Wednesday, July 13, 2011

http://sofrapoetike.blogspot.com/2011/07/cikel-poetik-nga-gezim-ajgeraj.html

 

Cikël poetik nga Gëzim Ajgeraj


LETËR MIKUT

(Mikut tim, Ilam Berisha-poet)

Mik i dashur!
Të gjata janë udhët tona
sa gjeografitë e botës

Lot është bërë malli
vaj kënga

1.
Hej mik!
Kam njëzet pranvera që bredh
me strajcën mbi shpinë
e mallin në gji

Sheshe e qytete janë tonat
Përditë e më bukur i zbukurojmë ato
Evropës ia qëndisim fustanin
që më e bukur të duket

Vaj halli për ne
Udhët ikjet

Dyerve të huaja rrjedhin motet
I huaj këtu e atje
Përherë në rendin e dytë
nën mallkimin e harrimit

Udhë të Evropës
i qëndisim ëndrrat
për kthimin që s’po vjen

3.
E mban mend ikjen?
Qielli u nxi, mbi kulla ra shi

Atdheut praroheshin pranga për idealin tonë
e neve na dhembte shpirti për fjalën e lirë
Kujt t’ia shpalosnim dëshirat
e t’i hapnim zemrat?!

Gjokset i kishim bërë murana
për diellin e Kosovës

Me vdekjen piqeshim përditë
Ec e duro nën lëkurën e robit

4.
Motet e kuqe mbi Vërri
rrodhën pa ne
Hapën plagë të reja

Edhe pse s'isha në ditët e dhimbjes
Atdheut kurrë s’i mungova

Sa mirë që erdhi dita
e idealit tonë, mik!

Ende pikon ajo
Ende dhemb shpirti

6.
Tani kur Vërrini i shëron plagët
e netëve të ndërrimit të epokave

Vargu për atdheun është bërë forcë
Lirikat këngë e dhembjes krenare
për ardhjet e bardha
të mbytura në blu

E ne ia numërojmë plagët faqeve në libra

7.
Mik i dashur!
Neve na dogjën ikjet, udhët
Gjithçka është bërë mall
në këtë kapërcim

Largësitë kanë hyrë në mes
E ne flasin me gjuhën e harrimit
Gjaku i Arbrit po shprishet

Ah mik, - anija e fjalës shqipe po mbytet
në detin e fjalëve të huaja
Mik!
Më mbytën këto plagë

9.
Vargun e mbyti shiu
nën këtë qiell pa ombrellë

Gjaku i shprishur është bëre plagë
nëpër gjeografitë e ikjeve
Gjithçka kundërmon harrim

Vetëm Ti ia njeh plagën
klithmën e vargut tim

10.
Mik i dashur!
Merrma një këngë bjeshkëve
me jehonën e shqiponjave
Shter dhe notën e fundit të fjalës
me peshën e gurit

Këndo bukur me gjuhën e Naimit
që të marrë forcë fjala
që të rriten lisat
që të mbushullojnë kullat
plot shpresë për ardhjet e bardha

11.
Këngën e idealit mos e ndal
Këndo rimave
me zërin e atdheut
Edhe atëherë kur bën furtunë
e korbat sillen vërdallë

Jepi forcë vargut
edhe atëherë kur dhemb koha Migjeniane

Shpresat tona janë të bardha
Larg atyre që mbjellin terr

13.
E di ç`më porositi
dje një mik?!

Vargun e adoleshentëve
hidhe në shportë
Mos e lexo...

14.
Virusi i ligësisë ka hyrë
në çdo qelizë të jetës sonë
Ruaju mik

Sa më larg
nga ata që vuajnë nga kjo sëmundje

15.
Kohë e ligë po rëndon
mbi atdhe
Korbat i kanë rënë në qafë
gjakun me fije pambuku ia pinë

Edhe lirika
është mbushur plagë

Koha plot dhembje

16.
Jam mbushur mik
Fjala më është bërë klithmë e dhembjes
Vargjet janë mbytur në detin e lotëve
se më ka etje gurrat mali e fusha
kulla, nëna me shaminë e qullur te vatra
atdheu...

Janë bërë shumë...

Vetëm *metafora më mban
në këtë mërgim
Ushqim i përditshmërisë sime
Jetë...

17.
Mik i dashur! - Të fala....
... A T DH E U T!

Zvicër, 2006
 
 
 
 
DËSHIRË E VRARË

I fali pranvera një lule në ballë
Një vashë me sy deti më mbyti në mall
Dritën i dha dielli qiellit flatëruar
Bardhësinë e borës flokëpraruar

Të lehtë i dha krahët flutur përmbi lule
Më vrau flatër e saj ëndrrat m’i përkule
E ligë u shtrua kënga se më mbyti vetmia
Shpresa u bë ëndrra përvëlon largësia

Bukuri e saj vret ëndrrat e bardha
Dehet ligësia e shtrohet përpara
Bëhen ëndrrat pluhur në këmbët e saj
Mollë e ndaluar një dëshirë e vrarë

Tani larg e kërkoj e dehem në mall
Ëndrra ndizet prush e zemra plot zjarr
E ikin kujtimet përvëlon vetmia
Mes largësive tona urë dashuria

Ah, kjo dëshirë sa më bën të mjerë
E ndjek nga pas veç ëndrrat m’i vjedh
Te hija e saj humbet e harruar
Digjen flakë shpresat diku të vetmuara

Mars 2004
 
 
 
 
 
ÇAST PA FJALË

Është më mirë të flasim për një kohë tjetër
sesa të na i marrë udhëtimet mendimi
Apo sa ta presim temën e kërkimit
që heshtjen e thatë mos ta mbytë harrimin

Më mirë është t’i japim fjalës kot qiellin
sesa të mbytemi qetësisë mendimit
Dikur paqen tonë do ta mbytë harrimi
çasti që s`mori fjalë e të ikë pendimit

Më mirë ta bluajmë kohën mall për një kohë tjetër
sesa kotësisë të na shuhet kohë e vjetër
Apo çaste të thata të bien harrimit
kohë e ndarë në dysh t’i bie pendimit

Zvicër,17.9.1999
 
 
 
 
FJALA E PATHËNË

Rreth grevës së saj vrapon mendimi
Tingull i pakënduar moto e kërkimit
Etje e kallur mbyllur harrimit
Varg i pashkruar bardhësi e kërkimit

Kur nuk shkruhen libra e merr koka erë
Ku është mbyllur fjala e nga terri s`del
Digjet fjala mallit dhe digjet amshimit
Dritë kërkojnë udhët e dritë mendimi

Dritë kërkon fjala e dritë mendimi
Zukamë e një vape bari i harrimit
Fjalë e pathënë etje e kërkimit

Zvicër, 17.9.1999

 
 
 
 
KLITHMË GJETHI NË DEGËN E THYER

S`dua të më zverdhin motet pa arbitër
As stihitë e stinëve në kohë të zjarrmisë
Dua të freskoj degën me flladin e mëngjesit

E dua ledhatimin e mëngjeseve të Sharrit
Puhiza e tyre të më ledhatojë damarëve
E kur merr vapë vera, etjen ta shuaj burimeve
Rrënjëve ta thith nektarin e tokës
Të mos më zverdhë kohë e përdalë

S`dua që degës sime t’i shkëputet kërcelli
As t’i thyhen pipat që bulojnë mbi të
Ju lutem...
trungun mos ma dëmtoni

S`dua që unë të zverdhem moteve pa arbitër
Edhe pse jam gjeth i degës së thyer
E ruaj gjelbërimin e pranverës së parë
... se ushqehem nga trungu im

Zvicër, 2007

 
 
 
 
 
PËR VARGUN

Gjethet e mendimit rriten
Në kërcellin e ajthshëm të fjalës
Po ku i ka rrënjët lisi i këngës?!...

LISI I DHEMBJEVE

Gurëve të fjalës lëshon rrënjë
Bëhet metaforë e plagës
Fjala në varg

Dhembjeve e shpalos lëvozhgën e fjalës
Lulëkuqe mbushen vargjet
Në metaforën e pikëllimit

E ushqej me shpresën e shkëlqimit të dritës
Prapë vesë e kap mendimin
Në gjethet e fjalës

Me se ta vadis mallin
Në këtë vapë fjale
Lis i dhembjeve të mia

2004

 
 
 
 
 
 
NË PRITJE TË IDESË

Ka orë që e pres në shesh udhës po vonon
Po sa ngjitet mallit ballin ma shkrumbon
Nis udhë kah atdheu por mua më harron
Si nuk zbret bardhësive të paktën të më ngushëllon

Pritja ka zënë erë e u tret kërkimit
Udhëve e vetmuar përplaset harrimit
Kot e marr me të mirë kot e kërkoj kërkimit
Ma djeg zjarri i mallit udhëve të mallkimit

Kot i bie daltës kot qiellit e pres
Dhe deti i pendës zemërohet për besë
Nis vijat e mallit nisin e zemërohen
Metafora vargje rima nis tërbohen

Me krah të pëllumbit ra para zemërimit
Në fund edhe pritja shpagoi vonimit
Kohë e ndarë në dysh kronikë e kërkimit

Zvicër,19.8.1999

 
 
 
 
THATËSI E FJALËS

Kanë shteruar gurrat e mendimit
Thatësi e fjalës
U terën vargjet

Alfabeti i ikjeve po digjet mallit
Verës pa varg

Metafora e pikëllimit
I shtrydh dhembjet e udhëve
As pikë për lot s’ka mbetur
Për t’ia freskuar ballin

As kokërr djerse nuk gjen
Për t’ia shtrydhur zjarrin

Vetëm shkrumb
Në muzën e përvëluar të mendimit

Shkurt 2004

 
 
 
 
 
UDHË ME MËRGIM

Sado udhët tona të na lidhin harrimit
del një zog një beze e m’i bie pendimit
Sado gjeografitë të na hedhin përtej
del një mall atdheu e udhëve na djeg

Sado udhët tona të na mbajnë të larguar
del një gjuhë e plis na kërkon afruar
Sado udhët të mbushen filiza e pipa
del një zë shqiponje e lum bën për nipa

U shkretofshin udhët qofshin të harruara
kohë e ndarë në dysh e moteve të shëmtuara
Dhe kur motet tona të ikin harrimit
merrni këto vargje bëjini varr kujtimit

Zvicër,8 shtatorë 1999

 
 
 
 
 
DITË PA KOSOVË

Err e terr bredh mungesës
vaj dita pa ty

Në Dardani e Ulpianë zbrita
e në fllad të Vërrinit
Për një sy gjumë

Ndër gurra pimë ujë kaçakçe
I kënduam lirisë
Një tufë lule dëshmorëve

Vaj për ditën
që na zhuriti largësive
Dita pa Kosovë

Janar 2001

 
 
DEGË E THYER

Nën pëlcitjen tënde kanë rënë sa e sa gjethe
E të kanë lënë plagë e zjarr në shpirt
Dhe tani përditë varen klithmës plot mall
Harrimit i shkruajnë kronikat e dhembjes

Dhe sa herë që klith pëlcitjes
Gjethet e dhembjes pikojnë

Mbi ty shkarkuan erëra e furtuna
Kolona ime, ti e di sa dhemb ikja
Pelini i saj i ngjan helmit

Gjethet e tua të thara nën degë
I mbyt vjeshtë e harrimit

Ligësi ka rënduar pëlcitjes sate
Mbi trungun tënd harbojnë furtunat
Erërat që me natë e ditë krasitin mallkimit

... ah kolona ime, degë e thyer
Merrmë pak dhe Kosove e varrosmëni dhembjet!

Zvicër, 2007

  
 
NOKTURNO PËR IKJEN

E lash të djeshmen duke kënduar nën lisa
Me vete e mora këngën e pakënduar dhe mallin
Ika dhe pa u përshëndetur s`më la loti
Dhe shkrumi i nënës tek më puthi mes balli

E lash të djeshmen të mi freskoi kujtimet mes këngëve
Me vete i mora ëndrrat dhe strajcën plotë mall
Ika pa u përshëndetur pa i dhënë lamtumirën
Seç mu hap në zemër atë ditë dhe një plagë

E lash të djeshmen të ma ruaj ditën e kthimit
Me vete i mora shpresat dhe mbathcat në strajcë
Nuk i dhash lamtumirën shumkujt që i dua
Më pritni thashë, se kthimi një ditë ka për të ardhë.

19 maj 2011, Zvicër, Grabs.

 
 
MBIJETESË

Tehut të shpatës e përbiruam fjalën
Që të mos i pritej gjuha mendimit
Kohë e dhunshme karpatesh pat rënë mbi ne
...
Nëpër tehë shpate e përbiruam mendimin
Që të mos i këputej koka shpresës
Kohë thikash karpatike patën rënë mbi atdhe

Nëpër tehë shpate i përbiruam këngët
Që të mos i vritej motivi shpresës
Kohë shtrigash karpatike ia lidhnin gojën atdheut

Tehut të shpatës e përbiruam mbijetesën
Me qëndresë e besim në të ardhëmen
Gjartpërit të veriut ia këputëm kokën

Mbijetesë, ishte koha e jonë

Prizren, 2001

 
 
BJONDJA

Në rastësi takoj një grua
Me sytë e sajë ëmbël më shikoi
Dhe një të mbyllur ma fali mua
Unë mora ikën, thashë më turpëroi

Të nesërmen prapë atë e pashë
Më shkeli synë e mu afrua
Do më turpëroi me vete thashë
Lermë të të puthë, të të dua

U bëra akull e mora vrap
Mbeti e shtangur mrrolt më shikoi
Seq përshpëriti në gjuhë të sajë
Pse po më shtiresh kaq shum i marrë

Të nesërmen prapë unë e takova
Me sy e vidhja tek më shikon
Seq po më trembin ata dy sy
Dhe helm nga goja sikur lëshon

24 qershor 2011, Zvicër-Buchs

 
 
MË LER NË ËNDËRR,
PRANË TË TË JEM

Ëndërr e jotja dua të jem
Të të përshpëris natën në vesh
...Dhe sa të dua të të them
Ikjen e natës s`do ta kesh marrë vesh

Dy përshpërima të ti them
Në mes të buzëve, kur ti flenë
Të vijë në ëndërr pran teje të jemë
Në mëngjez do të iki, aty s`do të jem

Më ler të paktën kur të kesh fjetë
Më ler në gjum të të vijë
E shkurtë nata do të jetë
Në mëgjez do të iki s`do të rrijë

2006, Zvicër, Buchs

 
 
PENSIONINTËT E QYTETIT TIM

Qdo ditë buzë lumit kur ju takoj
Tek ju mëtoni për pakë qetësi
Dimrin mbi flokë tek ua shikoi
Ua numroj motet, hallet përmbi

Dy luajnë shah aty mbi stol
Tjetri gazetat radhe duke i shikuar
Disa dhe shajnë sikur mallkojnë
Ah, pensioni s`u ka mjaftuar

Dy tjere mes vete kërkojnë ngushëllim
Peshën e kohës që ka rënduar
Këta pleq të mjerë ku të gjejnë shpëtim
Kur dhe pensioni u ka vonuar

Një ofshamë shpirti ra përmbi mua
Hallet e tyre tek i shfletoj
I kam frikë dimrit që ka ofruar
Thinjat e flokut tek i numëroi

Maj, 2011, Prizren

 
 
VIA ADRIATICA

Seç e dua këtë udhë dhe detin në të majtë
S`më duhet as Navi e as busullë
Në udhën e kthimit

Malli më prin përpara dhe unë pas
Të dy vrap kush më i pari
Vrapojmë deri në Bari
Me biletën në dorë e trupojmë detin

Via Adriatica, bileta dhe rruga e kombit
Unë e malli bëjmë gara
Kush i pari të hyjë në Morinë
E ta puthim pragun e atdheut

Via Adriatica dhe bileta
Nesërmbrëma detit mes për mes
Pasnesër më pret atdheu
Në port tek Durrësi

Korrik, 2011

 
 
SI TA GJEJ UDHËN TEK TY

Të shkoj vërdallë po s`mundë ta them
Me syrin vëngërr e plotë lakmi
Por s`kam guxim të ta them
Dhe ti më hiqesh sikur gjë s`di

Ma dogje syrin me atë shkëlqim
Kam frikë ta mbyllë se mos të humb
Dhe ti krenare plotë injorim
Të lutem më thuaj ta gjej atë rrugë

Pritja më dogji dhe heshtja e jote
Unë rreth e rrotull çdo çast të vijë
Ma more gjumin ëndrrat mi vodhe
Dhe prapë po heshtë, përsëri

Ma mbyll një sy a një buzëqeshje
Unë si atlet tek ty do të vijë

çershor, 2011, Buchs, Zvicër
 
 
 
PA MË SHIKO VEÇ NJËHERË TI

Lermë të shikohem në dritën tënde
Sa ta shoh veten në pasqyrë
Pastaj do ikë hije do bëhem
Të lutem më shih me ata sy një çik

Shkëlqimit të tyre lermë të shikohem
Pastaj do ikë s`do të bëj mërzi
Ëndrrave tua do të harrohem
Të lutem më hidh një çik ata sy

Detit të tyre njëher të mbytem
Sa ta freskoi këtë nostalgji
Si një notar do të tretem ëndrrave
Të paktën ta freskoi këtë push në gji

Më shih njëherë të lutem ti
Ta shikoj zemrën si rrah për ty
Pastaj do ikë s`do rri aty
Të digjem mallit për ata sy

4 korrik, 2011, Zvicër

 
 
NOSTALGJI

Dua të bëhem gjethe e blertë
Mes dorës tënde aty të zbres
Shtërgnimin tënd aty ta pres
Pastaj në vdeksha, le të vdesë

Një degë shelgu dua të jem
Në mes të belit të më lidhë
Të të shtërngoi aty në mes
Pastaj në vdeksha, le të vdesë

Një lule vjollce dua te jem
Mbi flokun tën aty të zbres
Pranë gërshetit aty në mes
Pastaj në vdeksha, le të vdesë

Një fluskë ajri dua të jem
Lehtë e lehtë të hyjë tek ti
Shpejtë do të dal tek ty s`do të mbes
Pastaj në vdeksha, le të vdesë

Mes fjalëve tua aty në mes
Më ler një presje të të jem
Lehtë do të iki shpejtë për besë
Pastaj në vdeksha, le të vdesë

Një pikë uji dua të jem
Në fytin tënd lehtë të rrëshqas
E le të tretem avull të mbes
Pastaj në vdeksha, le të vdesë

Një pkikë gjaku dua të jem
Në zemrën tënde të të hyjë
Shpejtë do largohem për fjalë e besë
Pastaj në vdeksha, le të vdesë

Lichtenschtein, 2005


DIKUSH..., PO I BËNË GROPA LIRISË

Ju që të djeshmen po e dërgoni në gjykatë
Mos i gëzoni të sotmes
E nesërmja do të u hakmerret

Vërtetë, kan ndërruar faqet e historisë
Liria ende të freskët e ka aromën e luleve
E rrënjët plotë gjak

Plotë njëqindëvjetë i dham gjak nga bonca e jonë
Gjymtyrë e mish nga ashti
E ushqyem me qka patëm, të shtrejtën

Dhe ju prapë si bini kokës
Liria e ka ngjyrën e gjakut
Blu, është ngjyrë e huaja

Ju që po ma dërgoni kohëkuqen në gjykatë
E mi vëni pikëpyetje faqeve mbi histori
Mallkimi i gjakut do ju zë

Lum ata, që lirinë e shikojnë në sy

*Disa vite më vonë, pas një lufte të përgjakshme në Kosovë


- - -

Gëzim Ajgeraj, poet i arratisur larg atdheut, përreth dy dekada, apo me mirë të themi gati gjysmën e jetës së tij e kaloi jashtë vendit të vet. Zvicra ishte stacioni i fundit, kur në vitin 1988 u arratis nga atdheu i robëruar dhe mori botën në sy. Ai flet me nostalgji për vitet e rinisë, vite këto që u rrit e i kaloi në qytetin e bukur, në qytetin e lashtësive historike, në qytetin e Abdyl Frashërit e Ymer Prizrenit, buzë rrjedhës së çiltër të Lumëbardhit. U lind në Vërrinin heroik dhe gjithnjë rezistues në luftërat për çlirimin e vendit nga okupatori. Shkollimin e mbaroi në Malësi dhe në Prizren për të vazhduar më vonë edhe në Zvicër. Ishin vitet e rënda, vitet e lëvizjeve të mëdha në Kosovë kur Gëzimi u largua nga vendlindja, duke qenë i pranishëm me tërë qenien pranë dheut të lindjes. Gjashtë vjet veprimi në ilegalitetit, moralisht u kalit, tradicionalisht i frymëzuar nga një ideal i lartë drejt përpjekjeve për çlirimin e atdheut. Gëzim Ajgerajn, kurdoherë e gjejmë të pranishëm nëpër demonstrata që organizoheshin kundër shtypjes e shfrytëzimit nga ana e okupatorit serb. Gjatë viteve '82-88 dha kontribut shumë të çmuar rreth shpërndarjes së materialeve propagandistike për vetëdijesimin e masave të thjeshta të popullit. Në vitin 1988, nga njerëz të besuar qe njoftuar se së bashku me shokun e tij S.P., nga shërbimet sekrete të shtetit okupator përgatiteshin dosje dhe se së shpejti do të arrestoheshin. Për t’u shpëtuar kthetrave të këtilla, detyrohet të largohet nga atdheu, gjoja për shkaqe ekonomike.
Krijimtaria e tij letrare fillet e para i ka që nga klasat e para të fillores. Më vonë, kësaj dhuntie, filloi t’i përkushtohej edhe më me shpirt. Shkrimet e tij i gjenim të botuara në shumë revista e gazeta të kohës, po,për shkak të censurës, jo gjithçka e shkruar nga Gëzimi gjente dritën. Gjatë viteve 1988-1989, u bënë lëvizje të mëdha në Kosovë. Gëzim Ajgerajn e gjejmë kudo, në Gjenevë, Bernë, Cyrih, Prizren, Prishtinë, e deri në Hagë, gjithnjë në shërbim të kombit e atdheut.
Duke përfunduar, fitojmë përshtypjen se, Gëzim Ajgeraj, veprimtarinë në shërbim të atdheut më me ngulm e ka filluar që nga viti 1981, që nga vitet e para të shkollimit të mesëm, duke mos u ndalur deri në përfundimin e luftës më 1999. Ndonëse larg atdheut fizikisht,veprimi i tij, tashmë edhe më i mobilizuar në shërbim të atdheut, kudo që kishte vërrinas e të tjerë shqiptarë nëpër Evropë, Gëzimi qëndronte në ballë të organizimeve për ta ndihmuar luftën edhe moralisht edhe materialisht duke gjetur përkrahje të plotë nga shokët me të cilët bashkëpunonte.
***
…Është e pandashme krijimtaria letrare e tij gjatë gjithë kësaj kohe. Që nga viti 1987, filloi të botojë thesar librash, si:1."Klithmë malli", poezi, „Rilindja", Prishtinë,1997; 2."Ëndrra për parajsë", poezi,"Rilindja",Prishtinë, 1998; 3."Qiellit po digjem", poezi, „Rilindja", Prishtinë, 1998; 4."Flakë në plagë", poezi, „Rilindja", Prishtinë, 1998; 5."Kënga e babait", poezi për fëmijë, „Apolonia", Prishtinë, 1998; 6. "Urti popullore të Vërrinit 1", (bashkautorësi), „Apolonia", Prishtinë,1998; 7. "Mallëngjimi", poezi, „Rilindja",2000; 8. "Balada e Vërrinit", K.L. „F. S. Noli", Prizren, 2001; 9. "Rruga e lirisë", dramë, „Meshari"Prishtinë, 2001; 10. "Rruga e lirisë" (intervistë) me Zafir Berishën, botoi Asociacioni i Veteranëve të ish- UÇK-së – Prizren, 2002; 11. "Atdheu në trastë", cikël me poezi, e botoi revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV, Prishtinë; 12. "Pëllumbat e lirisë", novelë për fëmijë, Edicioni i revistës "Fidani", Prizren, 2004; 13. "Ditët e bardha", novelë për fëmijë, Edicioni i revistës "Fidani", Prizren 2004; 14. "Atdheu i copëtuar", cikël me poezi, në librin "Pikoi molla gjak" (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR-Departamenti i Çështjeve Jorezidente, Prishtinë, 2004; 15. Cikël me poezi, "Udhë e zjarrmi", në librin "Muzat i bien lyrës", Edicioni i revistës "Fidani", Prizren, 2005; 16. "Lulëkuqet e Vërrinit", Edicioni "Metafora", poezi, Zvicër 2005. 17. "Zana në mërgim" (poezi për fëmijë), "Metafora", Prizren, 2007;
18. "Huqet e Benit",(poezi për fëmijë), "Metafora", Zvicër, 2007; 19. "Bosi lepurushi", fabula, "Metafora", Zvicër, 2006; 20. "Gjëegjëza", "Metafora", Zvicër, 2006;
21. "Dita me Tonin" (Poemë), "Metafora", Zvicër, 2006;
22. "Muajt e vitit me Ardin" (Poemë), "Metafora", Zvicër, 2006; 23. "Dallëndyshja në Vërri" (poezi për fëmijë), "Metafora", Prizren, 2007; 24. "Kroi i qytetit tim", (poezi për fëmijë), "Metafora", Prizren, 2007; 25. "Masakra e Tuzsuzit", Monografi, (bashkautorësi), „Metafora", Prizren, 2007.
Nga janari i vitit 2004, editon revistën: "Metafora" (Editorial i poetit) që del në çdo tre muaj. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në Prishtinë. Nga 23 marsi 2002 është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës.
Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: "Rilindja", Zvicër - Prishtinë, "Bujku", - Prishtinë, "Zëri i Kosovës", Zvicër - Prishtinë, "Bota sot",- Zvicër, "Koha ditore", - Prishtinë, "Epoka e re", - Prishtinë, "Zëri",- Prishtinë", "Fakti", - Shkup, "Ars" – Tiranë, "Pena Shqiptare", - Prishtinë, "Pionieri" – Prishtinë, "Zogu i mëngjesit", - Prishtinë, etj.
(Biografia e autorit esjte marre nga Zemra Shqiptare)
Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri