Gëzim Ajgeraj

 

 

NOKTURNO PËR IKJEN

 

E lash të djeshmen duke kënduar nën lisa

Me vete e mora këngën e pakënduar dhe mallin

Ika dhe pa u përshëndetur s`më la loti

Dhe shkrumi i nënës tek më puthi mes balli

 

E lash të djeshmen të mi freskoi kujtimet mes këngëve

Me vete i mora ëndrrat dhe strajcën plotë mall

Ika pa u përshëndetur pa i dhënë lamtumirën

Seç mu hap në zemër atë ditë dhe një plagë

 

E lash të djeshmen të ma ruaj ditën e kthimit

Me vete i mora shpresat dhe mbathcat në strajcë

Nuk i dhash lamtumirën shumkujt që i dua

Më pritni thashë, se kthimi një ditë ka për të ardhë.

 

                           19 maj 2011, Zvicër, Grabs.

 

DIKUSH..., PO I BËNË GROPA LIRISË

 

Ju që të djeshmen po e dërgoni në gjykatë

Mos i gëzoni të sotmes

E nesërmja do të u hakmerret

 

Vërtetë, kan ndërruar faqet e historisë

Liria ende të freskët e ka aromën e luleve

E rrënjët plotë gjak

 

Plotë njëqindëvjetë i dham gjak nga bonca e jonë

Gjymtyrë e mish nga ashti

E ushqyem me çka patëm, të shtrejtën

 

Dhe ju prapë si bini kokës

Liria e ka ngjyrën e gjakut

Blu, është ngjyrë e huaja

 

Ju që po ma dërgoni kohëkuqen në gjykatë

E mi vëni pikëpyetje faqeve mbi histori

Mallkimi i gjakut do ju zë

 

Lum ata, që lirinë e shikojnë në sy

 

     *Disa vite më vonë, pas një lufte të përgjakshme në Kosovë.

 

JAM LODHUR DUKE I NUMRUAR VITET

 

Jam lodhur duke i numruar vitet

Me pikat e mallit i shkruaj ditët në kalendar

Asnjë çast s`më shpëton tek i përcjell ngjyrat

                                         E ylbereve të mallit

 

Dallëndyshe është bërë etja

Mallit i kam vënë krahë

Zjarmia përvëlon mes Alpeve

 

Sharri është bërë stacion i fundit ku prehen ëndrrat

Përmbi Alpe përditë po bie borë, stinët kanë rënduar

 

Sa i gjatë ky udhëtim fundi s`po i duket

 

                              3 korrik 2011, Zvicër

 

UNË, ECË VETËM VERTIKALISHTË

 

Unë, vertikalishtë di të eci

Ndoshta e kam gabim, që kurrë s`i japë lak

Di dhe ti këshilloj të tjerët

Idealin e shikoj në sy, dhe kurrë s`kthehem prapë

 

Unë, njëherë çështjen e vë në peshore

Bardhë e zi tek e shikojë

Miqtë më thonë;ecja e jote të vë në përmendore

Dhe unë ecë vertikalishtë, nuk lakoj

 

Unë, s`varem në litarin e askujtë

As litarin askujtë s`ia varë

Eci vizionit tim

Vertikalishtë, kurrë pa u ndalë

 

Të jesh o të mos jesh sotë bota

Njeriu duhet të udhëhiqet nga një ideal

Lajkat dhe kurthat e të ligëve

Më bëjnë edhe më vertikal

 

               Korrik, 2010, Zvicër

 

NGAPAK NGELEMI FËMIJË NË JETË

 

Nënës i qahemi nganjëherë

Apo babain kush e ka

Pastaj me vellezer e motra

Kur përsërisim ndonjë shaka

 

Me shokë kujtimet kur i shfletojmë

Dhe ndonjë huq sikur s`harrojmë

Kur njëri tjetrin me fjalë ngacmojmë

Ndjenjë nostalgjie kur të pushton

 

Dhe ndonjë huq kur bëjmë në jetë

Nostalgjin kur na e trazon

Ngapak fëmijë ndoshta kemi mbetë

Kur si shkon huqi moshës që ke

 

         20 korrik 2011, Zvicër

 

NË LEZ

 

Shpalosa pasditen

Plotë dhimbje e krenari

 

Mes kullave të rrënuara

I mblodha plagët

 

Epokës së kuqe

I thura lavdi

 

Dëshmorët

I pikturova vargut

 

E me dhimbjen në gji

Lezi-t të shkretuar

I thash lamtumirë

 

     Korrik, 2011

 

LARGË

 

Tani më gjithçka ka ikur

Ikjes sate maratonës

 

Këtej Alpeve e atje Sharrit

Ylberet e udhëve mbytë janë në zjarmi

 

Mi ktheni shpresat e lëna

Diku ndër lisa

 

E një ditë

Ëndrrat të prehen të qeta

 

             28 dhjetor 2010, Zvicër

 

 

 

IKJE PA LAMTUMIRË

 

(Poetit të ndjerë;Rexhep Smajlaj)

 

Dy ditë para ikjes

Më dha ngushëllimin për babain

Ah, sa më lehtësove dhimbjen mik...

 

E dy dit më pas,

S`di pse të pëlqeu ajo ditë tetori

Apo e zgjodhe vetë, Ti i pari

 

Dy ditë përpara ikjes

Ma fale ngushëllimin për babain

Mik, i gjakut të pendës

Sa mu lehtësua dhimbja

E dy dit më pas...

Nuk e di

Në e zgjodhe vetë

Atë ditë të bukur tetori

A të zgjodhi ajo Ty

 

Sa pak fjalë ndërruam

Brenda ngushëllimit

Të paktën të mbajta krahun tek të përcolla

Rrugës s`më tregove për ikjen

Të paktën edhe një lamtumirë të ta thoja

... sot, më vie të plas

 

Unë, ende s`pajtohem me ikjen

Ajo ditë tetori po më bën të plas

Ah, sa pak fjalë ndërruam

Brenda atij ngushëllimi

Të paktën dhe një herë për vargun

Ndonjë fjalë ta çmallnim

 

Unë ende nuk pajtohem me ikjen

Shpresa më mbanë diku të pres

Të paktën dy tri fjalë të ti shpjegoja për Vërrinin

Për luftën, për trimat....

Për bukurit që të kishin magjepsur...

Ah, mik i pendës

Kjo po më bën të plasë

 

Unë nuk pajtohem me ikjen

Ndaj lamtumirën s`ta kam dhënë

Një ngushëllim për mua e vargun

Një kujtim për ty, e vargun tëndë

 

             Tetor, 2010, Zvicër

(Vetëm dy ditë më parë, poeti Rexhep Smajlaj, bashkë me miqtë Berat Batiu-n dhe poetin Ilam Berisha, më patën vizituar në shtëpin time në Malësi të Vërrinit, për të më dhënë ngushëllime, për babain tim. Dy ditë më vonë, lajmi për ikjen aq të pa pritur të poetit, më vie në Zvicër).

 

 

LETËR MIKUT TIM

 

(Mikut tim Flurim Islamaj

- ish luftëtar besnik i UçK-së)

 

Shpeshë ulem e flas me mallin

Dhe ia dëgjoj vringëllimën e shpatës

                           së zemërimit tënd

(të jap të drejtë, pse;)

Dhe sa herë e shpalos idealin tonë të nëpërkëmbur

Lojën e evropës plotë hile

Zemërimi shpërthen e ia marrë mbi letër

Lavdi shkruaj dhe për shokët e tu lulëkuqeve

Atdheut i thuri këngë

Dhe sa herë ta dëgjoi klithmën e zemërimit tënd

Tek ia pështynë surratin ligësive;

Mik i dashur;lirinë e gëzojnë ata, që më së paku i dhan!

Ah, sa më dhimbsesh...

Vitet e tua maleve t`Kosovës

Liria e ardhur krahëthyer

E pushka e jote e varur në gozhdën e të mashtruarve...

Me therrin në shpirt

Dhe sa herë flasë me mallin e Ty

Krenaria s`më zbehë

E shpalosë idealizmin e pa thyeshme

Vitet e protestave, demonstratave para tankut barbar

Luften për lirin e atdheut, emblemën mbi ballë

Dhe sotë.... prapë të coptuar

Hartave e gjeografikeve në ballkan

Ah, sa rebelohem

Krenarin tënde e timen nuk jap,

Dhimbjen për atdheun e coptuar çdo ditë e shtroi në sofër

E këngën e bëj ilaç të shpirtit

Se një ditë të gjitha hartat do ti bëjmë bashkë

Dhe unë sërish ia marr vargut plotë krenari

Se ne mbetëm luftëtar të përjetshëm të atdheut

 

                   Gusht, 2011, Zvicër

 

 

MJAFTË MË ME ATO LOT MALLI, NËNË

 

Mjaftë më me ato lot malli nëna ime

Të lutem mos ma rëndo kurbetin, më bën të vuaj

Në mes ylberet e largësive tona dhe motet

Ti digjesh atje e unë këtu në dhe të huaj

 

Largësia në mes përvëluar na i ka ëndrrat

Shpresat e dikurshme për nipa e mbesa plotë kullat

Djemtë, nipat e tu të tretur udhëve të botës

Me ëndrra tjera po rriten, ende s`duan të bëhen burra

 

S`duan të dinë për shpresat dëshirat tona

Dhe këtë mall që na dogji neve të dyve në mes

Ende s`duan petkak e burrnisë, s`na ka ikur koha

E çke ti e gjyshja, pse po u ngacmon ky ves

 

                       Shtator, 2011

 

NËNË, MË FAL PËR THINJAT E TUA

 

Nënë, më fal për thinjat mbi flokun tënd

Kjo borë e mallit që po zbret mbi ty

Dekadat po shkrihen mbi ballin tëndë

Për nipat e mbesat për kullat e mbylla në dry

 

Nënë, të shoh si zbardhesh përvjetë

Mallin e shtrydhë në shaminë mbi gurë

Pritjeve tua kthimet tona presin

Ah, sa të gjata janë këto udhë

 

Nënë më fal për thinjat, udhët shpirtin ma dërmojnë

Thinjat e moshës po, por ato të mallit, ah sa më rëndojnë

 

               Shtator, 2011

 

JU MADHËROJ NË VARG

 

Ju madhëroj nëpër vargje njerëzit e mi

Ju them se ju dua e më mungoni në këtë arrati

Dhe sa herë zbres mes jush e i çmall dëshirat

Vargu e rimat mbyten zjarmis

 

U jap krahë dallëndysheve të mallit e i nis tek ju

Të u sjellë të falat e mia se ju dua, ah sa më mungoni

 

Dhe malli më grin më grin në shpirtin tim

Bashkë me këtë të djegshmin mërgim

 

               shtator, 2011

 

KU TRETËN

 

Shpesh malli më kthen në Vërri

Kur plotë nostalgji këngët i dëgjoja

Ditëve të Majit plotë bukuri

Shëngjerqkat belkëputura kah i shikoja

 

Kordelet e shelgut plotë gjelbërim

kah i zbritnin mbi flokë kurorë

Jehonës së kujtimeve sot digjet malli imë

Ku tretën, ku vajtën, u zhdukën si një meteorë

 

Dhe unë këtu larg me mallin e Vërrinit kërkoi

Po shëngjerqkat e brezit tim askund si takoi

 

                Maj, 2011

 

*Shëngjerqkat – emërtim për gocat e lagjes,

të cilat gjatë festave të Shëngjergjit, këndonin me ditë të tëra…

 

 

 

 

 

VËLLA I DASHUR, MË DIL NGA KOLONA

 

Vëlla i dashur, mos hyjë në kolonën time plotë udhë

Se përvëlon shkrumi ikjeve të përmallta

Breza e breza me strajcën mbi shpinë

Atdheun e mbyti pritja…

 

Vëlla i dashur, mos mbjell farë kolonës sime

Se bimën e sajë e dogji harrimi

Gjeografit e udhëve s`dua të të zhuritin

Se e idhët është kafshata e mërgimit

 

Vëlla i dashur, më dil nga kolona se ma dogje shpirtin

Ikës sajë seç më ndjell klithmën e harrimit

 

               shtator, 2011

 

RIKTHIMI PLOT LOTË

         (babait)

 

U riktheva plotë mall e kurbet

Të shpalos kujtimet të mbylla në kullë

Ah, ç`u mbusha në vai para çelësit që pret

Dhe malli i vendlindjes që s`u çmalla kurrë

 

Ja odë e babait e mbetur e shkretë

Plisi plotë kujtime lotët mi trazon

S`më priti kësaj here sikur për çdo vjet

Të më përqafonte këtu në ballkon

 

Kujtimet e luftës sa herë mi shpaloste

Dy herë rob i serbit tytat prapa veshi

Seç i çlodhte dhimbjet sa herë më tregonte

Mbaj shënime biro brezave të u mbesin

 

Se kaq shpejt do ikte pa thënë lamtumirë

Atë ikje të shpejtë vështir ta pranoi

Atë ditë tetori të mbushur me diell

Plotë dhimbje e lot s`mundë ta harroi

 

Vetëm nënë e shkreta dhimbjen ma kupton

Kthinave të shtëpisë përpara më prinë

Me vëllezërit e motrat dhimbshëm më shikon

Dhe e shtrydhë lotin e ma fsheh shaminë

 

                       Prill, 2011