Recension

 

DËSHMIA E DHEMBJES DHE E SHPRESËS NË VARGUN POETIK

 

(Demir RESHITI: Ngutem ta kapërcej kohën, poezi, botoi K.L. “Anton Pashku”, Kukës, 2000)

 

Gëzim AJGERAJ

 

Ndjenja e dhembjes është fati i vargut të poetit, siç është fati dramatik i popullit tonë, brenda të cilit frymon fuqishëm poeti Demir Reshiti, i cili me përkushtimin e tij të përhershëm ushqen shpresën e qëndresës kombëtare, për të ngadhënjyer mbi dhembjen. Nëse lexohen me kujdes librat; “Trung i ndarë”, 1992, “Ofshamë”, 1995, “Reshje nën pikëllimë”, 1996 (koautor) dhe së fundi "Ngutem ta kapërcej kohën", 2001, do t’i perceptosh lehtë këto dy aspekte, që të bëjnë t’i meditosh vorbullës së fatit të popullit tonë dhe përpjekjes së vazhdueshme për t’u çliruar. Patjetër kjo përpjekje përcillet me dhembje, që e shkaktojnë të huajt. Është shpresa për të qenë të lirë, e cila vazhdimisht e ushqen qëndresën, për ta sendërtuar ëndrrën tonë kombëtarë-lirinë. Në fakt, të gjithë librat e poetit janë klithmë e fuqishme që i thirrë ndërgjegjjes kombëtare për bashkim. Vetë poeti, duke e vënë veten në shërbim të këtij ideali, duke qenë në ballë të shumë zhvillimeve të sotme, është dëshmia e përkushtimit të tij për atdheun dhe kombin. Ai e ushqen vazhdimisht qëndresën kombëtare, duke aspiruar drejt një vizioni shumë të qartë, që fatin e ligë të shqiptarit, ta hedhim njëherë e përgjithmonë në harrim. Vetvetiu na del se gjuha e poetit është gjuhë e dhembjes, gjuhë e shpresës dhe e vizionit për një të ardhme të ndritur. Duhet te shtojmë edhe këtë, se Demir Reshiti i ka edhe dy libra për fëmijë, të cilët janë mirëpritur nga lexuesit e vegjël: Abetaka", 1995 dhe "Libri i mrekullive", 2001. Ai krahas përkushtimit të pendës, është shumë aktiv edhe në politikë.

 

 

OFSHAMË E DHEMBSHME

 

Është dhembja e përgjithshme kombëtare e mbledhur në shpirtin poetik, i cili përmes vargëzimit të këtyre dhembjeve ia del me shumë sukses të na e prezentojë tragjedinë tonë kombëtare, që na kapërtheu me fundin e shekullit që iku. Magjia e fjalës artistike, e cila i pikturon kohët e dhunshme barbare dhe i bën të paharruara, për të na i përkujtuar ato sa herë të na pushtojë harrimi. Historia jonë, shpesh e përsëritur, më shumë se kurrë ka nevojë të ushqehet me kujtesën e të ligave që na kapluan, për të mos e lejuar më kurrë rikthimin e ligësisë. Fati i ligë është pjesë e njeriut tonë, që gjithmonë i solli dhembje, lotë, pikëllim e çka jo tjetër. Tragjedia jonë kombëtare që kaloi përmes nesh, ishte kobi i kohëve të dhunshme barbare, që e sollën djajtë e satanës së veriut të cilët shkelën me hapat apokaliptikë mbi njeriun tonë të shumëvuajtur. Për t’i ikur këtij apokalipsi, vjen pjesa tjetër e tragjedisë sonë kombëtare, ikja e madhe, brenda të cilës gjakon dhembja nga format më të ndryshme. Pikërisht kësaj dhembjeje udhëpërshkon vargu poetik, i cili brenda vetes kapërthen çdo segment të këtyre kalorësve të dhunshëm, që për nga numri kapin përmasa e shifrave marramendëse. Është kolona e pafund e njerëzve të ikur në drejtim të Kukësit, për t’i shpëtuar krimeve barbare të apokalipsëve karpatik. Vargu poetik i cili bashkëpercepton në mes çdo dhembje, që e përcjellë ikjen, është vetë hija e poetit që në vete e bartë dhembjen, e cila është e pandashme në udhëtimin e tij drejt muzgut. Ikja për poetin, është vdekja. Mali Pikëllimë, bëhet simbolikë tjetër e gjithë atyre dhembjeve që rëndojnë mbi njeriun tonë të arratisur, për ta mbytur dhembjen, por ajo është e pandashme për kalorësin-lajmëtar të kobit, që njëkohësisht në vete bart shpresat e pashuara të kthimeve, për ardhjet e bardha. Ai krahas lajmit që e sjellë për kobin që ka harbuar dheut të tij, shpresa bëhet lajmës, se dritë patjetër do të ketë edhe për kalorësin. Gjuha me të cilën ndërtohet vargu i poetit është fjala e çiltër brenda të cilës ndërtohet metafora e shumëkuptimësisë së fjalës, brenda të cilës fshihet misteri i misionit të vargut. Brenda këtij vargu ofshama e dhembjes vjen e shumëngjyrshme, ashtu siç na përcjell ajo nëpër fatin tonë. Djalli është ai që ka harbuar atdheut të poetit, me shumëngjyrësinë e tij dhe shkakton dhembje. Poezitë Në sofër me djallin, këngë e dhimbjes krenare, zymtësi e natës, janë dëshmia e asaj që u tha më lart, se krahas dhimbjes ai e ruan krenarinë, siç diti ta ruajë njeriu ynë nëpër kohë, edhe atëherë kur terri i robërisë verbonte.

 

Me pika shiu shuaj etjen

Hijen e shaloj me furfullimën e erës

Këngë të dhimbës krenare këndoj

Me zërin e shterrur të agut

Ninulla do t'u këndoj erërave

Ta qetësoj shpirtin tënd të butë

O kalimtar i vonuar

(KËNGË TË DHIMBËS KRENARE)

 

Është zymtësia e natës me gjithë ato brishtësitë e saj, ajo që ia prish këngën poetit, për ta sjellë deri në psherëtimën plot dhembje. Ai e kërkon shpresën për ta shëruar dhembjen të cilën mundohet ta ndrydhë në thellësinë e shpirtit, por ajo prapë shpërthen, se janë gjurmët e barbarit ato që i trazojnë dhembjen.

 

Gjurmë fantazmash mbesin

Çasti i murojes po afrohet

Këmbëzbathur hapëroj mbi majë thikash

Sa shum djaj me fytyra engjujsh

Paska pasur mes nesh

(NGUSHËLLIMI S'MË NGROHË)

 

Shqetësimi poetik hapëron labirintheve të dhembjes dhe rrjedha e saj shtrihet edhe vargut. Malli i bashkimit kombëtar që hapëron vizionit të poetit, vjen e bëhet varg dhe këtu: nisë fshirja e kufijve, për të hapëruar të lirë në shekullin e ri..

 

GJËMË LIRIE

 

Është shpërthimi i zjarrit të mbledhur nëpër shekuj, që një ditë të shpërthejë me tërë zemërimin, mbi djallin që ka harbuar atdheut tonë. Janë krismat e lirisë që po ndërtojnë ëndrrat e bardha të shpresës, e që deomos në mes ka dhembje, është shpresa për dritën, që kërkon flijim, flijime që e përcjellin përpjekjen dhe luftën për çlirim. Pikërisht këtyre flijimeve ndërtohet vargu i poetit, i cili u këndon dëshmorëve përmes pendës së tij.

 

Vdekja s'qe fjala e fundit

Do ta thoshte këtë varg poeti

Jeta udhëton si valë e lumit

Ju s'vdiqët lavdia mbeti

(DËSHMORËVE TË LIRISË)

 

Është kënga e dhembjes brenda të cilës ndrydhet kujtimi për dëshmorët, që aq shumë dhanë për atdheun e lirë. Shpresa është simbolika e ardhjeve të bardha. Emri i vogëlushes që u lind pas një ikje të dhunshme e të mundimshme të prindërve të saj, përtej votrave stërgjyshore, drejt qytetit të shpëtimit, siç thotë poeti. Pagëzimi i shpresës vie si rreze e përhapjes së shpresës, mes njerëzve të trazuar dhunshëm nga trolli amtar. Vaji i saj na vie si një kujtim për shtatë plisat në tokën e shkrumuar dhe si shpresë për t’i bashkuar shtatë bjeshkët, me emrin e lirisë. Janë gjëmët e bjeshkëve, gjëmët e etjes për liri, që s’e ndalën këngën, edhe atëherë kur toka shkrumbohej e gjaku rridhte lumë. Shumëllojshmëria e dhembjeve që gërshetohet vargut, në këtë mes si kujtim i dhembshëm ikja e madhe për shpëtim, në mes kushtrimi poetik si thirrje për mosdorëzim, përpara ligësisë që na ka kapluar.

Pikërisht pranë malit pikëllimë, shpaloset plaga e hapen dhembjet, përmes qindra mijëra njerëzve që e bartin atë, për ta shpalosur përpara botës. Është porta e hapur e nënëmadhes, tek e cila shpaloset dhembja, njëkohësisht shpresa e shpëtimit nga duart e barbarëve karpatik. Siç dihet, historia jonë shpesh është përsëritur, e mbytur me gjakun tonë dhe e shikuar me indiferencë nga bota, e që në masë të caktuar u përsërit edhe kësaj here, derisa njerëzit theren si bagëti (thotë vargu poetik), përpara syve të saj. Megjithatë, shpresa e poetit nuk shuhet.

Derisa bisha e plagosur

Po e vret pafajësinë

Një gjë e ndiej në zemër

Në prag e kemi lirinë

(KUR VRITET PAFAJËSIA)

 

Shpresa e rilindjes për pafajësinë tonë është Kukësi, drejt të cilit kërkonin shpëtim kolonat e njerëzve të përzënë nga votrat e tyre. Kukësi pra ishte sinonim i gjithë atyre njerëzve që kërkonin shpëtim, përkushtimi dhe repekti i poetit në varg, vjen si mirënjohje për gjithë atë mikëpritje dhe zemërgjerësi që u ofroi vëllezërve e motrave të gjakut, në ditët më të vështira.

 

Më hapni rrugë

Më hapni shtigje

Të futem mespërmes zjarrit

Në kullën që po digjet

Se flakë e saj

Hap horizonte

Drejt ardhmërisë

(HAPNI PORTAT)

 

Dhe shpresa e dritës më në fund filloi të hapërojë atdheut të poetit. Ai kurrë nuk iu nda asaj, e mbajti të gjallë në shpirt e në varg, e ushqeu atë, e shpërndau si rreze mes njerëzve të vet, për ta mbytur dhembjen që kishte harbuar mbi njeriun tonë. Dhe kishte të drejtë, ajo erdhi si një kandil i pashuar përmes gjakut të luftëtarëve të lirisë, që pa ndërprerë fytafyteshin me apokalipsën që kishte gjakosur atdheun e tyre. Nga gjaku po ngritej rrezja e dritës, e cila si një shkëndijë po hapëronte horizonteve, për ta ndriçuar qiellin e atdheut. Po hapeshin shpresat e reja, shpresat e kthimeve të atyre qindra mijëra njerëzve të arratisur, drejt votrave të shkrumuara nga dora barbare. S'do koment, se kësaj fitore, së fundi i kishin kontribuar edhe sulmet nga ajri, të alencës veriatlantike. Ora e lirisë që sapo kishte filluar në dheun e poetit, po shënonte fundin e ikjes biblike, përkatësisht fillimin e rikthimit të madh, i cili jo rrallë ishte përcjellur me lotë gëzimi. Dhe nata e fundit, para rikthimit të madh, vie si natë e qetësisë, mirënjohjes për gjakun, mirënjohjes për perëndimin, herë herë edhe lotë gëzimi.

 

Mos e fshi lotin miku im

Se lotë gëzimi është ky

Sonte po mbyllet një kapitull

I të lavdishmës histori

(SONTE)

 

PERSONIFIKIMI I SHPRESËS

 

Figura e Di-Di-së në vargun poetik hyn si dritë shprese drejt një fillimi të ri, të cillin poeti gjatë e kishte ëndërruar. Është simbolika e të dashurës, e cila bart në vete mesazhin e shpresës së ringjallur, e cila për poetin ngjallë ngrohtësi, bardhësi, falë dashuri.

 

Mes miliona yjeve

Kërkoj yllin tim

Mes miliona zemrave

Kërkoj ngrohtësinë tënde

Mes miliona varreve

Kërkoj fjalën tënde të fundit

Mes miliona syve

Gjej sytë e shpresës

Që ma trazojnë plagën e vjetër

Mes miliona vargjeve

Hyre edhe ti

Di-Di

(DI-DI)

 

Miti i Di-Di-së, apo simbolika e dashurisë e ushqen vazhdimisht shpresën e poetit, për të qenë gjithmonë në kërkim të shpresës, të dritës, të lumturisë, brenda të cilës ndërtohet vetë jeta njerëzore. Ndoshta vetëm atëherë mund të mundet dhembja e cila kaloi mes nesh, me gjithë ashpërsinë e saj. Pra vargu poetik simbolizon dashuri, dritë, ndërton shpresën me të cilën mundet dhembja. Kësaj shprese udhëton vargu poetik.

Më magjepse me bukuri

Jo çdo agim zbardh i pikëlluar

Jo gjithmonë bie shi

Për mua për shpresën për ty

Di-Di.

(JO GJITHMONË BIE SHI)

 

DREJT RREZEVE TË DRITËS

 

Udhëtimi nëpër kohë të zjarrtë, natyrisht është pikëpyetja se si do të arrijë deri te drita e lirisë. Kësaj dileme sa herë u gjend njeriu i ynë dhe ai gjithmonë e zgjodhi rrugën e dritës, të cilës nuk iu nda asnjëherë, pavarsisht se shtegun shpeshherë e arriti vdekja. Këtij udhëtimi s'ndalet poeti, vargu i tij të cilin s’e ndalë për asnjë çast, edhe atëherë kur qetësia e natës vret. Është dhembja që ka hyrë palcës së poetit dhe digjet me të, pranë dritës së qiriut, për të përhapur rreze drite për brezat. Si mirënjohje për Kukësin, vëllezërit e një gjaku, kujtim për poetin vjen vargu Vëllai im i heshtur, kushtuar poetit të ndjerë Agim Spahiu. Dhe përkushtimi s'ndalet për njeriun mbi pikëllimë, ai vie si një kujtim i përmallshëm, që i mungon poetit, kohës. Udhëtimi poetik është i pandalshëm, pavarsisht se kush do ta arrijë shtegun, poeti apo vdekja. Ai tani është bërë shoqërues i rrezes, i dritës, i diellit dhe udhëtimin s’e ndalë.

 

Gjithë këto vite mbyllur pas grilave

S'di se çfarë dite çfarë stine çfarë muaji

Shok kam bërë diellin një rreze të tij

Më tregon mëngjeset s'më lë të vuaj

(MIK ME DIELLIN)

 

Brenda këtij udhëtimi poetik poeti mundohet t’i shërojë plagët, gjurmët e thella të natës, që hijerëndë më dalin përpara. Janë gjurmët hijerënda, koha, bota e gënjeshtërt, revoltë për poetin që kërkon qetësi. Edhe përkundër revoltës dhe zhgënjimit të poetit, ai kënaqësinë e ndjen në varg, tek përhapë dritë për brezat, për shpresat. Është vargu, rrezja e dritës së poetit, prej nga ndriçon ndër breza. Udhëtimi i pandalshëm me dritën e diellit, për të përhapur rreze, për të ngrohur në ardhmëri, edhe pas udhëtimit drejt lartësive. Ajo shpresë rritet ardhmërisë, për t’u bartur ndër trashëgimi.

Me jehun e këngës sime

Dua t`i tmerroj erërat

Me melankolinë e vajit tim

Dua t`i thuri himn jetëvdekjes

Me ëmbëlsinë e buzëqeshjes sime

Dua t`i lidh brigjet

Me butësinë e vargut tim

Dua t`i magjeps zanat

(UNË POETI)

 

Është mesazhi i gjuhës së çiltër poetike, brenda të cilit ndërtohet vargu i poetit Reshiti, pa u ndalur në stilin, të cilin tashmë ai e ka ndërtuar me shumë sukses në krijimtarinë e tij.