M’U PLAKËN ËNDRRAT
Të njoma i nisëm ëndrrat e bashkimit
Nëpër rrjedhën e Drinit
Eh, sa gjatë i shtrydhëm në gji
E i fshehëm nga korba që na rrinte qiellit mbi
E ushqyem me guximin e moshës
Që të piqej buka e ardhur e Atdheut
Gjatë e ushqyem etjen
Që na i ndrydhte dëshirat e uritura
E me to zgjeruam horizontet e dritës
Që të shumëzoheshin rreshtat e vizionarëve
Për dritën
e të nesërmeve të bardha
Nëpër thinjat e ëndrrave
I shkruam legjendat e bashkimit
Dekadat ia falëm idealit
Që e kishim të mbjellë në gji
E zjarrin që s’e shuam kurrë
Do ta mbajmë stafetë të ndezur në brezni
E DJESHMJA E ZEZË
E djeshmja e zezë
S’na ndahet se s’na ndahet assesi
Me kob e mort
Na rri te gardhi fqinji i zi
Shpatën e mpreh çdo ditë
Mbi hartën e Atdheut
Ajo na ndjek si hije
Me mjegull mëngjeseve tona harbon
S’na ndahet se s’na ndahet me ligësi
Ditëve tona të bardha
Assesi s’i bindet humbjes
Dhe krimit që i mbanë mbi shpinë
Kërkon koka të reja
Me krim të ri ta mbulojë të moçmin
E farës sonë ia kërkon harrimin
Që të mos pipoi shqip bima në këto troje
Etje hegjemoniste
E iu këputshin gjunjët këtij synimi
Qershor, 2020
NË KUJTIM TË NJË LEGJENDE
Nga një ëndërr e trishtë
U zgjuan kujtimet
Dhe zbritën fjalës si në baladat e moçme
Për luftërat dhe trimat në zë
Malet oshtinë jehona
Në kërkim të diellit të munguar
Një ujk i zi plot kob e theror
Po m’i prishte ëndrrat
Kish zënë pritë skaj malit
E si i tërbuar po ndillte kobin
Seç më trazoi një krismë pushke
Dhe kafshën e zezë më s’e pashë
Ajo iku përpjetë pyllit
Si një gjind i tërbuar me kthetrat e përgjakura
Me vete kish marrë krimin
Dhe tmerrin ma e kishte lënë në oborr
Medet, ç’kob e trishtim
Më ra në kullë atij moti të kuq!
Nga ëndrrat dolën legjendat
E me fjalën ngritëm kalanë e baladës
Brenda mureve të saj
I gurtësuam kujtimet
Për të djeshmen e kuqe
Që u ndërtua me ashtin e kombit
Qershor, 2020
TEPËR GJATË E DURUAM,
GJARPRIN NË OBORR
Tepër gjatë ia duruam
bishtin e gjarprit në oborr
shtatin e shtrirë fushës
helmin në dhëmbë
tek na i hante zogjtë
sa herë që kishte uri
e tërbohej bisha
Ta durosh një shekull në oborr
krimin e bishës karpatike
ose na kish mbytur gjumi
o verbëria na i kish pushtuar kokat
e s’ia kërkonim
qarën vetit
Shpeshherë e pyes veten
nga na piku ky gjarpër në oborr
e na ra për hise
e qe besa edhe nguli kthetra
e kërkon hise
brenda gardhit tonë
Më dhemb shpirti
për motet e zeza të durimit
dhe korbën e veriut
që aq gjatë e duruam
tek na e zinte diellin
e na mbillte kob oborreve tona
2020
ATA IKËN
Ata ikën dhunshëm e të humbur
Veriut të zi
Me vete morën shtizat e thyera
Dhe bajraqet e grisura nga humbjet
E nëpër leckat e veshura nën helmeta
Mbanin të fshehura gjurmët e krimit
Ata ikën veriut të zi
Me krrokamë kukuvajkash
Për luftën e humbur
Dhe kthimin e turpshëm në Kalamegdan
E me vete morën si trofe krimin
Për t’ia sjellë të parit të tyre - kryesatanait
Ata ikën veriut
Me fytyrat e zeza korb dhe shpirtin e zi
Që t’i sillnin familjeve të tyre
Fotografinë e monstrave që vetë pikturuan
Me shpatat e krimit
Që t’i ruajnë si trofe të ligësisë ndër breza
Nga një luftë e humbur
Diku në Kosovë
1999, Prizren
ULËRIMA E UJKUT TË ZI
Nuk e di a e dëgjoni vazhdimisht
ulërimën e ujkut të zi
nuk e di nëse mua më ka hyrë frika në palcë
e s’më del dot as sot e kësaj dite
apo më tërheq largpamësia e kësaj
ulërime të ligë
Ulërimë e ujkut më ndjell kob
e s’m’i ndahet të ligës
me mort më sillet vërdallë
rreth oborrit të shtëpisë
e s’m’i lë të qetë as zogjtë e shqiponjës
tek m’i trazon e sjell mort
Me ligësi ma nxinë dhe qiellin rreth meje
e ma zënë dritën e diellit
që pranvera mos të agojë
në oborrin tim
e pema e farës sime
të mos rritet mbi këto troje
Mbrëmë përsëri rashë me ulërimën e tij
përtej gardhi
e s'më mori gjumi
gjithë natën e lume në roje
me martinën e gjyshit e bëmë syrin pishë
e kuvenduam deri në mëngjes
PËRBALLJA ME BISHËN
Trembshëm u zgjova nga kujtimet
duke e sfiduar vdekjen
përpara ca bishave të veriut të zi
me helmeta e skafandra
tek po korrnin kobin
mbi koka njerëzish sheshit
Nga ajo amulli kujtimi
pikuan motet e njoma të moshës
me guximin e patrembur
në përballje me korbën
për ta çliruar
rrezen e diellit nga eklipsi shekullor
Iu deshtë edhe shkundja e maleve
e skuqja e gurit
për ta sjellë kurorën e nuses
në oborrin tonë
eh, sa e kuqe
ishte velloja e saj në ditën e dasmës!
Nga ajo ditë
nuk e pashë më bishën në këto hapësira
ulërinë e krrokatë tej gardhi
me natë ndjell kobin e zi
po frëngjisë s’i ndahem se s’i ndahem
tek ruaj amanetin e gjyshit në thumb
2020
FQINJI I ZI
Eh, në ç’hall
Jemi me këta fqinjët
S’gjetëm se s’gjetëm qetësi
Jo vetëm atje te mezhda
Por, edhe në oborrin tonë
Në qafë na binë
Mbetëm qengja fajtorë
Në kopenë tonë
Edhe diellin
Shpesh po na e nxënë
Kështu është
Kur vetë luajmë me fatin tonë
E kur ke për fqinj
Ujkun e zi
S’të lë të qetë
As në oborrin tënd
E atje nga përtej gardhi
Gurin ta hedhë në oborr
E të fajëson për terror
Këlyshi i këlyshit
Të ujkut të zi
2020
___________
*Këlysh: I vogli i qenit, i ujkut, etj.
ATA IKËN ME KRIMIN
Ata erdhën me helmeta e skafandër
Dogjën ç’gjetën oborrit tonë
Mbollën vdekje kullave
Që ta shuanin jetën
Deshën edhe diellin ta nxënë
Të mos zbardhë as dita
Nga goja e nxirrnin helmin
E villnin me vrerin e zi
Të mbledhur nga stërgjyshërit e gjarprit
Atje në Kalamegdan
E ta shuanin edhe frymën e fundit
Të zogjve të shqipes
Me flakën e zjarrit
Dogjën ç’gjetën, edhe njeriun
Fusha, kodra e male
Mbuluan me varre
Dhe ikën veriut të zi
Me krimin në gji
2000
FQINJI
Përtej gardhi ulërin ujku i veriut
Natës i thirr me shëmti
Kob ndjell kafsha e zezë
Hije e trishtë iu ka bërë natës
Zogjve edhe në pikë të ditës u bie në qafë
Medet, ç’bishë kobzezë hapëron Ballkanit!
Fatkeqësi të kesh fqinjin grabitqar
Mort të ndjellë ditë e natë
E s’të ndahet e liga
Te gardhi mbajeni në thumb
Në frëngji të kullës vigjilencën
Po deshët mbijetesën
KONFERENCA
Atë mot ia prenë petkat Ballkanit
Shqipërisë ia bënë copa- copa
Deshtë ta lënë edhe pa to fare
Se kështu ia kish qejfi Evropës
Këmisha e shqipes shitej kuluareve
Si një plaçkë në tregun e padronëve pa tapi
Këndej fqinjët grabitqarë vidhnin gardhiqeve
E mbillnin kob kullave arbërore
Zot, ç’zallahi e kob ra
Mbi shtatin e Shqipnisë
Atë mot e sot
Na mbetën gurët mbi shpinën e Atdheut
2020
GURI I GJAKUT
Ka një shekull jetë
Që ma pi gjakun
E me gjakun tim
Rritë rrënjët e mbijetesës
Atje maje Pashtriku
Po si s’ju shua etja
E s’i pëlciti gjerba
Nga gjaku i derdhur
Nga damarët tonë
Të pëlcitur për dritën
Ka një jetë që më bën hije
Gjoksit të Atdheut
E ia nxë frymën
Që të mos i rrahë
Pulsi në zemër
Ka një jetë që ma pi gjakun
Nga damarët e Atdheut
E me gjakun tonë
Ushqen rrënjët e rritës së vet
Atje mbi Pashtrik
2020
TRE BREZA
U plakëm ...
E shikimi na mbeti
peng
rrjedhës së Drinit
përtej guri
Përtej është
toka e shenjtë
këndej na ka rënë mallkimi
në qafë
gurin duhet lëvizë
Kështu i kishte thënë
gjyshi, babait (ndjesë pastë!)
përpara se ta linte këtë botë
Eh,
Po plakemi dhe ne
me gurin mbi shpinë!
2020
PADREJTËSIA
Me dëshirën e zjarrtë
që shpërthen në gji
zihem
çdo ditë
Në fakt
ajo flatron
orë e çast
dhe e kapërcen
murin ndarës
pa më pyetur fare
Të kotë e kam
shpjegimin
apo arsyetimin
se s’na lënë të tjerët
t’ia heqim gurin
mbi shpinë
Pashtrikut
Ajo e ka kuptuar
shumë herët
padrejtësinë
që ia bëjmë ne
vetvetes
ndaj s’bindet më
2020
GURI
Me dëshirën e moçme
I ushqej ëndrrat e bashkimit
Shekulli më zë pritë
Kam njëqind vjet
Që i kam vënë syrin gurit
Po s’e shkulë se s’e shkulë dot
Një korb i zi
Glason përditë mbi bjeshkë
Mbi amanetin e Evropës
Shpirti bëhet copë -copë
Nga gjëma e bjeshkës
Mbi Pashtrik
E hija e zezë
S’më ndahet se s’më ndahet
Mendimit të etshëm
Pashtrik, 2019
NDARJA
Një moti të përdalë të Evropës
ia prenë me gërshërë hartat
Bjeshkës i ranë me shpatë
e ia ngulën në zemër atdheut
Gjysmës së shtatit të atdheut
ra morti kullave
Një gjarpër i zi hyri në oborr
e s’la të ligë pa bërë
Peshqesh i Evropës
për shqiptarët i thanë
Nga ajo ditë
S’pa dritë atdheu i shqipeve
2020
NË NDJEKJE TË ËNDRRËS
Nganjëherë lakmia e Drinit
Më merr me vete
E më shpie përtej gurit
Futem thellë nën ujin e liqenit
Dhe derisa shpërlajë blozën e lodhur të robërisë
Jam përtej gurit
Seç më ndjek nga pas
Një ujk i zi
Me dhëmbë të përgjakur
Dhe derisa gjendem
Në mes të ëndrrës
Tmerri më ndjek si hije
Eh,
Po të mos ishte guri...!
Vërmicë, 2000
ËNDRRA PIKON
Mbetëm dy dhimbje
këndej e andej guri në mes
Etje e zgjuar na mbeti dëshira
malli na e përvëloi
Këngët na u thanë në fyt
nga klithma e gurit
Ujqit në këmbë, Evropa
roje na i bënë plagës
Plaga që u pikon
e shërim s’i gjendet dot
Ëndrra mbi Pashtrik
Rënkon...!
2020
ATË DITË E SOT
Nga ai mot me natë
kur dikush e nguli gurin
Ëndrra u ça përgjysmë
plaga pikoi e s’u ndalë
Kënga u ndal në gjysmë
malësori s’këndoi më
Motra e vajtoi tinëz
vëllanë e vrarë mat-anë guri
Mbi kodër ujku i zi
na i ruajti ëndrrat me dhëmbë
të përgjakur
Kambanat e dhimbjes
s’pushuan këndej e andej
Zot, ç’kob ra mbi Pashtrik!
2020
ETJA QË S’ U SHUA
Etshëm erdhi e hyri në shpirt
strofull bëri dhimbja
si një ëndërr e vrarë
Ia mëkova me ajkën e fjalës
shpresat e plagosura
dhimbjen e çarë në dysh
I dhashë edhe melhem shpirti
që të mos i vdes ëndrra
për të nesërmen e bardhë
Koha na i mishëroi dëshirat
e dhimbjet i bëri një
Nga ajo kohë
guri mbi Pashtrik
na mbeti plagë e përbashkët
në zemër
2020
KY GUR
Kam një shekull
që më rëndon qafën
ky gur
E s’e heq, se s’e heq
qafe
Ndër brezni
ia kam vënë syrin
po s’e shkul, se s’e shkul
dot
Evropa ma vuri
si “suvenir”
ditën kur m’i prenë
petkat e shtatit
si një “dhuratë”
me hile
Më mbeti se më mbeti
ky gur
s’po mund t’i bindë djajtë
të ma heqin qafe
2020
PRAPË PËR GURIN
Thonë se poetët
janë zemërakë nga brenda
e të urtë jashtë
Ka kohë
që sillem rreth gurit
e s’e shkul dot
Ma mbolli Evropa
në mes të arës së gjyshit
a durohet kjo padrejtësi,
ooooo...!
Pastaj thonë
se poetët janë zemërakë
e si ta shuaj
këtë zjarr në gji
A durohet guri i huaj
në mes të arës së gjyshit,
o ju të uruar?
2020
DHIMBJE
Sonte po shkarkohen rrufetë
janë zemëruar zotat
e godasin pamëshirshëm
te guri
atje mbi Pashtrik
Kurrë s’i kam dashur bubullimat
as rrufetë kur i goditnin lisat
për çudi sonte jam me ata
Rrufe të mëdha
po shkarkohen mbi Pashtrik
edhe zotat sonte janë zemëruar
me gurin
Ende s’ia shkulën rrënjët
shi po bie mbi Pashtrik
bjeshkës po ia lajnë dhimbjet
Eh,
E unë mbeta peng në mes të shiut
me se t’i mëkoj dhimbjet
2020
PASAPORTA
Më shkruan
e ç’nuk më shkruan
mbi emër e mbiemër
Herë avnojan më thanë
herë unmikistan, e e e...!
Tri herë ma ndërruan
të mallkuarën
Të kuqe, të kaltër...
e asnjëra s’më bënte
as për atje poshtë (me nder me thanë!)
letra ishte e fort
Më thanë
edhe sa të duash të japim
e ç’të duash
vetëm atë mos e kërko
se ia prishim
qefin Evropës (të më falni...)
Shqiponja më mbeti qiellit
assesi s’e zbrita në xhepin tim
2020
KROI I NDARË 1
Mbi gurin e Pashtrikut
Evropa e kish ngulë
majën e shpatës
këtu çahet
zemra e bjeshkës
Kroi nën gur
lotin s’e ndalte
tek rridhte dhimbjen
këndej e andej
Motra me vëllanë
e pinin lotin e gurit
pa guxuar
t’i flisnin
njëri- tjetrit
Eh,
ç’lot dhimbjeje
derdh qe një shekull
ky krua i ndarë
mbi Pashtrik
2020
TE KROI I NDARË 2
Gur i kishin vënë mbi
e ia kishin shkruar
këtu ndahet
zemra e një populli
Poshtë gurit
kroi i ndarë
tek rridhte dhimbjen e shekullit
këndej njërën rrjedhë
e andej tjetrën,
pa pushim
Dikush nga pas
më tha:
kujdes hapin matanë
se e shkelë ligjin
për kufijtë e Evropës!
Dua ta pi
lotin e kësaj bjeshke
se dhimbja
s’më ndahet se s’më ndahet
nga gjoksi
Eh, Evropa
kufijtë e vet
moti i ka hequr...!
2020
DHIMBJE
Sa të na rëndojë guri
mbi shpinën e Pashtrikut
ka gjëmë Atdheu!
Kthetrat e ngulitura të korbës
në zemrën e bjeshkës
vjellin gjak
Një Zot
ia njeh dhimbjen
se njerëzit janë hallakatur
2020
PLAGA QË KULLON
Gjëmë dëgjohen
mbi Pashtrik
rënkon zemra e qarë e Atdheut
Krisma dëgjohen
përreth gurit
janë pushkët e lirisë
Klithma dëgjohen
maje bjeshke
janë ushtarët e rënë në kufi
E kuqja
e mbuloi gurin atje në majë
është gjaku i dëshmorëve
U skuq
edhe rrjedha e Drinit
është rrjedha e gjakut që s’ka të ndalë
2020
PO GURIN
Ëndrra më nxori
duke e rrokullisur gurin
Eh, ç’gëzim kish Pashtriku!
Papritmas një ushtar
mbiu atypari
ndal, tha: do të të vras!
Eh, ç’trishtim i marrë
e verbëri
na e kish mbjellë Evropa bashkë me gurin
Thuaj dëshirën e fundit kosovar
Thirrte zëshëm ushtari si i marrë
klithte bjeshka në jehona vajtimi
Ti mua do të më vrasësh,
po gurin kush do ta shkulë?
Mbeti gojëhapur
ushtari me shqiponjën mbi ballë
DASMA PA VËLLANË
Me lirinë
u përqafuam përmallshëm
na kishin zhuritur shekujt
Te guri
e prita vëllanë e madh
s’mundi të më vinte në dasmë
Ia kishin shqyer këmishën
Evropa plakë
edhe ardhjen ia kish mallkuar
majë Pashtriku
Medet,
ç’dasmë e zymtë ishte
na u gjysmua shpirti
Lum ata
që do ta presin
dasmën e përbashkët!
2020
ËNDRRA E NGRIRË
Sa herë rënkon Kosova
dhimbja mbi gur
pëlcet
Ushtarit të plagosur në beteja
një nënë
as plagën s’mund të vijë
e t’ia mëkojë
Rrufetë e dhimbjes
shkarkohen mbi Pashtrik
e mallkojnë Evropën
Eh,
mbetëm duke vrapuar pas fajit
te të tjerët
derisa Atdheun po e ndajmë
në bajraqe
2020
NEVE NA E LAN GURIN
Portën e mbajtëm
hapur për miq
por jo të gjithë ishin të tillë
Shumë na erdhën
duke trokitur e miqësor
e ikën si armiq
Të tjerë na erdhën
me skafandra e helmeta
e i lanë kokat
Neve na e mbollën gurin
në mes të oborrit
medet, ç’peshë na mbeti mbi shpinë
2020
Ç’TRISHTIM!
Askush s’pyet
pse kaq gjatë mbeti guri
në oborrin tonë
Dikush thotë
na e mbolli Evropa
në një kohë të dhunshme
dikush tjetër
na e qanë bjeshkën armiqtë
që t’na i ndanin zemrat
Historia flet
për luftëra të mëdha
edhe për shumë gjak
Po guri na mbeti se na mbeti!
E tani nuk ia heqim vetes
se u mësuam me peshën e tij
rreth qafës sonë
Medet, ç’trishtim më zuri
me politikën tonë
Tiranë-Prishtinë
2020
GURI MBETI
S’janë të qarat e gurit
Janë dhimbjet e pëlcitura
Të bjeshkës
As shenja të zeza
mbi shtatin e bjeshkës
janë morti i gëzhojave përreth
Po ato fortifikata hekurash
nëpër istikame
janë armët e helmetat e ushtarëve
të rënë në kufi
Gjëmë e madhe ra rreth gurit
Me gjak u la bjeshka
Po guri mbeti se mbeti mbi Pashtrik
Ia ruan krimin Evropës!
2020
NËNSHTRIMI
Jemi bërë
lolo të Evropës
Secili që na vjen, na luan gurin
e na i fut pykat te sheshi
S’jemi të denjë
t’i dalim zot arës sonë
e t’ia ruajmë gardhin
Sharlatanë evrope
ulim në sofrën tonë
dhe i ofrojmë të na e thyejnë bukën
si të duan ata
Njerëzve pa dashuri
Atdheun ua copëton
gjithkush
2020
DHURATA E EVROPËS
Pakkush do ta kish besuar
se guri në mes të arës
do ta pinte gjakun e të zotit
Se pi gjak guri
e s’lëviz nga vendi
kush as s’e kish menduar
mbi të u shkrua historia e dhimbjeve
e rrënjët i mbetën se i mbetën
në gjak
Eh,
ç’dhuratë mbolli Evropa për shqiptarët!
2020
MBETËM COPË -COPË
Kur të nisesh për te vëllai
mos harro pasaportën
s’të lë Evropa përtej
Nëse të ka marrë malli për kafe
me vëllanë në Kukës
mos harro pasaportën
Kur të merr malli për Durrësin
A detin m’at anë
Pas pasaportë mos u nis
A kur të merr malli për Skënderbeun
A Krujën e bekuar
Pa pasaportë s’dilet m’at anë gurit
Eh,
Mbetëm me pasaportë në xhep
Duke mos ia prish qefin Evropës
2020
TREGIMI PËR VËLLEZËRIT
Shtëpisë pa të zot
i futet gjithkush në oborr
e i vë mezhdat ku të do
Derisa vëllezërit zihen për copën
ma të madhe të bukës në sofër
zaptija e mbushi me gardhiqe oborrin
Jo kot e thotë urtia:
as arën me *qesim mos e jep mbi tre vjet!
e lëre më hasmin në oborr
Ec e shkule tash
copë- copë na e bën oborrin me gur
e qe besa edhe hisenik na mbetën
Me vëllezër,
se kush ta kapë copën ma të madhe në sofër
s’shkulen gurët në shtatin e Atdheut
2020
____________
*qesim: lok. vërr: kur i jep arën
me qira dikujt.
FLIJIMI
Ajo që shtrydh shaminë
atje maje kodre pranë gurit
është nëna që vajton të birin
Në jehonën e klithmave
që pushtojnë Pashtrikun
është vajtimi i motrës për të vëllanë
Ai fëmijë që s’e ndalë thirrjen:
babë, babë, babë
është fëmija i dëshmorit, jetimi
Ai u flijua në luftë
duke luftuar që të heqë thikën e Evropës
nga zemra e Atdheut
2020
VIJA E MALIT TË PRERË
E çanë zemrën e bjeshkës e çanë
me një të rënë shpate
në tavolinën e Evropës
Një vijë të zezë ia vizatuan me gisht
këmishës së Pashtrikut
e ia prenë malin mes për mes
M’at anë mbeti një krah shqiponje
e këtej ujku i zi hante zogjtë
e bënte kërdinë
Nga ajo konferencë Londre
tradhtisë ia pamë sherrin
djallin na e la në oborr
Eh,
kjo e lig të gjen
kur këmishën ta qepin të tjerët
2020
RUAJU KOSOVË!
Lirisë na i kanë vënë
një gurë rreth qafe
ec e barte Kosovë
Në maje të frontit
hip e zbret kush mundet
mjerë shpina jote, Atdhe!
Mbeta pa e kuptuar
nëse vërtet po ndriçon dielli
apo mashtrimi i radhës
A mund t’i besohet
kësaj ëndrre
kur në maje të frontit
është ngjitur edhe
krimineli i veriut
Ruaju Kosovë!
2020
SE SI MË TRAZON ËNDRRA
Se si më trazon ëndrra
e më zgjon çdo çast
e kaluara e ligë e historisë
m’i ha zogjtë një nga një
e dhimbja më trazon
me mllefin
Sot kur më ngrohë
një copëz diell i zbehtë
pak i gëzohem
shkëlqimit të tij
tek m’i ngrohë dhimbjet e plagëve
e guri maje bjeshke
rëndon mbi shpirtin e copëtuar
I mbledh një nga një
copëzat e dhimbjeve nëpër shekuj
e i palos ato
si plagë të krimit të historisë
që na i la gjarpri i veriut të zi
bashkë me gurin mbi Pashtrik
2020
VETËFLIJIMI
Nuk qenka e lehtë
ndjenja e ëndrrës së Atdheut
përballja me të
të nxjerrë një mal peripecish
përpara teje
e s’ia di hallin vetes
Po u mishërove njëherë
me gjakun e tyre
të bëhen rrjedhë në damarë
hallet e atdheut
e kërkojnë
çdo ditë flijime
Me lumturinë personale
duhet përshëndetur
derisa nuk i buzëqesh
nuri i atdheut
ti ke veç flijime
2020
KUKËSI
Të prita
ditën e dasmës së madhe
s’më erdhe
Të qova
edhe lajmëtarin maje Pikëllime
më the:
s’të la Evropa!
Gjak më ranë duart
maje Pashtriku
duke rrokullisur gurin
Ende s’të hapa udhë
2020
AMANETI
Plako, jam ulur pranë kujtimeve
tua, te guri i varrit i
shpalos motet një nga një
si një kronikë e moçme
me plotë etje e dashuri
për tokën, Atdheun e
copëtuar dhe mallin përtej
Pashtriku, si një copë
zemre e mbetur diku larg
e ndarë në dysh, që ta
ruan ëndrrën e ta ushqen
shpresën, për ditën e bardhë
që erdhi e na hapi
udhën, por ende s’e larguam
gurin nga bregu, e t’ia heqim
thikën nga zemra e Atdheut
e të ta sjellë lajmin e mirë
2020
LIQENI VËRMICË-KUKËS
T’i flladitë qetas ëndrrat e tua
E të miat i përkund valë - valë
Mbi shtatin tënd të qetë
Pret me shpatë vija e Evropës
E ti as që do me ia ditë
Shtatit e udhës tënde
S’i duhet as pasaportë e as vizë
Për m’at anë
Sa shpesh të valëzojnë ëndrrat
Të na i përcjellësh andej
Te vëllai i gjakut
Neve na e ka zënë guri udhën
E assesi ta shkulim nga bregu
Eh, lum si ti!
2020
PRAPË I VETMUAR
MAJE KODRE
Krisma e gurit
më zgjoj tmerrshëm
e ma çau gjoksin
nga pesha
e rëndë
Një mal bubullimash
shkarkuar janë
s’ia gjej dot rrënjën
këtu ende
ka vdekje
Dhe përsëri gjej veten
maje kodre i vetmuar
tek ia luaj
vendin gurit
përpjekjes për ta shkulë
nga zemra e Pashtrikut
2020
KLITHMË
Nga ulërimë
e mospajtimeve
i mbylla veshët
se më shurdhoj
inati i saj
Me këtë zallahi
zënkash
dikush do ta pësojë,
mjaft ju lutem
këtu ka inate!
Mes thyerjes
së shtizave
dikujt
po i thyhen eshtrat
popull i mjerë
Mbeta klithmë
e vetmuar
mes dëshirës
të të shoh dritë,
Atdhe!
2020
KUSH DUHET TA
HEQË GURIN
Evropa s’e ka dert
për gurin tonë mbi shpinë
as për dhimbjet
që pikojnë e s’ndalen
atje maje Pashtriku
Ajo s’e prish rehatinë e vet
për gurin tonë
as për klithmën e atdheut
me zemër të çarë
ah, ç’i bën
për shpirtin tonë të copëtuar
Duke e pyetur atë
guri na zu rrënjë maje Pashtriku
e zemra e atdheut
pikon e s’ndalet lotit
duke i pritur bajraqet tona
Tiranë e Prishtinë
2020
ËNDRRËS S’ IA SHUAJ ZJARRIN
S’dua të mbetem vetëm një kumt
që trazon ëndrrën e moçme
të heqjes së gurit mbi kodër
apo një zë i vetëm në shkretëtirë
ku nuk ka dëshirë ta dëgjojë askush
Nga ëndrra nuk largohem assesi
se më shpon në mes të zemrës
si një thikë që ndanë në dysh
dy damarët e shpirtit
që ushqejnë një trup
Ndaj s’dua të shuhet zjarri
që ngroh ëndrrën e moçme
sa do që dikush s’do ta dëgjojë
s’e kam fjalën për sharlatanët e bajraqeve
se me ta s’bëhet Atdheu një
2020
RIZGJIM
Për dhembjen tënde shekullore
Zgjuar na gjete mes bedenash
Ndër sheshet tua gjokset i bëmë mburoja
Me këmishën e kuqe t’i lidhëm plagët tua
Guximin e ndezëm në flakë
As prangat s’na e burgosen
Idealin e dritës për ty
S’lamë portë e sheshe pa i trokitur
Ndërgjegjes së fjetur të botës
I shkundëm edhe malet
Mburoja i bëmë për ditëbardhën tënde
Na iku jeta duke të të dhënë gjak
Për mbijetesën tënde
Ndaj, fatin tënd
S’lejojmë të përbaltë askush!
2020
ME IKJEN KURRË S’U PAJTUAM
I gjendur mes një kolone
që s’di kah ecën e kah shkon
i humbur në shkretëtirë
këndon këngët e jetës
si një zog i trazuar
që e braktis folenë
Ish ditë vere me vapë
kur na vodhën ato e na hodhën harrimit
bënte mot i zymtë
hapësirave tona
xhandari i zi na i numëronte hapat
e priste çastin kur të na fikë qiriun
I gjendur mes dilemash
të rrosh a të ikësh pa bërë gjë në këtë jetë
e zgjodhëm të parën
që të mund t’i shërbenim së dytës
e me ikjen u miqësuam pa dëshirë
po këngën për Atdheun s’e ndalëm
Zjarrin që na vlonte në gji
e morëm me vete
e nuk e shuam as edhe nëpër dekada
si një stafetë e pranverave të kuqe
derisa e sollëm në frontin e Atdheut,
Doruntinën
DHIMBJA
Nga ajka e dëshirave
dua ta shkul dhimbjen
Ka një shekull që zemrës
m’i sjellë kob e mbjell mort
Ëndrrat m’i ka ndarë në dysh
e s’m’i la të bëhen një
Rëndon me peshën e Pashtrikut
rrënja e gurit mu në zemër
A durohet kjo plagë
në zemrën e Atdheut?
Dua ta shkul dhimbjen
2020
VERTIKALJA
Ti ece vertikales së atdheut
Andej kah jeta me vdekjen piqeshin çdo ditë
Pa çka se pikëpjekja me ujkun e zi
Ishte fundi i kobit
Ti asnjëherë s’i mbylle dritaret e shpresës
të të mos frymojë më guximi
Përkundrazi, përpara syve të kobit
Shpërndave rrezet e dritës për të nesërmen
S’të theu asnjë furtunë
Ecjes tënde drejt diellit
maj, 2020
PËR BASHKIM S’ DUHET PYETUR
ASKËND
Kam një jetë që e kërkoj
një pikë të vetme mbi glob
Bredh kryeqytetit shpirtëror të shqiptarëve
a etje tek Lidhja e ngul flamurin kuq e zi
ky është Atdheu i ëndrrave të mia
Si një luftëtar i pandalshëm
i lodhur nëpër beteja
i mbledh copat e dhimbjeve
të këmishës së shqyer nëpër beteja
e me to i vesh shtatin
e atdheut të ëndrrave të mia
Nga dhimbjet që herë - herë më pushtojnë
i nxjerr kujtimet e hidhura
të historisë së ligësive që na ndoq
me fqinjët grabitqarë
e Evropa, kjo zonjë e ligë me gërshërë ndër duar
tek m’i pret tinëzisht hartat e shtatit të Atdheut
Medet, ç’zemërim më pushton në shpirt!
tek ngul flamurin e bashkimit
aty te sheshi i kryeqytetit shpirtëror
të shqiptarëve
e lëshoj kushtrimin gjithandej Atdheut:
se për t’u bashkuar s’duhet pyetur askënd!
2020
ËNDRRËN S’ MA SHUAN
Edhe në u shembeshin qiejt
A fortifikatë të bëhet Evropa te guri
Ëndrrën s’ma shuan
Edhe në mbetsha me të mbramin zog
A fusha me lulëkuqe në u mbushtë
Ëndrrën s’ma shuan
Edhe sikur asnjë këngë të mos këndohet
E qyqja të vajtojë lis më lis mbi Pashtrik
Ëndrrën s’ma shuan
Edhe sikur bota të përmbyset
E jeta të mos frymojë në këto troje
Ëndrrën s’ma shuam
Ajo s’njeh ndarje gjaku
2020
ËNDRRËN S’ DUA
TA MARR ME VETE
Me ëndrrën e pambaruar
s’dua të iki
as peshën e saj
me vete s’dua ta marr
Guri i saj
më rëndon në shpirt
diç s’m’i shkon
fluturimit të zogut
Deri kur
me hilet e Evropës
e me gurin e Sizifit
mbi shpinë
Gurin dua ta shkul
përpara se të ikë
nga kjo botë
s’dua ta marr me vete
peshën e tij
as ëndrrën për bashkim
2020