Gëzim Ajgeraj


KUR VRITET POETI, KRYQËZOHET LIRIA


HAVZI NELA; "Poezi të zgjedhuna", Përzgjedhja dhe përgatitja nga Petrit Palushi, botoi; SHB: Ombra GVG, Tiranë, 2008

Kur e mora për ta zbërthyer vargun e poetit martir Havzi Nela, e dija plotësisht se do të hynim në thelbin e jetës shqiptare, shtresës së popullit të shtypur, lirisë së tij që ndrydhej deri në asht, nga një regjim tepër i egër e i dhunshëm i instaluar brenda kufijve të shtetit shqiptar. Gjithë këto zhvillime, do t’i prek brenda zbërthimit të vargut, të shpirtit poetik të poetit martir, Havzi Nela, për ta kuptuar më drejt terrin e lirisë së mendimit, shprehjes, fjalës dhe jetesës shqiptare. Jam i prirur të besoj në fjalën, në shpirtin dhe lirinë e mendimit poetik, sepse vetëm aty, do ta gjejmë më së miri pasqyrën dhe fytyrën e një regjimi, regjim i cili e vari në litar poetin Havzi Nela, për ta kryqëzuar lirinë. Kërkimeve të mia, askund më mirë se te vargu poetik i poetit Havzi Nela, nuk e kam gjetur etjen për lirinë dhe dashurinë për të, të shprehur haptas dhe me aq vendosmëri karshi një situate të tillë që ishte asokohe në Shqipëri. Për mua vargu i tij, ka mbetur emblemë drite prej nga edhe nis e lind shkëlqimi i lirisë së mendimit e të shprehjes së guximshme, në Shqipërinë e asaj kohe. Vargu i tij, u krijua në kushte të jashtëzakonshme, u ruajt në rrethana të jashtëzakonshme dhe u tha po në kushte edhe më të jashtëzakonshme, brenda një terri të tmerrshëm e të egër të lirisë së shprehjes. Të gjitha këto mbartin me vete një histori të tërë, që s`numërohet me vite e me fjalë. Po kush më bukur e më guximshëm, i tha ato po brenda kësaj kohe, duke shkuar drejtë vetëflijimit, për lirinë e të tjerëve?! Havzi Nela ka ditur e ka mundur të heshtë. Të mbyllë gojë. Të jetë një mësues I gjuhës dhe letërsisë. Një njeri i thjeshtë, apo edhe i ledhatuar për regjimin. Por jo. Havzi Nela, vuri veten në shërbim të fjalës. Të lirisë së shprehjes së mendimit të lirë. Të lirisë së përgjithshme të popullit të tij. I tillë ishte dhe i tillë edhe u martirizua për këtë liri. Ai i ka ditur të gjitha këto. Por dashuria e tij, shpirti i brendëshëm, e thirri deri në martirizim.
Një meritë të veçantë që kjo poezi, të vijë tek lexuesi shqiptar shkon për atë që i nxori nga burgu fletoret e poetit (për Shukri Nelën, vëllanë e poetit), dhe njëkohësisht për shkrimtarin Petrit Palushi, i cili me një përkushtim të veçantë i përzgjodhi ato, dhe i botoi, për t’i dhënë jetë shpirtit poetik, të poetit dhe martirit , tashmë me njohje kombëtare: Havzi Nela.

FLIJIMI PËR FJALËN E LIRË DHE LIRINË


Zgjimi i poetit Havzi Nela, erdhi në kohën kur liria ishte kapërthyer brenda grilave e atdheu i hante bijë e vet. Dhe skafandrat e regjimit, hanin mish e kocka nga trupi i shtetasve të Shqipërisë. Do të hyjmë brenda vargut të poetit, sepse askund më bukur nuk e gjejmë fytyrën e kohës brenda të cilës u shkruan poezitë e poetit martir Havzi Nela.

O LIRI, O VDEKJE


Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
Si e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.


(Arrën, nandor 1987)

Kapërthimi i lirisë, jo vetëm brenda një burgu të vogël prej nga na vjen zëri i shpërthyes i poetit Havzi Nela, por edhe i asaj kolektive, pra atij burgu nën qiell të hapur, shihej si një robëri brenda të cilës kjo liri ndrydhej nga një kaskë politike me interesa të ngushta, dhe as që i gjasonte lirisë. I tëri një popull ishte mbërthyer nën tutelën e një errësire e cila mbrohej me të gjitha mjetet e mundëshme, për t’i ruajtë interesat e klasës politike atje në krye. Me një fjalë vendi ishte bërë si një burg i mbyllur brenda kufijëve. Ndërsa për ata që nuk ishin të përshtatshëm mbylleshin në burgje ferr, torturoheshin, internoheshin e ekzekutoheshin. I tillë ishte, mbeti dhe vdiq poeti Havzi Nela, sepse nuk deshi; (t`ecte zvarrë si krimb, t`mos jesh kurr serbes, thotë vargu i tij). Havzi Nela eci drejt vdekjes, sepse e deshi lirinë. Mbi të gjitha Ai e deshi lirinë e popullit të tij.

Kështjella feudale tundet e lëkundet
Si nji varkë e thyeme mbi valët përkundet;
Tirani mizor me detin sot po mundet
Thellë, gjithnji ma thellë n’mes dallgëve po futet.
...
Kthimi i atdheut në një burg kolektiv dhe keqpërdorimi i lirisë nga kaska politike shtetërore, duke nëpërkëmbë çdo të drejtë njerëzore, duke mos njohur parime dhe ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe duke mos respektuar edhe as ligjet në fuqi, që i krijuan vetë, poetin e çon deri në shprehjen; Kështjella feudale. Pra, të gjitha ato që i thamë, kanë mundur të ndodhin brenda një sistemi feudal. Poeti ndërkaq e ndjen ardhjen e lirisë

Fryma e Helsinkit u derdh porsi era
Na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera;
Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë
Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta, nuk do vdesë!

Vargu poetik; Fryma e Helsinkit, sikur paralajmëron rënjen e sistemit dhe jep shkëndijat e shpresës se liria po vinte. Ajo po vinte si pranvera, plot shpresë, plot dritë, edhe për ata që për çdo ditë po e prisnin vdekjen brenda qelive të burgjeve. Dhe fryma e lirisë do të vinte, por pa poetin vetëm pak vjet më vonë. Ferri i poetit do të vazhdoi prapa grilave, duke mbytur zërin, vargun e tij shpërthyes, plotë dritë e shkëlqim për lirinë njerëzore.
...
Ah, kjo derë e randë, kjo qeli kobare!
Ma cfilitën trupin, zemra s`ndihet fare;
Me durim përgjoj kur do t`ma hapin derën
Po e pres lirinë si zogu pranverën!

Portretuam përmes vargjeve të poetit, jetën e tij në burg, për të argumentuar në pika të shkurta atë që u tha më lartë. Dhe kush më bukur se poeti, i portretoi ato mes vargjes, si një dëshmi, se nëpër cilat katrahura u përbirua shpirti poetik dhe vargu, për të na i sjellë kohës si dëshmi. Së dyti, kur analizohet mirë vargu i poetit Havzi Nela, gjejmë një guxim të jashtëzakonshëm, për t’i thënë gjërat hapur, për t’i ra me grusht kohës dhe sistemit shtypës, për ta thyer atë. Dhe këtë guxim, si tek poeti Havzi Nela në letrat shqipe të asaj kohe, nuk e ndeshim tek askush tjetër në Shqipëri. Pikërisht kjo më veçori i poetit martir Havzi Nela, më ka tërhequr edhe më shumë, që ta dua vargun e tij, shpirtin e tij shpërthyes, deri në flijim, për lirinë.

Ma mirë le t’i mbylli sytë
Ma mirë zemra le t’pushojë
Ma mirë mos me pa ma dritë
Kur harbuti t’më sundojë!

Ma mirë nga kjo botë të ndahem
Ma mirë krimbat le t’më hanë
Ma mirë gur e dhé të bahem
Kur i ligu nis më shanë!

Këto poezi sikur paralajmërojnë fundin, apo kulmin e dëshprimit të poetit. Nëse kemi hyrë më thellë biografisë së tij, vërtet ato vijnë si një paralajmërim për një epilog të dhimbshëm. Sepse burgjet e poetit dhe vitet e vuajtjeve të tij s`kishin të sosë. Dhuna ndaj tij kishte prekur majat e krimit, dhe kaska kriminale e pushtetit, me çdo kusht kërkonte eleminimin e tij. Kush më shumë se bilbili i pranverës së hershme pranë Pikëllimës, ia prishte gjumin e pushtetit. Kush më shumë se Ai, e paralajmëronte lindjen e diellit të lirisë! Kush më bukur dhe guximshëm se Ai, ia thoshte vargut të lirisë! Prandaj me çdo kusht feudalistët komunistë të kohës kërkonin vdekjen e poetit Havzi Nela.

Prekni vorrin,mos ngurroni,
Kush ka linde, ai ka me vdeke,
Veten ju kur t'a ngushelloni,
Thoni:"Gjalle kurkush s'ka mbete!"

E dhamë të plotë këtë poezi, për ta shpalosur edhe më vuajtjen e poetit, urrejtjen ndaj kaskës së kështjellës feudale, mbrojtjen e të drejtës dhe luftën e tij për lirinë njerëzore, këngën e tij në vargje për njerëzinë, zgjimin poetik dhe kushtrimin e tij, që lëshoi për zgjim të të shtypurve, dhe paralajmërimin për ardhjen e pranverës, si një bilbil atje mbi Pikëllimë. Hë pra, ishte ky një zë i çiltër i vertikales së lirisë, i cili tërë dijen, guximin dhe dashurinë, e shkriu për lirinë e njerëzve të shtypur. Poeti s`njeh regjime. Poeti s`njeh klasa. Poeti s`njeh diktatura. Ai e njeh vetëm lirinë. E po i tillë ishte Havzi Nela. I tillë mbeti dhe u flijua. Të analizosh në tërësi, vargun poetik të këtij poeti, do t’i duhej edhe shumë kësaj analize. Prekëm në pika të shkurta disa nga poezit e tij brenda librit, për ta kujtuar këtë martir të fjalës dhe lirisë, dhe për të dhënë pak dritë për shpirtin e tij.
Dhe më në fund: Aty ku varet poeti, kryqëzohet liria.

Zvicër, 9 qershor, 2012