Gëzim AJGERAJ

 

Xhevat Berisha: „PISHTARI I LIRISË“ , poezi, botoi „Fan S. Noli“ , Prizren 1999

 

Shpeshherë vargu është personifikim i poetit. Poezia e Xhevat Berishës, ka këto elemente, të cilët në të shumtën e rasteve e karakterizojnë personalitetin atdhetar që e kultivonte në shpirt, Ai. I gjithë ky varg, na jep të kuptojë personalitetin atdhetar e militant, të mësues Xhevatit, i cili pa asnjë hezitim, e vënë veten në shërbim të atdheut deri në vetëflijim. Është simbolika e vendosmërisë, qëndresës e militantizmit që kthehet në hero dhe fiton pavdekësin. Sepse vetë rënja e tij për idealin më të lartë, të çlirimit të atdheut është madhore, ashtu siç edhe ishte i përcaktuar Ai.

 

1. Përcaktimi jetësor

 

Lufta për çlirimin e atdheut, ishte mishërim i jetës së tij. Dhe kjo përpjekje, veprimtari herë ilegale e herë legale, e kishte pritur ditën, për të u vënë në ballë të militantizmit, për realizimin e lirisë së atdheut e të popullit të vetë. Por, si mësues, veprimtarë i çështjes së atdheut, ky shpirt poetikë herë pas here shkruante edhe poezi, për mes të cilës, duke e nxjerrë muzën e brendshme të shpirtit të tij, dhe duke e ngritur në varg simbolikën e qëndresës, poezia e tij bëhet kushtrim. Edhe pse kjo poezi, na vjen pas rënjes së tij, si një testament i shkruar, na sjellë botën e brendshme poetike, të një shpirti krëngritës i cili kurrë nuk u nënshtrua. Dhe nëpër gjithë këtë gërshetim temash e motivesh, lexuesi mundë të konstatojë se poeti ishte shumë afër fjalës të thënë në varg dhe veprimtarisë që e bënte për atdheun. E gjithë kjo, e shoqëron një personalitet të sinqertë, atdhetarë e militant, siç ishte Xhevati. Dhe ky guxim e militantizëm i tij vjen edhe në vargje:

 

Nga fjalori i tij

fjala frikë treti,

krimin e hedh në përrua

ushqehet me ambroz.

Fjala e tij nektar

ushqim i plisave.

Në këtë kohë

pasuria mjerim

jeta ka një qëllim

Kosovë – Nënë Shqipëri.

 

             (Pishtari i lirisë)

 

Ai e ndiente vuajtjen e robërisë, të popullit të tij, e përjetonte atë nga afër dhe s'kish si të ishte ndryshe. Duke e bartur me vete gjithmonë idealin e lartë, idealin që e bartën e e trasuan atdhetarët më të devotshëm të kombit, idealin e bashkimit, e që ai kurrë nuk iu nda kësaj ideje. Përkundrazi, ai veproi, punoi e luftoi për të. Pikërisht, këtë ide e ka vargu i tij i lënë në dorëshkrim, vetëm sa e aktualizo, një kërkesë sa e shenjt aq edhe e drejtë. Dhe vetë shenjtëria e sajë rrënjët i ka në gjakun e derdhur nëpër histori. Pikërisht ai gjak, bëhet thirrja për zgjim; /Do të fillojë dasma.../ Krushqit duan prijës / faqebardhë e krenarë / syshkëndijë e plisbardhë. " dhe thirrja bëhet më e fuqishme, koncepti i luftës është shtegu që do të i hapë shtigjet këtij bashkim; / Ta rrëzojë murin e ndarjes / Ta bashkojë qiftin e ri / Ta hedhin vallen e lirisë/. Pra, vetëm atëherë do të mundë që të jemi të lirë, nga kjo dorë barbare që ka renduar mbi popullin tonë. Koncepti i lirisë, për poetin ka qenë koncepti i idealit të përcaktuar prej kohësh, dhe sigurisht se ai e përcjellë edhe vargun e tij. Vargut poetik, nuk i mungon as figura e Skënderbeut, figura e frymëzimit për guxim e trimëri, figurë e cila bëhet frymëzim për luftëtarin e lirisë.

 

2. Gjak për atdheun

 

Fryma e masës së gjerë të popullit, ishte fryma e përditshmërisë së tij, sepse ai frymonte mes tij, mes dhembjeve që ia sillte armiku, mes vuajtjeve e të vuajturve, mes të robëruarëve pa liri. Dhe vetë atdheu i robëruar, i shtypur e i nëpërkëmbur nga qizma e huajë, brenda për brenda ishte ferrë sepse atij i rrinte barbari mbi kokë; e që poeti e ndiente në çdo hapë atë ferr. Është i pa tjetërsueshëm rebelimi poetik edhe në varg, sepse personaliteti i poetit përbën edhe vetë hallkën qendrore të djemve të lirisë, që luftuan nën emblemën e UÇK-së.

Pra i gjithë ky shpërthim, vjen pas një kohe të gjatë pritjeje, përbuzje, nëpërkëmbje nga dora barbare, që e ndrydhi dhe e zbehu idealin dhe krenarinë e shqiptarëve. Kjo kohë pati shumë "ndërkamca", mashtrime, tradhti e çka jo tjetër, për çka poeti i ndiente nga afër ato. Pra është një kohë "paqeje" brenda një robërie shtrydhëse, e cila e patë ndrydhur identitetin e shqiptarit deri në palë e gjak dhe çdo ditë i skuqte votrat shqiptare me gjakun e djemve më të mirë të atdheut. Ishte një kohe e rreme, brenda të cilës më së shumti e pësonin djemtë më të mirë të atdheut. Dhe jo më kot, pikërisht në këtë kohë, ai shkruan këto vargje;

 

Unë yt bir

hesht e duroj

rob i tokës sime

me sy e i verbër,

i fuqishëm e frikacak

çizmja e sllavit shkel

Kosovë të tradhtova

hesht e duroj

e zezë kjo pafundësi.

 

           (Kosovë të tradhtova)

 

Kjo poezi, për kah nivel artistik është mjaftë e realizuar. Ka një klithmë domethënëse të theksuar, dhe sikur kjo klithmë donë ta thyej këtë heshtje, këtë durim, sepse nga e gjithë kjo amulli pritjeje, poeti e sheh një fund jo të mirë. Flasim këtu përgjithësisht për kohën kur dhunën e armikut mbi ne, e shtrydhnim brenda një durimi, i cili i hante djemtë më të mirë të atdheut. Është një shpalosje e dhembjes poetike për Kosovën, njeriun rob të sajë mbi të cilin ushtrohet dhunë e vazhdueshme, dhe duron. Po ky durim, herë her është mbjellje frike, nënshtrim dhe pajtim në gjendjen e robit. Por a mundë të pajtohet poeti karshi kësaj kauze nënshtrimi, jo kurrë. Brenda këtij mllefi e shpërthimi, e gjejmë thirrjen, kushtrimin për zgjim, një zgjim i cili do ti thënte prangat e kësaj robërie. Dhe këtë kushtrim, sikur e gjejmë në vargun; / Fisi e lëshoi kushtrimin / mëmëdheu rroku çiftelinë/, pra është një simbolikë brenda të cilës fshihet thirrja për luftë, apo në këtë rast çiftelia është bëhet shënjim i simbolikës së pushkës. Një simbolikë, të cilën poeti tani më dëshmorë, e përdori edhe gjatë aktivitetit të tij legal e ilegal për atdheun. Është edhe një simbolikë, që e plotësonë këtë mendim, kur dihet se shqiptari edhe duke luftuar me armë në dorë, nuk e ndali këngën, por krismën e sajë e bëri tingull bashkëshoqërues të këngës. Dhe ky kushtrim erdhi, ai buroi nga gjiri i popullit, etja e tijë për të të lirë, zot në tokë e në vend të vetë. Ai kushtrim mbushëlloi malet me rreshtat e luftëtarëve të lirisë.

 

Natë e ditë udhëtojnë

breshëri nuk i ndal    

               (Kalorësit e lirisë, fq. 46),

 

I këndon poeti, kalorësit të lirisë, sepse ai është i bindur se liria nuk vjen pa luftuar për të. Prandaj, poeti përmes vargut, projekton figurën e luftëtarëve të lirisë, të cilët ecin pa u ndalur në rrugën për çlirimin e atdheut, pamvarsisht motit të ligë që poeti e identifikon armikun. Tani më kushtrimi për liri, është dhënë dhe brenda atij kushtrimi ndihet zëri i luftës për liri. Ndihet thirrja për ta mbytur ferrin dhe për të ecur drejtë rrugëtimit dritës, lirisë.

 

Pa fillim

i gjithëfuqishëm i gjithëmëshirshëm

a e sheh popullin tim?

Vrasje, tortura

I madhi përpin të voglin

Padrejtësia a durohet?!

Punën e filluar

duhet kryer me nder

Ndihmona, Perendi!

 

               (Perendia, fq. 51)

 

3. Vargu si testament

 

Rënja e Xhevat Berishës, në altarin e lirisë, shënon rënjen më heroike të një luftëtari të lirisë, në fushën e nderit. Lufta për lirinë e atdheut, ishte përcaktimi jetësor i tij që u shkrua nëpër faqet e historisë së atdheut. Ndërsa përjetësia e tij, është përjetësuar në lapidarin e lirisë. Ai si testament të shkruar na e la vargun, fjalën e çiltër të një shpirti poetik që shoqëronte atë. Dhe të gjitha këto vargje, të lëna në dorëshkrim, janë një testament që e sjellin mes nesh frymën poetike të Xhevat Berishës. Vargu i tij artikulon qartë mesazhin e testamentit të poetit. Edhe pse është një varg i çiltër e modest, ai artikulon qartë zërin e tij prej luftëtari, prej bilbili që diti të i këndojë atdheut edh atëherë kur ishte më së vështiri, me një zë shumë të çiltër, që fatkeqësisht u ndalë herët. Megjithatë, ai ishte i prerë se: "Liria nuk vjen pa e kapur pushkën", dhe pranë këtij ideali edhe flijoi. I gjithë vargu i tij, shquhet për idenë, motivin dhe madhështinë, për kohën brenda të cilës mbijetoi populli i ynë, atdheu, duke i argumentuar ato koha, se pa qëndresën dhe luftën që e bënë djemtë si Xhevat Berisha, nuk do të kishim as këtë copë liri që e kemi sot. Vargu i tij, është një zë i çiltër, i cili përherë do të na e sjellë mes nesh mësuesin, atdhetarin, patriotin e militantin e Kosovës.

 

                                                               Dhjetor 1999, Prizren