METAFORA POETIKE

 

Editorial i poetit

 

 

VITI I. NR. 4.

 

SHTATOR 2005

 

VETË JETA E SHKRIMTARIT ËSHTË MË INTERESANTE SE ÇDO ROMAN I SHKRUAR NGA AI

 

Ka pak libra autobiografikë të shkrimtarëve, por ato që janë, nëse lexohen me kujdes, janë shumë më tërheqëse se çdo roman i shkruar nga vetë ai. Nga këndi i jashtëm i të kuptuarit, nga ana e lexuesit, kjo paksa tingëllon absurde, por nga një perceptim më i hollë dhe një njohje e brendshme e zhvillimeve të botës së shkrimtarit, kjo është shumë e qëndrueshme. Në hulumtimin për ta zbërthyer botën e shkrimtarit, pikasim shumë zhvillime interesante brenda psikologjisë së tij, të cilat rrallë herë trajtohen në libra apo edhe studime shkencore. Vetë bota e thellë psikologjike e shkrimtarit, sjell aspekte të zhvillimeve shumë interesante që ndodhin brenda tij. Duke pasur parasysh këtë fakt, dhe vetënjohjen e të jetuarit nën këtë vello, mund të themi se brenda jetës së shkrimtarit ka dhe një jete tjetër nga e cila merr vazhdimisht për ti dhënë jetë fjalës. Të jetuarit brenda kësaj velloje është tepër e vështirë, sepse është një botë e imagjinuar brenda së cilës si shkrimtarë duhet mësuar së jetuari brenda saj. Të jetuarit brenda kësaj bote, është vetë koha e shkrimit të librave, megjithatë ndeshja mes botës reale dhe kësaj që e thamë, është një proces transformimi që ndodh gjithmonë tek shkrimtari. Pikërisht ky proces mes të jetuarit në jetën reale dhe botës së brendshme të shkrimtarit, është transformimi më i mundimshëm. Përballimi i gjithë asaj që quhet reale, duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet që ndodhin përreth shkrimtarit, kur dihet se çfarë zhvillime në të gjitha sferat ndodhin tek ne dhe në botë, është depresion i tërë që mblidhet përreth tij. E themi depresion, sepse syri dhe mendja e shkrimtarit, nuk mund të pajtohet kurrë me zhvillimet që ndodhin rreth tij. Të qenit shkrimtarë, nuk është vetëm emër. Brenda tij ka jetë, ka dritë ka vizion. Pikërisht janë këto çështjet që e shtyjnë drejt mospajtimit me shumë zhvillime rreth tij. Ndërsa, drita e tij, vizioni i tij ndriçon larg, kërkon shkëlqim tjetër. Pikërisht mes këtyre dy çështjeve qëndron filozofia e të perceptuarit të botës së shkrimtarit. Pra, gjithë këto zhvillime brenda botës së shkrimtarit, rrallëherë janë të përshkruara, apo fare pak në libra. Është liria njerëzore, liria e fjalës, vetë njeriu që do të jetë i lirë, dhe pikërisht kjo liri rritet në shpirtin e tij, në vetë qenësinë e tij, për ta nxjerrë pastaj përtej fjalës që ua falë të tjerëve. Janë vetë ngacmimet që i bëhen muzës së tij dhe nuk e lënë të qetë për asnjë çast. Është dhuntia e fjalës ajo që shpërthen brenda tije dhe kërkon dritë me botën e fjalës. Është transformimi i muzës së tij në fjalë, procesi që sjell në jetë fjalën. Pikërisht këto zhvillime i bëjnë shumë më interesante autobiografitë e shkrimtarëve, se vetë librat e tyre. Ata janë personazhi më besnik dhe më origjinal i të gjitha personazheve nëpër librat e tyre. Pra, vetë jeta e shkrimtarëve është një roman shumë interesant, që për fat të keq shpeshherë edhe nuk është shkruar.

                                                                                          

                                                                                         Zvicër, 22.11.2004

 

Metafora poetike

 

 Editorial i poetit

 

 

(Del çdo tre muaj)

 

Redaktor:

Gëzim Ajgeraj

 

 

Lektor:

Ilam Berisha

 

Redaksia

Të gjitha shkrimet dhe fotografitë, i mirëpresim!

 

 

Vlerësimi, vlerësuesit e vlerës dhe të jovlerës.

 

(Nga këndi kritik i çështjes)

 

Vlerësimi i një vepre letrare tek ne nga kritikët dhe "Kritikët" letrarë, sot për sot është brenda një kaosi jo edhe aq të përshtatshëm me kohën. Dyshimi ynë në këtë çështje përkon me shumë faktorë që po zhvillohen tek ne. Është shumë e vërtetë se letrat tona, në këtë kohë janë zhvilluar me bollëk, siç është zhvilluar edhe ngritja arsimore tek ne. Në këtë rast, kritika tek ne nuk ka mundur edhe t'i përballojë kësaj rrjedhe të prurjeve në letërsi, ndaj edhe nuk ka mundur ta mbulojë gjithë hapësirën e shkrimit dhe prurjeve në letrat tona. Janë hapur mundësi dhe rrugë të tjera, që të kemi vlerësime edhe vlerësues. Kësisoj, në këtë grupim, ka hyrë edhe një pjesë e vetë krijuesve, duke i vlerësuar apo mbivlerësuar në vlera dhe në jovlera veprat e të tjerëve. Në këtë kaos vlerësimesh apo nënvlerësimesh, gati çdo herë ka munguar dialektika e vetëvlerësimit, fillimisht të veprës së vet, pa pasur të drejtë ta vlerësojë apo zhvlerësojë veprën e dikujt tjetër. Kështu, përzihemi në punën e kritikës, apo thënë më qartë, këtu na lindin kritikët dhe "kritikët". Përderisa shkrimi është çështje individuale e individit, pse krijuesit mundohen të jenë vlerësues të veprës së tjetrit?! Përse i përzihen kritikës, nëse ajo ekziston sot diku tek ne? Shembuj për ta ilustruar këtë konstatim, sot në letrat tona kemi mjaft, ngase, letrarët tanë, tashmë jetojnë dhe krijojnë në disa shtete në Ballkan dhe një pjesë e tyre, të emigruar nëpër shumë vende të botës. Dhe, sherri fillon pikërisht këtu, ngase mungon një qendër e përbashkët dhe koordinuese që do t'i drejtonte disa çështje. Na vijnë krijues të ndryshëm nëpër shtete a vende të ndryshme duke u paraqitur kryemisionarë, prijës të këtij apo atij grupi letrarësh, me vlerësime apo zhvlerësime pa kurrfarë kriteri e kompetence. Të tillët, kompetencat i marrin në djallëzinë e prirjes skizofrene për t'u dalluar mbi të tjerët, me parimin: (duke vlerësuar apo zhvlerësuar krijimtarinë e këtij apo atij krijuesi), “vetë qëndron majave”. Kemi të tillë mjaft sot, në Tiranë, Prishtinë, Zvicër, Gjermani e gjetiu. Pikërisht këto vlerësime plot djallëzi, qofshin pozitive a negative, nuk çojnë askund, pos që tregon etjen për t'u dukur mbi të tjerët dhe mendimin centralist që ende e shoqëron njeriun tonë, i cili edhe sot e kësaj dite po i bart pasojat e një shkolle të ish sistemeve, madje edhe do t'i bartin ato. Dihet se krijimtaria është çështje individuale dhe kujtoj se çdo krijuesi do t'i bënte mirë të punonte shumë më shumë me krijimtarinë dhe veprën e vet. Le t'i mbetet kritikës së mirëfilltë vlerësimi i veprave letrare. Ndryshe, do t'i kemi dy grupe kritikësh: kritikët dhe "Kritikët". Le të mësohemi nga praktikat e letrarëve perëndimorë, ku askush nuk qan kokën për krijimtarinë e tjetrit (për ta vlerësuar apo zhvlerësuar). Në fund të fundit, kjo nuk është e drejtë e askujt, pos e lexuesit i cili e zgjedh vetë veprën që do ta lexojë. Shtrohet çështja, sikur rilindësit, të merreshin me vlerësimin apo zhvlerësimin e veprës së njëri tjetrit, nuk do të ishin rilindës. Ata më tepër janë marrë me veprën e vet, dhe vlerësimin më të mirë ia ka dhënë koha. Sot kemi vlerësime, mbivlerësime dhe zhvlerësime, mjafton të hulumtojmë pakë mediave të shkruara dhe atyre elektronike, duke futur këtu edhe internetin. Shtrohet pyetja: A i plotësojmë ne kriteret e të vlerësuesit. Nga cili kënd e vlerësojmë një vepër? Sa kemi krijuar ne? Sa e njohim krijimtarinë e të tjerëve? A na shoqërojnë neve elemente negative dhe pozitive (smira, urrejtja, sinqeriteti, simpatia, dashuria, apo edhe interesa tjera) që na shtyjnë në vlerësimin pozitiv apo negativ të një vepre? Pse i vlerësojmë apo i zhvlerësojmë vetëm të tjerët, kur përgjithësisht njeriut i mungon dialektika e vetëkritikës? Nëse sipas neve një vepër është vlerë a jovlerë, çfarë do të thotë një tjetër më i përgatitur, për krijimtarinë tonë? A ka kush të na kontestoj neve? Sa jemi në gjendje ta përcjellim krijimtarinë e tjetrit? Mos po nxitojmë në konstatime, kur dihet se krijimtaria e letrarit bashkë me kohën gjithnjë e më tepër shpalos vlera? Do të vijmë te konstatimet se, baza e vlerësimit i takon kritikës dhe ajo duhet të jetë profesionale dhe shumë e matur. Pak fjalë rreth fjalës vlerë dhe jovlerë: - Janë dy ekstreme që si të vetme nuk mund t'i qëndrojnë realitetit letrar. Nëse sipas neve diç është vlerë apo jovlerë, është shije dhe supozim individual, pavarësisht nga parimet tona. Tjetri do të mendojë ndryshe. Çka duam të themi? - Është shumë papjekuri nëse individualisht vlerësojmë apo përdorim fjalën vlerë dhe jovlerë dhe atë vlerësim e plasojmë në publik. Vlerën dhe jovlerën e vlerëson kritika dhe koha sa do t'i qëndrojë asaj. Ndërsa, krijimtaria letrare do të ishte shumë e vështirë të ndahej në vlerë dhe jovlerë, më drejtë do të ishte një kategorizim i saj, por nga një institucion i specializuar. Çdo tendencë individuale rreth vlerësimit të vlerës dhe jovlerës, ngjall dyshim, sot për sot tek ne.

                                                                          Gëzim AJGERAJ,

                                                                                     Zvicër, 15 janar 2005

 

KRISMAT E LIRISË  

 

VULLNETARËT

 

Thirrja e atdheut ishte shpërndarë në të gjitha skajet e botës, ndërsa pushkët e lirisë po thirrnin djalërinë  shqiptare anembanë botës për t’ i dalë zot atdheut. Dheu i Kosovës po digjej e përgjakej në çdo cep nga ushtria barbare e okupatorit serb.  Shkrumbi e gjaku që derdhej damarëve të tokës sime e shpon dhembjen e çdonjërit shqiptar jashtë atdheut. Djalëria militante po i ktheheshin atdheut, pushkëve të lirisë. Në korrik të nëntëdhjetenëntës i gjeti gati drejt Malësisë së Vërrinit. Gjithçka i kishin bërë gati, rrobat, armët dhe gjërat e tjera të nevojshme për udhëtim. Mëngjesi i së shtunës, i gjeti të zgjuar. Gjatë tërë natës nuk bënë një sy gjumë. Duam të çmallemi, thoshte Rexha, pastaj lufta është dhe kush e di a shihemi më, dhe nëse shihemi, vetëm në Kosovën e lirë. Kur i tha këto fjalë, sytë iu mbushen me lot. Vetëm në liri, shtoi Sabriu e Qaza që ishin bërë gati për nisje. Fokusi i kamerës, shënonte çastet e fundit të kujtimeve me vëllezërit dhe shokët në mërgim. Me t’u nisur, shumicës iu mbushen sytë lot, por secili mundohej të përmbahej përpara vullnetarëve të lirisë. Betimi në flamur përpara nisjes, iu dha forcë të gjithëve, dhe tashmë, po niseshin trimat e atdheut me flamurin kuq e zi në gji. Televizioni zviceran shënoi edhe intervistën e parë publike. Po shkojmë për të vdekur, tha Rexha. Për lirinë e atdheut, të djemve të Vërrinit shënuan fundin e nisjes së tyre vullnetare në rrugën e atdheut. Prapa tyre mbetën kujtimet e viteve në mërgim, që ndrynin në vete duke u ndarë kush e kush me ata që kishin kaluar një kohë të gjatë. Vështirë mund të përmbahej kush nga lotët, po natyrisht, ishin këto lotët e krenarisë, lotët e guximit për t'i dalë zot atdheut. Atdheu, qe pika më e dashur dhe vetëm dashuria për të, mund të lehtësonte dhembjen...

 

 

 

PRITA

 

Kolona e të rinjve kishte kaluar qindëshen, ndërsa karvani i kuajve mbi tetëdhjetë. Ajo zgjatej pa ndërprerë, derisa kolona me karvanin e kuajve kalonte fshatrave të Malësisë. Nata e qetë e verës së luftës, e shpërndante   trokun e kuajve, nëpër pyjet që i visheshin bjeshkës përpjet dhe herë-herë ndihej ndonjë fjalë e ushtarëve që bisedonin mes vete. Nëpër këtë qetësi nate, hëna shpërndante dritën e saj bjeshkëve, që ua ndriçonte rrugën ushtarëve të lirisë. Nga gumëzhima e herëpashershme e zërave të tyre, prijësi i grupit kërkoi më tepër qetësi për shkak të përhapjes së zërave matanë shpatit, ku bënin roje kufitarët. -  Ju lutem për më tepër qetësi, tha ai. Sepse edhe ashtu troku i kuajve bën mjaft zhurmë.  Një heshtje e plotë i kaploi të gjithë, vetëm troku i kuajve s'pushonte dot.  -Jemi grup i madh, foli ai përsëri, ka rrezik të na hetojnë. Dikush pa i njohur rregullat e udhëtimit, ndezi shkrepësen për të ndezë një cigare. Shkëlqimi i dritës u shpërnda mes grupit. Rafalët e rojave të kufirit, që u drejtuan nga grupi, nuk i dhanë mundësi asnjërit nga ushtarët as edhe komandantit që e drejtonte grupin për furnizim, për tërheqje vërejtje. Të gjithë bini për toke, u dëgjua një zë nga fillimi i kolonës. Vetëm kuajt që në lëvizje të pakontrolluara shpërndaheshin kodrave, ngelën në këmbë, ndërsa grupi i ushtarëve iu  vesh kodrës. Krismat e armëve shpërthyen si një rrebesh shiu, dhe përtej gjithçka pushoi. -A jeni të gjithë? - tha komandanti. Të gjithë ushtarët filluan t’ i tregojnë emrat nëpër atë errësirë. Nuk mungoi askush. Vetëm disa kuaj të shtrirë që ende përpiqeshin lëvizjeve të fundit, nuk u zgjuan më dhe krismat e rojave të kufirit që nuk u dëgjuan më gjatë asaj nate. Grupi i furnizimit, vazhdoi rrugën me betimin e dhënë për sigurimin e armatimit, dhe mjeteve tjera për luftën çlirimtare.

                                                                                                  Gusht 1998

 

ÇLIRIMTARËT

 

Dritëdielli sa po i shpërndau rrezet mbi malet e mbuluara me borën e fillimmarsit që shkrihej ngrohtësisë së pranverës që po vinte. Komandanti i kishte rreshtuar ushtarët e tij dhe po u caktonte detyrat e ditës që po fillonte. Ai kontrollonte gatishmërinë e secilit nga ushtarët dhe gjendjen e tyre fizike, ndërkaq për peshën e detyrave që do t’ ua ndante nuk ishte edhe aq problem. Ata që gjatë tërë natës kishin bërë rojë, duhej të zëvendësoheshin për të pushuar. Një zë që erdhi nga fundi i fshatit, e tërhoqi shikimin e të gjithëve që i pritnin detyrat, ndërsa  komandanti bëri disa hapa mbrapa dhe shikimin e përqendroi tek vasha që po vinte drejt tyre. Kurioziteti e ngacmonte, ndërsa ajo gjithnjë e më tepër i afrohej shtëpisë kazermë, ku ishin të vendosur ushtarët. Ç'ka ndodhur? thirri me zë të lartë komandanti, kurse jehona e zërit u shpërnda teposhtë grykës prej nga lidheshin rrugët e fshatit. Ajo nuk po mund të përgjigjej, lodhja ia kishte marrë fuqinë, dhe  me dorën që e shtrëngonte gjoksin, mundohej të ruante frymëmarrjen që ia kishte shpejtuar vrapi. Po vijnë ushtria armike, me tanke e blinda, -erdha t’ju lajmëroj. Mezi i nxori fjalët ajo. Ju lutem, më jepni edhe mua një pushkë, iu drejtua komandantit. –Të gjithë nëpër pozicione dhe detyra, urdhëroi komandanti, ndërsa ti, iu drejtua vashës, ke bërë punë të mirë për lajmin e sjellë. Tani, tani do të isha lutur të largohesh nga zona, sepse këtu do të këtë luftë. Më vjen shumë keq që duhet t’jua kthej urdhrat, por unë kam ardhur të luftoj bashkë me ju. Ju lutem me jepni një pushkë. Komandanti, duke parë këmbëngulësinë e vashës, i zgjati automatikun që e mbante në dorë. Ja automatikun tim dhe këta karikatorë me fishekë. Ajo rrëmbeu armën dhe u nis vrap drejt pozicioneve nga  shkuan ushtarët tjerë. Krismat e tankeve armike të drejtuara në drejtim të pozicioneve të UÇK-së   paralajmëruan fillimin e luftës së asaj dite të përgjakshme. Lufta s'pushoi deri në mesin e natës që erdhi. Deri në plumbin e fundit luftuan tri njësitet kundër tremijë e tetëqind ushtarëve dhe artilerisë armike në mbrojtjen e trojeve stërgjyshore. Borën e pranverës e mbuloi gjaku, ndërsa rënia e tyre me shikimin kah dielli, e solli pranverën e lirisë në Kosovë.

                                                                                                               1999

 

UDHA E LIRISË

 

(Sipas tregimit të një luftëtari)

 

Nata më kaloi duke u rrokullisur herë në njërin krah, herë në tjetrin. Nuk vura gjumë në sy. Lajmi për formimin e UÇK-së, më pat ngacmuar dëshirën time të kamotshme. Herë më dukej si ëndërr, e herë-herë nuk mund ta besoja. E tërë nata më kaloi duke parashikuar lirinë e atdheut.

- Mirëmëngjesi! - U dëgjua një përshëndetje nga skaji i oborrit.

- Mirëmëngjesi! - Iu përgjigja Yllit, fqinjit tim.

- Ke dëgjuar për formimin e UÇK-së? - më tha ai.

- Po, - i thashë, - por nuk e di ku mund të jetë ajo. Siç shihej, edhe Ylli nuk kishte fjetur i qetë gjatë asaj nate. Dikush e pat sjellë lajmin se vërtet është formuar një forcë e armatosur shqiptare, dhe si rrufe qe shpërndarë në çdo shtëpi. Ylli, mezi paskësh pritur agun e mëngjesit, për të takuar dikë në lagje.

- E di ku gjendet Vërrini? - më tha ai.

- Po. Madje, shumë mirë e njoh. Ka tetë katunde ajo zonë.

- Hë pra, tek këto katunde janë ngritur burrat e luftës dhe duan të luftojnë për lirinë e atdheut, - vazhdoi ai.

- Shkojmë edhe ne, - i thashë Yllit. - I kemi mbushur vitet, ndaj edhe ne duhet ta marrim udhën e lirisë.

- Me gjithë dëshirë, - tha ai, - por... na mungojnë armët dhe... në luftë nuk shkohet pa pushkë. - T'i gjejmë trimat, mandej...ndoshta do t'ia bëjmë hallin edhe ne, - i thashë.

- Shkojmë, tha Ylli, shumë i vendosur.

- Sa të bëhem gati, - thashë unë dhe u ktheva në shtëpi. Me vete morëm rrobat, ca bukë të mbështjellë në çantat tona dhe bashkë me Yllin u nisëm rrugës përpjet për në katundin Arbëri. Atje ishin trimat e lirisë.

- Kam dëgjuar se me trimat e lirisë, është dhe mësues Xhevati, - tha Ylli.

- Po, po, është e vërtetë, - iu përgjigja unë. - Pas daljes nga burgu, ai bashkë me shokë i është ngjitur maleve dhe kanë formuar UÇK-në.

- Ka qenë mësues i mirë.

- Rreth njëzet vjet në këto anë, ka mësuar dhe ushqyer me ndjenjën e dashurisë për atdheun breza e breza nxënësish. Ka edhe shumë shokë me vete, sepse e njohin guximin dhe vendosmërinë e tij, duke i dhënë përkrahjen, – thashë unë.

- Vërtet! - E njeh ti ndonjërin nga shokët? - tha Ylli.

- Ka shumë të tillë, thashë. Janë Xhema, Naseri, Zafa dhe shumë të tjerë, që sigurisht do t'i njohim kur të hyjmë edhe ne në UÇK.

- Ah, sikur të na pranojnë edhe neve! - tha Ylli.

- Unë nuk kthehem më mbrapa pa fituar lirinë, - i thashë vendosmërisht Yllit. As unë, - tha ai. - Ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë t'i lajmë hesapet me okupatorin serb.

- Dhe ja, erdhi ajo ditë, - shtova unë.

- Të lumët ne që e pritëm, - tha Ylli.

- Rrugët gjarpërore nëpër pyje e kodra, na shpënë për në katund. Atje ndihej gjallëri e vërtetë. Vërehen tek bëjnë ushtrime ushtarake trima të veshur me uniforma të UÇK-së, me armë në dorë. Ndërsa, të tjerët, shumë të organizuar, shkonin dhe vinin nga detyrat e tyre. Atje nuk guxonte të afrohej këmbë armiku. Në mbrojtje të trojeve qenë vënë trimat e atdheut duke vendosur ta çlirojnë atdheun. Këtu qenkan burrat, - i thashë fqinjit derisa po i afroheshim katundit. Ylli, sikur ndjente kënaqësi të veçantë dhe shikimin e përqendronte drejt ushtarëve me uniforma. Ishte dita e parë nën petkun e ushtarëve të UÇK-së dhe, luleve të kësaj pranvere, tashmë do t'u shtohen edhe lulet e lirisë.

                                        

                                                                                                   ARBËRI, 1998

 

VËRRINI

 

Në jug të Prizrenit, përkatësisht nga "Ura e Vlashnjës" e deri mbi "Malet e Lezit" zgjatet shtati i Vërrinit. Në veri, me Prizrenit dhe regjionin e "Zhupës", ndërsa në jug me regjionin e Opojës. Vërrinin e përbëjnë tetë fshatra: Lezi, Kushtendili, Malësia e Vërrinit, Arbëria, Gjeqi (Jeshkova), Hoça e Qytetit, Kushtrimi dhe Gurra (Poslishti). Për nga hapësira, shtati i tij kap gjatësinë lindje-perëndim nga Lezi e deri te ura e Vlashnjës në një hapësirë ajrore diku dhjetë kilometra dhe diç më pak në atë veri-jug. Zona e Vërrinit është kryesisht kodrinore-malore. Kjo zonë është në kuadër të administrimit të komunës së Prizrenit. Lidhjet rrugore janë kryesisht me qytetin dhe pjesërisht me disa rrugë lokale të fshatrave në mes vete. Popullata e këtyre anëve, më herët është marrë me bujqësi, (për më tepër vreshtari) dhe kurbet. Meqë pushtetet e huaja gjithmonë e kanë injoruar (për më tepër për shkak të mosbindjeve kundrejt okupatorëve), zonën, asnjëherë nuk kanë synuar për ta zhvilluar. Si e tillë ajo mbeti gjithmonë zonë që më së shumti, meshkujt e saj i kanë marrë rrugët e kurbetit. Një zhvillim i hovshëm në ndërtim, në këto zona ka filluar në vitet shtatëdhjeta, tetëdhjeta e sidomos pas nëntëdhjetës. Meqë tash dihet fare mirë se gjatë luftës çlirimtare, zona e Vërrinit u ngrit e tëra në luftë kundër Serbisë, ajo edhe u dëmtua më së tepërmi gjatë kësaj lufte. U vranë shumë njerëz. Vërrini u dogj e u shkatërrua, në veçanti disa fshatra deri në themel. Megjithatë, vërrinasit si mërgimtarë të vyeshëm, brenda pesë viteve të pasluftës, Vërrinin e rindërtuan sërish. Më duhet të them edhe një element të rëndësishëm se dyndja e popullatës fshatare drejt qytetit, në këtë kohë kap shifrat më të mëdha se në çdo kohë tjetër që ka ekzistuar kjo dukuri. Gjatë kësaj kohe gati dy fshatra të tërë: Lezi dhe Kushtendili, thuajse u braktisën plotësisht nga popullata e tyre që u shpërngul në qytetin e Prizrenit. Kështu që, sot për sot këto dy fshatra, gati janë të zbrazur plotësisht. I dhamë vetëm disa të dhëna të shkurtra për regjionin e Vërrinit, sepse nëpër shumë media e institucione të Kosovës nuk njihet si duhet. Bile, aq më keq, kur Vërrini nëpër disa libra historikë as nuk përmendet fare apo aq më keq evidentohet me Opojë. Këto dy regjione, edhe pse kufizohen njëra me tjetrën, pozita gjeografike i shkëput të gjitha lidhjet mes regjioneve dhe si të tilla ato janë regjione në vete. Vërrini i takon komunës së Prizrenit, ndërsa Opoja në administrimin e komunës së Sharrit. Pra, Vërrini mbetet regjion në vete me tetë fshatra kompakte kryesisht popullsi etnike shqiptare gjatë gjithë shekujve të historisë së ekzistimit të Vërrinit, e deri më sot.

 

                                                                                      Gëzim Ajgeraj, 27.4.2005

 

 

KËRKO MIKUN E SHËNDOSHË

 

Sot në botë jeta e njerëzve është lidhur si një hallkë zinxhirore njëra me tjetrën. Si e tillë ajo edhe funksionon në përditshmërinë e njerëzimit. Është e pamundur ta mendosh ndryshe. Ose më mirë të themi, a do të mundë njeriu të jetonte absolutisht i pavarur? Kjo s'do të ketë mundur të ndodhë as edhe në epokën e gurit kur njerëzit kanë jetuar shpellave. Pra, pavarësia absolute për ne mund të ishte vetëm teori. Le të supozojmë se jemi bindur se lidhshmëria zinxhirore e të jetuarit mes njerëzve është domosdoshmëri. Janë arsyet e shumta që këtë hallkë zinxhirore, e e bëjnë të qëndrueshme. Pa u ndalur tek arsyet apo lidhjet e hallkës zinxhirore, le të ndalemi tek hallka e miqve që mund t'i krijojë njeriu pranë vetes. Ka ndodhur dhe ndodh shpesh që miqtë vijnë e shkojnë apo edhe e kundërta. Njeriu ka nevojë edhe për shokë, miq pa qofshin ata edhe jashtë rrethit të ngushtë të gjakut. Askush s'është ngjitur udhëve të suksesit pa ndihmën e dikujt. Udhët e suksesit në jetë janë shkallë-shkallë dhe ato i ka ndërtuar apo duhet t'i ndërtojë dikush. Shprehemi kushtimisht kështu, sepse praktika e dëshmon. Një tregtarë s`do të mundë të ngrihej, po të mos t' i kishte blerësit. Një politikan, nuk do të mundë të ngrihej në pozitë po të mos i kishte votuesit. Hë pra, po kthehemi prapë tek lidhja e patjetërsueshme mes njerëzve për të arritur diç. Unë jam shumë i bindur se rrugët e suksesit e kanë lidhshmërinë në hallkën zinxhirore të të jetuarit. Nëse në jetë keni pasur suksese, sprovoni kujtesën e udhëtimit tuaj para sukseseve. Kujtoni miqtë, ata që ju kanë ndihmuar ose ju ndihmojnë që juve të ju shkojë mbarë. Nëse ndonjëherë keni pasur dhe rënie, kujtoni rrugët e ngritjes dhe rënies suaj. Ju ka ndihmuar dikush? Kërkoni miqtë tuaj. Por, përpara se t'i kërkoni, sprovoni ata. Kërkoni arsyen e afrimit të tyre tek ju. Sprovoni sinqeritetin, karakterin, besueshmërinë, respektin ndaj jush. Kërkoni arsyet e interesit. Nëse i keni zbatuar të paktën këto këshilla, mund të jeni prishur shumë shpejt me shokun ose të keni një shoqëri shumë të gjatë. Nëse miku juaj i ka përmbushur këto kërkesa, ende jeni miq, nëse jo, me siguri se shoqëria juaj ka përfunduar shumë shpejt. Ju ka ndodhur ndonjëherë në jetë që nuk keni llogaritur në këto kushte që i thashë, por nuk ju kanë interesuar këta faktorë. Me siguri më vonë jeni zhgënjyer edhe në lëshimet tuaja, nëse jeni nda keq. Një mik imi, gjithmonë më fliste për shokë të mirë, miq të mirë, e tjerë e tjerë. Kur e pyeta nëse ai i kishte provuar miqtë e tij, shokët e tij, me ato që i thamë më lartë, mbeti gojëhapur. Filloi të tregonte histori me shokë të braktisur, që herë-herë ishte ndarë si mos më keq. Besoja shumë që në fillim, apo tregohesha i sinqertë dhe besoja në sinqeritetin e të tjerëve. Shumë vonë isha bindur se krahas vetive të mira që i bartë njeriu, atë e shoqërojnë edhe ligësi që nganjëherë ia kalon egërsirës. Kjo tingëllon ca absurde, por le ta japim një fakt dhe do të bindemi. Kur njeriu bëhet bishë për tjetrin, a nuk ka veti egërsirash në shpirt? Prandaj, është shumë e rëndësishme t'i zbatojmë të paktën disa nga ato porositë e mësipërme. Biseda e mikut më kujtonte shumë histori me shok të mirë e të ligë. Kur i tregova mikut se as unë vetë dikur nuk i kisha respektuar asnjërin nga parimet e krijimit të shokëve, ai u qetësua dhe u ndie i barabartë në bisedë. Kisha pasur miq e miq, por një pjesë e tyre ku ishin sot? Pse kishin ikur? Miku e gjeti vetë të vërtetën. Vetëm atëherë kur kisha filluar t'i zbatoja në praktikë pikat e përmendura, kishin filluar çarjet. Dikush kishte ikur se i kishte realizuar interesat. Tjetri se nuk ishte pajtuar me mikun e tij më të shkathët, më inteligjent apo edhe ndonjë arsye tjetër. Tjetri e kishte kuptuar se interesi i tij kishte përfunduar dhe nga aty kishin përfunduar edhe hallkat e shoqërisë etj, etj. Unë kisha besuar në sinqeritetin e njerëzve, besën, karakterin. Gjithmonë isha nisur nga vetja, se kurrë s`më kishte pushtuar ligësia. Ndaj nuk besoja në ligësinë e tjetrit. Të gjitha këto më kanë kushtuar shumë në jetë, i thashë mikut. Megjithatë, sot kam miq dhe ata që i kam, janë pak por të shëndoshë si molla në degë. Pra, më mirë pak e të shëndoshë se shumë e të lig. Edhe për ty lum miku, nga tash e tutje po fillojnë rrugët e shoqërisë tënde të vërtetë. Krijo hallkat e shëndosha rreth vetes, largo ato të ligat nga zinxhiri yt, vetëm kështu do të ecësh i qetë në rrugën tënde. Kurrë mos u shkëput nga zinxhiri shoqëror, se do të tretesh pahetueshëm drejt vetmisë.

 

                                                                                      Gëzim Ajgeraj, 29. 4. 2005

 

ESE

 

ZEMËRIMI I GJENERALIT

 

Ruaje zemërimin gjeneral, kthehu në qetësinë tënde! E di se të ka hipur gjaku, dhe mua, me këtë kohë pa arbitër. Ende bën furtunë nëpër oborrin tonë. Kullës kanë harbuar orëligat. Ec e merre vesh kush është i parë e kush i fundit. Orëligat janë ulur në krye të oxhakut e i fryjnë tradhtisë. Ti dite ta ruaje zemërimin edhe atëherë kur digjej shkëmbi e mali, e gjaku rridhte rrëke dhe krejt qetë, barbarit ia ndizje dheun nën këmbë. Unë e di. Me ty rritej fusha, e mali mbushullonte këngën e lirisë, atdheu gëzohej. Ah, ç'kohë ishte ajo kohë! Mali mbushej oshtirë, toka skuqej djemve të tu e të lirisë. Ndërsa fjalamanët e zhurmaxhinjtë e kësaj kohe, e kishin futur bishtin nën këmbë e ia kishin mbathur të katrave. Në botë, drejtësia gjithmonë vonon. Ata që dinë të dredhin e zhdredhin, quhen të mëdhenj. Pikërisht këta njerëz, sot na janë bërë përditshmëri jona. Zgjohemi me ta, i kemi për drekë e darkë, edhe gjumin na kanë vjedhur këto ligësi. Populli i "do dhe i nderon ata". Ah, populli! - Gjithmonë nën emrin e tij fshihen këta komedianë të kësaj status kohe. E mashtrojnë atë, ia shtrojnë rrugët me "lule", përralla në pikë të ditës i tregojnë, edhe ditën ia zverdhin trotuareve dorëzgjatur, për një kore buke. Këta mashtrues të pabesë. Edhe ty të kanë dënuar gjeneral. Atje në burgun e përbuzjes të kanë hedhur bashkë me djemtë e tu të lirisë. Vështirë e ke gjeneral! Dhembja është e madhe për ata që u vranë, e ata që mbetën, t'i lidhën prangave, e t'i përbuzin çdo ditë. Ke mbetur vetëm. Ah sa më dhimbsesh kur të shoh të vetmuar qytetit të besës. Ec si shqiponjë e plagosur rreth Lumëbardhit, e ia shtrydh dhembjen kohës. Pesë vite ikën nga kohëkuqja dhe ty të shoh që ecën dhimbjes së njëjtë. Të lumtë! Atdheun e duan vetëm ata që janë në gjendje të vdesin çdo çast për të. Ah, gjeneral sa rëndë të ka plagosur koha e orëligave, të ka dërmuar në shpirt. Po ti, ti ushqe shpresën e ardhjeve të bardha. Ajo një ditë do të vijë, e këta palaço e gaztorë do t'i shqelmojë koha-popull. Mbahu i fortë si në vijat e frontit, kur u prije djemve të lirisë, e këngën se ndalje edhe, atëherë lisat e atdheut binin një nga një pas teje. Ti je hero i gjallë. Ta njoh trimërinë. Nuk thyhesh kurrë edhe atëherë kur të bie ushtari i fundit i lirisë. Krenaria jote, i thyen ata. I ligështon dhe ua vret të përlyerën kohë. Sa të ligë ndihen përpara teje. Provojnë të të lëmojnë. Kanë nevojë për urtinë tënde, për heshtjen, për... Nganjëherë bëjnë edhe se të duan guximin tënd, trimërinë, sakrificën. Po ti i njeh ata, si përfill. Të lumtë gjeneral! Të kujtohet mbrëmja buzë Lumëbardhit tek përkuleshim përpara lapidarit të pishtarit të lirisë. Atë mbrëmje pate thënë: Ata që nuk përkulen përpara dëshmorëve të kombit, u duhet kontrolluar pasaporta. Ti... Ke të drejtë gjeneral! Përkulja jote përpara dëshmorëve, më dha nostalgji. Ti, që gjithë jetën ia kushtove atdheut, më del i pandalshëm në idealin e bërjes së atdheut. Atdheun do ta bëjmë, deshën e s'deshën të tjerët. Po të shoh prapë të zemëruar. Hienat e kohëligës ta kanë prerë rrugën. S'ke faj. Mos ta prefshin rrugën këta mosmirënjohës e injorantë. Papërkulshmëria e tyre përpara gjakut të atdheut, ta ka ngritur zemërimin, e di. Ajo krenaria jote e ditëve të lavdishme, është mbytur pelinit. Po miku im, e shoh se po të brenë çdo ditë status-koha e injorantëve. Po ti, mbahu krenar faqeve të bardha të historisë së lavdishme të atdheut.

 

                                                                       Prizren, 16 korrik 2003

 

Për veb-faqen, nga numri 4 i Metaforës, kemi dhënë vetëm shkrimet e editorit, të tjerat shkrime nuk i kemi publikuar në faqe. Gëzim Ajgeraj