të UÇK-së dhe brenda zonës së Vërrinit.

Selajdin Berisha, me aktivitetin ushtarak, ishte i dalluar edhe në aksione jashtë zonës, e sidomos nga ato në Prizren, të cilat i kryente me përpikëri dhe me shumë sukses. Selajdini, shumë herë, së bashku me ushtarët e tij kishte udhëtuar për në Shqipëri, për të sjellë armatim dhe mjete tjera për nevojat e ushtrisë dhe të luftës. Nata e 31 gushtit e 1 shtatorit 1998, atë e gjeti në fshatin e lindjes, në Lez. Me luftën dhe trimërinë e treguar, Seladin Berisha, u tregua kryetrimi i luftës së lavdishme të UÇK-së, legjendë e luftës së Vërrinit, i pathyeshëm deri në rënien e tij në përjetësi. Edhe nga ushtarët e tij, por edhe nga populli, shpesh u quajt : „Adem Jashari i Vërrinit“, ndërsa ne do të citojmë një fjali të mr. Enver Batiut (Komandant për Moral, në Shtabin Lokal të UÇK-së në Vërri), kur tregon se ushtarët e tij gjithmonë i thërrisnin „Djemtë e Salës“. Nga kjo mund të kuptojmë se ai ishte shumë i nderuar edhe në mesin e ushtarëve dhe të udhëheqjes ushtarake.

 

Data kalendarike shënonte pesëmbëdhjetë gushtin e vitit 1998. Sipas burimeve të një letre që kishte arritur nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, për atje duhej të udhëtonte komandanti i shtabit lokal të UÇK-së për zonën e Vërrinit, Remzi Ademaj. Ngjarjet dhe lufta tanimë kishte shtrirje në përmasa të gjera nëpër shumë zona operative ku kishte shtrirje UÇK-ja. Politika e diplomacia botërore, në veçanti ajo amerikane, kishte filluar lëvizjet e shpeshta në drejtim të Kosovës, nëpërmjet ambasadorit Kristofer Hill dhe atij Riqard Hollbruk, duke vënë kontakte edhe me ushtarë e udhëheqje të UÇK-së. Ndërsa, në anën tjetër, dukej Serbia kishte marrë sulmet e saja kundër zonave operative të UÇK-së dhe popullatës së atyre zonave. Lufta u shtri nëpër shumë territore të Kosovës. Një sulm tjetër gjatë atyre ditëve të fillim-korrikut të atij viti, ndodhi edhe kundër komandantit të Batalionit të Dytë të Shtabit Lokal të UÇK-së në Vërri, Zafir Berishës, ndërsa kundërpërgjigjja e ushtarëve të UÇK-së në pikën e fshatit Kushtrim, qe edhe më e ashpër dhe sulmi qe përballuar me sukses. Po ashtu, në fillim të korrikut, në Shtabin Lokal të UÇK-së në Vërri, kishte ardhur edhe komandant Ekrem Rexha-Drini, si komandant ushtarak i kësaj zone. Ndërsa, më 16 korrik 1998, ushtria dhe policia serbe, ndërmorën një sulm tjetër kundër pikës së UÇK-së në skaj të lagjes “Tuzsuzi” të Prizrenit, në drejtimin e rrugës Prizren-Arbëri-Malësi e Vërrinit, në drejtim të “Kodrës së Levunit” tani “Kodra e Trimave”, pikë kjo e Batalionit të Parë udhëhequr nga komandant Naser Berisha dhe në pikën te “Kullat e Hoçës”, në drejtimin e rrugës Prizren-Hoçë-Gjeq, pikë e Batalionit të Dytë udhëhequr nga komandant Zafir Berisha. Ky sulm zgjati disa orë, por në saje të luftës heroike dhe të një qëndrese të fuqishme, me një kundërpërgjigje të ashpër nga ushtarët e UÇK-së, edhe ky sulm, u zmbraps me sukses, duke i shkaktuar armikut dëme në njerëz dhe në teknikë lufte. Nga mërgimi ishin kthyer shumë të rinj Vërrinas për t’iu bashkuar rreshtave të UÇK-së dhe pushkëve të lirisë. Në fillim të gushtit, nga snajperët serbë, në një largësi nga distanca, u vra vogëlushi Idriz R. Krasniqi (12 vjeçar) nga fshati Kushtrim. Brenda muajit qershor, korrik dhe gusht, patën ndodhur edhe shumë konfrontime me forcat serbe në kufi, përderisa ushtarët e UÇK-së të zonës së Vërrinit të udhëhequra nga Xhemshit Krasniqi, shkonin për armë në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe kishin ndodhur edhe sulme tjera dhe provokacione nga ana e serbëve kundër zonës së lirë të Vërrinit, të cilat ishin përballuar me sukses. Morali i ushtarëve në zonë ishte tejet i lartë dhe kryesisht këtë ushtri në numër më të madh e përbënte rinia. Për sa i përket Vërrinit si territor i ngushtë, pozita gjeografike ishte shumë e papërshtatshme, ndërsa gjithmonë synohej që ajo zonë vazhdimisht të zgjerohej, duke menduar që në të ardhmen të kyçen edhe fshatrat e Opojës dhe fshatra tjerë afër fshatrave të Vërrinit. Sipas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Kleçkë, duhej të udhëtonte komandanti i Shtabit Lokal të UÇK-së për Prizren, me seli në Vërri, Remzi Ademaj – Petriti, ndërsa atë në këtë udhëtim do ta shoqërojë Xhevat Berisha, komandant i ZKZ-së për këtë zonë dhe dy ushtarë tjerë, Shukri Çunaj dhe Sami Sahitaj- „Shqipja“. Pra natën e 14 gushtit të 1998-tës, janë nisur nga Vërrini në drejtim të Nashecit dhe gjatë këtij udhëtimi, janë ndalur në fshatin Samadraxhë, ku aty edhe kanë qëndruar. Të nesërmen, më 15 gusht 1998, janë nisur për në Kleçkë dhe atje kanë arritur pas orës 14. Atje, komandant Petriti me shoqëruesit e tij, janë takuar me pjesëtarë të Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së. Takimi ka zgjatur deri rreth orës 18. Pasi i kanë dëgjuar lajmet e TVSh-së, rreth orës 19,10, janë nisur në drejtim të Vërrinit, dhe diku rreth orës 22 kanë arritur në fshatin Piranë ku ndalen për pak kohë te një mik i tyre. Përkundër insistimit që natën ta kalojnë aty, Remziu dhe Xhevati ngulin këmbë të udhëtojnë drejt Vërrinit, dhe pasi e sigurojnë një makinë, nisen në drejtim të rrugës së Nashecit. Në udhëkryqin te kisha e fshatit Grazhdanik, makina has në pritë të policisë serbe. Me këtë rast, Xhevat Berisha, duke e parë situatën, kërkon nga shoferi Shukri Çunaj që makinën ta ngasë më shpejt dhe duke e kaluar udhëkryqin, Xhevati fillon gjuajtjet me automatik në drejtim të policisë e cila ishte e përqendruar në një largësi 20-30 metra, në drejtimin e rrugës për Prizren, ndërsa Remziu dhe Shqipja gjuajnë në drejtim të policisë të vendosur në anën e sipërme te kisha. Dhe pasi është kaluar udhëkryqi, policët e përqendruar në krahun e poshtëm para udhëkryqit, gjuajnë në drejtim të makinës dhe me këtë rast vritet komandant Remzi Ademaj – Petriti. Ndërsa makina ndalet, Xhevat Berisha kërkon që sa më parë të dilet nga makina. Gjatë gjithë kësaj kohe, Xhevat Berisha, pa ndërprerë kishte gjuajtur me automatik në drejtim të policisë serbe, kësisoj pra ishte krijuar hapësirë që Xhevati dhe Shukri Çunaj të dalin nga makina. Duke dalë, plagoset edhe Shukri Çunaj i cili po ashtu i gjuan edhe dy bomba. Nga ana tjetër e makinës, plagoset edhe „Shqipja“, i cili mbetet i shtrirë përpara makinës. Në atë rast kthehet Xhevat Berisha dhe tenton ta tërheqë nga rruga, por duke menduar se është i vrarë, largohet. Remziu, tanimë kishte rënë. Meqë edhe Shukri Çunaj ishte i plagosur, Xhevat Berisha e merr në shpinë dhe niset fushës së Prizrenit dhe diku ndërmjet Vleshnjës dhe rrugës së Hoçës, e kalojnë shiritin e asfaltit Prizren – Zhur. Në orët e vona të asaj nate janë lajmëruar te rojet e UÇK-së në pozicionet e Hoçës, ku janë përcjellë në Gjeq. Kufoma e komandant Remzi Ademajt–Petritit i është sjellë paraditen e 17 gushtit në fshatin Gjeq, pastaj për në spitalin ushtarak në Malësi të Vërrinit, ku edhe është bërë varrimi me nderime të larta ushtarake. Sipas një dokumenti që e mbante komandant Remziu, nga data 16 gusht 1998, Shtabi Lokal i UÇK-së për Prizren me seli në Vërri, kalon në Brigadën 125 të Zonës Operative të Pashtrikut. Të gjitha burimet rreth rastit të rënies së komandant Petritit, mbështeten në të dhënat e Shukri Çunajt, dëshmitar i kësaj beteje. Heroizmi, guximi dhe trimëria e treguar në këtë luftim nga komandant Petriti, i cili deri në rënie nuk e ndali zjarrin e luftës, por edhe e shokëve të tjerë, në veçanti ajo e Xhevat Berishës, i cili për asnjë çast nuk e ndali zjarrin e automatikut, duke treguar mjeshtri të lartë lufte dhe një përgatitje të shkëlqyeshme në përdorimin e armës, duke i shkaktuar humbje edhe armikut, dëshmoi veten se ishte një luftëtar i denjë dhe i përgatitur në rrugën e lirisë. Dhembja për humbjen e shokëve, te Xhevat Berisha ishte shumë e madhe. këtë e dëshmonte edhe gjendja e rëndë shpirtërore e tij e cila vërehej tek ai ato ditë, megjithatë Xhevati gjente fuqi dhe energji për ta çuar punën përpara, për ta mbajtur moralin e luftës te shokët dhe ushtarët e tij të pathyeshëm. Detajuam këtë ngjarje, për të dëshmuar personalitetin, guximin, trimërinë vendosmërinë e Xhevatit edhe në aksione të papritura përpara armikut, për të dëshmuar se sa i përgatitur ishte ai për luftë me armë në dorë kundër pushtuesit dhe okupatorit serb. E gjth trimëria e guximi, qëndron në atë se ai iu përkushtua luftës, punoi për të prej kohe dhe pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi luftës. Nuk u thye në rrugën që kishte zgjedhur, rrugë e vetme që kërkonte liria dhe atdheu.

 

 

 

 

 

REMZI ADEMAJ-PETRITI – KOMANDANT I PARË I SHTABIT TË VËRRINIT

 

Remzi Ademaj, është personalitet shumë i rëndësishëm i historisë sonë kombëtare. Me jetën dhe veprën e Xhevat Berishës e lidhin shumë çështje të përbashkëta, përpara luftës, në luftë e deri në rënien e tij heroike në krye të detyrës. I lindur në Zhur, më 3. 6. 1952, i edukuar në frymën atdhetare trashëguar nga të parët. Që i ri ka qenë i kyçur në aktivitet në shërbim të çështjes së atdheut. I shikuar keq nga sytë e UDB-ës në njërën anë dhe në anën tjetër çështja ekonomike, Remziu emigroi në Gjermani. Aktiviteti i tij në mërgim është një veprimtari shumë e bujshme dhe e suksesshme në shërbim të çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare. Herët ra në kontakt me vëllezërit Gërvalla, me të cilët edhe veproi në organizatën: „Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve Shqiptare në Jugosllavi“ (LNÇKVSHJ) deri në rënien e tyre. Gjatë kësaj kohe, Remzi Ademaj zhvilloi një aktivitet të dendur në shërbim të atdheut. Për lidhjet dhe aktivitetin e Remziut me vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, dëshmon edhe Faridin Tafallari në librin e tij „Terror, dhimbje, qëndresë“ , botuar në Tiranë.

Edhe pas rënies së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, aktivitetin në shërbim të atdheut së bashku me disa shokë Remziu e vazhdon, duke hapur një “odë” për aktivitete politike në Merklingen afër Ueil der Stadit dhe në këtë „odë“ mbahej fryma e gjallë e odës së Gërvallajve, ku vazhdonte aktiviteti politik i mërgimtarëve tanë. Kjo odë (apo një lloj i klubeve shqiptare që janë sot në Evropë, mbahej dhe financohej nga një grup i ngushtë i shokëve: Remzi Ademaj, Nami Ramadani, Mejdi Rexha, Avdyrrahmani, Qemal Haxhillari, Shaban Bobaj, Hafiz Gagica, Ismet Klaiqi, Murat Kryeziu, Faridin Tafallari dhe disa të tjerë. Veprimtaria e Remzi Ademajt në mërgim do të ndërpritet në kohën kur kishte dalë për t‘i pritur familjet e Gërvallajve që po vinin nga Kosova, në kufirin Italo-Jugosllav, me ç`rast kapet nga rojat kufitare italiane dhe i dorëzohet policisë jugosllave, e cila pastaj e transferoi në burgun e Prizrenit, ku u dënua me 6 vjet burg. Burgun nuk e vuajti vetëm në burgun e Prizrenit, por nëpër shumë burgje të ish-Jugosllavisë. Qëndrimi i tij në burg ishte sa patriotik aq edhe revolucionar. Pas daljes nga burgu, ai asnjëherë nuk e ndërpreu aktivitetin   në shërbim të atdheut. U kyç edhe në Frontin për Çlirimin e Kosovës, pastaj në shoqatën humanitare „Nëna Terezë“, ku dha një kontribut të jashtëzakonshëm. Fillimi i aksioneve të armatosura në Kosovë, kundër ushtrisë dhe policisë barbare serbe dhe dalja në skenë e UÇK-së, Remziun e gjeti në zonën e Vërrinit, duke u bashkuar me shokët: Xhevat Berisha, Selajdin Berisha, Zafir Berisha, Selim Krasniqi, Naser Berisha, Hajrim , Mursel Osmanaj, Elbasan Shoshaj, Xhemshit Krasniqi, Ismail Kryeziu e shumë të tjerë. Të gjithë së bashku në mbledhjen e katërt në shtëpinë e Selajdin Kryeziut, në Malësi të Vërrinit, themeluan njësitin e parë të UÇK-së me emrin „Petriti“, nofka luftarake e Remzi Ademajt, i cili u emërua edhe komandant i këtij njësiti. Me rritjen e shpejtë të UÇK-së në anën e Vërrinit, brenda një periudhe të shkurtër u themelua edhe Shtabi Lokal i UÇK-së për Prizren, selia e të cilit u vendos të jetë në Gjeq (Jeshkovë) të Vërrinit ku komandant i këtij shtabi u emërua Remzi Ademaj- komandant Petriti. Komandant Remzi Ademaj dha një kontribut shumë të madh në themelimin dhe rritjen e UÇK-së në Vërri, deri në ditën e rënies kur ra në pritë derisa po kthehej nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, pra natën e 15 gushtit të vitit 1998, në fshatin Grazhdanik afër Prizrenit. Në këtë udhëtim kishte qenë me të edhe Xhevat Berisha dhe dy shoqëruesit e tij, të cilët treguan një heroizëm të madh gjatë asaj lufte që u zhvillua atë natë kundër forcave barbare serbe. Remzi Ademaj u varros më 16 gusht 1998, me nderime të larta ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Malësi të Vërrinit. Pas luftës eshtrat e tij dhe të disa dëshmorëve tjerë u rivarrosën në varrezat e dëshmorëve në Landovicë afër Prizrenit.

 

KRUSHQIT DASMORË- SHNDËRROJNË DHEMBJEN NË FORCË E MORAL

 

 

             „Ta rrëzojë murin e ndarjes

               Ta bashkojë çiftin e ri

             Ta hedhin vallen e lirisë.

 

Edhe pse ishte i mbushur me dhembje dhe pikëllim, për humbjen e shokut, bashkëluftëtarit e komandantit të tij Remzi Ademaj-Petritit, Xhevat Berisha e dinte mirë detyrën e udhëheqësit dhe rolin e tij. I shtyrë nga kjo pikëpamje, ditët e fundit të gushtit të 1998-tës, në Malësi të Vërrinit, në një dasmë ku martohej një ushtar i UÇK-së, e që ishte edhe i afërm i Xhevatit (familja Shala ku Xhevati ishte nipi i kësaj familjeje), ku ishin të ftuar edhe Xhevati me shokë dhe ushtarë tjerë, ai u tregua shumë i hareshëm atë ditë. Humori i tij, atmosfera që mundohej ta krijonte, loja, vallet, ishin veçori që e përcollën në atë dasmë Xhevatin. Ndonëse thellë i tronditur e i pikëlluar për vrasjen e komandantit, Xhevati diti ta ruajë forcën për të vazhduar rrugën e Remziut. Kjo dasmë dhe dasma e ushtarit Agim Shala, që u bë në fillim të gushtit, ishin dasmat më madhështore që u kurorëzuan çiftët e rinj në zonën e lirë të Vërrinit e që krushq të pranishëm ishin krushqit e lirisë – ushtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Vërrinit.

Përshtypjet e këtyre dasmave, Xhevati do t‘i përjetësoi edhe në vargje, përmes së cilave shprehet si më poshtë:

„Do fillojë dasma

Krushqit duan prijës

Faqebardhë e krenar

Syshkëndijë e plisbardhë

 

Ta rrëzojë murin e ndarjes

Ta bashkojë çiftin e ri

Ta hedhin vallen e lirisë.“

     (KRUSHQIT DASMORË)

 

Këto vargje më së miri na japin të kuptojmë se gjatë gjithë historisë së popullit tonë, krahas luftës, kemi bërë edha dasma, tipare këto të kombit tonë të cilat i ruajti populli edhe në kohën e luftës së lavdishme të UÇK-së.

Ruajtja e këtyre traditave e gëzonte shumë edhe Xhevatin, i cili ishte personalitet shumë i respektuar në këto dasma. Ishte kjo moto dhe përkushtim i tij për ta ruajtur moralin në mesin e ushtarëve, në veçanti pas rënies së komandant Petritit- Remzi Ademajt.

 

 

 

 

 

Data kalendarike shënonte pesëmbëdhjetë gushtin e vitit 1998. Sipas burimeve të një letre që kishte arritur nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, për atje duhej të udhëtonte komandanti i Shtabit Lokal të UÇK-së për zonën e Vërrinit, Remzi Ademaj. Lufta tanimë kishte shtrirje në përmasa të gjëra nëpër shumë zona operative ku kishte shtrirje UÇK-ja. Edhe politika e diplomacia botërore, në veçanti ajo amerikane, tash veç ka filluar lëvizjet e shpeshta në drejtim të Kosovës, nëpërmjet ambasadorit Kristofer Hill dhe atij Riçard Hollbruk, duke vënë kontakte edhe me ushtarë e udhëheqje të UÇK-së. Ndërsa në anën tjetër, Serbia kishte ndërmarrë sulmet kundër zonave operative të UÇK-së dhe popullatës së atyre zonave, kështu që lufta u shtri nëpër shumë territore të Kosovës. Një sulm gjatë atyre ditëve të fillimkorrikut të atij viti ndodhi edhe kundër komandantit të Batalionit të Dytë të Shtabit Lokal të UÇK-së në Vërri, Zafir Berishës, ndërsa kundërpërgjigjja e ushtarëve të UÇK-së në pikën e fshatit Kushtrim, qe edhe më e ashpër dhe sulmi u përballua me sukses. Po ashtu, në fillim të korrikut, në Shtabin Lokal të UÇK-së në Vërri, kishte ardhur edhe komandant Ekrem Rexha-Drini, si komandant ushtarak i kësaj zone. Më datën 16 korrik 1998, ushtria dhe policia serbe, kishin ndërmarrë një sulm tjetër kundër pikës së UÇK-së në skaj të lagjes “Tuzsuzi” të Prizrenit, në drejtimin e rrugës Prizren- Arbëri –Malësi e Vërrinit, pikë e Batalionit të Parë nën udhëheqjen e komandant Naser Berishës dhe në pikën te “Kullat e Hoçës”, në drejtimin e rrugës Prizren-Hoçë-Gjeq, pikë e Batalionit të Dytë me komandant Zafir Berisha. Kjo betejë ka zgjatur disa orë, por në saje të luftës heroike dhe të një qëndrese të fuqishme, me një kundërpërgjigje të ashpër nga ushtarët e UÇK-së në këto pika, edhe ky sulm u zmbraps me sukses, duke i shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte armikut serb. Nga mërgimi ishin kthyer shumë të rinj Vërrinas për t’iu bashkuar rreshtave të UÇK-së dhe pushkëve të lirisë. Në fillim të gushtit, nga snajperët serbë, në një largësi nga distanca u vra vogëlushi Idriz R. Krasniqi (12) vjeçar nga fshati Kushtrim. Brenda muajit qershor, korrik dhe gusht, patën ndodhur edhe shumë konfrontime me forcat serbe në kufi përderisa ushtarët e UÇK-së të zonës së Vërrinit të udhëhequra nga Xhemshit Krasniqi shkonin për armë në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe kishin ndodhur edhe sulme tjera dhe provokacione nga ana e serbëve kundër zonës së lirë të Vërrinit, të cilat ishin përballuar me suksesë. Morali i ushtarëve në zonë ishte tejet i lartë dhe kryesisht këtë ushtri në numër më të madh e përbënte rinia. Për sa i përket Vërrinit si territor i ngushtë, pozita gjeografike ishte shumë e papërshtatshme, ndërsa gjithmonë synohej që ajo zonë vazhdimisht të zgjerohej, duke menduar që në të ardhmen të kyçen edhe fshatrat e Opojës dhe fshatra të tjerë afër fshatrave të Vërrinit. Sipas letrës së ardhur për në shtabin e përgjithshëm të UÇK-së në Kleçkë, duhej të udhëtonte komandanti i Shtabit Lokal të UÇK-së për Prizren, me seli në Vërri Remzi Ademaj-Petriti, ndërsa atë në këtë udhëtim e shoqëruan Xhevat Berisha, komandant i ZKZ-së për këtë zonë dhe dy ushtarë tjerë: Shukri Çunaj dhe Sami Sahitaj-Shqipja. Natën e 14 gushtit të 1998-tës, janë nisur nga Vërrini në drejtim të Nashecit. Gjatë këtij udhëtimi, janë ndalur në fshatin Samadraxhë. Të nesërmen e 15 gushtit 1998, janë nisur për në Kleçkë dhe atje kanë arritur pas orës 14. Atje, komandant Petriti me shoqëruesit e tij janë takuar me pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ku ky takim ka zgjatur deri rreth orës 18. Pasi i kanë dëgjuar lajmet e TVSh-së, rreth orës 19,10, janë nisur në drejtim të Vërrinit dhe diku rreth orës 22.00 kanë arritur në fshatin Piranë. Këtu ndalen për pakë kohë te një mik i tyre, përkundër insistimit që natën ta kalojnë aty, mirëpo Remziu dhe Xhevati ngulin këmbë të udhëtojnë drejt Vërrinit dhe pasi e sigurojnë një makinë, nisen në drejtim të rrugës së Nashecit. Në udhëkryqin te kisha e Grazhdanikut, makina has në pritën e policisë serbe. Me këtë rast, Xhevat Berisha, duke e parë situatën kërkon nga shoferi Shukri Çunaj që makinën ta ngasë më shpejt dhe duke e kaluar udhëkryqin, Xhevati fillon gjuajtjet me automatik në drejtim të policisë e cila ishte e përqendruar në një largësi 20-30 metra, në drejtimin e rrugës për Prizren, ndërsa Remziu dhe Shqipja gjuajnë në drejtim të policisë të vendosur në anën e sipërme te kisha. Pasi është kaluar udhëkryqi, policët e përqendruar në krahun e poshtëm para udhëkryqit, gjuajnë në drejtim të makinës dhe me këtë rast vritet komandant Remzi Ademaj – Petriti. Derisa makina ndalet, Xhevat Berisha kërkon që sa më parë të dilet nga makina. Gjatë gjithë kësaj kohe, Xhevat Berisha, pa ndërprerë kishte gjuajtur me automatik në drejtim të policisë serbe, dhe kështu, u krijua hapësirë që Xhevati dhe Shukri Çunaj të dalin nga vetura. Duke dalë plagoset edhe Shukri Çunaj i cili po ashtu i gjuan edhe dy bomba. Nga ana tjetër e makinës, plagoset edhe Shqipja, i cili mbetet i shtrirë përpara makinës. Me atë rast kthehet Xhevat Berisha dhe tenton ta tërheqë nga rruga, por duke menduar se është i vrarë, largohet, ndërsa Remziu tani më kishte rënë. Meqë edhe Shukri Çunaj ishte i plagosur, Xhevat Berisha e merr në shpinë dhe niset fushës së Prizrenit dhe diku ndërmjet Vleshnjës dhe rrugës së Hoqës, e kalojnë shiritin e asfaltit Prizren – Zhur. Në orët e vona të asaj nate janë lajmëruar te rojet e UÇK-së në pozicionet e Hoçës dhe janë përcjellë për në Gjeq. Kufoma e komandant Remzi Ademaj – Petriti është sjellë në paraditen e 17 gushtit në fshatin Gjeq, duke e dërguar më tej në spitalin ushtarak në Malësi të Vërrinit, ku edhe është bërë varrimi me nderime të larta ushtarake. Sipas një dokumenti që e mbante komandant Remziu, nga data 16 gusht 1998, Shtabi Lokal i UÇK-së për Prizren me seli në Vërri, kalon në Brigadën 125 të Zonës Operative të Pashtrikut. Të gjitha burimet rreth rastit të rënies së komandant Petritit, mbështeten në të dhënat e Shukri Çunajt, dëshmiar i kësaj beteje. Heroizmi, guximi dhe trimëria e treguar në këtë luftim e komandant Petritit i cili deri në rënie nuk e ndali zjarrin e luftës, por edhe e shokëve të tij, në veçanti ajo e Xhevat Berishës, i cili për asnjë çast nuk e ndali zjarrin e automatikut, dëshmoi se ishte një luftëtar i denjë dhe i përgatitur në rrugën e lirisë.

 

 

 

 

DY FJALË PËR FAMILJEN

E XHEVAT BERISHËS

 

 

„Trimi i babës, ti vdiqe si vdesin burrat në log.

           Vdiqe për të mos vdekur kurrë“

 

 

Familja e Xhevat Berishës, bashkëshortja e tij Menija, vajzat Besirja (1983) e Hasija (1985) dhe djemtë Behari (1987) e Dardani (1989), jetojnë në Prizren, në lagjen “Trimat”, në rrugën që e mban emrin e dëshmorit të kombit, njeriut më të dashur për ta dhe prindërit e tyre. Vëllezërit, Neshati dhe Vehapi me familjet, jetojnë dhe punojnë në Vjenë të Austrisë. Kujdesi i tyre për Xhevatin, familjen e tij, por edhe kontributi dhënë për luftën, ka qenë dhe ishte shumë i madh. Motrat, Nesibja, Eminja e Anifja, janë të martuara. Për fëmijët e Xhevatit dhe familjen kujdeset edhe Isa (ish-luftëtar i UÇK-së, deri në orët e fundit të luftës) – djali i vëllait të Xhevatit, i martuar me Bahrije Shipkovicën (bashkëluftëtare në luftë). Nëna e Xhevatit, Ryfetja,vdiq pas luftës në vitin 1999, ndërsa për rënien e Xhevatit në altarin e lirisë, nuk ka ditur fare për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore që e kishte. Babë Ahmeti, malësor vërrinas, që në vete bart simbolikën e qëndresës shqiptare, plaku plisbardhë, që edhe në momentet më të vështira të jetës, përpara armikut nuk iu dorëzua dhembjes, duke qëndruar përpara trupit të djalit të vrarë (në morgun e spitalit të Prizrenit) i rrethuar nga armiqtë, i paluhatshëm, e me fjalët më të mira, duke ia ledhatuar ballin e djalit, me fjalët: “Trimi i babës, ti vdiqe si vdesin burrat në log. Vdiqe për të mos vdekur kurrë”. Ai i fliste këto fjalë para djalit të vrarë nga dora gjakatare, duke u përpjekur që dhembjen ta shndërronte në krenari, ashtu siç ishte vepra e birit të tij i atillë çfarë ishte gjatë gjithë jetës e i tillë qëndron edhe sot dhe jeton me lavdinë e birit të tij, duke e përjetuar lirinë në saje të gjakut të të birit të tij me shokë, duke i bartur kujtimet e jetës së hidhur, që herë-herë kishin qenë të turbullta, por krenare të lidhura ngushtë me fatin e Kosovës. Ai tani bart në vete besimin e patundur se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme, dhe se gjaku i derdhur do të jetë themel i paluhatshëm i saj, që këtë të ardhme të lumtur e sollën djemtë, si: Xhevati, Selajdini, Remziu, Ademi, Fehmiu e sa e sa trima tjerë të Kosovës që dhanë më sublimen nga vetja për t‘ia sjellë lirinë brezit që po rritet me rrezet e gjakut të lirisë. Pranë familjes së Xhevatit, qëndrojnë edhe familje tjera si, familja e Selajdin Berishës që jeton në këtë lagje dhe të gjitha familjet tjera lezjane, të cilat më së shumti i dhanë atdheut gjatë luftës së UÇK-së në Vërri e në Prizren.

 

 

 

 

VARGU SI TESTAMENT

 

Xhevat Berisha: „PISHTARI I LIRISË“, poezi, botoi „Fan S. Noli“, Prizren 1999

 

Shpeshherë vargu është personifikim i poetit. Poezia e Xhevat Berishës ka këto elemente të cilat në të shumtën e rasteve e karakterizojnë personalitetin atdhetar që e kultivonte në shpirt. I gjithë ky varg na jep të kuptojmë personalitetin atdhetar e militant të mësues Xhevatit, i cili pa asnjë hezitim, e vë veten në shërbim të atdheut deri në vetëflijim. Është simbolika e vendosmërisë, qëndresës e militantizmit që kthehet në hero dhe fiton pavdekësinë. Vetë rënia e tij për idealin më të lartë të çlirimit të atdheut është madhore, ashtu siç edhe ishte i përcaktuar ai.

 

1. Përcaktimi jetësor

 

Lufta për çlirimin e atdheut, ishte mishërim i jetës së tij. Dhe kjo veprimtari, herë ilegale e herë legale e kishte pritur ditën për t’u vënë në ballë të militantizmit për realizimin e lirisë së atdheut e të popullit të vet. Si mësues, veprimtar i çështjes së atdheut, ky shpirt poetik herë pas here shkruante edhe poezi, përmes së cilës, duke nxjerrë muzën e brendshme të shpirtit të tij dhe duke e ngritur në varg simbolikën e qëndresës, poezia e tij bëhet kushtrim. Edhe pse kjo poezi na vjen pas rënies së Xhevatit, si një testament i shkruar na sjell botën e brendshme poetike të një shpirti kryengritës i cili kurrë nuk u nënshtrua. Dhe, nëpër gjithë këtë gërshetim temash e motivesh, lexuesi mund të konstatojë se poeti ishte shumë afër fjalës së thënë në varg dhe veprimtarisë që e bënte për atdheun. E gjithë kjo e shoqëron një personalitet të sinqertë, atdhetar e militant siç ishte Xhevat Berisha. Ky guxim e militantizëm i tij vjen edhe në vargje:

 

Nga fjalori i tij

fjala frikë treti,

krimin e hedh në përrua

ushqehet me ambroz.

Fjala e tij nektar

ushqim i plisave.

Në këtë kohë

pasuria mjerim

jeta ka një qëllim

Kosovë – Nënë Shqipëri.

 

             (Pishtari i lirisë)

 

Ai e ndiente vuajtjen e robërisë, të popullit të tij, e përjetonte atë nga afër dhe s'kishte si të ishte ndryshe. Duke e bartur me vete gjithmonë idealin e lartë, idealin që e bartën e e trasuan atdhetarët më të devotshëm të kombit, idealin e bashkimit, e që ai kurrë nuk iu nda kësaj ideje, ai veproi, punoi e luftoi për të. Këtë ide e ka vargu i tij i lënë në dorëshkrim dhe, vetëm sa e aktualizon një kërkesë sa të shenjtë aq edhe të drejtë. Vetë shenjtëria e saj rrënjët i ka në gjakun e derdhur nëpër histori. “Dhe, ai gjak, bëhet thirrja për zgjim: /Do të fillojë dasma.../ Krushqit duan prijës / faqebardhë e krenarë / syshkëndijë e plisbardhë. ". Thirrja bëhet më e fuqishme, koncepti i luftës është shtegu që do t’i hapë shtigjet këtij bashkim; “Ta rrëzojë murin e ndarjes / Ta bashkojë qiftin e ri / Ta hedhin vallen e lirisë”. Pra, vetëm atëherë do të mund të jemi të lirë nga kjo dorë barbare që ka renduar mbi popullin tonë. Koncepti i lirisë, për poetin ka qenë koncepti i idealit të përcaktuar prej kohësh, dhe sigurisht se ai e përcjell edhe vargun e tij. Vargut poetik nuk i mungon as figura e Skënderbeut, figura e frymëzimit për guxim e trimëri, figurë e cila bëhet frymëzim për luftëtarin e lirisë.

 

2. Gjak për atdheun

 

Fryma e masës së gjerë të popullit, ishte fryma e përditshmërisë së tij, sepse ai frymonte mes tij, mes dhembjeve që ia sillte armiku, mes vuajtjeve e të vuajturve, mes të robëruarve pa liri. Dhe, vetë atdheu i robëruar, i shtypur e i nëpërkëmbur nga çizmja e huaj, brendapërbrenda ishte ferr, sepse atij i rrinte barbari mbi kokë, e poeti atë ferr e ndiente në çdo hap. Është i patjetërsueshëm rebelimi poetik edhe në varg, sepse personaliteti i poetit përbën edhe vetë hallkën qendrore të djemve të lirisë që luftuan nën emblemën e UÇK-së.

Pra i gjithë ky shpërthim vjen pas një kohe të gjatë pritjeje, përbuzje, nëpërkëmbje nga dora barbare, që e ndrydhi dhe e zbehu idealin dhe krenarinë e shqiptarëve. Kjo kohë pati shumë "ndërskamca", mashtrime, tradhti e çka jo tjetër, për çka poeti i ndiente nga afër ato. Pra është një kohë "paqeje" brenda një robërie shtrydhëse, e cila e pat ndrydhur identitetin e shqiptarit deri në palcë e gjak dhe çdo ditë i skuqte vatrat shqiptare me gjakun e djemve më të mirë të atdheut. Ishte një kohë e rreme, brenda së cilës më së shumti e pësonin djemtë më të mirë të atdheut. Dhe jo më kot, ai shkruan këto vargje:

 

Unë yt bir

hesht e duroj

rob i tokës sime

me sy e i verbër,

i fuqishëm e frikacak

çizmja e sllavit shkel

Kosovë të tradhtova

hesht e duroj

e zezë kjo pafundësi.

 

           (Kosovë të tradhtova)

 

Kjo poezi për kah nivel artistik është mjaft e realizuar. Ka një klithmë domethënëse të theksuar, dhe sikur kjo klithmë do ta thyejë këtë heshtje, këtë durim, sepse nga e gjithë kjo amulli pritjeje, poeti e sheh një fund jo të mirë. Flasim këtu përgjithësisht për kohën kur dhunën e armikut mbi ne e shtrydhnim brenda një durimi, i cili i hante djemtë më të mirë të atdheut. Është një shpalosje e dhembjes poetike për Kosovën, njeriun rob të saj mbi të cilin ushtrohet dhunë e vazhdueshme, dhe duron. Po ky durim, herë-herë është mbjellje frike, nënshtrim dhe pajtim në gjendjen e robit. Por a mund të pajtohet poeti karshi kësaj kauze nënshtrimi? - Jo kurrë. Brenda këtij mllefi e shpërthimi, e gjejmë thirrjen, kushtrimin për zgjim, një zgjim i cili do t’i thyente prangat e kësaj robërie. Këtë kushtrim e gjejmë në vargun: “Fisi e lëshoi kushtrimin / mëmëdheu rroku çiftelinë”. Pra është një simbolikë brenda së cilës fshihet thirrja për luftë, apo në këtë rast çiftelia bëhet shënjim i simbolikës së pushkës. Një simbolikë të cilën poeti, tani më dëshmor, e përdori edhe gjatë aktivitetit të tij legal e ilegal për atdheun. Është edhe një simbolikë që e plotëson këtë mendim, kur dihet se shqiptari edhe duke luftuar me armë në dorë, nuk e ndali këngën, por krismën e saj e bëri tingull bashkëshoqërues të këngës. Dhe ky kushtrim erdhi e buroi nga gjiri i popullit, etja e tij për liri, zot në tokë e në vend të vet. Kushtrimi mbushulloi malet me rreshtat e luftëtarëve të lirisë.

 

Natë e ditë udhëtojnë

breshëri nuk i ndal 

               (Kalorësit e lirisë, fq. 46),

 

I këndon poeti kalorësit të lirisë, sepse ai është i bindur se liria nuk vjen pa luftuar për të. Prandaj, poeti përmes vargut projekton figurën e luftëtarëve të lirisë, të cilët ecin pa u ndalur në rrugën për çlirimin e atdheut, pavarësisht motit të ligë që poeti e identifikon armikun. Tani më, kushtrimi për liri, është dhënë dhe brenda atij kushtrimi ndihet zëri i luftës për liri. Ndihet thirrja për ta mbytur ferrin dhe për të ecur drejt rrugëtimit, dritës, lirisë.

 

Pa fillim

i gjithëfuqishëm i gjithëmëshirshëm

a e sheh popullin tim?

Vrasje, tortura

I madhi përpin të voglin

Padrejtësia a durohet?!

Punën e filluara

duhet kryer me nder

Ndihmona, Perëndi!

 

                (Perëndia, fq. 51)

 

3. Vargu si testament

 

Rënia e Xhevat Berishës në altarin e lirisë, shënon rënien më heroike të një luftëtari të lirisë në fushën e nderit. Lufta për lirinë e atdheut ishte përcaktimi jetësor i tij që u shkrua nëpër faqet e historisë së atdheut, ndërsa përjetësia e tij është përjetësuar në lapidarin e lirisë. Ai, si testament të shkruar na e la vargun, fjalën e çiltër të një shpirti poetik që shoqëronte atë. Të gjitha këto vargje të lëna në dorëshkrim, janë një testament që e sjellin mes nesh frymën poetike të Xhevat Berishës. Vargu i tij artikulon qartë mesazhin e testamentit të poetit. Edhe pse është një varg i çiltër e modest, ai artikulon qartë zërin e tij prej luftëtari, prej bilbili që diti t’i këndojë atdheut edh atëherë kur ishte më së vështiri, me një zë shumë të çiltër që fatkeqësisht u ndal herët, megjithatë, ai ishte i prerë se: "Liria nuk vjen pa e kapur pushkën", dhe pranë këtij ideali edhe flijoi. I gjithë vargu i tij shquhet për idenë, motivin dhe madhështinë, për kohën brenda së cilës mbijetoi populli ynë, duke i argumentuar ato koha, se pa qëndresën dhe luftën që e bënë djemtë si Xhevat Berisha, nuk do të kishim as këtë copë liri që e kemi sot. Vargu i tij, është një zë i çiltër, i cili përherë do të na e sjellë mes nesh mësuesin, atdhetarin, e militantin e Kosovës.

 

                                         Prizren, dhjetor 1999

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Për jetën dhe veprën e Xhevat Berishës, sidomos pas rënies së tij në altarin e lirisë, është thënë dhe është shkruar mjaft si në mediume informative, në gazeta, por edhe në tubime përkujtimore që janë mbajtur në Vërri dhe në Prizren. Disa shkrime, për luftën dhe rënien heroike të Xhevatit dhe luftëtarëve të UÇK-së në zonën e Vërrinit, i hasim në fillim të shtatorit të 1998- tës, nëpër gazetat ditore në Kosovë që kryesisht raportohej për luftën e atyre ditëve në Vërri. Një shkrim që e mban datën 4 shtator 1998, me autor Q.Thaçi, raporton nga Prizreni për gazetën „Bota sot“ për luftime të ashpra në zonën e Vërrinit. Artikulli mban titullin: U konfirmua vrasja e tre ushtarëve të UÇK-së. Në artikull bëhet fjalë për rënien heroike të komandantit të ZKZ-së, Xhevat Berisha, komandantit të policisë ushtarake Selajdin Berisha dhe Alajdin Berishës. Po ashtu, edhe gazeta „Koha ditore“, në artikullin: Dhjetëra të vrarë në Tuzsuz dhe rrethinë të Prizrenit, nga ekipi i korrespodentëve njofton për luftimet në zonën e fshatrave të Vërrinit. Gjatë kësaj kohe, kemi edhe shumë artikuj tjerë nga gazetat që nxirreshin në Kosovë dhe jashtë, që njoftojnë për luftën dhe të gjitha zhvillimet tjera gjatë atyre ditëve. Edhe televizioni shqiptar, nëpërmjet korrespodentit të tij nga Prizreni, B. Sylejmani mes datës 2-3 shtator 1998, në edicionin e lajmeve, sjell lajmin e rënies heroike të komandantit të ZKZ-së për zonën e Vërrinit, Xhevat Berishën dhe i bën një ripërshkrim të shkurtër jetës së tij të bujshme në shërbim të atdheut deri në rënie. Ndërsa, lajmi për rënien e Xhevatit, u prit me dhembje të thellë në masat e gjëra popullore. Gazeta „Bujku“ e po asaj kohe, me autor M.Gashi sjell një in memorian, në vend të përkujtimit, me titull: Mësues dhe atdhetar besnik, që flet kryesisht për veprën e Xhevatit deri në rënin e tij heroike në vijat e frontit, në fshatin e tij të lindjes, në Lez, por lufta do të vazhdojë deri në çlirim nga shokët e Xhevatit, Remziut, Selajdinit dhe të të tjerëve. Pas çlirimit, poezitë e lëna në dorëshkrim, të ruajtura nga kolegu i punës, Naim Çejku, ia botoi klubi letrarë „F.S.Noli“ në Prizren, me titullin “Pishtari i lirisë”. Pas botimit të librit të Xhevat Berishës, kemi disa shkrime rreth veprës letrare të tij. Në njoftimin me rastin e daljes nga shtypi të librit të Xhevat Berishës, autori Q. Thaçi nga Prizreni, sjell shënimin me titull: Pishtari i lirisë, si krenari e personalitetit, ku përpos një përshkrimi për veprën, ai jep edhe disa vargje në këtë shënim. Po ashtu, gjatë atyre ditëve u publikuan edhe disa vështrime kritike, si në Prizren, ashtu edhe në Prishtinë. Një vështrim kritik për librin “Pishtari i lirisë” të Xhevat Berishës, e bëri edhe shkrimtari dhe publicisti Iljaz Prokshi, me titullin: Një zë i çiltër poetik si testament. Po në tetorin e vitit 1999, pra pas çlirimit, me rastin e botimit të librit me poezi të Xhevat Berishës, u bë edhe promovimi i këtij libri në shtëpinë e kulturës në Prizren, nën organizimin e klubit letrarë „F.S.Noli“ në Prizren. Parathënien nga ky libër e lexoi poeti Ragip Sylaj. U recituan edhe disa poezi, ndërsa për veprën e Xhevatit, u fol edhe nga kryetari i klubit, Berat Batiu dhe të pranishëm tjerë. Një promovim i dytë u organizua edhe në fshatin Malësi e Vërrinit, ku Xhevati kishte qenë mësues, nën organizimin dhe përkujdesjen e shokëve të punës, mësuesit të palodhshëm, Mitat Krasniqi.

Në këtë promovim, nga ish-nxënësit e Xhevatit, u recituan edhe shumë poezi, u lexua edhe telegrami i dr. Sabahajdin Cenës. Do ta sjellim një poezi të autorit të lexuar këtu.

Ejani në legjendë

(Xhevat Berishës)

Nëpër vijat e mallit

I vizatova udhët e dritës

Grushtit ku skuqej liria

Tonat ishin rrugët sheshet qytetet

Errësira grilat vetmia

Jona ishte robëria

Orët e historisë rrodhën padurimit

Të dhimbshmet të kuqet

Për ikjet e zeza për ardhjet e bardha

Ngritjen gjatë e prita me Vërrinin

Mjaft më me rrezet e dritës në çdo pikë

Të gjithë së bashku për republikë

Me kushtrimin e Drenicës

Zgjohuni ju o të robëruar

Me vrullin e shekullit të ri

Vërrinasit të mirët e mi

Apokalipsit i duhet paguar fajësia

Kosovës i duhet dritë e ardhmërisë

T’i bashkojmë krismat

Për ditët e bardha që po vijnë

Urtakët malësorët plisbardhët e mi

Ejani në legjendë

Ejani, ejani, ejani...

   Shtator 1998

Për Xhevat Berishën, u shkrua dhe u këndua edhe nëpër shumë tubime që u mbajtën në njëvjetorin e rënies në Lez, por edhe Në Gjeq, gjithashtu edhe në dyvjetorin, kur u bë zbulimi i lapidarëve në Lez dhe në Gjeq që e ngritën shokët dhe bashkëluftëtarët e Xhevatit. Kontribut të veçantë në ngritjen e këtyre lapidarëve dhanë shokët e luftës të Xhevat Berishës, si: Zafir Berisha, Naser Berisha dhe ish-luftëtarët tjerë nga Asociacioni i Veteranëve të Luftës të ish-UÇK-së në Prizren. Në trevjetorin e rënies, në gazetën “Epoka e re”, Bedri Halimi e botoi një biografi të shkurtër me titull: Xhevat Berisha, përmendorja e gjallë e Prizrenit. Po këtë vit u shkrua mjaft edhe për rastin e lapidarëve në Prizren, kur dihet se Kuvendi Komunal i Prizrenit, me një vendim të njëanshëm dhe të padrejtë, ndaloi vendosjen e lapidarëve të Xhevat Berishës dhe Ismet Jasharit-Kumanovës në Prizren. Një vendim që nxiti protesta të mëdha në Prizren, duke dëshpëruar shtresat e shëndosha atdhetare. Po në trevjetorin e përkujtimit të dëshmorëve të Vërrinit, u mbajt edhe një tubim përkujtimor, pra më 1 shtator 2001, në shtëpinë e kulturës „Xhemali Berisha“ në Prizren, ku u përkujtua vepra heroike e luftëtarëve të lirisë në luftën e Vërrinit.

Një referat u lexua nga Sherif Krasniqi (mjek gjatë luftës në spitalin ushtarak të UÇK-së në Vërri), pastaj për luftën e Lezit nga Isuf Berisha (bashkëluftëtar i Xhevatit) dhe për luftën e Gjeqit e lexoi Shpëtim Berisha. Këtë tubim përkujtimor e udhëhoqi, bashkëluftëtari i Xhevatit, Hajrim . Një poemë që u lexua në këtë tubim përkujtimor, do ta sjellim të plotë.

 

 

Ah, sikur të ishe sot Xhevat Berisha me shokë

 

1.

Ah, sikur të ishe sot

Xhevat Berisha me shokë

e t’i gëzonim këto ditë të bardha në Vërri

 

Odave të bardha plot dritë

të mbushura me rrezet e lirisë

e telat t`ia këputnim çiftelisë

gëzimin ta derdhnim në kupë të qiellit

 

Me plakun plisbardhë mbi kërrabë

ta luanim vallen e lirisë

kah mbushullojnë bjeshkët në tupan

 

Natën ta bënim ditë

deri në rrezen e parë

të agut të ri

 

2.

Xhevat, vëlla

nuk e di si do t‘i shkrinim

kujtimet e netëve të gjata

për Kosovën e lirë

 

Në Dukagjin e Drenicë

Kukës e Vërri

nga një flamur ta flatronim

 

Dhe sa herë bajlozi

t`ia ndalte flatrimin

me hovin e Gjergj Elez Alisë

t’ia shpaguanim zemërimin

 

3.

Dhe po të ishe sot

cicërimës së vogëlushëve

me abetare në dorë

 

Shkollën e re do ta gëzonim

filiza e pipa të ri

plot do t‘i çelnin Kosovës

sa mirë do t‘i rreshtonim

brezat e lirisë

 

4.

Dhe po të ishe sot

bre Xhevat Berisha me shokë

nënave tona do t’u thoshim

të na e pjekin misërniken e lirisë

në çerep me saçin e bakrit te vatra

E ujë nga krojet e bardha

Vërrinit të pimë

dhe gjakut tonë t’i japim vrull

në damarë, me vrullin e lirisë

 

Dhe me zemër kreshnikësh

Kaçakçe bjeshkës përmbi t’i rrimë

 

Kullat do të mbushullonin oshtimë

dhe forcë do t’ u jepnim ushtarëve të lirisë

 

5.

Dhe po të ishe sot

kur ende na bën furtunë

atdheut, e përreth

 

Me bacë Salën e gjoksin sa bjeshka

furtunë karpatesh

s`do të frynte më në këto anë

 

E me shokët e tu

barbarit do t’ia paguanim të gjitha

 

6.

Dhe sot kur i drejtohem lapidarit

më mungon shumë

edhe dëshmitari i kohës

që t’i mësoja të gjitha ngjarjet e legjendës

 

Dhe ti me buzëqeshjen tënde

më thua se i di të gjitha

unë druhem nga ajo

 

7.

Dhe sot kur ma prekin Kosovën

këmishën e kuqe të saj

e m’i bëjnë prita lirisë

me vete them:

Ah, sikur të ishe sot

Xhevat Berisha me shokë

 

Atëherë mbushem vrer

e rebelohem

 

E kërkoj fillin

e këtij lëmshi

 

I them vetes

Na ruaj zot nga mallkimi i gjakut

të paktën shpëto Kosovën

 

8.

Dhe sot jam mbushur

më shumë se kurrë

pa ty dhe shokët e tu:

Selajdinin, Shefqetin, Hasimin, Alajdinin,

Bekimin, Shahadinin, Ibrahimin, Nehatin e Naipin,... dhe dy pleqtë:

Asllanin e Izairin...

 

9.

Dhe po të ishe sot

bre Xhevat Berisha

pushkën do ta linim në frëngji

me grykë kah veriu

 

E t’i mprihnim pendët

e t’i shkruanim lirika atdheut

nga Molla e Kuqe

e deri në Çamëri.

 

                Maj 2001

 

Kështu, për çdo shtator, po edhe në festa tjera kombëtare dhe në data të caktuara të përvjetorëve të luftës së Vërrinit, nga familjarët, shokët e luftës, dhe nga shtresat e gjera popullore, vizitohen vendet e betejave, varret e dëshmorëve dhe lapidarët e ngritur në Lez, Gjeq, dhe varret e të gjithë dëshmorëve të kombit në Landovicë, duke vënë kurora për të nderuar veprën e tyre heroike. Nëpër organizimet dhe tubimet në Vërri, gjithmonë i këndohet dhe recitohen vargje për Xhevatin dhe për shokët e tij. Edhe nëpër albumet e këngëtarëve, këngët për Xhevatin kanë zënë vend të meritueshëm. Një nga këto këngë për Xhevat Berishën, është edhe kënga “Këngë për legjendarin”

Pëlcet shkëmbi skuqet Drini

kur në Vërri jehoi kushtrimi

me Kushtrimin e Ademit

hapen gjokset e atdheut

Thërret atdheu nëpër prita

lëshon një zë Xhevat Berisha

po na i rri shkëmbit përmbi

pushka e Salës për liri

 

S’i lëshojmë pritat për jetë e mot

sa grykëhollat të kenë barot

s`thyhet shkëmbi i atdheut

ky stërnip i Skënderbeut

gjokset tona i bëjmë prita

për Kosovë Xhevat Berisha

 

Refreni

Dhe shtatorët shkojnë e vijnë

mbi Prizren pishtari shndrin

shkëlqen rrezet e lirisë

mësues i dashur i breznisë

trim legjendë dhe poeti

ruan fjala amanetin

po thotë Vërrini trim e kisha

lum atdheu Xhevat Berisha

 

2.

Plot me dritë u mbushën kullat

kur në Vërri u ngritën burrat

zot e kurrë me i dalë atdheut

me gjak të arbrit, t`Skënderbeut

me ia hap portën lirisë

diell atdheut të shqiptarisë

djemtë ma t‘ mirë nëpër prita

lëshon një zë Xhevat Berisha

 

Kurrë furtunat s`thyejnë granitet

as veriu s`na i zë pritat

kush m’ia zë diellin lirisë

merr zemërimin e trimërisë

gjokset tona i bëjmë prita

për Kosovë – Xhevat Berisha

 

Refreni...

 

shtator 2001

 

Ndërsa, vargjet për Xhevatin, shokët e tij dhe UÇK-në, tani më kanë depërtuar edhe te fëmijët e mërgimtarëve tanë në Zvicër, Gjermani, Austri, etj. të cilët nëpër festat kombëtare, apo edhe nëpër organizime tjera i recitojnë. Kështu, populli ynë e nderon veprën heroike të luftëtarëve të lirisë, të cilët me pushkë në dorë luftuan dhe u flijuan për atdheun e lirinë e Kosovës. Është e pamundur të bëhet një përmbledhje e përgjithshme e gjithë shkrimeve, artikujve, botimeve për Xhevat Berishën, megjithatë ne i paraqitëm vetëm një pjesë të arkivës që zotërojmë. Për Xhevatin dhe dëshmorët tjerë të luftës së UÇK-së, do të shkruhet, do të këndohet dhe do të kujtohen përgjithmonë veprat sublime për lirinë e atdheut.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Nuk është e rastit thënia popullore vërrinase: “Trimat maten në luftë“ dhe, u pa kjo edhe gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së, duke qëndruar të pathyeshëm deri në shporrjen përfundimtare të armikut. Xhevat Berisha, i pathyeshëm, i vendosur në betimin e dhënë para flamurit, me besën e dhënë Kosovës, se vetëm një jetë ka dhe atë do t’ia falë Kosovës.

Prandaj, kjo figurë e rëndësishme e historisë, e kalitur në fatin kohë-Kosovë, nëpër katrahurat, nëpër të cilat kaloi, guximin, trimërinë dhe vendosmërinë e tregoi atëherë kur e deshi nevoja, në çastin historik për Kosovën kur e thirri zëri i atdheut-kushtrimi i malev. Vigjilenca e tij e bëri që krahas kushteve dhe nevojës së veprimit, të jetë i gatshëm dhe të kundërveprojë në kohë karshi sfidave të armikut serb, duke i prirë përpara vizioni i tij për atdheun e lirë. Kjo thjeshtësi, ky vizion, e bëri të dashur, të çmuar dhe të nderuar. Vendosmëria e tij në veprim e shprehur gjatë aktivitetit, gatishmëria deri në flijim, janë aktet dhe virtytet më të larta të tij, që kapitullin e jetës ta mbyllë në mënyrën më të lavdishme, duke u radhitur në altarin e lirisë së atdheut, duke qëndruar në piedestalin më të lartë kombëtar për ta fituar pavdekësinë.

I vetëdijshëm se jeta dhe vepra e Xhevat Berishës nuk mund të përshkruhet brenda kaptinave të një libri, duke pasur parasysh aktivitetin dhe veprimtarinë e tij patriotike në shërbim të atdheut, jemi munduar të hedhim sadopak dritë mbi jetën dhe veprën këtij pishtari të lirisë, për ta shpërndarë atë dritë në qiellin e atdheut tonë të lirë, mbi të cilin qiell lirshëm do të fluturojnë shqiponjat dhe të valojë flamuri ynë kombëtar në saje të gjakut të dëshmorëve të lirisë. Një pjesë e aktivitetit të tij si komandant i ZKZ-së, për zonën e Vërrinit, do të ruhet në arkivin e ish-UÇK-së, ndërsa shpresa se në të ardhmen do të nxjerrim edhe libra të tjerë për ta ndriçuar edhe më tepër veprimtarinë e tij, na jep forcë dhe energji të reja në punën tonë. Po të njëjtën dëshirë dhe lutje do ta ndajë edhe për të gjithë bashkëmendimtarët e mi të pendës për një përkushtim në këtë drejtim, sepse sa më tepër që të shkruhet për luftën dhe dëshmorët, aq më shumë do të dimë ta çmojmë lirinë dhe gjakun e dëshmorëve, të cilët u flijuan për të na dhuruar veprën dhe sukseset e luftës së tyre për çlirimin e atdheut.

Me këtë rast do t‘i falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan që sadopak të marr pjesë në shpërndarjen e rrezeve të lirisë nga hidrocentrali i gjakut të dëshmorëve të kombit dhe t’ua përcjell atë dritë këtyre bardhësive deri te ju, duke ruajtur frymën kombëtare me të cilën u ushqye, u rrit dhe u flijua dëshmori i kombit, Xhevat Ahmet Berisha.

 

 

KUJTIME   PËR XHEVAT BERISHËN

 

 

 

Duhet të kalojë edhe shumë kohë që unë të bindem se nuk jeton në mesin tonë shoku i orëve të para të luftës, Xhevat Berisha, meqë unë jam i bindur se ai është në çdo hap me ne dhe ndër ne. Prandaj, unë nuk do të mund t‘i rrekem lapsit e të shkruaj për shokun tim Xhevat Berisha, sepse kam bindjen se nuk është mirë të shkruaj për të gjallët. Kur them se Xhevat Berisha për mua është i gjallë, kam parasysh faktin se unë me të ditë e natë bisedoj, sikur asnjëherë më parë, jemi shumë aktivë dhe kemi ende shumë qëllime të përbashkëta e të paarritura kombëtare. Parashikimet tona për të ardhmen shqiptare janë shumë optimiste.

Nëse dikush më pyet, se pse ne nuk e shohim atë sikurse juve?- Atëherë do t‘ju përgjigjesha në dy variante: E para, Atë nuk e shohin të gjallë në mesin e të gjallëve vetëm miopët që nuk ua mundëson ndërgjegjja “e mykur ta shohin në mesin tonë“, dhe e dyta, Atë nuk mund ta shihni, ashtu siç e shoh dhe bisedoj unë me të, sepse ai po e vuan dënimin me burgun që ia kanë shqiptuar fundërrinat shqipfolëse, të cilat mjerisht edhe sot në ditët e lirisë po vuajnë nga sklerozat sllave, të cilët edhe më tej po tentojnë ta përlyejnë qenien tonë shqiptare.

Xhevati, po e vuan dënimin nga ata njerëz që po e thithin ajrin e lirisë, që e sollën ata që sot jetojnë në përjetësi, misionin e të cilëve sot po e injorojnë pikërisht gardianët e tij, të cilët me kërbaç po i qëndrojnë mbi kokë, mbi ideal. E, kjo mjafton për të kuptuar se dëshmorët nuk vdesin atëherë kur vdesin fizikisht, se, përndryshe shoku im nuk do të mbahej në burg, e kjo do të zgjasë deri atëherë kur ta kuptojmë se kemi filluar të shpërbëhemi, por këtë shpërbërje, të verbrit kurrë nuk do ta shohin, pos atëherë kur ta përjetojnë.

Askush nuk mund ta dojë lirinë me zemër, përveç atyre që punojnë për të me zemër, ndërsa të tjerët, që e keqkuptojnë lirinë, në vend që ta nderojnë dhe ta çmojnë lirinë, ata nuk zgjedhin rrugë as metodë për ta marrë lejen për të bërë gjithçka. Po të mos ishte kështu, edhe shoku im Xhevat Berisha do të jetojë sot i lirë dhe do t‘i shohë kalimtarët se si ecin lirshëm nëpër Shatërvan, por ai nga këta përbuzës të lirisë po e vuan dënimin për të cilin dënim më së paku e meriton, sepse asnjë hap nuk e ka bërë drejt kësaj rruge të errët nëpër të cilën po e shfrytëzojnë lirinë ata që nuk e dinë se çfarë do të thotë përgjegjësi për ta burgosur një çlirimtar.

Kur isha më i ri në moshë, pata rastin të dëgjoj se në demokraci mund „të prodhohen“ gjëra të bukura, por edhe aq   të shëmtuara, nëse sinqeritetin e kërkojmë me çdo kusht nga të dobëtit, që duke e diskriminuar të vërtetën tentojnë ta ngrinin veten.

Besoj se këta pak rreshta që ua prezantova, do të mjaftojnë për ta kuptuar të vërtetën se pse shoku im gjendet në burg, gjë kjo që mjerisht di të ndodhë vetëm ndër shqiptarë e në asnjë vend tjetër të botës ku çmohet lira dhe gjaku i atyre që e sollën lirinë.

Unë, edhe një herë ju betohem se Xhevati është i gjallë dhe shumë shpejt keni për ta parë, por kuptohet pasi të lirohet nga burgu dhe pasi që ndërgjegjja të triumfojë...

                                                                  

                                                                           Minir Krasniqi

Tuzsuz, 10.11.2001

 

 

 

Ky libër u lexua si skript përpara se të botohet nga Isa Berisha – nipi i Xhevat Berishës.

Zafir Berisha – bashkëluftëtar,

Hajrim Çengaj – bashkëluftëtar,

Flurim Islamaj – luftëtar i UÇK-së,

Neshat Berisha – vëllai i Xhevat Berishës.

 

Arkivi:

Dëshmi nga Isa Berisha, ushtar i UÇK-së në Vërri dhe nipi i Xhevat Berishës.

Dëshmi nga Zafir Berisha, komandant i Batalionit të Dytë në Shtabin Lokal të UÇK-së për Prizren, me seli në Vërri.

Dëshmi nga Flurim Islamaj (ushtar i UÇK-së në Vërri).

Libri: “Pishtari i Lirisë”, botuar nga klubi letrarë “F.S.Noli”, Prizren, 1999.

Prof. Bajram Kurti, kryetar i Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në Prizren.

Libri: Pajtimi i Gjaqeve, 1990/1991, shtëpia botuese “ERA”, Prishtinë, 2001.

Dhe ish-luftëtarë tjerë të UÇK-së.

 

 

Në kopertinë:

...Vetë jeta dhe veprimtaria e Xhevat Berishës, janë fati i përpëlitjes së Kosovës që kaloi ajo gjatë historisë, në veçanti pas vitit 1981 kur mosha e pjekurisë te Xhevati kishte hyrë në rrugëtimin dhe katrahurat nëpër të cilat po hynte Kosova, në rrugëtimin përplot kthesa dhe rreziqe që i nxirrte e pamëshirshmja kohë, drejt rrugës së lirisë. Duke i pasur parasysh këto dy personazhe të këtij rrugëtimi, të pandashëm ndërmjet veti e të mishëruar në gjak që udhëtojnë drejt një pike të caktuar të orbitës së rrezes së lirisë, na del përpara përpjekja, vendosmëria dhe shkëlqimi i idealit në këtë rrugë.

Fatin e Xhevat Berishës nuk e karakterizon vetëm e mbinatyrshmja, por me të lidhet edhe fati i njeriut shqiptar në rrugëtimin historik, që në fakt është edhe fati i Kosovës.

 

              Gëzim Ajgeraj

Zvicër, 20 nëntor 2001.