Gëzim Ajgeraj

 

 

 

MISIONI I KRIMINELIT

 

Roman

 

 

Revista letrare

   

Prizren,2008

 

 

KAPITULLI I PARË

 

   Në qytetin buzë Lumëbardhit, terri sapo kishte filluar të zbriste. Bora e Sharrit që shkrihej, dhe shirat e pranverës, i kishin mbushur skajet e shtratit të lumit që gurgullonte rrjedhës teposhtë përmes qytetit. Uji që përplasej gurëve të shtatit të lumit, gjarpëronte valë të vogla që iknin furishëm rrjedhës, ndërsa shkëlqimi i dritave të qytetit, rrezatonte shkëlqim mbi ujin e bardhë. Askujt s’i bënte përshtypje çiltërsia e ujit, pos Kolonelit, i cili, derisa kishte zbritur nga autoblinda, aty pranë lumit i hodhi një shikim pjesës së Nënkalasë së qytetit, që shtrihej deri buzë shtatit të lumit. Gjatë e kishte ëndërruar ardhjen në këtë qytet, por tani që po e shijonte bukurinë, gjatë kësaj mbrëmjeje, simpatia për të po i ndizej edhe më. Ditë pranvere. Gjethi sapo iu vesh pemëve e lisave që gjendeshin pranë shtëpive e malit mbi qytet. Petku i këtillë magjepsës, nën dritën e hënës kujdestare, ia shtonte bukurinë kësaj mbrëmjeje. Koloneli e njihte mirë këtë qytet. Edhe më herët e ka vizituar Kosovën dhe, sa herë zdirgjej këtej, nuk  ikte pa e vizituar Prizrenin. E lidhnin shumë ngjarje historike nga e kaluara me këtë qytet. Kishte lexuar edhe shumë libra për të, pastaj sa herë kishte ardhur me detyra ushtarake në kufi, asnjëherë nuk kishte pranuar të flinte në kazermë. Për qejfi e kishte pjesën e vjetër të qytetit dhe vendosej gjithmonë në hotelin përballë.  Ndoshta kishin ndikim tregimet e gjyshit, të babait, apo librat dhe, Koloneli, ndjente lakmi të madhe për këtë qytet. Tanimë që kishte hyrë në brendinë e tij, e ndjente melankolinë se, një ditë qyteti do të jetë i tij. Melankolinë, edhe më ia trazonin dosjet sekrete që i mbante të mbyllura në çantë.

   Para hyrjes në qytet, nga xhami i vogël i autoblindës, shikonte fushat që shtriheshin djathtas deri në rrjedhën e Drinit, ndërsa herë-herë në të majtë shikonte shpatet që ngriheshin deri në majat e Sharrit. Ato bjeshkë sikur e ngacmonin atë dhe çdo çast e kaplonte frika se, papritmas mund t’i vijë ndonjë predhë nga andej, ndaj vetëm djathtas shikonte. Sapo i pa shtëpitë e para të qytetit, dhe, sikur iu largua ankthi. Kazerma e ushtrisë serbe, që ishte mësuar ta shohë gjithmonë në anën e majtë të hyrjes së qytetit, nga aeroplanët e NATO-s qe rrafshuar me tokë. Tashmë, Koloneli dukej si i tërbuar.

   - Të poshtër! – e derdhi mllefin ndaj aleancës së NATO-s, që ato ditë vazhdimisht i goditnin caqet e ushtrisë së Kolonelit.

   Përtej shtriheshin copa muresh, rrënoja, makineri ushtarake e objekte  tjera të djegura deri në themel. Kjo ia shtoi trishtimin dhe frikën se luftën do ta humbnin. Megjithatë ai nuk jepej para përcjellësve të tij. Pamjet e vrazhda të këtyre goditjeve, sikur ia kërcënonin realizimin e misionit. I pari i tij e priste krenar atje lart në Beograd. Hë pra, ai duhej ta kryente misionin. Do të bëjë çmos. Do t’i shfarosë shqiptarët dhe do ta shkulë qytetin. Lavdia do t’i ngrihej atje në Kalamegdan. Mision i lartë në lavdin e tij. Gjatë atyre çasteve, iu kujtuan fjalët e të parit të tij që ia paskësh thënë përpara nisjes tek po ia jepte dosjet në dorë: "Ti do të jesh lavdia dhe krenaria e Serbisë". Qe rrëqethur derisa i kishte marrë në dorë ato dosje.

   Tani që udhëtimi mbaroi dhe ai kishte hyrë në hotelin buzë Lumëbardhit, e ndjente veten të çliruar, ndërsa ndjenja për çlodhje, ia ngacmonte dëshirën për pushim. Nuk kishte kohë. Për pak qaste duhej të vinte delegacioni i komandës që mbahej një takim. E bëri një dush, ndërroi rrobat ushtarake duke veshur ato civile, dhe u ul pranë dritares së ballkonit të hotelit. Lëshoi një ofshamë çlodhëse dhe për pak qaste i mbylli sytë. Nuk e dinte nëse ishte lodhja nga udhëtimi apo ankthi që e kishte shoqëruar gjatë rrugës. Rreziku e priste ndoshta edhe pa menduar, ngase mund të sulmohej karvani ushtarak, qoftë nga ushtarët e UÇK-së apo nga avionët e NATO-s dhe ta linte kokën në Kosovë. Kjo frikë e kishte shoqëruar gjatë gjithë rrugës, prandaj e paskësh zgjedhur buzëmbrëmjen, ngase më pak mund të gjendej i sulmuar. Ky ankth e kishte dërmuar. Aq më tepër fjala e gruas së tij, Svetlanës, e cila përpara nisjes i paskësh thënë: Kosova ua ka ngrënë kokat e sundimtarëve gjithmonë, - të lutem mos shko! Ky zë i gruas së tij i kishte mbetur në vesh. U zgjua trembshëm nga ulësja ku po dremiste një sy gjumë nga trokitja në derë e kamerierit që i solli shishen e shlivovicës.

   - Më falni zoti Kolonel, ju solla rakinë e porositur, – tha kamerieri.

   - Hë, po, faleminderit! - Lëre aty mbi tavolinë, - foli me përtesë Koloneli, tek po zgjohej trembshëm, dhe sërish i mbylli sytë.

   Përballë hotelit u dëgjuan krisma armësh. Koloneli sërish u zgjua trembshëm. Nuk e dinte sa kohë i kishte mbyllur sytë, por trupi i dridhej nga plogështia që ia kishte krijuar ajo kllapi gjumi. Shikoi andej nga erdhën krismat. Përballë dritares së hotelit, shpatit përpjetë shtrihej lagjja “Nënkalaja”, siç e quanin vendësit që popullohej kryesisht nga bashkëkombësit e tij.

Duhet të jetë ndonjë gëzim familjar, - mendoi me vete Koloneli, tek po e tërhiqte vëmendjen andej nga vinin zëra të ndryshëm të muzikës. Kjo po i bënte përshtypje Kolonelit. Ia kujtonte Valevën, Kragujevcin, Nishin, Beogradin.

Gëzojnë bashkëkombësit e mi edhe këtu tha ai, derisa po i përcillte tingujt e një kënge nga muzika popullore serbe. Kush e di ç'festë do të bëhet ditën kur do ta futim Prizrenin në duart tona. Kjo edhe më tepër ia shtoi lakminë Kolonelit. Çudi, tha me vete, shqiptarët s'dëgjohen për të gjallë. Po, ç'bëjnë tani ata? Ndoshta flenë. Nuk është e mundur. Iu kujtua fjala e gjyshit kur i kishte thënë: Ata edhe kur flenë, janë të zgjuar. Kjo ia dridhi mishin Kolonelit. Shqiptarët... pëshpëriti ai. Ah sikur të mund ta fshija këtë emër nga faqja e dheut, shfryu plot mllef Koloneli.

Ky është fundi i tyre tha, dhe shikimin e hodhi drejt çantës së tij që e kishte vendosur mbi një tavolinë aty përballë. Kjo e kthjelloi nga ajo kllapi lodhëse që po e mundonte që prej kohës kur ishte ulur mbi këtë ulëse. Filloi ta ngacmojë krenaria, se një ditë ky qytet do të jetë i tëri nën këmbët e tij dhe se fjala e tij do të jetë fryma e këtij qyteti. Me të do të lidhet gjithçka, ndërsa lavdia serbe, emrin e tij do ta shkruajë ndër të parët në histori. Ndihej i fuqishëm. Më i fuqishmi i këtij qyteti. Tani më nën çizmet e tij, ky qytet po i numëronte ditët dhe çdo gjë do të ndryshojë për pak ditë. Dhe, lavdia e Kolonelit, do t’i prekë majat e qiellit. Edhe atje në Beograd do t’ia lëshojnë vendin trimërisë dhe lavdit të tij. Do të jem më i merituari i perandorisë sonë, thoshte Koloneli. Ëndrra të këtilla luante Koloneli. Në derën e dhomës ku qëndronte, si në befasi trokiti shërbyesi i hotelit.

   - Ka ardhur majori, S.! - Ju kërkon z. Kolonel!

   - Thuaj se do të zbres poshtë së shpejti, - tha Koloneli.

   - Si urdhëroni, z. Kolonel! - tha shërbëtori dhe iku përtej derës.

   Koloneli u zgjua nga ulësja dhe zbriti shkallëve në katin e parë të restorantit të hotelit.

 

 

 

  

KAPITULLI I DYTË

 

   Koloneli zbriti shkallëve. I buzëqeshur dhe krenar iu afrua tavolinës ku ishte duke pritur majori S., i cili komandonte trupat ushtarake në zonën jugore dhe në kufi.

- Mirë se na erdhe Kolonel, ardhshi me të mira! - uroi Majori S. derisa po përshëndeteshin.

   - Si gjithmonë, ndërhyri Koloneli.

U përshëndetën të dy dhe u ulën përreth tavolinës, skaj dritares së restorantit të hotelit.

   Majori, mori një pozitë dominuese në vendin ku ishte ulur, ndërsa ishte drejtuar nga Koloneli dhe po priste se nga do të fillonte.

   Përjashta, matanë lumit, rrugëve të qytetit gumëzhinin të rinjtë që shëtitnin korzo, ndërsa zëri i muzikës serbe që nxirrnin altoparlantët, nga kafenetë përskaj lumit, herë-herë depërtonte edhe në hollin e hotelit ku rrinin Koloneli e oficerët  tjerë.

   - Major! - Ju përgëzoj për punën e shkëlqyeshme që keni bërë për Serbinë dhe popullin tonë, - tha Koloneli.

   - Faleminderit Kolonel! - Të gjithë bashkë, - pohoi Majori.

   - Si qëndron situata në terren gjatë këtyre ditëve Major? - pyeti Koloneli.

   - Majori ofshau thellë, sikur donte të thoshte, edhe jo bash mirë, megjithatë një raport për zhvillimet e kohëve të fundit, për  zonën jugore duhet dhënë, - mendoi ai.

   Që nga fillimi i sulmeve të NATO-s e këtej, pozicioni ynë nuk është ai që ka qenë më parë. Janë ngushtuar rrugët e veprimit dhe të lëvizjes në masë të caktuar, në veçanti asaj të artilerisë e cila është e rrezikuar në çdo çast. Aeroplanët e NATO-s i përcjellin lëvizjet e tankeve tona dhe na godasin. Kështu duhet të bëjmë shumë më shumë punë rreth maskimit të tyre. Kjo na merr kohë dhe njerëz, por edhe na i prish planet e sulmeve tona në zona ku duhet të lëvizim. Edhe morali i ushtarëve nuk është ai që ka qenë para sulmeve. Aq më keq, kjo i ka trimëruar edhe më tepër armiqtë tanë. Ata na godasin vazhdimisht dhe në befasi. Jemi të detyruar të mbrohemi edhe nga ajri edhe nga toka. Më e keqja, ata po shtohen vazhdimisht dhe po bëhen edhe më të ashpër me sulme të befasishme. Shpresat e tyre janë rritur se fitoren e kanë afër, ndërsa janë të bindur se ne do ta humbim luftën. A ka më keq kur kështu mendojnë shumica edhe nga oficerët dhe ushtarët tanë. Goditjet e NATO-s mbi kazermën tonë, që me siguri ju i keni parë derisa keni udhëtuar, goditjet në Pikën e Cylenit, ato mbi karakollin e Struzhës dhe goditjet e vazhdueshme mbi tanket tona, na i kanë prishur bazat e qëndrimit. Kemi humbur shumë ushtarë dhe teknikë ushtarake. Kazerma është rrafshuar rrafsh me tokën. Pika e Cylenit nga e kemi kontrolluar gjithë zonën deri në kufi dhe gjithë Pashtrikun, nuk ekziston më. Edhe karakollin në bjeshkët e Sharrit, nuk e kemi më. Si zëvendësim, jemi futur nëpër fshatra dhe aty jemi shpërndarë. Megjithatë, edhe këtu, terroristët e NATO-s nuk na lënë të qetë. Në Jabllanicë, fshat me popullsi myslimane, na goditën në mes të fshatit. Kjo tregon se ata kanë vendosur të mos kursejnë asgjë, qoftë edhe në fshatra për ta shkatërruar ushtrinë tonë. Në goditjen e NATO-s mbi stacionin e policisë në Korishë, kishim suksese. Nga informacionet që i kishit marrë ju, nga bashkëpunëtori juaj në NATO, se do të goditet stacioni, atje e vendosëm popullatën civile nga ky fshat. Nga këto goditje mbetën mbi dyqind të vrarë, të gjithë civilë. Kjo ishte kundërgoditja më e mirë që i dhamë NATO-s. Me një plumb i vramë të dy, edhe NATO-n, edhe shqiptarët. NATO-s ia futëm pykat e dyshimit dhe të përçarjes, ndërsa shqiptarëve ua rritëm frikën dhe dyshimin  se tani e tutje nuk janë të mbrojtur nga askush, dhe se, duhet të shpërngulen nga këtej. Kështu kemi arritur të spastrojmë shumë fshatra duke i dëbuar për Albani. Një sulm tjetër e kemi ndërmarrë edhe në paralagjen e qytetit. Në Tuzsuz, i vramë rreth tridhjetë banorë, të gjithë civilë dhe i dogjëm mbi dyqind e pesëdhjetë shtëpi. Këtë lagje e spastruam të tërën, aty tanimë jetojnë vetëm popullsi myslimane. Ata janë në krahun tonë dhe nuk paraqesin kurrfarë rreziku për të ardhmen. Vërrinin siç jeni në dijeni, e dogjëm në shtatorin e vitit që shkoi. Atje e zbatuam taktikën e tokës së djegur. Vramë e premë, ç'gjetëm, pleq, plaka, gra e fëmijë, që t’ua futnim frikën. Dogjëm e rrafshuam gjithçka me tokën. Vramë edhe shumë ushtarë të UÇK-ës. Më duhet ta them edhe këtë se atje humbëm shumë ushtarë tanë.  Edhe këtë mars prapë e dogjëm Vërrinin. Atje jetojnë një popullsi malësore e pabindur për pushtetin tonë. Nuk po nënshtrohen. Prapë nisën luftë në fillim të marsit. Atje vramë shumë ushtarë të tyre por edhe nga tanët lamë shumë. Edhe më keq e kemi atje tani. Atë zonë e kontrollon UÇK-a dhe është shumë rrezik në ato lugina. Atje veprojnë disa njësite të cilat thuajse çdo ditë na godasin në befasi, me blic aksione, deri në brendinë e qytetit. Janë të pazhdukur Kolonel. Këtu i vret, atje të dalin tjerë edhe më të tërbuar. Ata janë të tmerrshëm në luftë. Sidomos tani, kur ua kemi dëbuar popullatën civile për Albani, ata i kanë duart e lira dhe na godasin pa frikë. Kemi bërë shumë luftë me ta për t’i zhdukur plotësisht, por është e pamundur. Sa nuk ishin sulmet e NATO-s, e kishim më lehtë, na ndihmonte artileria dhe aviacioni, por tani që ato nuk mund të lëvizin më, këmbësoria vetëm nuk mund t’ia dalë atje. Pastaj, morali i ushtarëve tanë, siç ju thashë, nuk është ai i mëhershmi.

Kjo e tmerroi Kolonelin. Qe mrrolur i tëri në fytyrë dhe po e dëgjonte me habi Majorin.

   Major, nuk ju kam njohur kështu, - tha me zemërim Koloneli.

    Unë vetëm i bëra një përshkrim gjendjes së vërtetë, ky është realiteti në terren  Kolonel, - tha Majori me një zë të mekur.

   E dini se për këtë mund të dilni para gjyqit ushtarak, Major! - tha me zemërim Koloneli.

   E di tha ai, por ju nuk po e thoni të vërtetën në terren. Unë do t’ju lutja që disa ditë të jeni me ne, në terren, - tha i vendosur majori S.

   Prandaj kam ardhur, - shtoi shumë i zemëruar Koloneli.

Po për aktakuzën, që është ngritur kundër të parit tanë, në Hagë, ç`mendoni Kolonel? - pyeti Majori për ta ndërruar temën e bisedës, por që tingëllonte si me t’ia hedhur Kolonelit.

Është çështje tjetër kjo, dhe as që dua të mendoj për provokime të tilla të politikës së huaj, - foli plotë zemërim Koloneli. Brenda atij zemërimi e zbrazi gotën e shlivovicës në fytin e tij dhe iku në drejtim të tualetit të hotelit.

 

 

 

 

 

KAPITULLI I TRETË

 

   Kishin kohë që Koloneli dhe majori S. bisedonin aty rreth tavolinës përskaj dritareve të restorantit të hotelit. Koloneli ndihej i nevrikosur nga fjalët e Majorit, megjithatë nuk jepej edhe aq lehtë përpara takimit edhe me oficerët tjerë. Në derë hyri majori Sp. komandant i policisë në komandën e qytetit dhe kapiten Razhnjatoviqi, komandant i trupave paramilitare. U zgjuan që të dy nga ulëset ku po bisedonin. Koloneli nderoi ushtarakisht edhe pse ishte ndërruar në rroba civile. Nderuan të dy.

   Derisa po i merrnin vendet, një këngë në serbisht depërtoi nga altoparlantët që gjëmonin qendrës së qytetit deri në brendinë e restorantit të hotelit ku po rrinin të katër oficerët. Kjo e gëzoi Kolonelin. Për një çast, përqendrimi i tij iku përtej.

   - Ju lumtë! - tha ai. Kjo po më gëzon pa masë, - aludoi në drejtim të zërit të muzikës serbe që vinte nga përjashta.

   - Këtu vetëm serbisht këndohet, Kolonel – tha majori S.

   - Ka kohë që muzika shqip në këtë qytet nuk dëgjohet më, - shtoi majori Spasojeviq.

   - Shqiptarët kanë mortje Kolonel, - vazhdoi kapetan R. me një përbuzje derisa i tha këto fjalë.

   - As që do të kenë gëzime më. Do t’i shkulim të gjithë nga këtu, ngase s'u ka mbetur edhe shumë. Po i numërojnë ditët - shtoi Koloneli.

   Në ato çaste, kamerieri i solli katër kafe dhe gotat të mbushura me shlivovicë. Mbretëroi një heshtje derisa kamerieri i la kafet dhe gotat e mbushura të rakisë e iku drejt banakut.

   - Ka shqiptarë nëpër këto objekte hoteliere Major? – U interesua Koloneli në drejtim të majorit S.

   - Ka vite që shqiptarët i kemi dëbuar nga këtej,  përgjigjej majori S.

   - Mirë, mirë, se dola nga tema, - tha Koloneli dhe filloi të hapë çantën e tij që e mbante në prehrin e vet. Nga çanta nxori ca skripte të ndara, të cilat në ballinë shënonin Dosja P. - Për majorin S. - shënonte e para. Për majorin Sp. - ishte e dyta. Për kapiten R. ishte e treta.

   - Këtu janë të gjitha detyrat tuaja, - tha Koloneli, derisa i ndau të tri dosjet.

Në rrethanat që po krijohen, sidomos pas fillimit të sulmeve të NATO-s, krijojnë rrethana të favorshme për realizimin e planeve tona. Nga këto plane mund të përfitojmë sidomos rreth përzënies së popullatës shqiptare për në Albani. Në bazë të parashikimeve tona, kjo nuk mund të realizohet plotësisht dhe mund të na dalin pengesa në rast marrëveshjeje armëpushimi. Ne duhet përfituar brenda kohës së këtyre sulmeve për ta bërë të pamundshëm qëndrimin e popullatës shqiptare në këtë qytet. Fillimisht, policia dhe ushtria jonë, duhet të ketë më shumë pika qëndrimi nëpër qytet. Pra, nëpër çdo pikë strategjike, nëpër lagje, të vihet kontrolli. Në plan janë të detajuara pikat dhe shtëpitë e shënuara me shenjën x, duhet të përdoren si stacione dhe pika për ushtrinë dhe policinë tonë. Pronarët e këtyre shtëpive, të dëbohen për Shqipëri, ndërsa ata që kundërshtojnë, ju i dini detyrat. Këtu të fillojë provokimi i popullatës nëpër lagje, për të filluar pastaj masat shtesë. Fillimisht të bëhet regjistrimi i banorëve në mënyrë që të krijohet një statistikë dhe analizë për grupmoshat e popullatës që gjenden nëpër lagje. Ky do të jetë një lloj presioni, ku do te futnim frikë brenda tyre. Një urdhër që do të jepet më vonë, shtresa më vitale e popullatës, në veçanti të rinjtë, do të mblidhen nëpër kampe dhe prej aty do të barten më tutje. Një pjesë e tyre  të ekzekutohet në vend, pastaj me një pjesë, do të ngrijmë kurthe kundër NATO-s, si në sulmin në Korishë, ndërsa të tjerët që do të mbeteshin, do të barteshin për Serbi. Gjurmët e vrasjeve të ushtrisë dhe të policisë sonë të humben, sepse ato mund të na nxjerrin telashe në të ardhmen. Koha e veprimit do të caktohet me një urdhër, ndërsa koha e presionit mbi këtë popullatë mbetet përherë në fuqi. Pra, këtu unë dyshoj se me presionin që do t’u bëhet, nuk do të mund të realizohet plotësisht plani për shpërngulje, sidomos tani ku brenda qytetit ka depërtuar edhe popullatë nga fshatrat përreth. Ju i njihni shqiptarët. Ata durojnë dhe nuk largohen lehtë prej këtu. Ndërkaq, me planin e vrasjeve dhe djegieve masive, sidomos të lagjeve, duhet të jemi gjithmonë në gjendje gatishmërie. Kjo për faktin se, nëse NATO-ja sulmon papritmas me këmbësori nga zona e Kukësit e këtej, do të krijohej një kaos edhe brenda qytetit. Duke e shfrytëzuar këtë kaos, krahas rezistencës që do ta bënin forcat tona nëpër pikat rreth kufirit, forcat e vendosura në qytet duhet t’i kryejnë të gjitha detyrat. Lagjja me popullatën tonë, duhet të vihet në rrethim të hekurt në mbrojtje dhe ajo do të vendoset nëpër objekte fetare. Aty nuk do të sulmojë as NATO-ja. Për popullatën tjetër, fillimisht duhet të fillohet me vrasje masive, nëpër shtëpi, rrugë, e kudo, e pastaj t’u ndizen shtëpitë. Kësisoj, qyteti do të shndërrohet në gërmadhë. Kështu, do të humbin shumë gjurmë të vrasjeve. Nëse këto detyra do të kryhen plotësisht, në një të ardhme, pas një armëpushimi, popullata civile jona  dhe ajo që do të sillej si kolonë nga Serbia, do ta qeverisin qytetin. Edhe nëse do të vendoset ndonjë protektorat, shqiptarët s’do të kenë ku të kthehen, nëse rastësisht mund të  mbetet kush për t’u kthyer. Planet e veprimit, ndarjet e pikave të kontrollit në zona dhe detajet tjera, janë të fiksuara nëpër hartat që gjenden brenda planit. Ato, kuptohet, në praktikë plotësohen nga komandantët në terren dhe kjo është e arsyeshme. Për çdo paqartësi rreth planit veprues, për çdo paqartësi, ne jemi këtu.

Sonte duhet t’i studioni ato, nesër mbrëma do të bisedojmë për të gjitha paqartësitë, e qartë?- pyeti Koloneli.

   - E qartë, - thuaj se njëzëri u përgjigjën që të tre oficerët, tek po i mbanin dosjet në duar.

   - E tani, të gëzojmë për Serbinë e madhe! - ngriti gotën Koloneli. Pastaj njëri pas tjetrit i cakërruan ato.

   Një zhurmë shurdhuese e muzikës  që depërtoi nga një dritare e hapur e restorantit të hotelit, sikur e mbyt atë cakërrim gotash. Megjithatë, kjo muzikë ia shtoi kërshërinë Kolonelit. Ai plot kënaqësi, e shtori gotën e shlivovicës në fytin e tij.

   - Nuk e di, nëse ndonjë qytet mund të të japë kënaqësi si ky – tha Koloneli.

   - Vërtetë? - shtoi Majori S.

   - Është shumë e vërtetë, - vazhdoi  Koloneli. Tani, oficerë të mi, takimi mbaroi. Shihemi nesër mbrëma, me major Stanojeviqin, dhe bëri me dorë kah ai - ende skam përfunduar.

   Majori Sp. komandant i policisë dhe kapiteni R. u përshëndetën me Kolonelin dhe u larguan nga salla, ndërsa majori S. e shoqëroi dëshirën e Kolonelit për një shëtitje Shatërvanit të qytetit. Të dy oficerët mbanin të veshura rroba civile, ndërsa në çdo skaj të rrugëve të qytetit, shiheshin agjentët dhe policët serbë të cilët kontrollonin çdo hyrje-dalje të qytetit.

 

 

 

 

  

KAPITULLI I KATËRT

 

     Koloneli e ngriti kokën në drejtim të kalasë, tek po i bënte hapat e parë mbi Urën e Gurit. Vështroi për disa çaste atje lart dhe pastaj shikimi i tij zbriti teposhtë shpatit ku vareshin shtëpitë e lagjes “Nënkalaja”.  Majori që po e shoqëronte Kolonelin, ishte ndalur pak metra përpara tij i cili po bridhte diku mendimeve.

   - Më pëlqen pamja e bukur e këtij qyteti, Major, – pëshpëriti Koloneli dhe nuk e ndante shikimin nga andej.

   - Është vërtet i bukur. Vetëm natyra ka ditur të krijojë këso pamje, edhe natën të magjepsë, - shtoi Majori.

   - Jeni kohë të gjatë këtu, Major?

   - Ka pesë vjet Kolonel, kam marrë dhe banesë.

   - Hë, hë, - pëshpëriti Koloneli dhe vazhdoi të ngjitej pjerrtësisë së vogël të urës. Ai bëri disa hapa. Në majën që bashkonte dy skajet e urës, u ndal përsëri.

   Qendrën e qytetit po e shndrisnin dritat gjithandej, ndërsa reklamat e dyqaneve rrezatonin pamje të shkëlqyeshme nga ngjyrat e arit dhe argjendit, të ekspozuara nëpër vitrina. Kolonelin po e tërhiqte kjo pamje.

   Do të ecim drejt, - tha ai dhe bëri me dorë në drejtim të kishës.

   Tjetri pohoi me kokë, derisa po e vriste mendjen të gjente ndonjë argëtim për largimin e familjes. Siç duket, e mori me përbuzje pëshpërimën e Kolonelit.

   Vazhdonin hapat përpara shtëpisë së mallrave, skajit të trotuarit, rrugës përskaj vitrinave të dyqaneve. Qendrës, përreth kroit, dhe gjithandej, shëtisnin të rinjtë korzo. Trotuareve zinin vend karriget dhe tavolinat e restoranteve të mbushura përplot. Muzika serbe shpërndahej gjithandej qendrës së qytetit nga altoparlantët e nxjerrë përpara restoranteve.

   Koloneli vështroi gjithandej.

   Janë kryesisht rini jona. Ka ca dyqanxhinj goranë, aty këtu ndonjë turk e mysliman, ndërsa shqiptarët i mbyllnin herët dyqanet e veta, pa rënë terri - tha tjetri, për t’ia shtuar kuriozitetin e Kolonelit.

   - Megjithatë, këtu në qendër nuk hetohet lufta, - ia priti Koloneli.

   Erë lufte mbretëron kudo Kolonel, sidomos pas fillimit të sulmeve të NATO-s frika është shtuar te qytetarët tanë.

   - Mos doni të thoni se do ta humbim luftën? - pyeti tjetri.

   - Jo, jo, s’e pata aty - tha Majori dhe sikur diç kapërdiu nëpër dhëmbë.

    - Qytet i pasur me ar, - ndërroi temë Koloneli, dhe po shikonte vitrinat e një dyqani argjendarësh që vargëzonin njëri pas tjetrit përskaj trotuarit.

   - Janë të pasur shqiptarët e kësaj ane Kolonel, - foli Majori.

   Njëfarë krenarie Koloneli po e ruante vazhdimisht karshi Majorit, edhe fjalët i lëshonte shumë të kursyera dhe sikur kërkonte nga ai të mësonte vazhdimisht shumë gjëra.

   - Me ngritjen e kësaj shtatoreje, këtu në këtë shesh, lavdia serbe është ngritur edhe midis këtij qyteti. Punë e mençur, - tha Koloneli, derisa po e shikonte lapidarin e car Dushanit të ngritur përpara kishës serbe.

   Majorit sikur i pëlqeu kjo lëvdatë dhe më në fund po e gjente temën e bisedës dhe interesimin e Kolonelit.

   - Krenarinë tonë do ta ngrijmë gjithandej dhe për një kohë të shkurtër, ky qytet do të jetë i mbushur me elemente arkitektonike nga historia jonë, - tha Majori i buzëqeshur.

   Koloneli një kohë të gjatë vështroi rreth lapidarit dhe kishës përmbrapa dhe sikur e ndjeu të mjaftueshme rrugën deri te kisha.

   - Kthehemi drejtimit tjetër, - tha ai dhe bëri me dorë në drejtim të xhamisë “Sinan Pasha”.

Kthehemi- pohoi Majori.

   Ata e bënë një copë rrugë pa e folur asnjë fjalë. Ecën tutje përmes turmës së të rinjve që po argëtoheshin qendrës së qytetit.

   Hodhi shikimin gjithandej. Qendrës së qytetit shëtisnin turma të rinjsh, djem e vajza. Përballë Kolonelit, tri vajza të reja bisedonin njëra me tjetrën. Një flokëgjatë me të zeza ishte më e zëshmja e turmës. Ato ishin mospërfillëse karshi të tjerëve. Koloneli ndërroi rrugë dhe kaloi përskaj tyre. Shikimin e ngjiti te flokëzeza derisa po kalonte aty pranë. Majori po e përcillte vështrimin e tij.

E ke gruan këtu në Kosovë Major? – pyeti shkujdesur Koloneli.

   - Jo, - u përgjigj Majori dhe s’po ia ndante sytë vështrimit të Kolonelit. Diç mendoi në ato çaste dhe vështroi drejt një skaji të trotuarit ku po rrinin dy të rinj të veshur me mantele të gjata.

   - Do të pi pak ujë, - tha Koloneli tek iu afrua kroit në qendër të Shatërvanit. Përkuli kokën dhe  njërën dorë e afroi pranë kroit që po rridhte uji. Piu pak ujë dhe prapë u drejtua në këmbë. Një ofshamë çlodhjeje e lëshoi me zë të ulët.

   Majori e bëri një lëvizje drejt dy të rinjve me mantele të gjata, pëshpëriti diç me ta dhe u kthye afër kroit.

   - Ka ujë të ftohtë ky qytet, - foli ai dhe me një shami të vogël po e fshinte gojën e duart.

   - Ka ftohtësinë e borës së Sharrit, - shtoi Majori, ndërsa mendimin po e bredhte diku tjetër.

   Koloneli sikur e kuptoi se Majori herë-herë po humbej diku.  Ata vazhduan rrugën kah pjesa nën xhaminë e Shatërvanit.

   Ka kohë që kjo xhami, ma vret syrin, - ndërpreu Koloneli dhe e ngriti kokën përpjetë minares e cila zgjatej lartësisë.

   Majori heshti.

   - Do t`i vijë dita, - tha me një ton urdhërues Koloneli, për ta thyer heshtjen e Majorit.

   Ata vazhduan përskaj lumit. Përpara derës që shkruante me shkronja ngjyrë ari  Bogosllovija, u ndal dhe bëri një kryq në gjoksin e vet.

   Ata vazhduan shëtitë përskaj lumit përpjetë. Ecnin krahas njëri-tjetrit, pos ndonjëherë kur Koloneli interesohej për diç dhe kthehej anash e shikonte. Përskaj shëtitores në të dy krahët e rrugicës së shtruar me kalldrëm guri, kishte plot të rinj e të reja që argëtoheshin kopshteve të restoranteve.  Kishte edhe ushtarakë e policë me uniforma, të cilët argëtoheshin atypari. Koloneli ishte figurë e panjohur,  por Majorin herë pas here e përshëndetnin të njohur nga radhët e ushtarakëve. Ata kishin vazhduar deri në skajin e lagjes. Majori S. tanimë po priste çdo çast kur Koloneli do të propozonte të ktheheshin. Nuk kishte ç'të shihej tani më aty pari, pos krahut tjetër përtej lumit ku ngriheshin ndërtesa disa kate dhe rruga që të çonte deri te Sheshi i Lidhjes. Përskaj murit të lumit ngrihej një rrethojë e hekurt, e lartë afro gjysmë metër, që herë pas here ndahej nga disa katrorë  betoni ku skalitej një kryq sllav nga simbolika kishtare serbe. Kjo i bëri përshtypje Kolonelit. E ndjeu veten si të ishte diku në Serbi. Ia kujtoi rrethojat e lumit të Uzhicës e të Nishit.

   Paska qenë projektues i mrekullueshëm, - tha Koloneli, derisa po i shikonte rrethojat përreth lumit.

   Keni të drejtë Kolonel. Ishte iniciativë e kryetarit të komunës, një sreckali yni - pohoi Majori.

   I ka dhënë tamam elementet tona tradicionale. Me këto ndërrime arkitekturale, ne i futim më thellë rrënjët tona edhe nëpër qytetet e Kosovës. Në këtë drejtim duhet të punojmë vazhdimisht, - tha Koloneli dhe i disponuar vazhdoi rrugën përskaj lumit.

   Vështronte vazhdimisht  përtej lumit. Përtej rrugës, ngrihej kompleksi i Lidhjes Shqiptare. Një shtëpizë e vogël ngjyrë limoni ku ishte mbajtur një Kuvend burrash dhe ishte lidhur besa për bashkimin e gjithë tokave shqiptare. Kishin ardhur burra nga e gjithë Shqiptaria dhe kishin lidhur besë për ta bërë Shqipërinë. Prapa saj, në oborrin e muzeut përcjellës ngrihej shtatorja e Abdyl Frashërit dhe e Ymer Prizrenit. Nëpër gurët e ngritur nja gjysmë metër mbi tokë, shiheshin të shënuar edhe emrat e pjesëmarrësve tjerë të Lidhjes. Kompleksin e ndriçonin ca drita që e bënin edhe më të bukur gjatë asaj mbrëmjeje.

   Ky shkëlqim që shpërndahej nga kompleksi, po e verbonte Kolonelin. Një siklet e përshkoi pamjen e tij. E gjithë ajo kureshtje e mëhershme u kthye në hidhërim. Edhe dëshira për të shëtitur më tej iu prish. U mrrol në fytyrë dhe një copë herë vështroi drejt Kompleksit Memorial të Lidhjes.

   Ende gjendet këtu ky muze, Major?- foli me inat Koloneli.

   Nuk e di si na ka mbetur Kolonel, - tha Majori me një zë të dridhshëm.

   Ka një jetë që luftoj me këta dhe prapë në këmbë. Derisa i tha këto fjalë, nga zemërimi e kapluan dridhmat.

   Ndoshta, edhe jo gjatë Kolonel.

   Më është bërë tmerr ky popull, - pëshpëriti Koloneli plot neveri dhe vazhduan rrugën drejt urës që i bashkonte dy skajet e Lumëbardhit. Ata vazhduan rrugën krahut tjetër të lumit në drejtim të hotelit. Koloneli nuk e foli asnjë fjalë deri te dera e hotelit. I thanë natën e mirë njëri-tjetrit dhe Koloneli u ngjit shkallëve drejt hyrjes së hotelit.

   Majori S. bashkë me ushtarët që e kishin pritur përpara hotelit, ikën rrugës së qytetit.

 

 

 

 

  

KAPITULLI I PESTË

 

Koloneli nuk ndihej mirë. I nevrikosur u ngjit shkallëve përpjetë. Misioni me të cilin kishte ardhur dhe realiteti në terren ishin çështje që po rëndonin mbi të. Do ta kem të vështirë mendoi me vete, derisa hyri furishëm në dhomën e tij. Dera nuk ishte e mbyllur me dry sikur e kishte lënë. Hyri furishëm në dhomën e hotelit. Përpara iu shfaq një vashë e re me flokë të zinj që po rrinte ulur mbi divan. Ajo u zgjua trembshëm në këmbë kur hyri Koloneli. Dridhej e tëra, ndërsa syve sa si pikonin lotët. Kishte një pamje, sikur kërkonte mëshirë. Koloneli u shtang për një çast në derë. Pamja e vashës i dukej e njohur. Sikur e kishte parë diku. Shikimi i saj e nxori nga zemërimi që e kishte pak më parë.

   - Kush të solli këtu? - pyeti ai.

   - Nuk e di, - rrudhi krahët ajo.

   - Si, si? – pyeti.

   - Dy burra me mantele të zeza, - shtoi ajo.

   - Hë, hë, Majori e ka hilen këtu, - pëshpëriti me vete Koloneli.

   Zemërimi që e grinte pak çaste më parë, i kishte ikur. Një buzëqeshje të lehtë ia fali vashës me flokë të zinj për ta lehtësuar atë nga frika. Nga pamja e saj me fytyrë zeshkane ia kujtoi kohën e studimeve në Beograd shëtitoreve të Kalamegdanit së bashku me shokët e tij kah i ndiqnin cigankat e reja. Kjo e gjallëroi Kolonelin. Ishin kohë të hershme ato kur mateshin me shokët se cili prej tyre kishin dhunuar ciganka më tepër. Qe bërë art i fundjavës kjo punë ndërmjet shokëve të tij. Ku të ankoheshin ato zogëza të pambrojtura. Kjo i kishte trimëruar studentët e akademisë ushtarake në Beograd dhe as që i shante kush. Ish-oficerët e ardhshëm të armatës dhe shpresa e vendit, Koloneli ndjeu nostalgji për atë kohë. Ishin kohë të ëmbla. Klithma e cigankës ia zgjoi etjen. Është një etje e vjetër e ushqyer në vite, por e freskët gjithmonë në dëshirat e Kolonelit. Si të mos jetë nxitëse bukuria e njomë e vashëzës flokëzezë?! Ajo i kishte ardhur si një pëllumbeshë në strofullin e Kolonelit. Prapë koha e studimeve në kujtesë. Moti i diplomimit, fundi i vitit. Shokët garonin kush kujt do t’ia bënte dhuratën më të mirë. Tre prej shokëve të tij qenë bërë bashkë rreth një dhurate që do t’ia bënin Kolonelit. Ia njihnin dëshirën. Në dhomën e internatit ku banonte ai, e kishin mbyllur një vashë të re, shumë të re nga mosha. Ishte zeshkane por shumë e bukur. Ndoshta nuk i kishte të gjashtëmbëdhjetat, por e pashme. Koloneli ishte rreth të njëzetegjashtave dhe i numëronte ditët e fundit të studimeve deri në gradën e kapitenit. Një kujtim i paharruar kishte mbetur ajo natë në ditët studentore të Kolonelit. Pastaj, kishte diplomuar dhe kishte shërbyer gjithandej shtetit. Gjithmonë i kishte shërbyer edhe kësaj etje dhe asnjëherë  nuk i kishte munguar asaj. Tani që ishte oficer, ishte shumë më lehtë për të. Shitej në detyra karshi arsyetimit të gruas dhe asnjëherë nuk e kishte hetuar ajo. Nga kjo etje, një cigankë të re e kishte punësuar edhe në kantinën që gjendej brenda oborrit të kazermës. Për disa vite qe argëtuar pranë saj. Kjo kishte qenë mundësia më e mirë për të për arsyetim përpara gruas. Gjithmonë jepte kujdestari në objektin e kazermës. Cigankën e bukur me emrin Smila e kishte pranë vetes. Smila kishte edhe një dhomëz të vogël mbi kantinën e kazermës dhe aty e kalonin natën. Herë pas here ai kontrollonte nëpër kazermë ushtarët e tij dhe kthehej prapë aty. Ditët më të mira Koloneli i kaloi kur shërbeu në kufirin me Rumaninë. Atje ishte shumë i lirë dhe nuk e kontrollonte askush. Ushtarët ishin të gjithë nën urdhrat e tij, ndërsa ai vendoste për gjithçka aty. Kalonin andej-këndej kufirit ciganka, ziheshin në peshkim nëpër ujërat e Danubit dhe silleshin në karakollin ku komandonte ai. Nënshtrimi i tyre përpara tij ia shtonte gjithmonë nostalgjinë për ciganka. Ato ishin të urta, gjithmonë të nënshtruara përpara tij. Ah, kjo ishte pika kulmore me të cilën kënaqej Koloneli.

Kishte ikur mesi i natës. Koloneli e ndjeu veten të lodhur. Edhe vasha që po vishej përballë tij ishte e dërrmuar. Ajo po rrinte në ankth se ç’do të ndodhte me të. Në fytyrën e saj lexohej ankthi. Koloneli e kishte kuptuar këtë.

   - Sa vjeç je? - pyeti ai.

   - Shtatëmbëdhjetë - tha ajo.

   - Vendëse e këtij qyteti? - vazhdoi ai.

   - Po, - u përgjigj ajo, me një ton të frikshëm.

   - Dhe tani je e lirë të shkosh, por përpara kësaj - vazhdoi ai me një ton frikësues, - asnjë fjalë askujt, ndryshe e di ç'të gjen, - kërcënoi Koloneli.

   - Jo, - tha ajo me një zë të dridhshëm dhe iku drejt derës përjashta.

Ka shije dhe sy të gjarprit Majori, mendoi ato çaste Koloneli dhe e ngriti gotën e shlivovicës.

 

 

 

 

 

KAPITULLI I GJASHTË

 

U zgjua trembshëm. Kishte dhembje në kokë dhe ndjehej shumë i lodhur. Ndoshta kishte shumë kohë që lodhje të tillë nuk kishte përjetuar. Ishte udhëtimi i gjatë i ditës. Streset e luftës. Frika gjatë udhëtimit në karvan ushtarak. Fjalët e Majorit. Ciganka. Streset e ditës e të mbrëmjes kishin rënduar mbi Kolonelin. Lodhja e kishte këputur nga fuqia. Ndjente plogështi në trup dhe e kishin pushtuar dridhma. Edhe krismat që shpërndaheshin herë pas hare gjatë natës, i bëheshin se e kërkonin atë për goditje. kjo ia nxiste ankthin. Kjo ia trazoi mllefin e urrejtjes kundër aleancës së NATO-s. Fjalët e Majorit e shponin vazhdimisht. Ato ishin frikë, kishin ankth në vete. Kishin dezertim ndaj atdheut, kështu gjykonte ai. Nga kjo ai e nxirrte konstatimin se Majori donte të thoshte: luftën do ta humbim, Kolonel! Kjo ia dridhte mishtë e trupit. Nuk donte ta mendonte atë. Ndoshta Aleanca do të përçahet dhe do të ndërpriten sulmet nga ajri. Do të kemi luftë vetëm me UÇK-ën. Kjo i jepte shpresë. Vetëm me UÇK-ën, -përsëriti mendimin. Edhe ata na janë bërë zjarr kudo. Ata gjithnjë e më shumë po forcohen. S'deshi ta kujtojë këtë fjalë. Ishte ankthi që trazohej prapa saj. O zot, mund të ndodhë edhe kjo, ta humbim luftën me shqiptarët?! Ai po kalonte në depresion. U zgjua nga shtrati dhe aty mbi tavolinë zbrazi disa gllënjke nga shishja e shlivovicës. Ndjeu etje. Gotën e rakisë e zbrazi disa herë. Nuk e dinte sa është ora. Shikoi përtej dritareve kah shkëlqimi i dritave matanë lumit, lagjen “Nënkalaja”. Bashkëkombësit e mi po flenë, mendoi në vete. Prapë e zbrazi gotën. Vazhdoi disa herë ritmin e zbrazjes së saj. Po i merreshin mendtë. Errësira në dhomë ishte bërë si varrë, ajo po e verbonte. Ishte vonë, nuk kishte dëshirë ta ndizte dritën. Provoi të zgjohej drejt saj. Një pasiguri në këmbët e veta e ndjeu. E tërhoqi krevatin, i bëri lëmsh çarçafët e ndrydhur. U përplas mbi të. E ndjeu aromën e parfumit të cigankës që kishte ngelur çarçafëve. Prapë nostalgji. Ah, sikur të ishte ende ciganka, mendoi me vete. Po gruaja ime, vallë ku do të jetë tani? – foli me vete. Ishte ajo që e  kishte zgjuar nga ëndrra.

   Vonesat e përditshme nga puna në kazermë dhe raportet e ftohta me gruan, kishin nxitur dozën e dyshimit tek ajo. Kishte filluar t’ia përcillte veprimet e tija, fjalët, pastaj edhe në marrëdhënie me të ndihej e ftohtë. Kjo ia kishte nxitur dyshimin Svetlanës.  Edhe rrobat çdoherë ia nuhaste me majë të hundës, nëse mund të gjente ndonjë aromë të huaj në rrobat e burrit. Shpesh kishte dyshuar por nuk ia kishte thënë. Ajo kërkonte që burri i saj të zhytej më thellë në llagëmin e tradhtisë së gruas. Nga dyshimi që ishte vënë në kërkim, ajo kishte shkuar një ditë edhe në kazermë ku  jepte kujdestari burri i saj. I shoqi e kishte ftuar të pinin nga një pije në kantinën e kazermës. E nxirë ajo e kishte pritur. Në servisin e kantinës ishte Smila, një cigankë që e kishte punësuar vetë Koloneli. Ajo i shërbeu. Shikimi i saj në drejtim të Kolonelit, edhe më tepër e nxiti dyshimin e gruas së tij, ndërsa tek u afrua për t’i shërbyer qiftit bashkëshortor, aroma e parfumit të saj i erdhi shumë e njohur gruas së Kolonelit.

   - Këtë aromë parfumi, më ka rënë shpesh ta nuhas në rrobat e tua, - tha ajo me inat.

   - Pse, ç'do të thuash e dashur? - i tha Koloneli gruas së tij, me një pamje habie për ta larguar nga dyshimi atë.

   - Pse, më bëhesh se s’ke asgjë me të?! - vazhdoi ajo.

   - Unë s'po të kuptoj e dashur, - tha ai.

   - Ti i di shumë mirë këto punë, ndërsa mua më bën për budallaqe, - foli Svetlana me zemërim.

   - Po, ç’ke moj e dashur? - vazhdoi Koloneli.

   - E di unë se ç'kam me ty, - tha gruaja dhe u zgjua nga ulësja.

Ajo ecte përpara drejt daljes, ndërsa Koloneli i shkonte pas. Taket e saj që oshtinin pas hapave, tregonin zemërimin. Të gjithë ushtarët që ishin në kantinë e shikuan me habi këtë veprim të gruas së Koloneli, ndërsa ai u ndie i turpëruar. Në shtëpi ajo i mblodhi të gjitha këmishët e tij dhe ia hodhi në fytyrë.

   - A nuk është po ajo aromë, që e mbante ciganja?

   - Ke nxitur dyshim të kotë moj grua, - tha Koloneli.

   - Ti vazhdimisht më ke tradhtuar! - bërtiste Svetlana si e tërbuar.

Gjatë gjithë atyre ditëve ishte munduar ta qetësonte gruan e tij. Përpjekjet ishin të kota. Ajo ishte egërsuar me burrin dhe nuk qetësohej fare. Një ditë kur ishte ulur dhe po i fliste për luftën që po e bënte ushtria e tij në Kosovë, ajo në fillim sikur i dha një lloj rëndësie bisedës. Dhe, Koloneli mendoi se ia kishte arritur qëllimin ta zbuste gruan. I fliste për planet në të ardhmen, se si do t’i zhdukin shqiptarët, se Kosova një ditë do të jetë e tyre, etj. Filloi t’i flasë edhe për dëbimet e popullatës shqiptare që po i bënin në Kosovë, për vrasjet dhe masakrimet. Dhe, në momentin kur Koloneli mendonte se e kishte zbutur nga inati gruan e tij, ajo me zë të lartë i bërtiti.

   - Po, dhunime keni bërë!

   - Koloneli uli kokën dhe mbeti pa fjalë përpara Svetlanës.

Kjo britmë i erdhi në ëndërr Kolonelit dhe nuk po e linte të flinte asnjëherë të qetë.

 

 

 KAPITULLI I SHTATË

 

   Koloneli nuk kishte fjetur mirë. Goditjet e NATO-s që ua bënin pozicioneve të ushtrisë së tij dhe oshtima e krismave  shpeshherë ia kishte prishur gjumin. Gjatë natës ai disa herë i kishte hapur sytë dhe për një kohë të gjatë kishte vështruar gjithandej dhomës, prapa hijeve dhe shkëlqimit që vinte nga dritat e qytetit. Aspak nuk e ndjente veten të sigurt. Ku ta dije, ndoshta NATO-ja është e informuar për qëndrimin e tij në këtë hotel dhe mund të godasë edhe aty. Kjo ia trazonte frikën, edhe pse e dinte fare mire se pak njerëz e dinin qëndrimin e tij. Ndoshta, ndonjë komplot mund të përgatitej edhe për të. Ndoshta edhe nga oficerët tanë. Kjo ka ndodhur shpesh dhe mund të ndodhë. Pikërisht kjo dozë dyshimi i krijonte pasiguri Kolonelit. Gjithçka në këtë kohë e ka humbur besimin. Sidomos në mesin e ushtrisë tonë kur nuk dihet se ç'kaos është krijuar pas fillimit të sulmeve të NATO-s. Koloneli ishte i mësuar me këto gjëra. I sprovuar në përvoja në komplote ushtarake kundër shokëve që ishin më të zotë se ai. Eliminime dhe privime nga jeta kishin ndodhur përherë në armatën e tij. Kishin qenë nga më të ndryshmet ato, qoftë për bindje politike apo për pozita. Kjo e kishte përgatitur Kolonelin të jetë vigjilent gjithmonë kundrejt oficerëve të tij. Ndoshta edhe Majori mund të jetë i tillë, dyshonte ai. Gjatë gjithë kohës i dukej se kishte fjetur në ethe. Kjo e kishte lodhur atë. Nata i dukej shumë e gjatë dhe e mundimshme. Kishte nevojë ende për gjumë, por zhurmat e një turme njerëzish që dëgjoheshin nga rrugët e qytetit, e trazuan tej mase. Ajo sa vinte e bëhej më e fuqishme. Në fillim nuk e tërhoqi vëmendjen, por me kohën filloi të bëhej më i ndjeshëm. Dielli kishte depërtuar deri në dhomë duke i dhënë shkëlqim.

Paskam mbetur vonë, - tha në vete.

U zgjua drejt dritares për të parë se ç’po ndodhte poshtë në rrugët e qytetit. Lëvizjet e veturave ishin të rralla ndërsa makina ushtarake dhe policore kishte më tepër. Një turmë të rinjsh që po vinte teposhtë nga rruga që të çonte për te Sheshi i Lidhjes, vazhdimisht po brohorisnin: “Vdekje shqiptarëve, vdekje shqiptarëve, do t’ua presim kokat, do t’i djegim të gjithë, të gjithë në Albani, Kosova është jona”! etj. Ata ishin rebeluar dhe herë pas here mbi dyqanet e shqiptarëve hidhnin gurë e copa drurësh që kush e di nga i kishin mbledhur. Një mjekrosh vazhdimisht gjuante me automatik përpjetë. Dy të tjerë me revolverë në duar. Një turmë në një skaj rruge po rrotullonte një veturë. E ktheu atë në shpinë dhe ia vuri flakën. Nga ana e përtejme e lumit, në lagjen “Nënkalaja”, gra e vajza që me siguri ishin serbe, kishin dalë dritareve dhe po i brohorisnin masës së revoltuar. Disa të rinj të tjerë që me siguri ishin zgjuar vonë vraponin nga andej urës dhe i bashkëngjiteshin turmës. Mjekroshi ishte më i zëshmi. Ai vazhdimisht bërtiste: “Vdekje shqiptarëve”, derisa automatikut që s’ia ndante krismat, ia ndërronte pa ndërprerë magazinat e municionit. Ata po vinin drejt teposhtë përskaj hotelit duke brohoritur pa ndërprerë: “Vdekje shqiptarëve, Vdekje shqiptarëve”! Përpara ballkonit të hotelit ata u ndalën. Dy vajza të reja nga përtej urës, u sollën ca shishe raki. Filluan të pinë. Një burrë i shtyrë në moshë i parruar dhe plot mjekër me një harmonikë të vendosur në gjoks po vraponte drejt turmës. Ai hyri në mes dhe filloi t’i binte asaj. Harmonika nxirrte një ton shurdhues karshi zhurmës së turmës. Disa të rinj u bënë në formën e rrethit dhe filluan të luanin vallen serbe. Të tjerë këndonin. Rakia derdhej pa ndërprerë ndërsa shishet  thyheshin trotuarit gjithandej. Festonin. Koloneli sikur e kuptoi se kjo valle ishte e porositur të luhej përpara tij. Ai i njihte dredhitë ushtarake. E dinte se plani i Majorit ishte në këtë lojë. Doli në ballkonin e hotelit dhe përshëndeste drejt turmës. Kënga bëhej më e zëshme. Edhe turma përshëndeste në drejtim të Kolonelit. Ai mendonte se ishte ndonjë lojë që po luhej për ardhjen e tij. Në ato çaste, në derë hyri recepsionisti i hotelit dhe aty në ballkon, i solli një letër atij.

   - Për ju z. Kolonel? - tha recepsionisti.

   - Kush ta dha? - pyeti ai.

   - Një oficer i ushtrisë - u përgjigj recepsionisti.

   - Hë, hë, faleminderit - tha Koloneli dhe e hapi shpejt atë. Tjetri u largua nga aty.

I dashur Kolonel,

Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u dogj!

                                   Majori.

   Hë, hë, - buzëqeshi ai dhe hyri në dhomë. Turma e njerëzve përjashta rrugëve të qytetit vazhdoi festën.

 

 

 

 

 

KAPITULLI I TETË

 

Dëshira për të pushuar ende e ngacmonte, por dielli që i kishte pushtuar të gjitha skajet e dhomës sikur donte ta largonte nga aty. Kishte ikur gjysma e paradites dhe i dukej mërzi qëndrimi brenda në dhomë. Dëshira për të dalë rreth lumit në atë freski mëngjesi e tërhiqte tej mase. Ku kam kohë për shëtitje, mendoi me vete. Nga çanta nxori notesin e terminëve dhe fletë për fletë e hapi atë. Takimi me Popin ishte agjenda e ardhshme. E mbylli atë dhe për një çast e hodhi shikimin përtej dritareve. Andej përtej lumit, në fund të lagjes “Nënkalaja”, mbi një derë të madhe shënonte: Bogosllovija. Përtej shtrihej një shtëpi e madhe me fasadë të portokalltë në të kuqe. Një shtëpi e vjetruar dhe me një kulm të deformuar që në pamje nga jashtë, dukej e pabanueshme. Përpjetë shpatit i visheshin shtëpitë, thuaj se njëra mbi tjetrën. Shtëpi të vogla me një strukturë të vjetër ndërtimi.  Ato ia nxinin rrezet e diellit njëra tjetrës, thuaj se rrallë i gjeje të pushtuara. Vetëm pas drekës e tutje kur dielli ndërronte pozitën, i mbulonte ato. Shikimi i Kolonelit u kthye prapë në dhomë. Duhet të përgatitem mendoi me vete. Koha. Ai e bëri një dush shpejt, u vesh dhe zbriti shkallëve teposhtë.

Kthehem për drekë, - e la porosinë në recepsion dhe iku përjashta derës së hotelit.

Koloneli bëri kryq në gjoksin e tij kur arriti përpara derës së patrikanës. Hyri brenda në oborrin e saj. Përpara tij u shfaq një burrë me fustanellë të gjatë deri te këmbët, me një kapelë ngjyrë të zezë, e rrumbullakët, në pjesën e epërme e rrafshët. Me syze dhe mjekër të gjatë që shtrihej teposhtë gjoksit të tij saqë mezi i dukej kryqi që varej në zinxhirin që e mbante qafës. Burri e mbante një shkop të gjatë me një kryq në majë. Ai e ktheu kokën kah zhurma e portës së oborrit që u hap atyre çasteve. U zgjua nga ulësja ku po ngrohej në diell dhe u nis drejt Kolonelit.

   - Mirë se na erdhe Kolonel! - Të prisja, mora vesh mbrëmë për ardhjen tuaj, - foli Popi, derisa po i afrohej ta përqafonte Kolonelin.

    - Mirë se ju gjej! - tha Koloneli dhe puthi kryqin mbi gjoksin e Popit. Popi bekoi.

   - Zoti qoftë me ju! - shtoi ai dhe bëri me dorë kah ulëset.

   - Si ju kemi? - pyeti Koloneli derisa po ulej mbi një karrige.

   - Mirë biro, mirë, po juve si ju shkojnë punët? - vazhdoi Popi.

Jo edhe krejt në vijë. Problemet në terren na janë shtuar, sidomos pas fillimit të sulmeve të NATO-s kundër ushtrisë sonë. Kemi ankesa nga të gjithë komandantët e zonave. Lëvizjet e makinerisë sonë janë kufizuar shumë dhe e kemi vështirë të marrim ofensiva kundër UÇK-së. Vetëm me këmbësori është shumë vështirë të ndërmerren ofensiva. NATO-ja na i ka goditur të gjitha pikat e qëndrimit tonë dhe ushtrinë kemi filluar ta përqendrojmë nëpër fshatra, kuptohet aty ku ka mundësi të bëhet. Nga ana tjetër shqiptarët po forcohen vazhdimisht. Ushtria e tyre po rritet çdo ditë. Vijnë vullnetarë edhe nga jashtë. Siç ju thashë, pas fillimit të sulmeve të NATO-s kundër caqeve tona, ata janë bërë edhe më të rrezikshëm. Bashkëpunojnë me oficerë të NATO-s. Tani që e kemi edhe aviacionin tonë, luftën do ta fitojmë, thonë. Ndërsa morali i ushtrisë sonë, sa po zgjasin sulmet e NATO-s, gjithnjë e më shumë po bie. Këtë ma komunikoi edhe Majori i zonës jugore. Megjithatë, ne do t’i realizojmë planet tona. Shqiptarët, një pjesë do ta dëbojmë në Albani, pjesën tjetër do ta vrasim e shfarosim, në mënyrë që edhe nëse arrijmë ndonjë marrëveshje për armëpushim, mos të ketë më kush të kthehet nga shqiptarët. Farën shqiptare nga ky qytet, do ta zhduk të tërën. Ky është edhe qëllimi i ardhjes sime këtu, - fliste Koloneli plot zemërim. Popi, në anën tjetër po i dëgjonte me vëmendje fjalët e Kolonelit.

   - Prandaj, - vazhdoi Koloneli, kam ardhur t’ju pyes juve, nëse do të mund ta strehoni popullatën serbe të këtij qyteti brenda këtij objekti dhe kishave të qytetit. Kjo siguri do të na duhej për pak ditë, deri sa ne ta kryejmë ofensivën nëpër lagjet e qytetit. Këtu do ta kemi më të sigurt popullatën tonë, sepse edhe NATO-ja nuk do të sulmojë mbi objektet fetare. Sa për sigurinë tjetër, ne do ta rrethojmë një pjesë të qytetit dhe ju do të jeni të mbrojtur nga ushtria jonë. Koloneli u ndal për një çast dhe po priste përgjigje nga Popi.

   - Ne kemi vend mjaft biro, dhe këtë do ta bëjmë me gjithë dëshirë. Vetëm Serbia e madhe le të bëhet, - tha Popi dhe bëri kryq gjoksit të tij.

   - Faleminderit! - tha Koloneli.

   - Zoti ju bekoftë biro, dhe urojmë sa më parë t’i realizoni planet tuaja, - tha Popi dhe e bëri një lëvizje të kryqit drejt Koloneli. Edhe Koloneli kryqëzoi gjoksit e ballit të tij.

 

 

 

  

KAPITULLI I NËNTË

  

Koloneli ishte ndarë mbi urë dhe po shikonte gjithandej qytetit. Dy duart i kishte vënë mbi hekurat e urës dhe herë pas here vështronte ujin e pastër të lumit që rridhte teposhtë shtratit të vet. Kanë ujë të pastër këto bjeshkë, - mendoi me vete. Ky ujë i jep jetë këtij qyteti, ia freskon fytin edhe në ditët më të ngrohta të verës. Kanë ardhur shumë miq të mi që e lakmojnë këtë qytet. Ndoshta unë isha më me fat. Një ditë ky qytet do të jetë në duart e mia dhe zoti i tij do të jem unë. Askush s'do të mund të dalë jashtë urdhrave të mia. Të gjithë ata që nuk u binden urdhrave të mia, s’do ta kenë vendin këtu.  Paramendo këtë qytet pa shqiptarët. Gjithçka do të jetë serbe. Do ta mbushim kisha e manastire nga kultura jonë. Do t’ia ndërrojmë gjithë strukturën arkitektonike. Edhe lavdinë tonë do ta ngrijmë gjithandej shesheve të këtij qyteti. Atje mbi kala, do ta ngrijmë mbretërinë tonë. Kur e solli nëpër mendje këtë mendim, e ngriti kokën drejt kalasë atje lart mbi qytet dhe njërën dorë  vendosi mbi ballë për t’i bërë hije diellit që e verbonte syve. Pasi shikoi gjithandej, vazhdoi rrugën përskaj lumit, në drejtim të rrugës që çonte te Sheshi i Lidhjes. Herë pas here hidhte shikimin lagjes andej lumit dhe shpatit që ngrihej përpjetë deri në kala. Hap pas hapi, i thelluar mendimeve u gjend përpara Sheshit të Lidhjes. Përpara tij vetëm rrënoja dhe drurë që ende po digjeshin. Ishte shtëpia muze ku ishte mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878. Dy buste që ishin të shkulura nga vendet e tyre prapa objektit që po digjej, ishin hedhur në lumë. Ato qenë hedhur pamëshirshëm atje në bregun e lumit. Kjo e gëzoi Kolonelin. Këtu s'do të ketë më gjurmë nga historia e shqiptarëve. Ai ecte përreth zjarrit që ende po digjej mbi rrënojat e shtëpizës. Bëri dhe disa hapa, herë pas here i hidhte shikimin zjarrit, derisa arriti pranë Kuvendit të Komunës. Hyri brenda oborrit të kuvendit që mbulohej nga dy objekte të mëdha anash dhe vazhdoi drejt hyrjes.

   - Ka kohë që po ju pres, Kolonel, - u dëgjua një zë te hyrja.  - Mirë se na erdhët në qytetit tonë! - ishte zëri i kryetarit të Komunës,  Çançe.

   - Mirë se ju gjejmë, zoti Kryetar! - uroi Koloneli derisa po përshëndeteshin.

Koloneli e ktheu kokën edhe një herë prapa, deshi të shohë edhe një herë flakën që ngrihej përpjetë qiellit nga djegia e shtëpisë së Lidhjes, por nga lartësia e ndërtesës së Kuvendit, e pa vetëm tymin që ngrihej lart në qiell. - Ky tym që ngrihej përpjetë e gëzonte. Nga fytyra e tij reflektoheshin buzëqeshje të çiltra.

   - Që moti ka qenë e nevojshme ta djegim Kolonel, por nuk e di se si na pat shpëtuar ky kompleks.

   - Më mirë vonë se kurrë, - shtoi Koloneli.

   - Derisa e kishim misionin e OSBE-së këtu, nuk ishim dhe aq të lirë, ngase objekti ishte nën mbrojtjen e UNESCO-s, me largimin e tyre i kemi duart të lira, - shtoi Çançe.

   - Tani, është koha e veprimit, asgjë s'duhet lënë mbi tokë nga kultura e shqiptarëve. Gjithçka duhet të shkulet nga këtej dhe t’u humben gjurmët. Mbi to duhet të ndërtohen objekte nga kultura jonë. Vetëm kështu do të mund ta serbizojmë Kosovën, - shtoi Koloneli, derisa po ecnin korridorit të ndërtesës së Kuvendit.

   - Po, si i kemi punët në front, Kolonel?

   - Jo edhe aq mirë, - ofshau Koloneli. - Janë ngushtuar rrugët e veprimeve ushtarake, sidomos pas sulmeve të NATO-s. Megjithatë, luftën nuk e kemi ndërmend ta ndalim, edhe pastrimi i qyteteve dhe fshatrave shqiptare, po shkon mirë. Planifikojmë që deri në gjysmën e këtij viti, gjysma e popullatës shqiptare të dëbohet nga Kosova. Me gjysmën tjetër, do ta kemi më lehtë pastaj.

   - Urdhëroni! - tha Kryetari, tek po e hapte derën e zyrës së tij. - Merreni vendin Kolonel, - dhe bëri me dorë kah ulësja që gjendej përballë tavolinës.

   - Faleminderit, z. Kryetar! - falënderoi Koloneli.

   - Dy kafe dhe dy shlivovica, - iu drejtua shërbëtorit që hyri në zyrë atyre çasteve. - Po, ku mbetëm Kolonel? - deshi ta vazhdojë bisedën Kryetari.

   - Siç thashë, do ta kemi më lehtë pastaj, sepse pjesa që do të dëbohet me dhunë nga këtej, nuk do të kthehet më kurrë. Ushtria jonë është e urdhëruar që sa më tepër ta terrorizojë atë, ta vrasë, të masakrojë e të dhunojë, në mënyrë që sa më tepër të shkatërrohet qenia e tyre psikologjike, njerëzore. Dhe, nga ky terror, ajo kurrë më nuk do të mendojë për kthim, nëse mund të vijë një kohë paqeje. Brenda këtij viti, shqiptarët llogarisim t’i kthejmë në pakicë kombëtare në Kosovë. Në një vizion më të gjatë edhe atë pjesë të mbetur do ta asimilojmë, duke ua mohuar të gjitha te drejtat, shkollat, arsimin, punën. Këtë strukturë do ta ndërronim me prurjen e popullatës sonë nga Kroacia, Bosnja dhe nga Serbia. Janë plane të detajuara këto, Kryetar, por ne për momentin kemi ende punë. Nga ato që pashë, ju duket se keni filluar mbarë në këtë qytet. Unë ju përgëzoj dhe ju mbështes të vazhdoni edhe më tej të punoni në këtë drejtim.

   - Faleminderit Kolonel! Ne po përpiqemi brenda mundësive dhe mjeteve që na mbeten. Siç e dini, shumë nga mjetet e buxhetit tonë shkojnë në ushtri, dhe me ato që mbeten, e bëjmë ndonjë punë nëpër qytet, - tregoi Kryetari.

   Megjithatë, nëse të paktën, edhe një vazo luleje, apo një gur që në të ka simbole serbe, vendoset brenda ditës rrugëve e shesheve të këtij qyteti, për të ardhmen ka shumë vlerë.

   - Do ta bëjmë Kolonel, - premtoi Kryetari.

   - Unë sot kam ardhur t’ju përgëzoj dhe të bisedojmë për disa çështje rreth planeve tona për ditët që do të vijnë.

   - Me gjithë dëshirë Kolonel, - tha Kryetari.

Për një çast bisedën e ndërpreu hyrja e shërbëtorit me dy kafe dhe gotat e shlivovicës mbi tepsinë e kafes.

   - Lëshoji këtu! - bëri me dorë kah tavolina Kryetari.

   - Si urdhëroni! - tha shërbëtori, tek e vendosi tepsinë me kafet e gotat e rakisë mbi tavolinë dhe u largua drejt derës.

   - Dhe tani, gëzuar Kolonel! - uroi Kryetari. - Mirë se na ke ardhur në qytetin tonë dhe tuajin! - cakërroi gotat ai.

   - Gëzuar për Prizrenin tonë! - uroi Koloneli, dhe gotën e shlivovicës e zbrazi fytit të tij.

  - Po, deshi ta vazhdojë bisedën Kryetari.

   - Sipas planeve tona, z. Kryetar, disa nga paralagjet e këtij qyteti do të digjen, kujtoj se për të gjitha këto ju ka njoftuar edhe Majori dhe jeni në dijeni.

   - Po, po, - pohoi Kryetari.

  - Për të gjitha këto, duhet të kemi një gatishmëri mbështetjeje edhe nga ana juaj, ngase në disa raste do ta kemi nevojën edhe të organeve tuaja. Do të kemi punë me regjistrimin e popullatës së mbetur, të cilën duhet të na e kryejnë organet tuaja, pastaj planet e qytetit, evakuimi i popullatës serbe nëpër lagje të mbrojtura dhe disa plane tjera që kujtoj se me Majorin i keni diskutuar ato.

   - Unë Kolonel, për të gjitha jam në rrjedhë dhe se mbështetja jonë është obligim për Serbinë e madhe. Do ta bëjmë apo jo?! - tha Kryetari dhe e ngriti gotën e rakisë përsëri. – Gëzuar! - tha ai.

   - Faleminderit z. Kryetarë, gëzuar! - i cakërruan gotat të dy.

   Ndejën e tyre e prishi një goditje e aeroplanëve të NATO-s, që goditi diku në periferi të qytetit por që oshtima e asaj krisme depërtoi edhe në zyrën e Kryetarit. Koloneli u kthye përsëri në dhomën e hotelit ku ishte vendosur.

 

 

 

 

 KAPITULLI I DHJETË

 

   - Mbrëmje e mirë, tha Koloneli, tek po i afrohej tavolinës ku po bisedonin majori Stanojeviq, majori Spasojeviq dhe kapiteni Razhnjatoviq. - Më falni se u vonova ca, - vazhdoi ai.

   - Sapo erdhëm, tha majori Stanojeviq, tek po zgjohej në këmbë për të përshëndetur Kolonelin.

   - Që të tre përshëndetën në drejtim të Kolonelit, me dorën ngritur lart mbi vetull, për të nderuar gradën ushtarake të tij.

   - Uluni, ushtarakët e mi, tha Koloneli, pasi nderoi dhe ai me përshëndetje ushtarake. - Si ju shkuan punët sot? - pyeti ai.

   - Jo edhe keq, tha majori Spasojeviq. Disa mijëra shqiptarë më pak, Kolonel. Deri nesër edhe më pak. Brenda disa ditësh ndoshta do ta përzëmë gjysmën e Kosovës.

   - Shkoni sipas planit? - pyeti Koloneli.

   - Për cilën pikë flisni Kolonel? - ndërhyri majori Stanojeviq.

   - Për pikën e dokumentacioneve të identifikimit, - sqaroi Koloneli.

   - Hë, hë, po, - tha majori Stanojeviq. - Çdo dokument identifikimi që e kanë me vete, i detyrojmë t’i dorëzojnë në kufi. Letërnjoftimet, pasaportat, shpesh u gjejmë edhe të holla, pastaj targat e veturave, traktorëve dhe gjithçka që i identifikon, ua marrim.   – Ashtu? - Ju lumtë! - inkurajoi Koloneli. – Taktikën e tmerrit mos e harroni. Herë pas here nxirrni njerëz edhe nga kolona dhe ekzekutoni përpara rreshtit të kolonës. Duart i keni të lira. Kështu do t’i tmerrojmë më tepër dhe kurrë nuk do t’u bie ndërmend për kthim prapa.

   - Mos e ki dert Kolonel, - tha kapiten Razhnjatoviqi, që deri në ato çaste vetëm kishte dëgjuar.

   - Faleminderit Kapiten! - falënderoi Koloneli.

   - Për Serbinë e madhe, apo jo? - shtoi kapiteni Razhnjatoviq.

   - Bukur e the, - tha Koloneli,  po, planin e studiuat?

   - Për çdo detaj, - tha majori Stanojeviq.

   - Gjithashtu, - pohoi majori Stankoviq.

Kapiten Razhnjatoviqi, vetëm pohoi me kokë, duke iu bashkuar përgjigjeve të të dy oficerëve tjerë.

   - Po mirë, - tha Koloneli dhe ndërpreu për një çast, derisa kamerieri që po shërbente, ua solli gotat e mbushura me shlivovicë. Keni vërejtje apo të shtoni diçka rreth planit një,  vazhdoi ai.

   - Unë jo, - tha kapiten Razhnjatoviqi.

   - Unë nuk kam të shtoj, por për të pyetur Kolonel, - tha majori S. i ushtrisë. Nëse nuk arrijmë ta realizojmë këtë plan deri në fund, keni plan tjetër në vazhdim? - pyeti ai.

   - Prandaj dhe e caktova këtë takim, - u përgjigj Koloneli. Ekziston një plan i dytë, në ndonjë rast të dështimit të të parit, dhe ky plan duhet të zbatohet në përpikëri në rast të ndonjë marrëveshjeje të mundshme me NATO-n.

   - Me dëbimin e popullatës, duhet të vazhdohet bile deri në shqiptarin e fundit nga ky qytet. Atë duhet ta tmerroni sa më tepër, në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më pak punë me ta. Në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje me NATO-n, mund të na mbeten shumë njerëz në këtë qytet. Nëse neve na vihet ndonjë kusht për largim nga këtej, popullata jonë do të na mbetet e shpërndarë nëpër lagje të qytetit. Këtu është e nevojshme të krijohet një zonë ndarëse që do ta ndante qytetin. Pra, për popullatën tonë të caktohet një ndarje e qytetit, brenda së cilës, në të ardhmen shqiptarët, as që do të mund të hynin në atë zonë. Kështu që, gjysmën e qytetit do ta kemi të sigurt dhe nën kontroll tonin. Në një marrëveshje të mundshme me NATO-n, do të kërkonim të na sigurojë mbrojtje të popullatës civile serbe dhe automatikisht një pjesë e ushtarakëve, paraushtarakëve dhe luftëtarëve tanë, do të futeshin në radhët e civilëve. Ata do të kenë detyra të caktuara. Pra, për zonën që ju fola, atë, o ta ndajmë në pikat më të përshtatshme të qytetit prej nga edhe do të mund ta mbajmë nën kontroll, o t’i bllokojmë të gjitha arteriet e qytetit dhe pjesët më të mira të tij që t’i futnim në duart tona. Një ndarje të mundshme unë e kamë formuluar, por ajo mund të plotësohet nga ana juaj, ngase ju tani e njihni më mirë se unë situatën në brendinë e qytetit. Nga pjesa jugore, një kufi i mundshëm do të ishte spitali, në mënyrë që ta kemi vetë në duart tona. Kjo do të vazhdojë jug-perëndimit deri në varrezat e qytetit dhe lumi Bistrica, si vijë ndarëse. Të kthehem nga spitali, deri te pjesa mbi basenet e qytetit, në mënyrë që ujin ta kontrollojmë vetë, nga aty, do të vazhdojë e gjithë lagjja e mbispitalit në drejtim të lagjes ”Bylbyldere”, pastaj pjesa e fabrikës së Farmakosit të vjetër, e deri në kalanë e qytetit. Një vijë e sigurt ndarëse për gjithë zonën veriore nga internati e deri te pjesa e nënklasë, do të jetë lumi dhe me këtë do ta siguronim një vijë të mirë mbrojtëse. Urat do t’i kontrollojmë vetë. Më duhet studiuar me ndihmën tuaj planin e pjesës përtej lumit, duke e prerë një pjesë të qytetit, nga rruga për te stacioni që nis në Tabahane, për të vazhduar me pjesën kah salloni i mobilieve dhe lagjet që i takojnë krahut të kazermave tona deri në Lubizhdë e Gërnçar. Nga kodrat mbi kazermë, nuk na rrezikon kush, ngase atje janë popullata myslimane dhe janë me ne. Edhe ky plan, kërkoj të studiohet nga ana juaj dhe ta plotësojmë nëse ka vend për të. - Derisa i tha këto fjalë, Koloneli ua shpërndau nga një dosje të tre ushtarakëve.  - Keni pyetje? -vazhdoi Koloneli.

   - Për momentin jo, - pohoi major Stanojeviqi.

Edhe major Spasojeviqi  vetëm e luhati kokën në shenjë pohimi se nuk kishte ndonjë pyetje.

   - Ndoshta, pasi ta kemi analizuar planin, - tha kapiten Razhnjatoviqi, tek po e fuste në një çantë dosjen që ua kishte shpërndarë Koloneli.

   - Meqë nuk keni ndonjë pyetje të veçantë rreth planit, atëherë gëzuar dhe për Serbinë e madhe! - uroi Koloneli, derisa po e bënte gati gotën me raki dhe po priste ta cakërronin me oficerët tjerë.

Një cakërrim gotash u dëgjua mbi tavolinë.

   - Gëzuar! - uroi majori  Stanojeviq.

   - Gëzuar! - tha edhe majori Spasojeviq.

   - Gëzuar! - uroi kapiten Razhnjatoviqi, dhe vazhdoi: Për një Kosovë, pa farën e shqiptarëve!

   - Të lumtë! - ndërhyri Koloneli. - Kosovën do ta bëjmë Serbi dhe në një të ardhme, ky emër nuk do të ekzistojë, - vazhdoi ai.

Edhe një herë gëzuar! - uroi Majori. - Këtë herë nga unë, - shtoi ai, edhe një cakërrim gotash u shpërnda gjithandej restorantit të hotelit.

   - Nëse kemi mbaruar, unë dua të iki, - tha major Spasojeviqi.

   - Edhe unë, - tha kapiten Razhnjatoviqi.

   - Jeni të lirë, - foli Koloneli.

   - Unë do të rri edhe pak, - shtoi major Stanojeviqi.   

Pasi u përshëndetën, të dy oficerët ikën nga salla e restorantit, ndërsa aty pranë tavolinës mbetën Koloneli dhe majori Spasojeviq.

 

 

 

 

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

 

   Koloneli dhe Majori kishin kohë që po bisedonin aty pranë tavolinës rreth dritares së restorantit të hotelit. Herë pas here i cakërronin gotat e rakisë dhe vazhdonin bisedën. Përtej, nëpër sallën e madhe të restorantit, pak njerëz gjejnë motiv për argëtim.    Ndoshta lufta është faktori që ka kaq pak njerëz në restorante. Përtej, pranë një tavoline, një plak i vetmuar, herë pas here i bie tavolinës, derisa nuk e ndan nga goja: - këtu është Serbi!

   Dy të rinj tjerë, pranë një tavoline, bisedojnë me njëri tjetrin dhe herë pas here i cakërrojnë gotat me raki.

   - Është dehur, - tha Koloneli, derisa po shikonte në drejtim të plakut të vetmuar aty pranë tavolinës.

   - Duhet ta ketë ndonjë hall, - tha Majori.

   - Ndoshta.

   - Të paktën, mua ma merr mendja ashtu, - plotësoi Majori.

   Kamerier! - thirri Koloneli, në drejtim të banakut ku po rrinin në këmbë dy të rinj.

   I riu erdhi vrap në drejtim të Kolonelit. – Urdhëroni! - tha ai.

   - Një gotë raki për atë plakun atje! - bëri me kokë Koloneli në drejtim të plakut të vetmuar.

   - Si urdhëroni! - tha kamerieri dhe shkoi në drejtim të banakut. Ai e mbushi gotën e rakisë dhe i solli në tavolinë plakut të vetmuar. - Kjo raki për ju,  i tha kamerieri plakut. - Është nga zotëria atje, - dhe bëri me dorë në drejtim të Kolonelit.

   - Plaku e ktheu kokën dhe shikoi andej nga bëri me dorë kamerieri, ndërsa ai ngriti gotën e rakisë dhe nuk e hoqi nga buzët, derisa e zbrazi edhe pikën e fundit.

   - Gëzuar! - bëri me një ngritje gote Koloneli në drejtim të plakut dhe mbeti duke e shikuar, derisa tjetri e zbrazi të tërën.

   Një mospërfillje sikur e ndjeu Koloneli, por ia la ndikimit të alkoolit. Ndoshta rakia e ka bërë të vetën, - mendoi në vete.

   Edhe Majori hetoi një mospërfillje të plakut, bile ai e kishte hetuar, se kur plaku e ktheu kokën andej, diç paskësh mërmëritur nëpër dhëmbë, por qe e pamundur të kapej ndonjë fjalë nga andej. E gjithë kjo, Majorit i erdhi si një lloj mllefi që e kishte shprehur plaku përtej.

   - E ka zënë rakia, - tha Majori, sa për ta thyer heshtjen.

   - Me siguri, - shtoi Koloneli që shikimin po e mbante gjithmonë andej.

Kur tjetri e ktheu kokën në drejtim të Kolonelit, ai bëri me dorë në drejtim të plakut, duke e ftuar në tavolinë.

   Do t’ia pyes hallin, - tha Koloneli dhe u drejtua kah Majori.

   Plaku nga tavolina përtej, u zgjua, dhe duke bërë disa hapa të deformuara ndërmjet tavolinave të restorantit, u afrua pranë tavolinës ku po bisedonin Koloneli dhe Majori.

   - Urdhëro ulu! - tha Koloneli dhe e përshëndeti tjetrin.

Plaku bëri një lëvizje vetëm me kokë, në formë përshëndetjeje dhe u ul pranë të dy oficerëve.

   - Gëzuar xhaxha! - dhe cakërroi gotën Majori.

   - Gëzuar! - uroi tjetri me një gjysmë toni.

Majori e hetoi përsëri, se diçka nuk po i shkonte këtij mesi, por prapë e mbylli heshtjes dhe dyshimit në dehje.

   - Për Serbinë e madhe! - cakërroi Koloneli.

   Tjetri vetëm e cakërroi gotën dhe e ngriti atë deri në pikën e fundit. Kur e lëshoi shishen mbi tavolinë, u drejtua kah Koloneli: - Doni të na hidhni hi syve, neve popullit, Kolonel? - vazhdoi ai derisa po e shikonte te gradat mbi uniformën ushtarake. Mjaft na ushqyet me përralla të kota. A nuk e shihni ju, se çdo ditë e më tepër po e humbim luftën. E gjithë bota godet mbi kokat tona, ndërsa ne ushqehemi me iluzione. Nuk ka ditë që na godasin e na vriten djemtë tanë dhe ju flisni për fitore. Flini divaneve të buta ju Kolonel, flini! - Djemve tanë as edhe eshtrat s’po u gjenden. Po na i grijnë çdo ditë granatat e NATO-s dhe ju më flisni për Serbi të madhe. Mirë e keni ju. Atje në Beograd rrini hoteleve. Punë e madhe për djemtë tanë, le të bëhen copë e grimë këtu në Kosovë.

Derisa plaku po fliste me gjithë këtë mllef, Koloneli dhe Majori kishin mbetur të habitur. Koloneli ishte penduar pse e kishte ftuar në tavolinë, ndërsa Majori ofshante nganjëherë.

Po, po, e kam me gjithë mend unë. Djemtë tanë u bënë copë e grimë kësaj toke të mallkuar dhe ju gëzoni hoteleve. Po ç'ju  desh  djalit tim  Kosova?! - mirë e kishte në Valevë. Po ja, ju na mashtruat, na premtuat toka, punë e jetë më të mirë në Kosovë. E sheh, tani edhe eshtrat s’mund t’ia gjej. Nga komanda në komandë, nga zyra në zyrë, asgjë. Thonë se fshatin ku kanë qenë të pozicionuar ushtarët tanë e ka goditur NATO-ja dhe e ka rrafshuar me tokë. Nuk e gjeti asgjë në atë vend. Vetëm copa të ushtarëve që tani ushqehen qentë me mishin e djemve tanë. Po, po! - Ç'më shikoni me habi? - Mish për qen e për korba jemi bërë. Mirë e kemi ne serbët, ç’na duhet neve të vijmë në tokë të huaj.

   - Mjaft më! - bërtiti Majori dhe e kapi për krahu plakun. - Shporru nga këtej! - vazhdoi ai derisa po e nxirrte përtej derës së hotelit.

   - Një krismë e vetme u dëgjua përpara derës së hotelit dhe disa sirena policie u mblodhën aty përpara.

   - Bukur ia bëre, - tha Koloneli, derisa Majori po kthehej në tavolinë, - edhe kjo duhet t`u hidhet shqiptarëve mbi shpinë, sonte bëje dhe një komunikatë për medie dhe nesër i dini masat kundër tyre, - porositi Koloneli.

E qartë Kolonel, - tha Majori tek po e rregullonte revolverin e tij në brez.

 

  

KAPITULLI I DYMBËDHJETË

  

   - Mbrëmjet ishin ca më të qeta për nga ritmi i sulmeve të NATO-s që goditnin mbi pozicionet e ushtrisë serbe. Sidomos në qytetin buzë Lumëbardhit, ato të jepnin kënaqësi po të mos ishte gjendje lufte. Vetëm qytetarët serbë gëzonin matanë lumit. Ata argëtoheshin restoranteve e bareve që kryesisht pronarët e tyre ishin të vetët. Kishte aty- këtu edhe ciganë e myslimanë që nuk i ngacmonte pushteti. Vetëm pronarët shqiptarë i mbyllnin dyqanet pa rënë terri dhe iknin drejt shtëpive të tyre. Ishin të paktë edhe ata që kishin mbetur, sepse pjesa dërrmuese kishte ikur për në Shqipëri, ndërsa në dyer të dyqaneve të tyre, prej kohësh ua kishin vënë drynin. Zhurmat e muzikave që shpërndaheshin nga radiot e restoranteve, herë pas here depërtonin deri në hollin e hotelit ku po bisedonin Koloneli e Majori. Herë pas here ndonjë këngë i jepte kënaqësi edhe Kolonelit. Ai ndjehej si në Serbi dhe e gëzonte pa masë.

   - Gëzuar Major! - tha Koloneli dhe e ngriti gotën e mbushur ma raki.

   - Gëzuar! - uroi Majori dhe e cakërroi gotën me atë të Kolonelit.

   - Për Serbin e madhe! - shtoi Koloneli.

   - Urojmë kolonel! - uroi Majori.

Të dy oficerët i zbrazën gotat deri në pikën e fundit të rakisë.

   - Major, - vazhdoi Koloneli, - këtu në qendër të qytetit ndihem si në Serbi, por nuk e di si do të ndihesha në paralagjet e këtij qyteti, - tha Koloneli.

   - Majori u ndal për një çast dhe u mendua pakëz. Kolonel, - ofshau ai, - paralagjeve të qytetit ka tjetër frymë. Atje ka popullatë kryesisht shqiptare. Edhe pse është gjendje lufte dhe ata heshtin brenda shtëpive të tyre, zemërimi që e kanë kundër ushtrisë dhe policisë sonë, sikur duan të na gëlltitin. Dhe unë druaj se po të shpërthejë ai zemërim mbi ne, do të jetë i pamëshirshëm. Kjo, për faktin se ne gjithmonë i kemi mbajtur nën shtypje e dhunë, dhe kjo dhunë druaj se do të na hakmerret. Prandaj, jeta në këto mese, gati-gati është e paimagjinueshme. Të pushton pa siguri posa të futesh në këto mese. Pastaj, ata të UÇK-së i kanë futur njerëzit e vet nëpër këto paralagje dhe gjithmonë ka rrezik. Ç’është më kryesorja, shqiptarët janë të panënshtrueshëm, në veçanti kundrejt dhunës, prandaj, edhe fryma në këto mese vështirë mund të ndryshohet.

   - Mirë, mirë Major, po të veprohet si me lagjen e Tuzsuzit, ç'thoni ju? - pyeti Koloneli.

   - Ndoshta me këtë keni të drejtë, Kolonel.

   - Unë raportet për sulmet mbi këtë lagje i mora deri sa isha në Beograd, por ndonjë informacion tjetër nga oficerët tuaj, apo nga ju, nuk mora. Kam dëshirë të di zyrtarisht për rrjedhën e aksionit nga ana juaj, - kërkoi Koloneli.

   - Po, - tha Majori, - siç ju kam shkruar edhe në raportin zyrtar për ofensivën në Tuzsuz. Kjo paralagje që nga fillimi i luftës, na ka nxjerrë telashe. Janë popullsi e pabindur për pushtetin tonë. Bile-bile, ata e kanë mbështetur luftën plotësisht, dhe thuajse çdo i ri i tyre, hyri në radhët e UÇK-së dhe vepron në anët e Vërrinit.

Edhe popullsia civile i mbështeti ata. I furnizon me ushqime, i mbajnë nëpër shtëpitë e tyre kur ndërmarrin aksione kundër ushtrisë sonë. Kemi pasur disa sulme nga ana e UÇK-së në këtë lagje dhe siguria jonë atje është tepër e rrezikuar.  Janë popullsi e pabindur për pushtetin tonë. Prandaj, ndërmorëm ofensivë ndëshkimi. Fillimisht e rrethuam lagjen. Gjithçka vumë nën kontroll nëpër hyrje-daljet e saj. Pastaj, ju e dini se atje ka edhe popullsi myslimane dhe si e tillë, ne kemi njerëzit tanë të besuar brenda lagjes. Kjo ishte mundësia e mirë që snajperistët tanë t’i vendosim nëpër nënkulme të shtëpive për ta mbajtur larg kontrollin në rast të ndonjë kundërsulmi nga ushtarët e UÇK-së që gjendet maleve të Vërrinit. Ndërkaq, ekspeditat tona të këmbësorisë, duke e koordinuar aksionin ushtri-polici-paramilitarë, filluan të hyjnë lagjes dhe shtëpi për shtëpi duke i nxjerrë njerëzit që gjendeshin në to. Kuptohet, duke i ndarë me ndihmën e bashkëpunëtorëve tanë. Ata që u gjetën nëpër këto shtëpi, i vramë të gjithë. Kishte në mesin e tyre, pleq, plaka, aty këtu ndonjë burrë i moshave të mesme dhe disa të rinj. Pati edhe fëmijë e persona me të meta fizike. Pra, është një laramani moshash, që vrasja e tyre u krijoi tmerr edhe banorëve të lagjeve tjera përreth. Kështu, frika te ta do të jetë më e madhe. Pra, më lehtë do ta kemi pastaj përzënien e popullatës tjetër shqiptare nga ky qytet. I dogjëm edhe dyqind e pesëdhjetë shtëpi, që të gjitha ishin të shqiptarëve. Jetën për shqiptarët atje e kemi bërë të pamundshme dhe se pjesa tjetër e popullsisë është përzënë për në Albani. Mendoj se me këtë ofensivë, atje janë përmbushur synimet e planeve tona për spastrim  etnik. Atje plani është zbatuar në tërësi dhe asgjë nuk ka mbetur pa u realizuar. Kështu që, nga analizat që i kam bërë planit tuaj të parë, mendoj se shumë me të drejtë e parashihni suksesin e  planeve tona, nëse veprohet njëjtë edhe me paralagjet tjera. Dhe pastaj, rrethi i të jetuarit të shqiptarëve në këtë qytet, do të ngushtohej shumë apo edhe do të jetë e pamundur për të jetuar këtu. Një pjesë e madhe do të ikte me sulmet, ndërsa pjesa tjetër që do të mbetej, do ta kishim shumë më lehtë me ta. Dhe, nga përvoja ime, që unë parashoh për të ardhmen Kolonel, në rast se do të arrihej ndonjë marrëveshje me NATO-n, ne duhet  brenda këtyre ditëve të marrëveshjes, të sjellim sa më tepër popullsi tonën këtu, qoftë nga serbët e Kroacisë që i kemi nëpër kampe, apo edhe nga ata të Bosnjës, në mënyrë që sa më parë ta ndërrojmë strukturën e popullsisë këtu. Ne i kemi në dore të gjitha, edhe dokumentacionin e kadastrave, edhe organet tjera për dhënien e dokumenteve të identifikimit, si në prona si në identitet. Pra, ato do t’i bënim shumë shpejt duke bashkëpunuar me institucionet civile tonat.

   - Keni ide të mrekullueshme Major, - ndërpreu Koloneli. - Ne për një kolonizim të menjëhershëm nuk e patëm menduar sa duhet, ngase kishim frikë, por vetëm nëse do të pajtohej popullata jonë të vinte këtu, brenda kësaj situate. Ideja juaj është shumë e qëlluar. Këtë ide tuajën do ta përcjell menjëherë në Beograd dhe nga atje, pastaj do të vendosim për veprim.

   - Gëzuar Kolonel! - e ngriti gotën e  mbushur me raki Majori. Gëzuar! - tha tjetri dhe  cakërruan gotat. - Për Serbinë e madhe! - shtoi Koloneli.

   - Gëzuar! - përsëriti Majori.

Të dy oficerët  ngritën edhe disa gota me raki, njërën pas tjetrës derisa  mbaruan shishen e shlivovicës. Pas një përshëndetje që i bënë njëri tjetrit, - shihemi nesër, - tha Koloneli

   - Natën e mirë! - uroi Majori dhe iku drejt daljes së hotelit.

   Koloneli u ngjit shkallëve përpjetë drejt dhomës së tijë.

 

  

KAPITULLI I TREMBËDHJETË

 

   Këtu do të vendosemi me shatorret tona, - dha urdhër Koloneli, dhe pastaj të gjithë ushtarët e batalionit që ai i komandonte, filluan të vendosnin shatorret gjithandej pyllit që i vishej kodrave përpjetë. Batalioni, nën komandën e tij, kishte ardhur nga Serbia për të mbaruar ushtrinë në territorin e Kosovës. Këtë urdhër ai e kishte marrë nga lart, ngase ushtarakët e tij duhej ta njihnin mirë territorin e Kosovës, që kur të fillojë lufta, të ishin të përgatitur. Regjioni i Zhupës ishte vendi që e kishte zgjedhur Koloneli në planet e tij. Atje e kishte mbështetjen e popullatës serbe të Sreckës por edhe fshatrat përreth, kryesisht popullatë myslimane-boshnjake që i afronte gjuha e njëjtë. Te kjo popullatë, ushtria e tij e kishte mbështetjen dhe simpatinë dhe si e tillë ajo sillej butë me ushtrinë e tij. Nga aty, më pastaj nga kodrat përreth, Koloneli kishte mundësi ta hulumtonte territorin, si pjesën e qytetit po ashtu edhe të fshatrave shqiptare përreth.

   - Shatorren time vendoseni këtu në skaj të pyllit, - dha urdhër Koloneli në drejtim të ushtarëve që ato çaste po i tërhiqnin litarët e shatorres që po e shtrinin për montim.

   - Si urdhëroni Kolonel! - tha njëri nga ushtarët që po e udhëhiqte njësitin e montimit të shatorres.

   - Dhe tani shkojmë, - i tha ushtar Milanit, shofer i tij. Ata u nisën ne drejtim ë fshatit poshtë tyre. Fshati që shtrihej shpatit teposhtë dukej si në pëllëmbë të dorës nga shatorrja e Kolonelit. Duhej të ishte një fshat me rreth dyqind shtëpi dhe me popullatë myslimane. Këto elemente i dinte mirë Koloneli. Ishin popullsi e bindshme për pushtetin. Bjeshkët i kishin rritur të shëndoshë këta malësorë. Ishin bukuritë e natyrës përreth, ajri i pastër, ujërat e kulluar të Sharrit dhe klima shumë e përshtatshme në këto bjeshkë.

   - Ka vasha të bukura në Zhupë, - i tha Koloneli ushtar Milanit, tek po shikonte përskaj një grupi vajzash që po kalonin anash rrugës.

   - Kam dëgjuar dhe unë, - tha Milani.

   - Dhe tani, po i sheh vetë, - tha Koloneli, duke buzëqeshur në drejtim të vashave që po anashkalonin përskaj xhipit ushtarak që e ngiste ushtar Milani.

   - Kanë veshje shumë interesante, - shtoi ushtar Milani.

   - Prapa kësaj veshjeje fshihet bukuria e tyre, - vazhdoi Koloneli. - Kujdes se mos i shkel nga habia, - shtoi ai në drejtim të ushtar Milanit.

   - Mos e ki frikën Kolonel,- shtoi ushtar Milani. - Ke qenë dhe herë tjera këtej? - pyeti ai.

   - Gati çdo vit në fund të majit, - u përgjigj Koloneli.

   - Hë, hë, ndaj i njeh mirë këto anë, - tha ushtari.

   - Ndoshta shumë më mire se disa vende në Serbi, - shtoi Koloneli. - Në këtë dyqan do të ndalemi, - urdhëroi ai në drejtim të ushtar Milanit.

Si urdhëroni Kolonel! - dhe e bëri një skajim të veturës përskaj rrugës.

   Mbi dy orë ata ndenjën në dyqan. Dyqani kishte dy-tri ulëse dhe ty tavolina në njërin skaj. Aty ishte ulur Koloneli dhe ushtar Milani. Gati gjysmë litër shlivovicë e piu Koloneli.

   - Shkojmë tani, - tha ai.

   - Si urdhëroni Kolonel! - tha ushtari dhe u zgjuan nga vendi.

   Rrugës, korzoja e vajzave që po shëtisnin përmes fshatit po vazhdonte. Ato, të ndara nëpër grupe, bisedonin e qeshnin mes vete. Ndërsa mbrëmja që po afronte, i kishte mbushur rrugët përplot të rinj.

   - Të thashë, - vazhdoi Koloneli. - Këtu vashat janë të shëndosha si molla. I ka rritur bjeshka, - i tha Milanit, ndërsa shikimin po e derdhte në drejtim të të dy vashave që po ecnin krah njëra-tjetrës përskaj rrugës. Koloneli vazhdoi ta tërhiqte dorëzën që e ulte xhamin anësor të veturës. Kur u afrua përskaj dy vashave që po anashkalonin përskaj rrugës, - ndal! - i dha urdhër ushtar Milanit.

   Ushtari frenoi veturën mu përskaj vashave që u ndalën pranë dritares së Kolonelit.

   - Mirëmbrëma! - tha Koloneli i buzëqeshur në drejtim të vashave.

Njëra që kishte flokë të gjatë gati deri në bel, u drejtua drejt Kolonelit, me një buzëqeshje, - mirëmbrëma!

   - Mbrëmje e bukur për korzo, - tha Koloneli me një buzëqeshje të lehtë.

   Të dy vajzat vetëm u buzëqeshën, por nuk folën fjalë.

   - Ndoshta më mirë do të ishte të ishim bashkë, - vazhdoi Koloneli.

   Të dy vajzat u ndien ngushtë. Shtëpitë e fundit të fshatit dukeshin përtej, por ato gjendeshin jashtë fshatit. Ndoshta një dozë e frikës ua kishte vjedhur fjalët, pastaj, Koloneli ishte me veshje ushtarake. Mes ëmbëlsisë së fjalëve të Kolonelit, preheshin zakonet urdhëruese prej oficeri. Pastaj, shlivovica e bënte më të ashpër atë. Ec e kundërshto!

   Të dy vashat i rrudhën krahët, dukeshin edhe të frikësuara. Nuk ishin ndeshur kurrë me ushtarakë, pos ato që kishin dëgjuar nga më të vjetrit për ushtarakët dhe regjimet e tyre.

   Këtë heshtje të vashave, Koloneli e mori si pajtim. - Hyni brenda, - urdhëroi ai  në drejtim të vashave, duke aluduar në xhipin ushtarak.

   Të dy vashat u shtangën dhe ashtu të mpira kishin mbetur përskaj makinës.

   - Ç'prisni? - tha Koloneli me një ton të ashpër. - Doni unë t’jua ndihmoj?

   Flokëgjata ashtu e frikësuar, e hapi derën dhe të dy vashat u futën në ulëset e prapme të makinës.

   Mos u frikësoni zogëza, - tha Koloneli, tani me një butësi në drejtim të vashave. - Asgjë e keqe s'do t’ju gjejë.

   Vazhduan rrugën në drejtim të shatorreve që ishin vendosur atje skaj pyllit, ndërsa terri i natës gjithnjë e më tepër po zbriste në tokë.

   Ishte kjo nata e paharruar e Kolonelit, që e kishte kaluar me flokëgjatën. Të nesërmen, të dy vashat përsëri i kishin kthyer në fshat. Kush s’kishte guxuar të përfolte apo të zinte ndonjë llaf për Kolonelin.

   Të gjitha këto kujtime po i vinin si ditë të paharruara dhe ditë e net më të lumtura për të. Kujtimet e atyre ditëve ia kishte trazuar vasha me flokë të gjatë dhe veshje karakteristike të vashave të Zhupës, që ato çaste e gjeti në dhomën e hotelit ku banonte ai.

   - Prapë Majori, - tha me vete. - Është djall ai. - Duket se ma njeh merakun, - rrotulloi nëpër mendje këtë mendim koloneli.

 

  

KAPITULLI  I KATËRMBËDHJETË

 

   Drurët e pemëve përskaj rrugës, mbeteshin prapa vrapit të makinës me të cilën po udhëtonte Koloneli dhe Majori S.....    Djathtas zgjatej kolona e njerëzve të depërtuar me dhunë nga ushtria dhe policia, ndërsa majtas përtej drurëve të pemëve përskaj rrugës shtriheshin fushat bukanike. Përtej rrjedhës së Lumëbardhit, fillojnë ca kodrina të vogla dhe përsëri një rrjedhë lumi i ndan ato. Brenda atyre grykave, mes kodrave, veç sa ka filluar gjelbërimi i pranverës që zverdhet tek në vjeshtën e vonë. Natyrë e qetë me plotë bukuri e gjelbërim. Kjo po i linte përshtypje Kolonelit. Ai e kishte përqendruar shikimin përtej, mes pemëve që po mbeteshin prapa njëra pas tjetrës, dhe po shikonte fushave përtej. Kishte humbur disi. Vetëm shpuza e cigares që ra përtej xhamit ku po e mbante krahun, e nxori nga ato kujtime.

   - Vërrini, - tha Majori.

   - E di, e di, - shtoi mendueshëm Koloneli.

   - E njihni këtë regjion?

   - Hë, hë, hë, - mërmëriti në vete Koloneli.

Majori u ndie i fyer. Iu duk se Koloneli e injoroi atë. E ktheu kokën në drejtim të Kolonës nga krahu tjetër i veturës dhe po vështronte përtej.

Për një çast ra heshtje në veturë. Vetëm klithmat e njerëzve në kolonë dhe vaji i fëmijëve, herë pas here depërtonte në brendinë e veturës.

Koloneli sikur e kuptoi se Majorit diç i kërceu nga koka. Shikoi njëherë nga ai vjedhurazi, derisa tjetri po shikonte përtej xhamit. Ofshau thellë dhe prapë shikimin e përcolli përtej fushave të gjëra.

   - Vërrini, - pëshpëriti sërish.

   Majorin e nxori nga ai shikim përtej xhamit, u kthye dhe vështroi në drejtim të Kolonelit, i hodhi një shikim gradës së tij dhe sikur e pushtoi një ndjenjë lakmie për ato shenja mbi krahët e Kolonelit.

   - Po, po, - vazhdoi Koloneli, - Vërrini.

Prapë heshtje. Vetëm zhurmat e jashtme e thyenin atë.

   E njoh që moti këtë regjion, Major, - u përgjigj Koloneli dhe vazhdoi: Më lidhin shumë ngjarje me të.

   - Më tridhjeteshtatën kur qeveria jonë e shpalli planin për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, të parët tanë të vendosur në Sreckë, ku ishin edhe gjyshi im dhe babai, kishin vendosur të dyndeshin nga atje. Si tokë më pjellore dhe më e përshtatshme ishin gjetur ato fusha atje, i sheh ti? - dhe bëri me gisht në drejtim të fushave që shtriheshin përtej Lumëbardhit. Mbreti kishte vendosur t’ ua jepte ato toka.  U takonin shqiptarëve ato, por meqë ata duhej të shpërnguleshin për Turqi, ato toka do të mbeteshin pa pronarë. Kështu që, të parët tanë automatikisht përfitonin nga ky plan. U mor vendimi nga kryetari i vilajetit të atëhershëm dhe të gjithë banorët e  kombësisë serbe nga Srecka filluan të barteshin. Bartja e tyre zgjati tri ditë. Morën me vete kafshët, bagëtinë, gjësendet shtëpiake dhe gjithçka që mundën. Karvani kishte kaluar nëpër fshatrat e Zhupës, nëpër disa fshatra të Vërrinit dhe atje mes atyre dy fshatrave, në ato fusha ishte ndalur. Aty ishin vendosur. Pastaj i kishin ndarë tokat dhe secila nga familjet kishin filluar të ndërtonin shtëpi, kuptohet me ndihmën e fondit të mbretit. Mbi këto toka kishin rrojtur gati për katër vjet. Për këto pak vite sa kishin jetuar aty, kishin jetuar mirë ngase toka ishte shumë pjellore. Edhe për bagëtinë kishte kullosa. Për sigurinë e tyre kujdeseshin xhandarët e mbretit. Kishte pasur edhe ankesa të shumta nga banorët vendas për tokën e marrë, por pushteti ishte në duart tona. Megjithatë, këto ditë të mira, siç tregonte babai, nuk kishin zgjatur shumë. Me invadimin e okupatorit nazifashist, edhe në këto anë dhe me rënien e ushtrisë dhe të policisë sonë, siguria e këtyre kolonëve kishte mbetur në duart e askujt. Nazifashistët i kishin interesat e veta. Vendësit kishin filluar të organizoheshin rreth interesave të tyre nacionale. Kjo e bëri të pamundshme jetesën e mëtejme në këto toka të banorëve të ardhur. Dhe, më dyzetenjëtën, banorët e Sreckës, prej andej nga kishin ardhur edhe u kthyen. Kështu që, i gjithë plani për kolonizimin e kësaj zone dështoi. Është shumë çudi se, banorët e kësaj ane janë të lidhur aq shumë në vendin e tyre, saqë, vdesin e nuk e lëshojnë atë. Asnjë shqiptar i kësaj ane, gjatë asaj kohe, nuk u shpërngul për Turqi, përkundër dhunës së pushtetit. I gjithë plani për kolonizimin e këtij territori, dështoi. Kjo është plaga Major, - tha Koloneli dhe përsëri e hodhi shikimin përtej fushave të gjëra.

   - Nuk e kam ditur se të parët e tu paskan qenë nga Srecka.

   - Gjysmë sreckali, - ndërhyri Koloneli. - Babai im kishte ardhur nga një fshat i Kralevës. Histori e gjatë është kjo, - vazhdoi ai.

Një rrëmujë përtej kolonës së njerëzve që po iknin teposhtë rrugës, e ndërpreu bisedën. Dy ushtarë përtej kolonës po e tërhiqnin për krahu një vashë të re dhe po e drejtonin kah një shatorre, që ngrihej nja njëqind metra përtej rrugës. Vasha bërtiste dhe kacafytej me ushtarët, por ishte e pafuqishme për t’i kundërshtuar ata. Siç dukej, ajo ishte nxjerrë me dhunë nga kolona dhe tentonte t’u ikte nga kthetrat. Ata e tërhiqnin zvarrë në drejtim të shatorres që dukej diku në fushë nga krahu i Kolonelit.

   - Ç'po ndodh? - Pyeti Koloneli.

   - Asgjë e jashtëzakonshme Kolonel, si përherë, - tha Majori.

   - Zogëz e bukur.

   - Janë të egra, nuk na binden, - tha Majori.

   - Kush i pyet, - shtoi Koloneli.

   - Jo, jo, as që i pyet kush. – Forca! - plotësoi Majori.

   Makina e tyre vazhdoi drejt shatorres së ngritur atje në fushë dhe u ndal përpara hyrjes. Nga dera doli Koloneli dhe e ndezi një cigare. Ai priste të dilte edhe Majori nga makina.

   - Ç'pret? -  i tha Majorit.

   - Unë do të pres në makinë, - tha Majori, dhe bëri me dorë në drejtim të shatorres.

  

 

 

KAPITULLI  I PESËMBËDHJETË

 

   Koloneli dy-tri herë e thithi cigarishten dhe e hodhi përpara këmbëve. Disa herë e shkeli atë deri sa ajo u tret në dheun e grunajës që sapo kishte filluar të gjelbërohej. Shikoi edhe një herë kolonën e pambarim me njerëz që varej teposhtë asfaltit drejt kufirit. Një buzëqeshje e lehtë e përshkoi. Po e zbrazim Kosovën, - e pushtoi ky mundim. Planet tona po shkojnë mirë, - inkurajoi veten. Edhe një herë vështroi drejt Majorit, ia bëri me dorë atij dhe u drejtua drejt shatorres së improvizuar aty në mes të arave. Me dorën e majtë e ngriti njërën dorë të shatorres dhe së pari e futi kokën në brendinë e saj. Një ndjenjë etjeje e pushtoi. Ishin ndjenjat e moçme të rinisë, ato që nuk e braktisnin me moshën. Përkundrazi, tani ai dhe shokët e tij e kishin rastin. Kjo përvojë e përvetësuar që në rini, i krijonte kënaqësi. E bënte të lumtur, ani pse gruaja e tij priste diku në Beograd. Po dhunime, keni bërë? - Kjo pyetje e gruas, përsëri e pushtoi. Hë, bushtra! - Klithi me vete. - Kush e di nga bredh tani Beogradit, dhe u fut në brendinë e shatorres.

Mbi një tavolinë të improvizuar nga dërrasa të mbuluara me një batanije ushtarake, përpëlitej klithmave një vashë e re me duar të lidhura në të dy skajet e lidhëseve të shatorres. Me flokë të shprishura dhe rroba të shqyera, trupin  gjysmë të mbuluar, ajo përpëlitej klithmave. Më të ashpra ato u bënë kur e panë fytyrën e Kolonelit.

   - Mos ki frikë, zogëz, - tha Koloneli, derisa po afrohej mbi trupin e vashës.

   - Largohuni, të poshtër! – Britmat e saja s'ndaleshin, derisa përpëlitej me duar dhe këmbë të lidhura.

   - S'do të të gjejë asgjë e keqe, - ngushëlloi Koloneli me një zë përkëdhelës.

Largohu, largohu, i poshtër! - bërtiste pa ndërprerë vasha.

   Zemërimi i Kolonelit u shfry mbi rrobat e saja kur i shtrëngoi ato me duar dhe trupi i vashës mbeti i zhveshur. Përpara trupit të saj, lakmia e Kolonelit u shtua. Ai, si një egërsirë, u hodh mbi trupin e vashës. Qafës ia vizatonte njollat e dhëmbëve, ndërsa duart e tija të fuqishme, shtrëngonin pamëshirshëm trupin e njomëzakes. Largohu, m’u hiq, kriminel i poshtër! - klithte pa ndërprerë vasha.

   Ajo i shtrëngoi dhëmbët fuqishëm, dhe me një goditje të kokës së saj mbi ballin e Kolonelit, e hodhi përtej atë.

   - Uh, egërsirë! - klithi Koloneli dhe me dorën e majtë e shtrëngoi ballin e tij. Dora iu mbush gjak. Rrjedha e gjakut filloi ballit teposhtë.

   - Egërsirë! - pëshpëriti edhe një herë ai. Me dorën e djathtë e kapi revolverin që e kishte hedhur mbi rrobat e tij përskaj vashës së lidhur.

   - Një krismë revolveri u dëgjua përtej shatorres. Majori doli vrap nga vetura, dhe lëshoi një zë: - Ç`ndodhi?

   - Asgjë, asgjë, - shtoi Koloneli, tek po dilte nga dalja e shatorres. Ai me njërën dorë e shtrëngonte ballin, ndërsa pikat e gjakut që rridhnin nga vetulla e tij, depërtonin përmes gishtërinjve.

   - Ç`ndodhi, Kolonel? – përsëri pyeti Majori.

   - Egërsira, - tha ai, derisa po e shtrëngonte ballin e tij.

Ç`pate? - nguli këmbë Majori.

Më goditi me kokë kjo egërsirë, - u përgjigj Koloneli.

Dhe?

- I dhashë atë që deshi, - foli Koloneli plot mllef.

Ekspedita në krye me Kolonelin vazhdoi rrugën teposhtë përskaj kolonës e cila zgjatej pa ndërprerë drejt kufirit.

 

 

  

KAPITULLI  I GJASHTËMBËDHJETË

 

   - Bjeshka që po dukej përtej, zbriste si një kujtim i moçëm nga tregimet e gjyshit. Ajo i takonte një të kaluare të hershme dhe shumë të largët që trazonte kujtimet e një historie të hidhur. Historia shpesh përsëritet. Kjo thënie i tingëlloi keq Kolonelit. S'deshi ta kujtonte më, por ja që ajo s’i ndahej nga kujtesa. Historia shpesh ndodh të përsëritet. Mos dhe tani do të ndodhë kjo? Kurrë jo! - inkurajoi veten ai.

  -  Ndjehesh mirë Kolonel?- pyeti Majori.

   - Po, po, - u përgjigj ai.

   - Më dhemb plaga.

  - Kishte kokë të fortë egërsira, - tha Koloneli dhe me dorën e majtë e preku vetullën e lidhur. Përsëri një zymtësi në fytyrë e përshkoi. Ajo i ra si një perde para syve të tij dhe u mrrol fytyrës. Shikimin e kishte ngulitur teposhtë grykës, mes bjeshkëve nga rrjedha e Drinit.

   - Luma, - tha Majori, duke përcjellë shikimin kah Koloneli.

   - Po, po, atje po e vrisja mendjen, - shtoi ai.

   - E dini historinë e saj? - pyeti Majori.

   - Hë, hë, hë! - bëri një klithmë ironike Koloneli. Ai u ndal për një çast, u kthye kah Majori, e shikoi atë dhe përsëri shikimin e derdhi përtej xhamave të veturës, drejt bjeshkëve që ngriheshin thepores njëra pas tjetrës.

   - Ju kam folur për gjyshin tim ndonjëherë, Major? - vazhdoi Koloneli.

   - Jo.

   - Paskeni të drejtë që pyesni, - tha Koloneli. Prapë një heshtje e shkurtër. Unë u pata folur për të parët e mi, Major. Nuk ju pata treguar prej nga erdhën edhe rrethanat e ardhjes për të jetuar këtu në Kosovë.

Gjyshi im, ndjesë pastë, ka qenë oficer në divizionin "Shumadia 1". Në fillim të nëntorit të njëmijë e nëntëqind e dymbëdhjetës, nën udhëheqjen e gjeneralit Bozhidar Jankoviqit, ata hynë në Prizren. Pra, është fjala për fillimet e para të Luftës së Parë ballkanike. Ishte koha e aleancës sonë me Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë. Në atë kohë, gjenerali Jankoviq, nisi grupimin e forcave tona për operacionin drejt Adriatikut. Pra, në këto forca që ishin bashkuar nga divizionet "Shumadia 1" dhe "Drina - 2" të vendosura në Prizren e Gjakovë, ishte edhe gjyshi im. Ata e kishin krijuar "Repartin e Lumës", i cili e kishte marrë për detyrë të pushtonte krahinat e Hasit, Vërrinit, Opojës e Gorës dhe për ta çarmatosur popullsinë e këtyre anëve. Ushtria jonë në atë kohë kishte angazhuar një forcë prej gjashtëmbëdhjetëmijë tytash. Ishte pra një forcë e madhe e angazhuar në këtë mision. Pozita gjeografike por edhe organizimi i kryengritjeve të malësorëve shqiptarë të këtyre anëve, ushtrinë tonë e kishin vënë para një sprove të madhe. Lufta shumë të përgjakshme ishin zhvilluar në këto anë. Epërsia gjeografike e këtyre thepave, organizimi i këtyre malësorëve, por më e keqja, edhe moti shumë i keq që kishte mbajtur gjatë asaj vjeshte i kishte sjellë tepër humbje ushtrisë sonë, si në njerëz ashtu edhe në teknikën ushtarake. Shifrat flasin nga dymbëdhjetë deri në gjashtëmbëdhjetëmijë ushtarë të vrarë nga radhët e ushtrisë sonë. Kishim hyrë grykës se Drinit dhe malësorët sulmonin nga të gjitha anët e kodrave. Na hante vendi, - thoshte gjyshi. Por më e keqja, tërbimi i Drinit nga shirat që kishin rënë atyre ditëve, na i përpiu shumë ushtarë dhe repartet tona që ishin vendosur përgjatë rrjedhës së tij. Kush mundi të ikë, iku, por shumica e ushtarëve tanë u vranë e i mori Drini. Gjyshi dhe disa shokë të tij i kishin shpëtuar këtij rrebeshi të luftës. Kishin ikur maleve në drejtim të Prizrenit. Për disa ditë rresht kishin udhëtuar maleve, pa ngrënë asgjë. Diku në një fshat në këto anë, disa ditë kishin qëndruar mbyllur në një ahur të braktisur, derisa kishte pushuar lufta. Asnjëri nga ata nuk kishin mundur më të ktheheshin për Serbi. Kryengritjet shqiptare kishin plasur gjithandej, por arsyeja ishte se ata kishin dështuar në realizimin e planit dhe pasonte ndëshkimi i mbretit. Kështu që, kishin vazhduar udhëtimin e tyre përskaj rrjedhës së Lumëbardhit. Diku në thellësinë e atyre grykave, atje në lindje të Prizrenit, ishin vendosur në një fshat. Srecka është vendlindja e babait tim. Edhe babai e kishte mbaruar më vonë akademinë ushtarake në Beograd. Gjatë luftës së dytë kishte qenë oficer aktiv në regjimentin e ushtrisë sonë në Prizren, deri në shpartallimin e tij nga nazifashistët. Kishte marrë pjesë edhe në aksionet e OZNA-s gjatë dhe pas luftës së dytë, e edhe në aksionet e mbledhjes së armëve dhe në shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje për në Turqi. Me rënien e pushtetit të Rankoviqit, ai kthehet në Beograd dhe atje mbetëm deri më sot. Unë pra, jam gjenerata e tretë e familjes sonë që e ruajmë traditën akademike në ushtrinë tonë.

   Majori, kishte mbetur i habitur përskaj tij, derisa Koloneli e mbaroi tregimin për gjyshin. - Ju i njihni mirë këto anë, Kolonel? - tha Ai.

   - Jam rritur me tregimet për këto anë, Major, - shtoi Koloneli dhe përsëri e pushtoi një zymtësi fytyrës.

   - Dhe, të shoh të mërzitur, - vazhdoi Majori.

   - Diç tjetër po bluaja në kokë, - u përgjigj Koloneli.

   - Hë, - sikur kërkoi përgjigje Majori.

   - Historia shpesh ka ndodhur të përsëritet, Major. - Këtu e kam hallin.

   - Mos është pesimizëm i tepruar, - tha Majori.

   - Uroj që ky pesimizëm të tretet brenda meje, - uroi Koloneli dhe shikimin e tërhoqi në krahun tjetër të rrjedhës së Drinit pas një granate që e hodhën aeroplanët e NATO-s mbi një kamion ushtarak. - E sheh Major, - pohoi në drejtim të flakës që po dilte nga makina që digjej matanë shpatit.

   Majorit iu prenë fjalët, ndërsa shikimi i kishte ngelur andej nga dilte flaka.

 

 

  

KAPITULLI I FUNDIT

 

   Kodra e bleruar me ngjyrën e pranverës i ndante dy fshatrat që i lidhte rruga gjarpërore. Nga krahu i majtë shtrihej fusha plot gjelbërim i arave të punuara nga dora e bujqve. Viti i luftës i thoshin, por ata grurin e kishin mbjellë që në vjeshtë. Ato tani mugullonin me syrin  pranverës. Në fund të kodrës fillonte fshati, ndërsa në mes të tij gurgullonte uji i gurrës që rridhte fytit të fushave të bleruara.

   - Fshat  i bukur, - tha Koloneli tek po shikonte përtej xhamit të makinës e cila po ecte në drejtim të fshatit.

   - Ka pozitë të mirë gjeografike, - shtoi Majori.

   - Gurra që buron në mes të fshatit, është pasuri që di të falë vetëm natyra.

   - Edhe pozitën gjeografike e ka të mrekullueshme, - plotësoi Majori. Ka disa ditë që ushtarët tanë janë vendosur nëpër shtëpitë e fshatit pasi popullatën e kemi dëbuar nga aty. Secili nga ushtarakët ua kanë vënë syrin këtyre shtëpive, duan të kenë vila pushimi pas mbarimit të luftës. Doni t’ua rezervoj një shtëpi dhe juve Kolonel? - pyeti Majori. Ju vetëm vërjani syrin.

   - Ka qenë ëndërr e babait tim kjo anë, - tha Koloneli dhe shikimin e hodhi në të majtë të rrugës, fushës përpjetë. Nga këtu, thoshte ai, mund ta sundonim gjithë regjionin. Ndërsa këta malësorë nëpër ato fshatra, mes atyre kodrinave, për një kohë të shkurtër, do të shpërnguleshin. Pastaj, do të sillnim kolonë tjerë nga Serbia dhe do t’i popullonim këto fshatra.

   - Tani janë të zbrazëta Kolonel, - ndërpreu Majori.

   - Megjithatë, UÇK-ja i kontrollon ato, - ndërhyri Koloneli.

   - Do të ndalemi në fshat Kolonel, apo të vazhdojmë rrugën? - pyeti Majori.

   - Jo, dua t’i kryejmë detyrat fillimisht dhe në mbrëmje do të kthehemi këtu. Duhet t’i caktojmë sa më parë pikat tona të mbrojtjes, në mënyrë që ushtarët të fillojnë që sot me hapjen e istikameve. Atje lart, sa më parë duhet të vendosen artileria jonë dhe i gjithë potenciali ynë ushtarak. Ndërsa këto kodra, gjithandej nga Pashtriku e deri në Sharr, duhet të mbushen me forcat tona dhe duhet pasur kujdes nga ndonjë ndërhyrje  tokësore nga forcat e NATO-s. Tani për tani, nuk po duket mirë, por kur të ngjitemi lart, atje tek ajo shkollë, - bëri me dorë në drejtim të fshatit atje mbi kodër, duket e gjithë zona. Nga aty do ta kemi më lehtë t’i planifikojmë pikat tona të mbrojtjes.

   - Mendon Kolonel se NATO-ja vërtet mund të sulmojë edhe me këmbësori? - pyeti Majori.

   - Gjithçka është e mundshme. Ata janë në aleancë me UÇK-në, prandaj i njohin mirë mundësitë tona. Ka ditë, që Toni Bleri, kërkon sulme me këmbësori.

   - Dhe ju besoni?

   - Hë, hë, hë, hë! - klithi në vete Koloneli. Gjithçka është e mundshme. Ne duhet të përgatitemi.

   - Dhe do të mund t’ia dalim, Kolonel?

  - Nga Beogradi vijnë premtime se NATO-ja do të përçahet dhe një ditë do të ndërpriten sulmet.

   - Po ç'thonë amerikanët e anglezët?

   - Ata, janë shumë këmbëngulës në sulmet kundër nesh. Këta edhe po e mbajnë aleancën. Të shohim me kohën, ndërsa ne duhet të vazhdojmë me planet tona.

Makina po ngjitej kthesave  përpjetë  kodrës, ndërsa fshati kishte mbetur poshtë si në pëllëmbë të dorës.

   - Seç më kujton diç kjo luginë e thatë, - tha Koloneli dhe nga çanta nxori një fletore të trashë me shumë fletë.

   - Mbani ditar Kolonel? - pyeti Majori.

   - Kam filluar që i ri, dhe vetë mbush fletëza.

   - Punë e mençur.

   - Po ju?

   - Herë pas here.

   - Ja, e gjeta, - tha Koloneli, derisa po e shfletonte fletoren. Nga tregimi i gjyshit, del se në vjeshtën e njëmijë e nëntëqind e dymbëdhjetës, kur e humbëm luftën e Lumës, kishte kaluar nëpër këtë luginë mes këtyre dy fshatrave, pastaj kishin vazhduar deri në rrjedhën e lumit. Pastaj rrjedhës së tij kishin vazhduar rrugën deri në Prizren e pastaj për Sreckë. Ka qenë një udhëtim shumë i vështirë dhe plot rreziqe. Pastaj edhe shirat e vjeshtës e kishin rritur nivelin e ujit. Ai e mbylli ditarin dhe e futi përsëri në çantë. - Kemi dhe shumë deri në kodër? - pyeti shoferin e makinës.

   - Edhe dy apo tri kthesa, - u përgjigj ai.

   - Atje te shkolla do të ndalemi, - tha Majori. Ndërkaq, makina e mori kthesën dhe filloi të dukej kulmi i objektit.

   - Si qëndron puna me UÇK-në këtu? - pyeti Koloneli.

   - Vepron edhe këtyre zonave.

   - Po përcjellja jonë është larg?

   - Nja njëqind metra pas, Kolonel. I kam dhënë urdhër ushtarit që e drejton kamionin, të mbajë distancë të tillë, ngase në çdo çast mund të sulmohen nga aeroplanët e NATO-s dhe të na rrezikojnë edhe neve, - tha Majori.

  - Hë, hë, - klithi Koloneli.

   - E di çfarë po mendoja Kolonel?

   - Çfarë?

   - Pas luftës, në hyrjen e këtij fshati, do ta ndërtoja një kala  të madhe me eshtrat e shqiptarëve, që kur të vijë i pari ynë në ndonjë vizitë në Kosovë, ta shohë vetë luftën tonë.

   - Ëndërr teorike Major, - foli Koloneli, deri sa shikimin e kishte hedhur drejt skajit të pyllit aty buzë rrugës, ndërsa lëvizja e degëve të lisave ia trazoi ankthin.

Një krismë e fuqishme dhe një rrebesh plumbash e mbuloi në tym e flakë makinën. Vetëm disa britma dhe klithma u dëgjuan brenda saj. Gjithçka u mbulua me flakë zjarri.

 

 

  

EPILOGU

 

Mëngjesi, aty kah fundi i majit kishte aguar plot shkëlqim. Dielli e kishte zgjatur kokën mbi majat e Sharrit dhe rrezet e tij po i shtrinte shtatit të maleve mbi Vërri. Shkëlqimi i tij përhapej mes gjetheve të pyllit përreth fshatit të braktisur. Njerëzit ishin arratisur qysh prej tre muajsh. Kush si kishte mundur. Në këmbë, me qerre e traktorë. Me fat ishin ata që kishin ikur përpara se të vinte ushtria serbe, të paktën kishin shpëtuar kokën. Edhe pse fshati ishte shumë afër zonës kufitare, ishin dashur dy ditë deri sa kolona ishte tretur grykës së Lumës teposhtë. Tani më, mbi fshatin e shkretuar fluturonin vetëm zogj e ca sorra të zeza të cila i krrokatnin kobit mbi kullat e zbrazëta. Kjo e tmerronte komandantin dhe njësitin e tij, të cilët here pas here ktheheshin në fshat dhe e kontrollonin atë. Ai, aty ishte lindur e rritur. Ia njihte gjithë gurët e sokakut, çdo kullë. Të gjitha këto ia kujtonin rininë e tij, vitet e ëndrrave të idealit, shokët që shumë nga ata tani më kishin rënë në vijat e frontit. Një pikë loti që i kishte rënë  në skajin e syve, sikur ia turbulloi pamjen.

Më duket se kolona po vjen drejt fshatit - tha Komandanti, derisa po i fshinte sytë e po i largonte degët e gjetheve, të shihte se në cilin drejtim po ecte kolona.

Edhe mua ashtu më duket, - tha ushtari që ishte pranë tij.

Lim, duhet shumë shpejt të mobilizohemi për sulm.

Sulm?

Po, po. Llogarit, ata deri sa të arrijnë në fshat, iu duhet më pak se gjysmë ore, dhe për aq kohë, ne duhet të jemi gati. Duhet sa më parë t’i zëmë pozitat për sulm.

E po, unë shkova t’i lajmëroj shokët, - tha Limi.

Menjëherë dhe pa zhurmë të madhe.

Ushtari vrapoi përpjetë pyllit drejt shtëpisë së parë aty rreth pyllit ku ishin vendosur shokët e tjerë të njësitit. Me pak hapa ai u gjend në oborrin e shtëpisë rreth pyllit.

Ç'kemi Lim? - pyeti Komandanti i njësitit të dytë, i cili po e pastronte armën aty në hyrjen e oborrit të shtëpisë përskaj pyllit.

Një kolonë e armikut po vjen drejt fshatit, dhe ne duhet ta presim si duhet, porositi Komandanti.

Domethënë, koha për sulm?

Po, po, - tha Limi.

Shpejt pra, lajmëroji ushtarët tjerë brenda në shtëpi, - tha Komandanti, tek po e kapte minahedhësin në dorë.

Limi, vrapo drejt hyrjes së shtëpisë afër pyllit për të alarmuar ushtarët që gjendeshin aty brenda, ndërsa Komandanti i Njësitit të Dytë, në çantën e tij të hedhur mbi shpinë, po i vendoste një nga një minat që i duheshin për minahedhësin. Gjatë asaj kohe, e gjithë dhjetëshja e ushtarëve kishin dalë në oborrin e shtëpisë rreth pyllit dhe po prisnin urdhrin.

Jeni gati trima? - pyeti ai në drejtim të ushtarëve.

Gati! -u dëgjuan zërat e  ushtarëve, thuajse përnjëherë.

Kontrolloni edhe njëherë armët të gjithë, edhe municionin. Duhet të bëjmë një sulm kundër një kolone të armikut, dhe unë jam shumë i bindur se do t’ia dalim me sukses. Pozita jonë na e mundëson këtë epërsi. Tani do të mblidhemi te hyrja e pyllit në fund të fshatit dhe aty do t’i ndajmë pozicionet tona. Të gjithë ushtarët dhe Komandanti i Njësitit të Dytë, vrapuan drejt vendit ku vëzhgonte Komandanti i Njësitit të Parë.

Erdhët? - pyeti Komandanti i Njësitit të Parë.

Gjithçka është gati. - Duhet t’i caktojmë pikat e secilit ushtar, - propozoi Komandanti  i Njësitit të Dytë.

Do ta kemi edhe më lehtë, po, kanë blinda apo tanke me vete? –pyeti Komandanti i Njësitit të Parë.

Siç duket, lëvizjeve me artileri i frikohen ditës nga aeroplanët e NATO-s.

Bukur shumë, - shtoi Komandanti i njësitit që e thërrisnin Hoxha.

Kohën e kemi të cunguar, ndaj duhet t’i caktojmë pikat. Unë ato i kam menduar, vetëm duhet të presim deri sa ata të hyjnë në luginë, që ne t’i marrim pozicionet. Vetëm ashtu s'do të mund të na hetojnë fare lëvizjet tona. Sulmin ta bëjmë në befasi dhe rrufeshëm.

Ashtu do të bëjmë, - shtoi Komandanti i njësitit Hoxha, tek po shikonte me dylbi në drejtim të kolonës. Unë do të dal në pikën e parë afër kolonës, dhe pasi të godas me minahedhës në makinën e parë, ju të gjithë shkrepni në drejtim të makinës së dytë dhe të tretë. Asnjëri pa shkrepur unë! - e qartë? - urdhëroi në drejtim të ushtarëve.

E qartë, - përsëriti njësiti i ushtarëve.

Ti do ta mbash Pikën e Parë dhe nga këtu besoj se do ta kontrollosh gjithë zonën e sulmit..

E ke të ndezur radiolidhjen?

Po, po - tha komandant Hoxha, - për çdo të papritur do të merremi vesh.

Për lirinë e atdheut trima, o sot, o kurrë! - inkurajoi në drejtim të ushtarëve Komandanti i njësitit. - Kujdes, pas sulmit, të gjithë në pikën e caktuar.

Lim, - ti do ta mbash pikën e dytë dhe do të mbulosh me zjarr në rast të dështimit te goditjes së parë me minahedhës, - urdhëroi komandant Hoxha.

Kolona eci skajit të rrugës përreth një pylli të vogël, të mbushur plot me gjethe nga gjelbërimi i pranverës. Hapat e tyre të lehtë, treteshin pyllit përskaj rrugës prej nga i merrnin pozitat e sulmit kundër armikut, që ia pat mësyrë fshatin. Vetëm lëvizjet e dorës në drejtim të njëri tjetrit lajmëronin vendqëndrimet e tyre nëpër pika dhe një heshtje e dridhshme gjatë asaj pritje. Zhurma e makinave që po ngjiteshin rrugës gjarpërore në drejtim të fshatit, bëhej gjithnjë e me e fuqishme. Ajo shpërndahej tutje luginës si një jehonë e cila pastaj kthehej nga ana e shpatit tjetër në drejtim të ushtarëve të UÇK-së, që i kishin zënë pozitat për sulm të befasishëm kundër forcave të armikut. Zhurma e makinave tanimë kishte hyrë brenda unazës së pritave dhe po ecte drejt hyrjes së fshatit.

Një fishkëllimë e hollë u dëgjua pas ndezjes së granatës së minahedhësit, e cila u mbyll prapa një eksplodimi të fuqishëm, ndërsa flaka e kaploi makinën e parë të kolonës. Ishte Komandanti i Njësitit të Dytë, ai që dha lajmin e sulmit. Gjithçka u mbyt krismave të pandalshme që dilnin nga automatikët e ushtarëve të njësitit të UÇK-së. Tymi dhe flaka që e kishte mbuluar makinën e parë të kolonës, u shpërnda edhe në makinën e dytë, e cila ishte aksidentuar prapa të parës. Britmat e ushtarëve brenda atij zjarri dhe breshërisë së sulmit, thernin kupën e qiellit dhe shpërndaheshin teposhtë bregut. Dukej se asgjë s’po i shpëtonte atij sulmi. Në ato çaste, dy ushtarakë nga makina e dytë e cila ishte ndeshur me të parën, dukej se e kishin braktisur atë dhe vraponin mes dushkajës në drejtim te shkollës që ishte në skaj të fshatit. Klithmat dhe britmat, i shoqëronin vrapit të tyre. Dukej se ishin plagosur. Komandanti i Njësitit të Parë i mbante në shenjë, mirëpo degët e gjetheve e pengonin në saktësinë e gjuajtjes dhe nga frika s’do të mund të dështonte duke pritur çastin më të mirë. Gjatë kësaj pritjeje, dy ushtarakët hynë në brendinë e objektit të shkollës dhe nga një dritare e njërës klasë, filluan të gjuajnë rafalë automatikësh në drejtim të Komandantit dhe ushtarëve të njësitit.

Nxito me sulm! - u dëgjua një zë që erdhi nga radiolidhja e Komandantit.

Dukej se ishte zëri i Komandantit të njësitit, i cili po kërkonte që sa më parë të përdorej minahedhësi. Komandanti i njësitit nuk gjeti kohë për përgjigje, por sikur e kuptoi qëllimin e shokut të tij. Hodhi minahedhësin mbi krahun e djathtë dhe  mori në shënjim dritaren prej nga vinin plumbat e armikut. Sërish u dëgjua një fishkëllimë e cila dilte nga predha e minahedhësit. Një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në brendinë e objektit të shkollës që u mbulua në flakë tymi. Ca britma u dëgjuan nga brendia e shkollës të cilat shumë shpejt u tretën flakës.

Komandanti i Njësitit të Dytë e hoqi minahedhësin nga krahu, e hodhi mbi shpinë, dhe përmes dylbive të armës po shihte pikat e sulmuara në mos kishte ndonjë lëvizje. Nuk shihej asgjë, pos flakës në objektin e klasës së shkollës. Ai i hodhi një sy edhe pikave tjera në kolonën e makinave të armikut, nga të cilat dilte vetëm flakë e tym. Vërtetoi se nuk i kishte shpëtuar asgjë atij sulmi.

Koha për tërheqje! - tha në radiolidhje ai, dhe më pas, zërin e përcolli edhe tek ushtari i parë që gjendej në pikën e afërt.

Koha për tërheqje!

Koha për tërheqje!

Koha për tërheqje! - përcillej zëri nga njëri ushtar te tjetri.

Lëvizjet e ushtarëve vazhduan skajit të pyllit përreth rrugës së fshatit.

Jeni të gjithë? - pyeti Komandanti i njësitit, i cili po kthehej me vrap tek ushtarët e tij, - dhe hodhi një shikim nga ata. - Më duket se një ushtar i armikut na ka shpëtuar, - tha në drejtim të Komandantit të njësitit tjetër.

Vërtet?

Po, po. Për të plagosur e di, por pastaj e mbuloi pylli dhe duket se ka ikur teposhtë. Nëse e ndjekim, munde t’i rrezikojmë shokët. - Si thua?

Jo, jo. Nëse je i sigurt se është i plagosur, mjaft e ka. Le t’u tregojë shokëve të tij e Milloshit në Serbi si luftojnë shqiptarët nëpër vijat e frontit, se ne nuk bëjmë luftë qyqarësh siç bëjnë ata me gratë e fëmijët tanë, por luftë kundër ushtrisë së tyre.

Plumbit nuk i ka shpëtuar, por deri ku do të mund t’i qëndrojë, nuk e di. E di se gjoksin ia kam qëndisur, - tha Komandanti i njësitit.

Të lumtë, por tanimë, nuk kemi shumë kohë. Duhet të tërhiqemi trima. Ju lumtë pushka! Mirë ia keni paguar armikut, - tha komandant Hoxha, tek po ndërronte magazinën e armës së tij. Na presin luftëra të reja, por fitorja është shumë afër dhe Serbia është para kapitullimit, - tha ai.

Të lumtë goja Komandant! - u dëgjua zëri i ushtarëve.

Kolona e ushtarëve filloi të ngjitet skajit të pyllit drejt shokëve të tjerë që gjendeshin nëpër istikame. Tani më dielli i ngrohtë i atij fund-maji, shkëlqente mbi malet e Vërrinit. Shkëlqimi i tij rrezonte fuqishëm mbi emblemat e qëndisura në uniformat e ushtarëve të UÇK-së. Ndërsa, kënga e tyre, shpërndahej fuqishëm jehonës mbi kodra, e cila paralajmëronte ditët e bardha.

Për mëmëdhenë

Për mëmëdhenë

Bashkohuni burra se s’ka me prit

Të vdesim sot me besa besë

Pranë flamurit të kuq .....

Dhe kënga vazhdonte. Jehonës së saj mbushullonin kodra e male.

Pas pak ditësh, në Kosovë agoi Liria.

                                        Malësi e Vërrinit, 1999

 

 

                FUND

 

 

NJË SHEKULL PLOT DHUNË

 

Nga një etje hegjemoniste, e ushqyer atje në Beograd për gati një shekull, dhe e injektuar herë pas here edhe nga Rusia, filloi të ndërtohej miti i rrejshëm për Kosovën, që pastaj, iu servua si një ushqim politik serbëve në Serbi dhe një pakice ardhacakësh (e dëshmuar në histori), duke shkelur mbi popullsinë autoktone vendëse Dardane Ilire, dhe kështu, kësaj popullsie që quhen shqiptarë, t’i bien në qafë me të gjitha të ligat që njeh satanizmi në historinë botërore për ta zhdukur atë dhe për të zaptuar trojet e tyre.

 

 

NJË EPOKË PLOT KRIME NËN OPTIKUMIN LETRAR

 

Gjatë shpalosjes së romanit “Misioni i kriminelit”, të shkrimtarit, poetit, dramaturgut, e publicistit Gëzim Ajgeraj, na bie në sy zanafilla e dhunës dhe etja hegjemoniste e popullit serb kundër popullit rrënjës shqiptar. Dhunë kjo, e cila vazhdimisht ka qenë e përsëritshme viteve e dekadave, në forma e mënyra të ndryshme. Ajgeraj, edhe pse në plan të parë ndalet në vitet e fundit të shekullit që e lamë, gjatë leximit të romanit arrijmë të veçojmë periudha kyçe të ndodhive në këto hapësira. Koncepti i perceptimit në roman, edhe ai letrar, edhe ai historik, bukur mirë është i stilizuar. Përmes dëshmive të Kolonelit e gjenezës së tij ndër breza, arrijmë të zbërthejmë mëtimet lidhur me ëndjet e kamotshme për këto troje që, pa pasur asnjë të drejtë, vetëm përmes fantazisë, kanë gjetur rrojtjen në këto troje. Pa zmadhime, por shumë me modesti, Ajgeraj arrin të shpalosë shumë nga këto zhvillime kundër popullit shqiptar, të cilat tashmë janë të dëshmuara edhe historikisht.

Në romanin "Misioni i kriminelit", hasim një epokë të dhunshme që për fat të keq qe realitet i ditëve tona. Kësaj radhe, autori i romanit, ngjarjet i shpalos nga një kënd tjetër, duke vënë në plan të parë palën që ndaj shqiptarëve zbatoi dhunën. E tërë ngjarja e këtillë që në tematikë përfshin dhunën, shpaloset përmes personazheve që vijnë nga hierarkia e lartë ushtarake me qendër nga Beogradi. Ngjarja përfshin dy epoka: atë të sundimit me dhunë, dhe e dyta, është liria. Jo më kot, autori diku brenda librit, shpreh këtë simbolikë: “Kosova gjithmonë ua ka ngrënë kokat sundimtarëve”!

Ngjarja në roman zbërthehet përmes personazheve kryesisht ushtarake. Autori u ikën datave e kohëve që lidhen me format historike të shprehjes dhe, ndonëse ngjarjet që kanë ndodhur, për brezat mund të jenë “të shkuara”, përmes përshkrimit të tyre, me fjalët shumë të qëlluara artistike, për lexuesin shqiptar, mbeten të freskëta dhe të kapshme gjithmonë.

 

 

Ilam Berisha, prof.

 

 

 

SHËNIME PËR AUTORIN


Gëzim Ajgeraj, poet i arratisur larg atdheut, përreth dy dekada, apo me mirë të themi gati gjysmën e jetës së tij e kaloi jashtë vendit të vet. Zvicra ishte stacioni i fundit, kur në vitin 1988 u arratis nga atdheu i robëruar dhe mori botën në sy. Ai flet me nostalgji për vitet e rinisë; vite këto që u rrit e i kaloi në qytetin e bukur, në Prizrenin e lashtësive historike, në Prizrenit e Abdyl Frashërit e Ymer Prizrenit, buzë rrjedhës së çiltër të Lumëbardhit. U lind në Vërrinin heroik dhe gjithnjë rezistues ndaj luftërave për çlirimin e vendit nga okupatori. Shkollimin e mbaroi në Malësi dhe në Prizren për të vazhduar më vonë edhe në Zvicër. Ishin vitet e rënda, vitet e lëvizjeve të mëdha në Kosovë kur Gëzimi u largua nga vendlindja, duke qenë i pranishëm me tërë qenien pranë dheut të lindjes. Gjashtë vjet veprimi në ilegalitetit, moralisht u kalit, tradicionalisht i frymëzuar nga një ideal i lartë drejt përpjekjeve për çlirimin e atdheut. Gëzim Ajgerajn, kurdoherë e gjejmë të pranishëm nëpër demonstrata që organizoheshin kundër shtypjes e shfrytëzimit nga ana e okupatorit serb. Gjatë viteve 1982-1988 dha kontribut shumë të çmuar rreth shpërndarjes së materialeve propagandistike për vetëdijesimin e masave të thjeshta të popullit. Në vitin 1988, nga njerëz të besuar qe njoftuar se së bashku me shokun e tij S.P., nga shërbimet sekrete të shtetit okupator përgatiteshin dosje dhe se së shpejti do të arrestoheshin. Për t’u shpëtuar kthetrave të këtilla, detyrohet të largohet nga atdheu, gjoja për shkaqe ekonomike.
Krijimtaria e tij letrare, fillet e para i ka që nga klasat e para të fillores. Më vonë, kësaj dhuntie, filloi t’i përkushtohej edhe më me shpirt. Shkrimet e tij i gjenim të botuara në shumë revista e gazeta të kohës, po, për shkak të censurës, jo gjithçka e shkruar nga Gëzimi gjente dritën. Gjatë viteve 1988-1989, u bënë lëvizje të mëdha në Kosovë. Gëzim Ajgerajn e gjejmë kudo, në Gjenevë, Bernë, Cyrih, Prizren, Prishtinë, e deri në Hagë, gjithnjë në shërbim të kombit e të atdheut.

Duke përfunduar, fitojmë përshtypjen se, Gëzim Ajgeraj, veprimtarinë në shërbim të atdheut më me ngulm e ka filluar që nga viti 1981, që nga vitet e para të shkollimit të mesëm, duke mos u ndalur deri në përfundimin e luftës më 1999. Ndonëse larg atdheut fizikisht, veprimi i tij, tashmë edhe më i mobilizuar në shërbim të atdheut, kudo që kishte vërrinas e të tjerë shqiptarë nëpër Evropë, Gëzimi qëndronte në ballë të organizimeve për ta ndihmuar luftën, edhe moralisht, edhe materialisht, duke gjetur përkrahje të plotë nga shokët me të cilët bashkëpunonte.

 


                                
*         *       *


…Është e pandashme krijimtaria letrare e tij gjatë gjithë kësaj kohe. Që nga viti 1987, filloi të botojë thesar librash, si:1.”Klithmë malli”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë,1997; 2.”Ëndrra për parajsë”, poezi,“Rilindja“,Prishtinë, 1998; 3.”Qiellit po digjem”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998; 4.”Flakë në plagë”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998; 5.”Kënga e babait”, poezi për fëmijë, „Apolonia“, Prishtinë, 1998; 6. “Urti popullore të Vërrinit 1”, (bashkautorësi), „Apolonia“, Prishtinë,1998; 7. “Mallëngjimi”, poezi, „Rilindja“,2000; 8. “Balada e Vërrinit”,  K.L. „F. S. Noli“, Prizren, 2001; 9. “Rruga e lirisë”, dramë,  „Meshari“, Prishtinë, 2001; 10. “Rruga e lirisë” (intervistë) me Zafir Berishën, botoi Asociacioni i Veteranëve të ish- UÇK-së – Prizren, 2002; 11. “Atdheu në trastë”, cikël me poezi, e botoi revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV, Prishtinë; 12. “Pëllumbat e lirisë”, novelë për fëmijë, Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2004; 13. “Ditët e bardha”, novelë për fëmijë, Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren 2004; 14. “Atdheu i copëtuar”, cikël me poezi,  në librin “Pikoi molla gjak” (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR-Departamenti i Çështjeve Jorezidente, Prishtinë, 2004; 15. Cikël me poezi, “Udhë e zjarrmi”, në librin “Muzat i bien lyrës”, Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2005; 16. “Lulëkuqet e Vërrinit”, Edicioni “Metafora”, poezi, Zvicër 2005. 17. “Zana në mërgim” (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007;
18. “Huqet e Benit”,(poezi për fëmijë), ”Metafora”, Zvicër, 2007; 19. “Bosi lepurushi”,  fabula, ”Metafora”, Zvicër, 2006; 20. “Gjëegjëza”, ”Metafora”, Zvicër, 2006;
21. “Dita me Tonin” (Poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006;
22. “Muajt e vitit me Ardin” (Poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006; 23. “Dallëndyshja në Vërri” (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007; 24. “Kroi i qytetit tim”, (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007; 25. “Masakra e Tuzsuzit”, Monografi, (bashkautorësi), „Metafora“, Prizren, 2007, 26. “Degë e thyer”, poezi, “Metafora”, Prizren, 2007.

Nga janari i vitit 2004, editon revistën: ”Metafora” (Editorial i poetit) që del në çdo tre muaj. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në Prishtinë. Nga 23 marsi 2002 është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës.

Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: “Rilindja”, Zvicër - Prishtinë, “Bujku”, - Prishtinë, “Zëri i Kosovës”, Zvicër - Prishtinë, “Bota sot”,- Zvicër, “Koha ditore”, - Prishtinë, “Epoka e re”, - Prishtinë, “Zëri”,- Prishtinë”, “Fakti”, - Shkup, “Ars” – Tiranë, “Pena Shqiptare”, - Prishtinë, “Pionieri” – Prishtinë, “Zogu i mëngjesit”, - Prishtinë,   

  

 

Gëzim Ajgeraj

Misioni i kriminelit

137 faqe, 20 cm

Viti i botimit: 2008

Prizren

Sponzoroi ...